Speciale » Basha
Sabile Basha & Tefik Basha: Dubai, vend i mrekullive
E premte, 27.09.2024, 07:06 PM
BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH...
DUBAI-
VEND I MREKULLIVE
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha &
Prof. Dr. Tefik Basha
Prilli
po afrohej ngadalë, duke sjellë me vete erën e pranverës dhe ditëlindjen time,
por megjithatë, ditët mbeteshin të ftohta, sikur dimri ende të mos dorëzohej
plotësisht. Fëmijët tanë, të cilët përherë i quanim ende fëmijë, na vështronin
me buzëqeshje të fshehtë, ngase ne ende nuk po e ndjenim pranverën që kishte
nisur. Një ditë tjetër, Agoni dhe Albina na thanë me buzëqeshje: "Çfarë
kohe e bukur, sa mirë do të ishte sikur të shkonit diku për pushime!" Unë
dhe Tefiku, si me një zë të vetëm, u përgjigjëm: "Jo, është ende ftohtë
dhe s’kemi ku të shkojmë."
Por
të nesërmen, ata u shfaqën me një surprizë që na la pa fjalë. Me buzëqeshje të
përmbajtura, na dhanë dy bileta në dorë. "Ku?" pyeta, e habitur.
"Në Dubai, mami, në Dubai!" Qeshën të gjithë, djali dhe nusja bashkë.
"Këto janë dhurata për ditëlindjen tënde dhe të babit." Zemra më
rrahu me ndjenja të përziera – nga njëra anë, një mirënjohje e thellë, por nga
ana tjetër, një ndjenjë se ndoshta ishte tepër, pasi ne tashmë kishim udhëtuar
shumë dhe dhuratat nuk mungonin kurrë.
Pas
vetëm tre ditësh, fluturimi nga Shkupi drejt Dubait u bë realitet. Arta na
shoqëroi në aeroport, dhe tri orë më vonë, u ndodhëm në një botë tjetër, në
aeroportin e Dubait. Ishim pjesë e një grupi udhëtarësh, të organizuar dhe të
përgatitur për këtë aventurë. Një autobus na priti dhe u nisëm drejt qytetit.
Kur dora e parë e ngrohtësisë na përshkoi trupin, sikur na u rikthye jeta.
Ciceroni, një djalë arab me buzëqeshje të qetë, na tha: "Keni ardhur në
kohën më të mirë, më parë ishte aq nxehtë, sa nuk mund të qëndroje
jashtë." Ne, që sapo ishim larguar nga dimri i acartë, u gëzuam shumë për
këtë mirëseardhje.
Autobusi
ecte ngadalë, dhe ne, me sytë e hapur nga entuziazmi, vështronim rrugët e
Dubait që na prisnin përpara. Rrugë të reja, të gjera dhe të rregulluara, por
jo si ato të Evropës me fshatra të shpërndara anash. Për një kohë të gjatë, nuk
pamë as njerëz, as ndërtesa, vetëm hapësirë. Ndërsa iu afruam qytetit, filluam
të shohim periferi të vogla me shtëpi të bukura dhe, në horizont, Burj Khalifa
ngrihej madhështor, si një kala prej qelqi që na përshëndeste nga çdo anë e
qytetit. Kështu, udhëtimi ynë drejt kësaj toke të re sapo kishte filluar, me
ngrohtësinë e Dubait që shkrinte akullin e dimrit tonë të largët.
Shpresa
jonë për një qëndrim të këndshëm ishte e madhe, sepse ndiheshim të përgatitur
për këtë udhëtim. U vendosëm në një pjesë që ndodhej afër qytetit të vjetër,
megjithatë, rruga drejt qendrës kërkonte kohë më shumë se ç’e kishim menduar.
Hoteli ishte një kënaqësi për sytë dhe shpirtin, me korridore të gjata dhe të
gjera, që të krijonin një ndjenjë hapësire dhe lirie. Dhomat ishin të pastra e
të qeta, vend i përkryer për të pushuar, ndërsa salla e restorantit ishte
mahnitëse, si një fllad i ëmbël nga një botë e largët. Muzika arabe që dëgjohej
gjatë darkës ishte e butë, e ulët, e përshkonte atmosferën si një pëshpëritje
nga parajsa, duke na bërë të ndjenim një rehati të veçantë.
Pas
një darke të bollshme dhe të shijshme, lodhja na kishte kapluar të gjithëve,
dhe mezi prisnim të pushonim në qetësinë e dhomave tona. Guida jonë, që kishte folur
pa pushim gjatë gjithë udhëtimit, na kujtoi se e nesërmja do të niste herët, në
orën dhjetë, me një ditë plot befasi dhe aventura që na prisnin.
Të
nesërmen, pas një mëngjesi të lehtë por të kënaqshëm, ishim të gjithë të
gatshëm të niseshim në eksplorim. Në mbrëmje, kur lodhja e ditës më kishte çuar
në qetësinë e dhomës sime, shfletova në Google për të mësuar më shumë rreth
këtij vendi të mrekullueshëm. Lexova me kuriozitet: Emiratet e Bashkuara Arabe
(EBA) janë një shtet federal, që ndodhet në skajin lindor të Gadishullit
Arabik, pranë Gjirit Persik. Kufizohet nga Omani në lindje dhe nga Arabia
Saudite në jug, ndërsa detet e tij ndajnë kufijtë me Katarin dhe Iranin.
Federata përbëhet nga shtatë emirate, secili i drejtuar nga një emir i
trashëguar, të cilët së bashku formojnë Këshillin Suprem Federal – organi më i
lartë legjislativ dhe ekzekutiv i vendit. Njëri prej emirëve zgjidhet President
i Emirateve të Bashkuara Arabe.
2016, Dubai (Kopshti më i madhi në botë i luleve)
Ky udhëtim në një vend kaq të largët dhe ekzotik po shndërrohej në një përvojë të paharrueshme, me çdo detaj që ngadalë ndërtohej si një copëz mozaiku nga ky vend i çuditshëm dhe magjepsës.
Emiratet,
shtatë yje të shkretëtirës – Abu Dhabi, Ajman, Dubai, Fujairah, Ras al-Khaimah,
Sharjah, dhe Umm Al-Quwain – secili prej tyre ndriçon në mënyrën e vet në këtë
perandori të artë. Kryeqyteti, Abu Dhabi, ndan lavdinë dhe kulturën me Dubai,
dy qendrat e mëdha ku pulson zemra e biznesit dhe artit. Islami mbretëron si fe
zyrtare, ndërsa arabja është gjuha që frymon përmes fjalëve të historisë dhe
traditës. Klima, e nxehtë dhe e thatë, përqafon bregdetin me lagështinë e vet,
ndërsa erërat herë pas here fryjnë me forcë, si të kujtojnë fuqinë e natyrës në
këtë tokë të ashpër dhe të bekuar njëkohësisht.
Dubai,
mrekullia e shkretëtirës, qyteti i ngritur mbi rërat e arta dhe i mbështjellë
me pasuri, është si asnjë tjetër në botë. Nga një shkretëtirë e pamëshirshme,
ai është shndërruar në një oazë urbane, ku çdo hap është përpara, çdo ndërtesë
shënon kufijtë e së mundshmes. Kjo metropol madhështore, një nga qendrat më të
mëdha të biznesit dhe një magnet për turistët, të fton të përjetosh çaste të
paharrueshme, të prekësh me dorë jetën në formën më moderne e më të avancuar të
saj. E në këtë udhëtim, menduam se s’mund të linim asnjë gjë pa parë, sepse
gjithçka që na priste ia vlente të mbetej në kujtesën tonë përjetë.
Sapo
u rehatuam në autobus, guida, me një zë plot mburrje dhe pasion, na lajmëroi se
dita do të niste me një vizitë në zemrën e qytetit të vjetër të Dubait.
Megjithëse Dubai duket kaq modern, ai mburret me historinë e tij, një
trashëgimi që shtrihet në rrugicat e lashta dhe të ngushta të qytetit të vjetër.
Të ngazëllyer, sytë tanë shihnin çdo detaj, veshët kapnin çdo fjalë, ndërsa
autobusi ngadalë na çonte drejt vendit ku historia dhe bashkëkohësia puqen.
Në
hyrje të qytetit, zbritëm dhe guidën tonë e ndiqnim si një udhërrëfyes i bardhë
me flamurin e tij të valëvitur. Ai ndalej herë pas here për të ndarë me ne
tregimet e rrugëve të qytetit, dhe ne grumbulloheshim rreth tij si fëmijë
kureshtarë. Qyteti i vjetër i Dubait ishte si një magji e lashtë, plot me
dyqane të vogla artizanale, ku arin, erëzat, qilimat, dhe suvenirët e vogël të
bënin të ëndërroje për kujtimet që do të merrje me vete. Këto dyqane, që
jetonin nga agimi deri në natën e vonë, hapnin portat e tyre në mëngjes, një
kohë kur qetësia ende mbulonte rrugët, përpara se turmat e mëvonshme të mbushnin
rrugët me gjallëri.
Duke
ecur ndër rrugicat e mbushura me aromën e erëzave dhe tingujt e pëshpëritjeve
të së kaluarës, guida na drejtoi drejt një restoranti të vogël, ku sugjeronte
të ndalonim për të pirë një gotë çaj menteje, një pije që të çlodh e të freskon
në çast, si një përqafim i shkretëtirës.
Sabile
Keçmezi-Basha, Dubai, 2016
Pasi
mbushëm duart me suvenire të vogla dhe dhurata për të dashurit tanë, u nisëm
drejt qendrës së qytetit, duke ndier një kureshti të madhe për t'u përballur me
simbolet e famshme të Dubait. E natyrshëm, fjalët që më vinin në mendje ishin
për Burj Khalifa – jo vetëm simboli i Dubait, por një kryevepër që shtrihet
përtej kufijve të kësaj bote, duke u ngritur si një sfidë për qiellin. E
përballur me këtë madhështi, nuk është aspak e çuditshme të thuhet se kjo
ndërtesë të lë pa frymë nga çasti i parë që e sheh, me 828 metra lartësi, që e
bën atë ndërtesën më të lartë në planet. Kjo kështjellë moderne, pothuajse tri
herë më e lartë se Kulla Eifel, i tejkalon kufijtë e imagjinatës me elegancën
dhe fuqinë e saj.
Kur
guida na tregoi për faktin se Burj Khalifa kishte 58 ashensorë që lëvizin me 10
metra në sekondë, dhe një observator që të çon në 452 metra lartësi mbi tokë,
të gjithë u ndalëm për një çast, duke u përpjekur të kapim madhështinë e kësaj
arritjeje njerëzore. Dhe jo vetëm kaq! Ishte thuajse e pabesueshme që mbi
12,000 punëtorë nga e gjithë bota kishin ndihmuar në ndërtimin e saj, duke
përdorur 55,000 tonë çelik dhe 110,000 tonë beton. Mendja e njeriut, në një
përpjekje të jashtëzakonshme për të sfiduar gravitetin, kishte krijuar këtë
mrekulli që ngrihej si një testament për përkushtimin, teknologjinë dhe
vizionin e tij.
Duke
dëgjuar historinë e ndërtimit të saj nga një kompani amerikane, me ndihmën e
një qasjeje të veçantë programore dhe planifikimi për 160 kate, kuptova që Burj
Khalifa nuk ishte thjesht një ndërtesë, por një manifestim i ëndrrave
njerëzore. Kompania koreano-jugore që e ndërtoi, e kishte përfunduar pas 6
vitesh punë në vitin 2010, dhe tani qëndronte para nesh si një përbindësh
gjigant që lartësonte aftësinë njerëzore për të krijuar diçka kaq madhështore.
Guida
na drejtoi te hyrja dhe na tha me buzëqeshje: "Kush dëshiron, mund të
blejë biletat dhe të ngjitet lart. Keni dy orë pauzë." Me një lëvizje të
shpejtë, ai u largua, duke na lënë të lirë të vendosim nëse do të eksplorojmë
majat e kësaj ndërtese. Tefiku, i vendosur, u nis për të marrë biletat. Unë,
nga ana tjetër, mbeta e palëkundur – fobia ime e vjetër për lartësitë më
mbërthente me frikë. E pashë Burj Khalifën dhe zemra ime u mbush me një ndjesi
të thellë frike, që nuk do të më lejonte kurrë të ngjitesha atje. Me një zë të
vendosur, i thashë Tefikut të marrë vetëm një biletë, sepse unë nuk kisha
ndërmend të shkoja lart.
Ai
qeshi, më quajti "frikacake", por unë mbeta e vendosur – lartësitë më
frikësonin që nga fëmijëria dhe nuk kisha ndërmend të sfidoja këtë frikë sot.
Mezi e binda të ngjitej vetë, dhe pasi mori biletën, e shoqërova deri te
ashensori. Duke qeshur, i thashë: "Më shkruaj nga lart!"
Pas
rreth një ore, Tefiku u kthye i mahnitur nga lartësitë e Burj Khalifa. Sytë i
shkëlqenin ndërsa më përshkroi pamjen e pabesueshme që kishte parë, duke më
thënë se do të pendohem që nuk iu bashkova në atë aventurë. Ndërsa ai shijonte
lartësitë, unë eksplorova dyqanet luksoze pranë hyrjes së kësaj kështjelle
qiellore. Por më vonë, zbuluam se afër Burj Khalifës fshihej një tjetër perlë e
Dubait – Dubai Mall, shtëpia më e madhe e mallrave në botë, një tempull i madh
për blerësit dhe një oazë e plotë me përvoja unike.
Çdo
cep i Dubait reflektonte një botë ndryshe, dhe as Dubai Mall nuk ishte një
përjashtim. Kjo qendër tregtare, e madhërishme dhe përtej të zakonshmes, ishte
më shumë sesa një vend për të bërë pazar. Aty mund të humbisje mes atraksioneve
që s’të linin të shikosh vetëm me sytë, por të përfshiheshe plotësisht me
shpirtin. Akuariumi gjigant, ku mijëra lloje peshqish vallëzonin në qetësi të
ujit, të magjepste me ngjyrat dhe gjallesat e tij. Ndërkohë, shatërvani
freskonte me muzikën e tij të qetë, duke krijuar një harmoni perfekte mes
natyrës dhe luksit njerëzor.
Çdo
mbrëmje, nga ora gjashtë deri në njëmbëdhjetë, shfaqja e ujëvarave, e përzier
me dritë dhe melodi, i tërhiqte turistët si një magji. Uji vallëzonte në
harmoni me muzikën, dhe spektakli të ftonte ta admiroje për çdo gjysmë ore.
Falas, por jo pa përpjekje, pasi duhej të gjeje një vend të mirë për të shijuar
këtë mrekulli, mes turmave që rrëmbeheshin pas këtij spektakli të ujit e
dritës.
Me
gjithë këto përvoja, dita ishte e lirë dhe e gjitha e jona. Ecëm kudo ku na
tërhiqte zemra, të magjepsur nga përzierja e modernes dhe natyrës në këtë qytet
të pazakontë. Por guida na la një sugjerim për nesër – kopshtin e luleve, një
vend që na dukej thjesht një tjetër park i zakonshëm. Kopshti? Mendova me vete,
çfarë mund të jetë kaq i veçantë? Por, të nesërmen kur mbërritëm, mbetëm të
gjithë pa fjalë.
Kopshti
i Luleve të Dubait ishte si një ëndërr e materializuar në mes të shkretëtirës.
Nuk kishte asgjë të zakonshme në këtë vend, dhe vetëm kur e pashë me sytë e mi,
kuptova sa shumë do të kisha humbur po të mos e vizitoja. Më i madhi në botë,
me mbi 50 milionë lule të mbjella në një krijimtari të papërshkrueshme, ky
kopsht dukej si një manifestim i magjisë njerëzore
–
si arrin njeriu të lulëzojë në zemrën e shkretëtirës.
Shtëpitë
me Smurfë, kështjellat që ngjanin me ato të filmave të Disney-t, kafshët
gjigante që dukeshin sikur të ishin dalë nga ndonjë përrallë – gjithçka dukej
pothuajse joreale. Por ajo që të linte gojëhapur ishte një aeroplan i vërtetë
A380, i mbuluar me lule, që hyri në Librin e Rekordeve Guinness. Si mund të
imagjinosh që në një vend ku rëra
është mbretëreshë, lulëzon një parajsë kaq e larmishme dhe e bukur?
Sabile
Keçmezi-Basha & Tefik Basha, 2016, Abu Dabi
Në
atë çast, çdo dyshim që kisha pasur për këtë udhëtim u zhduk. Çdo hap
i bërë në këto vende të pabesueshme ishte një përvojë që do të mbetej e
skalitur në kujtesën time përgjithmonë.
Vendi,
me përmasat e tij të mëdha dhe bukurinë e pamasë, na ofroi një udhëtim me më
shumë se 120 lloje të ndryshme lulesh. Një orë, dy orë… asgjë nuk do të
mjaftonte për të shijuar plotësisht këtë parajsë të gjallë me ngjyra. Secila
lule dukej si një ftesë për të qëndruar më gjatë, për të kënaqur sytë dhe për
të mbushur zemrën me aromat e tyre të mrekullueshme. Dy orët tona fluturuan mes
fotografish të shumta, kujtime të kapura me kujdes që do t’i merrnim me vete,
të pashlyera nga koha.
Nga
aty, rrugëtimi ynë na çoi drejt një tjetër mrekullie – Korniza e Dubait, një
nga veprat më të pazakonta të artit arkitekturor në këtë qytet të
jashtëzakonshëm. E lartë 150 metra, kjo kornizë gjigante qëndron midis pjesëve
të vjetra të qytetit, si një urë që lidh të kaluarën me të ardhmen. Edhe pse
nuk na mori shumë kohë për ta vizituar, na la mbresa të thella. Nga jashtë,
Korniza e Dubait dallohej si një simbol i harmonisë mes traditës dhe
modernitetit, ndërsa brenda saj fshiheshin galeritë që na rrëfenin historinë e
qytetit dhe na ofronin një dritare për të parë të ardhmen e tij – një
projeksion i quajtur Futra Dubai.
Qëndrimi
ynë njëjavor në Dubai na dha mundësinë që çdo ditë të zbulojmë diçka të re.
Kështu, pasi vizituam Kornizën, vendosëm të eksplorojmë qytetin vetë. Një
tjetër mrekulli që na kishin përmendur ishte metroja e Dubait, jo thjesht një
mjet transporti, por një atraksion në vete. Udhëtimi me metro ishte si të
shihje nga afër mozaikun e kulturës arabe, një përvojë që na ngacmoi
kuriozitetin.
Duke
përshkuar sërish rrugët, ndaluam te Burj Khalifa, sikur të kërkonim një tjetër
pamje nga lartësitë e tij, dhe aty gjetëm stacionin e metros që na priste për
ta përmbyllur me madhështi një ditë të mbushur plot me mrekulli të Dubait.
Metroja
e Dubait, një strukturë mbresëlënëse e mbajtur mbi shtylla të fuqishme betoni
dhe shina çeliku, na dukej sikur udhëtonim mbi krahët e qytetit. Çdo lëvizje
ishte e sigurt dhe e përsosur, dhe na befasoi fakti se nuk kishte as shofer, as
kontrollor. Gjithçka drejtohej nga një qendër që s’e dinim ku ndodhej, një
përvojë që na la me ndjenjën e modernitetit absolut.
Shumë
na kishin thënë se në metro gratë dhe burrat ndaheshin, por për habinë tonë, të
gjithë ishim bashkë në atë udhëtim – gratë arabe të mbuluara me shamitë dhe
veshjet e tyre të bardha të përulurësisë, dhe burrat me fustanet e bardha
tradicionale që valëviteshin butësisht ndërsa metroja rrëshqiste përpara. Çdo
gjë dukej e përsosur, çdo detaj i menduar deri në fund.
Pas
kësaj aventure të parë, zbritëm në plazhin më të famshëm të Dubait, plazhin që
të çon drejt hotelit të famshëm me 7 yje, Burj Al Arab, emri i të cilit
përkthehet si "Kulla e Arabëve". Ky është hoteli i vetëm në botë me
një klasifikim kaq të lartë, ngrihet në qiell me 321 metra lartësi, si një velë
që sfidon erërat dhe valët e shkretëtirës. I hapur që në vitin 1999, hoteli
është një simbol modern që shkëlqen në horizontin e Dubait, si një dritëz që
thërret këdo të afrohet.
Sipas
të dhënave, brenda tij ndodhet një atrium që arrin 180 metra lartësi, makina të
bardha Rolls Royce që shkëlqejnë si perla në diell, burime që vallëzojnë nën
ritmin e ujit dhe, mbi të gjitha, elementë ari që e pasqyrojnë luksin dhe
magjepsjen në çdo cep. Kjo ndërtesë ikone, krahasuar nga projektuesi i saj Tom
Wright me simbole të famshme si Shtëpia e Operës në Sidney apo Kulla Eiffel e
Parisit, ka një vend të veçantë në peizazhin e Dubait. Ajo qëndron mbi një
ishull të krijuar nga duart e njeriut, larg 280 metra nga bregu, si një
perëndeshë e re që pret vizitorët e saj.
Madhështia
e saj nuk qëndron vetëm në pamjen e jashtme. Brenda, për ata që mund ta
përballojnë, ofrohen suita që sfidojnë përmasat e imagjinatës. Dhomat më të
vogla arrijnë 169 metra katrorë, ndërsa suitat mbretërore, me madhësinë e një
pallati të vogël, kapin 780 metra katrorë. Dhe ato qëndrojnë në majë të listës
për apartamentet më të shtrenjta në botë, me një çmim marramendës prej 18,716
dollarë për një natë. Al Muntaha, që në arabisht do të thotë "Më i
Larti", ofron pamje mbresëlënëse të Dubait dhe Gjirit Persik, duke
tërhequr këdo që
kërkon
të shohë qytetin nga një lartësi e re. Al Mahara, me akuariumin e saj të madh
dhe udhëtimin unik nëndetësor, të bën të ëndërrosh për botën nënujore.
Edhe
pse unë nuk jam një ndjekëse e zjarrtë e luksit, ky vend më magjepsi. Mund të
duket sikur luksi largon njerëzit nga thjeshtësia dhe paqja, dhe kjo ishte ajo
që kisha frikë të përjetoja në Dubai. Një vend që shpesh më dukej disi
artificial dhe i largët nga natyrshmëria e vendeve të tjera që kam vizituar. Por,
sapo arritëm këtu, gjithçka
ndryshoi.
Dubai ka një mënyrë të veçantë për të tërhequr këdo, një energji që të përfshin
dhe të bën të shikosh se si çdo gjë është e ndërtuar për të lënë një mbresë të
thellë.
Sabile
Keçmezi-Basha & Tefik Basha, 2016, Abu Dhabi
Në
çdo hap që bënim, ndienim fuqinë dhe madhështinë e këtij qyteti, të mbushur me
ndërtesa që kapin qiellin dhe makina që ndriçojnë rrugët me luksin e tyre. Por,
më shumë se çdo gjë tjetër, Dubai ofron një ndjesi të papërshkrueshme, një
nivel tjetër që i kapërcen pritshmëritë e çdokujt. Sharmi i Dubait qëndron
pikërisht në këtë kontrast – një qytet pa një histori të lashtë, pa një kulturë
të rrënjosur thellë, por me një vizion të pamëshirshëm për të qenë unik në
botë. Ushqimi nuk ka identitetin e tij, është një përzierje e kuzhinave të
vendeve të tjera, gjithçka këtu është e importuar. Por Dubai ka ndërtuar një
realitet ku gjithçka e zakonshme duket e jashtëzakonshme, dhe ky është suksesi
i tij më i madh.
Pas
këtyre pamjeve të magjishme, të nesërmen na priste një udhëtim tjetër. Abu
Dhabi, kryeqyteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, ishte destinacioni ynë i
radhës. Një qytet që shpesh qëndron në hije nga shkëlqimi i Dubait, por që
ofron një ndjesi të veçantë. Autostrada Sheikh Zayed, me nëntë korsi që
shtrihen si një lumë modern, na çoi drejt këtij qyteti. E mbushur me gjelbërim
dhe lule, autostrada ishte një pamje që të shoqëronte gjatë tërë rrugës, duke
kaluar qytete dhe fshatra të vogla, kantiere nafte dhe plantacione që të linin
pa fjalë. Një ndjenjë që të bënte të besosh se e ardhmja e këtij vendi ishte
ndërtuar mbi themele të forta dhe të palëkundshme.
Teksa
udhëtonim me shpejtësi drejt destinacionit, guida na lajmëroi se ishim pranë
një prej mrekullive më të famshme të Abu
Dabit – Xhamisë së Madhe Sheikh Zayed. Ajo shfaqej para nesh si një përkrenare
e dritës, me 82 kupola që shkëlqenin mbi një sipërfaqe prej 22,400 metrash
katrorë. Ishte e pamundur të mos ndiheshim të vegjël përpara madhështisë së
saj. Mermeri i bardhë që ndërtonte këtë tempull, sjellë nga Prilepi i
Maqedonisë së Veriut, i jepte një nur hyjnor ndërtesës, duke e bërë të duket si
një skulpturë mbi qiellin e pafund.
Sabile
Keçmezi-Basha & Tefik Basha, Dubai, Kopshti i luleve, 2016
Ndërtimi
i saj kishte zgjatur 11 vjet, por vetë Sheikh Zayed nuk arriti ta shihte hapjen
në vitin 2007. Mënyra e vetme për të hyrë në këtë tempull ishte duke respektuar
kodin e saj të rreptë të veshjes: pantallona të gjata për burrat dhe mbulimi i
këmbëve e kokës për gratë. Dhe kur pamë për herë të parë këtë xhami, gjithçka
ndaloi. Një "ah" i përbashkët shpërtheu nga ne të gjithë – një
shpërthim i habitjes dhe respektit. Kupolat, mozaikët, përzierja e artit dhe
detajet ishin të papërshkrueshme. Kishim fatin të ishim aty në momentin e
faljes së drekës, një çast që më kujtonte përkryerjen hyjnore. Ato pak minuta
të qëndrimit atje më dukeshin si një parajsë mbi tokë.
Guida,
duke parë magjepsjen tonë, nisi të na zbërthente çdo detaj të kësaj mrekullie.
Na tha se vetëm oborri i xhamisë kishte hapësirë për më shumë se 30,000 njerëz,
ndërsa kapaciteti total ishte afro 55,000. Motivet me lule, të cilat
përfaqësonin Parajsën mbi tokë, ishin të pranishme në çdo qoshe të xhamisë.
Kur zbathëm këpucët dhe mbuluam kokat, u gjendëm brenda një bote të ndriçuar nga llambadarë madhështorë të përbërë nga kristale Swarovski. Ata na linin pa fjalë – më i vogli peshonte tetë tonë, ndërsa ai qendror, plot dymbëdhjetë tonë. Kristalet vezullonin në ngjyrat e hurmave në fazat e tyre të ndryshme të pjekjes: jeshil, portokalli dhe i kuq. Tapeti që shtrihej në dysheme ishte një tjetër kryevepër, më i madhi në botë, punuar me dorë nga më shumë se 1200 endëse.
Tefik
Basha, Xhamia e Madhe Sheikh Zayed, Abu Dabi, 2016
Përmasat
e tij ishin të pabesueshme, 5700 metra katrorë, dhe në të ishin endur më shumë
se 2.2 miliardë nyje.
Guida
na këshilloi që të bënim fotografi vetëm në vendet ku ishte e lejuar dhe të mos
e zbulonim kokën gjatë këtij akti. Puthjet apo përqafimet për foto ishin
gjithashtu të ndaluara. Dhe gjithçka bëhej edhe më magjike gjatë natës, kur
xhamia vezullonte nën dritat e saj, duke krijuar një atmosferë të
paimagjinueshme.
Pranë
xhamisë qëndronte varri modest i Sheikh Zayed, një monument i thjeshtë, por që
përfaqësonte një respekt të pafund për një udhëheqës të madh. Kjo modesti,
përkundër madhështisë përreth, e ngriti edhe më lart emrin e tij në zemrat
tona.
Kur
mbërritëm në Abu Dabi, një valë kënaqësie na përfshiu, si të ishim mbuluar nga
rrezet e diellit të një qyteti të artë. Ky qytet, po aq madhështor sa Dubai, na
magjepsi që në hapin e parë. Drekën e shijuam në brendësi të Abu Dabit, në një
restorant të madh, ku turma turistësh si ne ndaleshin për të pushuar, për të
ngrënë, dhe për t’u nisur sërish në rrugëtimet e tyre të pafundme.
Pas
drekës, u zhytëm sërish në eksplorim, në kërkim të mrekullive të tjera që ky
vend ofronte. Abu Dabi, me gjithë shkëlqimin modern, kishte edhe një anë tjetër
të fshehtë, një pjesë të vjetër të qytetit që na la pa fjalë. E kaluara na
përshëndeti me heshtje të thellë, me rrugë që mezi mbanin gjurmët e jetës.
Ishte e vështirë të besoje se dikur në atë vend kishte frymuar jeta njerëzore.
Ajo heshtje, ajo zbrazëti, na solli ndjesinë e një misteri të harruar.
Pastaj
u nisëm drejt plazhit të madh të Abu Dabit, ku valët dhe rëra dukej se flisnin
me ne në gjuhën e paqes. Aty nuk kishte luks të tepruar, as dekadencë, vetëm
natyra që ofronte një oazë për ata që kërkonin qetësi dhe thjeshtësi. Ky plazh
ishte një vend ku pushimet mund të kaloheshin lirshëm, larg gjithçkaje artificiale.
Por,
eksplorimet tona nuk ndaleshin aty. Vazhduam drejt parkut të famshëm të
veturave, një vend ku adrenalina dhe shpejtësia bashkoheshin për të krijuar
përvoja të paharrueshme. Ferrari World, Warner Bros World, dhe Water World na
prisnin me pamjet dhe atraksionet e tyre marramendëse. Në Yas Mall, vizituam
kolonën ajrore dhe vëzhguam murin e dytë më të madh të ngjitjes në botë, një
sfidë që të linte pa frymë vetëm duke e parë. Koha fluturonte, dhe ne vetëm sa
mundëm të preknim sipërfaqet e këtyre përvojave, duke bërë foto të shumta për
të mbajtur kujtimet gjallë.
Kështu,
me shpirtin e mbushur plot kënaqësi, u habitëm kur guida na njoftoi se nesër në
ora 9 do të ishim gati për t’u nisur drejt aeroportit. Aq shpejt? Të gjithë
ndjemë se koha kishte rrjedhur si rëra ndër gishta – me një shpejtësi që nuk
mund të kapesh.