Speciale » Basha
Sabile Basha: Delegacioni i deputetëve të Parlamentit të Kosovës vizitë në Parlamentin e Kroacisë
E marte, 10.09.2024, 06:59 PM
DELEGACIONI I DEPUTETËVE TË PARLAMENTIT TË KOSOVËS VIZITË NË PARLAMENTIN E KROACISË
Nga
Prof. Dr. Sabile keçmezi-Basha
Muajt
kalonin, ndërsa ne, deputetët e Kuvendit të Kosovës, me këmbëngulje dhe
përkushtim po ecim drejt miratimit të ligjeve të reja që bartnin barrën e
shpresave të një populli të shumëvuajtur. Çdo hap që hedhim, çdo fjalë e ligj
që kalon nëpër duart tona, është një betejë për të ardhmen e vendit, për lirinë
e fituar me aq mund. E kaluara na qëndron afër, si një hije që ende mund ta
ndjejmë me dorë, por e ardhmja kërkon kurajo. Ishim të ndarë në grupe
parlamentare dhe komisione, por kur vinte fjala për Kosovën, ishim një, të
bashkuar si gardianë të një thesari të çmuar që e ruanim me çdo frymë.
Në
çdo delegacion që ndërmerrnim, në çdo takim ndërkombëtar, ne nuk ndjenim
dallimin mes partive që përfaqësonim. Fryma jonë ishte e pandarë, si ajri që
thith Kosova, dhe qëllimi i përbashkët – mbrojtja e fitoreve që i sollëm
atdheut. Nëpër rrugët tona përpara, si një shpatë e mprehtë që ende rri pezull
mbi kokën tonë, qëndronte kujtesa e okupimit nga pushtuesi që sapo kishte ikur.
Por ne, me guxim dhe besim, ishim të gatshëm të përballeshim me çdo sfidë, të
luftonim për çdo gjë që na përkiste. Kosova ishte forca jonë e përbashkët, dhe
me të e për të, nuk kishte asgjë që nuk mund të tejkalonim.
Falë
dashurisë së madhe të popullit shqiptar dhe përkrahjes së fortë ndërkombëtare,
ne ishim ata që ishim, duke ecur krenarisht në udhën e çlirimit të vendit. Çdo
hap drejt lirisë ishte i mundur për shkak të besimit dhe përpjekjeve të një
kombi të bashkuar dhe përkrahjes nga miqtë tanë të huaj. Ishte kjo mbështetje
që na kishte sjellë deri këtu, me krahët e lirisë të hapur.
Një
të hënë, në parlament na njoftuan për një vizitë në Parlamentin e Kroacisë, një
grup deputetësh që do të merrnim pjesë në këtë delegacion të veçantë. Një
ndjenjë gëzimi na përshkoi, pasi vizita ishte një mundësi e artë për të
përfituar nga përvoja e një vendi që kishte kaluar rrugën e saj të lirisë. Me
Kroacinë dhe popullin kroat, lidhjet tona kishin qenë gjithmonë të thella, edhe
në kohërat më të vështira kur ndanim të njëjtin kulm nën një shtet të përbashkët.
Kur
kohët kishin qenë të errëta, politikanët kroatë kishin dalë hapur për të na
përkrahur në luftën tonë për liri. Dhe tani, nuk ishte fare çudi që po
ktheheshim në këtë vend mik, i cili, me krenari, kishte shpallur pavarësinë nga
ish-Jugosllavia më 25 qershor 1991, një dekadë para nesh. Kjo vizitë ishte një
kujtesë se liria mund të vijë, por kërkon guxim dhe përkrahje nga ata që ndajnë
të njëjtat ideale.
Në
parlament, morëm oraret e nisjeve dhe të takimeve që do të zhvillonim gjatë
vizitës. Edhe pse kishim jetuar dikur nën të njëjtin shtet, dhe unë kisha
kaluar më parë nëpër Kroaci, kishte ende shumë për të mësuar. Për të rifreskuar
njohuritë, nxora disa libra nga raftet dhe kërkova më shumë informacion në
internet. Këto të dhëna të freskëta ishin një fillim i mirë për të përgatitur
vizitën në këtë vend mik, të cilin e ndjenim aq afër në zemrat tona.
Republika
e Kroacisë, që shtrihet në zemrën e Evropës Qendrore dhe Juglindore, është një
thesar natyror që prek bregdetin magjepsës të Adriatikut, ku dallgët e detit
përplasen me shkëmbinjtë e lashtë. Kryeqyteti i saj, Zagrebi, një qytet plot
jetë dhe gjallëri, mban në krah historinë dhe traditën, duke qenë gjithashtu më
i madhi ndër të gjithë qytetet kroate. Në këtë vend ku ndërthuren kultura dhe
natyra, Kroacia është bërë pjesë e Bashkimit Evropian, duke e forcuar edhe më
tej lidhjen e saj me botën moderne.
Në
veri shtrihet rajoni kroat, ndërsa në jug dalmatin, ku qytete të lashta si Zara
flasin për historinë e gjatë dhe të ndërlikuar. Këtu, ndër brigje dhe kodra,
jetojnë arbëreshët, duke mbajtur të gjallë gjurmët e kulturës së tyre të
lashtë. Kufizohet me Hungarinë në veri, Serbinë në lindje, Bosnjë e
Hercegovinën dhe Malin e Zi në juglindje, ndërsa deti Adriatik valëzon në
jugperëndim dhe Sllovenia e përqafon nga veriperëndimi. Gjeografikisht, Kroacia
shtrihet në një hapësirë që përfshin mes gjerësive 42° dhe 47° e gjatësive 13°
dhe 20°, duke kapur një sipërfaqe prej 56,594 km² dhe strehon rreth 4.5 milion
banorë.
Me
një dendësi prej vetëm 80 banorësh për kilometër katror, Kroacia qëndron e qetë
në krahasim me fqinjët e saj të ish-Jugosllavisë. Ky vend i vogël, me më shumë
se një mijë ishuj të shpërndarë si margaritarë në detin blu, ku 48 prej tyre
janë të banuar përhershëm, mbetet një parajsë për ata që kërkojnë bukuri
natyrore. Ishujt Cres dhe Kërk, secili me sipërfaqe prej rreth 405 km², janë më
të mëdhenjtë, duke sjellë një ndjenjë të pafundësisë në këtë vend të vogël, por
të madh në shpirt.
Kroacia
është e pasur me lumenj si Sava, Drava, Kupa dhe Danubi, që rrjedhin në mënyrë
të pandërprerë, duke mbajtur gjallë jetën dhe historinë e këtij vendi. Në
gjirin e saj të thellë fshihen shpella misterioze, 49 prej të cilave janë më të
thella se 250 metra. Si kurora e natyrës, liqenet e Plitvicës shkëlqejnë me ngjyrat
e tyre të mahnitshme, ku ujëvarat lidhen me njëra-tjetrën në një simfoni të
mrekullueshme të natyrës. Me ngjyra që luhaten nga menteja, e grishta, deri në
blunë më të thellë, këto liqene janë si një magji që mbulon këtë vend të
lashtë.
Malet
e larta, si Velebiti, Biokova, Kapela e Madhe dhe e Vogël, Pleshevica dhe të
tjerë, qëndrojnë si rojtarë të përjetshëm të Kroacisë, duke ofruar peizazhe të
rralla dhe të jashtëzakonshme. Në këtë tokë të bekuar, çdo kodër, lumë dhe det
flet për historinë dhe bukurinë që nuk shuhet kurrë.
Pas
dy ditësh, me 10 nëntor 2002, të gjithë u gjendëm në aeroport, gati për të
fluturuar drejt Zagrebit. Ishte një fluturim i këndshëm, ku momentet e kaluara
në biseda plot humor përzihej me mendimet për takimet e rëndësishme që na prisnin.
E dinim se kjo nuk ishte një detyrë e lehtë, të përfaqësoje vendin në
delegacione të tilla kërkonte përgatitje dhe përkushtim. Çdo deputet kishte
bërë përgatitjet e duhura, me përgjegjësinë për të paraqitur Kosovën në mënyrën
më dinjitoze të mundshme.
Arritëm
në Zagreb më herët se sa e kishim parashikuar dhe menjëherë u vendosëm në
hotelin që qëndronte krenar në zemër të qytetit. Zagrebi na priti me gjallërinë
dhe hijeshinë e tij të veçantë. Qyteti, me gjithë madhështinë e tij, nuk të
lodhë asnjëherë. Çdo vend i rëndësishëm që dëshironim të vizitonim ishte pranë
nesh, si një ftesë e hapur për të zbuluar magjinë që fshihej në çdo cep.
Pas
një çlodhjeje të shkurtër, vendosëm të shfrytëzonim rastin dhe të shijonim
bukurinë e këtij qyteti të përjetshëm. Kisha lexuar dikur se Zagrebi ndahej në
dy pjesë kryesore – qytetin e Poshtëm dhe atë të Epërm. Ne ndodheshim në zemrën
e qytetit të Poshtëm, aty ku qëndronte krenar Sheshi Bane Jelaçiç, që mbante
emrin e Josip Jelaçiç Bužimskit, një figurë madhore në historinë e Kroacisë. Ai
kishte luftuar kundër rebelëve hungarezë gjatë Revolucionit të vitit 1848 dhe
kishte ndikuar në çlirimin e Kroacisë nga robëria.
Drekë në Parlamentin e Kroacisë (12 nëntor, 2002)
Monumenti
i tij, i ngritur në vitin 1866, qëndronte dikur në qendër të Zagrebit si një
simbol i trimërisë së popullit kroat, por komunistët e kishin hequr atë pas
Luftës së Dytë Botërore. Vetëm në vitin 1990, ai ishte rikthyer në vendin e
tij, si një kujtim i pashuar i historisë dhe krenarisë së këtij populli. Tani
qëndronte aty, i përjetshëm, një dëshmitar i kohëve të, ndryshme, ndërsa ne, si
kalimtarë të përkohshëm, ndiheshim të lidhur me këtë histori të lashtë, ndërsa
ecnim mbi pllakat e sheshit, të mbështjellë nga ndjesia e përbashkët e lirisë dhe
përkushtimit ndaj vendit. Në vazhdën e shtegtimit tonë nëpër sheshin e
Zagrebit, na ra në sy një shatërvan i mrekullueshëm, i njohur si shatërvani
Manduševac. Përmes legjendave dhe kujtimeve të lashta, thuhet se pikërisht ky
burim është ai që i dha emrin qytetit të Zagrebit. Në kohët e vjetra, aty
qëndronte burimi Manduševac, dhe sipas rrëfimeve të vjetra, aty vajza Manda
takoi një kalorës që, me zërin e tij të ngrohtë, i kërkoi ujë: "Mande, më
jep pak ujë!" Kështu nisi historia e tyre dhe, si një kujtim i përjetshëm,
burimi u bë simbol i qytetit.
Gjatë
shekullit të 19-të, Manduševaci u varros nën pluhurin e kohës dhe u harrua nga
njerëzit, por fati deshi që ai të rilindte në shekullin e 20-të, kur u zbulua
sërish dhe u shndërrua në një shatërvan madhështor që tani ndriçon sheshin.
Historia e shatërvanit na bën të reflektojmë mbi të kaluarën dhe lidhjet e
thella që njerëzit kanë me tokën e tyre, me ujin që buron dhe legjendat që e
rrethojnë.
Pas
një nate të qetë dhe të rehatshme, si një përqafim i butë i natyrës, u zgjuam
me energji të rinovuar dhe shpirtin e ngarkuar për takimet që na prisnin. Ditën
e filluam me një ndjesi freskie dhe përgatitje të palodhur për bisedat që do të
zhvilloheshin. Takimi i parë ishte me një njeri të rëndësishëm – Vladimir Šeks,
kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, i cili në këtë post ndodhej që nga viti
2000 deri në vitin 2003, anëtar i Partisë Demokratike të Zagrebit (HDZ). Kur
kaluam pragun e ndërtesës së parlamentit, një grup deputetësh na pritën me
ngrohtësi dhe miqësi të
sinqertë.
Atmosfera ishte e ngrohtë dhe e përzemërt, dhe të gjithë dukeshin të gatshëm
për të mbështetur kauzën tonë me të njëjtën pasion dhe përkrahje që ndjehej në
ajrin e pasur me shpresë.
Takimi
me kryetarin nisi pikërisht në ora 10. Ishte një moment i rëndësishëm për ne.
Kryetari na priti me ngrohtësinë e dikujt që kishte jetuar në praninë e sfidave
dhe fitoreve të ngjashme. Me fjalë plot ndjeshmëri, ai hapi takimin duke na
uruar mirëseardhjen dhe duke na siguruar se Kroacia do të jetë gjithmonë
përkrah nesh në çdo hap të udhëtimit tonë.
"Ne
e dimë mirë rrugën që keni përshkuar," tha ai me zërin e tij të qetë,
"por gjithnjë kam thënë se rruga juaj ishte më e vështirë se e jona. Ju
ishit një krahinë nën Serbinë në kuadër të Jugosllavisë, ndërsa ne, edhe atëherë,
kishim më shumë autonomi si shtet brenda Jugosllavisë." Ai na përgëzoi për
arritjet tona dhe për vendosmërinë tonë në ndërtimin e një shteti të drejtë,
multietnik, dhe të barabartë për të gjithë.
Në sallën e Kryesisë së Parlamentit kroat (12 nëntor 2002)
Në
fjalët tona, ne ndamë me ta sfidat që hasnim në rrugën e gjatë të ndërtimit të
së ardhmes. Kështu, përmes këtij dialogu, ndjeva se lidhja jonë me Kroacinë u
forcua akoma më shumë, duke u bazuar në solidaritetin dhe përkrahjen reciproke
në momente të rëndësishme të historisë sonë.
Ne
e çmonim lirinë e çdo njeriu, sepse e dinim mirë peshën e robërisë. Ishte e
vështirë të flisje për plagët e kohës, por me dinjitet i ndamë me të tjerët
përpjekjet tona, sfidat e vazhdueshme dhe pengesat që na dilnin përpara. Në atë
takim kërkonim përkrahje për të ndërtuar ligje që do të kishin si shembull
Kroacinë, Slloveninë, dhe shtetet e tjera demokratike përreth. Pas dy orësh
diskutimesh, dolëm nga aty si të rilindur, me zemrat e mbushura me shpresë dhe
mirëkuptimin e pafund të parlamentit kroat.
Gjatë
kësaj vizite, morëm pjesë në shumë takime të tjera që ishin po aq të ngrohta
dhe të mbushura me përkrahje. Një grup deputetësh u ofruan që të na ndihmonin
në çdo kërkesë që mund të kishim, dhe pyetjet tona morën përgjigje me një
ndjenjë vëllazërore që nuk e kishim përjetuar deri atëherë. Në bisedën me dy
deputete, të cilat i luta të më tregonin se ku mund të blija librat e Stipe
Shuvarit, një ish-politikan i rëndësishëm kroat që kishte lënë gjurmë edhe pas
shpërbërjes së Jugosllavisë. Me mirësinë e tyre të pakushtëzuar, ato më
premtuan se të nesërmen do të më çonin në librari për t'i blerë.
Por
për çudi, të nesërmen nuk më sollën vetëm dy libra siç prisja, por të gjithë
librat e Stipe Shuvarit. Nxora paratë nga xhepi për t'i paguar, por ato
buzëqeshën dhe më thanë, "Jo, kurrsesi. Këto janë një dhuratë nga
parlamenti." Ngula këmbë që t’i paguaja, sepse ishin libra shumë të
rrallë, por ato refuzuan edhe të dëgjonin për pagesën. Më në fund, më ofruan
një zgjidhje solomonike: "Kur të shkoni në Prishtinë, na shkruani se keni
arritur mirë dhe na dërgoni ndonjë libër nga dora juaj." E prita me kënaqësi
këtë marrëveshje dhe premtova se ashtu
do të bëja. Pas një viti, botova një libër dhe iu dërgova atyre, sepse nuk
desha të mbetesha borxhli.
Sabile Keçmezi-Basha dhe Sala Ahmeti (deputete)
Në
pasdite, me një grup grash deputete të parlamentit kroat, drekuam së bashku dhe
eksploruam qytetin e bukur të Zagrebit, një qytet që nuk të lodh, por të mbush
me energji dhe frymëzim. Kudo ku shkonim, ndjenim atë lidhjen e thellë që na
bashkonte në përpjekjet tona për liri dhe për të ndërtuar një të ardhme më të
mirë për të gjithë.
Ato,
me krenari të madhe, na shpalosnin bukuritë e qytetit, duke na rrëfyer
historinë e çdo vendi që prekëm me hapat tanë. Ndërsa kalonim nëpër Sheshin e
Bane Jelaçiqit, gjetëm rrugën më të bukur dhe më të gjallë të Zagrebit –
Tkalçiçeva. E emëruar sipas priftit dhe historianit Ivan Tkalçiq, kjo rrugë jo
vetëm që ishte e mbushur me kafene dhe restorante, por mbante në gjirin e saj
edhe një orë diellore, përballë së cilës qëndronte skulptura e gazetares dhe
shkrimtares së njohur, Marija Juri? Zagorka, e cila ishte e para që kishte
lançua një revistë kroate për gratë.
Guida
jonë, e cila na udhëhoqi me shumë kujdes, na zbuloji një sekret të veçantë të
këtij qyteti të mbushur me sharm. "Në këtë qytet," na tha ajo me
ngrohtësi, "mund të shijoni ushqim kudo – jo vetëm në restorante të
njohura, por edhe në kioska të thjeshta përgjatë rrugëve. Mos kini frikë, hani
pa ngurrim, sepse ushqimi këtu është i pastër dhe i shkëlqyer." Si një
thirrje për aventurë kulinarie, fjalët e saj ishin si një udhëzues për një
udhëtim të shijshëm. Dhe ne, me kënaqësi të thellë, u dorëzuam në kënaqësitë e
ushqimeve që kuzhinierët kroatë të përkushtuar na ofruan, duke shijuar çdo
kafshatë si një festë për shqisat tona.
Rruga
që na u bë pjesë e përditshmërisë ishte Ilica, rruga kryesore e Zagrebit, një
nga më të gjatat dhe më të vjetrat në qytet, zemra tregtare dhe biznesore e
tij. Ajo shtrihej nga Sheshi Ban Jelaçiç deri në rrugicat e Bolonjës. Nëpër të
kalonin tramvajet e famshëm të Zagrebit, dhe ajo njihej për numrin e madh të
shtëpive – mbi 500 prej tyre qëndronin me krenari përgjatë rrugës.
Gjatë
ecjes sonë nëpër Ilica, ciceronia na këshilloi të vizitonim tunelin e Griçit,
hyrja e të cilit ndodhej në Ilica 8. Ky tunel ishte ndërtua gjatë Luftës së
Dytë Botërore, dhe pas saj, autoritetet menduan për mënyrat e shfrytëzimit të
tij – disa ide përfshinin kthimin në garazh apo strehimore bërthamore, por
asnjëra nuk u realizua. Gjatë luftës së viteve 1990, tuneli shërbeu si strehë
për njerëzit, dhe më vonë u përdor për tubime dhe ngjarje kulturore. Pas
restaurimit, ai u hap për publikun në vitin 2016, duke shërbyer si një urë që
lidhte Qytetin e Poshtëm me Qytetin e Epërm, një korridor plot histori dhe
kujtime, me një gjatësi prej 350 metrash.
Përveç
bukurive që pamë, ciceronia na tregoi me krenari për teleferikun e Zagrebit,
një thesar i vogël, i cili mbahej si teleferiku më i shkurtër në botë – vetëm
66 metra gjatësi! Ky teleferik i lidhte me delikatesë Qytetin e Poshtëm dhe të
Epërm, dhe e gjithë rruga zgjaste vetëm 1 minutë e 4 sekonda. Pa hezitim, u
ngjitëm në të, për të provuar këtë përvojë të veçantë.
Në
Qytetin e Poshtëm, teleferiku niste nga rruga Tomi?eva, që të çonte në Ilicë,
ndërsa në Qytetin e Epërm, stacioni ndodhej në shëtitoren Strossmayer, pranë Kullës
Lotrš?ak. Ky teleferik, i ndërtuar në fund të shekullit të 19-të, kishte nisur
të funksiononte që nga viti 1893, fillimisht me një motor avulli, i cili më
vonë u zëvendësua me një elektrik në gjysmën e parë të shekullit të 20-të. Me
pamjen e tij të paprekur, teleferiku ruhej si një monument kulture, dhe na
treguan se çdo ditë, nga ora 7:30 e mëngjesit deri në 10 të mbrëmjes, ai
transportonte vizitorët çdo 10 minuta.
Kur
zbritëm në stacionin e Qytetit të Epërm, ciceronia na sugjeroi të vizitonim
Kullën Lotrš?ak – simbolin e Zagrebit, qëndruar pranë teleferikut si një rojë e
përjetshme. Kjo kullë, e ndërtuar në shekullin e 13-të, ishte një nga pjesët më
të ruajtura të ish-fortifikimit të qytetit, dhe mori formën e saj të sotme në
shekullin e 19-të. Emrin e kishte marrë nga kambana që, në mesjetë, binte para
mbylljes së portave të qytetit, një kujtesë e qetësisë së natës që po afrohej.
Sot, ajo njihet për topin grek që çdo ditë, në mesditë, shkrepej që nga viti
1877, për të njoftuar banorët me zërin e tij të fuqishëm. Topi, megjithatë,
heshti për disa vite pas Luftës së Parë Botërore dhe sërish ndaloi së shkrepuri
pas dëmtimeve të shkaktuara nga tërmeti i vitit 2020.
Kulla
Lotrš?ak ftonte këdo që të ngjitej në majën e saj, ku një panoramë mahnitëse e
Zagrebit shtrihej përpara syve tanë, si një tapiceri e gjallë me ngjyra.
Përreth kullës, shëtitorja Strossmayer ofronte një ecje të qetë, duke u ngritur
mbi qytet dhe duke të dhënë mundësinë të përshëndesje horizontin e gjerë të
Zagrebit, me të gjitha sekretet dhe historitë e tij të lashta.
Siç
e kam përmendur më parë, të gjitha atraksionet e qytetit ishin afër
njëra-tjetrës, duke na dhuruar një përvojë të lehtë dhe të këndshme, pa lodhjen
e tepërt të udhëtimit. Duke ecur nëpër shëtitoret e Zagrebit, na përmendën me
krenari dy parqe që na tërhoqën vëmendjen: Gri? Parku, që strehonte gërmime
arkeologjike, dhe parku Bela IV, i emërtuar sipas mbretit hungarez, i cili në
vitin 1242 shpalli Zagrebin qytet të lirë mbretëror me Demin e Artë, duke
urdhëruar ndërtimin e fortifikimeve që përfshinin dhe Kullën Lotrš?ak, simbolin
e përhershëm të këtij qyteti të lashtë.
Ndërsa
dita po largohej ngadalë dhe natën nuk e vumë re si depërtoi në çdo qoshe të
qytetit, u gjetëm duke nxituar për të marrë pjesë në darkën me deputetët kroatë,
një nder që na fali një natë të mbushur me diskutime e ngrohtësi miqësore.
Qëndrimi
ynë në Zagreb ishte i shkurtër, vetëm tre ditë të mbushura me takime, dhe dita
tjetër na priste me orë të ngjeshura aktivitetesh. Kishim takime të frytshme me
grupe të ndryshme parlamentare, dhe çdo bisedë na përçonte përkrahje dhe
kurajë. Ata na kujtuan se kishim fituar një luftë të vështirë, por fitimtare,
dhe tani, me lirinë në duart tona, ishim në prag të ndërtimit të një shteti të
fortë dhe të drejtë për ne dhe gjeneratat që do të vinin. "E shihni,"
tha një deputete me një buzëqeshje të ngrohtë, "më e keqja ka kaluar. Tani
është koha që të shijoni frutat e sakrificave tuaja. Armiku është mposhtur dhe
hakmarrja më e madhe ndaj tij është Kosova sovrane dhe e pavarur."
Në
fund të shumë bisedave të thella dhe ndarjeve miqësore, ata na falën një
dhuratë të çmuar – Kushtetutën e Kroacisë, e shoqëruar me shumë ligje, si një
simbol i mbështetjes dhe solidaritetit të tyre për Kosovën në rrugën e saj
drejt ndërtimit të një shteti të pavarur dhe të drejtë.
Pas
drekës së ngrohtë me grupin e deputetëve kroatë, u nisëm sërish në udhëtim
drejt thellësive të Zagrebit, nën shoqërimin e cicerones, e cila me pasion na
rrëfente historitë e qytetit. Rrugët e tij u shpalosën para nesh, me një jetë
dhe gjallëri që vetëm qendrat historike të qyteteve të mëdha mund të
përcjellin. Pak metra nga Kulla Lotrš?ak, në zemrën e sheshit Katarina Zrinska,
qëndronte krenare Kisha e Shën Katarinës. Një ndërtesë që lartësohej jo vetëm
në formë, por edhe në shpirt, një kishë e ndërtuar në fillimet e shekullit të
17-të, në vendin ku dikur qëndronte një kishë më e vjetër domenikane, tashmë e
zhdukur. Jezuitët që erdhën në Zagreb në atë kohë e gjykuan të vogël dhe të
papërshtatshme kishën e vjetër, ndaj e shembën dhe ndërtuan një kryevepër
baroke që lartësohet sot, duke u konsideruar si një nga më të bukurat në vend.
Një shenjë e përjetshme e kohëve që ndërtojnë e rindërtojnë historinë
njerëzore.
Pranë
Kishës së Shën Katarinës, ishte ndërtuar një manastir, që tashmë ishte
shndërruar në një galeri arti, një hapësirë ku skulpturat e shumta të artistëve
të ndryshëm flisnin në heshtje me një gjuhë të përjetshme, ku secila gdhendje
ishte një urë mes së shkuarës dhe së tashmes. Në sheshin e Jezuitëve, galeria
ishte një tjetër thesar i fshehur i qytetit, një vend që vlente të vizitohej
për të parë se si arti dhe historia bashkohen në një harmoni të përsosur.
Duke
mos dashur të humbisnim asnjë detaj të këtij qyteti që rrezatonte kaq shumë
histori, vijuam përpara. Jo shumë larg nga Kisha e Shën Katarinës, shfaqej
madhështore Kisha e Shën Markut – një nga ikonat më të famshme të Zagrebit dhe
një simbol i pashlyeshëm i tij. E ndërtuar në shekullin e 14-të dhe e rinovuar
me përkujdesje në shekullin e 19-të, kjo kishë ishte si një udhëtim në kohë,
një lidhje mes epokave të hershme dhe atyre moderne, e mbushur me madhështi dhe
një qetësi që vetëm tempujt e lashtë mund të ofrojnë. Rrugët e Zagrebit na
ftonin të përjetonim gjithnjë e më shumë, teksa ecnim mes rrëfimeve të gurëve të
tij, që flisnin për shekuj plot ndodhi e kujtime.
Kisha
e Shën Markut ndriçon më së shumti përmes çatisë së saj, e cila është zbukuruar
me stemat që flasin për lavdinë e Mbretërisë Triune të Kroacisë, Sllavonisë dhe
Dalmacisë – në të majtë, dhe stema e qytetit të Zagrebit – në të djathtë. Është
një detaj intriguese se, ndërsa stema e qytetit të Zagrebit është aktualisht
blu që nga fundi i shekullit të 19-të, gjatë periudhës së restaurimit dhe
dekorimit të çatisë, ajo ishte e kuqe. Si pasojë, për të ruajtur autenticitetin
historik, stema e kuqe u ruajt dhe qëndron e pa ndryshuar edhe sot e kësaj
dite.
Afër
kishës së Shën Markut, ndodhet Porta e Gurit, një pasuri historike e ruajtur me
kujdes, një nga monumentet më të vjetra që mbijetojnë nga periudha mesjetare e
Zagrebit. Në të vërtetë, Porta e Gurit është një kullë drejtkëndëshe me një
kalim – e vetmja nga katër portat (kullat) që dikur rrethonin Zagrebin e
vjetër, atëherë të njohur si Gradec. Ndërtuar në shekullin e 13-të, në të
njëjtën kohë me kullën e Lotrš?ak, Porta e Gurit mori pamjen e saj të sotme në
shekullin e 18-të.
Porta
e Gurit është një vend i shenjtë për qytetarët, një ndalesë për besimtarët që
ndezin qirinj çdo ditë në nder të Nënës së Zotit. Në kalimin e saj të ngushtë,
vërehen pllakat e mermeri të cilat janë të mbushura me mesazhe mirënjohjeje,
fjalë falënderimi për lutjet e pranuara. Duke kaluar nën këtë portë të shenjtë,
lexova me kujdes shumë nga këto mesazhe të përkryera, fjalët e njerëzve që në
ditët më të vështira të jetës, kishin lënë fjalët më të sinqerta për ndihmën
dhe mbështetje që kishin marrë. Secila pllaka mermeri kishte ndihmuar në
ndërtimin e një lidhjeje të thellë dhe të ndjeshme midis shpirtit të qytetit
dhe besimit të tij të përjetshëm.
Pasditja
na solli në Sheshin Zrinjevac, një oazë të bukur që mbante emrin e heroit të
madh Nikola Šubi? Zrinski. Në zemrën e këtij parku të mbushur me ngjyra dhe
aromë të freskët, qëndronte një pavijon muzikor, i arritshëm përmes një rrugice
të qetë dhe të mbushur me gjelbërim. Në mes të parkut, një kolonë e lashtë
meteorologjike qëndronte si një dëshmitar i heshtur i kalimeve të kohës.
Përreth këtij sheshi të bukur, qëndronin ndërtesa të rëndësishme, si Muzeu
Arkeologjik dhe Akademia Kroate e Shkencave dhe Arteve, që i jepnin një ndjesi
të veçantë qytetit.
Përpara
se të ndalonim në këtë vend të mrekullueshëm, ciceronja jonë na tërhoqi
vëmendjen për të zbuluar Sheshin e Republikës së Kroacisë, i cili, sipas disa,
është sheshi më i bukur në të gjithë Zagrebin. Në qendër të tij, Teatri
Kombëtar Kroat ngrihej me një madhështi që të rrëmbente frymën dhe i jepte
sheshit një dominim të veçantë.
Pas
këtij ekskursioni të mrekullueshëm, ne u drejtuam në Mirogoj, i cili mund të
përkufizohej ndryshe si Panteoni Kroat. Kjo varrezë monumental është më shumë se
një vend për t’u kujtuar ata që kanë shkuar. Mirogoj është një park skulpture
dhe një oazë paqeje që ndodhet në shpatet e malit Medvednica. E konsideruar si
një nga varrezat më të bukura në Evropë, Mirogoj është vendi ku prehen shumë
figura të shquara dhe artistike të kombit kroat, duke i dhënë kështu një
rëndësi të veçantë.
Pas
një dite të ngarkuar dhe të mbushur me të bukura, ne ishim mjaft të lodhur dhe
u kthye në hotel, duke e ditur se nesër na priste një udhëtim që do të na
rikthente në vendin e shqipeve, në një pasazh që kishte nisur të mbushej me
nostalgji dhe kujtime të çmuara.