Vërtetësi
Kastriot Dervishi: Studimi që i vodhën Sabiha Kasimatit
E diele, 15.09.2024, 06:57 PM
Studimi që i vodhën Sabiha Kasimatit
Nga
Kastriot Dervishi
Një
prej anëve më të padukshme të komunizmit, ose një prej vjedhjeve më të padukshme
të tij është vjedhja e pasurisë intelektuale. Kjo pasuri është shumë e vështirë
të identifikohet sepse hajdutët dhe kriminelët pas vrasjes, zhduknin çdo gjurmë
të krimit të tyre.
Sabiha
Kasimati, punonjëse e Institutit të Shkencave, kjo shkencëtare e rrallë edhe
për vendet e pasura, e jo më për një vend si Shqipëria, u vra nga regjimi i
injorantëve më 26.2.1951, me rastin e incidentit të dinamitit në legatën
sovjetike, bashkë me 21 persona të tjerë. Vepra e saj shkencore, menjëherë u
vodh.
Në
vitin 1958 Georgji Dimitriveç Poljakov (me tre ndihmës shqiptarë,
administratorë të dokumenteve që gjetën) botoi librin “Peshqit e Shqipërisë”.
Kjo vepër studimore e rrallë nuk ishte tjetër veçse puna shkencore disavjeçare
e Sahiha Kasimatit. Botimi i parë i Universitetit të Tiranës u shtyp në 1535
ekzemplarë. Në parathënien e këtij libri thuhej:
“Kjo
vepër mbi peshqit e Shqipërisë është fryti i punës shkencore të Sektorit të
Ihtiologjisë të Institutit të Shkencave. Ky sektor, i cili filloi veprimtarinë
e tij aty nga fundi i vitit 1951, u ngrit me qëllim që të kërkojë mënyrat dhe
metodat më të mira të shfrytëzimit e të restaurimit të faunën ihtike të ujërave
të ëmbla e të kripura, për t’i shërbyer ekonomisë së peshkut në Shqipëri”.
Në
këtë studim përshihen 99 familje me 267 specie nga të cilat 30 i përkasin
ujërave të ëmbla, trajtohet koha dhe vendi i prodhimit, ritmi i rritjes dhe
zhvillimi, migracioni, mjetet e metodat e shfrytëzimit, përhapja gjeografike,
etj.
Sipas
shpjegimeve në libër bëhet e ditur se ihtilohu Georgji Dimitriveç Poljakov ka
ardhur në Shqipëri fill pas vrasjes së shkencëtares Sabiha Kasimati në fund të
vitin 1951, duke qëndruar deri në mes të vitit 1953. Ai u dërgua nga Bashkimi
Sovjetik “për të ndihmuar” punonjësit e Sektorit të Ihtiologjisë së Institutit
të Shkencave “në punën e vështirë të kërkimeve shkencore”. Sipas librit
profesori sovjetik “mundi brenda një kohe të shkurtër t’i vërë sektorit të
Ihtiologjisë baza të shëndosha organizative, të drejtojë me kompetencë të
gjitha punimet shkencore dhe të vlerësojë si duhet problemet kyçe që
preokuponin për sa i përket lidhjes së shkencës me praktikën”. Po ashtu thuhet
se Poljakovi i vuri detyre vetes të mbarojë të parën vepër të plotë për faunën
ihtike të vendit tonë, detyrë të cilën “e kreu me sukses”.
Siç
edhe shihet, koha prej një viti e gjysmë është krejt e pamjaftueshme për
realizimin e një vepre të tillë. Autori sovjetik është tradhtuar në këtë mënyrë
vetëm nga ky fat. Plagjiatura që ai ka kryer, duke përdorur si maskë disa
autorë shqiptarë është e dukshme.