Vërtetësi
Kastriot Dervishi: 30 vjet nga masakra e Peshkëpisë
E merkure, 10.04.2024, 07:45 PM
Komunikata e Ministrisë së Rendit Publik, nr.101, datë 11 prill 1994, për këtë ngjarje:
“Më
10.4.1994, ora 2.30, 6 – 7 persona të paidentifikuar, të veshur me uniformë
ushtarake greke, të maskuar me maska, kanë hyrë nga toka greke, nëpërmjet
grykës së Bogazit në tokën shqiptare, në postën kufitare të Pëshkëpisë. Aty në
mënyrë të befasishme kanë goditur me armë automatiku tip “Shotgun” rojën e
jashtme të postës ushtar Arsen Llazar Gjini, vjeç 20, nga fshati Seman Fier,
duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Më pas kanë kapur rojen e derës
së hyrjes së postës, i cili së bashku me rojen e jashtme e kryenin shërbimin pa
municion, e janë futur në ambientet e postës. Dy prej tyre kanë hyrë në dhomën
ku flinin nënoficerët e postës Qemal Stroka dhe Siat Selfo, të cilët i kanë
nxjerrë të lidhur. Një person tjetër prej tyre ka hyrë në dhomën e komandantit
të postës, Fatmir Sali Shehu, vjeç 34, lindur në Qesarat të Tepelenës, banues
në Gjirokastër, duke e nxjerrë në korridor e aty e kanë goditur me automatik
duke i shkaktuar plagë në gjoks e në krahun e majtë, duke i shkaktuar vdekjen.
Pas këtyre veprimeve kanë hyrë në fjetoren e ushtarëve duke goditur me
automatik muret e tavanit të saj. Kanë sjellë aty trupin e ushtarit të vrarë me
automatik dhe kanë goditur e plagosur 3 ushtarë të tjerë, që janë jashtë
rrezikut, duke u thënë se po të lëviznin, do ta pësonin dhe se këtë e bënin për
“Vorioepirin” të cilin nuk e kanë harruar. Kanë kërkuar të dinë se ku është
depoja e armatimit, por ushtarët nuk e kanë treguar. Gjatë kësaj kohe kanë
kontrolluar dhe kanë marrë 16 automatikë dhe 2 pistoleta në kasafortën e
fjetinës, duke i këputur drynat pasi kanë lidhur në pranga të markës “Tajvan”
nënoficerin Qemal Stroka, e kanë marrë me vete duke u thënë ushtarëve se ky
është i vdekur, prandaj ju mos lëvizni. Pasi e kanë marrë me vete, janë larguar
në drejtim të kufirit nga gryka e Bugazit. Afër kufirit rreth 200 m larg
piramidës 24, e kanë lënë nënoficerin Qemal Stroka të lidhur me pranga, duke i
thënë të kthehet në postë dhe për çdo minoritar do ta paguani 10 nga ju dhe
kanë ikur në tokën greke.
Veprimet
e tjera hetimore u bënë nga një grup hetuesish të policisë hetimore. Gjatë
këqyrjes së vendit të ngjarjes, u gjetën gëzhojat e automatikut “Shotgun” me të
cilat kishin qëlluar. Në rrugën e kthimit për në tokën greke u gjetën disa
pajime ushtarake si çanta shpine, shirita dore të prodhimit amerikan. Nga
veprimet e para hetimore u provua se disa persona të identifikuar nga ata që
flisnin vetëm greqishte të pastër, njëri fliste shqipe të çalë me theks
minoritar dhe tjetri shqipe të pastër me dialekt të jugut. Nga policia hetimore
u ndaluan për shpërdorim detyre, për mosmarrjen e masave për kryerjen e
rregullt të shërbimit, e organizimin e punës për ndjekjen e moskapjen e këtij
grupi terrorist, nënoficerët e postës kufitare të Peshkëpisë, si më poshtë:
Qemal Sulo Stroka, vjeç 30, banues në Peshkëpi, nënoficer në këtë postë,
instruktor qeni me kombësi e shtetësi shqiptare; Siat Felek Selfo, vjeç 42,
banues në Peshkëpi, nënoficer magazinier; oficer Arian Reiz Guma, vjeç 39,
banues në Gjirokastër, komandant i qendrës së stërvitjes për arsye se ka
urdhëruar të kryhet shërbimi pa municion në postë. Ndalimet i bëri inspektori i
policisë hetimore Ilirian Delilaj dhe Denarl Alikaj. Materialet prokurorisë”.