Mendime
Sadbere Emshiu: Kur zgjedhjet bëhen çështje forme
E enjte, 08.05.2025, 06:56 PM
Kur
zgjedhjet bëhen çështje forme – Vëzhgime të një migranteje mbi zgjedhjet për
kancelar dhe paralelet e tyre historike
«Kur
pushteti politik mund të sigurohet vetëm përmes përsëritjes, problemi nuk
qëndron te procesi – por te politika që e shtyn përpara.»
Zgjedhjet – një akt i demokracisë apo thjesht
një ritual politik?
Më 6 maj 2025, ndërsa ndiqja lajmet, më lindi
një pyetje që më kishte shqetësuar prej kohësh: Çfarë ndodh kur një kandidat
për kancelar dështon që në raundin e parë? Çfarë do të thotë kur pushteti
sigurohet vetëm përmes përsëritjes? Këto mendime nuk janë thjesht reflektime
mbi procesin zgjedhor në Gjermani. Ato janë jehona të një historie që jeton
brenda meje – një histori mbi demokracinë, pushtetin dhe përpjekjen e pandërprerë
për besueshmëri.
Si migrante nga Maqedonia e Veriut, që i kam
përjetuar nga afër plagët e sistemeve autoritare, i shoh proceset politike në
Gjermani me sy tjetër. Çfarë do të thotë kur një sistem politik që dikur shihej
si shembull fillon të tregojë shenja lodhjeje? Ku mbetet substanca që e mban
demokracinë gjallë?
Në këtë kolonë dua t'ju marr me vete në një
udhëtim reflektimi mbi këto pyetje dhe të nxjerr në pah paralelet e thella mes
zgjedhjeve për kancelar në vitin 2025 dhe përvojave politike që më kanë
formuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për votime – por për besim, përgjegjësi dhe
guximin për ta vënë në pikëpyetje sistemin çdo ditë.
Nga
Sadbere Emshiu
Në
mëngjesin e 6 majit, teksa lajmet e para për zgjedhjet po transmetoheshin, i
thashë vajzës time Drita Sofijës: «Imagjino sikur MERZ të mos zgjidhet sot –
çfarë do të ndodh?» Ishte një mendim spontan, i lindur nga dekada vëzhgimi. Dhe
pastaj, ndodhi vërtet.
Unë
vij nga Maqedonia e Veriut, nga një familje shqiptare, historia e së cilës
është e gërshetuar ngushtë me politikën e lëkundshme të Jugosllavisë. Një vend
që nga jashtë dukej modern, por nga brenda ishte i mbushur me kontroll, frikë
dhe heshtje. I njoh këto sisteme, ku proceset politike ishin shpesh vetëm
fasadë. Kam jetuar dhe Shqipërinë nën Enver Hoxhën, ku një zë i vetëm vendoste
për miliona – dhe të tjerët dënoheshin me heshtje.
Pastaj
erdhën luftërat: Bosnja, Kosova – jo konflikte të largëta, por plagë që brezi
im i mban ende brenda vetes. Nga kjo histori kam nxjerrë një mësim themelor: demokracia
nuk është një kontratë letre, as një grumbull paragrafësh. Ajo jeton në zemrat
e njerëzve, në dialog, në vullnetin për të marrë përgjegjësi, në gatishmërinë
për t'u përfshirë.
Kur
erdha në Gjermani më 1981, isha 15 vjeç, por politikisht e zgjuar. Gjyshi im
ishte mësuesi/mentori im i parë politik: një burrë që fliste pesë gjuhë, që
kishte përjetuar rënien e Perandorisë Osmane, luftërat botërore dhe ndryshimet
e sistemeve në Jugosllavinë e dikurshme. Përmes tij kuptova herët se vigjilenca
politike nuk është luks, por art mbijetese.
Gjermania
më magjepsi. Pavarësisht kontradiktave: këtu kishte rregulla të qarta, procese
transparente, ndërrim paqësor pushteti. Por sot pyes veten: kur një kandidat
dështon që në raundin e parë, kur qeveritë krijohen vetëm përmes përsëritjes
dhe manovrave taktike – a është kjo pjekuri politike? Apo kemi të bëjmë me një
sistem që është mbështetur tepër gjatë mbi stabilitetin e vet?
Neni
63 i Kushtetutës gjermane rregullon qartë zgjedhjet e kancelarit: shumicë
absolute në raundin e parë, edhe dy raunde të tjera, dhe nëse është e
nevojshme, emërim nga Presidenti Federal. Por çfarë do të thotë kjo për një
demokraci, kur themeli i legjitimitetit është i brishtë që në fillim? Besimi
nuk lind nga procedurat, por nga besueshmëria. Dhe besimi është i ndjeshëm –
fiton me vështirësi, humbet me lehtësi.
Unë
nuk e shkruaj këtë si vëzhguese e jashtme, por si dëshmitare e kohës. I njoh
shenjat paralajmëruese, kur forma zëvendëson përmbajtjen, kur pushteti bëhet
qëllim në vetvete. Në vendet e prejardhjes sime, zgjedhjet kanë qenë shpesh
vetëm një fasadë – dhe kështu mbeten edhe sot në shumë vende. Gjermania kishte
substancë. Por substanca duhet të mirëmbahen, si një kopsht i ndjeshëm që
kërkon ujë, dritë dhe vëmendje. Demokracia nuk ripërtërihet përmes përsëritjes
së zbrazët, por përmes besimit të qytetarëve.
Për
ne, që vijmë nga skajet e Evropës, çarjet në qendër dhembin veçanërisht shumë.
Ne e dimë se ku të çojnë proceset kur politika shërben vetëm për vetëmbijetesë,
kur njerëzit tërhiqen sepse nuk ndihen më të dëgjuar.
Prandaj
apeli im është: të shohim me kujdes. T'i marrim zgjedhjet seriozisht – jo vetëm
si procedurë, por si matës të besimit. Të dëgjojmë zëra që shpesh anashkalohen
– zëra si imi, që kanë mësuar çfarë do të thotë të mbash përgjegjësi, edhe në
heshtje.
Sepse
në fund, forca e një demokracie nuk matet me numrin e raundeve zgjedhore, por
me thellësinë e besimit që ajo ngjall. Është guximi i qytetarëve që e mban atë
– guximi për të parë, për të pyetur, për të kërkuar. Unë e shkruaj këtë si
dikush që e ka përjetuar se si liria thyhet në heshtje – dhe sa e çmuar është
kur rritet.
Prandaj lutem: ta mbrojmë jo nga frika e humbjes, por nga dashuria për atë që na bën njerëzorë – shpresën për të ndërtuar së bashku një të ardhme më të mirë.