Vërtetësi
Kastriot Dervishi: Si ekzekutohej një vendim gjykate me vdekje në komunizëm
E hene, 21.08.2023, 07:55 PM
Si ekzekutohej një vendim gjykate me vdekje në komunizëm
Nga Kastriot Dervishi
Pasi të dënuarit me vdekje nuk i falej jeta nga Presidiumi i
Kuvendit Popullor, njoftohej Ministria e Punëve të Brendshme. Dega (në vitet
1974-1983 drejtoria) e Hetuesisë në MPB përgatiste urdhrin e ministrit. Pas
vitit 1983 urdhrin për ekzekutimin e vendimit e përgatiste Drejtoria Zbatim
Vendime Penale në MPB. Urdhri ngarkonte degën e punëve të brendshme të rrethit
ku ishte dhënë vendimi. Plani i masave në degë përgatitej nga zëvendësshefi i
policisë dhe shefi i hetuesisë (pas vitit 1983 nga shefi ose referenti i
sektorit zbatim vendime penale, përfshirë edhe pjesëmarrjen në planin e
mëposhtëm). Ekzekutimi kryhej me atmë zjarri nga një person ose me varje në
litar. Ekzekutimet me toga pushkatimi janë përdorur në raste shumë të rralla.
Nga e kaluara janë trashëguar fare pak urdhra dhe plane masash të tilla sepse
për pjesën më të madhe të viteve ato konsideroheshin dokumente të përkohshme.
Pak a shumë, plani i masave ishte në formën e mëposhtme:
Miratoi
Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme
Plani i masave mbi ekzekutimin me vdekje (pushkatim) të të
dënuarit....
Për ekzekutimin e të vendimit të gjykatës për dënimin me
vdekje (pushkatim) të X.X, ora 24.00, datë 3.3.1975 (data për shembull), merren
këto masa:
1-Të bëhet rikonicioni:
-për vendin e ekzekutimit
-për itinerarin e lëvizjes për në vendin e ekzekutimit
-për sigurimin e jashtëm (në largësi) të vendit të
ekzekutimit
E kryejnë shefi i hetuesisë dhe zëvendëshefi i policisë.
2-Të dërgohet një patrullë policie e përbërë nga 3 policë
për të hapur gropën ku do varroset i dënuari pas ekzekutimit.
E kryen zëvendëshefi i policisë
3-Për ekzekutimin e vendimit caktohen:
-shefi i hetuesisë
-zëvendëshefi i policisë për shërbimet
-dy policë për shoqërimin e të dënuarit
-katër policië për sigurimin e jashtëm në largësi
-një inspektor rrugor, i cili do të sigurojë itinerarin e
lëvizjes së patrullës për në vendin e ekzekutimit.
-dy makina të drejtuara nga shoferët (emri mbiemri) të cilat
do transportojë efektivin dhe të dënuarin për në vendin e ekzekutimit.
E kryejnë shefi i hetuesisë dhe zëvendëshefi i policisë.
4-Të njoftohet prokurori i rrethit dhe mjeku ligjor
E kryejnë shefi i hetuesisë dhe zëvendëshefi i policisë.
5-Për ekzekutimin e pushkatimit ngarkohet referenti i zbatim
vendimeve penale nënoficer (emri mbiemri)
6-Të dënuarit i komunikohet vendimi.
7-Pasi merren të gjitha masat e sigurimit, dëgjohet fjala e
fundit e të dënuarit dhe kryhet ekzekutimi nga referenti nënoficer.
8-Në përfundim përpilohet procesverbali mbi ekzekutimin e
vendimit.