Vërtetësi
Kastriot Dervishi: Vrasja e Miladin Popoviçit, treguar nga Qazim Vula
E marte, 28.01.2025, 06:53 PM
Vrasja e Miladin Popoviçit, treguar nga Qazim Vula
Nga
Kastriot Dervishi
Qazim
Vula e ka pasur shtëpinë mjaft afër vendit ku u vra Miladin Popoviçi. Kur erdhi
në Shqipëri ai kujtonte bisedat me Haki Tahën. Për këtë vrasje ishin arrestuar
60 persona nga OZN-a. Pjesë nga dëshmia:
“Në
vitin 1945 pasi mori fund lufta dhe Jugosllavia u çlirua, në Kosovë vjen si
komandant Miladin Popoviçi. Në këtë kohë atje filloi një torturë në masë,
sidomos në popullin e Kosovës; bëhej një propagandë e keqe, duke thënë se tani
edhe Shqipërinë do ta okuponin dhe bënin koloni të Jugosllavisë. Vetë Miladini
pati thënë se në Shqipëri do të dërgonin ushtrinë, punëtorët dhe teknikët e
tyre dhe se së shpejti e gjithë Shqipëria do të okupohej. Duke parë se në
Kosovë po bënin tortura dhe vrasje në masë të popullsisë shqiptare dhe nga ana
tjetër Kosova u shkëput nga Shqipëria, për më tepër flitej se edhe Shqipëria do
të bëhej koloni e Jugosllavisë, unë kam biseduar me Haki Tahën dhe Enver Sudin,
i pari nga Gjakova e i dyti prej Prishtine, se kjo nuk durohej, prandaj duhej
bërë diçka për Kosovën dhe Shqipërinë. Haki Taha, si më i ditur nga ne, njeri
me shkollë dhe mësues, na tregoi se shkaktar për të gjitha këto që po ngjanin
në Kosovë, ishte Miladin Popoviçi, prandaj ky duhej zhdukur fizikisht. Hakiu
tha se pasi ta bënte këtë do vriste veten, vetëm që Kosova të mos vuante më.
Para se të vepronte, Hakiu gjeti një flamur të Shqipërisë, ia dha një gruaje
për ta qëndisur me fije ari fjalët: “Kosovës liri – bashkim me Shqipërinë”. Gruaja
e shkoi por për fjalën e dyti, nuk i doli ari. Për këtë unë dola, gjeta fije
ari dhe shkrova atë që mungonte. Më 13 mars 1945 Haki Taha e vendosi në gjoks
flamurin në shtëpinë time, nën një jeleku lëkure. Doli i armatosur dhe u nis të
vriste Miladin Popoviçin. Dolëm bashkë. Rreth 100 metra nga shtëpia, u ndamë.
Unë shkova në Pazar se ishte ditë pazari, ndërsa Hakoi u nis në zyrën e
Miladinit. Më parë shkroi një letër sikur donte të shtrohej në spital se ishte
sëmurë e për këtë i duhej ndihma e Miladinit. Sapo ia dha letrën e vrau me
revolver italian. Pas vrasjes doli dhe u fsheh në një plevicë bari. Pas dy
ditësh qëndrimi, nga uria doli në qytet, por këtu ra në pritë të patrullave.
Për të mos rënë në dorë i gjallë te ata, vrau veten”.