Speciale » Basha
Sabile Basha: Aktet gjenocidale të UDB-së jugosllave ndaj të burgosurve politikë shqiptarë
E diele, 08.09.2024, 07:00 PM
AKTET GJENOCIDALE TË UDB-së JUGOSLLAVE NDAJ TË BURGOSURVE POLITIKË SHQIPTARË
Nga Prof.
Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Në këtë shkrim do të japim disa nga
rastet më drastike dhe disa akte më gjenocidale që i zbatonte UDB-ja dhe
udbashët, e që ishin më të shpeshta ndaj të burgosurve politikë shqiptarë. Ato
dëshmojnë se qëllimi i fundit i tërë kësaj ishte zhdukja dhe shfarosja fizike e
kombëtare e kësaj popullate. Pothuajse të gjitha rastet e tilla ishin dukuri.
Shqiptarët, kudo që ishin dhe kudo që vendoseshin nëpër burgje, kishin të
njëjtin trajtim, posaçërisht nga joshqiptarët.
Aktet gjenocidale ndaj të
burgosurve politikë shqiptarë, nuk janë vetëm të dhjetëvjetëshit të fundit të
shekullit XX. Mjerisht, e tërë kjo zgjat me shekuj, por në forma të tjera, në
mënyra e me mynxyra të mbuluara. Kështu, dhuna mbi popullin shqiptar vijon
pandërprerë. Në këto vitet e fundit rritet statistika morbide e të burgosurve.
Në këto kushte me dhjetëra anëtarë të organizatave ilegale e kanë pësuar nëpër
burgje. Me qindra kanë mbetur invalidë të përjetshëm, ndërsa me qindra familje
janë bërë qytetarë inferiorë, sepse përmes torturës shpirtërore mbi ta,
bëheshin edhe trajtime makabre, deri në shkallë vdekjeje ose të gjymtimit
fizik. Fillohej me aktin e arrestit, të burgimit në hetuesi. Masa që
ushtroheshin gjatë kësaj procedure ishin keqtrajtimet fizike e psikike. Të
arrestuarit në këto trajtime e pësonin aq shumë, saqë edhe dëshmitë më rrëqethëse
janë tepër të varfra për ta pasqyruar tërë gjenocidin që ushtrohej mbi këta
patriotë. Pesë dekada të Jugosllavisë socialiste ishin vite gjahu mbi
shqiptarët. Metodat që përdoreshin nëpër qelitë e burgjeve, me gjasë, nuk mund
të hasen as në vendet më raciste në botë. Por, nuk do të ndalemi në këto.
Udbashët udhëhiqeshin me sintagmën e njohur: “Qëllimi arsyeton mjetin”, andaj
për ta ishte i lejueshëm çdo mjet, vetëm e vetëm që të bënin spastrimin e
shpirtit e të trurit nga historia dhe ideologjia. Askund në botë nuk ka ndodhur
që policia të shkojë si në teatër për të ndëshkuar “të planifikuarin për krim”.
Akte gjenocidale, vetëm se në
mënyrë më perfide e në vazhdimësi, u kryen te të gjithë anëtarët e organizatave
ilegale shqiptare që u zbuluan. Pas zbulimit të Komitetit Nacional Demokratik
Shqiptar, pushteti serbosllav i dënoi udhëheqësit e saj me pushkatim: Halim
Spahiun, Tahir Dedën, Kajtaz Ramadanin, Rexhep Kabashin, Rifat Krasniqin,
ndërsa shumë të tjerë u mbyllën në burgje dhe u dënuan me vite marramendëse.
Një vit më vonë zbulohet grupi tjetër i po kësaj organizate. Udhëheqësit e tij:
Hysni Rudi, Mehmet Bushi (që të dy oficerë me akademi të mbaruar), Azem Marana,
Halim Orana (juristi i parë në Gjilan), dënohen me pushkatim. Më 26 korrik
1946, nën udhëheqjen e patriotit Gjon Serreqit, organizata konsolidohet dhe
ndërkohë mban Kongresin e Pestë të NDSH-së në vendin e quajtur Mali i
Lipovicës. Një vit më vonë zbulohet edhe ky aktivitet, shumica e udhëheqjes
burgosen. Gjykimi i tyre mbahet në Gjimnazin e Prishtinës “Sami Frashëri”. Me
pushkatim dënohen: Gjon Serreqi, Ajet Gërguri, Ukë Sadiku dhe Osman Bunjaku.
Prokuror i krejt kësaj ishte, kush tjetër - Ali Shukrija.
E frymëzuar nga Gjon Serreqi, më
1948 u formua organizata e re e KNDSH-së, por edhe kjo u zbulua dhe shumë
anëtarë të saj ranë në burg dhe kurrë nuk dolën prej tij. Më 1950 u zbulua
grupi i Metush Krasniqit, patriot i shquar. Nëse është për t'i besuar aktakuzës
nr. ll2/62, të datës 25.4.1962, të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, patrioti e
mësuesi Shaban Shala, në shtator të vitit 1960 formoi grupin politik me emrin
“Organizata Nacional Demokratike Shqiptare” . Kryetar i saj u zgjodh Shaban
Shala.
Më 1958 për herë të parë bie në
burg Adem Demaçi , ndërsa gjashtë vjet më vonë ai formon organizatën ilegale
“Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”. Po në këtë periudhë veprojnë dhjetëra grupe
politike atdhetare, formale e joformale, të cilat ishin të liruara nga
hipotekat e organizatave të vjetra politike. Në krye të këtyre grupeve
politike, të cilët u burgosën në intervale të ndryshme, gjatë kësaj periudhe
dalloheshin: Kadri Halimi, Hyrie Hana, Ali Aliu, Rexhep Avdullahu e shumë të
tjerë. Zbulohet grupi i Kadri Osmanit “Grupi Revolucionar” (1969). Për herë të
dytë burgoset Adem Demaçi, zbulohet organizata ilegale e tij dhe bien në burg
shumë ilegalë anembanë Kosovës e jashtë saj.
Me kohë, armiqtë e përbetuar të
shqiptarëve, udbashët, filluan një nga një t'i zbulonin organizatat ilegale.
Nëpër burgjet jugosllave, shqiptarët, të dënuar politikë, filluan të bëheshin
shumicë. Edhe pse pushtet mbajtësit trumbetonin se shqiptarët, si popull, në
këtë shtet qenkan pakicë kombëtare, burgjet e dëshmonin të kundërtën.
Shqiptari, të cilit i ishte suprimuar liria në mënyrë represive, ishte qenie e
shqetësuar. Mirëpo, në të vërtetë të shqetësuar, madje edhe të mjerë, ishin ata
që këtë popull e robëronin. Individi, njësoj si kolektiviteti, mund të privohet
nga liria, që me fjalorin e dhunës do të thotë se mund të burgoset. Mirëpo, kjo
nuk do të thotë se me burgosjen e qenies fizike të njeriut, burgosen edhe qenia
e tij mendore, ideja dhe vullneti për liri. I robëruari do të bëjë çmos për t`u
çliruar, robëruesi nuk do të kursejë asgjë nga arsenali i dhunës për të ruajtur
gjendjen robëruese, për ta kufizuar, për ta ndrydhur e për ta ngulfatur lirinë.
Forcë pozitive ishte ajo e popullit shqiptar dhe e organizatave ilegale që
përpiqeshin të liroheshin nga robëria, por forcë (natyrisht, negative) ishte
edhe ajo e shtetit që kufizonte lirinë në çdo shteg. Mirëpo, duke e kufizuar
lirinë e popullit liridashës, ata vetë kufizoheshin, vetëmohoheshin... Këto
procese dalëngadalë e asgjësonin fuqinë dhe forcën e robëruesit. Nëse është
kështu, e kështu është, atëherë mund të themi se populli shqiptar, i “determinuar”
si popull i ndarë dhe jo i lirë, doemos duhet të jetë i lirë. Ndërkohë, ata që
s`mund ta mendojnë qenien shqiptare të lirë, aq më pak të bashkuar, si
gjithmonë, do të mundohen me dhunë e me arreste ta pengojnë lirinë dhe
bashkimin e plotë të shqiptarëve në këto troje. Për këtë arsye përdorën një
seri aktesh gjenocidale, vetëm e vetëm që ta shkokëzonin shqiptarin nga gjakimi
shumëshekullor.
Vuajtja, dhembja e individit nuk vinte nga arsyeja vetjake, nuk vinte nga uni i tij, por nga vuajtja e madhe e vetë popullit shqiptar në përgjithësi, nga oktapodi serbosllav dhe gjenocidi i egër që ushtronin mbi këtë popull. Nëpërmjet akteve gjenocidale udbashët zbulonin diçka të tmerrshme e shqetësuese, nëpërmjet dhunës zbulohej realiteti fizik, etnik, social dhe politik, ndryshe nga tendenca shfarosëse kombëtare.
Kundër të burgosurve politikë
shqiptarë shumë akte gjenocidale i zbatoi vetë shteti (kjo do të thotë se
gjenocidi ndaj popullit shqiptar ishte i organizuar në mënyrë institucionale),
i zbatuan organet kompetente dhe UDB-ja, që ata i merrnin në trajtim. Format më
të shpeshta të praktikës represive ndaj të burgosurve politikë shqiptarë kanë
qenë:
1. Transferimi
i të burgosurve politikë shqiptarë nga burgjet e Kosovës, duke filluar që nga Sllovenia, Stara Gradishka, Zenica,
Sremska Mitrovica, Beogradi, Nishi, Pozharevci, Idrizova e shumë vende të tjera
anembanë ish-Jugosllavisë. Shqiptarët, të dënuar politikë, burgun e vuanin në
burgjet më famëkeqe dhe më të largëta. Kjo ishte forma më barbare, që ndikonte
edhe te të burgosurit dhe te familjet e tyre, si në aspektin e shpenzimeve
materiale, ashtu edhe në atë psikik e fizik të vizitorëve. Ndodhte që, mu për
shkak të largësisë, të burgosurin me muaj (ndonjëherë edhe me vite) të mos e
vizitonte askush. Binak Ulajn, për pesë vjet, sa ka vuajtur burgun, për
shembull, vetëm një herë e kishte vizituar nëna plakë . Ai, duke i parë
mundimet e nënës, kishte kërkuar nga ajo që më të mos e vizitonte. Udhëtimi i
largët, ndërrimi i njëpasnjëshëm i automjeteve (treni, autobusi etj.) dhe
shkuarja në një qytet të panjohur, ishte një golgotë e vërtetë, ndërsa kaptinë
në vete ishte edhe vetë akti i vizitës. Ndonëse në shumë burgje, me rregullore
vizitat ishin të parapara të zgjasnin 30 minuta, për shqiptarët ato
shkurtoheshin dhe zhvilloheshin në praninë e gardianit, i cili njëherësh ishte
edhe përgjues. Vizitorët ishin të detyruar të flisnin në gjuhën serbe, kurse
shumë nga ta nuk e dinin këtë gjuhë, andaj detyroheshin që të ktheheshin pa e
parë të burgosurin. Rasti më flagrant ishte kur më 28 janar 1965, Adem Demaçit
i kishte shkuar për vizitë nëna. Ajo, për shkak se nuk e dinte gjuhën serbe,
kishte qenë e detyruar që të kthehej në shtëpi pa e parë kurrë të birin. Pas
një kohe të shkurtër kishte vdekur, duke i thënë së bijës - Ajshes “Ç`më vyen
më jeta, kur nuk më lanë ta shoh djalin tim” . Ose në një rast tjetër sikur
donin që grilat e burgut të futeshin edhe në kokën e fëmijës së vogël. Është ky
rasti i bijës së vogël të Hydajet Hysenit, e cila e kishte vizituar babanë në
burgun e Beogradit. Këtyre u ishte lejuar vizita, por vetëm nëpërmjet grilave,
kur ai kishte qenë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore, si pasojë e
torturave. Ai tregon se fare nuk i kujtohet të ketë pasur vizitë. Vajza e vogël
ishte tmerruar. Hydajeti më vonë kishte bërë ankesë dhe kërkesë “që vizitat, së
paku kur vijnë fëmijët, të bëheshin në kushte normale, në dhomën e vizitave të
rregullta” . Mirëpo, kërkesa nuk ishte miratuar. Qëllimi dihet, ata donin t`i
shkatërronin jo vetëm të burgosurit, por edhe të afërmit e tyre.
2. Trajtimi i
mbyllur - Të burgosurit shqiptarë, sapo
vinin nëpër kazamatet jugosllave, menjëherë i nënshtroheshin trajtimit të
mbyllur, fare nuk kalonin në sektorin e pranimit (karantina). Kështu shkilej
neni 97 i LESP-it . E tërë kjo kishte për qëllim presionin e vazhdueshëm kundër
bindjeve të tyre politike. ”Në funksion të qëllimeve të synuara ndaj të
burgosurve, të vendosur në repartin e mbyllur, është zbatuar një varg masash të
kundërligjshme, të cilat lanë gjurmët e tyre në shëndetin tonë fizik e psikik ,
rrëfen Nezir Myrtaj, në ankesën drejtuar Sekretariatit Federativ të Judikaturës
dhe Administratës së Përgjithshme në Beograd, përmes SHNP-së Zabella të
Pozharevcit. Ndodhte që i burgosuri të
ishte i sëmurë rëndë, por kjo nuk luante rol, ai edhe në këtë gjendje
shëndetësore mbahej në vetmi, ku mungonte ndihma mjekësore. Ndërkaq, shumë të
burgosur të tjerë, si pasojë e kushteve dhe e presioneve, pësonin sëmundje të
ndryshme fizike e psikike. Si rast më tipik i këtij presioni është ai i Ibrahim
Krasniqit, të cilin pas një kohe nga burgu e nxorën të vdekur. Të ndjerin deri
në fund e kishin mbajtur me këtë trajtim, pa i ofruar as ndihmën më të vogël
mjekësore. Këtë mënyrë të vuajtjes së burgut e kanë kaluar të gjithë të
burgosurit politikë shqiptarë, prandaj shumë nga ta kanë pësuar trauma psikike.
Shumë të burgosur të tjerë janë operuar për shkak të sëmundjeve që i pësonin në
këto biruca. Për sëmundjet e lehta e të zakonshme, as të mos flitet, ngase
është vështirë të gjesh ndonjë të burgosur politik shqiptar që nuk ka vuajtur
nga reuma, nga dëmtimi i të parit, nga sëmundjet e organeve të tretjes, të
frymëmarrjes etj.
3. “Cimerë” të
të burgosurve politikë shqiptarë edhe kriminelë, psikopatë dhe të sëmurë nga sëmundjet
ngjitëse - Akti tjetër i keqtrajtimit të të
burgosurve shqiptarë ishte vendosja e tyre nëpër qelitë e burgut me persona
problematikë, që në të shumtën e rasteve
ishin të sëmurë patologjikë, kriminelë dhe vegla të personelit të
burgut. Ata në çdo kohë kanë qenë të gatshëm që t'i zbatojnë urdhrat e eprorëve
të vet. Për këtë dëshmon rasti i Enver Topallit, i burgosur politik nga
Ferizaj, i cili në një intervistë dhënë “Zërit”, thotë: “Gjashtë muaj i pata
kaluar në qelinë numër 7 të burgut të Nishit me njëfarë Pavlloviqi, psikopat, i
cili, në vend të bukës, hante bërllok, që të bëhej sa më i “fortë” dhe, siç
thoshte, ta “çlironte” Kosovën nga shqiptarët. Atë çdo ditë gardianët e nxisnin
që të dëshmonte forcën e tij prej “boksieri” mbi të burgosurit shqiptarë. Edhe
sikur ai të më sulmonte natën në gjumë, zor se dikush do të kërkonte fajësi
prej tij”. Ose, rasti tjetër, kur në një
ankesë, drejtuar organeve kompetente, Hydajet Hyseni shkruante: ”Më marrin pa
kurrfarë arsyeje dhe më dërgojnë në dhomën tjetër, ku ishte një i burgosur
(Bojoviq), që ishte po ashtu i sëmurë psikik, i cili ishte i njohur se
tinëzisht i sulmonte të burgosurit, pa kurrfarë preteksti. Këtë e dinin edhe të
burgosurit, edhe personeli i burgut. E dinin, por ja që unë duhej të vendosesha
pikërisht në dhomën e tij, megjithëse kishte mjaft vende të lira në dhomat e
tjera, madje pikërisht në kohën kur anash më bëheshin kërcënime se, po të mos i
ndryshoja disa qëndrime, se, po të mos i pranoja disa kushte, do të mund të
ndodhte gjithçka me mua. Kështu i thoshin gardianët të burgosurit, për
shembull, mund të më sulmojë e të më vrasë ndonjë psikopat, të cilit s`ke ç`i
bën, e dërgojnë në CZ dhe kaq”/. Ndërkaq, Ali Lajqi ishte keqtrajtuar fizikisht
nga një bashkëbanues i dënuar jopolitik, i quajtur Spaske. Udhëzimin e gardianit
të quajtur Aca e kishin dëgjuar të burgosurit e tjerë, kur i kishte thënë:
”Bjeri shuplakë, vetëm mos e përgjak dhe mos i shkakto lëndime të dukshme.”.
Nga kjo duket qartë se çfarë qëllimi kishin gardianët. Ata që i shpëtonin kësaj
torture, i nënshtroheshin metodës tjetër: në qelitë e tyre ua fusnin të
burgosurit me sëmundje ngjitëse, e më vonë për të burgosurit politikë shqiptarë
nuk kujdeseshin fare. Aktorët që i kryenin këto vepra ishin të stimuluar nga
organet e burgut, shpërbleheshin me dalje nga burgu dhe me shumë benificione të
tjera.
4. Mohimi i së
drejtës për ngritje profesionale, shkencore e kulturore - Ky ishte akt tjetër gjenocidal që aplikohej te të
gjithë të burgosurit politikë shqiptarë. Në disa burgje ishte rreptësishtë e
ndaluar literatura në gjuhën shqipe, madje edhe lekturat e shkollës fillore
ishin të ndaluara. Në shtypin kosovar ishin të parapaguar gati të gjithë të
burgosurit politikë shqiptarë, por edhe ai mungonte në intervale mjaft të gjata
kohore. Atë që nuk mund ta bënte censura
e shtypit, censura e burgut e aplikonte me përpikëri. Në burgje nuk mund të
depërtonin as kënga, as libri, as fletorja, e në të shumtën as lapsi për
shqiptarët. Ja një dëshmi. Kur Hydajet Hyseni bën ankesë dhe kërkesë në burgun
famëkeq të Beogradit, ai shkruan: ”Ndoshta është cikërrimë. Kam kërkuar nga
familja që të më sjellin një laps të thjeshtë, duke menduar se kjo është e
lejueshme, por këtë këtu nuk ma kanë lejuar. Kjo nuk ju duket e çuditshme dhe e
padrejtë. Lapsi nuk është as i rrezikshëm, as i ndaluar”.
5. Punët e
rënda në burg vetëm për shqiptarët -
Duke llogaritur se tragjedia mund të ndodhte edhe në repartet e punës,
gardianët kujdeseshin që të burgosurit politikë shqiptarë t`i çonin në vendet
më të rënda e më të rrezikshme të punës. Me një veprim të këtillë shkelej neni
117 i LESP-it. Kjo padrejtësi bëhej gati ndaj të gjithë të burgosurve politikë
shqiptarë, edhe pse sipas rregullores thuhej se të dënuarve duhet caktuar puna
në përputhje me aftësitë e tyre psikofizike. Ata kryenin punë të ndryshme, duke
filluar që nga prerja e llamarinës e deri te punët në shkritore, e punë të
tjera, siç ishin ato me kimikate të rrezikshme, pa kurrfarë masash mbrojtëse
për shëndetin e tyre. Po qe se ndodhte që ndonjë i burgosur ta refuzonte punën,
ata pa kurrfarë komenti e hidhnin në izolim dhe e keqtrajtonin rëndë. Ndodhte
shpesh që në vendet e punës, me qëllim të caktuar, nxitej ndonjë konflikt, e
atëherë dihej: e pësonin rëndë të burgosurit shqiptarë. Statusi i të burgosurit
politik ishte i rregulluar gjithmonë sipas një vije të caktuar politike, andaj
edhe orari i punës ishte i pacaktuar. Ai mund të zgjattë 8-18 orë. Ushqimi nuk
bën as të zihet ngoje, ngase një gjysmë kilogrami bukë assesi nuk ishte e
mjaftushme për një të burgosur, sidomos kur kihet parasysh puna e rëndë që
bënin ata. Nga ushqimi i dobët, të burgosurit bëheshin kockë e lëkurë. Shpesh
ndodhte që edhe ajo pak bukë që ishte ta vidhnin të tjerët, pasi në mëngjes e
merrje të tërën, për të tri shujtat. Edhe pakot që vinin nga shtëpitë, të
burgosurve shpesh nuk u lejoheshin ose nuk ua dorëzonin fare.
Tërë këto shkelje të të drejtave
njerëzore ndaj të burgosurve politikë shqiptarë gardianët i ushtronin me një
vrull të paparë. Gjendja dhe pozita e të burgosurve politikë shqiptarë në
burgjet jugosllave përgjithësisht ishte e tmerrshme, por për shqiptarët edhe më
të tmerrshme e më diskriminuese ishin burgjet në Serbi.
6. Mohimi i
shëtitjes, ajrosja e qelisë dhe pastrimi - Trajtim antinjerëzor i të burgosurve politikë
shqiptarë, pa dyshim, është edhe mohimi i shëtitjes së lirë, ajrosja e qelisë,
pastrimi i rrobave, mungesa e ujit të ngrohtë e shumë të tjera. Të tëra këto në
mënyrë të drejtpërdrejtë ndikonin në shëndetin e të burgosurve. Të burgosurit
politikë shqiptarë ishin të vetmit që në kushte jonormale (kategoria B me
mbikëqyrje të përforcuar), e vuanin pjesën më të madhe të dënimit, ose tërë
dënimin, me burg të mbyllur nëpër qeli të vogla, që mbanin lagështi, pa ajër të
mjaftueshëm, pa dritë natyrore. Në kushte të këtilla, të mjerueshme, njeriu doemos
që do të sëmuret (nëse në të e kalon një vit pandërprerë). Nga muret e qelive
kullonte ujë si në shpellë, të zihej fryma nga myku, në të njëjtën qeli hanin,
pinin, flinin, lëviznin e kryenin shumë punë të tjera. Kur të kihen të gjitha
këto parasysh, jetën e tmerrshme të të
burgosurve e bënin edhe më të rëndë.
Shëtitja, si një element i çlodhjes
së të burgosurit, që ishte paraparë të zgjaste 15 minuta, shqiptarëve u
shkurtohej në 7-8 minuta . Ata kryesisht bënin llojin e “shëtitjes së vdekur”.
Kjo ishte kur i burgosuri shëtiste me duar të lidhura pas qafe, ngase te
gardianët kinse ekzistonte frika për ndonjë sulm fizik etj. Për ajrosjen e
qelisë, ndërkaq, thoshin se ajo u bëka duke e hapur e duke e mbyllur derën
gjatë ditës.
7. Dënimet me
vetmi (izolim) - Vetëm për të
burgosurit politikë shqiptarë izolimi nuk aplikohej si masë disiplinore, por
trajtohej si vuajtje dënimi. Ata dënoheshin me vetmi pa ndonjë arsye të madhe
dhe pa kurrfarë vendimi zyrtar apo pa ndonjë masë të shqiptuar. Qëndrimi në
vetmi është dënimi më i ashpër që mund të shqiptohet në një SHNP. Kjo kategori
e burgimit është ferri vetë në burg. Prej vitesh, qyshse ranë në burg të
dënuarit e parë politikë shqiptarë, kjo ka qenë thuajse e rezervuar vetëm për
ta. Ata dënoheshin me vetmi vetëm e vetëm pse nuk i thyenin bindjet e tyre
politike. Nganjëherë dënoheshin me vetmi (izolim) vetëm pse kërkonin ndihmën
mjekësore ose pse i ndihmonin shokut gjatë komunikimit me gardianët në gjuhën
serbe. Ata dënoheshin pse kërkonin ndonjë sqarim zyrtar, pse shkruanin ankesa
ose kërkesa, pse solidarizoheshin ndër vete (e këto nuk ishin raste të rralla).
Shpesh ndodhte (në bazë të përvojës) që të drejtat e tyre të mund t`i
realizonin vetëm duke e sakrifikuar shëndetin e tyre (me grevë urie dhe duke
mos e pranuar shëtitjen ditore). Të gjitha këto fakte dëshmojnë qëllimin
thellësisht diskriminues, që si synim kishte shkatërrimin e shëndetit dhe
zhdukjen e tyre fizike, shkatërrimin e forcës së tyre intelektuale e politike
(sepse shumica e të burgosurve politikë shqiptarë ishin të rinj; nxënës e
studentë). Thyerja e tyre morale dhe e bindjeve të tyre politike ishte qëllim i
fundmë. Këtë lloj kategorie të dënimit Adem Demaçi e vuajti më se një vit,
ndërsa shumë të tjerë kaluan muaj e muaj të tërë.
8. Distancimi
i familjes dhe i të afërmve nga i burgosuri politik shqiptar - Kjo ishte një ndër metodat më të tmerrshme që ndikonte
në aspektin psikik te të afërmit dhe te i burgosuri. Ky akt gjenocidal ishte i
vjetër sa edhe vetë Jugosllavia. Më së tepërmi gjeti shprehje gjatë kohës së
IB-së dhe pas vitit 1981. Kishte raste kur të burgosurit ishin të detyruar të
kërkonin shkurorëzim nga bashkëshortja dhe anasjelltas. Haptas duhej të
distancoheshin nga botëkuptimet ideologjike e shumë marifetllëqe të tjera. Po
këtë fat e pati edhe Adem Demaçi. Kur më 1964, e arrestuan për herë të dytë,
gruan e tij, Xhemajlijen, mësuese, filluan ta përcillnin spiunët dhe ta
keqtrajtonin. Ia ndërruan vendin e punës, prej mësueses në pastruese të
shkollës. Për t`ia lehtësuar gruas jetën tepër të rëndë e të vështirë, ai, më
1967, kërkoi shkurorëzim nga ajo. “Sapo u shkurorëzova zyrtarisht nga e shoqja,
atë e kthyen në vendin e mëparshëm të punës, si mësuese dhe më nuk e
përcillnin/24.” rrëfen ai. Këtë “fat” e pësuan edhe shumë të tjerë.
Pas vitit 1981 shumë të rinj e të
reja mbetën pa u regjistruar në shkolla të mesme e në fakultete. Për shkak të
“diferencimit politik” nga fakultetet dhe nga shkollat e larta u përjashtuan
mijëra veta. Qindra pedagogë e arsimtarë u pushuan nga puna. Nga ndërmarrjet e
institucionet ekonomike u flakën në rrugë qindra punonjës, pjesëmarrës dhe
përkrahës të demonstratave. U godit qenia shqiptare në tërësi.
9. Dhuna e
drejtpërdrejtë fizike -
Si metodë represive e gjenocidale ndaj të burgosurve politikë shqiptarë është
përdorur edhe dhuna e drejtpërdrejtë fizike, pa pasur asnjë arsye ligjore, që
ishte në kundërshtim me nenet 150 dhe 159 të LESP-it/26. Për më tepër, në këto
raste përdoreshin mjete shtrënguese, poshtëruese, siç janë: shuplaka,
shkelmimi, goditja me grushte e shumë poshtërsi të tjera. Kësisoj, gardiani i
binte shuplakë të burgosurit për hiçgjë, vetëm e vetëm që t`ia nëpërkëmbte
dinjitetin e krenarinë njerëzore, duke shpresuar se do ta thyenin psikikisht.
Shuplaka i jepej të burgosurit pse ai kërkonte ndihmë mjekësore, pse recitonte
poezi me zë të ulët, apo pse këndonte në heshtje. Më drastikja ishte pse nuk ia
plotësonte gardianit kënaqësinë e epsheve shtazarake. Në disa raste gardiani e
vinte veten mbi ligjin e mbi rendin shtëpiak, para të burgosurve politikë
shqiptarë manifestonte edhe instinktet më të ulëta. Këto nuk ishin raste të
rralla. Gardiani e shqelmonte të burgosurin për pikë të qejfit, pa i dhënë
askujt përgjegjësi.
10. Kushtet e
përshtatshme për “vetëvrasje” -
Finalja e të gjitha torturave e të burgosurve politikë shqiptarë ishte akti
ndëshkues -vrasja. Më vonë thoshin se i dënuari paskësh bërë “vetëvrasje”. Këto
nuk ishin asgjë tjetër, pos montime të hapura për asgjësimin fizik të
shqiptarëve. Zakonisht viktimat e kësaj metode janë zgjedhur personat e sëmurë
psikikë (që këtë fazë e kishin arritur në burg, nga torturat e vazhdueshme).
Mirëpo, nga kjo nuk shpëtonin as ata që konsideroheshin të rrezikshëm për
shtetin. Raste të tilla ka mjaft. Të përmendim vetëm dy-tre nga lista e gjatë e
tyre. ”Për herën e tretë Shaban Shala burgoset më 27 shkurt 1962. Dënohet me dy
vjet burg. Mirëpo, pas një amnistie, i ulet dënimi në një vit. Kur familja
shkon në burg për ta marrë, më 20 janar të vitit 1963, organet e burgut i
njoftojnë të afërmit se i burgosuri mu atë natë pakësh bërë “vetëvrasje”. Çfarë
të shtohet pas kësaj. A thua populli ishte aq i marrë që t`u besonte
këtyre fjalëve boshe të udbashëve. Ata
ishin të vetëdijshëm se ato të quajtura “vetëvrasje” ishin farsë dhe bëheshin
nga torturat gjakatare të xhelatëve të UDB-së dhe se recidivët e burgosur
politikë i konsideronin tepër të rrezikshëm për shtetin serb, prandaj nuk
lejonin që edhe një herë të dilte jashtë burgut.
Po kjo lojë u luajt edhe me
mësuesin e ri e poetin Fazli Greiçevci. ”Udbashët, të befasuar me krenarinë dhe
me qëndrueshmërinë e Fazliut, nevrikosen së tepërmi dhe ndaj tij fillojnë
torturat e pandërprera, me orë të tëra, derisa e bëjnë të paaftë fizikisht”,
shkruan S. Novosella në “Zëri”. Më pastaj vazhdon: ”ata edhe tani mbajnë në kujtesë
gushtin e vitit 1964, në burgun e Prishtinës, se çfarë gjame e rënkime
lemeritëse lëshonte Fazliu nga torturat çnjerëzore që i bënin udbashët. Pas
këtyre torturave që i përjetoi, i burgosuri vdiq. “Udbashët” njoftuan se Fazliu paskësh vdekur
nga një sëmundje e rëndë ngjitëse dhe urdhëruan që kurrë të mos hapej arkivoli.
Populli e kuptoi të vërtetën - se nga çfarë “sëmundjeje” kishte vdekur djali i
tyre. Mu për këtë, masat e gjera në këto vite u organizuan më mirë dhe ia
lëkundën themelin kësaj shtëpie të kalbur.
Pasojat e keqtrajtimeve në burgje,
të burgosurit politikë shqiptarë i ndienin edhe pas daljes nga burgu. Nga këto
pasoja vdiq edhe Metush Krasniqi, patriot i shquar. Ndërkaq nga dora vrastare e
kriminelëve të porositur e pësoi edhe Rexhep Elmazi, e më vonë edhe Jusuf e
Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka. Më 1984, në mënyrën më barbare u vranë Rexhep
Mala e Nuhi Berisha, martirë të popullit.
Punimi është marr nga libri Prof.
Dr. Sabile Keçmezi-Basha, Organizatat dhe grupet ilegale në Kosovë 1981-1989
(Sipas aktgjykimeve të gjykatave ish-jugosllave), Instituti i
Historisë-Prishtinë, 2003, f. 47-56