Vërtetësi
Kastriot Dervishi: “Epopeja” në Sul të Devollit
E hene, 03.06.2024, 07:53 PM
“Epopeja” në Sul të Devollit
Nga
Kastriot Dervishi
Lufta
“heroike” kundër shqiptarëve jokomunistë të cilësuar “reaksionarë”,
parashikonte vrasjen e tyre, marrjen e pasurisë dhe mobilizimin me forcë si
partizanë. Letra e mëposhtme e tregon fare qartë që vetëm me pushtuesin nuk
kishin punë:
“Më
datën 27.3.1944 vendosëm të sulmojmë Sulin, bazë e reaksionarëve që i përngjet
Bozhigradit. Për ta kapur armikun në befasi, vendosëm ta bëjmë sulmin me 2 orë
ditë, duke ditur se armiku do të tentonte të futej prapë brenda dhe të kishin
gjithë natën përpara. Rrethimi u krye edhe nga ana e Koshnnicës, por prapë
ngjau avazi i zakonshëm. Ballistët u mbyllën brenda dhe që andej nuk qe e
mundur t’i shkulnim, megjithëse u bënë tre sulme të rrepta. U luftua tërë natën
deri në mëngjes dhe pastaj u hoqën për në Ziçisht-Gjyrës. Në Sul u dogj shtëpia
e kryetarit të Këshillit të Ballit dhe në Koshnicë shtëpia e Qamil Koshnicës
(komandant Balli në Devoll) dhe e një reaksionari tjetër...
Objektivat
që kishim caktuar neve, nuk i kemi arritur dhe nuk paraqiten shpresa që t’i
arrijmë. Cilat qenë këto objektiva? Të bënim një spastrim të pjesshëm të
reaksionit (një spastrim radikal në krahinën e Devollit, si mund të nënkuptohet
lehtë, është e pamundur sot për sot) dhe të mobilizonim të paktën 200-300 veta.
Dy nga bazat kryesore të Ballit në Devoll janë Bozhigradi dhe Suli. Dy-tri
tentativa që kemi bërë na kanë dhënë të kuptojmë se këto baza se s’mund t’i
marrim. Balli ka mësuar tani të përdorë taktikën e të mbyllurit brenda në
shtëpi, të cilat mbrojnë njëra-tjetrën me zjarr të kryqëzuar”.
(Pjesë nga letra e datës 31 mars 1944, e komandantit të
Brigadës së 4-t, për luftën në Sul të Devollit kundër Ballit Kombëtar)