E premte, 11.10.2024, 10:59 PM (GMT+1)

Speciale » Basha

Sabile Basha & Tefik Basha: Egjipti i mistershëm, vendi i piramidave

E diele, 22.09.2024, 06:58 PM


BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH...

EGJIPTI I MISTERSHËM – VENDI I PIRAMIDAVE

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha & Prof. Dr. Tefik Basha

- Që nga vitet e hershme të shkollës fillore, kur mësoja për Egjiptin, piramidat më dukeshin si një ëndërr e largët, një mister që më ngacmonte mendjen dhe imagjinatën. Ato ishin monumente që sfidonin logjikën dhe ngjallnin qindra pyetje në shpirtin tim të ri: A janë vërtet të vërteta? A i di dikush ku gjenden? A janë ato vendi që vizitojnë njerëzit? Ishte një enigmë që dukej përtej mundësive të mia, e pamundur për t’u kuptuar, e lëre më për t’u përjetuar.

Por jeta, si një libër me faqe të papritura, shpesh na befason me mrekulli që nuk i kishim menduar kurrë. Në vitin 2004, kur po planifikonim pushimet verore, gjithmonë të etur për të gjetur një vend që jo vetëm të na ofronte pushim, por edhe një përvojë të re, filluam të kërkojmë për destinacione që s’i kishim shkelur më parë. Mes ofertave të shumta turistike, një agjenci nga Shkupi na tërhoqi vëmendjen me një aranzhman për Egjiptin. Dhe aty, në atë çast, një ëndërr e kahershme filloi të zgjohej brenda meje, si një thirrje e brendshme për të realizuar atë që dikur kishte qenë thjesht një fantazi e fëmijërisë.

Me Tefikun, i cili si gjeograf kishte gjithmonë një plan të menduar mirë për udhëtimet, arritëm në një marrëveshje të përkryer: Egjipti ishte vendi i duhur për ne këtë herë. Kjo do të ishte një surprizë e paharrueshme për Artën, vajzën tonë që sapo kishte përfunduar me sukses Fakultetin e Arkitekturës. Egjipti ofronte shumë më tepër se një pushim—ishte një udhëtim drejt legjendave, drejt atyre vendeve që dikur i kishim parë vetëm në faqet e librave dhe në ekranet e dokumentarëve: Piramidat madhështore të Gizës, rrjedha e qetë e Nilit të madh, Sfinga mistike  dhe thesaret e Muzeut Kombëtar të Egjiptit.

Kur mëngjesi i korrikut erdhi, ne u nisëm nga Shkupi me zemrat plot ngazëllim dhe një ndjenjë nostalgjie që më ktheu pas në kohë, në ato ditë kur piramidat ishin thjesht një përrallë e largët për mua. Fluturimi na çoi drejt Sharm El Sheikut, dhe kur pasditja e vonë na kapi në atë tokë misterioze, ndjenja e mrekullisë vetëm sa u thellua. Një udhëtim me autobus përmes shkretëtirës së pafund të Sinajit na e bëri realitetin edhe më të prekshëm, teksa rruga e ngushtë dhe e gjarpëruar çante përmes rërës së pambarim, duke na afruar gjithnjë e më shumë me atë botë që dikur ishte thjesht një ëndërr.

Sytë tanë përpiqeshin të kapnin çdo gjurmë jete, të kërkonin një shenjë të njohur në atë shkretëtirë të pafundme, por veçse rërë, qiell i pafund dhe shkretëtirë mbizotëronin horizontin. Tefiku dhe Arta, po aq të mahnitur sa unë, vështronin me një kureshtje të thellë, një heshtje që fliste më shumë se fjalët. Një ndjenjë humori i hidhur më përfshiu, dhe duke qeshur, i thashë Tefikut: "Duket sikur edhe ky autobusi është humbur në këtë pafundësi!" Megjithatë, rruga e gjarpëruar na drejtoi me saktësi te hoteli ynë madhështor, një strukturë kolosale që ngrihej si një pallat magjik në buzë të Detit të Kuq, duke reflektuar shkëlqimin e një arkitekture mbretërore.

Hoteli, me portat e tij të mëdha dhe ornamentet e veçanta, na la të gjithëve pa fjalë. Ndërsa zbritëm nga autobusi, një ndjenjë e thellë kënaqësie na përfshiu, si të ishim zhytur në një botë tjetër, në një realitet të ëndërruar prej kohësh. Dhomat ishin të freskëta dhe të bollshme, të mbushura me një aromë të këndshme lulesh që zbukuronin çdo kënd. Fontanat e ujit vallëzonin me një harmoni të përsosur me muzikën që dukej se buronte nga vetë uji, duke freskuar dhe magjepsur natën në këtë qoshe të magjishme të botës.

Ashtu si një përrallë që vazhdon të shkruhet në faqet e jetës, edhe kjo aventurë në Egjipt mbetet një nga kujtimet më të ndritshme që ka lënë gjurmë në shpirt—ku  monumentet e shumta, dikur veç figura të largëta në faqet e librave, u bënë një realitet i prekshëm, një ëndërr që u shndërrua në diçka të vërtetë, që mund ta ndieja me duart e mia.

Pas një dite të mbushur me entuziazëm dhe magji, ku çdo çast na mbushte me një ndjenjë të thellë kënaqësie, e dinim se duhej të pushonim, sepse e nesërmja na priste me aventura të reja edhe më të shumta. Ashtu siç kisha përmendur më herët, pushimet tona gjithmonë përfshinin ekskursione që na shpinin në udhëtime të jashtëzakonshme, dhe kësaj here, pas dy ditësh qëndrimi, udhëtimi për në Kajro ishte i pari në listë. Autobusi do të nisej nga hoteli në orën një të mëngjesit, por pritja e madhe dhe emocionet nuk na lanë të flinim. Kur ora e shumëpritur erdhi, u nisëm për në udhëtimin tonë të shumëpritur, duke u rehatuar në ulëset tona, me zemrat që rrihnin në harmoni me emocionet që na përshkonin.

Sabile Keçmezi-Basha, me bashkëshortin. Tefik Basha, para Sfinksit dhe Piramidat (Kajro), 2004

Në fillim, autobusi gumëzhinte nga zërat e gëzuar; turistët bisedonin me zë të lartë, duke qeshur e ndarë përvoja në gjuhë të ndryshme. Por me kalimin e kilometrave, kjo gumëzhitje filloi të fashitet. Entuziazmi fillestar u zbeh ngadalë, dhe shumë prej nesh filluan të zhytën në gjumë, ndërsa autobusi lëkundej butësisht, në një ritëm të qetë që na përkundte si foshnja në djepin e natës. Nga radioja dëgjohej një melodi e lehtë arabe, e cila na ndillte të kalonim përtej kësaj bote, duke na afruar më pranë hyjnores. Hëna, shoqëruesja jonë e heshtur, lëvizte ngadalë nga njëri skaj i qiellit në tjetrin, herë duke na ecur përpara, herë duke u tërhequr mbrapa, sikur të na ndiqte me dritën e saj të butë dhe buzëqeshjen e saj të fshehtë, duke ndriçuar rrugën tonë drejt një të ardhmeje të mbushur me premtime të reja.

Udhëtonim drejt Kajros, duke përshkuar një rrugë prej më shumë se 500 kilometrash. Megjithatë, gjumi nuk më zinte, edhe pse e dija se dita e ardhshme do të kërkonte gjithë forcën time. Nata mbante një freski dhe magji të veçantë, duke më mbajtur zgjuar me pritjen e mrekullisë që po afrohej. Shikoja përtej dritares së autobusit, dhe për çudi, rrallë kalonte ndonjë veturë. Mendimet më çuan tek gjyshja ime dhe përrallat e saj, ku shpesh përmendte një div me një shtëpi që ndriçonte përtej maleve dhe kodrave. Në këtë udhëtim të largët, një dritë e vogël vezulluese në horizont më bënte të mendoja nëse ndoshta ajo ishte shtëpia e divit të gjyshes.

E zhytur në këto mendime, autobusi papritmas ndaloi, dhe shoferi, me një zë që mezi dëgjohej, na njoftoi se mund të dilnim për të shtrirë këmbët. Por askush nuk lëvizi, ndoshta të gjithë ishin tepër të përhumbur në gjumë apo në mendimet e tyre të largëta. Shoferi ndezi një cigare, hapi dritaren, dhe pas pak, autobusi përsëri u nis në rrugën e tij të qetë, duke përshkuar asfaltin e errët të natës, sikur të ishte një anije që lundronte në detin e pafund të yjeve.

Pasi një kohë të shkurtër, shoferi na njoftoi se po i afroheshim Kanalit të Suezit dhe na ftoi ta shihnim këtë mrekulli inxhinierike. Ndërsa një ndjenjë kureshtjeje dhe entuziazmi përshkoi shpirtin tim, i zgjova Tefikun dhe Artën, dhe të gjithë u zgjuam për të parë këtë vepër të jashtëzakonshme, një kryevepër e ndërtuar me dorën e njeriut. Autobusi u mbush me një tollovi të ëmbël: çdo njeri nxori aparatin dhe filloi të kapte pamjet, por shoferi, me një ton të qetë, na kujtoi se fotografimi ishte i ndaluar në këtë zonë. Megjithatë, arritëm të kapnim disa momente të fshehta, që ende i ruaj me krenari si një nga kujtimet më të çmuara të atij udhëtimi.

Kanali i Suezit, ky rrugëtim tërheqës prej 163 kilometrash që lidh Detin Mesdhe me Detin e Kuq, është si një fije delikate që ndan kontinentet e Afrikës dhe Azisë, por njëkohësisht bashkon dy hemisfera të botës, perëndimin dhe lindjen. Ai mban mbi vete peshën e rëndësisë strategjike, duke shërbyer si arterie kryesore për tankerët që transportojnë naftën e Lindjes së Afërme drejt Evropës.

Vizitë me deve rreth piramidave (Arta Basha, Tefik Basha, Sabile Keçmezi-Basha)

I hapur në vitin 1869, ky kanal mban emrin e qytetit Suez, një liman egjiptian me gati gjysmë milioni banorë. Është një simbol i lidhjes së fortë mes deteve dhe kontinenteve, por gjithashtu një skenë e konflikteve të mëdha. Kur presidenti egjiptian Gamal Abdel Naser vendosi ta nacionalizonte kanalin në vitin 1956, shpërtheu një krizë e madhe, duke sjellë një invazion të Francës, Anglisë dhe Izraelit kundër Egjiptit. Ky konflikt e la kanalin të mbyllur për gati një vit, derisa u hap përsëri në prill të vitit 1957 nën mbikëqyrjen e OKB-së.

Por plagët e konfliktit nuk ishin të kufizuara vetëm në ujë. Qyteti i Suezit, i ndodhur në vijën e parë të zjarrit gjatë luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967, ishte shkatërruar dhe boshatisur. Vetëm në vitin 1975, kur kanali u rinovua dhe u rihap për komunikacion, qyteti filloi të ringjallte jetën e vet.

Ndërsa autobusi po kalonte kanalin, një qetësi e re e mbërtheu ambientin. Pas largimit të natës, dielli filloi të ngjitej ngadalë në horizont, duke sjellë agimin e ri mbi shkretëtirën e pafund. Në një moment, autobusi ndaloi dhe hapi dyert para një restoranti të vogël, ku dritat e harresës ende ndriçonin. U ulëm për të ngrënë mëngjesin, ndërsa dielli ngjiste temperaturat me një shpejtësi të pamëshirshme. Shkretëtira, e mbuluar me rërë të artë, nuk ofronte asnjë hije për të na strehuar nga nxehtësia e ashpër.

Pasi përfundoi mëngjesi, udhëtimi vazhdoi. Kur ora arriti në dhjetë, para nesh u shfaq Kajroja, qyteti i madh që lëviz me kaosin e tij të përhershëm. Ndërtesat, të nxira nga koha dhe rrugët e gjera të mbushura me semaforë, ofronin një pamje të përzier nga zhurma e pandërprerë. Boritë e makinave mbushnin ajrin me një simfoni të çrregullt, një melodi që fliste për një qytet që kurrë nuk njihte qetësi, ndërsa banorët e tij nxitojnë, secili në drejtimin e tij të caktuar.

Citadella- Në hyrje të Kajros, një cicerone u bashkua me ne, dhe pasi u ul në vendin e parë me mikrofon në dorë, filloi të na prezantonte me një pjesë të qytetit që dukej si një botë tjetër—Citadela. Ajo na shpjegoi se kjo zonë, që shtrihej përpara syve tanë, nuk ishte thjesht një vend ku pushonin të vdekurit, por ishte gati një qytet i tërë i ndërtuar në formë shtëpish. Shtëpitë, nga njëkatëshe e dykatëshe deri tek ato më të mëdha, krijonin një peizazh të pazakontë ku të gjallët dhe të vdekurit bashkëjetonin në një harmoni të veçantë.

Gjatë festave të mëdha, si Bajrami i Madh dhe i Vogël, familjarët e të ndjerëve vijnë këtu për të qëndruar për një natë ose më shumë, duke kryer ritualet e tyre dhe shpesh duke u kthyer në shtëpitë e tyre vetëm pas disa ditësh. Pas largimit të tyre, këto shtëpi zihen nga familjet e varfra që nuk kanë tjetër vend për të jetuar. Në këtë rotacion të çuditshëm dhe të rregulluar, varrezat e Citadelës janë transformuar në një vendbanim të përhershëm për më shumë se 2 milion njerëz. Ne mbetëm të habitur—si është e mundur që një jetë normale të zhvillohet mes varrezave?

Ciceronia vazhdoi të na zbulojë më shumë, duke ndezur një kuriozitet të thellë në mendjet tona, ndërsa sytë tanë mbetën të ngulur mbi Citadelën, duke u përpjekur të memorizonim këtë pamje të mrekullueshme. Ajo na shpjegoi për pallatin e gazetës Al-Ahram, për qendrën kryesore të qytetit, për Muzeun Kombëtar të Egjiptit dhe monumente të tjera të mëdha që ishin rrënjosur në thellësitë e historisë së Kajros.

Megjithatë, mes gjithë këtij informacioni, ne ishim të përqendruar në një dëshirë të vetme, një ëndërr të përbashkët që na kishte çuar deri këtu: të shihnim Piramidat. Pavarësisht të gjitha mrekullive që Kajroja na ofronte, mendimet tona vazhdonin të ktheheshin përsëri te ato struktura të lashta, që përbënin kulmin e udhëtimit tonë.

Autobusi ynë, si një krijesë e lodhur nga rruga, ngadalë e përshkonte labirintin e Kajros, duke e ndjerë ngarkesën e misionit të tij, që ishte të na çonte në periferi, drejt destinacionit tonë të ëndërruar. Ciceronia, me një ndjesi të nderur, na paralajmëroi se shumë shpejt do të përballeshim me Piramidat. Në atë çast, çdo shpirt në autobusin tonë u mbush me një ndjenjë të thellë pritjeje, me sy dhe veshë të hapur, të gatshëm për të përjetuar mrekullitë e lashta që po na prisnin.

Dhe, ashtu siç ishim nën ndikimin e çdo minute të pritjes, befasia ndodhi. Në një hapësirë të gjerë dhe të zbrazur nga zhurma e qytetit, Piramidat shfaqeshin me një modesti që ngjallte respekt, duke i bërë të gjithë të heshtnin përballë madhështisë së tyre të pashoqe. Autobusi ngadalësoi, dhe ne përpiqeshim të kapnim çdo pamje nga dritaret, duke e ditur se secili kishte një kënd më të veçantë, një perspektivë më të plotë të kësaj epoke të lashtë që na ishte e destinuar të shihnim.

Piramidat- Në skajet e Shkretëtirës Perëndimore, në rrafshnaltën e lavdishme të Gizës, qëndronin Piramidat e Gizës, një peizazh i mbushur me mister dhe madhësi që i përket kohëve të lashta. Ky kompleks monumental, si një simfoni e antikitetit, përfshin Piramidën e Madhe të Gizës, Piramidën e Khafre dhe Piramidën e Menkaure, së bashku me Sfinksin e Madh të Gizës, që ruan një heshtje misterioze dhe lavdinë e një periudhe të largët. Ndërtuar gjatë Dinastisë së Katërt të Mbretërisë së Vjetër të Egjiptit të lashtë, rreth viteve 2600 deri në 2500 p.e.r., këto monumente të përjetshme janë dëshmi e arritjeve të jashtëzakonshme inxhinierike dhe artistike. Në këtë shkretëtirë të heshtur, vetëm 9 kilometra në perëndim të lumit Nil dhe rreth 13 kilometra në jugperëndim të qendrës së Kajros, këto piramida dhe komplekset përreth janë një pasuri e çmuar e trashëgimisë njerëzore. Në vitin 1979, ky vend u shpall Trashëgimi Botërore nga UNESCO, bashkë me Memphisin e afërt.

Piramida e Madhe dhe Piramida e Khafre janë perlat e këtij kompleksi, ndërtuar me një madhësi dhe shkëlqim që shpërthen çdo përshkrim. Këto kolosë të lashtësisë janë si yje të ndritshëm në galaktikën e Egjiptit të Lashtë, dhe në imagjinatën perëndimore, ato përfaqësojnë simbolin më të fuqishëm të këtij qytetërimi të vjetër.

Sabile Keçmezi-Basha, me bashkëshortin  Tefik Basha, në,restorantin mbi lumin Nil (Egjipt), 2004

Famë e tyre u përhap gjatë periudhës helenistike, kur Piramida e Madhe u rendit nga Antipatri i Sidonit në listën e shtatë mrekullive të botës. Ajo është mrekullia më e lashtë dhe e vetmja që ka mbijetuar, duke qëndruar si një monument i përjetshëm që ndriçon në histori dhe kulturë, si një testament i pafundmë i gjenisë njerëzore dhe ambicieve të saj të pastra.

Kur autobusi ndaloi, beduinë me deve të tyre u grumbulluan rreth nesh, duke na ftuar për një udhëtim drejt Piramidave. Ato ishin të vendosura në një hapësirë të pafundme, pa ndonjë mbrojtje, pa bileta për të hyrë, pa rregulla që t’i kufizonin vizitorët. Një kaos i heshtur mbretëronte aty, ndërsa njerëzit ngjiteshin dhe zbrisnin mbi gurët e lashtë, të përhumbur në magjinë e momentit, pa shprehur ndonjë llogaridhënie. Në kulmin e mesditës, kur dielli përvëlonte çdo gjë, por nxehtësia djegëse ishte e pavërejtur nga të gjithë ne që ishim të kapur nga madhështia e pamjes.

Ne morëm dy deve për të eksploruar Piramidat, duke ecur përreth tyre dhe duke u mahnitur nga çdo pamje që na ofronin. Për mua, kjo ishte realizimi i një ëndrre të kamotshme; qëndrimi përballë atyre strukturave të lashta ishte si një përrallë që merrte jetë. Piramidat qëndronin atje, krenare dhe të qeta, ato herë pas here sikur qeshnin me ne, ndërsa vraponim për të kapur çdo detaj të kësaj bukurie të përjetshme.

Nga lartësia e deveve, ne shikonim tri Piramidat që ngriheshin shumë lartë në horizont, ndërsa beduini që na shoqëronte, i kënaqur nga fitimi i tij, vendosi të rritë çmimin e shëtitjes në fund. Nga 30 dollarë, çmimi u bë 50 për çdo deve, dhe ne, pa ndonjë alternativë tjetër, pranuam dhe paguam. Me një shkathtësi të veçantë, ai dha urdhër që deveja të ulej, dhe kur zbritëm në tokë, ndjemë një lehtësim të madh. Në atë peizazh të mbushur me histori dhe magji, gjithçka ishte për të vizituar, por e vetmja gjë që mungonte ishte ndonjë lloj rregulli.

Sfinksi- Ndërsa nxehtësia e zjarrtë shteronte çdo pikë force dhe lodhja na rëndonte si një mburojë e palëvizshme, ndaluam përpara një pamjeje që na ftonte me një urdhër të heshtur dhe magjepsës. Pas përballjes me madhështinë e piramidave, një tjetër ikonë e lashtësisë na u shfaq pran saj – Sfinksi, një domosdoshmëri e historisë që kërkonte të shihnim.

Sfinksi, kjo krijesë mitike me kokë njeriu, trup luani dhe flatra shqiponje, është një enigmë e vjetër që ruan shpirtin e një kohe të humbur. Në mitologjinë e lashtë, ai kishte kokën e një gruaje, këmbët e një luani dhe krahët e një zogu, një përbindësh i frikshëm dhe enigmatik që kishte mbështjellë të kaluarën me mister. I njohur për ndëshkimin e atyre që nuk mund të zgjidhnin gjëegjëzat e tij, ai përfaqësonte një version të tmerrshëm të tragjedisë, si ai që ndodhte në mitin e Edipit, duke na përballur me një fragment të frikshëm dhe të magjishëm të historisë njerëzore.

Ndryshe nga sfinksi grek, i cili shfaqet si një grua enigmatike, sfinksi egjiptian shpesh është paraqitur si një burrë – një androsfinks. Ky lloj sfinksi, ndryshe nga imazhi i frikshëm i mitologjisë greke, nuk është i lig, por mbart një forcë të jashtëzakonshme dhe të papërmbajtshme, një mbrojtës i heshtur dhe i ftohtë që qëndron përpara tempujve dhe varreve mbretërore, duke mbajtur ruajtjen e mistereve dhe shenjtërinë e tyre.

Gjatë periudhës së Rilindjes evropiane, sfinksi përjetoi një ringjallje të thellë, duke u ripërsëritur dhe rikrijuar në forma të ndryshme që iu përshtateshin kulturave të tjera. Megjithatë, interpretimet e tij ndryshonin shpesh nga origjinali egjiptian për shkak të evolucionit të ideve dhe përkthimeve të ndryshme që i ishin nënshtruar.

Nëpër shekuj, sfinksi ka mbetur një simbol i fuqishëm dhe enigmatik, i lidhur ngushtë me struktura arkitektonike si varrezat mbretërore dhe tempujt, duke qenë një roje e përjetshme e sekreteve të lashta që ruan dhe përmban misterin e përjetshëm të një kohe të humbur.

Dreka mbi lumë, në lumin e pafund-Në mes të nxehtësisë së zjarrtë dhe lodhjes që na përqafonte, na u ofrua një shpëtim që na jepte frymë: një drekë e veçantë mbi ndjeshmërinë e lumit Nil. Si një faqe e bardhë e përgatitur me kujdes, kjo drekë në një anije mbi Nili ishte një përvojë e paharrueshme. Ne shijuam kuskus të përgatitur me mjeshtëri dhe një larmi ushqimesh tradicionale egjiptiane, të cilat shpreheshin në çdo kafshatë, duke na përçuar shijen e historisë dhe kulturës së këtij vendi të lashtë.

Ndërsa sytë tanë shtriheshin mbi përmasat e pafund të Nilit, mendja jonë u mahnit nga qetësia e kësaj përvoje të veçantë. Anijet, në një lëvizje të pandërprerë, ishin si zogj që fluturonin në dy drejtime, duke e bërë këtë moment të ngjashëm me një ëndërr që ishte shkruar në ujin e këtij lumi të madh. Arta, me kamerën e saj, kapte çdo imazh si një artist që pikturon bukurinë e natyrës, duke bërë që çdo çast të ndriçonte me magjinë e tij të veçantë

Nili është një lumë që kërkon të shprehet me madhështi të natyrshme – ai rrjedh nga veriu në Afrikën verilindore dhe përfundon në përqafimin e Detit Mesdhe. Me një gjatësi që e bën më të gjatë se çdo lumë tjetër në Afrikë, dhe që përherë ka qenë subjekti i ngacmimeve për titullin e lumit më të gjatë në botë, Nili është një mrekulli e natyrës. Rreth 6650 km i gjatë dhe i mbështjellë nga pellgu i tij i gjerë, që përfshin një sërë vendesh, ai është burimi i vetëm i jetës për Egjiptin dhe rajonet përreth.

Nili, i ndarë në dy degë – Nili i Bardhë dhe Nili i Kaltër – ka një histori të pasur dhe lidhje kulturore të thella që janë të lidhura ngushtë me ndërtimin dhe zhvillimin e civilizimeve të lashta. Nili i Bardhë, më i gjatë dhe më i ndritshëm, buron nga Liqeni Viktoria, ndërsa Nili i Kaltër sjell sasinë më të madhe të ujit nga Liqeni Tana në Etiopi. Kur këto dy degë bashkohen në Hartim të Sudanit, ato krijojnë një rrjedhë që përshkon shkretëtirën Nubiane dhe shpërndahen në Detin Mesdhe, duke e bërë këtë lumë një rrugë të magjishme dhe jetësore që lidh botën e lashtë me bregdetin e sotëm.

Pas kësaj dreke të pasur dhe freskuese, ku çdo moment ishte i mbushur me relaks dhe kënaqësi, tundimi për të parë më shumë vetëm sa shtohej. Të gjithë ishim të mbushur me imagjinata dhe reflektime për piramidat dhe bukuritë e tjera që Egjipti kishte për të ofruar. Në këtë ditë, e vetmja gjë që na kishte mbetur ishte të mbushnim kujtesën tonë me pamjet e piramidave dhe të përjetonim prehjen e gjurmëve të lashta.

Mumiet- Ciceronia e bukur, me një buzëqeshje që ndriçonte si drita e mëngjesit, na pyeti nëse dëshironim të vizitonim Muzeun Kombëtar të Egjiptit. Megjithëse lodhja e thellë na kishte kapluar dhe vapa kishte arritur në kulmin e saj, aq sa mendonim se do të na shpinte në rënie, ne vendosëm të bëjmë këtë hap të fundit në aventurën tonë.

Për fat të mirë, muzeu ofronte një oazë të freskët që na mbajti të gjallë dhe na dha ndihmë për të shpëtuar nga vapa e nxehtë. Kur hyjmë në brendësi, ndjenja e freskisë ishte si një ngushëllim i bekuar dhe ne u ulëm për pak minuta në shkallët e muzeut, duke mbledhur forcat tona për të përjetuar atë që ndodhej përtej atyre dyerve.

Pasi u qetësuam dhe morëm frymë lirshëm, filluam të eksploronim eksponatet e mrekullueshme që muzeu ofronte. Pjesë nga lashtësia, faraonët dhe thesaret e tyre, u shpalosën para nesh në një bukuri që na la të mahnitur. Sarkofagët e shumtë, të punuar me ar të vërtetë, ishin një pamje mbresëlënëse, ndërsa sandalet e ndritshme që ndoshta ishin përdorur nga vetë faraonët, na bënë të mendojmë për lidhjet e ndritshme të të kaluarës me të tashmen.

Fustanet e mëndafshtë dhe këmishët e lashta, stolitë e rafinuara që kishin mbijetuar për mijëra vjet, ishin një dëshmi e arteve të jashtëzakonshme dhe shijes së pabesueshme të epokave të lashta. Çdo detaj, çdo eksponat ishte një thesar i harruar që na përkëdhelte sytë dhe shpirtin, duke na treguar një pjesë të mrekullueshme të historisë që kishte mbetur e fshehur në kohë.

Mumiet, një pasqyrë e errët dhe misterioze e këtij muzeu të jashtëzakonshëm, ishin një tregim tërheqës dhe frikësues që ndodhej në çdo qoshe të këtij tempulli të së kaluarës. Ato, të shtrira dhe të mbuluara me një pëlhurë të së kaluarës, i përshkruanin dhe u jepnin një ndjesi të thellë të frikës dhe pendimit që ishte e vështirë të përshkruhej. Mumiet, me sytë e mbyllur dhe trupat e mbështjellë në petka të lashta, shtrinin një ndjesi të thellë dhe misterioze që i mbushte çdo qelizë të qenies tonë me një frikë të paimagjinueshme.

Nga kjo ekspozitë, e cila na mbërthente në një atmosferë të errët dhe të trishtuar, u larguam shpejt për të gjetur më shumë hapësirë dhe frymëmarrje në mrekullitë e tjera që muzeu kishte për të ofruar.

Në përpjekjen tonë për të përfituar nga çdo çast, bisedonim me Tefikun e Arten dhe e kuptonim se dy orë nuk mjaftonin për të përjetuar dhe vlerësuar të gjitha thesaret që ky muze kishte mbledhur. Ajo që u duk si një udhëtim i shpejtë, ishte vetëm një shkëndijë në atë që ndoshta duhej të kishte qenë një aventurë e gjatë dhe e paharrueshme që mund të zgjaste më shumë se dy ditë për të zbuluar thellësitë dhe bukuritë e vërteta të këtij tempulli të lashtë.

Në mbrëmjen e qetë, kur nata filloi të mbulonte gjithçka me një vel të butë freskie, autobusi u mbush me turistë dhe ne nisëm rrugën drejt Sharm El Sheikut. Ishte si të përmblidhej në një botë tjetër, e ndryshme nga çdo përvojë e zakonshme. Ndërsa qielli u mbush me një mbulesë të thellë nate dhe hëna shkëlqente si një disk i madh argjendti, unë qëndroja zgjuar, e magjepsur nga ky spektakël hyjnor, duke reflektuar mbi pafundësinë e njohurive dhe përjetimeve që ofronte ky udhëtim.

Hëna, e madhe dhe e ndritshme, dukej sikur mund ta kapnim me dorë, ndriçonte rërën e shkretëtirës me një dritë të mrekullueshme dhe magjike. Në këtë ambient të qetë dhe paqe, muzika e radios së autobusit krijonte një atmosferë harmoni dhe mirësi, duke zhdukur çdo shenjë urrejtjeje apo xhelozie dhe duke na ndihmuar të ndiheshim të lidhur me bukurinë dhe paqen e natyrës që na rrethonte.

Në këtë natë të mbushur me magji, kur Arta kishte shkelur në ëndrrat e saj dhe Tefiku kishte shpërthyer në botën e tij të ëndrrave, unë u mbylla në mendimet e mia, duke shijuar bukuritë e jashtëzakonshme që kishim pasur fatin t'i përjetonim. Ndërsa natyra dhe qytetërimi flisnin me një gjuhë të mrekullueshme harmonie, e ndjeva çdo moment si një dhuratë të veçantë, një dhunti të mrekullueshme që shkëlqente në ndriçimin e natës.

Dita që po merrte fund ishte një udhëtim që na kishte ndarë nga rutina e zakonshme dhe na kishte ofruar një copë të veçantë të realitetit për ta shijuar me të gjithë shpirtin. Çdo gur që kam mbledhur nga këto vende përbën një kujtim të çmuar dhe një pasuri të jashtëzakonshme e një bote të magjishme, që do të mbetet përherë e ngulitur në thellësitë e shpirtit tim.

Në rrugë e sipër na tregonte Tefiku se Egjipti, zyrtarisht i njohur si Republika Arabe e Egjiptit, shtrihet si një mozaik i jashtëzakonshëm që mbulon një pjesë të madhe të Afrikës së Veriut dhe ndan një copë të saj me Azi në Gadishullin e Sinait, duke e bërë atë një vend trans kontinental. Ky komb i madh është një fuqi e rëndësishme në Afrikën e Veriut, në rajonin Mesdhetar dhe në kontinentin afrikan, ndërsa dominon pellgun e Nilit dhe është një aktor i rëndësishëm në botën Islame dhe Detin e Kuq. Me një sipërfaqe të gjerë prej 1.010.407 km², Egjipti shtrihet në veri, ku përballë tij ndodhet Deti Mesdhe, në verilindje kufizohet me Rripin e Gazës dhe Izraelin, në lindje ndan kufirin me Detin e Kuq, në jug me Sudanin dhe në perëndim me Libinë.

Si një ndër vendet më të ngarkuara me jetë në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, Egjipti mburret me një popullsi që  gjen ngushëllim pranë bregut të lumit më të  madh të Nilit, që shtrihet në një hapësirë prej rreth 40.000 km², ku gjendet e vetmja tokë e punueshme bujqësore. Më tej, në shpirtin e fushave të pafundme të shkretëtirës Sahara, përhapur në një hapësirë të gjerë, banuar ndonjëherë dhe rrallë të zënë. Në qytetet e mëdha, si Kajro, Aleksandria dhe qytete të tjera të mëdha në deltën e Nilit, jeton shumica e popullsisë, e cila gjen strehë në këtë qytetërim të ndritshëm.

Egjipti, me sipërfaqen që ka është 91 herë më e madhe se Kosova—përfshin 6.000 km² të ujërave të tij. Vendi shtrihet rreth koordinatave gjeografike 27° 00' V dhe 30° 00' L, me një bregdet të gjatë 2.450 km dhe një vijë kufitare tokësore prej 2.665 km, që ndan kufirin me Rripin e Gazës (11 km), Izraelin (266 km), Libinë (1.115 km) dhe Sudanin (1.273 km). Klima e Egjiptit është e ngrohtë dhe e thatë, me verë të nxehtë dhe dimër të butë, një pasqyrë e saj shkretëtire.

Pas shumë aventurave që na ndihmuan të eksploronim thellësitë e Egjiptit, si fshati beduin ku kaluam një natë të magjishme nën yjet e shkretëtirës, safari me motor që na shpërfytyroi nga pluhuri dhe na la të lodhur, dhe shëtitjet mbi deve në shkretëtirë, ku orientimi na dukej si një sfidë e pamundur, përjetuam një udhëtim të paharrueshëm.

Për të ndihmuar në orientimin dhe thirrjen e deveve tona që na shëtisnin në shkretëtirë , vendosëm t'u japim emra të veçantë.

Në Sharm el-Sheik, e gjithë bukuria dhe atraksionet që ofronte ishin si një thesari i fshehur, por pas 10 ditësh aventureske, ishte koha të ktheheshim në Kosovën tonë të dashur. Në fund, ateruam në aeroportin e Shkupit dhe u kthyem në shtëpi, mbushur me kujtime të mrekullueshme dhe aventura që do të na shoqëronin përherë.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora