Vërtetësi
Kastriot Dervishi: Miladin Popoviçin, themeluesin e PKSH-së, e vrau Organizata Shqiptare Irredentiste
E enjte, 11.05.2023, 07:44 PM
Miladin Popoviçin, themeluesin e PKSH-së, e vrau Organizata Shqiptare Irredentiste
Nga
Kastriot Dervishi
Për
regjimin komunist të Shqipërisë, Haki Taha që vrau Miladin Popoviçin, ishte një
“shovinist shqiptar kosovar”. Për hakmarrje, ky regjim vrau vëllain e Hakiut,
Qemal Tahën, në Sauk më 27.3.1946, ndërsa më pas përhapte fjalë se Miladinin “e
vrau UDB-ja”. Miladini ishte person me rëndësi sepse kishte zgjedhur Enver
Hoxhën në krye të PKSH-së, duke i shkruar dëme Shqipërisë, të cilat në kushte
të tjera asnjë pushtim nuk do ia sillte.
Se
si është vrarë Miladin Popoviçi, e dëshmon shoku i Haki Tahës, Qazim Vula,
pjesëtar i Organizata Shqiptare Irredentiste, formuar në vitin 1944. Vula erdhi
në Shqipëri më 18.9.1949, për t’i shpëtuar ndjekjes serbomadhe, por këtu vuajti
dy dënime të gjata me 18 vjet, 4 muaj, 12 ditë heqje lirie, si dhe internim.
Pasi regjimi komunist mësoi se Vula ishte pjesëmarrës në vrasjen e Miladinit, e
arrestoi më 24.11.1949. I pyetur nga kapiten Mustafa Kondo më 21.5.1950, Qazim
Vula dëshmon në lidhje me vrasjen e Miladinit:
“Aty
nga muaji korrik – gusht 1944, më ka ardhë në Prishtinë, Haki Taha (sot i
vrarë), që ish atëherë arsimtar në Kosovë. Ai më ka thënë se ishin disa njerëz
bashkë me të, që bënin pjesë në një organizatë që synonte bashkimin e Kosovës
me Shqipërinë, në rast se Kosova do tradhtohej nga serbo-malazezët. Që të jemi
me Shqipërinë, që të kemi gjithë të drejtat, në gjuhë, administratë, etj. Kjo
gjë thosh Hakiu do të bëhej kur të çlirohej Kosova e të vinin në fuqi lëvizja
nacionalçlirimtare e Jugosllavisë, mbasi të shihej e të parashikohej për të
ardhmen një gjë e tillë. Unë e pranova një gjë të tillë dhe i thashë se isha
gati t’i ndihmoj. Hakiu më tha se kryetar i kësaj organizate është Sulejman
Riza, avokat në Prizren dhe sot me sa di unë është në burg në Prishtinë, pasi
ka qenë arrestuar në Tiranë e prej andej është sjellë në Kosovë. Hakiu më tha
se anëtarë të organizatës ishin Ali Spahiu (i vrarë), Mustafa Hasi (Gjakovë),
Qamil Ahmet Efendi (Gjakovë), Brahim Memini (Prizren, sot në burg), Enver Sudi
(Prishtinë, i vrarë), Hilmi Dyle, për të cilin e kam marrë vesh më vonë se ky
ish kryetar.
Pasi
pranova të isha anëtar i kësaj organizate, Hakiu iku për Gjakovë. Mbas çlirimit
të Jugosllavisë, në dhjetor 1944 ose janar 1945, jam takuar me Ali Spahinë në
Prishtinë dhe kemi rënë në bisedë rreth çështjes së Jugosllavisë. Aliu ka folur
se Miladin Popoviçi ishte kundër kosovarëve, se kishte thënë se nuk kishte
pasur Shqipëri, etj. Këto mendimi ia miratova edhe unë. Më 11 mars 1945, vjen
Haki Taha për t’u takuar me mua. Pasi vajtëm në shtëpinë time tha se ishte
ngarkuar nga organizata të vriste Miladin Popoviçin, pasi është i rrezikshëm
për ne kosovarët. Hakiu do t’i jepte një letër të cilën e përgatiti në praninë
time. Letra që ishte me shkrim të emër të palexueshëm ishte shokun që kërkonte
të shtrohej në spital pasi ishte i sëmurë. Gjatë leximit nga Miladini, Hakiu do
kryente atentatin. Me vete Hakiu kishte marrë një flamur shqiptar të qëndisur
me shkronja ari: “Kosovës liri – bashkim me Shqipërinë” që ishte edhe parulla e
organizatës. Gjysmën e flamurit e kam shkruar unë. Mbasi ndenji dy net në
shtëpinë time, Hakiu u nis për atentat. Më 13 mars 1945, unë ika për në pjacë.
Pas dy orësh mora vesh se ishte vrarë Miladini. Haku kishte lënë në shtëpinë
time një peshqir, një kuti duhani dhe një qeleshe. Të gjitha këto i dogja për
të mos m’i kapur. Atentatin e ka kryer Hakiu me anë të një revolveri “Beret” që
e kishte me vete, bile bëri prova para se të nisej. Pas atentatin, Hakiu është
larguar dhe është futur në shtëpinë e Rakip Xhinxhinës (magazinën e barit) në
Prishtinë pa e diktuar të zotët e shtëpisë. Pas dy ditësh ka dalë prej andej,
por kanë mundur ta diktojnë, e në mënyrë që të mos kapej i gjallë ka vrarë
veten”.
Në
foto Qazim Vula në vitin 1962, në arrestimin e dytë të tij