Speciale » Basha
Sabile Basha & Tefik Basha: Kujtim nga muaji i mjaltit, 1979
E diele, 17.11.2024, 06:58 PM
BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH...
MAJORKA
E SPANJËS- VENDI I FLAMENGOS DHE E TOREADORËVE
(Kujtim
nga muaji i mjaltit, 1979)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha &
Prof. Dr. Tefik Basha
Pas kthimit nga studimet në Prishtinë, jeta vazhdoi të
rrjedhë me ritmin e saj të zakonshëm, ndërsa kujtimet e udhëtimeve na
ngushëllonin si një strehë e ëmbël. Shpesh rikujtonim ato ditë të stuhishme studentore,
që ishin kthyer në temën tonë të preferuar për biseda. Erdhi vjeshta, dhe dimri
na përfshiu në përqafimin e tij të ftohtë, ndërsa ne nisëm të endnim planet e
reja dhe të prisnim ngjarjet që kishim ëndërruar prej vitesh. Më 17 shkurt
1979, vendosëm të kurorëzonim dashurinë tonë me martesë. Organizuam një dasmë,
ku morën pjesë familjarët dhe miqtë tanë
më të afërt, dhe ai moment i shënuar u bë dita më e lumtur e jetës sonë. Por,
edhe në këtë çast të veçantë, Tefiku kishte përgatitur një befasi tjetër. Për
muajin tonë të mjaltit, ai kishte bërë rezervimin nëpërmjet një agjencie
turistike sllovene për të udhëtuar në ishullin e Pallma de Majorkës.
Të
nesërmen, kur ende nuk ishin larguar të gjithë mysafirët, ne me valixhet në
duar u nisëm drejt aeroportit, për të fluturuar fillimisht
drejt Lubjanës e pastaj për në Majorkë. Tani, ekonomia na e lejonte të përjetonim
udhëtime më komode dhe të qëndronim në hotelet më të mira, duke na dhuruar një
luks të ri që dikur vetëm e kishim ëndërruar.
Zakonisht thosha dhe ende them se kur njeriu niset për
të parë botën, nuk është me rëndësi se ku vendoset, por që të jetë i sigurt në
atë vend. Nuk ka rëndësi ku ushqehet, vetëm që ushqimi të jetë i shëndetshëm,
dhe veshja të jetë e rehatshme dhe komode.
Por udhëtimi ynë për në Majorkë na ndryshoi stilin e
qëndrimit dhe të jetesës. Udhëtonim me aeroplan, kishim rezervuar një hotel
mjaft luksoz, dhe nga kjo kuptonim se edhe mënyra e të veshurit duhej të
ndryshonte. Në atë kohë mendonim se kështu duhej të ishte. Mbase isha e re dhe
mendova se duhej të dukesha tamam si një nuse gjatë muajit të mjaltit. Kisha
veshur kostume shumë elegante dhe çizme me take, një pallto të gjatë, sepse në
Prishtinë kishte borë dhe ishte tepër ftohtë. Mendova se kështu dukesha bukur,
dhe vetëbesimi im kishte arritur kulmin.
Sabile Keçmezi-Basha, aeroporti i Majorkës, shkurt 1979
Aeroplani, me një shpejtësi marramendëse, na solli në
Majorka, një ishull i vogël që nga lart, nga pozita e fluturimit, mu duk si një
pikë e vetmuar në mes të detit Mesdhe. Sa më shumë afroheshim, aq më shumë më
rritej frika se si do të zbarkonim mu në zemër të këtij ishulli të vogël.
Për çudi, aterrimi përfundoi me sukses dhe ne, të
gjithë pasagjerët, shpërthyem në duartrokitje për pilotin që me mjeshtëri na
uli në tokë. Zhurma e aeroplanit ende ushtonte kur stjuardesa, me kujdesin dhe
butësinë e saj të veçantë, na hapi derën. Befas, u gjendëm në krye të shkallëve
të aeroplanit, duke soditur pamjen e ishullit që shtrihej përpara nesh.
Posa dolëm jashtë, një ngrohtësi e ëmbël na u përplas
në fytyrë. Në Kosovë kishim lënë pas borën e ftohtë, ndërsa këtu, në Majorkë,
na priti gjelbërimi dhe një diell që ngrohte gjithçka me rrezet e tij të buta.
Jashtë aeroportit, na priste një veturë luksoze e
hotelit, gati për të na dërguar në destinacionin tonë të ëndërruar. Hoteli
quhej "Lancaster" dhe ishte një mrekulli për sytë dhe shpirtin. Dhoma
jonë ishte e gjerë, plot dritë dhe e mbushur me një ndjenjë rehatie që të
mbështillte si një përqafim i ngrohtë. Restoranti i hotelit ishte një vend
magjik, më i bukuri dhe më i pastërti që kisha parë ndonjëherë, një vend ku çdo
detaj ishte i përkryer, dhe ku ushqimi të ftonte me aroma të këndshme.
Në oborrin e hotelit, një pishinë me ujë të ngrohtë na
thërriste që në mbrëmjen e parë, si një premtim i kënaqësive që do të vinin.
Por, as që më kishte shkuar ndërmend të merrja me vete kostumin e larjes nga
dimri i ftohtë i Prishtinës. Kështu, dëshira për t'u zhytur në atë pishinë
mbeti për një ditë tjetër.
Të nesërmen, pasi shijuam një mëngjes të bollshëm dhe
të pasur, gjithçka ishte gati dhe e organizuar për ne. Me një padurim që rritej
nga çasti në çast, prisnim të dilnim në qytet, për të eksploruar rrugicat dhe
skutat e tij, për të zbuluar çdo sekret të fshehur dhe për të krijuar kujtime
që do të na shoqëronin përgjithmonë.
Personeli i hotelit ishte i njoftuar dhe i përgatitur
për çdo detaj të shëtitjes sonë në qytet, duke na bërë gati ushqimin për të marrë
me vete, si një kujdes i veçantë që të mos na mungonte asgjë gjatë eksplorimeve
tona. Në orën 11, minibusi i hotelit erdhi dhe na mori, duke na shoqëruar drejt
qendrës së qytetit. Posa mbërritëm atje, na thanë se tani ishim të lirë të
shëtisnim sipas dëshirës sonë, duke eksploruar çdo cep që të na rrëmbente
zemra.
Dy ose tre çifte filluam të ecnim së bashku, duke
hulumtuar rrugicat e qeta të këtij qyteti të bukur, ku çdo hap ishte një zbulim
i ri dhe çdo kthesë një skenë e papritur. E kisha menduar këtë udhëtim si një
muaj mjalti të ëmbël, ku do të qëndronim në një vend dhe do të shijonim çdo
moment, ndaj kisha marrë me vete vetëm çizme dhe këpucë me taka, të
përshtatshme për një stil më elegant. Por, sapo këmbët e mia prekën kalldrëmet
e ngrohta të qytetit, e kuptova se duhej të përshtatesha me ritmin dhe natyrën
e tij.
Shpejt ndryshova mendje dhe bleva mokasine të lehta,
pantallona prej pambuku të freskëta, këmisha të holla që më mbështillnin lehtë
dhe një kapelë të rehatshme për të përballuar stinën e nxehtë. Në këtë
përzgjedhje të re, ndjeva se kisha përqafuar plotësisht atmosferën e vendit,
duke e bërë këtë shëtitje një pjesë të paharrueshme të kujtimeve tona.
Ajo që na magjepsi më shumë ishte qendra e qytetit,
një vend ku bukuria dhe qetësia dukeshin të ishin në harmoni të përsosur. E
vendosur në juglindje të Palmës, pas katedrales madhështore, qendra mbante në
vetvete një labirint rrugësh që pasqyronin qartë një të kaluar arabe. Me
përjashtim të disa rrugëve dhe shesheve ku qarkullimi ishte i lirë dhe të
mbushura me turistë gjatë shumicës së kohës, shumica e kalimeve të kësaj
lagjeje të qytetit ishin rrugë të ngushta, të qeta, të mbushura me një mori
ndërtesash interesante, arkitektura e të cilave rivalizonte qytete si Firenca.
Këto rrugë të mbushura me histori dhe kulturë, shumica
prej tyre ishin shtëpi private, disa të hapura për publikun si muze apo galeri
të fshehta, të cilat ofronin një shikim të rrallë në jetën dhe kulturën lokale.
Qyteti i Vjetër ishte gjithashtu një vend i mbushur me monumente të njohura, si
Town Hall, manastire dhe katedrale të shumta, që mbartnin mbi vete historinë e
kohërave të kaluara.
Palma, një komunë e Spanjës e vendosur në qarkun e
Ishujve Balearik, ishte shtëpia e 401,270 banorëve (2009) dhe shtrihej në një
sipërfaqe prej 208.63 kilometrash katrorë. Pas shëtitjes nëpër qendrën e
qytetit dhe vizitës në dyqanet e shumta, filluam të ndjenim një lodhje të
lehtë, që na kaploi pa e kuptuar. Ndoshta ishte edhe uria, pasi kishim harruar
të hanim drekën që na kishte përgatitur hoteli. Sidoqoftë, qetësia dhe hijeshia
e këtij vendi na mbushën me një ndjenjë të thellë kënaqësie, duke e bërë këtë
udhëtim të paharrueshëm.
Duke menduar se çdo hap yni ishte në vëmendjen e të
tjerëve, u larguam pak nga qendra e qytetit dhe gjetëm strehë në një park të
qetë, ku u ulëm për të shijuar drekën. Ishte një nga ato momente kur gjithçka
rreth teje duket më e shijshme se kurrë më parë. Nuk di se çfarë kishin
përgatitur për ne në ato paketime, por çdo gjë, nga frytet e freskëta te
lëngjet e freskuara, patatet e skuqura dhe mishi i pulës, dukej si një festë
për shijet tona.
Sabile Keçmezi-Basha& Tefik Basha, Plazhi i Majorkës, shkurt 1979
Pasi bëmë një pushim të shkurtër nën hijet e pemëve në
parkun e Mallorkës, vendosëm të pimë një kafe. Aty pranë, në një kafene të
vogël, pimë neskafen e parë, një përvojë e re që dukej të shoqërohej me aromën
e ëmbël të ajrit të detit dhe freskinë e pasdites.
Ora po afrohej 16:00, dhe ne duhej të ktheheshim në
vendin e pikë mbledhjes së turistëve, por qetësia dhe kënaqësia e atij momenti
në park mbeti në mendjet tona, një kujtim i thjeshtë dhe i bukur që do ta
ruajmë përherë.
Pasi u mblodhëm të gjithë, guida jonë na çoi nëpër
rrugët më të fshehta dhe vendet më të veçanta të qytetit. Çdo hap që bënim, çdo
cep që zbuluam, na linte të mahnitur, si një ëndërr e gjallë që shpalosej para
syve tanë. Mbrëmja na gjeti të rraskapitur, dhe çdo qenie e lodhur brenda nesh
dëshironte vetëm të mbërrinte në dhomë, të shtrihej dhe të humbiste në gjumë.
Por, kur ora kaloi dhjetën, një lajm i papritur na
mbërriti në dhomë: në hotel kishte muzikë të gjallë, dhe flamengoja do të ishte
ylli i natës. Si mund të rezistonim? Si mund të qëndronim indiferentë ndaj
ritmit që përvëlonte ajrin dhe gjakut i jepte vrull të ri? Muzika e flamengos,
me gjallërinë e saj të papërmbajtshme, dukej se kishte fuqinë të ringjallte
edhe të vdekurit.
Programi i hotelit vazhdoi gjatë, duke e bërë natën të
rrjedhë në një lumë emocionesh dhe tingujsh që na mbante zgjuar deri në agim.
Dhe kur më në fund u kthyem në dhomë, ishte si të shkelje në një botë tjetër,
të lodhur dhe të përmbushur nga ajo mbrëmje magjike.
Pasi dita e re na gjeti ende të përgjumur, një filxhan
kafeje e fortë na dha kthjellimin e nevojshëm. Ishim gati për të përjetuar
përsëri ekskursionet e pafundme. Në këtë ditë të dytë, destinacioni ynë ishte
Parku-Safari i Majorkës, një safari madhështor që strehonte mbi 120 lloje
kafshësh nga pesë kontinentet e botës. Autobusi na futi në zemër të këtij parku
të gjallë, dhe nga dritaret soditëm majmunët që lëviznin shpejt, elefantët
gjigantë që tundnin tokën me hapat e tyre të mëdhenj, dhe kafshët e tjera të
mrekullueshme.
Përderisa dritaret mbeteshin të mbyllura, ne ndiqnim
nga brenda gjithë këto skena të natyrës së paprekur. Por në mes të këtij
eksplorimi, na ndodhi një befasi që do ta kujtonim gjatë. Ndërsa autobusi
pushoi mu në qendër të safarit, dy-tre majmunë u shfaqën papritur rreth autobusit
tonë. Një dritare e lënë e hapur, pa u vënë re nga askush, bëri që njëri prej
majmunëve, me akrobacitë e tij të shpejta, të futej brenda. Pikërisht në atë
moment, ne ishim duke shijuar drekën që kishim sjellë me vete. Guida na
paralajmëroi të qëndronim të qetë dhe të mos bënim lëvizje të papritura.
Njëri nga turistët mbante në dorë një vezë të zier dhe
sapo donte të fillonte për ta qëruar. Majmuni, me një shkathtësi të pashoqe, ia
rrëmbeu vezën dhe me elegancë ia theu mbi kokë, duke ia kthyer pastaj me një
përkulje të lehtë. Ne shpërthyem në të qeshura, ndërsa majmuni, i kënaqur me
veten, hëngri drekën që i ofruam ne dhe në fund na përshëndeti me një përkulje
pothuajse njerëzore.
Ishte një ndjesi e përzier frike dhe mrekullie kur
shihnim luanët që ecnin me elegancë pranë autobusit, ose kur elefantët ngrinin surlet
e tyre madhështore, sikur të kërkonin një përshëndetje nga ne. Në atë moment,
kuptuam se ishim dëshmitarë të një spektakli të natyrës, një përjetim që nuk e
kishim provuar më parë, dhe që na mbushi me një kënaqësi të thellë.
Në ditët që pasuan, vazhduam të eksploronim vende të
mrekullueshme, secila me bukurinë dhe historinë e saj, duke lënë gjurmë të
pashlyeshme në kujtesën tonë. Një nga ato ditë, u ndalëm në shpellën e famshme
Drach, e vendosur në bregun lindor të Mallorca-s, në qytetin piktoresk të Porto
Cristos. Këto shpella mahnitëse, të shtrira për gati 1200 metra dhe me një
thellësi mbresëlënëse prej 25 metrash nën tokë, ishin padyshim një nga
atraksionet kryesore të ishullit.
Brenda tyre, e zbuluam një mrekulli të fshehur –
Liqenin Martel, një liqen i madh nëntokësor, i cili konsiderohet një nga më të
mëdhenjtë e këtij lloji në botë. Temperatura në shpellë ishte 21 gradë celsius
që e bënte klimën e përsosur, duke krijuar një atmosferë magjike që na bëri të
ndiheshim sikur ishim transportuar në një botë tjetër, një botë ku natyra
kishte thurur historinë e saj në heshtje dhe bukuri të përjetshme.
Para se të niseshim për në shpellë, morëm me vete xhemperë
dhe rroba më të trasha, duke menduar se ndoshta brenda do të ishte ftohtë. Por,
për çudi, na surprizoi ngrohtësia e brendshme; ndiheshim sikur të ishim në një
ambient të ngrohtë dhe të këndshëm, ku ndiheshim nën një vapë të butë.
Tefik Basha & Sabile Keçmezi-Basha, hoteli “Lankaster”, Majorkë, shkurt
1979
Guida na çoi në një sallë të veçantë, e cila e
kujtonte një sallë koncertesh dhe u ulëm në karrige shumë komode. Ajo na informoi se
koncerti do të fillonte pas 10 minutash. Para nesh shtrihej një lumë i bukur,
që më vonë e kuptuam se ishte pjesë e një liqeni nëntokësor. I gjithë ky
peizazh i jashtëzakonshëm na la të hutuar dhe kureshtarë për mënyrën se si do
të mbahej koncerti.
Shpejt, misteri u zgjidh. Në lumin para nesh u shfaq
një gondolë e mbushur me muzikantë, që mbajnë vegla të ndryshme muzikore – nga
violinat dhe kontrabasi, deri te pianoja e vendosur në gondolë. Koncerti u hap
me Boleron e Maurice Ravelit, që shpërtheu në një eufori të jashtëzakonshme
gëzimi. Të gjithë turistët u ngritën në këmbë dhe filluan të lëviznin në ritmin
e saj, duke vazhduar kështu për gati një orë, duke u kënaqur me këngë të
ndryshme spanjolle që mbushnin ambientin me një atmosferë të paharrueshme.
Pas përfundimit të koncertit, një qetësi absolute
mbështolli shpellën dhe dritat u shuan. Megjithatë, errësira nuk zgjati shumë;
pas pak sekondash, shpirti i shpellës u ndriçua dhe ne, një nga një, dolëm nga
salla për të vazhduar eksplorimin tonë në thellësitë e saja.
Çfarë pamë, ishte një spektakël i vërtetë: stalaktitet
dhe stalagmitet mijëvjeçare, që në një magji të natyrshme ishin formuar nga
dhurata e kohës. Secili kënd i shpellës ofronte një pamje të mahnitshme, një
gjë e jashtëzakonshme që na mbushi me ndjenja të thella admirimi.
Sabile Keçmezi-Basha & Tefik Basha, Majorkë, dyqani i aparateve
fotografik, ku blemë një Polaroid, 1979
Dita ishte e mbushur me befasi të këndshme. Pas shpellës, vizituam fabrikën e
xhamit, ku krijimet e ndryshme nga xhami, nga objektet e zakonshme deri te
stolitë e veçanta, na impresionuan. Në atë vend, zhurma e grave që shqyrtonin
dhe përzgjidhnin stoli për vete dhe për të afërmit krijoi një tollovi të
gëzueshme.
Më në fund, ditën tjetër, përjetuam kënaqësinë e
plazhit të Majorkës, një plazh i pafundme që shtrihej para nesh. Çadrat e
bukura prej kallami dhe rëra e bardhë si sheqer, e butë dhe e këndshme,
përbënin një kontrast të mrekullueshëm me ndjesinë e ftohtë të Kosovës, ku në
fund të shkurtit ne nuk mund të kishim menduar për larjen në det. Pas një rrezitjeje
të ngrohtë në plazh, vazhduam në pishinën e hotelit për të përjetuar një tjetër
kënaqësi të freskët dhe relaksuese.
Pas një jave të kaluar në një univers krejt ndryshe
nga ai që kishim njohur, autobusi na priti për të na kthyer në aeroport, dhe në
të njëjtën mënyrë, një aeroplan i njohur, me pasagjerët që ishim mësuar t’i
shihnim, na dërgoi përsëri në shtëpi. Çdo kthim në vendin tonë ishte një gëzim
i thellë, një kthim në realitetin tonë të zakonshëm.
Tefik Basha & Sabile Keçmezi-Basha, në një lokal të Majorkës, 1978
Në Majorkë e Spanjë, ndjemë magjinë e vendit edhe tri
herë të tjera, dhe çdo herë përjetuam një emocion të ngjashëm me atë të herës
së parë, si një udhëtim i përjetshëm në të njëjtën legjendë që nuk e humb kurrë
freskinë dhe ngjyrat e saj.
Mbretëria e Spanjës, e njohur ndryshe si Spanja,
shtrihet në Gadishullin Iberik në Evropë, si një perlë e ndritur në oqeanin e
kontinenteve. Anëtare e Bashkimi Evropian që nga viti 1986 dhe e NATO-s, ajo
është e lidhur ngushtë me rrethin e saj ndërkombëtar. Në perëndim, Spanja
kufizohet me Portugalinë, ndërsa në jug shtrihet pranë Gjibraltarit dhe
Marokut. Në veri, ajo bashkohet me Francën dhe Principatën e Andorrës përmes
majave të Pirenejve, ndërsa bregdetet e saj janë të shpërndara në Detin Mesdhe
dhe Oqeanin Atlantik.
Sabile Keçmezi-Basha & Tefik Basha, Sagrada Familia
(Gaudi), Barcelonë, 2010
Me një sipërfaqe të gjerë prej 509,990 km² që përfshin
ishujt Kanarie, Baleare, Ceuta dhe
Melilla, Spanja është një vend i begatë në diversitet dhe bukuri. Popullsia e
saj, që numëron rreth 47 milion banorë, është mbështetur nga kryeqyteti Madrid,
ndërsa spanjishtja është gjuha që mbush çdo folëse të saj. Sipas Kushtetutës së
vitit 1978, me ndryshime të fundit në 1992, Spanja është një Mbretëri
parlamentare e trashëgueshme, ku Mbreti është kreu i shtetit dhe Parlamenti,
Cortes Generales, është organi ligjvënës dhe përfaqësues i popullit.
Lumenjtë që rrjedhin nga shpërthimet e natyrës në Spanjë,
si Duero, Tajo, Guadiana dhe Guadalquivir, udhëtojnë drejt Oqeanit Atlantik,
ndërsa Ebro dhe Júcar, më të brendshëm dhe misteriozë, gjallërojnë Detin
Mesdhe. Në këtë mozaik të natyrës dhe kulturës, popullsia mbizotëruese
spanjolle qëndron si një lidhje e fuqishme e traditave dhe identitetit të këtij
vendi të mrekullueshëm.
Ndërsa Barcelona që ngjall një magji të veçantë dhe
dallon ndjeshëm nga Majorka. Si kryeqytet i Katalonisë dhe qyteti më i madh pas
Madridit në Spanjë, Barcelona shtrihet mbi një sipërfaqe prej 101,4 km² dhe
mbështet një popullsi prej 1,621,537 banorësh brenda kufijve të saj
administrativë. Por kur shikojmë më gjerë, zona urbane e Barcelonës përhapet
jashtë kufijve të qytetit dhe mbulon një hapësirë prej 803 km², duke u
shndërruar në një mozaik të popullsisë me më shumë se 4.2 milion banorë. Në
këtë kontekst, Barcelona renditet si zona e gjashtë më e populluar urbane në
Bashkimin Evropian, pas Parisit, Londrës, zonës së Ruhrit, Madridit dhe
Milanos, dhe është shtëpia për rreth 5 milion njerëz në zonën metropolitane.
Në bregdetin e Mesdheut, Barcelona ndodhet midis
grykëderdhjeve të lumenjve Llobregat dhe Besòs, dhe është e kufizuar në
perëndim nga vargmali i Serra de Collserola, me majën e saj më të lartë që
arrin në 512 metra. Ky metropol, si një perlë e bregdetit mesdhetar, është një
vend ku kultura, historia dhe moderniteti bashkohen në një harmoni të
mrekullueshme, duke e bërë atë një nga qytetet më magjepsëse dhe të gjalla në
Evropë.
Në Barcelonë, çdo hap është një ndarje e magjisë dhe
bukurisë që të mbërthen në mënyrë të papritur. Këtu, Arkitektura Moderne
Katalane – e njohur ndryshe si Art Nouveau në pjesën tjetër të Evropës – është
një testament i periudhës së floririt nga 1885 deri në 1950, që ka lënë një
trashëgimi të jashtëzakonshme. Këto ndërtesa të mrekullueshme, shumë prej të
cilave janë pjesë e Trashëgimisë Botërore, përbëjnë një mozaik të pasur
kulturor dhe estetik.
Në mesin e kësaj trashëgimie, veprat e arkitektit
Antoni Gaudi janë si perlë që shkëlqejnë në çdo qoshe të qytetit. Veprat e tij
janë një simfoni e formave dhe ngjyrave që i japin qytetit një karakter të
veçantë. Kryevepra e tij, Kisha e Familjes së Shenjët (Sagrada Familia), që ka
qenë në ndërtim që nga viti 1882 dhe është ende e papërfunduar, është një
monument që mbush me frymëzim çdo vizitor, ndërsa përfundimi i saj është
planifikuar për vitin 2026. Ndërsa Palau Guell, Park Guell, Casa Mila (La
Pedrera) dhe Casa Batlló janë gjithashtu shembuj të ndritshëm të gjenialitetit
të tij arkitektonik.
Një shëtitje në rrugën La Rambla është një përvojë që
mbetet e ngulitur në mendje; fontanat që valëzojnë me ritmin e muzikës dhe
ambienti i gjallë krijojnë një atmosferë magjepsëse. Dhe në fund, fshati
spanjoll i ruajtur me xhelozi nga spanjollët vetë, është një kujtim i
paharrueshëm i kulturës dhe traditës që ndodhet në zemrën e qytetit.
Spanja
është si një qilim i thurur me dritë dhe ngjyra, një copëz e rrallë që të
thërret me magjinë e saj të prekshme e të gjallë. Çdo hap në këtë tokë është si
një ftesë për të gjetur copëza frymëzimi të pavdekshëm, fragmente që mbeten
thellë në zemër dhe vazhdojnë të të ushqejnë shpirtin me ëndje. E mbushur me
energji të papërshkrueshme, Spanja të ndriçon me gjallëri, duke të të
përgatitur për udhëtimet e ardhshme, për ditët që rrokullisen si valë të reja
të mundësive.
Në
këtë vend ku mrekullia është e pranishme në çdo kthesë, çdo shteg është një
histori e thurur me aromën e Mesdheut, dhe tingujt që mbushin ajrin janë si një
simfoni e gëzimit të pashuar. Rrezet e diellit zbresin butësisht mbi gjithçka,
duke e mbështjellë çdo gur dhe çdo shesh me një shkëlqim që përçon një ndjesi
gjallërie, si pulsi i një zemre që rreh përjetësisht.
Kemi
shkelur këtë truall tre herë, dhe prapëseprapë, çdo kujtim nga Spanja duket si
një perlë e re që ndriçon brenda nesh, si një zinxhir i pandërprerë kujtimesh
që na mbajnë lidhur me këtë tokë të dashur. Dëshira për t’u kthyer mbetet e
freskët, një prush që ndriçon zemrën, dhe ne ëndërrojmë një rikthim për të
krijuar kujtime të reja, për t’i parë ato kujtime të vjetra të marrin jetë
përsëri—si një melodi e heshtur dhe e butë që udhëton bashkë me ne në rrugën e
pafund të kujtimeve të paharruara.