E shtune, 05.10.2024, 08:01 PM (GMT+1)

Vërtetësi

Kastriot Dervishi: Liceu italian, Shyqyri Ishmi dhe rrëmbimi i Ikbal Selman Kukaleshit

E merkure, 16.11.2022, 08:55 PM


Liceu italian, Shyqyri Ishmi dhe rrëmbimi i Ikbal Selman Kukaleshit

Nga Kastriot Dervishi

Më 23.9.1942 zdrukthëtari Shyqyri Xhemal Ishmi (22 vjeç), tipografi Shim Kolli (20 vjeç) dhe një tjetër tentuan të djegin liceun italian në Tiranë, një ndërtesë e përkohshme me dërrasa. Kishin lyer bangat me benzinë, por nuk arritën t’i vinin zjarrin. Në çastin kur do vepronin, Ishmi qëlloi ndaj një togeri italian që po kalonte me gruan e tij sepse aty banonte. Togeri u mbrojt duke zënë pozicion. U zhvillua një konflikt i vogël, madje Ishmi hodhi edhe bomba, por u arrestua. Disa qindra metra larg liceut u arrestua edhe Shim Kolli.

Në orën 18.00 në shtëpinë e komisarit Selman Kukaleshi, u hodh një pusullë e shkruar me makinë shkrimi, me të cilën kërkohej të lirohej brenda 24 orëve Shyqyri Ishmi se ndryshe  vajza 11-vjeçare e Selmanit, e rrëmbyera Ikbale do dënohej me vdekje. Sipas të dhënave të më pasme, rrëmbimin e 11-vjeçares e kreu Heroi i Popullit Sabaudin Gabrani dhe Tonin Jakova, me ndihmën e familjes Çorati që banonte pranë tyre.

I arrestuari Ishmi, kur ishte pyetur se ku mund të ishte vajza, kish përmendur emrin e Jusuf Radës, e për këtë arsye ishte kontrolluar shtëpia e tij. Kjo i dha shtysë policisë për të shkruar atje. Kontrolle u zhvilluan edhe në shtëpinë e Skënder Rusit. Në të dyja shtëpitë pati konflikte të armatosura me agjentët e policisë. Si përfundim u dërguan në gjyq 7 persona.

Gjykata Ushtarake e Fuqive të Armatosura të Njësuara të Shqipërisë, me vendimin nr.549,  datë 3.10.1942 i deklaroi fajtorë dhe i dënoi Shyqyri Ishmin e Jusuf Radën me vdekje dhe Shim Kollin me 6 vjet e 6 muaj burgim të rëndë. Katër personat e tjerë u shpallën të pafajshëm dhe u liruan menjëherë. Më 10.10.1942 mëkëmbësi Jacomoni miratoi dënimin me vdekje të Sh.Ishmit, i cili u krye te pazari i ri në Tiranë. Në fjalën e fundit, teksa lexohej dekreti i mosfjaljes së jetës, Ishmi tha:

“Jam komunist dhe pjesëtar i Rinisë Komuniste Shqiptare. Nuk kam frikë nga vdekja. Keni për t’i paguar të gjitha. Me vdekjen time Rinia Komuniste Shqiptare nuk do të marrë fund, patjetër e sigurisht haku do më merret. Rroftë shoku i madh Stalin! Çfarë dëgjese. Lëreni dëgjesën e drejtësisë fashiste. Poshtë fashizmi! Mjaft tradhtarë, nuk ka nevojë ta lexoni, jepi  fund. Çfarë keni për të bërë më shumë se unë nuk i frikohem vdekjes. Mjaft pse po i këndoni. A e keni marrë vesh? Rinia Shqiptare është si bari i livadhit që i kositur mbin më i gjallë. Ashtu pra edhe Rinia Komuniste që dita-ditës shtohet”.

Në fund iu afrua hoxha për lutjen fetare, por Ishmi si komunist i vendosur e përzuri duke i thënë: “Shkoni hiquni prej këtej, nuk e dua. Nuk është Zoti që më merr shpirtin, por fashizmi”.

Vendi ku u krye ekzekutimi në litar



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora