Mendime
Sonila Meço: Analiza e një Eksperimenti të Korruptuar: Zgjedhjet në Shqipëri
E merkure, 14.05.2025, 06:55 PM
Analiza e një Eksperimenti të Korruptuar: Zgjedhjet në Shqipëri
Nga Sonila
Meço
1. Hipoteza (Qëllimi i Eksperimentit)
Zgjedhje demokratike që:
• Pasqyron vullnetin e popullit.
• Mundëson ndryshimin pushtetit me votë.
• Të legjitimojë qeverisjen përmes një procesi të
drejtë dhe të lirë.
2. Struktura e Eksperimentit (Sistemi Zgjedhor)
• Metoda: Përfaqësim proporcional rajonal (me lista
të mbyllura e të hapura) pa korrektim kombëtar. Pa koalicione parazgjedhore.
• Subjektet: Qytetarët me të drejtë vote, brenda e
jashtë Shqipërisë
• Variablat:
E pavarur: Preferencat e votuesve.
E varur: Rezultati zgjedhor (përbërja e
parlamentit).
• Kontrolli: Ligjet zgjedhore, organet mbikëqyrëse,
drejtësia e pavarur.
3. Natyra e Korrupsionit (Çfarë shkoi keq?)
Probleme sistemike që “korruptuan” eksperimentin
demokratik:
• Blerja dhe shantazhi i votës: Raste të
dokumentuara të manipulimit përmes presionit financiar, politik, social dhe
kriminal (patronazhimi, zyrtarë pranë Qendrave të Votimit, njerëz me precedentë
penalë edhe brenda Qendrave të Votimit, treni “bullgar”, zyra të padeklaruara
elektorale, marrje kartash identiteti, blerje vote)
• Orientimi i votës përmes presionit ndaj
administratës publike, përdorimit ekstrem të burimeve publike (punësimet
elektorale, bonuset e pensionit, falja e gjobave, inaugurimet elektorale,
asfaltet elektorale, amnistitë elektorale, zbarkimet e stafeve të ministrive e
zyrave shtetërore në terrenin e fushatës, kontrolli ndaj administratës publike
prej 185,000 personash)
• Parregullsi masive në administrimin e votës së
diasporës. Inxhinierim edhe më i egër e joligjor se ai i votës brenda.
• Kontrolli i medias: Media nën kontroll qeveritar
si në asnjë palë zgjedhje (përveç të parave pas rënies së komunizmit) kufizoi
informimin e qytetarëve dhe u vu në funksion të propagandës së pushtetit.
• Frikësimi: Kërcënime apo presion nga struktura
partiake, shpesh me lidhje kriminale gjatë fushatës, procesit zgjedhor dhe atij
të votimit.
• Institucione të dobëta: Agjensi ligjzbatuese,
komisione, SPAK apo gjykata që nuk vepruan në mënyrë të pavarur, në kohë, ose
reaguan sipas urdhërave të pushtetit. (Mungesa e reagimit për skandalin e 6
telefonatave denoncuese në 2 orë në zyrën e padeklaruar patronazhiste në
Tiranë, mungesa e policisë në Vorë, selektiviteti i ndjekjeve penale në dëm të
opozitës, mos funksionimi i Task Force të SPAK në parandalimin dhe kapjen në
flagrancë të krimit masiv elektoral, apatia e policisë justifikuar me
angazhimin për Giro d’Italia)
• Sistemi shpërpjestimor elektoral, që me të
njëjtin numër votash partisë në pushtet i garanton 10 mandate më shumë.
Favorizimi numerik në tavolinë i partisë në pushtet nga formula e ndarjes së
mandateve. Sistemi, pa korrektim kombëtar nuk respekton parimin e përfaqësimit,
duke “dënuar” çdo parti të vogël e të madhe opozitare, sidomos kur nuk ndodh
bashkimi, ose koalicioni parazgjedhor (ky i fundit i pamundur me ndryshimet e
njëanshme të kodit para zgjedhjeve 2021)
4. Rezultatet (Çfarë u vu re?)
• Partia në pushtet e përfshirë në skandale e afera
të mëdha, denoncuar nga opozita merr thuajse të njëjtin numër votash si në
zgjedhjet 2021, po shton 10 ulëse në parlament me shumicë të cilësuar.
• Krijimi i partive të reja opozitare, që nuk u
lejohet koalicion parazgjedhor, por edhe pa vullnet për t’u bashkuar,
megjithëse të qarta mbi “dëmin” e përçarjes opozitare në një sistem pa
korrektim kombëtar favorizoi me 10 mandate plus pa asnjë votë më shumë
pushtetin dhe dëmtoi opozitën. Partitë e reja të vogla, LB, NSHB, Mundësia kanë
marrë mbi 120,000 vota nga rezervuari i PD-së, duke mos e gërryer dot PS-në e
duke mos përkthyer votën në mandate të merituara. Pra PS, ndërsa organizoi një
batërdi elektorale për të mbajtur votën, opozita e pabashkuar ndau votën mes
vedi.
• Perceptim i paligjshmërisë: Moslegjitimim nga ana
e partisë më të madhe opozitare, akuza të dokumentuara për mashtrime dhe
vjedhje masive të votës.
• Struktura të ngulitura të pushtetit: Dominim i
një partie, që mund të realizojë e vetme ndryshime kushtetuese, ligje organike
e reforma pa patur nevojë për opozitën.
• Skepticizëm ndërkombëtar: BE dhe OSBE raportuan
parregullsi serioze në vlerësimet e tyre. Mediat prestigjoze ndërkombëtare edhe
një herë përcaktuan Shqipërinë si autokraci, narko-shtet dhe të kapur nga
mafia.
• Shpopullimi ka ndryshuar konfigurimet demografike
• Zhgënjim publik: Rënie e besimit nga inxhinierimi
i votës. Tronditje e shpresës. Mos përkthim i frymës antipushtet në votë dhe
dënim publik pushteti.
5. Përfundime
Nëse i trajtojmë zgjedhjet në Shqipëri si një
“eksperiment” politik për demokracinë:
• Rezultatet eksperimentale janë të paqarta për
shkak të ndërhyrjeve sistemike. Analiza e shifrave dhe preferencave nuk çon në
përfundim logjik mbi shprehjen e vullnetit të qytetarëve, por kontrollit mbi ta
nga pushteti.
• Hipoteza dështon: Procesi nuk pasqyron standardet
demokratike.
• Riprodhimi i pamundur: Çdo zgjedhje e re rrezikon
të përsërisë të njëjtat rezultate në ndarjen pushtet-opozitë pa ndryshime
thelbësore kushtesh, sistemi, fuknsionim drejtësie (SPAK, Gjykata, KAS),
institucioneve zgjedhore të pavarura, mobilizim të shoqërisë civile jashtë
ndikimit të pushtetit dhe lobimeve në favor të tij, në varësinë e ndërsjellë
oligarkike-pushtetare, në strategjinë dhe përfaqësimin opozitar në publik, në
lista, fragmentarizimin me qëllim a naivisht të opozitës, por edhe modusin
“mbijetesë” e “bukë goje” në operandin shoqëror.
Pra kush ka vendos me jetu këtu, me e rrit fëmijën
këtu, me u ngrys e u plak në Shqipëri nuk mund t’i nënshtrohet më logjikës së
marrisë së eksperimentit me rezultate të ndryshme e kushte të njëjta. Dhe o do
të protestosh e reagosh pa fatalizëm në emër të cilësisë së jetës me ndoca doza
dinjitet o qendro aty në cepin e cinizmit tënd me përcaktimin e merituar nga
Sulltani që krijove me kompromiset e tua: “Çyryk” i palumtur.