Kerko: a
Gjekë Gjonaj: Tre breza instrumentistësh virtuozë
E enjte, 13.03.2025, 08:50 PM
Trinomi i mjeshtërve të mëdhenj malësorë
Tre breza instrumentistësh virtuozë në lahutë, fyell e zumare brenda të njëjtës
familje
Nga
Gjekë Gjonaj
Janë
të rralla familjez malësore
shqiptare të së njëjtës fushë krijimtarie , sikurse është familja e Zef Tomë Hasurit Dedivanaj
nga Trieshi (Malësi e Madhe) , e cila i
kanë dhënë shumë folklorit shqiptar. Vëllezërit e njohur
të skenave kombëtare dhe
ndërkombëtare - Fran, Nikollë dhe Nosh
Zefi u lindën dhe u rritën në një familje të njohur jo
vetëm për trimëri në mbrojtjen e tokave shqiptare, por edhe për dashurinë e madhe të
trashëgimisë popullore dhe interpretimit të
pasurisë kulturore-folklorike të
shqiptarëve.
Trashëgim nga familja
Babai
i tyre, Zef Toma ( 1882-1975), i njohur
si instrumentist e këngëtar i shkëlqyer
në fshat e krahinë dhe si vajtor (
britmëtar) i dalluar, ishte ai që i pari u mëkoi
fëmijëve të vet dashurinë për
krijimtarinë popullore, respektivisht për
lahutën, fyellin dhe zumaret. Dhe
ashtu , si pa kuptuar fare, dashuria për këto tri instrumente muzikore
burimore, u bë pjesë e pasioneve të vegjëlisë, sidomos në mjedisin baritor të vendlindjes. Aq u
mishëruan me këto vegla të lashta
muzikore, saqë nuk njohën plakjen as largimin
nga magjia e melodive të tingujve dhe ritmeve të derdhur nga këto instrumente. Madje këtë mjeshtri të luajtjes
në instrumente muzikore e
përcollën te pasardhësit e tyre, duke u bërë kështu brezi
i tretë i instrumentistëve brenda një
familjeje , i cili zotëroi në mënyrë të përsosur artin e vet.
Shkëlqimi në
festivale folklorike mbarëkombëtare dhe
ndërkombëtare
Vëllezërit Dedivanaj kanë ndërtuar një karrierë të pasur dhe
shumëdimensionale si instrumentistë virtuozë
në lahutë, fyell dhe zumare në skena të ndryshme brenda dhe jashtë shtetit, në festivale , në logje, dasma, gëzime
familjare, festa, ahengje e tubime të tjera popullore në Malësi afro
një gjysmë shekulli. Ata janë rritur
me tingëllimën e veçantë të kopesë
së deleve, me tingujt e instrumenteve tradicionale popullore dhe
natyrshëm, çdo njëra prej tyre hyri në
gjakun tyre, në shoqërinë e përjetshme të
freskisë nga flladi i bjeshkëve
të larta të majës së Kazhenikut të Trieshit, të cilat në shtëpinë – kullë të tyre,
hynë brenda shpirtit të tyre , duke bërë që ata të harrojnë
gjithçka. U futën thellë brenda tingullit, muzikës, legjendës. Duke
ndierë çdo frymëmarrje, u bënë pjesë e
këtyre veglave autoktone muzikore.
U pëlqente lahuta, fyelli e
zumarja sepse në këto instrumente, siç
thoshin ata, gërshetohen të gjitha
zërat e natës. Kështu ata gjithë jetën
jetuan me artin, që është qielli,
ajri, toka, malet, deti e gjithçka tjetër,
i cili mbart egoizëm, rivalitet midis grupeve, por në anën tjetër ka
edhe forcën madhore.
Laureatë të Festivalit
të Opatisë në Kroaci
Meloditë
e këtyre mjeshtërve të shquar të instrumenteve popullore
muzikore frymore kanë qenë shumë të
preferuara për dëgjuesit ( publikun)
shqiptarë, por edhe joshqiptarë. Dueti trieshian, Fran Zefi dhe Nikollë Zefi Dedivanaj , ka prekur majat, përtej të cilave pothuaj nuk mund të shkojë ekzekutimi me
pasion i tyre, në Festivalin e Opatisë
në Kroaci në vitin 1951 ( më i njohuri i asaj kohe në ish- Jugosllavi).
Këta dy artistë trieshianë në duet, të
veshur me kostume tradicionale
shqiptare (një pasuri me vlera kombëtare e ndërkombëtare), që përfaqësuan shqiptarët e Malit të Zi, me interpretimin e tyre virtuoz dhe tejet origjinal në fyell u vlerësuan ( shpërblyen) nga juria e festivalit me vendin e parë. Zëri i fyejve të këtyre
bilbilave shqiptarë nga ky
festival kaloi kufijtë e
ish-Jugosllavisë dhe arriti në disa qytete
evropiane, madje edhe në Londër, ku
gjendet dhe ruhet
incizimi i interpretimit të
tyre me fyell. Për suksesin e tyre në
skenën e artit muzikor - folklorik
shkruan disa gazeta shqiptare dhe të huaja të kohës. Kush do ta mendonte që artistët
trieshianë do të mahnitin
shqiptarët dhe popujt e tjerë
në këtë festival? Interpretimet e
tyre me fyell dhe zumare janë shoqëruar me këngë dhe valle shqiptare, por ai
shpesh ka ekzekutuar improvizime të lira
në dasma, festa e ahengje familjare.
Ah, ju lumtë !
Vëllezërit
Dedivanaj, që kanë bërë emër në
ekzekutimin në fyell dhe zumare, për mendimin tim përbëjnë trinomin e
mjeshtërve të mëdhenj trieshianë, malësorë-shqiptarë të interpretimit me këto
instrumente muzikore të thjeshta në dukje, por magjepse me melodi. Kudo janë
paraqitur në skenë apo
jashtë saj mallëngjyen publikun artdashës. Këta mjeshtër të shquar të instrumenteve popullore
muzikore morën shumë lëvdata ( fjalë të mira) , si : “ Ju lumtë!”, “ Mrekullueshëm”, “ Shumë bukur”
, “ Na kënaqët shpirtin”, “ Na kujtuat jetën
baritore”, “ Jeni legjendë e gjallë e fyellit” etj.
Të përjetshëm përmes instrumenteve frymore
Trieshianët
i quajnë tre mbretër, tre kryemjeshtër, tre interpretues tejet virtuozë dhe të pasionuar. Të tre këta
interpretues kanë krijuar
origjinalitetin e interpretimit autonom. Dy vëllezërit Hasuraj- Frani dhe
Nikolla kanë vdekur. Vëllai i parë Frani është ndarë nga jeta në vitin 1998, në moshën
79-vjeçare. Vëllai i dytë Nikolla ka kaluar në amshim pesë vite më vonë, në
vitin 2003, në moshën 82 – vjeçare. Vëllai i tretë Noshi, që ka luajtur për mrekulli
në fyell dhe në zumare të punuara nga vetë ai është
86 vjeç dhe dallohet për
vitalitetin e tij në këtë moshë të thyer.
Ai sot është ndër të paktët, mos
i vetmi, interpretues i zumares në Malësi të Madhe.
Pjesëtarët
e familjes Hasuraj me tradita muzikore
kanë lanë gjurmë të pashlyera në fushën e muzikës popullore shqiptare përmes instrumenteve frymore. Emri i tyre do të mbetet përjetësisht
në listën e instrumentistëve të shquar të kombit tonë. ( Koha javore)
Fran
Zef Tomë Hasuri ( 1919-1998)
Nikollë
Zef Tomë Hasuri ( 1921-2003)
Nosh
Zef Tomë Hasuri