Vërtetësi
Kastriot Dervishi: Kristo Zhongo dhe opozita e parë
E premte, 25.08.2023, 05:58 PM
Kristo (Kiço) Zhongo dhe opozita e parë
Nga
Kastriot Dervishi
Në
historikët e Sigurimit të Shtetit për zbulimin në vitet 1945-1946 të opozitës
së parë të drejtuar nga Sami Çeribashi, Qenan Dibra dhe Musine Kokalari, thuhet
se rolin e madh e pati agjenti “Dara”. Duke mos pasur dokumente operative të
kësaj çështjeje, ishte bërë një interpretim i gabuar. Merita e vetme e “Darës”
ishte se mori më qafë djalin e xhaxhait të vet. Gjithë rolin kryesor inë këtë
histori e kishin dy të panjohur: ish nëpunësi i viteve 1941-1943 Kiço Zhongo
dhe gruaja e njërit nga të dënuarit e grupit zogist, e cila dekonspiroi notat
që iu çuan misioneve të huaja. I instruktuar nga këshilltarët jugosllavë të
Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, Zhongo (që ish shkolluar në liceun e
Korçës), "mori nismën" për krijimin e një partie zogiste të radhët e
elementit që njihej si i tillë. Para se të arrestoheshin, grupi zogist e kuptoi
misionin e tij. Reis Hasho dhe Qenan Dibra bënë hetime por ishte shumë vonë. Në
kohën kur nisën arrestimet masive në Tiranë, më 5.2.1946 Zhongo u arratis në
Greqi. Informacionin rreth mbërritjes së tij në tokën greke e jep stacioni i
komandës së Delvinaqit. Këtu jepen gjeneralitetet: Kristo Zhongo, i biri i
Dhimitrit dhe Athinasë, vjeç 34, ish nëpunës, fliste shqip, greqisht,
frëngjisht dhe italisht. Zhongo u prezantua si sekretar i një organizate
antikomuniste ilegale. Autoritetet greke vunë re si, ai “ra në shumë
kundërthënie” e përsëritje, se ishte shqiptar e jo grek, se donte më shumë
Shqipërinë sesa Greqinë. Po ashtu nuk kishte treguar asgjë për gjendjen në
Shqipëri, ndërsa tha se pará nuk i gjendeshin sepse kish ikur me nxitim. Ky
pretendim nuk i bindej realitetit pasi ai ish kujdesur të merrte me vete një
valixhe plot me sende kozmetike.
Në
procesin gjyqësor kundër opozitës së quajtur Koalicioni Demokratik, emri i
Zhongos doli disa herë, por gjykata ose prokurori sa herë përmendej ai, e
anashkalonte temën.
Nga
Greqia ku jetonte, Zhongo hyri disa herë në Shqipëri. I kallëzuar nga një
bashkëkombës i vet si bashkëpunëtor i komunistëve të Shqipërisë, ai u gjet i
vrarë, pa u marr vesh me se prej kujt. Megjithatë, Zhongo nuk u trajtua kurrë
si hero i heshtur i armës së Sigurimit të Shtetit.