Speciale » Basha
Sabile Basha: Përshtypjet e mia si deputete në Bundestagun gjerman
E enjte, 29.08.2024, 07:00 PM
PËRSHTYPJET E MIA SI DEPUTETE NGA VIZITA ZYRTARE NË BUNDESTAGUN (PARLAMENTIN) GJERMAN
Nga
Prof. Dr. Sabile keçmezi-Basha
Pas
vitit 1978, gjithçka ndryshoi në Kosovë, aq sa mund të thuhet se u përmbys edhe
ajo pak liri e kufizuar që ekzistonte. Prangat e robërisë filluan të
shtrëngoheshin gjithnjë e më shumë, duke e zbardhur Kosovën çdo ditë e më të
errët. Në vitin 1981, ndodhën demonstratat që i dhanë Serbisë dhe Jugosllavisë
grushtin më të fortë që nga Lufta e Dytë Botërore. Në ato ditë të rënda,
mendimi për pushime apo ekskursione të qejfit ishte larg nga mendjet e
shqiptarëve.
Në
vitin 1989, ajo pak autonomi që kishte Kosova u shua, dhe populli jetonte në
kushte të mjerueshme, duke luftuar për mbijetesë. Organizatat ilegale u shtuan
dhe rezistenca ndaj okupimit u rrit. Shqiptarët u dëbuan nga puna, shkollat dhe
fakultetet u mbyllën me dhunë, dhe të gjithë u dëbuan nga çdo lloj pune që
bënin. Por populli nuk qëndroi duarkryq; ai u organizua dhe mori në dorë të
gjitha aspektet e jetës. Shtëpitë u kthyen në shkolla dhe fakultete, duke u
bërë qendra të dijes dhe rezistencës. Edhe në shtëpinë tonë në Dragodan (sot
Lagja Arbëria), u vendos katedra e gjeografisë, në të cilën Tefiku ishte
drejtues e profesor i saj, ku studentët vinin dhe profesorët mbanin ligjëratat
e tyre, duke sfiduar rrezikun permanent nga policia serbe. Ne u bëmë grusht i
pathyeshëm përballë terrorit dhe dhunës, duke e jetuar çdo ditë në një sistem
paralel, ku fati ynë ishte në duart tona.
Luftëtarët
shqiptarë nisën aksionet e tyre në çdo cep të Kosovës, dhe lufta për liri
shpërtheu me thirrjen "Ja vdekje, ja liri." Pas një lufte titanike
dhe heroike, dolëm të lirë, por me plagë të thella. Pasi përjetuam një dëbim
biblik, ne u kthyem në shtëpitë e shkatërruara dhe filluam të ndërtojmë jetën
nga e para. Liria kishte një emër—UÇK, dhe jeta filloi të rilindë në çdo anë.
Në vitin 2000, Parlamenti i Kosovës u formua, dhe unë isha një nga ata që pata
nderin të ulesha si deputete në atë parlament të parë të pranuar
ndërkombëtarisht.
Kthim
prapa nuk kishte, vetëm rruga përpara ishte e hapur, dhe ne, me zemrat e
ngarkuara nga kujtimet e hidhura, ndërtonim vendin tonë të shkatërruar copë pas
cope. Na mungonin aq shumë të dashurit që i kishim humbur gjatë luftës, dhe
dhembja e tyre e papërballueshme na rëndonte shpirtin. Por e dinim se duhej të
ecnim përpara, të kujtonim, dhe të mos harronim kurrë atë çfarë na kishte
ndodhur. Sepse, nëse harresa do të na zinte, frika ishte e madhe se historia e
hidhur mund të përsëritej, duke na sjellë me vete të gjitha pasojat e saj të
rënda.
Jeta
filloi ngadalë të marrë drejtim, të rrjedhë sërish në shtratin e saj të
zakonshëm. Shkollat hapën dyert, dhe studentët, me zemra plot shpresë, u kthyen
në klasat e tyre. Ne punonim me një entuziazëm të ripërtërirë, me një zell të
ri, duke e ndjerë peshën e përgjegjësisë që mbartnim. Studentët rifilluan aty
ku kishin mbetur, dhe ne, të palodhur, u kthyem në punët tona, duke ndërtuar të
ardhmen që aq shumë e kishim ëndërruar. Bashkë, në unitet, rindërtonim jetën
dhe një Kosovë të re, duke mos lejuar që kujtimi i hidhur të mos shuhej kurrë
nga kujtesa jonë e përbashkët.
Nga
viti 1978 deri më 1998, në jetët tona kishin kaluar dy dekada të mbushura me
ngjarje të mëdha dhe ndryshime të thella. Gjatë këtyre viteve të sfidave dhe
përballjeve, dy fëmijë erdhën në jetën tonë, Arta (1979) dhe Agoni (1982). Ata
u rritën me dashurinë dhe përkujdesjen tonë, duke u bërë shembuj të shkëlqyer,
si në mësime ashtu edhe në sjellje. Vajza u bë studente e zellshme, ndërsa
djali, një nxënës i përkushtuar, të dy të denjë për çdo lëvdatë.
Pas
përfundimit të luftës, u kthyem nga Shqipëria, ku kishim kaluar tre muaj si
refugjatë. Shqipëria na priti si një nënë e dashur, duke na ofruar strehë dhe
kujdes të papërshkrueshëm. Në çdo gjest të tyre, vërtetohej për miliona herë se
gjaku nuk është ujë, dhe kjo mikpritje e paçmuar mbeti thellë e skalitur në
zemrat tona. Ishte kjo përvojë që më frymëzoi të shkruaja romanin "Nata pa
kornizë," një dedikim për ato kohë të errëta dhe për shpirtin fisnik të
shqiptarëve.
Shqiptarët,
të njohur kudo në botë për shpirtin e tyre të madh, fisnikërinë, punën e
palodhur dhe besnikërinë e pathyeshme, u bënë një shembull i forcës dhe
vendosmërisë. Pas stuhisë së luftës, vendi filloi të ringrihej, si një feniks
që ngrihet nga hiri, dhe jeta, me gjithë ngjyrat dhe aromat e saj, nisi të
merrte sërish kuptimin e saj të thellë. Ne, të lumtur dhe plot shpresë, filluam
të përqafojmë çdo ditë e natë që vinte, si një dritë e re që zbardhte
horizontin, duke na mbushur me madhështinë e një të ardhmeje më të ndritur.
Në
vitin 2001, në tokën e Kosovës filluan të lindin organet e para të mirëfillta
shtetërore, si filiza të rinj që nisin të lulëzojnë pas një dimri të gjatë.
Parlamenti i saj u formua, dhe mes atyre që morën pjesë në këtë moment
historik, isha edhe unë, një shqiptare që kishte mbartur për vite me radhë
ëndrrën e shtetit të Kosovës në zemër. Një shtet që e donim me shpirt dhe për
të cilin kishim vuajtur nën peshën e rëndë të robërisë së huaj. Ishim
angazhuar, të bashkuar në qëllimin tonë të përbashkët, për të bërë të
pamundurën të mundur, dhe në fund, mrekullia u bë realitet, si një agim i ri
mbi një tokë që kishte pritur gjatë për lirinë e saj.
Atë
ditë të shenjtë, kur vesha rrobat e reja që me kujdes i kisha përzgjedhur për
këtë çast të paharrueshëm, krenaria më mbushi zemrën. Ishte dita e hyrjes në
mbledhjen e konstituimit të parlamentit, një ditë që vezullonte si një festë e
madhe për të gjithë ne. Njerëzit qeshnin e qanin njëkohësisht nga gëzimi,
ndërsa kujtimet na përshkonin mendjen. Ndihesha krenare në çdo hap që bëja. Kur
hyra në sallën madhështore të kuvendit, përkula kokën pa u vënë re nga të
tjerët dhe me gjithë shpirt dërgova një mesazh të heshtur tek babai im, në
botën tjetër. "Babë, unë, bija jote, sot jam në Parlamentin e parë të
Kosovës, të pranuar ndërkombtarisht. Krenaria që jam e jotja më mbush shpirtin,
dhe lutem që Zoti të realizojë dëshirat e tua për bashkimin me tokën
mëmë." Para syve të mi u shfaq fytyra e babait, ashtu e përgjakur siç e
kisha parë për herë të fundit. Ai më buzëqeshi, dhe më dukej sikur më thoshte,
"Paqe dhe jetë të gjatë për ty dhe për lirinë e shumëpritur." Kështu
më ngjau, si një ëndërr e gjallë që më përqafoi në atë çast historik.
Fati
e deshi që, me formimin e komisioneve të shumta parlamentare, nga grupi i
deputetëve më caktuan në disa prej tyre. Pa humbur kohë, u zhytëm në punët e
vogla dhe të mëdha që kërkonte ky parlament i ri, që sapo kishte marrë formë.
Takimet ishin të shpeshta, dhe çdo ditë krijonim ligje, për herë të parë, për
shtetin tonë të ri. Për të bërë punën sa më të mirë dhe për ta ngritur atë në
një nivel të lartë, na duhej të udhëtonim në vende të ndryshme të botës
demokratike. Duhej të përvetësonim përvojat e tyre dhe të lexonim ligjet që ata
përdornin, si një burim frymëzimi për ndërtimin e shtetit tonë. Një ditë, gjatë
punimeve të komisionit për barazi gjinore, u bë një propozim që të shkonim në
Gjermani për të shkëmbyer përvojat tona. Ideja na frymëzoi, sepse ndiheshim të
etur për të mësuar dhe për të sjellë në Kosovë njohuritë më të mira nga jashtë,
për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për të gjithë.
Me
kalimin e viteve, kisha krijuar një zakon të dashur dhe të pashmangshëm—para
çdo udhëtimi në një vend të panjohur, gjithmonë përfshihesha thellë në leximin
e literaturës, duke kërkuar të njoh aq sa mundja, që të përfitoja nga çdo cep i
asaj toke të huaj. Kështu veprova edhe për këtë vend dhe qytet që më priste. Në
shtëpinë tonë, e cila ishte bekua me një bibliotekë të pasur, nuk na mungonte
kurrë literatura e nevojshme. Nga raftet e saj, nxora almanakët dhe
enciklopedinë e duhur, duke kërkuar të kuptoja thellësitë e kësaj toke.
Mësova
se Republika Federale e Gjermanisë është e vendosur në zemrën më të qendrore të
Evropës, një vend që ndan kufijtë me Danimarkën në veri, me Poloninë në lindje,
me Çekinë në juglindje, me Austrinë dhe Zvicrën në jug, dhe me Francën,
Luksemburgun, Belgjikën dhe Holandën në perëndim. Në veri, kufijtë e saj
përqafohen nga detet e pafundme të Veriut, ndërsa në lindje, Deti Baltik krijon
një vijë bregdetare të hijshme dhe të thellë. Kështu, Gjermania, me tërë këtë
mozaik natyror dhe kufij të gjerë, qëndron si një nyjë e historisë dhe
gjeografisë evropiane, duke u shfaqur përpara syve të mi si një vend i pasur me
kulturë dhe tradita, që mezi prisja ta zbuloja.
Gjermania,
me sipërfaqen e saj të gjerë prej 357,021 kilometrash katrorë, shtrihet si një
tokë e pasur, e ndarë mes katër stinëve që mbajnë gjallë ritmet e saj të
natyrshme. Ajo është një vend me një klimë të qetë, ku dimrat dhe verat
ndërrohen me një harmoni të natyrshme, duke krijuar një peizazh të gjallë që
reflekton bukurinë e saj të brendshme.
Në
këtë hapësirë të madhe, jetojnë mbi 82 milionë shpirtra, duke e bërë Gjermaninë
vendin më të populluar në Evropë. Një popullsi që sjell me vete historitë dhe
traditat e saj, por gjithashtu hap krahët për të mirëpritur botën, duke e
vendosur atë si të tretën në botë për numrin e emigrantëve ndërkombëtarë.
Berlini,
zemra e madhe e këtij vendi, rreh me një ritëm të veçantë, duke shërbyer si
kryeqyteti dhe qyteti më i madh, një arenë ku historia dhe moderniteti
përplasen dhe ndërthuren. Në anën tjetër, Frankfurti shndrit si qendra financiare,
ku ndërtohen dhe realizohen ëndrrat ekonomike të vendit. Ndërsa Ruhri, një
labirint urban që nuk fle kurrë, është kuleta e industrisë dhe jetës urbane të
Gjermanisë, një vend ku energjia dhe punëtoria nuk ndalen kurrë.
Gjermania
është një simfoni e zëshme e historisë, kulturës dhe diversitetit, që mbledh në
vetvete forcën e miliona njerëzve që e quajnë këtë vend shtëpi.
Një
grup prej 11 grave, ne ishim delegacioni i parë që përfaqësonte Kosovën jashtë
vendit si deputete. Ky udhëtim historik u përgatit me kujdes nga ambasadori
gjerman, Mihail Shmuk, i cili na caktoi datën kur do të niseshim, pikërisht në
pranverë, kur gjithçka në natyrë ringjallet dhe zemrat mbushen me shpresë.
Secila prej nesh, e zgjedhur nga populli, në mënyrën e vet kishte bërë përgatitjet
e nevojshme për këtë udhëtim që premtonte shumë.
Vizita
në Berlin ishte një përvojë e mrekullueshme, e mbushur me plot të papritura.
Gjithçka ishte e organizuar me përsosmëri: hoteli ku do të qëndronim, ushqimi
që do të na shijonte, vizitat dhe ekskursionet e shumta që na prisnin, dhe më
në fund, kthimi në atdhe. Ato ditë në Berlin na ofruan më shumë se thjesht një
udhëtim; na dhanë mundësinë të përjetonim një botë të re, të shihnim horizontet
e reja të një demokracie të mirëfilltë, dhe të përfitonim nga përvojat që do të
na shërbenin në ndërtimin e vendit tonë. Ishte një udhëtim që do të mbetej në
kujtesën tonë si një pikënisje e re, plot me shpresë dhe ambicie për të ardhmen
e Kosovës.
Ana
zyrtare e vizitës ishte e mbushur me angazhime të shumta, por unë e kisha
pranuar me dëshirë këtë ngarkesë, sepse e dija se po shkonim për të fituar
përvoja të vlefshme. Në Gjermani, na pranuan me shumë dashamirësi në
Bundestagun gjerman, ku morëm pjesë në një nga mbledhjet e tyre të rëndësishme.
Ishte një nder i veçantë të priteshim nga ish-kryetarja e Bundestagut, Dr. Rita
Süssmuth. Ajo na mirëpriti me një ngrohtësi të sinqertë dhe, pas një
bashkëbisedimi të këndshëm, na ndau këshilla të çmuara.
"Ngriheni
zërin për çdo gjë, ama për çdo gjë," na këshilloi ajo me një seriozitet të
thellë. "Vetëm zëri i lartë dëgjohet." Fjalët e saj, të mbushura me
përvojë dhe urtësi, mbetën të skalitura në zemrën time. "Kam dëgjuar për
ju dhe për luftën heroike që keni bërë," shtoi ajo, "por tani, duke
dëgjuar zërin tuaj, kuptoj plotësisht betejat tuaja." Ishte një moment i
veçantë, ku ndjeva se çdo fjalë që dilte nga goja e saj ishte e mbushur me
përvojën dhe sfidat e një jete të përkushtuar ndaj drejtësisë dhe barazisë.
Në
vitet që pasuan, me një përkushtim të thellë, iu përmbajta këshillës së Dr.
Rita Süssmuth-it. Ajo foli nga thellësia e përvojës së saj, dhe unë e mora këtë
mësim si një thesar të çmuar, që më udhëhoqi në rrugën time si përfaqësuese e
popullit tim. Zëri im u bë një instrument i fortë në shërbim të vendit, një zë
që reflektonte jo vetëm përvojat e mia, por edhe këshillat e një gruaje që
kishte luftuar për të njëjtat vlera në një botë që shpesh i ndërlikonte rrugët
e së drejtës.
Gjatë
udhëtimit tonë, ne deputetët biseduam dhe ramë dakord që secila nga ne të
merrte fjalën në takimet me institucionet gjermane. Kështu ndodhi. Çdo deputete
ishte e përgatitur dhe diskutimet e tyre përçonin një frymë kombëtare të
fuqishme. Megjithatë, një moment që më mbeti në kujtesë ishte takimi me
deputetet gjermane, të cilat kishin organizuar një pritje të ngrohtë në hotelin
"Alldon." Ishte një takim i këndshëm dhe frymëzues, dhe atë ditë më
takoi mua të flisja në emër të Kosovës.
Kur
e mora fjalën, u prezantova dhe tregova se kisha përfunduar studimet në
Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd. Por theksova se kurrë nuk kisha
dëshiruar të merrem me politikë; politika më kishte gjetur mua. Ato mbetën të
befasuara, veçanërisht kur fillova të flisja për krimet serbe në Kosovë, për
dhunimet e shumta dhe dëbimin e një milion shqiptarëve nga shtëpitë e tyre. U
tregova se edhe unë isha në mesin e të dëbuarve, së bashku me dy fëmijët dhe
burrin tim, dhe se gjatë asaj kohe, jeta jonë shpesh ishte në pisk të madh.
Kujtimet e asaj kohe ishin të freskëta, dhe ndjenja e frikës dhe e pasigurisë që
kishim përjetuar ishte ende e gjallë.
Iu
tregova për Marie Shllakun, bijën e fortë të kombit shqiptar, që në vitet e
largëta kur Kosovës i ishte prerë qefini në Beograd, në vitin 1945, u thirr në
gjyq dhe u pyet me cinizëm se sa kohë ishte marrë me politikë. Me një krenari
të heshtur, ajo iu përgjigj: "Nëse dashuria për atdheun është politikë,
atëherë unë që nga lindja merrem me të." Dhe për këtë dashuri të pashuar e
dënuan me pushkatim, duke shpresuar se do të shuanin edhe flakën që digjej në
zemrën e saj. Por dashuria e saj për atdheun mbeti e pavdekshme, një flakë që
nuk mund të shuhet as nga plumbi, as nga padrejtësitë.
Në
ato momente, fola për shumëçka, për çdo vuajtje dhe dhimbje që kishte kaluar
Kosova. Fola për shkatërrimet e tmerrshme që e kishin rrënuar, për plagët që
ende gjakosin. Por gjithashtu theksova se asgjë nuk mundi ta shkatërrojë
dashurinë e pashuar për atdheun. Kosova, edhe pse e përgjakur dhe e djegur,
tani po ngrihet si feniksi nga hiri i vet, duke rindërtuar veten me ndihmën e
miqve tanë të përkushtuar anë e mbanë rruzullit tokësor. Ajo është një vend që,
me krenari dhe me guxim, po ecën përpara, duke mbajtur gjallë frymën e lirisë
dhe të drejtësisë.
Kur
e përfundova diskutimin, pashë lot në sytë e deputeteve gjermane, dhe më erdhi
keq që ato u prekën kaq thellë. Në fund shtova: "Ja kjo është historia
jonë e dhembshme, por krenare."
Takimi
me Berlinin, ishte një sfidë e veçantë. Dhe duhet thënë se asnjë kryeqytet në
botë nuk bart në vete peshën e historisë si Berlini, ndoshta sepse asnjë tjetër
nuk ka kaluar një shekull kaq të mbushur me ngjarje të thella dhe tronditëse.
Çdo cep i këtij qyteti mban në vete shenjat e kohës, dhe asnjë vizitë në Berlin
nuk do të ishte e plotë pa përjetuar vendet që mbartin historinë më të gjallë.
Në ditët që pasuan, ecëm mes kështjellave historike të rrethinës së Berlinit,
ku çdo gur tregonte një rrëfim të lashtë, dhe më pas u drejtuam drejt Posdamit,
ku historia kishte vulosur një epokë të re me nënshkrimin e marrëveshjes për
përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.
Por
ajo që la një gjurmë të pashlyeshme në zemrat e deputeteve ishte Muri i rrënuar
i Berlinit. Qëndruam të magjepsura para atyre fragmenteve të ngurta që dikur
ndanin një qytet dhe një botë, dhe si në një ritual të shenjtë, bëmë dhjetëra
fotografi për të kapur atë që historia kishte lënë pas. Në dyqanet e vogla, të
mbushura me suvenire nga koha e komunizmit, zgjodhëm me kujdes dhurata për ata
që donim, duke mbartur me vete një copëz të asaj historie, të atij qyteti që
nuk ka të krahasuar. Berlini, me gjithë historinë e tij të mbushur me vuajtje
dhe triumfe, na e tregoi veten si një qytet që nuk jeton thjesht në të tashmen,
por në të gjitha kohërat, duke na dhënë një përvojë që do të mbetet
përgjithmonë e gjallë në kujtesën tonë.
Muri
i Berlinit, një relikt i errët i historisë, ishte një barrierë e ndërtuar nga
Republika Demokratike e Gjermanisë, një ndarje e ftohtë dhe e pamëshirshme që u
ngrit më 13 gusht 1961 dhe qëndroi deri më 9 nëntor 1989. Megjithëse sot mbeten
vetëm fragmente të tij, ato mbartin një peshë të rëndë simbolike. Ky mur i
ndërtuar nga qeveria komuniste e Gjermanisë Lindore, nën urdhëratë e Moskës,
synonte të parandalonte arratisjen e qytetarëve nga Lindja drejt Perëndimit,
një ndalim i ashpër për ëndrrat e lirisë. Ishte një përbindësh prej betoni, i
lartë gati tre metra, që përshkonte tërë Berlinin, duke e ndarë qytetin më dysh
për plot 28 vjet. Muri ishte i mbushur me dhjetëra kulla vrojtimi dhe kalime të
rrepta, përfshirë edhe famëkeqin "Pikëkalimi Çarli," një simbol i
tensionit mes dy botëve të kundërta gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.
Kjo
linjë e hekurt, një simbol i ndarjes dhe frikës, shënoi ndarjen midis dy botëve
të kundërta, qëndronte si një plagë e dukshme në zemrën e Evropës. Por kur
erdhi dita e shkatërrimit të tij, ai akt nuk ishte vetëm një shembje e gurëve
dhe betonit, por një triumf i shpirtit njerëzor, një çast që shënoi fillimin e
fundit të komunizmit në Evropë, duke hapur rrugën për një epokë të re lirie dhe
bashkimi.
Rënia
e Murit të Berlinit, më 3 tetor 1989, shënoi një moment historik dhe vendimtar
për shtetin gjerman. Për gati pesë dekada, Gjermania ishte e ndarë në dy botë
të kundërta: njëra pjesë demokratike, Gjermania Perëndimore, dhe tjetra
komuniste, Gjermania Lindore. Tani, ndërsa qëndronim përpara atij muri që dikur
ndante një komb të tërë, përjetonim historinë që ai mbartte—një histori e rëndë
dhe tragjike, e shkruar me jetët e pafajshme të gjermanëve që kishin rënë
viktimë e kësaj ndarjeje të pamëshirshme. Dhe ne, si miliona turistë përpara
dhe pas nesh, qëndronim përballë këtij simboli të dhimbjes dhe triumfit, duke e
kujtuar atë si një testament të fuqisë së shpresës dhe dëshirës për liri.
Vizituam
edhe Parlamentin gjerman, që qëndron i ngulitur në zemrën e Reichstagut, një
monument që, si shumica e objekteve të tjera të Berlinit, mbart brenda tij
gjurmët e rëndë të Luftës së Dytë Botërore. Nga njëra prej dritareve të kësaj
ndërtese historike, më 1918, u shpall në mënyrë solemne lindja e Republikës
Gjermane. Megjithatë, ndërtesa përjetoi një tragjedi të thellë kur u shkatërrua
pothuajse tërësisht nga një zjarr i tmerrshëm në vitin 1933, dhe gjatë luftës,
u shndërrua në një klinikë për lindje. Pas rënies së Murit, më 2 tetor 1990,
këto mure, që kishin mbajtur kaq shumë histori dhe dhimbje, u bë dëshmitarë të
ceremonisë zyrtare të ribashkimit të Gjermanisë, një ngjarje që shënoi një
kapitull të ri dhe të ndritur në librin e historisë së këtij kombi të fuqishëm.
Checkpoint
Charlie, një kohë një vend frike dhe ankthi, tani është kthyer në një atraksion
turistik i njohur, megjithëse në kohërat e kaluara kishte një rëndësi krejt
tjetër. Në të vërtetë, ky ishte një portë i rrethuar me mure të fortifikuar dhe
kontrolluar me vigjilencë nga ushtria amerikane, duke lidhur Berlinin
Perëndimor me Berlinin Lindor dhe përkundrazi. Ishte një pikë kalimi e mbushur
me tension dhe rrezik për ata që tentonin të kalonin kufirin e ndarë. Pas
rënies së Murit, Checkpoint Charlie u shkatërrua, por sot, vizitorët mund të
pozojnë për fotografi pranë një ushtari simbolik, që përfaqëson një kohë të
kaluar, duke e ruajtur kështu kujtimin e asaj periudhe të vështirë. Dhe ishte e
pamundur që edhe ne të mos bënim fotografi
Brandenburger
Tor, një tjetër ikonë e Berlinit, ngrihet si një dëshmi e ndarjes së dy
Gjermanive gjatë Luftës së Ftohtë. Ky monument i madhërishëm, që pas rënies së
Murit u shndërrua në simbolin e bashkimit të kombit të ri, është një vepër e
Carl Gotthard Langhans, ndërtuar në vitin 1791. Me një stil neoklasik, Porta
përbëhet nga dymbëdhjetë kolona madhështore, të mbuluara nga Quadriga e
famshme, një krijim i Johann Gottfried Schadow. Në ndriçimin e saj të
përjetshëm, kjo portë mbart historinë e një epoke dhe reflekton aspiratat e një
kombi të bashkuar dhe të rinovuar.
Në
itinerarin tonë, vizita në Memorialin e Holokaustit ishte një vizitë që nuk
mund të mungonte. Ky monument, që ndodhet në zemër të qytetit, është një përkujtim
solemn i lidhjes ndërmjet Berlinit dhe tragjedive të Luftës së Dytë Botërore
dhe Nazizmit. Në këtë hapësirë të shenjtë dhe të ndjerë, ngrihen 2711 blloqe
betoni, të ndryshme në lartësi nga 20 cm deri në gati 5 metra. Ky peizazh i
ftohtë dhe labirintik krijon një ndjenjë të thellë izolimi dhe shqetësimi për
ata që kalojnë përmes tij. Çdo hap në këtë monument është një udhëtim në
kujtimet e dhimbshme të tragjedive të shkuara, ndërsa një ekspozitë e
përhershme ofron një pasqyrë të dhimbshme të historive të familjeve hebreje që
përjetuan tmerrin e Holokaustit.
Gjatë
qëndrimit tonë në Berlin, shpesh gjenim kohë për të bërë ndonjë vizitë për
kënaqësinë tonë personale. Ne, deputetët, shpesh dilnim në mbrëmje dhe
shëtisnim në sheshin e famshëm të Alexanderplatz-it. Ky shesh, i njohur dhe i
frekuentuar, ndodhet në zemrën e madhe të Berlinit, një vend ku berlinezët dhe
vizitorët bashkohen për të përjetuar pulsimin e qytetit. Megjithëse nuk mund të
thuhet se është një shembull i ndërlikuar i arkitekturës, Alexanderplatz është
një qendër vibrante dhe e mbushur me energji të gjallë. Si një nyjë e
rëndësishme e rrjetit të transportit, ky shesh është një kryqëzim ku kalojnë 20
linja autobusi dhe tramvaje, një vend ku lëvizjet dhe ngjarjet janë të
pandërprera. Ajo që e bën të veçantë këtë shesh është Kulla e Televizionit, një
strukturë mbresëlënëse që ngrihet në 365 metra lartësi, duke ofruar një pamje
të mrekullueshme nga 200 metra. Kjo kullë, një simbol dominues i qytetit, është
ndër ndërtimet më të larta në Evropën Perëndimore dhe një ikonë e pamohueshme e
Berlinit.
Me
një kureshtje të pashoqe, u endëm nëpër parkun madhështor dhe të pafund të
Berlinit. Tiergarten, një oazë i qetësisë në zemrën e qytetit, e cila ofron një
strehë nga zhurma dhe vrulli i përditshëm, duke i dhënë qytetarëve mundësinë të
gjejnë paqe në krahët e natyrës. Ky park, që shtrihet përmbi 210 hektarë, është
një mozaik magjepsës ku shtigjet dredhojnë përmes liqeneve të kristalta dhe
livadheve të pafundme, duke krijuar një peizazh harmonik e të balancuar. Në
këtë hapësirë të gjelbër, kafshët dhe bimët jetojnë në harmoni, duke formuar
një simfoni të gjallë natyrore. Berlinezët e përdorin këtë parajsë urbane për
të bërë vrapime të qeta ose për të kaluar pushimet e drekës në një mjedis të
qetë e rilindës, larg nga zhurma dhe kaosi i qytetit.
Gjatë
qëndrimit tonë në Berlin, patëm fatin të zhvillonim takime të shumta me
personalitete të shquara dhe udhëheqës të institucioneve kryesore të qytetit.
Një takim i veçantë dhe i ngrohtë ishte ai me kryetarin e qytetit, i cili na
priti me mikpritje dhe shije të hollë. Ndër të tjera, vizituam bibliotekën e
famshme të Berlinit, një thesar i dijes që ruante me kujdes shumë ekzemplarë të
rrallë të shkrimeve të lashta. Aty ndjemë peshën e kohës dhe vlerën e madhe të
këtyre dokumenteve të çmuara.
Shëtitjet
tona na çuan edhe në dyqanet e stërmbushura me veshje femrash, ku modelet më të
fundit nga brendet më të njohura kishin pushtuar raftet. Megjithatë, duhej të
pranonim se xhepi ynë ende nuk ishte aq bujar sa të na lejonte ndonjë kënaqësi
të tillë luksoze.
Një
vizitë shtetërore nuk do të ishte e plotë pa një përvojë në teatër, të cilën e
përjetuam me gjithë shpirt. Ishte një mbrëmje magjike që na mbushi me emocione
dhe na rikujtoi fuqinë e artit skenik. Më pas, u mrekulluam nga një ekspozitë
në një galeri arti e shekullit XX, ku pikturat mahnitëse na lanë pa frymë. Këto
vepra artistike, të gjalla dhe të ngjyrosura me shpirt, dukeshin sikur flisnin,
duke treguar histori të fshehta përmes penelit të mjeshtrit.
Pas
dhjetë ditësh të ngarkuara me punë dhe përgjegjësi, me valixhe të mbushura me
kujtime të paharrueshme, u larguam nga Berlini, duke fluturuar drejt shtëpisë,
aty ku udhëtimi ynë kishte filluar. Ashtu si çdo udhëtim, edhe ky kishte fundin
e vet, por pas lë një histori të re të gdhendur në kujtimet tona.
. . .
Pas
kalimit të viteve, fati më drejtoi sërish në Gjermani, atë tokë që ruante në
vete kujtime dhe emocione të përziera nga e kaluara. Këtë herë, ishin shtatë
ose tetë vite që më ndanin nga udhëtimi im i fundit, dhe arsyeja që më çoi atje
ishte e veçantë. Vajza jonë, Arta, po përgatitej të mbronte temën e doktoratës
në Vajmar, në një qytet të mbushur me histori dhe kulturë, jo larg nga Berlini,
qyteti që tashmë e njihja mirë.
Ky
udhëtim nuk ishte si çdo udhëtim tjetër; ishte një rrugëtim që doja ta
përjetoja në çdo hap, në çdo frymëmarrje, së bashku me familjen time të dashur.
Ishte një rast që nuk duhej humbur, një moment që do të na lidhte edhe më
shumë. Ne u nisëm së bashku, unë, Tefiku, Agoni, dhe familja e burrit të saj,
Arianitit, të gjithë drejt këtij destinacioni të bukur, ku shpresat dhe
përpjekjet e Artës do të kurorëzoheshin në një arritje të re.
Ndërsa
kalonim ditët në Berlin, një qytet që mban brenda tij kujtime të pashlyeshme,
ndjeva një emocion të thellë që më përshkoi çdo qelizë. Berlini, me sheshet dhe
rrugët e tij, me historinë dhe ritmin e tij të veçantë, u bë sfondi i mendimeve
dhe ndjenjave të mia. Dhe ndërsa mendja ime fluturonte drejt së nesërmes, ku
rruga do të na çonte në Vajmar, ndjeva një ngazëllim të butë dhe të ngrohtë,
sepse e dija që atje, në atë qytet me rrugë të lashta dhe ajër të mbushur me
frymëzim, e ardhmja e Artës po gdhendej në gurin e përpjekjeve dhe përkushtimit
të saj. Një moment historik, një kapitull i ri që do të shënonte jo vetëm jetën
e saj, por edhe tonën, të gjithë bashkë në këtë rrugëtim të bukur të jetës.
Unë
i kisha bërë vetes një premtim, se do t'i çoja në të gjitha vendet që dikur i
kisha vizituar vetëm, dhe këtë herë e mora një rol të ri, atë të cicerones,
duke udhëhequr familjen time nëpër rrugët dhe vendet që tashmë ishin bërë pjesë
e kujtimeve të mia. Çdo hap i tyre, çdo përjetim i ndarë, ishte një rikthim në
ato kujtime, por këtë herë me një kuptim më të thellë dhe më të dashur, sepse
ishim së bashku, duke ndarë të njëjtën magji që dikur më kishte mrekulluar mua.
Pas
suksesit të shkëlqyer të Artës në mbrojtjen e doktoratës, një ngjarje që na
mbushi me krenari dhe lumturi të pamasë, Arianiti na befasoi të gjithëve duke i
bërë asaj një dhuratë të veçantë, një javë magjike në Paris. Ndërkohë, ne, të
tre, vazhduam shëtitjet tona të këndshme nëpër rrugët e Berlinit, duke
përjetuar çdo kënd të tij me një sy të ri, të mbushur me kënaqësi dhe
përmbushje.
Ishte
një gëzim i madh kur ndaleshim për të komentuar dhe ndarë mendimet tona për
Murin e Berlinit, atë simbol të ndarjes dhe bashkimit, një dëshmi e fuqisë së
ndryshimit që përshkoi qytetin dhe botën. Diskutuam me pasion për sistemin
gjerman dhe të arriturat e këtij shteti që ngjallin admirim në çdo aspekt të
jetës.
Agoni,
me njohuritë e tij të thella për ndryshimet ekonomike botërore, kishte një
mendim të lartë për Gjermaninë, duke e parë atë si një nga shtetet më të
fuqishme dhe të përparuara në botë. Çdo bisedë që ndanim, çdo reflektim mbi
historinë dhe të ardhmen e këtij vendi, e bënte qëndrimin tonë në Berlin edhe
më kuptimplotë, një udhëtim jo vetëm fizik, por edhe shpirtëror në thellësitë e
mendimit dhe përvojës njerëzore.