Mendime
Skender Jashari: Republika e Kosovës, nën kthetrat e propagandave jomiqësore
E hene, 12.05.2025, 06:59 PM
Republika e Kosovës, nën kthetrat e propagandave jomiqësore
Nga
Skender Jashari
E kam të vështirë ta trajtoj këtë temë,
për të cilën në vazhdimësi kam ngritur zërin, e tashmë i dëshpëruar që
institucionet e Republikës së Kosovës, asnjëherë deri më sot, nuk kanë vepruar
siç parashihet me ligjet respektive të saj. Fund e krye, shoh joprofesionalizëm
dhe dështim, qoftë si shoqëri dhe si institucione në relacion me shtet-ndërtimin,
sundimin e ligjit, parandalimin dhe luftimin e dukurive kriminale, përfshirë
edhe asaj të terrorizmit etj. Nga miliarda argumente e kundërargumente, është e
vështirë të zgjedh disa dhjetëra prej tyre, në këtë rast. Personalisht nuk
besoj aspak, që mund të bëhet diç në vendin tonë, duke vepruar nga brenda qoftë
si iniciativë qytetare apo edhe përmes integrimit në kuadër të institucioneve të
Republikës së Kosovës, por jam i bindur, që përmes parandalimit dhe luftimit të
terrorizmit në nivel Europian apo përmes instancave ndërkombëtare në drejtim të
Institucioneve të Republikës së Kosovës, që të detyrohen edhe Institucionet
respektive të Republikës së Kosovës që të veprojnë. Natyrisht edhe në rast të
tillë, do duhej që me vigjilencë të identifikohen dhe kërkohet reagim i ashpër
ndërkombëtar për çdo lëshim që mund të ribëjnë institucionet respektive të
Republikës së Kosovës, siç kanë bërë në rastin e luftimit të Luftëtarëve të
Huaj Terrorist në vitet 2014-2018.
Në shtetet moderne demokratike perëndimore,
nuk ndodhin këso gjëra. Institucionet e këtyre vendeve veprojnë me kohë në
parandalimin dhe luftimin e ndikimeve jomiqësore a armiqësore. Republika e
Kosovës, aspiron të jenë pjesë e mekanizmave Euro-perëndimor.
I.Mediet në Republikë të Kosovës dhe
trajtimin që ato i bëjnë çështjeve specifike të anti-terrorizmit dhe
propagandave terroriste si dhe promovimi i pseudoeksperto-analistëve
Mediet do duhej të ishin të lira, profesionale,
të pavarura dhe objektive. Vitin paraprak Indeksi Vjetor i Lirisë së Shtypit të
Reporterëve pa Kufij, kishte renditur Republikën e Kosovës në vendin e 75-të,
kurse për këtë vit, e renditin në vendin e 99-të, duke shënuar një rënije tepër
të rëndë.
Mediet në përgjithësi bëjnë trajtim
joserioz, jomeritor, joprofesional e as cilësor të çështjes së radikalizmit,
ekstremizmit dhe terrorizmit; propagandave terroriste dhe agjentëve islamik të
huaj( kryesisht të Serbisë). Në një numër të konsiderueshëm të medieve, shohim
analist, ekspertë a studiues të cilët përkundër jokompetencës së tyre
profesionale dhe akademike, trajtojnë çështje të tilla, zakonisht me porosi nga
sponsorizuesi i tyre, e që në fund të fundit kuptohet me qëllim të manipulimit
të opinionit publik.
Mediet dhe propagandat: Mediet tona( jo të gjitha), akoma përdoren si mjete
propagande a dezinformimi dhe jo aq si mjete informimi profesionale, objektive
dhe të pavarura. Analistë, ekspertë a studiues të cilët përkundër jokompetencës
së tyre profesionale dhe akademike, më shumë përhapin e mbështesin propaganda të
huaja sidomos filoturke, filoruse, filoserbe, panislamiste etj. Propagandat e
tilla, sidomos ato: filoruse, filoserbe, filoturke, panislamike( e deri tek
propaganda terroriste islamike), anti-europiane, anti-amerikane,
anti-shqiptare, anti-semite etj. Këta propagandues, në të shumtën e rasteve
financohen privatisht, fshehtas dhe në rrugë jozyrtare. Përderisa kundërpropagandojnë
duke akuzuar organizatat e huaja perëndimore, që promovojnë forma liberalizmi në
Republikë të Kosovës, si dhe barazojnë të tillat me ato organizata të dyshuara
për lidhje me terrorizmin islamik. Nga ana tjetër, organizatat që mbështeten
nga vendet perëndimore, fondet e tyre në të gjitha rastet janë publike poashtu
edhe veprimtaria që ato bëjnë: p.sh: lirinë e LGBT, organizatat fetare perëndimore-
kryesisht të krishtera etj.
Mediat dhe promovimi i pseudoeksperto-analistëve: Dukuria më shqetësuese është parë, që viteve të fundit ka
propagandues, që shtiren si ekspertë a analist, që trajtojnë çështje të
anti-terrorizmit, të sigurisë, të “Lindjes së Mesme” dhe të çështjeve të
veprimtarisë së agjenturave dhe spijunazhit. Në fakt të tillët janë
propagandues, e aspak nuk janë ekspertë, analist a studiues. P.sh: Olsi
Jazexhiu, Mustafa Bajram apo kohëve të fundit edhe më qesharake rasti i një grupi
neo-otoman, mes tyre Korab Blakaj që vetëparaqitet si analist politik a i
sigurisë etj. Kam përcjellur deklarimet, komentimet në mediet lokale si
dhe në mediet e tyre sociale, kam parë: propagandën terroriste islamike;
propagandë antisemitiste; mbështetje të grupeve konkrete terroriste
islamike-sidomos ndaj grupeve terroriste palestineze, por edhe ndaj grupit
terrorist islamik të Kaçanikut që kreu aktin terrorist islamik të vrasjes së
policit, apo sidomos duke tentuar të luaj rolin e amortizuesit dhe minimizuesit
etj. Mjafton që në një debat televiziv, reagim a postim në rrjetet sociale a qoftë
edhe në ndonjë koment në këto raste, që të shohim kur trajtohet çështja
konkrete( p.sh: rasti i arrestimit të terroristëve të dyshuar islamik për
vrasjen e policit në Kaçanik), që: ngre paralele me akte të tjera kriminale;
apo që minimizon rastin; që tenton të fajësoj subjekte fizike( p.sh: individët
e caktuar në rastet kur terroristët kanë të kaluar kriminale ordinere) për të
shfajësu ideologjinë etj.
Sugjeroj: Në Republikë të Kosovës, besoj që ka akoma gazetar që kanë
dinjitet dhe integritet, që etikën e tyre profesionale nuk e shkelin. Do
sugjeroja sidomos gazetarët investigativ dhe mediet që përpiqen të jenë
profesionale, objektive dhe të pavarura, pasiqë besoj që “pushteti i katërt”
mund të ketë ndikim në këtë drejtim, që të ushtrojnë “ndikim të lejuar ndaj
pushteteve të tjera tradicionale”. Duke qenë se nga përvoja që kam pasur, kam
parë, që Institucionet e Republikës së Kosovës, shumë seriozisht i marrin
rastet vetëm pasi të publikohen në medie. Duke e parë që edhe në Republikë të
Kosovës, është krijuar një “masë kritike radikale islamike” e cila detyron që
politikanët dhe partitë politike të jenë flirtuese dhe të joshura pas tyre, e
mos të guxojnë të dalin kundër tyre, apo që së paku të heshtin a ulin zërin
kundër radikalizmit, ekstremizmit dhe terrorizmit islamik. Shtuar kësaj edhe
shumë faktorë dhe rrethana të tjera që bëjnë që radikalizmi, ekstremizmi dhe
terrorizmi islamik të ngulitet edhe brenda Institucioneve të Republikës së
Kosovës, e të gjitha këto, kryekëput të dirigjuara a bashkëdirigjuara mes
Serbisë dhe vendeve të tjera që kanë interes nga përdorimi i tyre. Prandaj nuk
besoj më në iniciativa institucionale që do mund të dalin nga Republika e
Kosovës, si veprim parandalues, por më shumë mund të rrjedhojnë si
kundër-reaksione a detyrime për të vepru shkaku i porosive a trysnive
ndërkombëtare. Analizuar nga gjitha këto, besoj që mjete efikase të brendshme
në Republikë të Kosovës, mbeten publikimi i rasteve të tilla, trajtimi dhe
analizimi i mirëfillt i këtyre rasteve që publiku të njoftohet, por edhe në
instanca ndërkombëtare të kërkohet reagim.
Republika e Kosovës, ka një kornizë
solide ligjore, por ngec rëndë në zbatimin efektiv të tyre në praktikë. Ligje,
Kode, Strategji konkrete dhe Plane Veprimi( si: prej Ligjit për të drejtat dhe
mbrojtjen e fëmijës e deri tek Ligji për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe
Luftimin e Financimit të Terrorizmit), që trajtojnë shumë aspekte të
rëndësishme që kanë të bëjnë edhe me aspekte të mbrojtjes, parandalimit dhe
luftimit të radikalizmit, ekstremizmit dhe terrorizmit, janë të kompletuara ad
litteram( në letër), por ngecin në praktikë, madje në disa raste duken edhe
sabotime të qëllimshme.
Më:11.05.2025
Skender
Jashari i burgosur politik nga EULEX, për rastet
e sulmeve kundër policisë dhe xhandarmërisë së Serbisë në Dobrosin
komuna e Bujanocit.
Master
drejtimi juridiko-penal dhe studime joformale ushtarake.