Speciale » Basha
Sabile Basha: Takimi me deputetët slloven, një takim vëllazëror, 2003
E premte, 13.09.2024, 06:59 PM
TAKIMI ME DEPUTETËT SLLOVEN- NJË TAKIM VËLLAZËROR (19-25 MAJ, 2003)
Bredhje
në Kujtimet e Udhëtimeve: Ku, Kur, Kah...
Nga
Prof. Dr. Sabile keçmezi-Basha
Sllovenia
kishte qenë një mikpritëse e hershme për ne, dhe kujtimet e atyre udhëtimeve
ishin gjithnjë të mbushura me gëzim dhe surpriza të këndshme. Çdo qytet i saj
kishte një bukuri të vetën, një hijeshi që na mahniste herë pas here, duke na
treguar se kjo tokë e vogël e kishte shpirtin tepër të madh. Por kësaj here,
udhëtimi ynë kishte një peshë të veçantë. Ishte një udhëtim që tejkalonte
kënaqësinë e thjeshtë të zbulimit të vendeve të reja; ishte një udhëtim me
përgjegjësi, një udhëtim me mision.
Ishte
një ndjenjë e veçantë të kthehesh në ato rrugë të njohura, por kësaj here si
përfaqësuese e popullit tënd, si pjesë e delegacionit të parlamentit të
Kosovës. Në të vërtetë, ndoshta ishte fati që na buzëqeshi në ato vite të
mandatit tim si deputete, duke na dhuruar mundësinë për të realizuar vizitat më
të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Dhe kështu, u nisëm, një grup i
zgjedhur deputetësh nga komisione të ndryshme, të bashkuar në këtë mision të
përbashkët.
Përgatitjet
ishin gjithnjë të përpikta, çdo detaj ishte menduar dhe ri menduar mirë. Ekipi
ynë punonte me përkushtim, me një vendosmëri që asnjë lëshim të mos ndodhte.
Ishte si një orkestër e harmonizuar, ku secili luante rolin e tij në mënyrë të
përkryer. Çdo hap, çdo dokument, çdo bisedë ishte pjesë e një mozaiku më të
madh, ku secila pjesë kishte rëndësinë e saj në përmbushjen e këtij udhëtimi të
veçantë.
Pasi
u mblodhëm të gjithë në hollin madhështor të kuvendit, dhe u siguruam që asnjë
prej nesh nuk mungonte, delegacioni ynë u drejtua drejt automjeteve që na
prisnin për të na shoqëruar drejt aeroportit. Udhëtimi kaloi shpejt, si një
puhizë e lehtë, dhe asnjë shenjë lodhjeje nuk na preku gjatë rrugës.
Në
aeroportin e bukur të Lubjanës, nikoqirët tanë na pritën me buzëqeshje të
ngrohta dhe mikpritje të sinqertë, duke na udhëhequr me kujdes drejt hotelit
"Sllon", i cili shtrihej krenar në zemrën pulsuese të qytetit.
Gjatë
procesit të akomodimit, recepsionistja na pyeti me një seriozitet të veçantë
nëse konsumonim duhan, një pyetje që na nxiti një buzëqeshje të lehtë dhe na u
duk paksa e çuditshme në atë moment. Pas kësaj, ata prej nesh që nuk ishin
duhanpirës u vendosën në katet e poshtme, ndërsa duhanpirësit u sistemuan në
lartësitë e kateve të sipërme.
Hoteli
vetë ishte një ndërtesë me histori, me mure që mbanin kujtimet e një epoke
tjetër, ndoshta të ngritur gjatë kohëve të komunizmit. Megjithatë, brendësia e
tij shkëlqente me luks dhe elegancë, duke ofruar komoditet dhe rehati që
vështirë se mund të gjendeshin diku tjetër në qytet. Çdo detaj ishte menduar me
kujdes, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe mikpritëse për çdo mysafir.
Në
mbrëmje, pas një pushimi të merituar, u mblodhëm për t'u takuar me disa
deputetë sllovenë, të cilët na uruan mirëseardhjen me fjalë të ngrohta dhe
mikpritje të sinqertë në vendin e tyre të bukur. Atmosfera ishte e mbushur me
mirëkuptim dhe bashkëpunim, duke premtuar për takime edhe më të frytshme në
ditën që pasonte, e cila ishte planifikuar me kujdes dhe priste të na sillte
mundësi të reja dhe përvoja të vlefshme.
Takimi
i parë na hapi dyert drejt një bote të mençurisë dhe përkushtimit, ku kryetari
i Asamblesë Kombëtare të Republikës së Sllovenisë, Z. Borut Pahor, na priti me
një prani të qetë por plot energji. Një njeri i ri, i ndritur, që mbante mbi
supe përgjegjësinë e vendit të tij, dhe jo vetëm të tij, por të gjithë botës që
ai ëndërronte ta shihte në paqe dhe harmoni.
Që
në fillim, ai na ftoi në një udhëtim përmes Sllovenisë së tij dhe përmes
korridoreve të Kuvendit slloven, duke na njohur me punët e tyre, sfidat dhe
përpjekjet e pandërprera për ndërtimin e ligjeve. Ai e pranoi se ky proces
ishte një rrugë e pafundme, një udhë që kërkonte përkushtim të vazhdueshëm. Me
një buzëqeshje të ngrohtë, na uroi që edhe ne, si një shtet i ri, të përqafonim
këtë udhë, duke na këshilluar që kurrë të mos hezitonim të kërkonim ndihmë kur
të hasnim në vështirësi në këtë rrugëtim.
Zotëri
Pahori foli me pasion për përpjekjet e tyre, për punën e palodhur që kishin
bërë për të ndërtuar një sistem që funksiononte për të gjithë. Ai theksoi se
kërkesa për të punuar fort dhe për të ruajtur një harmoni mes grupeve
parlamentare nuk ishte befasuese. Përkundrazi, ishte e domosdoshme, sepse
ligjet, në fund të fundit, bëhen për popullin dhe duhet të jenë për të mirën e
tij.
Në
këto fjalë, ai na kujtoi se mbi të gjitha, barazia dhe demokracia duhet të jenë
themelet e çdo ligji, sepse ne e kemi përjetuar çfarë do të thotë një diktaturë
që bën ligje vetëm për veten e saj. Ai na porositi që shteti duhet të ruhet me
ligje të drejta dhe me punë të palodhur, një angazhim që duhet të jetë i
përhershëm, sepse vetëm kështu mund të ndërtohet një e ardhme e qëndrueshme për
të gjithë.
Me
fjalët e kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Republikës së Sllovenisë, zemrat
na u mbushën me një ngrohtësi të veçantë, ndërsa sytë tanë ndriçonin nga
admirimi dhe mirënjohja. Deputetët tanë, të nxitur nga ndjesia e afërsisë që
ndienim në këtë vend mikpritës, filluan të bënin pyetje dhe të debatonin me një
ndjenjë të thellë të lirshmërisë, si të ishin në shtëpinë e tyre.
Në takimin me kryetarin e Parlamentit të Sllovenisë, z. Borut Pahor, më 20 maj 2003
Z.
Pahor, me një qetësi që buronte nga përvoja dhe urtësia, na shikoi me një
buzëqeshje të lehtë, dhe më shumë duke iu drejtuar stafit të tij, shtoi:
“Shikoni, demokracia nuk është vetëm një çështje ligjesh, por edhe e
respektimit të kohës.” Me këtë thënie të thjeshtë dhe plot kuptim, ai na kujtoi
se harmonia dhe respekti janë thelbësore në çdo aspekt të jetës publike.
Ne
dolëm nga ky takim të mbushur me entuziazëm, të gatshëm për të vazhduar në
bisedat e tjera që na prisnin me deputetët e parlamentit. Diskutimet ishin të
këndshme, të lirshme, dhe ndiheshim sikur kufijtë e fjalëve ishin zhdukur, duke
lejuar mendimet tona të rrjedhin pa pengesa. Megjithatë, koha nuk ishte në anën
tonë, dhe takimi i radhës fillonte menjëherë pas këtij.
Ndërsa
hymë në një sallë të parlamentit për të marrë pjesë në një takim të caktuar më
parë, ndjeva një entuziazëm të veçantë që përhapej si valë aty për aty. Vendet
tona ishin të rezervuara, dhe ndërsa u ulëm, përshëndetjet me lëvizjet e duarve
u shkëmbyen si një gjest i thjeshtë, por i mbushur me mirëkuptim dhe respekt të
ndërsjellë.
Pas
përshëndetjeve të ngrohta me kolegët sllovenë, takimi vazhdoi në një atmosferë
të qetë, të mbushur me solemnitetin e çasteve të rëndësishme. Diskutuam gjatë
për miratimin e ligjeve në parlament dhe dilemat e shumta që na shqetësonin,
duke ndjerë gjithnjë përkrahjen e palodhur të nikoqirëve tanë. Pas pauzës, u
zhytëm në biseda të thella me ta, të cilët tregonin një interes të pashuar për
çdo detaj të punës sonë dhe për jetën në Kosovë.
Kur
erdhi momenti i ndarjes, ndjenja e miqësisë u kurorëzua me dhurimin e
buletineve të shumta, që përmbanin ligjet e miratuara më parë. Ky gjest, i
thjeshtë, por me shumë peshë, mbante brenda një frymë frymëzimi dhe lidhjeje,
duke na kujtuar se bashkëpunimi i vërtetë ndërtohet mbi njohjen dhe ndarjen e
përvojave të përbashkëta.
Mbrëmja
na gjeti në një darkë të organizuar nga parlamenti slloven, një ngjarje e
mbushur me biseda të ngrohta dhe mirëkuptim të ndërsjellë. Gjatë kësaj mbrëmje,
na u dha mundësia të njiheshim më thellë me punën e tyre dhe me zemërgjerësinë
që tregonin në çdo fjalë të thënë, duke na premtuar ndihmë në çdo hap të
rrugëtimit tonë të ri si shtet.
Të
nesërmen, me shpirt të lehtë dhe pritshmëri të larta, planifikonim të
eksploronim bukuritë e qytetit të Lubjanës, përpara se të merrnim pjesë përsëri
në një takim me anëtarët e komisionit për mirëqenie sociale. Kudo që shkonim,
guida jonë besnike ishte pranë nesh, duke na drejtuar dhe duke na ndihmuar të
zbulojmë sekretet e fshehura të këtij qyteti të vogël, por të magjishëm.
Në
fillim, Lubjana na u shfaq si një qytet modest, i vogël në përmasat e tij, por
njëra nga shoqërueset tona na vuri në dukje se nën këtë pamje të qetë, fshihej
një thesar i vërtetë. "Lubjana duket kështu," na tha ajo, "por
po të vendosni të eksploroni çdo kënd dhe atraksion turistik, do të shihni se
qyteti ynë është shumë më tepër se sa duket."
Dhe
vërtet, Lubjana, njëra nga kryeqytetet më të vogla të Evropës, është e tillë që
mund të përjetohet plotësisht brenda një dite, por brenda saj qëndron një botë
e tërë magjepsëse. Arkitektura interesante, lumi Ljubljanica që rrjedh nëpër
qendër, kështjella madhështore që ofron pamje të mrekullueshme mbi gjithë qytetin—të
gjitha këto elemente të ftojnë të ndalesh, të marrësh frymë thellë dhe të
shijosh çdo moment. Restorantet dhe kafenetë, me pamjen e tyre të pastër dhe të
qetë, duken si oaze të vogla që të ftojnë të ndalesh, të rrufisësh një nesfrape
të shijshme, dhe të humbasësh në bukurinë e çastit.
Lubjana
na bëri për vete që në çastin e parë, me qetësinë e saj të thellë dhe
atmosferën pa tensione. Rrugët e saj ishin si të përqafuara nga një heshtje e
ëmbël, ku mungesa e zhurmës së makinave krijonte një paqe të rrallë. Njerëzit,
duke ecur lehtësisht me biçikleta, ngjanin sikur jetonin në harmoni me botën
përreth, dhe çdo hap i tyre reflektonte një hare të brendshme. Në çdo qoshe të
këtij qyteti, ndieja një mirëqenie që flet me heshtje të ëmbla për standardin e
lartë të jetës që gëzonte ky vend.
Gjatë
bisedave tona me deputetët sllovenë, treguam për plagët që kishte lënë pas
lufta në tokën tonë, për mërgimin e shqiptarëve që shkulën rrënjët nga dheu i
tyre. Ata qeshën lehtë, duke na treguar se në Slloveni mërgimi nuk ishte një
problem, sepse ky vend tërhiqte një fluks të madh njerëzish nga Italia dhe
Austria. Kjo e dhënë më mbeti në mendje, një fakt që zor e kollofita, duke u
përballur me një realitet kaq të ndryshëm nga ai që njihnim ne.
Edhe
në kohën e Jugosllavisë, Sllovenia ishte si një xhevahir në kurorën e
republikave, me një standard të lartë jetësor që i eklipsonte dhe iu bënte hije
të tjerave. Krahasohej me shtetet perëndimore, dhe në çdo aspekt, nga arsimi
deri tek ekonomia, ishte përpara. Republikat e tjera e shihnin Slloveninë si
një yll udhëheqës, një synim për t'u arritur, por pavarësisht përpjekjeve të
tyre, Sllovenia gjithmonë ecën përpara me hapa të mëdhenj, duke lënë pas një
gjurmë të pashlyeshme të përparimit të saj.
Sot,
ndërsa ecja në rrugët e Lubjanës, më mbushte me gëzim fakti se çdo gjë në këtë
shtet ishte në vendin e vet, në harmoni të plotë. Gjithçka rrezatonte një rend
të natyrshëm, një balancë që nuk ishte thjesht e dukshme, por e ndier në çdo
hap, në çdo frymë që merrja në këtë qytet të qetë dhe të mbushur me mirëqenie.
E
mbaj mend mirë atë kohë kur në Prishtinë, çdo herë që dëshironim të blinim
diçka të bukur—një fustan të veçantë, një kostum elegant, apo ndonjë bluzë apo
xhemper të ngrohtë—gjithmonë kërkonim konfeksionet e “Murës”. Emri i kësaj
firme jehonte përtej kufijve, një markë që edhe shtetet më të zhvilluara e
shihnin me lakmi dhe respekt.
Dhe
tani, duke ecur në Sheshin e Preshernit, në zemrën e Lubjanës, ndieja një
magjepsje të papërshkrueshme. Ky shesh, që mban emrin e poetit të madh slloven
Franz Presherenit, është një thesar historik që mbart mbi vete shekuj të tërë
historie. Në mesjetë, këtu qëndronin portat e qytetit, ndërsa në shekullin e
17-të, Kisha e Prezantimit të Marisë, një ndërtesë baroku e mahnitshme, ishte
ngritur si një simbol i fuqisë dhe devotshmërisë. Ky shesh dikur mbante emrin e
Marias, deri në fillim të shekullit të 20-të, kur u riemërua në nder të poetit
Presheren, dhe një monument madhështor u ngrit për të nderuar kujtimin e tij.
Por
ky shesh nuk është vetëm një kujtesë e së kaluarës. Ai ka përqafuar edhe
modernitetin, duke sjellë një instalacion të veçantë që e bën çdo vizitor të
ndalet me kureshtje. Në mes të sheshit, një tabelë ju informon se kjo zonë ka
një klimë të sajën—nëse hyni brenda kësaj zone, do të ndjeni pikat e shiut edhe
në një ditë të kthjellët me diell. Ky nuk është një fenomen natyror, por një
iluzion i krijuar nga spërkatësit e vendosur mbi instalim, të cilët ngjajnë si
pikat e shiut që bien lehtë nga qielli.
Ndonëse
nuk është një mrekulli e natyrës, ky instalacion ka diçka magjike që të bën të
ndalosh dhe të soditësh, duke e bërë çdo turist të pyesë veten se çfarë ndodh
në këtë shesh të mbushur me histori dhe modernitet, ku çdo hap ndien dhe
përqafon të shkuarën dhe të tashmen.
Në
fund të shëtitjes sonë në shesh, u gjendëm përballë urës së famshme të
Tromostovjes, një kryevepër arkitektonike që nuk është thjesht një urë, por një
grup prej tre urash të ndërlidhura në harmoni. Fillimisht, dy prej këtyre urave
ishin menduar për këmbësorët, ndërsa e treta ishte e hapur për trafik. Por
tani, me qendrën e Lubjanës të mbyllur për automjete, të tria urat shërbejnë
vetëm për këmbësorët, edhe pse në orët e para të mëngjesit, ura e mesme ende
përdoret nga mjetet e transportit. Kjo strukturë madhështore u ndërtua nga
arkitekti më i famshëm slloven, Jože Ple?nik, një emër që për Lubjanën është po
aq domethënës sa Antoni Gaudi për Barcelonën. Pleqnik nuk u ndal vetëm tek ura
e Tromostovjes; ai i kishte dhënë Lubjanës një identitet unik duke projektuar
edhe ndërtesën e bibliotekës, tregun, varrezat dhe një varg ndërtesash e
parqesh të tjera rreth qytetit.
Vetëm
pak hapa larg Sheshit Presheren, gjendet Sheshi i Qytetit, një tjetër perlë e
Lubjanës, ku shpaloset madhështia e Shatërvanit të Robit. Ky shatërvan, një
simbol i tre lumenjve kryesorë të rajonit Carniola—Sava, Krka dhe
Ljubljanica—ishte ndërtua në shekullin e 18-të nga skulptori italian Francesco
Robe. Megjithatë, ajo që shohim sot përballë godinës së Bashkisë është një
kopje e shatërvanit origjinal, i cili pas restaurimit u zhvendos me kujdes në
Galerinë Kombëtare aty pranë.
Teksa
guida jonë na shpjegonte me qetësi për këto atraksione të mrekullueshme, ndjemë
se pa të, ndoshta do ta kishim parë Lubjanën thjesht si një qytet të bukur dhe
të pastër. Por falë saj, ne arritëm të shohim më thellë, të kuptojmë historinë
e çdo monumenti, çdo ndërtese, dhe të përjetojmë magjinë e këtij qyteti që ruan
me krenari të kaluarën dhe e sjell atë me elegancë në të tashmen.
Në
pasditen e asaj dite, u takuam me një grup tjetër të një komisioni dhe biseda
jonë u zhvillua me aq qetësi e ngrohtësi, saqë asgjë nuk dukej zyrtare. Kur
erdhi momenti i ndarjes, na dhuruan shumë libra dhe broshura, duke na shpjeguar
me përpikëri se si zhvillonin mbledhjet e tyre, si diskutonin dhe si merrnin
vendimet më të rëndësishme. Ishte një përvojë e pasur që na solli më afër botës
së tyre të mendimit dhe veprimit.
Të
nesërmen, një ditë e re na priste dhe me emocion na njoftuan se do të udhëtonim
drejt Shpellës së Postojnës. Kisha dëgjuar e lexuar shumë për këtë mrekulli të
natyrës, por e gjithë ajo që kisha në mendje u zbeh kur arrita të prek me sytë
e mi atë që natyra kishte krijuar me kaq mjeshtëri.
Na
treguan se distanca nga Lubjana deri tek Shpella e Postojnës nuk ishte e madhe,
vetëm 55 kilometra, kështu që do të arrinim atje shpejt. Rruga ishte e
shkëlqyeshme, dhe trafiku i lehtë na lejoi të mbërrinim për më pak se një orë.
Nga jashtë, shpella nuk dukej si ndonjë mrekulli e veçantë, por kur hymë
brenda, u mrekulluam nga ajo që pamë. Për fat të mirë, nuk na u desh të prisnim
gjatë në radhë, dhe menjëherë hymë brenda, të mahnitur nga bukuria e fshehur e
këtij vendi.
Sllovenia,
një vend i vogël në zemër të Evropës, mbetet një nga vendet më të gjelbra dhe
më piktoreske për t’u vizituar. Ndër vendet më të njohura të këtij vendi ishte
mu kjo Shpellë, e njohur për kështjellën më të madhe në botë të ndërtuar brenda
një shpelle, dhe për faktin që është i vetmi vend që ka një tren që kalon
përmes një shpelle nëntokësore. Kjo mrekulli natyrore është gdhendur gjatë
miliona viteve nga lumi Pivka dhe është shpella më e gjatë në Slloveni, duke
shtrirë hijeshinë e saj në më shumë se 24 kilometra.
Ndërsa
lundronim përmes galerisë së errët e të ftohtë, të gjitha ato vite e dekada të
kaluara u shfaqën para syve tanë në formën e stalaktiteve e stalagmiteve të
mrekullueshme. Çdo hap që hidhem brenda kësaj shpelle, çdo ndalesë, ishte si
një kthim prapa në kohë, një përjetim që fjalët mezi e përshkruajnë. Asnjë
udhëzues, asnjë broshurë, nuk mund të përgatiste shpirtin për atë që pamë dhe
përjetuam.
Shpella
e Postojnës është një thesar i zhytur në histori, mite, dhe legjenda që
përshkojnë epokat parahistorike dhe mesjetare. Brenda errësirës së saj të
lashtë, ku guri flet në heshtje, ajo mban një tjetër rekord të veçantë –
vendosjen e skenës më të madhe të Lindjes së Krishtit në nëntokë, gjatë
Krishtlindjeve, duke sjellë dritën e shpresës në thellësitë e tokës.
Kjo
shpellë madhështore është pjesë e Parkut të Shpellës Postojna, një ansambël
natyror që përfshin gjithashtu ekspozitën e krasit të shpellës Expo Postojna,
Shpellën Proteus dhe Vivariumin, ku çdo cep rrëfen një histori të vetën. E
fshehur thellë në këto tunele të gdhendura nga shekujt, gjendet edhe zyra e
vetme postare nëntokësore në botë, një simbol i lidhjes midis të dukshmes dhe
të padukshmes, midis tokës dhe nën-tokës.
Një
pjesë e delegacionit të Kosovës, në pritje për të hyrë në Shpellën e Postojnës,
më 23 maj 2003.
(Sabile Keçmezi- Basha, Samije Zeqiraj, Remzije Nimani (në këmbë), Zehra Elezi, Gjylshen Berisha, Sala Ahmeti)
Por
Shpella e Postojnës mban edhe një tjetër titull nderi – ajo është shtëpia e
hekurudhës së parë në botë që kalon në një shpellë, një arritje teknologjike që
daton 140 vjet më parë. Kur Sllovenia ishte ende pjesë e Perandorisë Austriake,
në vitin 1819, kur arkiduka Ferdinand kishte vizitua këto shpella, dhe nga ai
moment ajo u shndërruan në një destinacion të njohur turistik, ku misteri i
thellësive të tokës u bë i prekshëm për të gjithë.
Në
vitin 1884, shpellat u zbardhën nga ndriçimi elektrik, shumë kohë përpara se
dritat të ndriçonin rrugët e Lubjanës, kryeqytetit të Sllovenisë. Ky ishte një
hap drejt modernizimit të këtij vendi të fshehur nën tokë, duke sjellë dritën
në errësirën e përjetshme të shpellës.
Por
rruga drejt thellësive të shpirtit të shpellës nuk u ndal këtu. Në vitin 1872,
u ndërtuan binarët e parë që të çonin në këtë mbretëri të gurit, duke krijuar
trenin e parë për turistët. Në fillim, këta vagonë të vegjël nuk kishin motor
dhe lëviznin me forcën e vetë udhërrëfyesve, që i shtynin me përkushtim. Ata
tërhiqnin dy karroca të vogla, të quajtura phaeton, të cilat mbartnin vetëm
katër vizitorë secila. Një lokomotivë me gaz u shtua në fillim të viteve 1900,
duke bërë që ky udhëtim magjik në shpellë të bëhej më i lehtë dhe më i qetë,
por pa humbur asnjë grimë nga misteri dhe mahnitja që vetëm Postojna mund të
ofrojë.
Shpella
e Postojnës, me thellësitë e saj të pashkelura dhe misteret e saj të lashta,
mbetet një simbol i fuqisë së natyrës dhe të përpjekjes njerëzore për të
zbuluar dhe ruajtur bukurinë e fshehur të kësaj bote.
Pasi
arkiduka i njohur, por fatkeq, Ferdinand, ra viktimë në Sarajevë dhe Evropa u
mbështoll në hidhërimin e Luftës së Madhe, një urë mbi një humnerë të thellë në
shpella u ndërtua me ndihmën e të burgosurve rusë të luftës. Një ndihmë e
dhimbshme dhe e përgjakshme për të lidhur dy botë në një tragjedi të mbuluar me
errësirë.
Në kopshtin e shtëpisë së Operës në Lubjanë, më 20 maj 2003. (Hatixhe Hoxha, Sabile Keçmezi-Basha, Hasnije Ilazi)
Në
dy dekadat e ardhshme, në ditët e zymta të Luftës së Dytë Botërore, kur errësira e luftës sërish e mbuloi
kontinentin, gjermanët depozituan rreth 1000 fuçi karburantësh për avionë në
shpella, duke besuar se kjo do të siguronin fuqinë e tyre. Por, me një fat të
pafat, këto rezerva u shkatërruan nga flakët e partizanëve sllovenë, që
ndriçuan errësirën për shtatë ditë të pafundme.
Sot,
vetëm një pjesë e kësaj bote të fshehur është e hapur për publikun – rreth 5.3
kilometra nga shpella janë të vizitueshme, dhe treni legjendar përshkon 3.5
kilometra të këtij udhëtimi magjik. Ndërsa vizitorët kalojnë përmes kësaj
magjie natyrore, ata mund të eksplorojnë 1.5 kilometra të tjera në shpellë me
ndihmën e një udhërrëfyesi, dhe i gjithë udhëtimi zgjasë rreth një orë e
gjysmë.
Aktualisht,
kjo është hekurudha e vetme speleologjike me dy binarë në botë. Gjatë këtij
udhëtimi, vizitorët mund të shohin një rrjet të ndërlikuar galeriesh dhe
korridoresh krastike nëntokësore. Stalagmiti më i madh, që mbërrin deri në 16
metra në lartësi dhe quhet Rrokaqiell (Skyscraper), duket si një monument që
sheh nga lart në thellësitë e shpirtit të shpellës.
Llambadarët
e mrekullueshëm prej xhami Murano që varen nga tavani i Sallës së Vallëzimit,
krijojnë një atmosferë të ngjashme me një përrallë, duke i dhënë jetë një
hapësire që ndan mes të vërtetës dhe fantazisë. Vizitorët mund të shohin
gjithashtu tunelin e krijuar nga njeriu, sipërfaqet e nxira nga karburanti i
djegur gjatë luftës dhe Urën e ndërtuar nga të burgosurit rusë.
Në
mesin e kësaj bukurie të përjetshme, vlen të përmenden edhe Salla Gotike dhe
Salla e Kongreseve, dy hapësira që rrëfejnë pjesë të historisë së shpellës.
Për
më tepër, vizitorët e shpellës Postojna, edhe pse një destinacion turistik, do
të ndihen të befasuar nga madhështia e saj dhe nga faktori që e bëri të
popullarizuar që kur elita e aristokracisë evropiane e vizitoi për herë të parë
rreth 150 vjet më parë.
Kur
pashë trenin që lëvizte në mënyrë të ngadaltë përmes errësirës, mendova me habi
se sikur të kishte një gojë dhe të fliste, ky tren çfarë historie do të na
rrëfente? Mezi prisja të hipja në të dhe të zbuloja nëse ishte një tren i vërtetë.
Shpella e Postojnës nuk ishte si shpellat e tjera; ajo kishte hapësira të
pabesueshme dhe lartësi që të linte pa frymë, duke të bërë të ndihesh sikur
ishe në një park të madh të stalagmiteve dhe stalaktiteve, ku çdo hap i rinovon
magjinë e saj.
Për
habinë time, nuk ndjeva ftohët, përkundrazi, ndihesha e ngrohtë si në një
përqafim fëmije. Nën këmbët tona shtriheshin sipërfaqe të buta, të ngjashme me
një tepih gome, që ndiheshin si një prekje delikate çdo herë që hapat i
lehtësoheshin mbi to. Ndjeva një liri të veçantë, duke u ambientuar në këtë
hapësirë magjike. Ishte interesante të shihja turistët që ishin ulur dhe
admironin këtë raritet natyror, ndërsa ne qëndruam më gjatë se sa kishim
planifikuar. Unë dhe ciceronja u bëmë të fundit që u larguam, ndërsa grupi ynë
kishte zënë vend në restorantin përkrah dhe po shijonin kafetë e merituara. Iu
bashkëngjitëm dhe ne, dhe për një kohë të gjatë biseda vazhdoi mbi bukurinë dhe
madhështinë e shpellës që sapo kishim vizituar.
Edhe
tani, nga distanca e kohës, mendoj se çdo kush që viziton Lubjanën do të bënte
mirë të mos humbiste mundësinë për të eksploruar Shpellën e Postojnës, një
krijesë mahnitëse e natyrës.
Të
nesërmen, edhe pse të lodhur, vazhduam me takimet e planifikuara dhe përjetuam
bukuritë e qytetit. Vizituam Kështjellën e qytetit, një atraksion i veçantë dhe
mbresëlënës. Nga ky vend, panorama e qytetit shtrihej nën këndvështrimin tonë,
dhe në një kinema të vendosur në kuadër të kësaj pjesë, na u shfaq historia dhe
ndërtimi i qytetit në një formë tridimensionale. Për herë të parë përdorëm syza
për të mbrojtur sytë nga reflektimet. Drekuam në një restorant që ndodhej në
pjesën më të vjetër të kështjellës, dhe për të thënë të vërtetën, kishte një
atmosferë paksa të frikshme, duke u bërë kështu një pjesë e paharrueshme e
vizitës sonë.
Lubljana,
qyteti i ngrohtë dhe i gjallë, përmban edhe dy sheshe të tjera të mëdha dhe të
magjishme: Sheshi i Kongresit dhe Sheshi i Republikës. Sheshi i Kongresit, me
madhështinë e tij që rritet dhe përshtatet me epikën e arkitekturës, është më i
gjerë se Sheshi i Presherenit. Në këtë shesh ndodhen objektet e jashtëzakonshme
të Universitetit dhe Filharmonisë, të cilat përfaqësojnë përkushtimin e qytetit
ndaj kulturës dhe arsimit. Në qendër të këtij sheshi, një park i gjelbër dhe i qetë
ofron një hapësirë për lublanasit që kërkojnë relaksim dhe qetësi, ku ata
kalojnë kohën e lirë duke shijuar bukurinë e natyrës dhe shoqërinë e
njëri-tjetrit.
Nga
ana tjetër, Sheshi i Republikës, megjithëse i gjerë dhe i hapur, është më i
thjeshtë dhe nuk ka monumente që të tërheqin vëmendjen në mënyrë të veçantë.
Rreth këtij sheshi shtrihen ndërtesa të larta dhe dy monumente të mëdha, por
ndryshe nga Sheshi i Kongresit, ai nuk karakterizohet për ndonjë strukturë të
veçantë. Afër Sheshit të Republikës, ndodhet Muzeu Kombëtar dhe pak më tutje
Galeria Kombëtare, që e pasurojnë zonën me arte dhe histori.
Në
ditën e fundit të vizitës sonë, nikoqiret na drejtuan për një drekë në Parkun
Tivoli, përballë Galerisë Kombëtare. Ky park, i cili shtrihet mbi pesë kilometra
katrorë, është më i madhi në Lubjanë dhe ofron një larmi atraksionesh.
Shëtitorja Jakopiq dhe Kalaja Tivoli, që strehon një muze arti dhe Muzeun e
Artit Bashkëkohor, janë disa nga thesaret që ndodhen brenda parkut. Salla e
famshme Tivoli, ku zhvillohen aktivitete sportive dhe kulturore, gjithashtu
është pjesë e këtij parku madhështor. Në mes të shëtitjeve dhe ndjekjes së
bukurive të parkut, një shi i papritur që ra me rrebeshe, i dha një freski dhe
një bukuri të jashtëzakonshme këtij vendi të mahnitshëm.
Sllovenia,
e ndodhur si një bijë e ndritur e Evropës jugore, është një shtet i vogël por i
mbushur me pasuri historike dhe natyrore që të lë pa fjalë. Ky vend, që
shtrihet në këndin e Alpeve dhe përshkohet nga të gjitha bukuritë e natyrës,
ngjall një ndjenjë të veçantë admiromi për organizimin dhe funksionimin e saj.
Republika
e Sllovenisë është një gur i çmuar në bregdetin e Adriatikut, në jug-perëndim,
me Italinë që përshkon perëndimin e saj, dhe një klimë mesdhetare që ndihmon në
formimin e këtij peizazhi të mrekullueshëm. Në lindje-perëndim, ajo kufizohet
me Hungarinë, dhe në veri me Austrinë, duke u pozicionuar si një lidhëse mes
kulturave dhe traditave të ndryshme. Ky vend është pjesë e Bashkimit Evropian,
NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara, duke ruajtur një status të veçantë si një
republikë parlamentare. Kryeqyteti dhe qendra më e madhe e saj është Lubjana,
një qytet që ndriçon me shkëlqim dhe ngrohtësi.
Territori
i Sllovenisë është një mozaik malor, me një klimë që ndryshon në mënyrë të
mahnitshme: nga klimë kontinentale në pjesën e përgjithshme, deri në një klimë
mesdhetare në bregdet dhe një klimë alpine në veri-perëndim. Alpet Dinarike dhe
Fusha Pannoniane përplasen dhe krijojnë një peizazh të ndërlikuar dhe të bukur.
Me një sipërfaqe prej 20,251 km² dhe një popullsi rreth 2 milion banorësh,
Sllovenia është e vogël në dimensionet e saj, por e madhe në bukuri dhe
diversitet. Popullsia e saj është kryesisht sllovene (88%), ndërsa pakicat
kroate dhe serbe kontribuojnë në mozaikun kulturor të këtij vendi të
mrekullueshëm.
Relievi
i Sllovenisë është një përzierje e magjishme, që fillon me brigjet e buta të
Adriatikut dhe vazhdon me katundet e mbushura me tradita, malet e ngjitura dhe
bjeshkët e mbuluara me borë, që ndahen nga lumenjtë e kristaltë në veri dhe
verilindje.
Pika
më e ulët e këtij terreni është në bregdetin e shndritshëm të Adriatikut,
ndërsa majat e larta dhe të fuqishme të malit Triglav shtrihen në 2,864 metra
mbi nivelin e detit, duke ofruar një pamje mbresëlënëse dhe madhështore të
këtij vendi të bukur.
Në
përmbyllje të vizitës sonë, zemrat tona ishin të mbushura me ngrohtësi nga
mikpritja e jashtëzakonshme që morëm nga kolegët sllovenë. Çdo moment i këtij
udhëtimi ishte një rrugëtim në botën e njohurive të reja, një rrugëtim që na la
të pasuruar me eksperienca të çmuara, të cilat mezi prisnim t’i shndërronim në
veprime konkrete për përmirësimin e ligjeve dhe vendimeve tona.
Sllovenia,
me bukurinë dhe mençurinë e saj, u shndërrua si një yll udhëheqës në horizontin
tonë, një pikë referimi e ndritshme për shkëmbimin e përvojave parlamentare. Në
vitet që pasuan, ajo vazhdoi të jetë një burim frymëzimi dhe një model i
admirueshëm për ne, duke e ngjallur atë magji që na kishte prekur gjatë këtij
udhëtimi të paharrueshëm.