Speciale » Basha
Sabile Basha & Tefik Basha: Mali i Zi - Ulqini, Tivari dhe shqiptarët
E enjte, 23.01.2025, 07:00 PM
BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH...
MALI
I ZI: ULQINI, TIVARI DHE SHQIPTARET
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha &
Prof. Dr. Tefik Basha
Gjatë
kohës së ish-Jugosllavisë, çdo plan apo dëshirë për të udhëtuar dukej se varej
nga një kapërcyell i pashmangshëm: Mali i Zi. Ky vend i vogël bregdetar, me një
peizazh që përqafonte male të larta dhe ujëra të pafund blu, ishte porta që lidhte
shumë shqiptarë me bregdetin dhe horizontet e tjera. Mali i Zi nuk ishte vetëm
një udhë për t’u kaluar, por një vend në vetvete, i mbushur me qytete që
zgjoheshin nën ritmin e dallgëve dhe flladin mesdhetar.
Ulqini,
me plazhet e tij të ngrohta dhe historinë që thur legjenda e kujtime të brezave
shqiptarë, ishte një nga vendet që shpesh na mirëpriste. Tivari, i vjetër dhe
hijerëndë, ofronte një ndërthurje të traditës dhe ndryshimeve moderne, ndërsa
Budva, me sheshet e saj të ngushta dhe muret e lashta, frymonte një romantizëm
të veçantë. Nuk mungonte as Shën Stefani, që me shkëmbinjtë e tij madhështorë
dhe ishullin e kthyer në oazë luksit, dukej si një skenë nga një përrallë. Dhe
mes këtyre, gjithmonë zbulonim vende të vogla, më pak të njohura, që ruanin
thjeshtësinë dhe autenticitetin e një Mali të Zi të paprekur nga koha.
Por
udhëtimi përmes këtij vendi kishte një tjetër domosdoshmëri: kalimi përmes
kryeqytetit, atëherë i quajtur Titograd, sot Podgorica. Ishte e pamundur të mos
e prekësh këtë qendër të jetës administrative dhe politike të Malit të Zi.
Titogradi, një qytet që ngrihej midis traditës dhe frymës socialiste, shërbente
si një pikë e rëndësishme ndalimi, jo vetëm për rrugëtimin tonë fizik, por edhe
për një reflektim mbi realitetin politik të asaj kohe.
Udhëtimet
tona përmes Malit të Zi ishin më shumë se lëvizje nga një vend në tjetrin; ato
ishin udhëtime nëpër një hapësirë ku historia, kultura dhe natyra shkriheshin
në një panoramë të një Jugosllavie që kërkonte të bashkonte dallimet, ndërkohë
që i bënte ato gjithnjë të dukshme. Mali i Zi mbeti një kujtesë e asaj kohe kur
kufijtë ishin të hapur, por shpesh të ngushtuar nga rrethanat dhe politikat që
qarkullonin mbi ne. Në atë terren të ndërlikuar, secili udhëtim ishte një akt i
vogël lirie dhe eksplorimi.
Albina
Balidemaj- Basha & Agon Basha & Sabile Keçmezi- Basha, një pamje nga
Ulqini, 2011
Rrugët
që na çonin drejt Malit të Zi ishin më shumë se thjesht kalime përmes një
peizazhi të gdhendur me male dhe bregdete; ato ishin rrathë dhimbjeje që
shpalosnin padrejtësinë historike të ndarjes së tokave shqiptare. Ato toka, që
për shekuj kishin përqafuar frymën dhe kulturën shqiptare, u ndanë me një thikë
të pamëshirshme nga fuqitë politike të ish-Jugosllavisë, duke u shpërndarë mes
Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Çdo kilometër që përshkonim, çdo fshat apo
qytet që kalonim, bartte në vete një kujtim të heshtur, një plagë të hapur që
reflektonte në sytë e shqiptarëve që jetonin atje.
Për
ne që jetonim në Kosovë, dhimbja ishte e pashmangshme. Sa herë që shihnim
vëllezërit dhe motrat tona në Malin e Zi, ndjenim një përzierje të zemërimit
dhe pafuqisë. Ata jetonin pa të drejta, pa një zë, si qytetarë të harruar në
vendin e tyre. Ishin shqiptarë që mbanin kokën lart me krenari, por që barten
mbi supe barrën e rëndë të një padrejtësie që nuk linte hapësirë për shpresë.
Por
dhimbja nuk përfundonte me Malin e Zi. Në të gjitha vendet ku jetonin
shqiptarët, nga Maqedonia e deri në Serbi, shtypja ishte e njëjtë. Ata ishin të
shtypur skajshmërisht, të mohuar në të drejtat më elementare për të jetuar me
dinjitet dhe liri. Çdo shqiptar, kudo që të ndodhej, mbartte ëndrrën e një
republike që do të quhej Kosovë, një tokë që do të bashkonte të gjithë, një
vend ku të drejtat nuk do të ishin privilegje, por e drejta natyrore e çdo
njeriu.
Rrugët
që na lidhnin me Malin e Zi nuk ishin thjesht rrugë fizike; ato ishin fije që
lidhin një komb të ndarë, që pavarësisht kufijve dhe padrejtësive, ruante
thellë brenda vetes një shpresë të pashuar. Dhe ndërsa udhëtonim në ato rrugë,
nuk mund të mos ndjenim peshën e një historie të dhimbshme dhe të papërfunduar,
një histori që vazhdonte të kërkonte drejtësi dhe bashkim.
Historia
e shqiptarëve është e mbushur me ngjarje që bartin në vetvete një dhimbje të
thellë dhe një tragjedi të pashlyeshme. Ndër këto plagë të hapura, një emër që
përmendet gjithnjë me dhembje është Tivari, qyteti që për shqiptarët nuk është
thjesht një vend gjeografik, por një kujtesë e përgjakshme e padrejtësisë dhe
barbarisë.
Tivari,
dikur i qetë dhe plot gjallëri, u kthye në një simbol të masakrës dhe varreve
masive, një qytet ku dheu përpiu mbi 4,000 jetë të pafajshme shqiptare. Ata nuk
kishin bërë asnjë faj, nuk kishin shkelur asnjë ligj; faji i vetëm i tyre ishte
identiteti i tyre shqiptar. Për këtë arsye, ata u ndëshkuan me një brutalitet
që tejkalon çdo kufi njerëzor.
Tivari
është më shumë se një qytet; është një kujtim i dhimbshëm që na ndjek brez pas
brezi. Është një emër që thërret ndërgjegjen e kombit dhe kërkon drejtësi për
ata që humbën jetën pa arsye, për ata që u mohuan të drejtën për të jetuar
vetëm sepse mbanin në zemër një emër dhe një gjuhë që i bënte krenarë.
Në
gjirin e atij qyteti, gjaku shqiptar u derdh pa mëshirë, duke larë rrugët dhe
sheshet e tij me dhimbje dhe tragjedi. Dhe sot, Tivari mbetet një kujtesë e
gjallë e asaj që ndodhi, një vend ku dheu flet për të vdekurit, ku era bart me
vete klithmat e atyre që humbën gjithçka. Është një thirrje për të mos harruar,
për të mos lejuar që e kaluara të mbulohet me harresë, por të qëndrojë si një mësim
dhe si një premtim se kurrë më një tragjedi e tillë nuk duhet të ndodhë.
Sa
herë që përmendet Tivari, mendja më fluturon drejt një imazhi që më ngrihet
përpara syve: fytyra e babait tim, e ngurtësuar nga dhimbja dhe kujtesa. Sytë e
tij, të mbushur me lot që nuk rrjedhin vetëm nga trishtimi, por nga një barrë e
pashpjegueshme dhembjeje, më tregojnë historinë e një tragjedie që nuk u shërua
kurrë. Ishte historia e bashkëkombësve të tij, njerëzve të pafajshëm, që
përfunduan në duart e një fati mizor, ndërsa ai, për një lojë të pashpjegueshme
të fatit, që ishte në eshalonin e tretë, arriti të shpëtonte.
Albina
Balidemaj- Basha & Agon Basha & Sabile Keçmezi-Basha& Tefik Basha, Ada
Bojana, 2011
Me
zërin e thyer, ai më tregonte për atë mars të përgjakur, kur shqiptarët, me
shpresën e jetës, u dërguan drejt vdekjes. “Isha në eshalonin e tretë,” thoshte
ai, me një përulësi që më thyente zemrën. Ishte si të më thoshte se shpëtimi i
tij ishte një dhuratë që ai nuk e kuptonte plotësisht, një dhuratë që e
ngarkonte me përgjegjësi për ata që nuk patën fatin të shpëtonin.
Në
fjalët e tij nuk kishte vetëm dhimbje, por edhe një heshtje që fliste më shumë
se ç ‘mund të thoshte zëri. Një heshtje që ruante emrat dhe fytyrat e atyre që
ai nuk i harroi kurrë. Ato fytyra, të fiksuara përgjithmonë në kujtesën e tij,
dilnin para meje përmes rrëfimeve të tij, duke më treguar peshën e tmerrit dhe
mrekullinë e shpëtimit të tij.
Tivari,
për babanë tim, nuk ishte thjesht një qytet; ishte një altar i dhimbjes, një
kujtesë e vazhdueshme e asaj që ndodhi dhe e asaj që mund të kishte ndodhur.
Dhe për mua, çdo herë që e kujtoj atë, fytyra e tij shfaqet si një pasqyrë ku
reflektohen vuajtjet e një brezi, një kujtim që më mëson për tragjedinë,
mbijetesën dhe barrën e kujtesës që mbetet përgjithmonë e gjallë në zemrën e të
mbijetuarit.
"Bija
ime," më thoshte ai me zë të dridhur dhe sy të ngulitur në një hapësirë të
largët, "nuk mund ta marrësh me mend se si duket deti kur merr ngjyrën e
gjakut." Ishte një pamje që e kishte ndjekur gjatë gjithë jetës, një
kujtim që nuk venitej kurrë. "Atë ditë të kobshme, unë e pashë me sytë e
mi. Deti nuk ishte më një shtrat i kaltër qetësie, por një sipërfaqe e
ngjyrosur me dhimbje dhe tragjedi."
Ai
heshti për një çast, si për të mbledhur fuqinë për të vazhduar. "Ata,
barbarët," vazhdoi ai, "ishin të etur për gjak, si kafshë që ndjekin
prenë pa mëshirë. Me një vendim të çmendur, ata vendosën që rinia më e bukur
shqiptare, lulja jonë, të mos jetonte më. Rafalët e armëve nuk kursyen askënd.
Gjaku u derdh pa fund, dhe deti u bë dëshmitar i kësaj mizorie, duke bartur
klithmat e fundit të atyre që ëndërronin për liri."
Zëri
i tij u mek, dhe fytyra iu zbeh, si të përjetonte sërish atë makth. "Na
mashtruan, bija ime," përsëriste ai, me një hidhërim të thellë në çdo
fjalë. "Na thanë se do të ishim të sigurt, se do të kishim një të ardhme.
Dhe ne i besuam. Si mund të mos i besonim, kur shpresa ishte gjithçka që na
kish mbetur?"
Ai
mbylli sytë për një moment, sikur të përpiqej të largonte pamjet që i rëndonin
shpirtin. "Edhe unë, atë ditë, mund të kisha qenë mes tyre," tha ai,
me një ndjenjë fajësie që nuk mund ta fshehte. "Por fati, një lojtar i
pamëshirshëm, më la të jetoj, ndërsa ata të tjerët... ata u shuan. Dhe tani,
çdo natë, ata më thërrasin në ëndrrat e mia, duke më kujtuar se jeta ime është
një dhuratë që unë nuk mund ta harroj."
Fjalët
e tij ishin një përzierje e dhimbjes, zemërimit dhe falënderimit. Ai më tregoi
një botë që nuk do ta shoh kurrë, por që e ndjej thellë brenda vetes. Ishte një
kujtesë e gjallë, një thirrje për të mos harruar dhe për të nderuar ata që u
shuan në një det gjaku, por që mbeten të përjetshëm në zemrat tona.
Për
këto krime, si për një jehonë të largët, u dëgjua shumë vonë. Fjalët që
përshkruanin atë që ndodhi, mbërritën në botën e jashtme si një pëshpërimë e
dobët që nuk arrinte të thyente murin e harresës. Dhe megjithatë, edhe kur e
vërteta doli në dritë, drejtësia mbeti një iluzion i paarritshëm. Askush kurrë
nuk u dënua. Asnjë gjykatë nuk hapi dyert për të dënuar vrasësit e shqiptarëve,
dhe shteti – ai shtet monstër – mbeti i heshtur, duke e mbrojtur me heshtjen e
tij krimin që kishte bërë pjesë të strukturës së vet.
Sabile
Keçmezi- Basha & Tefik Basha & Albina Balidemaj-Basha, Kalaja e Ulqinit,
2011
E
si mund të dënonte ai shtet, kur vetë vrasjet e shqiptarëve ishin kthyer në një
mekanizëm të ftohtë dhe të pamëshirshëm të sistemit të tij? Ato nuk ishin më
krime të izoluara; ato ishin një politikë e përgjakshme, një ritual mizorie që
kryhej pa frikën e pasojave. Shqiptarët mund të likuidoheshin në çdo kohë, në
çdo vend, pa asnjë arsye dhe pa dhënë llogari askujt. Vetë akti i vrasjes ishte
bërë aq i zakonshëm, saqë për të nuk kishte më nevojë për shpjegime. Gjaku i
tyre nuk ishte më një tragjedi, por një statistikë në duart e atyre që sundonin
me dhunë dhe urrejtje.
Në
këtë skenar të zymtë, dhembja e një populli mbeti e paqortuar dhe kujtimet e
viktimave të papërgjigjura. Një sistem që ktheu vdekjen në normë dhe
padrejtësinë në ligj, la pas një trashëgimi të turpit që ende pret dritën e
lirisë dhe drejtësisë. Dhe për ne, të mbeturit, mbetet një detyrë: të mos
harrojmë. Të mos e lejojmë heshtjen të mbulojë atë që ndodhi, të mos e pranojmë
kurrë harresën si pjesë të pajtimit me të kaluarën. Sepse vetëm duke mbajtur të
gjallë kujtesën, mund t’i rezistojmë kthimit të së njëjtës mizori.
Shumë
herë më ka rënë të shkoj në Tivar, atë qytet që bart brenda vetes një histori
të hidhur dhe një peshë të padurueshme për çdo shqiptar. Dhe sa herë që shkelja
në rrugët e tij, më dukej sikur ecja në hapat e babait tim, duke kërkuar
gjurmët e tij, ato gjurmë që njëherë e një kohë kishin lënë një rrugë shpëtimi
mes plumbave dhe vdekjes. Pyesja veten: ku kishte vrapuar, ku ishte fshehur,
dhe si kishte mbijetuar nga ajo makinë vrastare që nuk kursente askënd.
Kaloja
pranë plazhit të Tivarit, një vend që tani priste turistë dhe valët e qeta të
detit, por që për mua ishte një dëshmi e gjallë e asaj tragjedie të përgjakshme.
Mbyllja sytë dhe imagjinoja detin e skuqur nga gjaku, atë ujë që dikur kishte
bartur ëndrrat e pafajshme të rinisë, por që më pas ishte bërë varr i tyre i
përjetshëm. Në ato çaste, një trishtim i thellë më përfshinte, dhe në heshtje
mallkoja ato bisha që, pa asnjë fije mëshire, kishin shkrepur armët dhe kishin
marrë jetë të panumërta.
Ata
të rinj, djemtë e Kosovës, ishin sjellë aty të mashtruar nga një politikë
antishqiptare që nuk njihte kufij në mizorinë e saj. U kishin thënë se do të
armatoseshin, se në Tivar do të merrnin pushkët më moderne dhe do të niseshin
për të mbrojtur Jugosllavinë në Trieshtën e largët. Por në vend të armëve, ata
gjetën grykët e pushkëve të drejtuara ndaj tyre. Ajo që ishte premtuar si një
mision heroik, u shndërrua në një kurth vdekjeje.
Tivari,
për mua, nuk është vetëm një qytet. Është një vend ku dhimbja dhe kujtesa
kryqëzohen. Është një pasqyrë ku shoh fytyrat e atyre që nuk u kthyen kurrë dhe
plagën e babait tim që mbetet ende e hapur. Dhe sa herë që shkoj atje, ndjej barrën
e historisë, një histori që nuk duhet harruar kurrë, sepse vetëm kujtesa mund
ta mbajë gjallë të vërtetën dhe të na ndihmojë të qëndrojmë kundër çdo
padrejtësie të re.
Sabile
Keçmezi-Basha& Tefik Basha & Albina Balidemaj- Basha, Kalaja e Ulqinit,
2011
Dhe
ja, çfarë ndodhi në të vërtetë? Premtimet për pushkë, për armë moderne që do
t’u jepeshin për të mbrojtur një ide të largët, dolën të ishin vetëm fjalë
boshe – një mashtrim i hidhur që mbuloi të vërtetën me një vel të rremë
shprese. Ato pushkë që u premtuan nuk u shfaqën kurrë, dhe ata, djemtë e rinj
që kishin besuar në to, kurrë më nuk u kthyen në pragjet e shtëpive të tyre.
As varret nuk iu dihen sot e kësaj dite. Trupat e tyre u zhdukën në harresën e dhunshme të një akti barbar. Nuk kanë një vend ku të prehen, një gur që të mbajë emrat e tyre, një shenjë që t’i kujtojë. Ata mbeten si hije, të shpërndarë mes kujtimeve të të mbijetuarve dhe valëve të detit që përherë pëshpërit emrat e tyre.
Kjo
është një nga ata kapituj të historisë ku dhembja nuk ka fund, ku padrejtësia
shtrihet përtej jetës dhe vdekjes. Është një thirrje e pashuar që kërkon
drejtësi, një kujtesë që refuzon të shuhet. Dhe ata, ata që nuk u kthyen,
mbeten të pavdekshëm në dhembjen e një populli që nuk do t’i harrojë kurrë.
Asnjëherë,
askush nuk e pranoi krimin. Fjalët që do të duhej të ishin shenjë pendese, një
kërkim faljeje për atë masakër të pashpjegueshme, nuk erdhën kurrë. Dhe as
drejtësia nuk u vu në lëvizje; askush nuk u dënua, as atëherë, as më vonë.
Heshtja e atyre që duhej të flisnin u bë një tjetër shtresë dhimbjeje mbi
plagën tonë të hapur. Kjo heshtje u kthye në pjesë të historisë sonë, një
kapitull i zymtë që na lidh përgjithmonë me Malin e Zi.
Ditët
kaluan, vitet u rrokullisën si ujëra që përpiqen të fshijnë gjurmët e së
kaluarës. Por pavarësisht ndryshimeve që solli koha, kujtimet për ata që mbetën
në humbëtirën e Tivarit nuk u zbehën kurrë. Nuk mund të zbeheshin. Ata ishin
vëllezërit tanë, të rinjtë tanë, lulja më e bukur e një brezi që u flijua
padrejtësisht.
Tivari,
me të gjitha hijet e tij, mbetet një plagë që nuk mbyllet dhe një kujtesë që
nuk shuhet. Ai është një lidhje që na ndjek si një jehonë e së kaluarës, një
thirrje për të mos harruar kurrë ata që u shuan në valët e dhimbjes dhe
padrejtësisë. Dhe ndërsa vitet rrjedhin, barrën e historisë e mbajmë si një
amanet që na thërret të ruajmë të vërtetën dhe të kujtojmë ata që u lanë pa zë,
por jo pa emër.
Do
të kishte qenë një akt burrërie dhe drejtësie, që në këto ditë të pretenduara
të demokracisë në Malin e Zi, të dilte dikush me guxim – një zë që në emër të
të gjithëve të thoshte të vërtetën për atë masakër të pashlyeshme. Një zë që të
pranonte dhimbjen dhe padrejtësinë, që të kërkonte falje në emër të popullit
malazez për atë që ndodhi, duke u përballur me hijet e historisë që ende
rëndojnë mbi ne të gjithëve.
Një
falje e tillë nuk do të kishte fuqinë të shëronte plagët, por do të ishte një
fillim. Një akt që do të tregonte se e kaluara, sado e hidhur, nuk mund të
mbahet e fshehur përgjithmonë. Një falje që do të krijonte hapësirë për dialog,
për pajtim, dhe për një të ardhme më të ndriçuar mes dy popujve.
Dhe,
si një simbol i përjetshëm i kësaj faljeje, do të duhej të ngrihej një
përmendore për viktimat e masakrës së Tivarit. Një përmendore që të mos fliste
vetëm për vdekjen e tyre, por edhe për të drejtën për kujtesë, për respektin
dhe dinjitetin e atyre që humbën jetën pa faj. Do të ishte një gjest që nuk
shlyen dot dhimbjen, por që u jep familjeve të tyre një grimë ngushëllim dhe
një lloj satisfaksioni – jo për të harruar, por për të mësuar të ecim përpara.
Një
monument i tillë nuk do të ishte vetëm për të kaluarën; ai do të ishte një urë
drejt së ardhmes. Një përpjekje për të ndërtuar marrëdhënie mbi një themel të
sinqertë, ku historia nuk mohohet, por pranohet si një mësim për brezat që
vijnë. Në këtë mënyrë, dhembja e së kaluarës do të bëhej një premtim për një të
ardhme më të drejtë dhe më njerëzore.
Në
këtë mënyrë, shpirtrat e trazuar, të cilët për vite me radhë kanë bartur peshën
e dhimbjes dhe padrejtësisë, do të gjenin njëfarë qetësie. Njerëzit, ndoshta,
do të mësonin të falnin – jo nga harresa, por nga një vendim i vetëdijshëm që
të mos lejojnë më kurrë që e kaluara të përsëritet. Por falja vjen me një kusht
të rëndësishëm: të mos harrojmë kurrë tmerret e kohëve të shkuara.
Harresa
nuk është shërim; ajo është një rrugë e rrezikshme që çon drejt përsëritjes së
të njëjtave gabime. “Ata që harrojnë të kaluarën,” siç thoshte filozofi
Santajana, “janë të detyruar ta përsërisin atë.” Dhe në këtë thënie, fshihet
një mësim universal – kujtesa është mburoja më e fuqishme kundër errësirës së
historisë.
Të
mos harrojmë do të thotë të mbajmë gjallë kujtimin e atyre që u flijuan pa faj,
të dëshmojmë se tragjeditë e tyre nuk do të zhduken në hijet e harresës. Jo për
t’u hakmarrë, sepse hakmarrja sjell vetëm më shumë dhimbje, por për të ndërtuar
një të ardhme ku dhembjet e shkuara shërbejnë si gurë themeli për drejtësi dhe
paqe.
Kujtesa
nuk është barrë; ajo është një përgjegjësi. Është një mënyrë për t’u siguruar
që rrugëtimi ynë si shoqëri dhe si njerëzim të mos e kthejë kurrë mbrapsht
rrotën e historisë. Sepse vetëm duke kujtuar, duke mësuar, dhe duke pranuar,
mund të ecim drejt një bote ku e kaluara na udhëzon, por nuk na ndjek si një
hije e pafundme.
Mali
i Zi, me të gjitha rrugët e tij të përthyera dhe qytetet e tij të fshehura
midis maleve dhe detit, mbart brenda vetes një copëz të shpirtit shqiptar.
Qytetet e banuara nga shqiptarët, dikur të heshtura nën barrën e historisë, sot
gumëzhijnë me zëra të rinj dhe energji të reja. Koha ka sjellë ndryshime, ka
formësuar jetët dhe ëndrrat e banorëve të tyre, por asnjëherë nuk ka shuar
lidhjen e tyre me rrënjët.
Gjatë
ditëve të nxehta të verës, kur bregdeti gumëzhin nga ritmet dhe gjallëria e
pushimeve, qytetet shqiptare në Malin e Zi shndërrohen në oaza të gjalla ku
takohen njerëz nga të gjitha anët. Shqiptarët, të ardhur nga vende të ndryshme,
mblidhen për të ndarë jo vetëm plazhin dhe rrezet e diellit, por edhe kujtimet,
historitë dhe ndjenjat që i bashkojnë. Për disa ditë, ata janë të gjithë bashkë,
si një familje e madhe që nuk e harron lidhjen e saj.
"Gjaku
nuk është ujë," më thoshte gjithmonë gjyshja ime, dhe këto fjalë i ndjej
më shumë gjatë atyre ditëve verore. Ato ditë kur shqiptarët, pavarësisht
ndarjeve gjeografike apo historike, rikthehen tek njëri-tjetri, si rrjedha e
një lumi që gjithmonë gjen rrugën për të mbërritur në det. Është një rikujtim
se, në zemër të çdo shqiptari, pulson një lidhje e përhershme, një forcë që nuk
shuhet as nga vitet, as nga kufijtë.
Mali
i Zi, në ato çaste, nuk është më thjesht një hapësirë gjeografike. Ai bëhet një
vend ku historia, kultura dhe shpirti shqiptar takohen dhe përqafohen, duke na
rikujtuar se identiteti dhe përkatësia janë më të forta se çdo dallim apo
ndarje. Këto janë çastet kur kujtojmë se ne jemi një, dhe se gjaku, me të
gjithë domethëniet e tij, mbetet një lidhje që nuk thahet kurrë.
Ulqini
gjithmonë ka qenë pjesë e shpirtit tonë, një tokë shqiptare e dashur, ku
shkonim shpeshherë, gati instinktivisht, sikur ishte pjesë e pandashme e jetës
sonë. Para luftës, pushimet verore i kalonim në këtë qytet të bukur bregdetar,
i cili ishte për ne strehë e ngrohtë dhe derë e hapur, në një kohë kur
Shqipëria mbetej një ëndërr e ndaluar. Durrësi, Shëngjini, Velepoja apo jugu i
Shqipërisë ishin vende të mbyllura, vende që s'mund t’i shihnim as në ëndrrat
më të guximshme, sepse kufijtë dhe burgjet për shqiptarët e Kosovës ishin një
realitet i pamëshirshëm. Vetëm të mendosh për Shqipërinë, ishte një rrezik i
madh që të dërgonte drejt prangave të burgut, prandaj Ulqini mbetej i vetmi
port i lirë, i vetmi horizont i hapur për pushimet tona verore.
Në
ato ditë, ne ndiheshim sikur të gjithë ishim nën një qiell të përbashkët, pa
doganierë e pa kufij që të na ndalonin. Mali i Zi ishte një republikë që e
ndjenim si mik, dhe kjo miqësi ka mbetur edhe sot, kur vijmë e shkojmë pa
pengesa. Republika e Malit të Zi, sot një shtet sovran në zemër të Evropës
Juglindore, shtrihet përgjatë bregut perëndimor të Adriatikut, në kufi me
Kroacinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë. Podgorica,
kryeqyteti modern, përfaqëson zemrën e kësaj republike, ndërsa Cetina, qyteti
mbretëror, ruan një histori të thellë e të lashtë.
Me
një popullsi prej rreth 644,578 banorësh (sipas të dhënave të CIA-s për vitin
2016), Mali i Zi është një vend ku natyra dhe historia ndërthuren në mënyrë të
jashtëzakonshme. Peizazhi i tij është një mozaik i mrekullive natyrore, ku
malet e larta dhe rrafshnaltat e thella krijojnë një harmoni të rrallë me
luginat e lumenjve dhe gropat tektonike të Liqenit të Shkodrës. Zona qendrore
dhe lindore ngrihen më lart, ndërsa bregdeti i ngushtë, i mbuluar me ujin e
Adriatikut, zgjatet nga Gryka e Kotorrit deri te Lumi Buna, në kufi me
Shqipërinë. Male të njohura si Bjellasica, Durmitori, Komova dhe Bjeshkët e
Nemuna sfidojnë qiellin, ndërsa fushat e Podgoricës, Ulqinit dhe luginat e
Beranës, Bellopojës, Plevlës dhe Nikshiqit, përshkohen nga lumenj që bartin
gjurmët e kohës.
Ulqini
mbetet një përjetim i veçantë, një vend ku historia dhe gjeografia gërshetohen,
një copëz e jetës sonë që kurrë nuk mund të harrohet. Ky qytet bregdetar, më
shumë se një vend pushimi, ishte dhe mbetet një strehë shpirtërore, ku kujtimet
e së kaluarës ndërthuren me përjetimet e së tashmes.
Turizmi
në Mal të Zi është si një thesar i fshehur, një margaritar në brigjet e
Adriatikut që vazhdon të ndriçojë përmes plazheve të gjata me rërë të artë,
veçanërisht në Ulqin, një qytet që mban në vete historinë dhe bukurinë
natyrore. Infrastruktura turistike në qytetet bregdetare, si Hercegnovi,
Igallo, Tivati, Budva, Shën-Stefani dhe Ulqini, është zhvilluar për t’i dhënë
vizitorëve atë që kërkojnë—hotele, restorante dhe shtëpi pushimi që përqafojnë
shijen e detit dhe natyrës. Klima e këtij vendi përcaktohet nga relievi i
larmishëm, duke shtrirë krahët e saj mes maleve të larta dhe bregdetit me klimë
mesdhetare, e duke sjellë ndryshime të këndshme nga zonat malore deri te ato
bregdetare.
Pas
shpalljes së Malit të Zi si shtet sovran, ne vazhduam të ktheheshim në këtë
vend që gjithmonë ka pasur diçka të re për të ofruar. Dhe çdo herë, ndjesia e
vizitës dukej e freskët, si një kthim në një magji të re. Edhe tani, kur liritë
e udhëtimit na lejojnë të shkojmë ku të duam, ne përsëri e lëmë Ulqinin për në
fund të verës, si qershia mbi tortë—pushimi i fundit që mbush shpirtin me një
ndjesi të veçantë.
Çdo
udhëtim në Ulqin më duket si një aventurë e parë. Shijoj çdo detaj, nga rrugët
e ngushta dhe shtëpitë prej guri, te sheshet e vogla që ruajnë shenjat e
Rilindjes dhe Barokut. Kombinimi i arkitekturës së Perandorisë Osmane me
elemente të kulturave të tjera ka krijuar një përvojë arkitekturore të
jashtëzakonshme. Në kohën kur Ulqini ishte pjesë e Perandorisë Osmane, ai ishte
një vend i fuqishëm për piratët e asaj kohe. Sheshi i Skllevërve, një shesh i
vogël në zemrën e qytetit të vjetër, bart një histori të thellë, ku dikur
skllevërit e kapur nga piratët silleshin për t’u shitur.
Ulqini
ka gjithashtu një plazh të vogël në qendër të qytetit, me një shëtitore të
mbushur me njerëz gjatë mbrëmjeve të nxehta të verës, ku është vështirë të
kalosh për shkak të turmave që përjetojnë një lloj korzoje të magjishme. Ky
është vendi më i zhurmshëm gjatë ditëve të verës, ku restorantet ofrojnë një
atmosferë gjallëruese deri vonë dhe muzika tingëllon e lartë në ajrin e ngrohtë.
Por nëse kërkon qetësi, Ulqini të ofron edhe këndet e tij të qeta, larg
zhurmës. Ne gjithmonë zgjedhim hotelin Albatros, një ndërtesë që të kujton
epokën e komunizmit, por që ofron qetësinë dhe aromën e pishave, një oazë që të
qetëson shpirtin në çast.
Një
vend tjetër i veçantë është plazhi shërues i grave, i ndodhur në rrugën që të
çon nga hoteli Albatros drejt qytetit. Ky plazh i veçantë, ku lejohen vetëm
gratë, njihet për trajtimet shëruese me baltë dhe ujë squfuri, një oazë
relaksimi që ofron më shumë se vetëm pushim—një mundësi për të rigjeneruar
trupin dhe shpirtin. Plazhi, disi është nudist, është një vend ku gratë gjejnë
shërim, jo vetëm për trupin, por edhe për mendjen.
Nëse
kërkon hapësirë të lirë dhe qetësi nën diellin që ngroh butësisht, do të duhet
të përgatitesh për një udhëtim të shkurtër – vetëm pesëmbëdhjetë minuta me
veturë, ose të paktën kështu thotë Google. Por kur koha e verës sjell me vete
turma dhe makina që mbushin rrugët, ky premtim i shkurtër shndërrohet në një
orë të tërë udhëtimi, me rrugët që zgjaten pafundësisht mes bregut të Plazhit
të Madh dhe qytetit, të mbushura me automjete të ngadalta nën peshën e
pushimeve verore. Megjithatë, ky breg i pafund i detit të ngrohtë nuk është
thjesht një vend për t’u larë – është një parajsë për dashamirët e aventurës,
me erërat e fuqishme që thurin krahët e tyre me valët e cekëta, duke krijuar
një skenë të përsosur për kitesurfing. Me një shtrirje prej 14 kilometrash, ky
plazh ofron mundësinë e përsosur për të mësuar këtë art të fluturimit mbi valë,
ndërsa erërat verore fryjnë me energji të vazhdueshme.
Plazhi
i Madh është më shumë se thjesht një vend për të bërë banjë dielli. Këtu mbahen
festivale të ndryshme muzikore, duke sjellë jetë dhe ritme nën qiellin e hapur.
Sportet ujore janë të pafundme, ndërsa restorantet e shumta që shtrihen
përgjatë vijës bregdetare ofrojnë shije të freskëta të detit dhe ushqimeve
vendase, për ata që kërkojnë një pushim gastronomik mes freskisë së valëve. Çdo
kafshatë është e përzier me aromën e detit dhe tingujt e verës.
Gjatë
një prej atyre momenteve të pushimit tonë në Plazhin e Madh, na folën për një
thesar të fshehur afër – Ada Bojana. Një ishull lumor, i ndarë nga rrjedha e
Bojanës, me plazhe ranore që shtrihen për tre kilometra të tëra. Larg turmave
të zhurmshme të qytetit, ky vend ofron paqe të pastër dhe qetësi, një oazë ku
mund të kalosh një fundjavë të mrekullueshme mes sporteve ekstreme ujore, që
kanë bërë Adën të famshme për sërfistët nga e gjithë bota.
Por
jo gjithçka në Ada është veç për ata që kërkojnë adrenalinë. Për ata që
dëshirojnë të përjetojnë qetësinë e bregdetit, mund të zgjedhin një nga baret e
plazhit, ku dielli shkëlqen butësisht dhe perëndimet janë magjike. Ushqimet e
freskëta vendase, të servirura me përpikëri, bëhen një shoqërues perfekt për
çdo funddite të qetë, ndërsa hidhesh në biseda të ngadalta e shikimet ndalen në
horizont, ku dielli puth detin dhe qielli ndizet me ngjyra të zjarrta.
Derisa
qëndronim nën një çadër të madhe, na treguan se vetëm nja dhjetë minuta larg
nga Ulqini gjendet një gji shkëmbor i cili të përfshin me magjinë e tij të
lashtë, i rrethuar nga ullinjtë e vjetër që tregojnë historinë e kohërave të
kaluara. Valdanosi, me mbi 18 mijë pemë ulliri, është jo thjesht një oazë
natyror, por një thesar i çmuar i vendit. Në këtë fushë të blertë, ullinjtë e
lashtë qëndrojnë si dëshmitarë të kohëve të largëta, disa prej tyre qëndrojnë
krenarë për më shumë se 2000 vite. Me rëndësinë e tyre natyrore dhe ekonomike,
ky vend mbrohet me kujdes nga qeveria malazeze, duke u bërë një simbol i
bukurisë dhe qëndrueshmërisë së jetës në natyrë.
Ne
deri sa ishim në plazhe dëshira për të parë sa më shumë vende të ndryshme na
tërhiqte tmerrësisht që të shihnim edhe më shumë vende të mahnitshme. Andaj
vendosem të ngjiteshim në kodrën e Mendrës. Nga fari i kësaj kodre, mund të
shohësh pamjen madhështore të gjirit që shtrihet deri në portën e Otrantos,
ngushticën e famshme që lidh Adriatikun me Detin Jon. Kjo panoramë është një
ftesë për të ndjerë frymën e detit dhe për të parë natyrën në gjithë përmasat e
saj.
Duke
i vizituar kriporet e Ulqinit pamë se ky ekosistem është një parajsë për
shpendët, duke mbledhur rreth vetes dashamirësit e zogjve nga e gjithë bota.
Liqeni i Kripur i Ulqinit është një strehë për më shumë se 250 lloje zogjsh të
ndryshëm, përfshirë pelikanin dalmat dhe lugët, që kalojnë fluturimet e tyre
përtej valëve. Ky vend unik, që strehon më shumë se gjysmën e të gjitha llojeve
të shpendëve të Evropës, është i vetmi vend në kontinent ku mund të shohësh
flamengot e egra në natyrë, duke e bërë një mrekulli të gjallë për dashamirët e
natyrës.
Ndërsa
lëmë Ulqinin pas, një student i Tefikut na u ofrua që të na çoi drejt Liqenit
të Shasit, një perlë e fshehur që gjendet në majë të një kodre të vogël në veri
të qytetit. Ky liqen i lashtë, i ngarkuar me histori, dëshmon për një qytet që
dikur lulëzonte në shekullin e IV para Krishtit. Pushtime të shumta e lanë të
rrënuar këtë qytet, nga mongolët e deri te osmanët, duke e kthyer në një
"qytet të vdekur". Sot, Shasi është një ndër qytetet më të njohura
parahistorike të Evropës, një vend që ndjell historianët dhe arkeologët, duke
ruajtur në heshtje misteret e tij të thella. Ndërsa shëtit në këtë vend të
lashtë, nuk mund të mos ndjesh peshën e kohës dhe të përjetësisë, ndërsa pamjet
nga maja e kodrës zbulojnë bukurinë e zonës përreth, me Adën dhe gjirin që
shtrihet poshtë.
Një
nga udhëtimet më mbresëlënëse në Malin e Zi na çoi në zemrën e Parkut Kombëtar
të Durmitorit, një oazë natyrore që duket sikur i përket një bote tjetër. Ky
park, një zonë e mbrojtur me bukuri që të lë pa frymë, shtrihet në pjesën
veriperëndimore të vendit, duke përfshirë një sipërfaqe të gjerë prej rreth 390
kilometrash katrorë. Në çdo hap, natyra zbulon një mozaik ngjyrash, formash dhe
tingujsh që krijojnë një simfoni të pakrahasueshme për shpirtin dhe mendjen.
Durmitori
është një botë e pasur me jetë. Në pyjet e tij të dendura dhe kullotat e
hapura, banojnë mbi 1800 lloje bimësh, duke përfshirë disa që duken si të dalë
nga legjendat. Qielli i mbushur me 200 lloje zogjsh, zhurma e tyre e ëmbël që
përplaset me freskinë e ajrit të pastër, dhe prania e gjitarëve, zvarranikëve
dhe peshqve i japin parkut një jetë të veçantë. Përmes kësaj parajse të gjallë
rrjedh lumi Tara, një kryevepër natyrore që gdhend një nga kanionet më të thella
dhe më të gjata në Evropë. Kanioni i Tarës është një tjetër testament i forcës
së natyrës, me ujërat e saja që lëshojnë një këngë të përhershme për ata që
kanë fatin ta dëgjojnë.
Ky
park i mrekullueshëm është gjithashtu një vend për ata që duan të përqafojnë
aventurën. Shtegu i ngjitjeve, rafting-u në ujërat e Tarës, çiklizmi malor dhe
ngjitja në shkëmb janë vetëm disa nga aktivitetet që mund të përjetosh këtu.
Dhe, si një kurorë mbi këtë mrekulli natyrore, qëndron Liqeni i Zi, një pasqyrë
ujore që reflekton qiellin dhe malet përreth me një pastërti që të lë pa fjalë.
Me ujërat e tij të kristalta dhe mjedisin piktoresk, ai duket si një skenë e
dalë nga një ëndërr.
Duke
udhëtuar me veturë drejt Italisë, rruga na çoi në një ndalesë të papritur dhe
të magjishme: Gjirin e Kotorrit. Një vend ku deti përqafon malet me një qetësi
dhe madhështi që të lë pa frymë. Kjo perlë e Mesdheut, me ujërat e saj të
kristalta dhe peizazhin e rrethuar nga maja dramatike, nuk është thjesht një
gji, por një përvojë që të fton të ndalesh, të marrësh frymë thellë dhe të
humbasësh në bukurinë e saj.
Gjiri
i Kotorrit nuk është vetëm një vend për turistët; është një hapësirë ku koha
duket se ndalon, një arenë ku natyra dhe historia bashkëjetojnë në harmoni të
përsosur. Në ujërat e tij të qeta, njerëzit lundrojnë me varka që lëvizin
ngadalë, si të mos duan të prishin qetësinë e këtij vendi. Në breg, vendasit
dhe vizitorët gjejnë strehë në qytetet dhe fshatrat simpatikë që pasqyrojnë një
thjeshtësi të bukur, duke përfshirë Kotorin, Perastin dhe Risanin. Secili prej
tyre flet me gjuhën e historisë, përmes arkitekturës së tyre mesjetare dhe
atraksioneve kulturore që fshehin rrëfime të lashta.
Ndër
perlat e gjirit qëndron Qyteti i Vjetër i Kotorrit, një thesar i ruajtur nga
UNESCO. Labirinti i rrugicave të ngushta, i mbushur me ndërtesa dhe kisha që
datojnë deri në shekullin e 12-të, të fton të humbasësh në të. Kisha e Shën
Trifunit, me madhështinë e saj të thjeshtë, është një dëshmi e përjetësisë, një
monument që flet për kohët kur arti dhe feja ishin burim frymëzimi dhe
ndërtimi.
Por,
Gjiri i Kotorrit nuk mbaron me historinë. Ai është gjithashtu një vend ku
natyra të mahnit në mënyra të panumërta. Rrethuar nga gadishulli Lushtica, një
zonë e mbrojtur që mbart një shumëllojshmëri flore dhe faune, gjiri mbetet një
oazë për ata që kërkojnë të lidhen me natyrën. Plazhet e tij, si Blue Horizon
Beach, të ofrojnë një arratisje të përsosur, me ujërat e pastër kristal dhe
pamje që të ngjajnë si një kartolinë e gjallë.
Gjiri
i Kotorrit është një vend ku çdo gjë flet – valët pëshpëritin qetësinë, gurët e
ndërtesave ruajnë kujtime, dhe malet, si roje të përjetshme, tregojnë
madhështinë e natyrës. Në këtë ndalesë spontane, ndjeva që çdo kilometër i
udhëtimit tonë kishte qenë i denjë vetëm për ta përjetuar këtë çast, këtë
harmoni mes së shkuarës dhe së tashmes, mes njeriut dhe natyrës.
Shumë
herë, rruga na ka çuar përmes Tivatit, dhe gjithmonë, pa përjashtim, kemi
mbetur të magjepsur nga bukuria e kësaj qyteze që shtrihet si një perëndi e
qetë pranë Adriatikut. Shpesh ndalesat tona ishin të shkurtra – një kafe e
shijuar nën hijen e pemëve mesdhetare, një pushim i vogël gjatë udhëtimit – por
çdo herë ato ndalesa mbartnin një çast magjie, një lidhje të thellë me vendin
që dukej sikur na përshëndeste me një butësi të heshtur.
Tivati,
ky qytet i vogël buzë detit, është si një perlë e fshehur në Bokën e Kotorit,
me rrethinat e tij piktoreske dhe klimën mesdhetare që të përqafon me
ngrohtësinë e saj. Nuk është vetëm një qytet; është një përvojë, një ftesë për
të ndalur hapin dhe për të ndjerë ritmin e qetë të jetës bregdetare. Noti në
ujërat e kthjellëta, lundrimi në varka që ngadalë përshkojnë gjirin, apo ecjet
në rrugicat që frymojnë historinë e këtij vendi – të gjitha këto i japin
Tivatit një jetë që rrezaton nga çdo cep i tij.
Një
ndër atraksionet më të njohura të Tivatit është padyshim vendi Porto
Montenegro, një marinë luksoze që qëndron si një portë moderne drejt botës së
elegancës. Me ndërtesa të rafinuara që shtrihen pranë detit, ky kompleks është
më shumë se një marinë; është një qendër ku stili dhe rehatia bashkohen në
harmoni të përkryer. Restorantet e tij ofrojnë shije nga e gjithë bota, dyqanet
e tij janë si vitrina ëndrrash, dhe objektet rekreative – banjat, pishinat,
palestrat – ofrojnë një prekje relaksimi që duket si një shpërblim për
shpirtin.
Kaltrina
Hoti (poete) & Sabile Keçmezi-Basha, Plavë 2022
Por
përtej luksit dhe shkëlqimit të Porto Montenegros, Tivati ruan një thjeshtësi
dhe një ndjesi të ngrohtë që vetëm qytetet bregdetare të Mesdheut mund ta
ofrojnë. Është një vend ku njeriu mund të ndihet si në shtëpi, mes bukurisë së
thjeshtë të natyrës dhe rehatisë së jetës moderne.
Sa
herë që kalojmë përmes Tivatit, ndjejmë se çdo vizitë është një prekje e re e
asaj bukurie që nuk lodhet kurrë të të mahnitë. Ky qytet i vogël, me klimën e
tij të ëmbël dhe frymën e tij mikpritëse, mbetet si një strehë e vogël për
udhëtarët, një kujtim i paharrueshëm që gjithmonë të fton të rikthehesh.
Shumë
vite më parë, të etur për të shijuar kënaqësinë e udhëtimeve, bashkë me Tefikun
vendosëm të kalonim pushimet në Budva, këtë perlë të bregdetit Adriatik. Aty,
mes dritës së diellit dhe valëve të qeta, një ide na lindi si një ftesë e
heshtur: të vizitonim Shën Stefanin, atëherë simbolin e luksit dhe madhështisë
së rivierës. Rrugëtimi na dukej kaq i afërt, si të thërriste një premtim
bukurie dhe magjie që duhej zbuluar.
Shën
Stefani, ky qytet i vogël me një prani që kapërcen kohën, shtrihet në një
gadishull të mbuluar nga plazhe të arta dhe ujëra të kristaltë. Vetë emri i tij
mbart një simbolikë të veçantë, duke nderuar Shën Stefanin, shenjtin mbrojtës
të Malit të Zi. Themeluar në shekullin e 5-të, ky vend mban gjurmët e një historie
të lashtë, ku tregimet e periudhës romake përzihen me frymën e Mesjetës. Dikur
një port i rëndësishëm dhe një qendër tregtare për rajonin, Shën Stefani ka
luajtur një rol kyç në zhvillimin kulturor dhe ekonomik të Malit të Zi.
Sot,
Shën Stefan është një nga vendet më të njohura turistike, një vend që duket
sikur del nga një kartolinë e përkryer. Plazhet e tij, me rërën e butë dhe
detin e kthjellët, janë një premtim për këdo që kërkon paqe dhe freski. Klima
mesdhetare, që përqafon qytetin si një vello të butë, e bën këtë vend ideal për
ata që kërkojnë të ndiejnë magjinë e natyrës dhe kulturës.
Në
këtë qytet, restorantet dhe kafenetë të ftojnë të shijosh jo vetëm gatimet
lokale, por edhe ritmin e qetë të jetës së përditshme. Monumentet kulturore dhe
historike, si Kisha e Shën Stefanit, janë kujtime të përhershme të një epoke që
ende jeton mes arkitekturës dhe frymës së këtij vendi.
Por
Shën Stefani nuk është vetëm një vend për qetësi dhe reflektim; është
gjithashtu një portë drejt aventurës. Me sportet ujore, si lundrimi, zhytja dhe
madje rrëshqitja në ajër, ky qytet fton të gjithë të ndiejnë adrenalinën dhe
bukurinë e bregdetit nga një këndvështrim tjetër. Në zemër të Rivierës së
Budvës, Shën Stefani është një përmbledhje e përsosur e bukurisë natyrore dhe
trashëgimisë kulturore.
Për
ne, ai udhëtim mbeti si një kujtim i paharrueshëm – një udhëtim jo vetëm në një
vend, por në një gjendje ku njeriu ndihet pjesë e një harmonie më të madhe,
midis natyrës, historisë dhe shpirtit njerëzor. Shën Stefani mbetet një strehë
e përjetshme që të fton gjithmonë të rikthehesh.
Pas
rrëzimit të komunizmit në Shqipëri, udhëtimet tona drejt asaj toke të dashur
shpesh na çonin përmes një prej mrekullive më të jashtëzakonshme natyrore të
rajonit – Liqenit të Shkodrës. Çdo herë që kalonim pranë tij, dukej sikur
ndaleshim në një prag magjie, ku natyra fliste me një gjuhë të heshtur, por
mahnitëse. Ujërat e tij të kaltër, që pasqyrojnë qiellin si një pasqyrë e
kristaltë, dhe malet që ngrihen si rojtarë krenarë përreth tij, e bënin këtë
liqen një ndalesë të paharrueshme në çdo rrugëtim.
Me
një sipërfaqe që përfshin rreth 390 kilometra katrorë, Liqeni i Shkodrës është
liqeni më i madh në Ballkan dhe një thesar i pashoq i florës dhe faunës. Mbi
260 lloje zogjsh, si dhe një mori peshqish dhe gjitarësh, e kthejnë këtë liqen
në një oazë për natyrën, një simfoni të gjallë të jetës. Por ajo që e bën
Liqenin e Shkodrës vërtet të veçantë nuk është vetëm jeta e tij e pasur
natyrore, por edhe lidhja e tij e thellë me historinë dhe kulturën.
Rreth
liqenit, mes gjelbërimit dhe ujërave, ndodhen manastire dhe kisha mesjetare që
tregojnë për një të kaluar plot besim dhe trashëgimi. Qytetet dhe fshatrat që
rrethojnë liqenin ruajnë në gurët e tyre traditat dhe historitë e brezave, duke
ftuar çdo vizitor të ndalet dhe të zbulojë sekretet e tyre. Kalimi përmes
këtyre vendeve të qeta dhe të thjeshta ishte gjithmonë një përvojë që zgjonte
ndjenjën e përkatësisë dhe rrënjëve.
Por
Liqeni i Shkodrës nuk është thjesht një vend për të soditur bukurinë – është një
hapësirë për aventura dhe përjetime të paharrueshme. Noti në ujërat e tij të
freskët e të kthjellët, shëtitjet me varkë për të zbuluar limane të fshehura,
apo ecjet në pyjet e tij hijerëndë, janë vetëm disa nga mundësitë që ky liqen
ofron. Çdo hap dhe çdo valë përcjellin një histori që ndërthur natyrën me
shpirtin e aventurës.
Liqeni
i Shkodrës është më shumë se një liqe; është një përvojë që mbush shpirtin me
paqe dhe frymëzim. Për ata që kërkojnë të ndiejnë lidhjen e thellë mes natyrës
dhe historisë, ky liqen është si një ftesë e hapur për të përjetuar të
pakrahasueshmen. Nuk ka rëndësi sa herë kalon andej; çdo herë, ai të flet me
një gjuhë të re, duke të kujtuar se bukuria dhe trashëgimia e tij janë një
dhuratë që nuk shteron kurrë.
Gjatë
udhëtimeve tona drejt Ulqinit apo bregdetit tjetër të Adriatikut, Cetinja
shpesh bëhej një ndalesë e vogël, por e paharrueshme. Ndaleshim për të marrë
fruta dhe lëngje të ftohta për rrugën që na priste, dhe gjithmonë mbetnim të
mahnitur nga ky qytet i lashtë malazez. Cetinja, kryeqyteti historik i Malit të
Zi, shtrihet si një perlë mes maleve, duke ruajtur historinë dhe shpirtin e një
kombi.
I
themeluar në shekullin e 15-të, ky qytet, me vetëm 13,000 banorë, bart një
trashëgimi të madhe kulturore dhe shpirtërore. Manastiri i Cetinjes, i ndërtuar
po në atë shekull, është zemra e tij, një vend që ruan dorëshkrime të lashta,
libra dhe objekte që flasin për identitetin malazez ndër shekuj. Përtej tij,
Muzeu Kombëtar dhe Mauzoleu i Njegoshit zbulojnë aspekte të tjera të kulturës
dhe historisë, duke ofruar një lidhje të thellë me të kaluarën.
I
rrethuar nga male dhe pyje madhështore, Cetinja është jo vetëm një qendër
historike, por edhe një derë drejt natyrës së paprekur. Ky qytet i vogël mbetet
një ndalesë që të fton të ndjesh ritmin e historisë dhe qetësinë e natyrës, një
vend ku e shkuara dhe bukuria natyrore shkrihen në harmoni të përsosur.
"Duhet
patjetër ta vizitoni Parkun Kombëtar të Lovçenit," na thoshin, dhe një
ditë më në fund ndodhi. U nisëm drejt kësaj zone të mbrojtur, e cila shtrihet
në zemrën e Malit të Zi, duke mbuluar një sipërfaqe prej rreth 145 kilometrash
katrorë. Lovçeni, me majën e tij që ngrihet krenarisht në 1749 metra mbi
nivelin e detit, duket si një rojtar i përjetshëm i kësaj toke të bukur dhe të
pasur me histori e natyrë.
Parku
është një botë në miniaturë, ku flora dhe fauna përzihen në harmoni, duke
përfshirë edhe specie të rralla endemike që e bëjnë atë të veçantë. Gjithçka në
Lovçen duket sikur frymon historinë dhe kulturën, duke e kthyer këtë vend në
një thesar për ata që kërkojnë lidhjen mes natyrës dhe shpirtit njerëzor.
Një
nga perlat më të çmuara të këtij parku është Mauzoleu i Njegoshit, një monument
që i kushtohet poetit dhe filozofit të madh malazez, Petar II Petrovi?-Njegosh.
I vendosur në majën e malit Lovçen, ky mauzole është më shumë se një vend
pushimi për të; është një udhëtim drejt shpirtit të kombit malazez. Rruga që të
çon atje, me kthesa të shumta që ngjiten ngadalë, të fton të ndalesh dhe të
admirosh panoramën e pafundme që hapet para syve. Nga maja, pamja është një
simfoni qetësie: mali, deti dhe qielli bashkohen në një horizont që të mbush me
frymëzim dhe paqe.
Lovçeni
është një ftesë për të ndjerë madhështinë e natyrës dhe për të prekur
thellësitë e shpirtit njerëzor. Është një vend që nuk të lë thjesht mbresa, por
të ndryshon; të mëson të sodisësh, të ndjesh dhe të kuptosh se si natyra dhe
historia ndërthuren për të krijuar një përvojë që mbetet përgjithmonë në zemër.
Pas
tërë këtyre shëtitjeve nëpër vite në tokën e Malit të Zi, kthimi në shtëpi
ishte një kthim që nuk na çoi vetëm drejt shtëpisë, por na futi në një botë të
mbushur me kujtime të gdhendura në gurë dhe tinguj të zërit të detit. Rruga që
na drejtoi nga Tivari në Tivarin e
Vjetër u kthye në një udhëtim në thellësitë e historisë, aty ku toka dhe
koha i përqafojnë njëra-tjetrës në heshtjen e qetë të jugut të Malit të Zi.
Tivari
i Vjetër qëndron si një kronikë e hapur nën qiellin e pafund të Adriatikut, një
qytet që i përket më shumë shekujve sesa ditëve. Ndërsa hapat tanë kalonin
nëpër rrugicat e tij të ngushta dhe të përgjumura, çdo gur dukej sikur fliste
një gjuhë të lashtë, duke rrëfyer tregime për perandori të harruara, sundimtarë
të fuqishëm, dhe dashuri që përballuan furtunat e kohës. Ishte një ndjesi që
nuk kishte nevojë për fjalë – ishte aty në ajrin që thithnim, në hijen e
kështjellës madhështore që qëndronte si një kujdestar i përjetshëm mbi qytet.
Kalaja
e Barit, krenare mbi kodrën e saj, ngjante si një ylber i ngrirë në gurë. E
ndërtuar në shekullin e 12-të, ajo ruante me zell një pasuri të arkitekturës
romane, por më shumë se kaq, ruan historinë e atyre që e ndërtuan dhe e
mbrojtën. Çdo gur i saj është një dëshmitar i heshtur i shekujve të lavdisë dhe
dhimbjes, duke krijuar një dialog të pazëshëm me valët që përplasen nën të.
Por
Tivari i Vjetër nuk është vetëm një qytet kështjellar; është një mozaik i
kulturës dhe shpirtit njerëzor. Hapësirat e qeta, të mbuluara me pisha të
hijshme, dhe plazhet që shtriheshin përqark detit të kristaltë na kujtuan se
edhe natyra kishte vendosur të jetë pjesë e këtij tregimi të përjetshëm. Aty,
Adriatiku dukej sikur përqafonte qytetin me dashurinë e tij të butë, ndërsa
vala e qetë sillte një melodi të njohur – një këngë që na pëshpëriste për
përjetësinë e jetës dhe të historisë.
Në
kthim, Tivari i Vjetër mbeti me ne. Jo si një vend që vizituam, por si një
përvojë që u bë pjesë e shpirtit tonë. Në rrugët e tij, në kështjellën që
sfidonte shekujt, dhe në detin që pasqyronte qiellin, gjetëm jo vetëm një
qytet, por një histori që na rikujtoi sa e çmuar është lidhja jonë me të
kaluarën. Tivari i Vjetër, për ne, nuk është vetëm një qytezë – është një ftesë
për të reflektuar mbi përjetësinë që gjendet në çdo gjurmë të së shkuarës.
Qyteti,
i themeluar që në shekullin e IV para Krishtit, ngjan me një mozaik të
përjetësisë. Ai ka parë perandori që lindën dhe ranë, sundimtarë që ëndërruan
përjetësinë, dhe udhëtarë që kërkuan një strehë në krahët e tij të gurta. Në
zemër të këtij qyteti gjallon kalaja e Barit, një kështjellë madhështore që
qëndron krenare mbi një kodër, si një rojtar që përgjon horizontin. E ndërtuar
në shekullin e 12-të, ajo është një shembull i mrekullueshëm i arkitekturës
romane, një testament i aftësisë njerëzore për të lënë gjurmë të pashlyeshme.
Kur
ikëm për në Kosovë, deshëm të vizitonim edhe fshatin Krahvar. Një vend i humbur
mes gjelbërimit dhe bukurive natyrore, ku shegat e ëmbla mbushnin duart tona
dhe na dhuronin shijen e freskët të verës. Studenti i Tefikut- Fadil Demiri, na
tregoi se në këtë fshat, në majën e një mali që ndan kufirin mes Malit të Zi
dhe Shqipërisë, jetonin shqiptarë nga të dy anët e kufirit. Gjatë verës, kur
punonin nën diellin përvëlues, askush nuk guxonte të ngrinte kokën për të parë
përtej kufirit, si një linjë e padukshme që ndante dy botë të njëjta. Dhe
studenti qeshi me një hije dhimbjeje: "Ah, profesor, e di sa i ftohtë
është kufiri? Të bën akull në pikë të verës".