Vërtetësi
Kastriot Dervishi: 100 vjet më parë, kur deputetët talleshin me Leninin
E diele, 04.02.2024, 07:52 PM
100 vjet më parë, kur deputetët talleshin me Leninin
Nga
Kastriot Dervishi
Më
4 shkurti 1924 në Kuvendin Kushtetues të Shqipërisë (kati i dytë i Akademisë së
Shkencave sot), në fillim të mbledhjes deputeti Rauf Fico propozoi mbajtjen e
zisë për nder të presidentit amerikan Willson, si një detyrim moral ndaj
përkushtimit të tij ndaj çështjes shqiptare. Fill pas mbajtjes së kësaj zie,
deputeti Jashar Erebara-sekretar i Kuvendit, i shtyrë nga Avni Rustemi në
pushim të seancës, kërkoi mbajtjen e zisë edhe për Leninin meqë sipas tij ai
paska qenë për një “Shqipëri të madhe”. Kërkesa e Erebarës shkaktoi një
ilaritet në sallë për faktin se Lenini ishte bolshevik dhe se të gjithë e dinin
se ky propozim nuk ishte i tij. Në këto kushte për të mbrojtur drejtpërdrejt
këtë propozim, e mori fjalën vetë Avni Rustemi. Fjala e tij, nga historiografia
komuniste është interpretuar sikur ai i imponoi Kuvendit Kushtetues mbajtjen e
zisë për Leninin. Ndërsa në një film artistik kushtuar Avni Rustemit jepet në
krahun tjetër të sallës Ahmet Zogu i inatosur. Në fakt kjo i bën nder Ahmet
Zogut, por e vërteta është se sipas procesverbalit të mbledhjes, ai nuk ka qenë
i pranishëm në këtë seancë, por është shprehur kundër këtij propozimi jashtë
Kuvendit Kushtetues kur çdo gjë kish mbaruar. Nga sa kuptohet në fjalët e
deputetëve, zia në Kuvendin Kushtetues nuk është mbajtur për Leninin por për
Vani Cico Kosturin, familjes të të cilit i është dërguar edhe një telegram.
***
Mbledhja
e 7-të e Kuvendit Kushtetues. E hënë 4 shkurt 1924
(Deputetët
që mungonin: Ahmet Zogu, Aqif Elbasani, Fahri Rashid, Faik Konica, Ferid
Vokopola, Hoxha Kadri, Izet Didra, Jan Papadhopullo, Kostaq Kotta, Kostaq
Paftali, Kristaq Kosturi, Lon Llogori, Milto Tutulani, Nikollaq Zoi, Pandeli
Evangjeli, Sami Vrioni, Shazivar Alltuni, Terenc Toçi)
RAUF
FICO: Zoti kryetar! Pa hyrë në bisedimin e rendit të ditës, dua të bëj një
propozim. Me hidhërim morëm vesh se ish-kryetari i Shteteve të Bashkuara të
Amerikës W. Wilsoni vdiq. Duke marrë
parasysh shërbimet e mëdha që i ka bërë Shqipërisë, propozoj të bëhen 5 minuta
pushim si shenjë hidhërimi edhe t`i hiqet një telegram ngushëllimi familjes së
të ndjerit.
(Pranohet.
Bëhen 5 minuta pushim dhe pas 5 minutash mbledhja mblidhet prapë).
JASHAR
EREBARA: Para se të hymë në bisedim, propozoj të bëhen 5 minuta pushim edhe për
Leninin, se në qoftë se Willsoni do të flitëte për të mirën e Shqipërisë, ma
tepër do të flitëte Lenini për një Shqipëri të madhe.
(Ilaritet
në sallë)
AVNI
RUSTEMI: Më vjen shumë keq zoti kryetar që kur përmendet emri i Leninit
dëgjohen qeshje nga ana e disa përfaqësuesve të kombit. Nuk dua që Shqipëria të
jetë bolshevike, sepse gjendja dhe pozita e saj nuk e do, por për principet e
larta njerëzore duhet që me një respekt të zihet në gojë emri i tij. E dini
fare mirë zotërinj, se qysh ai mbrojti principet e larta të njerëzisë e se qe i
pari që denoncoi traktatin e fshehtë të 1915 që ishte për copëtimin e
Shqipërisë. E dija se propozimi i bërë prej zotni Erebarës nuk do të pranohej,
por neve megjithatë e kemi për detyrë të propozojmë që të bëhen 5 minuta pushim
si shenjë hidhërimi për vdekjen e tij.
EQREM
VLORA: Për nderin e kaq mijë shpirtrave që theri me duar të tija?
ALI
KËLCYRA: Zoti kryetar! Në këtë rast që po nisim të bëjmë 5 minuta pushim për
njerëz të huaj, më duket se do të ishte më e drejtë të bëjmë edhe 5 minuta
pushim për ata që kanë derdhur gjakun për krijimin e Shqipërisë e që këtë tokë
e kanë vaditur me gjakun e tyre. Mbasi sot po shkojmë nga jeta në armiqësi dhe e intrigave
fqinjore, propozoj të bëhen 5 minuta pushim për Vani Cico Kosturin, të cilit i
kanë dekë të vrarë i biri nga ana e grekëve dhe i nipi nga ushtria turke dhe
t'i hiqet një telegram ngushëllimi familjes së tij.
(Bëhen
5 minuta pushim dhe pas 5 minutash mbledhja mblidhet prapë).