Speciale » Basha
Sabile Basha & Tefik Basha: Andorra, rruaza magjike e Evropës
E hene, 30.09.2024, 06:59 PM
BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH...
ANDORRA,
RRUAZA MAGJIKE E EVROPËS
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha &
Prof. Dr. Tefik Basha
Pas
udhëtimeve të shumta që bëmë nëpër shtete të ndryshme të botës, gjithsesi,
pushimet me Tefikun dhe fëmijët nuk i kalonim kurrë në të njëjtin vend. Secili
nga ne ishte i zhytur në angazhime të përditshme, ne në punë dhe fëmijët në
shkollë, dhe prandaj mezi prisnim të gjenim një moment qetësie e relaksi. Një
ditë, ndërsa bisedonim për planet e pushimeve, pyeta fëmijët se ku dëshironin
të shkonim këtë herë. Ata më shikuan me një buzëqeshje që shpërthente nga zemrat
e tyre dhe thanë në një zë, "Nëse na lejoni, ne do të donim të shkonim
diku vetëm me shoqërinë tonë."
E
habitur, i pashë në sy dhe i pyeta sërish, duke mos e kuptuar plotësisht:
"Ku dëshironi të shkojmë?" Por Agoni, me një qartësi të re në zërin e
tij, shtoi: "Jo... jo, ne duam të mos vijmë me ju këtë herë, do të shkojmë
diku tjetër me shoqërinë tonë." Ngela e tronditur nga ky ndryshim, dhe për
një moment nuk dija çfarë të thosha. Por pastaj i hodha një vështrim Tefikut,
dhe ai me qetësinë e tij, më ndihmoi të kaloj këtë çast të ri në jetën tonë,
duke iu thënë fëmijëve: "Në rregull, çuna, s’ka problem. Mund të shkoni ku
të doni, por kujdesuni për veten tuaj."
Në
atë moment, ndjeva një përzierje emocionesh—një lamtumirë e ëmbël për fëmijët
që po rriteshin dhe një pranimi të qetë të pavarësisë së tyre që po lulëzonte
para syve tanë.
Ashtu
siç e kishim planifikuar, vendosëm të vizitonim Spanjën, tokën e flamengos dhe
të toreadorëve, një destinacion që na tërhiqte me premtimin e tij për aventura
të reja. Në vitin 2010, Spanja ishte bërë një destinacion i lakmuar, edhe pse
vite më parë kishim shijuar bukuritë e ishullit të saj, Palma de Mallorca.
Megjithatë, këtë herë kishte një boshllëk që e ndjeja qysh në fillim, një
mungesë e pranishme në çdo mendim. Pavarësisht kësaj, rezervuam një hotel në
Kosta Brava, pranë Barcelonës, dhe u nisëm drejt një udhëtimi që do të na linte
mbresa të paharrueshme.
Një
ditë të nxehtë korriku, fluturuam nga Shkupi dhe arritëm në tokën e
toreadorëve, ku Barcelona na mirëpriti me gjithë madhështinë e saj të
përjetshme. Ky qytet, i gjallë dhe i bukur në çdo kohë, ishte një thesar i
vërtetë i atraksioneve turistike, i cili na mbushi me gëzim dhe emocion. Pas
një qëndrimi të këndshëm në Kosta Brava, ku u vendosëm për të pushuar, çdo ditë
merrnim trenin për të zbuluar sekretet e Barcelonës.
Në
këtë vend mahnitës kishim ardhur në mënyrë të organizuar, me një guidë që na
shoqëronte në çdo hap të udhëtimit. Ditë pas dite, eksploruam qytetin dhe
rrethinat e tij, duke u magjepsur nga bukuritë që na ofronte. Dhe, pasi kishim
parë pjesët kryesore të tij, dy ditë pushim u dhanë për të gjithë ne, kohë kjo
për të ndjekur dëshirat dhe kënaqësitë personale, për të zbuluar në mënyrë
individuale atë që na tërhiqte më shumë.
Barcelona,
me gjithë magjinë e saj, u bë sfondi i një aventure që nuk do ta harrojmë
kurrë, një udhëtim që, edhe pse me një boshllëk të lehtë, na solli lumturi dhe
përvoja të reja që do të mbeten përgjithmonë në kujtesën tonë.
Sabile
Keçmezi-Basha, me bashkëshortin Tefik Basha, Andorra, para skulpturës, Salvador Dali (2010)
Ditën
e parë, të lirë nga çdo angazhim, u drejtuam drejt plazhit që shtrihej përtej
syrit, duke dëshiruar të kalonim gjithë ditën në atë breg të pafund. Plazhi
ishte i mbushur me guralecë të vegjël, të bardhë, të cilët më vonë kuptuam se
ishin vepër e duarve të njeriut. Kishin ndërtuar me mjeshtëri një plazh të
tillë, saqë ia kalonte edhe vetë natyrës në bukuri. Guralecët, të bartur nga
një fabrikë ku thërmonin gurët, ishin vendosur me kujdes në këtë shtrirje të pafundme.
Kur e dëgjova këtë tregim, u habita dhe mezi e besova. Njëri nga ata që ishte
me ne, u kthye dhe na tha: "Në rregull, e pranoj që ky plazh duket i
natyrshëm, por a e sheh që kjo nuk është rërë e zakonshme? Shtrihu në këtë rërë
dhe dëgjo çfarë dëgjon."
Tefiku
u shtri dhe vuri veshin, për të kapur tingujt e rërës. Guida jonë, duke ecur
mbi rërë, e pyeti: "Çfarë po dëgjon?" Tefiku, i çoroditur, u
përgjigj: "Nuk mund të dëgjoj asgjë, hapat tuaj më pengojnë."
"Aha," – tha guida, duke buzëqeshur – "ky është sekreti që po
përpiqem të të tregoj. Hapat e mi tingëllojnë në këtë rërë sepse është
artificiale, nuk ka atë dendësinë e rërës së vërtetë, që thith dhe fsheh çdo
hap. Kjo provon se e kanë krijuar me dorë të njeriut."
Në
kufi të shtetit të Andorrës, por nuk ka kontroll doganore (2010)
Pasditen
e asaj dite, pasi kishim kaluar një mëngjes të qetë dhe reflektues në plazh,
vendosëm të shëtisim në rrugën e famshme La Rambla, zemrën dhe shpirtin e Barcelonës. Duke ecur, syri na zuri një
agjenci që ofronte ture të ndryshme në vend. U ndalëm për të lexuar ofertat dhe
pamë se organizonin një udhëtim edhe drejt shtetit të vogël të Andorrës, një
mundësi që na tundohej të përjetonim. Shëtitja jonë në La Rambla, me zhurmën e
turistëve dhe gjallërinë e qytetit, ishte një tjetër faqe e bukur në librin e
këtij udhëtimi të veçantë.
Pa
u menduar dy herë, vendosëm të rezervonim vendet për udhëtimin e nesërm drejt
Andorrës. Udhëtimi do të bëhej me një autobus që mburrej me pesë yje të ndritshëm
në hyrje, një pamje që më bëri të buzëqesh, sepse kurrë më parë nuk kisha parë
një autobus me yje si hotelet. Por sapo hymë brenda, u binda se meritonte çdo
yll. Luksi i tij na rrethoi nga të gjitha anët, dhe sapo u ulëm, na shërbyen
kafe të ngrohtë dhe ujë të ftohtë, një mikpritje që na shoqëroi gjatë gjithë
udhëtimit.
Rruga
nga Barcelona deri në kryeqytetin e Andorrës ishte një distancë e shkurtër,
vetëm 135 kilometra, por ndalesat e shumta e zgjatën udhëtimin tonë në rreth
tre orë. Udhëtimi vetë ishte i qetë, i rehatuar nga komoditeti i autobusit tonë
luksoz. Fillimisht, trafiku ishte i ngjeshur me makina dhe kamionë që lëviznin
me shpejtësi, por ndërsa ecnim përpara, rruga u qetësua, duke na dhënë
mundësinë të shijonim çdo kilometër të udhëtimit.
Çdo
metër që kalonim ishte një zbulim i ri, një panoramë që më ndryshoi çdo
parashikim të mëparshëm për Spanjën. Fillimisht, e kisha paramenduar këtë vend
si të zakonshëm, pa ndonjë tërheqje të veçantë, por sa më shumë udhëtonim, aq
më shumë ndryshonte mendimi im. Spanja shpalosej si një shtet i rregulluar me
përpikëri, i pasur dhe i pastër, me një popull që e donte vendin e vet. Kudo që
kalonim, lexonim parulla të shkruara me krenari që thërrisnin për ruajtjen e
atdheut, duke na treguar se dashuria për vendin ishte e gdhendur thellë në
zemrën e këtij populli.
Duke
udhëtuar nëpër Spanjën e bukur, nuk mund të mos vëreja një veçanti që më
magjepsi: askund tjetër në botë nuk kisha parë kaq shumë grafite të shkruara në
mure si këtu. Çdo qytet që kalonim dhe çdo rrugë që përshkonim ishte e
zbukuruar me një mori ngjyrash dhe mesazhesh të gdhendura në mur, sikur ato
mure të kishin marrë frymë nga vetë arti i rrugës. Asnjë zbrastirë, as në
ndonjë billboard të rastësishëm, nuk mbeti pa prekur nga dora e krijuesit anonim.
Dhe ndërsa i shikoja të gjitha këto vepra spontane, ndjeja se rruga bëhej më e
lehtë, koha kalonte më shpejt, sikur të isha duke ecur nëpër një galeri të
pafund të artit të rrugës.
Në
mëngjesin e parë, kaluam pranë një gurthyesi gjigant që ma zuri syrin dhe më
bëri të mendoj se ndoshta këtu nxirrnin rërën që përdorej për të krijuar
plazhet artificiale të Kostabravës. Kjo nuk ishte një mendim për të kritikuar,
përkundrazi, ndjeja admirim për spanjollët që kishin arritur ta bënin këtë me
aq mjeshtëri dhe elegancë.
Duke
udhëtuar buzë malit madhështor Montserrat, ndaluam për një pushim të shkurtër.
Nga larg, mali ngrihej si një monument natyror, dhe menjëherë më erdhi në mend
sopranoja e famshme spanjolle Montserrat Caballé. Sa çudi që prindërit e saj
kishin zgjedhur të mos harrojnë kurrë këtë mal të dashur duke e pagëzuar vajzën
e tyre sipas tij. Ndërsa shikimi im mbeti në atë mal, mendja më fluturoi drejt
Kosovës sime, duke më sjellë ndër mend emrat që ne kemi dhënë në bazë të
qyteteve, maleve dhe lumenjve të Shqipërisë: Vlorë, Sarandë, Korab, Shkumbin,
dhe shumë të tjerë që bartin një rëndësi të veçantë në zemrat tona. Këto emra
janë si një lidhje e fuqishme mes nesh dhe atdheut tonë të dashur, duke mbajtur
gjallë kujtimet dhe ndjenjat që na lidhin me tokën e të parëve tanë.
Pas
një pushimi të shkurtër, ne u zhytëm në thellësitë e një tuneli gjigant, që na
çoi përtej maleve të Pirinejeve, drejt një lugine mahnitëse, të gjelbër dhe të
qetë. Tuneli, me dritat e tij që ndriçonin udhën dhe me kthesat e tij të buta e
të njëpasnjëshme, dukej si një rrugë magjike që nuk të linte kurrë të humbisje
në errësirë. Na thanë se ky tunel ishte gjashtë kilometra i gjatë, por për ne
dukej shumë më i gjatë, sikur të zgjatej në pafundësi. Megjithatë, vite më
vonë, kur tuneli i Kalimashit u ndërtua, zemra ime mbeti e lidhur me atë të
vendlindjes, dhe për mua, ai tunel kishte një bukuri të veçantë që e tejkalonte
edhe atë të Pirinejeve.
Në
ato vite, problemet me vizat ende na kufizonin lëvizjet. Disa vende të Evropës
dhe botës na kishin mbyllur portat, duke na penguar të hynim lirisht në tokat e
tyre. Por, kur arritëm te kufiri që ndante Spanjën nga Andorra, ne nuk pamë
asnjë kufi të dukshëm. Vetëm disa tabela të vjetra qëndronin aty si relike të
një kohe të kaluar, një dëshmi e mbetur për të treguar se dikur, këtu kishte
një ndarje. Autobusi ynë kaloi pa ndalesë, dhe vetëm kur guida na lajmëroi, e
kuptuam se tashmë ishim në Andorra.
Sabile
Keçmezi-Basha, pak relaks, qendra e qytetit Andorra la Vella (2010)
Kur
mbërritëm, nuk mund të mos qeshja me fëmijët, duke u thënë se Andorra më
kujtonte Kaçanikun tonë, por me një rregull dhe ndërtim që e bënte të dukej si
një qytet lodrash, ku gjithçka ishte vendosur me përpikmëri. Ky shtet i vogël
dhe i bukur, me malet që ngriheshin rreth nesh, dukej si një vend i përkryer,
një botë e veçantë që na ftonte ta zbulojmë me kureshtje dhe dashuri.
Ciceroni ynë nisi të na shpaloste magjinë e këtij shteti të vogël, duke na rrëfyer historinë dhe veçantitë e tij me një zë që përshkruante çdo detaj me kujdes të veçantë. Ai na tregoi se Principata e Andorrës, një shtet i vogël e sovran pa dalje në det, gjendet në jug-perëndim të Evropës, në pjesën lindore të maleve Pirenej, e rrethuar nga Spanja dhe Franca. Kjo principatë, që daton që nga viti 1278 pas Krishtit, drejtohet nga dy bashkë-princa: Peshkopi katolik i Urgell në Spanjë dhe Presidenti i Francës. Kryeqyteti, Andorra la Vella, është gjithashtu qyteti më i madh në këtë tokë të vogël, e cila përfshin një sipërfaqe prej 468 km² dhe është shtëpi për rreth 79,034 banorë. Ky vend i vogël, por i pasur në histori dhe kulturë, renditet si një nga shtetet më të vogla në Evropë dhe në botë, ku gjuha katalanishte është mbretëreshë e gjuhëve.
Sabile
Keçmezi- Basha, Andorra la Vella (2010)
Ndërsa
autobusi ynë lëvizte drejt zemrës së këtij kryeqyteti, ciceroni vijoi të na
rrëfente se si Andorra është një magnet për turistët, duke pritur mbi 10.2
milionë vizitorë në vit, të cilët vijnë për të shijuar bukuritë e saj natyrore
dhe atraksionet kulturore. Edhe pse jashtë kufijve të Bashkimit Evropian,
Andorra është pjesë e familjes së Kombeve të Bashkuara që nga viti 1993, një
fakt që tregon për pavarësinë dhe rëndësinë e saj në skenën ndërkombëtare.
Kur
më në fund arritëm në qendër të Andorra la Vella, guida vazhdoi të na
zbërthente emrin dhe historinë e këtij qyteti. "Andorra la Vella,"
tha ai, "nuk është thjesht kryeqyteti, por zemra e gjallë e Principatës, e
vendosur në mes të maleve Pirenej, në kufirin mes Francës dhe Spanjës." Ai
na shpjegoi se emri i qytetit, që në katalanisht do të thotë "Andorra
qyteti," rrjedh nga fjala latine villa, që do të thotë "qytet",
duke e dalluar kështu nga principata e tërë. Ky qytet, me një popullsi prej
rreth 22,886 banorësh në vitin 2015, është një mikrobotë e pasur me histori dhe
kulturë, ku jeta urbane përfshin edhe Escaldes-Engordany dhe fshatrat përreth,
duke e çuar popullsinë e përgjithshme të zonës mbi 40,000 banorë.
Me
çdo fjalë që ciceroni shqiptonte, Andorra merrte jetë para syve tanë, një vend
ku e kaluara dhe e tashmja ndërthuren, ku çdo gur dhe çdo rrugë flet për një
histori që përshkruan thellësitë e këtij shteti të vogël, por me një shpirt të
madh.
Industria
kryesore e këtij vendi është turizmi, një burim që ushqen zemrën e tij të
gjallë dhe e bën atë një destinacion të dashur për miliona vizitorë çdo vit.
Por, përtej kësaj, Andorra mbështetet gjithashtu në të ardhurat e saj nga të
qenit një parajsë fiskale, duke tërhequr ata që kërkojnë strehë për pasuritë e
tyre. Prodhimet vendase si mobiljet dhe rakia, janë shembuj të mjeshtërisë së
njerëzve të saj, të cilët kanë ndërtuar një identitet të veçantë ndërmjet
maleve të larta dhe lugjeve të thella.
Me
një lartësi prej 1,023 metrash mbi nivelin e detit, Andorra la Vella,
kryeqyteti i kësaj principate të vogël, mban titullin e kryeqytetit më të lartë
në Evropë. Ky vend, me peizazhe që lënë pa frymë dhe rrugë të mbushura me
energjinë e qytetit, është gjithashtu një vendpushim i famshëm për skiatorët,
të cilët vijnë nga larg për të shijuar borën e bardhë që zbukuron malet gjatë dimrit.
Ndërsa
guida na tregonte për historinë e këtij vendi të mrekullueshëm, sytë tanë
përqafonin peizazhin që shtrihej përreth. Një vend që në pamjen e parë na dukej
i njohur, si një hyrje në Kaçanik, por me një ndjenjë të veçantë të largësisë
dhe misterit që mbartte me vete. Rrugët e Andorrës ishin të rregulluara me
kujdes dhe na çonin drejt qendrës së qytetit pa asnjë pengesë, pa ndeshje, pa
tejkalime të rrezikshme – një harmoni e qetë që reflektonte disiplinën e
spanjollëve në komunikacion.
Kur
më në fund mbërritëm në qendrën e qytetit, një zhurmë e gjallë na përshëndeti,
zërat e njerëzve dhe lëvizja e makinave që shtohej me çdo hap që bënim. Të
lodhur nga udhëtimi, të gjithë ne, turistët e etur për të zbuluar, kërkuam një
vend ku të mund të pushonim për një moment, të shijonim një mëngjes të ngrohtë
dhe një filxhan kafe që do të na jepte forcën e nevojshme për të filluar
aventurën tonë në këtë qytet magjepsës.
Ashtu
siç e kishim dëshiruar, autobusi ndaloi në zemrën e qytetit, ku u përhapëm për
të thithur energjinë e tij, duke u përgatitur për të eksploruar çdo qoshe, çdo
rrugë dhe çdo histori që Andorra la Vella kishte për të na ofruar. Dhe ashtu,
me stomakun e ngopur dhe shpirtin të mbushur me pritshmëri, u nisëm në
rrugëtimin tonë për të zbuluar këtë thesar të vogël të vendosur në zemrën e
maleve Pirenej.
Caku
ynë i parë ishte Shtëpia e Vallit, një ndërtesë që dikur shërbente si
parlamenti i vjetër i Andorrës, tani shndërruar në një muze që ruan thesaret e
kohërave të shkuara. Casa de la Val është një vend ku historia e Andorrës është
endur në muret e saj, duke ofruar një udhëtim nëpër shekuj përmes objekteve të
ruajtura me kujdes. Brenda kësaj shtëpie-muze, turistët mund të përjetojnë
atmosferën e lashtë të sallës ku mblidhej këshilli, të hyjnë në një kuzhinë të
vërtetë mesjetare, dhe të vizitojnë një dhomë mysafirësh që fsheh histori të të
shkuarës.
Dekorimi
i brendshëm i kësaj fortese nuk është i stolisur me pasuri të madhe apo ngjyra
të gjalla, por pikërisht kjo thjeshtësi e bën atë të veçantë, duke reflektuar
historinë dhe kulturën e këtij vendi të vogël malor. Në këtë hapësirë të
ngushtë ndodhet edhe Muzeu Postar, një depo e kujtimeve që lidh breza të
ndryshëm, ndërsa kati përdhe strehon kishën e Shën Ermengolit, një vend
shenjtërie që flet për përkushtimin e njerëzve të kësaj toke.
Pasi
u zhytëm në historinë e parlamentit të Andorrës, udhëtimi ynë vazhdoi drejt një
tjetër thesari të qytetit – Caldea Spa. Kjo qendër termale është një tempull i
mirëqenies dhe relaksimit, një vend unik që fton të gjithë ata që kërkojnë
paqen dhe rigjenerimin. Caldea është qendra më e madhe e ujit termal në Evropë,
një parajsë për trupin dhe shpirtin. Ciceroni ynë na tregoi se ky vend është i
përshtatshëm për të gjithë – qoftë për të kaluar kohë vetëm, me familjen, apo për
të shijuar një mbrëmje romantike në një ambient të magjishëm.
Territori
i Caldeas përhapet mbi 600 metra katrorë, me pishina që ndryshojnë nga
thellësia, shkëmbinj që krijojnë hapësira të fshehta, kaskada dhe ujëvara që
gurgullojnë pa pushim, një park ujor që zgjon fëmijën brenda secilit, dhe
xhakuzi që ofron çaste të çmuara relaksimi. Uji termal i Caldeas nuk është
thjesht një luks; ai përmban veti shëruese që freskojnë dhe rigjallërojnë, duke
sjellë një ndjenjë rinovimi që mbetet me ne gjatë gjithë udhëtimit.
Duke
shëtitur rrugëve dhe shesheve të Andorrës, më kapi një ndjenjë mahnitjeje që
zuri vend në zemrën time, sikur ky vend i vogël të kishte përmbledhur në
vetvete një botë të tërë mrekullish. Andorra, ndonëse e përmasave të vogla,
kishte një bukuri që i tejkalonte kufijtë e saj dhe që do ta lakmonin shumë
vende të tjera me hapësirë më të madhe. Ishte një thesar i fshehur mes maleve,
ku çdo rrugë dhe shesh të ftonte të zhyteshe në historinë dhe peizazhet e saj.
Një
nga vendet që më mbeti në kujtesë ishte Grandvalira, një resort skish që
përfaqësonte më të mirën që Andorra kishte për të ofruar. Ky vend, me
madhështinë e tij, ishte një parajsë për adhuruesit e skive, një zonë
prestigjioze dhe ikonike që shtrihej në zemër të maleve. Që nga viti 1956,
Grandvalira kishte ngritur flamurin e tij të bardhë mbi malet e Andorrës, duke
krijuar një rrjet të ndërlidhur pistash dhe ashensorësh që bashkonin
vendpushime të vogla në një peizazh të pandërprerë bore dhe qielli të hapur.
Resorti
ofronte kushte të përkryera për çdo lloj vizitori, qofshin ata profesionistë të
skive, apo të rinj që për herë të parë do të provonin emocionin e rrëshqitjes
në borë. Dhe për familjet që kishin ardhur me fëmijë të vegjël, ishte menduar
edhe për një kopsht dëbore, ku të vegjëlit mund të luanin të lumtur mes
fluturave të bardha.
Ndërsa
ecja nëpër rrugët e mbushura me njerëz nga çdo cep i globit, ku çdo treg dhe
dyqan shfaqte mallra që të çuditnin me larminë e tyre, u ndjeva sikur po shihja
një shfaqje pa skenë dhe pa fund. Njerëzit tregtonin me pasion e zell, dhe
teknologjia ishte e pranishme në çdo kënd, me pajisje që mund të bliheshin pa
taksa. Në atë treg, Tefiku më bleu për herë të parë një laptop të vogël ACER,
që do të bëhej një shoqërues i pandashëm në udhëtimet e mia të ardhshme. Ky laptop
i vogël ishte praktik dhe i fuqishëm, duke u bërë një mjet i vlefshëm që futet
lehtë në çantën time të dorës.
Tefik
Basha dhe Sabile Keçmezi-Basha, një pushim i merituar në qendër të qytetit
Andorra la Vella
Edhe
sot, ky laptop qëndron në shtëpinë time, jo vetëm si një pajisje teknologjike,
por si një kujtim i ëmbël nga Andorra, një vend që më dha shumë më tepër se sa
mund të përshkruajë me fjalë –më dha një copëz të veçantë të botës dhe të jetës
sime.
Pas
një periudhe relaksi, që na lejonte të shijonim lirinë tonë, ne zhytemi në
eksplorimin e qytetit për kënaqësinë tonë të plotë. Rrugët që ndiheshin si
shpella të historisë dhe ngjyrave na ftonin në një udhëtim të mrekullueshëm.
Por, përveç pamjeve që tërhiqnin vëmendjen tonë, ishim të habitur nga numri i
madh i grave që shërbenin si police të komunikacionit. Ato na përshëndesnin me
buzëqeshje të ngrohta dhe ftesa të mirëmenduara, duke na bërë të ndiheshim të
mirëpritur dhe të sigurt.
Një
kafiteri, e mbështjellë nga hijet e një parku të bukur, na ftoi të ndalnim dhe
të shijonim një kafe të aromatizuar, si një ndalesë e këndshme në këtë
ekskursion. Ndërsa shijonim kafen, syri ynë u ndal në një statujë që ishte
vendosur aty për të bërë një përshtypje të veçantë. Kjo statujë, e cila tërhoqi
gjithçka që kishte mbetur në mendjen tonë, ishte një krijim i jashtëzakonshëm i
Salvador Felipe Jacinto Dalí Domènech, i njohur si Salvador Dalí – një emër që
i dha një dimension të ri artit surrealist.
Dalí,
një artist i paharrueshëm që lindi më 11 maj 1904 dhe u nda nga kjo botë më 23
janar 1989, kishte krijuar një botë të tij të brendshme përmes pikturave,
skulpturave dhe skenografive të ndryshme. Në Figueres, në Kataloni, ai ndjeu
nevojën për të ndarë vizionin e tij me botën dhe krijoi muzeun e tij më 1974,
Teatri-Muze Gala Salvador Dalí. Me një pasuri prej 1648 pikturash dhe një
koleksion të jashtëzakonshëm të librave të ilustruar, vizatimeve, skulpturave
dhe projekteve të tjera, përfshirë një film animacion për Disney, Dalí kishte
lënë një trashëgimi të veçantë që i kishte dhuruar artit një prekje magjike dhe
të pabesueshme.
Ne
u njoftuam me këtë pjesë të veçantë të artit dhe, si për të vënë në pah atë që
sapo kishim zbuluar, ndaluam për të reflektuar mbi bukurinë dhe origjinalitetin
që vetëm një artist si Salvador Dalí mund të ofronte.
Një
orë e shtrembër, e cilësuar ndryshe nga çdo tjetër, shkëlqente në mënyrë
magjepsëse në atë ambient të veçantë. Përreth saj, një turmë turistësh të
habitur ishte mbledhur, të magjepsur nga kjo vepër e jashtëzakonshme arti. Ne,
gjithashtu, u ndalëm për të admiruar dhe për të kapur çastet e bukura në
fotografi, duke i lënë kafet tona përgjysmuar. Ndërkohë, kamarieri i
kafiterisë, kur vuri re se ishim të huajt, na solli nga një kafe të re për të
shijuar dhe për të kompletuar përvojën tonë të këndshme.
Koha
kalonte dhe ishte e nevojshme të ktheheshim në Barcelonë. Autobusi që na kishte
pritur ishte parkuar në një rrugicë të qetë dhe na ftoi të hipnim për në rrugët
e njohura që kishim përshkuar më parë. Këtë herë, po e shihnim çdo fushë dhe
peizazh me një vëmendje të veçantë. Ato ara të mbjella me duhan na kujtonin
fshatrat tona, ndërsa fushat me vreshta ngjasonin me Rahovecin e njohur për
vinotë e tij të mrekullueshme. Çdo gjë që shihnim na bënte të mendonim për
Kosovën, dhe kur ia thash Tefikut, ai qeshi dhe tha se isha e mërzitur nga
ngjashmëria e dukshme.
Në
mbrëmje, rreth orës 8, mbërritëm në hotel dhe, për fatin tonë të mirë, aty
kishim mundësinë të dëgjonim muzikë spanjolle, një melodi që e adhurojmë
thellë. Ne u tërhoqëm për të fjetur më herët se zakonisht, sepse rruga për tu
rikthyer në vendin tonë të dashur ishte e gjatë dhe e ngarkuar, dhe zemra jonë
ishte e mbushur me nostalgji dhe mërzi.