| E premte, 06.10.2023, 09:20 PM |
Të deklasuarit si “spiunë të Sigurimit të Shtetit”
Nga
Kastriot Dervishi
Në
vitin 1995 Shërbimi Informativ Kombëtar (që as kishte lidhje me këtë punë fakt)
hodhi në programin exel nga regjistrat e agjenturës të rrjetit sekret
(rezidentë, agjentë, informatorë, strehues) që dikur i përkisnin Sigurimit të
Shtetit dhe Policisë, në formën e thjeshtë emër, mbiemër e pseudonim, duke
krijuar kësisoj një bazë të dhënash në masën 90% keqinformuese rënduese
pikësëpari për të deklasuarit e dikurshëm. Nga ajo kohë, për fat të keq, kjo
bazë të dhënash joarkivore (janë tregues dhe jo dokumente), përdoret si mjeti i
vetëm i “verifikimit” të subjekteve të ndryshme. Janë shfaqur edhe kërkesa që
lista të jetë on line, për të qenë domethënë tërësisht çorietuese. Shumicën e
listës (informatorët e agjentët), po llogarisim me sondazh rreth 80 mijë (prej
të cilëve rreth 10 mijë mund të kenë pasur aktivitet), e përbëjnë kundërshtarët
e regjimit, të deklasuarit, pra të përndjekurit politikë dhe të afërm të tyre.
Komunistët dhe të besuarit i gjen të gjithë si rezidentë apo strehues (për
rastet e banesës së tyre).
Sipas
këtij shikimi të gabuar fotografik i bie që diktaturën komuniste e paskan kanë
bërë vetë të deklasuarit dhe asnjë faj nuk paskan pasur komitetet e partisë,
operativët, hetuesit, gjyqtarët, prokurorët, etj. Ky këndvështrim sjell
detyrimisht spostimin e vëmendjes nga persekutorët te viktimat. Gjetja e një
emri me pseudonim pa asnjë provë tjetër nuk do thotë asgjë. Të deklasuarit e
këtij grupi kanë vuajtur edhe pas vitit 1991 të njëjtin përçmim si edhe më
parë, përfshi edhe te lufta brenda llojit, pavarësisht se nuk kishin bërë asgjë
dhe prova rreth tyre nuk kishte.
Në
regjistrin e agjenturës gjenden plot emra të cilët kanë bërë burg apo janë
ekzekutuar me vdekje. Të rekrutuarit e deklasuar, në pjesën më të madhe (gati
90%) rezultojnë pa aktivitet, e rrjedhimisht dosjet e tyre janë asgjesuar qysh
në ato vite. Për këtë arsye, duhet që në mungesë të dosjes dhe informacione të
tjera provuese, të mos konsiderohet regjistri i agjenturës për agjentët dhe
informatorët si informacion prej nga ku mund të bazohet një përgjigje.
Rrjeti
sekret i Sigurimit ndërtohej mbi dy parime bazë: rekrutimin me forcë
(pengmarrje) për të deklasuarit dhe me dëshirë i njerëzve të besuar apo
komunistë.
Në
platformën e parë politike dhe organizative të Sigurimit të Shtetit të vitit
1948 thuhej se si rregull informatori dhe agjenti duhet të ishin të
“komprometuar me armikun”, parim i cili u ruajt në të gjitha platformat
vijuese, por edhe në urdhrat e ministrit të Punëve të Brendshme. Ndërsa
anëtarët dhe kandidatët e PPSH-së nuk rekrutoheshin me detyrim, por vetëm mbi
bazën e dëshirës së tyre.