E diele, 28.04.2024, 08:51 PM (GMT+1)

Vërtetësi

Kastriot Dervishi: Të deklasuarit si “spiunë të Sigurimit të Shtetit”

E premte, 06.10.2023, 09:20 PM


Të deklasuarit si “spiunë të Sigurimit të Shtetit”

Nga Kastriot Dervishi

Në vitin 1995 Shërbimi Informativ Kombëtar (që as kishte lidhje me këtë punë fakt) hodhi në programin exel nga regjistrat e agjenturës të rrjetit sekret (rezidentë, agjentë, informatorë, strehues) që dikur i përkisnin Sigurimit të Shtetit dhe Policisë, në formën e thjeshtë emër, mbiemër e pseudonim, duke krijuar kësisoj një bazë të dhënash në masën 90% keqinformuese rënduese pikësëpari për të deklasuarit e dikurshëm. Nga ajo kohë, për fat të keq, kjo bazë të dhënash joarkivore (janë tregues dhe jo dokumente), përdoret si mjeti i vetëm i “verifikimit” të subjekteve të ndryshme. Janë shfaqur edhe kërkesa që lista të jetë on line, për të qenë domethënë tërësisht çorietuese. Shumicën e listës (informatorët e agjentët), po llogarisim me sondazh rreth 80 mijë (prej të cilëve rreth 10 mijë mund të kenë pasur aktivitet), e përbëjnë kundërshtarët e regjimit, të deklasuarit, pra të përndjekurit politikë dhe të afërm të tyre. Komunistët dhe të besuarit i gjen të gjithë si rezidentë apo strehues (për rastet e banesës së tyre).

Sipas këtij shikimi të gabuar fotografik i bie që diktaturën komuniste e paskan kanë bërë vetë të deklasuarit dhe asnjë faj nuk paskan pasur komitetet e partisë, operativët, hetuesit, gjyqtarët, prokurorët, etj. Ky këndvështrim sjell detyrimisht spostimin e vëmendjes nga persekutorët te viktimat. Gjetja e një emri me pseudonim pa asnjë provë tjetër nuk do thotë asgjë. Të deklasuarit e këtij grupi kanë vuajtur edhe pas vitit 1991 të njëjtin përçmim si edhe më parë, përfshi edhe te lufta brenda llojit, pavarësisht se nuk kishin bërë asgjë dhe prova rreth tyre nuk kishte.

Në regjistrin e agjenturës gjenden plot emra të cilët kanë bërë burg apo janë ekzekutuar me vdekje. Të rekrutuarit e deklasuar, në pjesën më të madhe (gati 90%) rezultojnë pa aktivitet, e rrjedhimisht dosjet e tyre janë asgjesuar qysh në ato vite. Për këtë arsye, duhet që në mungesë të dosjes dhe informacione të tjera provuese, të mos konsiderohet regjistri i agjenturës për agjentët dhe informatorët si informacion prej nga ku mund të bazohet një përgjigje.

Rrjeti sekret i Sigurimit ndërtohej mbi dy parime bazë: rekrutimin me forcë (pengmarrje) për të deklasuarit dhe me dëshirë i njerëzve të besuar apo komunistë.

Në platformën e parë politike dhe organizative të Sigurimit të Shtetit të vitit 1948 thuhej se si rregull informatori dhe agjenti duhet të ishin të “komprometuar me armikun”, parim i cili u ruajt në të gjitha platformat vijuese, por edhe në urdhrat e ministrit të Punëve të Brendshme. Ndërsa anëtarët dhe kandidatët e PPSH-së nuk rekrutoheshin me detyrim, por vetëm mbi bazën e dëshirës së tyre.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora