Speciale » Basha
Sabile Basha & Tefik Basha: Qiproja Veriore, ishull që mahnit me bukurinë e saj
E enjte, 14.11.2024, 06:05 PM
BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH...
QIPROJA
VERIORE, ISHULL QË MAHNIT ME BUKURINË E SAJ
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha &
Prof. Dr. Tefik Basha
Ishte
një fillim korriku me një shije të ëmbël të diellit dhe dëshirës për të
udhëtuar, por horizonti ynë mbetej pezull, si një ëndërr e gjatë e verës që
ende nuk po bëhej realitet. Për disa vite, kishim dëshiruar me të madhe një
pushim që na çonte larg, në brigjet e Qipros së ngrohtë, mes aromës së detit
dhe historive të lashta që ajo bart. Mirëpo, rruga drejt asaj toke dukej plot
kthesa e pengesa – nevojiteshin viza, aq shumë viza saqë dukej si një labirint
burokratik që vetëm na shtynte larg.
Dëshira
jonë ngjante si një zog që fluturonte drejt qiellit, por çdo herë një dorë e
padukshme e tërhiqte për t'u kthyer në tokë. Më pas, menduam për Greqinë, që
edhe ajo kërkonte një ndalesë dhe një vizë tjetër për të mbërritur në atë pjesë
të Qipros që na thërriste. Ishte si një rrugëtim nëpër tela të hollë, ku çdo
hap kërkonte durim dhe pritje. Dëshira jonë po zgjatej, shndërruar në një
pritje pa fund që gjithnjë e më shumë ngjante me një histori të pashkruar
pushimesh të largëta, por ende jo të prekshme.
U
munduam të gjejmë një rrugë për në Qipron turke, një derë të hapur për ne, por
agjencitë turistike nuk ofronin ndonjë shteg për atje nga Kosova jonë. Dhe
kështu, ëndrra për Qipron mbeti një mirazh i largët, që shuhej ngadalë nën
diellin e korrikut, ndërsa ne shihnim gjithnjë e më shumë drejt horizontit, me
shpresën se një ditë do të gjente rrugën e saj të hapur drejt nesh.
Ishte
një çast i rastësishëm, diku në vitin 2019, kur syri më ndal te një ofertë
pushimesh mes qindra rreshtash që premtuan arratisje të ëmbla verore. Në një
listë ofertash të agjencisë “Veneta”, vura re një arazhman që na çonte në
Qipron Turke – tokën e ëndërruar prej kohësh. Zemrat na u ndezën sapo lexuam
këtë mundësi të papritur, dhe pa hezitim vendosëm të shkojmë. Thirrëm agjencinë
dhe, si për mrekulli, mbetën dy vende të fundit, që i rezervuam pa humbur kohë.
Sabile
Keçmezi-Basha, aeroporti “Kemal Ataturk” Stamboll, 2019
Na
priste një javë përgatitjesh të ëmbla. Ditët kalonin në emocionin e valixheve
që ngadalë mbusheshin me shpresë, ndërsa dielli i verës shkëlqente gjithnjë e
më fort mbi mendimet tona për atë udhëtim. Dhe më në fund, në një mëngjes të
hershëm vere, u nisëm me dy valixhe në dorë drejt aeroportit të Prishtinës.
Aty,
aeroporti gumëzhinte si një koshere e gjallë bletësh; fytyra të njohura e
të panjohura prisnin të ngjiteshin në
qiell, disa drejt pushimeve të merituara, të tjerët drejt angazhimeve që i
prisnin gjetiu. Ndonëse agimi sapo kishte filluar, radhët ishin të gjata dhe
bisedat e gëzueshme të udhëtarëve jehonin, sikur aeroporti të të ishte një
portë e hapur e shpresave e ëndrrave që çelnin në ajrin e ngrohtë të verës.
Duke
udhëtuar në drejtim të aeroportit ”Ercan”, në Qipron Veriore, 2019
Aeroplani
drejt Stambollit ishte i mbushur përplot me shpirta ëndërrimtarësh, të gjithë
të ngarkuar me bagazhe e dëshira për një verë të largët. Kur më në fund zbritëm
në aeroportin “Kemal Atatürk”, u përfshimë në një gjallëri të pamasë, një lum
njerëzish që rridhnin si një lumë i madh, pa fund. Me durim dhe falë
informacioneve të sakta, gjetëm portën për në Qipron e Veriut.
Ishte
vërtet për t'u përgëzuar si çdo punëtor, nga pastrueset e deri te pilotët dhe
stjuardesat, përkushtoheshin që çdo udhëtar të gjente rrugën e vet. Dy
stjuardesa, me një ëmbëlsi të përzemërt, na drejtuan kah porta 303 (kështu e
kujtoj). Aty u ndalëm dhe pritëm të futeshim brenda, të gatshëm për të
kapërcyer edhe një prag drejt ëndrrës sonë.
Për
kënaqësinë tonë, porta e destinacionit na ofroi edhe një befasi tjetër – katër
gra nga Prishtina, fytyra të njohura që na bënë të ndihemi sikur ishim në
Prishtinë. Dhe kështu, rrugëtimi ynë drejt Qipros u bë më i këndshëm, i mbushur
me biseda e të qeshura që i dhanë gjallëri çdo minute të pritjes.
Duke
biseduar lehtë në aeroplan, secila prej nesh zbuloi se do të strehohej në anë
të ndryshme të ishullit – por nuk kishte rëndësi, pasi të gjitha po i
drejtoheshim së njëjtës tokë të ëndërruar. Dikush propozoi të shkëmbenim numrat
e telefonave, si një lidhje e padukshme mes dy skajeve të Qipros, në rast se
rrugët tona do të kryqëzoheshin sërish.
Stambolli
na kishte lënë pa fjalë me madhështinë e tij, me detin e njerëzve që lëviznin
si dallgë, mes shkëlqimit dhe zhurmës së pafundme të atij aeroporti të pamat. E
tani, ndërsa zbresim në ishullin e vogël të Qipros, na priti një befasi e
papritur – Aeroporti i Ercanit, një
ndërtesë e thjeshtë, e qetë, ku çdo gjë kishte një ngadalësi të lehtë,
sikur koha të rridhte më ngadalë këtu. Një derë e vetme shërbente si pikë
hyrjeje dhe daljeje, dhe në pistën e aeroportit ndodhej vetëm një aeroplan i
vogël, i cili priste të çonte udhëtarët e tij larg nga kjo tokë e qetë.
Sabile
Keçmezi-Basha, Kufiri në mes dy Qiprove, në mes lagjes, Nikozia, 2019
Për
çudi, gjithçka shkëlqente. Dyshemeja ishte aq e pastër sa pasqyronte rrezet e
diellit, dhe lule të gjalla zbukuronin çdo kënd. Personeli na priti me një
mirësjellje të ngrohtë, të gatshëm për të ndihmuar, si të donin të ndanin me ne
atë paqe dhe pastërti që dukej se mbushte çdo grimcë të ajrit. Ishte një
mikpritje që e bënte këtë vend të vogël të ndihej si një strehë ëndrrash të
harruara.
Pasi
hodha një sy të tërë hapësirës, duke thithur çdo detaj si fllad që të mbush
mushkëritë, ndjeva si kujtesa ime përvetësonte çdo çast, si një film që
xhirohej brenda meje. Aty, në atë përqendrim të ëmbël, dëgjova zërin e Tefikut,
që më thërriste butë të niseshim – shoferi na priste me makinën e tij, për të
na çuar drejt hotelit që do të ishte streha jonë për këto ditë të pushimeve.
Me
buzëqeshje të lehtë, u përshëndetëm me gratë nga Prishtina, duke u dhënë një
premtim që do të mbahej pezull mbi qiellin e ishullit: pas një jave do të
ktheheshim, sërish në këtë vend të qetë, ku valët dhe koha rrjedhin njësoj. Një
përshëndetje e thjeshtë, por që mbante brenda gjurmë të një lidhjeje që
kapërcente ishullin dhe na bashkonte me atë që lëmë pas, vetëm për tu takuar
sërish.
Tefik
Basha & Sabile Keçmezi-Basha, duke pritur me kalua në Qipron Jugore-
Nikozia, 2019
Shoferi,
me një mirësjellje të heshtur, mori bagazhin tonë dhe e vendosi në makinë, duke
na përgatitur për udhëtimin drejt hotelit “Kaya Artemis”, i cili shtrihej krejt
në anën tjetër të ishullit. Qysh në nisje, ai na ofroi llokume të mbështjella
me sheqer e kokos, dhe na foli me një buzëqeshje që ngjante si diell i butë,
edhe pse fjalët e tij ishin për ne të një bote tjetër, me kuptim të fshehur në
tinguj të largët. Megjithatë, një gjuhë e heshtur mes nesh përkonte, dhe
arrinim të kuptonim njëri-tjetrin përmes gjesteve e buzëqeshjeve.
Në
çastin që makina nisi të rrëshqiste në rrugën e re, vura re me habi se timoni i
shoferit ndodhej në anën e kundërt, e ne po lëviznim në të kundërtën e asaj që
ishim mësuar. Një valë frike më përshkoi, një ndjesi që kërkonte një siguri në
këtë vozitje të pazakontë, por ai, i qetë dhe i sigurt, na shpjegoi se voziste
në stilin anglez, sikur ishte një gjë krejtësisht e natyrshme për të.
Kjo
përvojë e re, me drejtimin ndryshe e ritmin tjetër të rrugës, na shtyu të heqim
dorë nga ideja e një makine me qira – një aventurë që ndoshta kërkonte një
guxim të pa kapërcyer për ne, në këto rrugë të reja që ndjekin një hënë tjetër.
Rrugës
kaluam mes fushave të begata, të ngopura me grurë që i përkulej erës dhe pemë e
perime që lulëzonin nga dora e njeriut. Në çdo hap takonim njerëz që punonin
tokën me një gjallëri të pashoqe, si të kishin lidhur shpresën me çdo grusht
dhe. Por kur dielli nisi të përvëlonte dhe dukej se s’do të kursente askënd nga
flakët e tij të mesditës, mbërritëm në hotelin që na priste si një prehje e
ëndërruar.
Ai
hotel ishte një mrekulli për syrin, një bukuri që ndoshta kurrë nuk e kisha
parë në atë lloj madhështie. Shfaqej si një pallat mes lulesh – mure që
ndizeshin nga ngjyrat e gjalla të luleve që zbukuronin çdo cep, ndërsa pishinat
vezullonin në të katër anët, plot me zëra që i gëzoheshin freskisë së ujit.
Dhoma
jonë ishte një parajsë më vete: e gjerë dhe e bardhë, me çarçafë të butë që
prushonin dritën e diellit. Nga dritarja, një pamje magjike drejt detit
shtrihej, e përqafuar nga gjethe e lule që kacavirreshin lart deri në dritaret
e katit tonë, si një përshëndetje e butë e natyrës që na ftonte në një strehë
paqësore, larg nxitimit të botës
Pas
një pushimi të shkurtër dhe rregullimit të valixheve, u veshëm lehtë dhe dolëm
për t'u dorëzuar në magjinë e drekës dhe të plazhit që priste si një premtim i
heshtur. Plazhi i hotelit, ndonëse jo i gjerë, ishte një bukuri e rrallë – rëra
e bardhë, aq e pastër dhe e imët, shkëlqente në diell si një thesar i fshehur
që ngjante me plazhet e largëta të Maldivëve.
Çadrat
e mëdha, të vendosura me hijeshi, e zbukuronin atë rërë të argjendtë, ndërsa
deti shtrihej përpara nesh, fillimisht i cekët dhe i përzemërt, për t'u
thelluar më tej në një përqafim të ngrohtë dhe qetësues.
Rreth
nesh njerëzit vinin nga të gjitha anët e botës, të bashkuar nën qiellin e
njëjtë të ndritshëm, por secili me historitë dhe gjuhët e veta, që përziheshin
në një melodi të gjallë ndërkombëtare. Tingëllonte turqishtja, anglishtja dhe
shumë gjuhë të tjera që nuk i kisha dëgjuar kurrë më parë – një mozaik fjalësh
dhe buzëqeshjesh që i jepte këtij vendi ndjesinë e një bote të tërë të mbledhur
në një breg të vetëm.
Një
histori në vete ishte dreka – një festë e ngjyrave dhe shijeve që ftonte të
gjithë shqisat të zgjonin nga kureshtja. Tavolinat ishin mbushur me të mirat e
tryezave turke dhe specialitete nga çdo anë, ndërsa njerëzit, të relaksuar dhe
të përhumbur në kënaqësi, shijonin çdo kafshatë si një festë e vogël për
shpirtin.
Lëngu
i freskët i ananasit dominonte si një fllad tropikal mbi çdo gotë, i përgatitur
aty për aty, duke shuar etjen e atyre që ndodheshin rreth pishinave. Kamerieret
– vajza të reja, elegante dhe të bukura, me përparëse të lehta që i valëviste
një fllad i butë – vraponin me tabaka të hijshme plot akullore dhe pije
freskuese, duke u endur si një vallëzim mes pishinave të mbushura plot.
I
vështrova me një vëmendje të çmuar dhe mendova, sa e madhe është bota dhe sa
shumë të bukura ka që nuk kemi arritur t'i shijojmë kurrë. Këtu, në këtë kënd
të parajsës, ora sikur ndalonte, duke e lënë kohën të rrëshqasë pa zhurmë. E
sigurt, edhe jeta kalon në këtë mënyrë
në këto anë, duke lënë pas kujtime, por jo shenja të kohës që ikën.
Sabile
Keçmezi-Basha & Tefik Basha, hotel
“Kaya Artemis” Qipro, 2019
Pastaj,
si një përqafim i butë, erdhi mbrëmja. Pas një dite të mbushur me çdo të mirë,
të përmalluar nga kënaqësitë që ky vend na fali, dolëm për të shijuar darkën
nën freskinë e natës. Nga të gjitha anët jehonin tingujt e muzikës, secili duke
na tërhequr drejt magjisë së tij. Diku afër dëgjohej një melodi turke, plot
gjallëri, ndërsa pak më tej përhapej një melodi e qetë e violinës, që si magji
na përshkonte thellë dhe na kujtonte vendin tonë, një kujtim që thyhej në valët
e detit.
Në
një kënd tjetër, një shfaqje teatrale mbante një grumbull njerëzish të qeshur,
ndërsa pak më tutje serenadat e ëmbla harmonizoheshin për bukuri me ritmin e
butë të detit. E megjithatë, ne zgjodhëm të ndalemi pranë muzikës vendore,
tingujt e së cilës shpërndanin një melankoli të rrallë. Ajo melodi, si puhiza e
natës, ngjante të mbante me vete dashurinë dhe kujtimet, duke na lënë të
humbshim në mendime dhe në një natë që s’do ta harronim.
E
dija, me thellësinë e shpirtit tim, se ditët shpejt ikin, si valët që
shpërthejnë dhe shuhen pa lënë gjurmë. Dhe pikërisht për këtë arsye, çdo moment
ishte një dhuratë e çmuar që kërkonim ta shfrytëzonim deri në fund, duke e
mbushur me kujtime dhe ndjenja që do të mbeteshin me ne përjetë.
Sabile
Keçmezi-Basha, disa metra në brendi të Qipros Jugore- Nikozia, 2019
Në
mbrëmje, lexova në internet se Qiproja Veriore, e njohur si Republika Turke e
Qipros Veriore, është një vend që mbart brenda vetes një histori të thellë dhe
të mbushur me
sfida,
duke mbetur e izoluar në arenën ndërkombëtare, e njohur vetëm nga Turqia dhe
Avganistani. Ndodhur në një hapësirë prej 3,355 km² dhe me 313,626 banorë
sipas regjistrimit të vitit 2015, ky
ishull mban ende gjurmët e një kalvari të gjatë historik. Që nga vitet 1960,
tensionet mes komuniteteve greke dhe myslimane e detyruan popullin turk qipriot
të tërhiqej në enklava të mbyllura, ku ndjenja e pasigurisë dhe ndarja ishin të
theksuara. Në vitin 1974, pas një përpjekjeje për të bashkuar Qipron me Greqinë
– ëndrra e "Megali Idea" – ndërhyrja ushtarake e Turqisë i dha fund
këtij synimi, duke mbrojtur turqit qipriotë dhe parandaluar bashkimin. Pas një
lufte të shkurtër, në vitin 1983 shpallet pavarësia e Republikës së Qipros
Veriore, një hap që është shoqëruar me prani ushtarake të fortë nga Turqia, e
cila vazhdon të mbajë një kontroll të sigurt mbi këtë pjesë të ishullit.
Ndërkohë, përpjekjet për ribashkimin e ishullit në një federatë kanë qenë të
shumta, por ende asnjëra prej tyre nuk ka arritur të sjellë një zgjidhje të
përhershme, duke lënë Qipron Veriore në një gjendje tensioni dhe pasigurie të
vazhdueshme.
Qiproja
Veriore shtrihet si një mozaik ngjyrash dhe kujtimesh në gjashtë distrikte
kryesore, ku secili rajon mbart me vete një histori të pashlyeshme dhe një
identitet të pasur. Lefko?a, Gazima?usa, Girne, Güzelyurt, ?skele dhe Lefke –
ky i fundit, i lindur pas ndarjes së Güzelyurt-it në vitin 2016 – janë shtyllat
që mbajnë krahët e këtij territori, të cilat bashkë formojnë një pamje të ndërlikuar
dhe të veçantë. Në këto territore, dymbëdhjetë nën-rrethe zbërthejnë me kujdes
peizazhin e Qipros Veriore, secili me ritmin dhe ngjyrën e tij, ndërsa njëzet e
tetë komuna të ndërlidhura krijojnë një rrjet të pasur bashkësish, të thurur me
kujdes dhe me lidhje të forta. Çdo cep, çdo gur dhe çdo shteg më tepër, është
një testament i një historie që mbetet e gjallë, një balancë delikate mes
ndarjes dhe bashkimit, që tejkalon kufijtë gjeografikë dhe përhapet në çdo
frymëmarrje të këtij vendi të lashtë.
Klima
e jashtëzakonshme dhe bukuria e paprekur e natyrës, një pasuri e rrallë
historike dhe kulturore që gjallëron nëpër muret e lashta të Salamisit,
Kourionit dhe Amatusit, plazhe me rërë të artë e guralecë që shkëlqejnë si yje,
dhe deti blu kristal që shtrihet pa fund – të gjitha këto e bëjnë Qipron e
Veriut një thesar të përhershëm të kërkimit të udhëtarëve. Aty, hotelet e reja
luksoze i ftojnë vizitorët të pushojnë në prehrin e rehatshëm të mikpritjes,
ndërsa kuzhina e pasur dhe verërat plot aromë vendase e përshkojnë shpirtin me
shije të paharrueshme. Kazinotë e gjalla shtojnë emocion, duke i dhënë vendit
një jetë të dyfishtë, plot dritë e adrenalinë.
Pushimi
ynë veror nuk ishte thjesht një pushim i zakonshëm – Qiproja e Veriut na ofroi
një arratisje të veçantë, duke na çuar në udhëtime nëpër vende të vogla e të
mbushura me histori të përjetshme, ku gjetëm momente të ëmbla për të prekur e
për të mësuar diçka të re. Ishte një përvojë që na fali një pushim të këndshëm
dhe një dritare të gjerë për të parë e për të kuptuar më shumë.
Qiproja,
ishulli ku historia dhe kultura ndërthuren si valët e detit, që nga viti 1974
jeton i ndarë – me zemrën e saj të ndarë në jugun grek dhe veriut turk. Në jug,
Republika e Qipros, dhe në veri, pjesa turke që përfshin rreth 37% të
sipërfaqes, shtrihet përgjatë brigjeve veriore e lindore të këtij ishulli
magjepsës. Nikozia e Veriut është kryeqyteti, një qytet ku përzien të kaluarën
dhe të ardhmen, ndërsa Kirenia, qyteti i dytë, përvijon qetësisht në bregdet me
bukurinë e saj të qetë e plot hijeshi.
Në
veri, tokat e lashta janë përplot pasuri arkeologjike të periudhës antike –
katedrale madhështore që gjallërojnë si dëshmi të historisë, manastire të
lashta që kanë mbajtur gjallë shpirtin e kohës, dhe plazhe të mrekullueshme ku
ndihen gjurmët e mijëra pushuesve. Limanet e përshkruara nga resorte luksoze e
gjithëpërfshirëse ftojnë për një pushim të paharrueshëm, ndërsa klima e ngrohtë
dhe e këndshme, deti që shndrit si bruz i qetë, dhe natyra magjepse ofrojnë një
prehje të plotë për shpirtin.
Tefik
Basha & Sabile Keçmezi-Basha, koha për kafe, “Kaya Artemis” Qipro, 2019
Në
kërkimin tim, pashë në dritën e "Google"-it qytetet që janë si perla
të vogla turistike: Kyrenia, një port që sheh të kaluarën dhe të ardhmen;
Famagusta/Bafra, plot energji e mister, dhe Nikosia, kryeqyteti që ruan
rrëfenjat e lashta. Gjithashtu, qytete të tjera të vogla e të përqendruara,
secili me ritmin dhe hijeshinë e tij, përbëjnë një mozaik të pazëvendësueshëm
të këtij ishulli të ndarë e të bashkuar nga hijeshia e natyrës dhe rrëfimet e
historisë.
Pas
tri ditësh të mrekullueshme nën përkëdheljen e diellit dhe mbi butësinë e
rërës, ku shpirtrat tanë u ngrohën dhe zemrat u mbushën me dritë, vendosëm të
nisnim një udhëtim të ri. Synimi ynë ishte qyteti i magjepsur i Kirenias, një
perlë mesdhetare ku çdo rrugë flet me gjuhën e lashtë të historisë. Pas
Kirenias, do të vazhdonim drejt Nikozisë, për të ndjekur gjurmët e qytetit të
ndarë e të bashkuar në kujtime – një udhëtim për të parë, për të ndjerë, për të
zbuluar botën e tyre unike dhe të pashlyeshme.
Në
fillim ëndërruam për një udhëtim të lehtë dhe të lirë drejt qyteteve përreth,
duke menduar të marrim një veturë me qira që do të na shoqëronte në aventurën
tonë. Por, kur kuptuam se rrugët këtu ndiqeshin ndryshe nga ato ku ishim mësuar
të vozisnim, hezituam, duke ndjerë se një makinë e huaj mund të na fuste në
telashe të panevojshme.
Stafi
i hotelit na sugjeroi diçka të thjeshtë e të këndshme: autobusin turistik të
hotelit, që mbante shëtitjet e turistëve drejt atyre viseve që prisnin të
zbuloheshin. E kështu vendosëm edhe ne, me një ngazëllim të fshehur për atë që
na priste.
Në
mëngjesin e parë, pasi shijuam një mëngjes të pasur dhe të mbushur me aromat e
freskëta të vendit, bëmë gati edhe një drekë për të na shoqëruar nëpër udhë. U
ngjitëm në autobus, i cili ishte i rehatshëm e plot njerëz që, ashtu si ne,
kërkonin të preknin me sy dhe zemër thesaret e fshehura të Qipros.
Autobusi,
i heshtur dhe i qetë, rrëshqiti mbi rrugët e ngushta sikur i përkiste vetë
ajrit mesdhetar, dhe në një çast, para syve tanë u shfaq Kyrenia, e bukura e
bregut verior të Qipros.
Kyrenia
– dikur një fshat i vogël peshkatarësh, sot është një perlë e Mesdheut, ku
malet përqafojnë bregun, dhe jeta shpërthen në ngjyrat e panumërta të orkideve
dhe këngën e zogjve që e zbukurojnë këtë tokë. Kyrenia ruan thesaret e saj me
krenari, si Kështjella madhështore dhe muzeun që fsheh një anije të lashtë, që
dikur lundronte në thellësitë e detit dhe tani përjetësohet në kujtesën e
qytetit.
Disa
minuta larg qëndronte Kështjella e Shën Hilarionit, kështjellë e lartë e
ngritur në vitet e kryqëzatave, që nga lart vështron çdo vizitor që i qaset.
Sot, Kyrenia ishte shndërruar në një qendër turizmi, ku hotelet rreshtoheshin
si margaritarë përgjatë plazheve ranore e ujërave të kristalta, ndërsa qyteti i
vjetër përballë marinës shpalos dyqane suveniresh, anije peshkimi, restorante e
taverna ku gatimet tradicionale turke sjellin shijen e vendit. Na thanë se në
mbrëmje, muzika turke dhe greke mbushte ajrin, tingujt e sharkisë dhe
mandolinës këndojnë ndërsa qyteti zgjohet në magjinë e natës.
Sapo
mbërritëm në Kyrenia, përhumbur në atmosferën e saj mesdhetare, bëmë një
lëvizje të shpejtë, duke prekur pikat më të rëndësishme të këtij qyteti që
ngjanin si një kujtim nga kohët e lashta. Çdo rrugë, çdo gur dhe çdo mur na
ftoi me historinë e tij, por koha na thirri.
Shoferi
i autobusit na njoftoi për nisjen drejt Nikozisë, dhe pa e zgjatur, u ngjitëm
përsëri në autobus, gati për një kapitull të ri. Zemrat na rrihnin fort ndërsa
rrugëtonim, të etur për të parë dhe për të ndjerë shpirtin e atij qyteti të
përfolur – Nikozinë, ku historia dhe përjetësia duken se enden në një harmoni
të lashtë e të pazëvendësueshme.
Nikozia
– qyteti i ndarë në dy gjysma, si asnjë tjetër në botë. Kryeqyteti zyrtar i
Qipros Jugore si dhe i Qipros Veriore, një vend i paqes e tensioneve të
heshtura, ku një kufi shtetëror shtrihet përmes rrugëve të tij dhe një vulë në
pasaportë mbetet kujtim për çdo kalim ndërmjet botëve të tij greke dhe turke.
Kjo ndarje, ky dualitet, e bën Nikozinë të veçantë, një qytet që ngërthen
historinë e lashtë dhe jetën moderne, i radhitur në mesin e qyteteve me më
shumë pasuri në botë për nga fuqia blerëse e popullsisë së tij.
E
aty, në rrugët e Nikozisë, jetojnë qetësisht macet – udhëtare të heshtura,
simbol i kulturës së përditshme që enden mes këtyre mureve të lashta. Ato janë
pjesë e shpirtit të qytetit, duke sjellë një përshëndetje të butë për çdo
kalimtar.
Shpirti
i Nikozisë zbulohet në zemrën e Qytetit të Vjetër, në labirinthet e Laiki
Geitonia, ku historia dhe e tashmja vallëzojnë bashkë. Për t’u ndalur janë
gjithashtu Muzeu Arkeologjik dhe ai i Qipros, si dhe xhamia e vjetër Selimiye
që ngrihet madhështore, dhe Monumenti i Lirisë – gjithsecili një shembull i
rrënjëve të thella e simbolikës që e mbajnë gjallë këtë qytet të
jashtëzakonshëm.
Nikozia
e Veriut, zemra e ndarë e një qyteti dikur të bashkuar, është sot kryeqyteti i
Qipros Veriore, qyteti më i madh i këtij shteti de fakto, ku frymon pjesa
veriore e Nikozisë.
Sabile
Keçmezi-Basha, hotel “Kaya Artemis” Qipro, 2019
Ky
qytet është nën kujdesin dhe qeverisjen e Bashkisë Turke të Nikozisë, duke
ruajtur gjallë frymën e së kaluarës dhe ndarjen që la pas historia. Me
popullsinë e saj prej rreth 61,378 banorësh dhe një metropol prej 82,539
shpirtrash që vijnë e ikin, Nikozia e Veriut qëndron krenare, e palëkundur, një
kryqëzim mes kohërave dhe komuniteteve të ndara nga një kufi i heshtur.
Ishte
dhuna e viteve '60 që çau këtë qytet në dysh, ndau jetët dhe zemrat, kur grekët
qipriotë dhe turqit qipriotë morën rrugët e tyre të veçanta – jug dhe veri. Ajo
ndarje u thellua edhe më shumë me grushtin e shtetit të vitit 1974, kur junta
ushtarake greke kërkoi bashkimin e ishullit me Greqinë, por ndërhyrja e shpejtë
e forcave turke pushtoi tokat veriore. Që atëherë, Nikozia e Veriut ka jetuar
në një realitet të njohur nga pak, por të dashur për ata që e ndjejnë pjesë të
pandarë të jetës së tyre.
Komuniteti
ndërkombëtar ende e sheh këtë qytet si një vend nën pushtim, një copë historie
që mbijeton mes përplasjeve të kohës. Dhe kështu, Nikozia e Veriut, me rrugët e
saj të lashta dhe shpirtrat që ecin mbi to, mbetet një testament i gjallë i
ndarjeve, shpresave dhe dhimbjeve të një ishulli që ruan kujtesën e vet në çdo
qoshe, në çdo hapësirë ku frymojnë të kaluarat.
Nikozia
e Veriut, zemra që rreh fuqishëm për ekonominë, politikën dhe kulturën e Qipros
Veriore, përfton një peizazh të larmishëm, ku dyqanet gjallërojnë, restorantet
gumëzhijnë dhe qendrat tregtare të thërrasin me dritat e tyre të ndritshme. Ky
qytet historik është rrethuar nga mure të lashta që ruajnë rrëfimet e kohës, me
Sheshin Sashin Sarayonu si pikë qendrën e tij të përhershme. Aty ku muret
takohen me rritjen moderne, rajoni i Derebojës gjallëron si zemra e biznesit
dhe argëtimit – një arenë ku bashkohet historia me pulsin e qytetit të sotëm.
Në
këtë qytet, mirësia dhe mirëqenia janë shpirti i të përditshmes, ndërsa
zhvillimi urban ka sjellë autostrada të reja dhe ndërtesa shumëkatëshe që
ngrihen mbi horizont, duke e bërë shekullin e 21-të një epokë të transformimit
për të. Valët e turistëve e gjejnë veten të përfshirë në festime të kulturës,
teatri dhe muzika ndërkombëtare ndizen si flakë në netët e qytetit. Nikozia e
Veriut, me një shpirt të ri që buron nga mbi 34,000 studentë të rinj që vijnë
për të kërkuar dijen dhe për të endur të ardhmen e tyre, ka katër universitete
që rrezatojnë dije dhe kulturë, ku Universiteti i Lindjes së Afërt qëndron si
fener i përhapjes së dijes.
Ky
qytet është më shumë se një qendër; është një vlim i vazhdueshëm i rritjes, ku
historia dhe moderniteti bashkëjetojnë, dhe ku çdo hap sjell një përvojë të re
– një vend ku të kaluarat dhe të ardhmet përqafohen në një të tashme plot
gjallëri.
Qyteti
na mahniti sapo hymë brenda tij, si një skenë që zbulohet ngadalë, me një
ndriçim të përmallshëm e një gjurmë historie që ndjehet në ajër. Kur autobusi
ndali, zbritëm plot kuriozitet, e gati instinktivisht nisëm kërkimin për rrugën
që na çonte drejt kalimit kufitar – i vendosur mu në zemër të qytetit, aty ku
prisnin dy botë që nuk takoheshin kurrë. Kishim dëgjuar për ndarjen e qytetit,
por asnjëherë nuk e kishim përfytyruar në atë formë, si një plagë e hapur, e pa
mëshirë.
Sabile
Keçmezi-Basha me zonjat nga Prishtina, aeroporti “Kemal Ataturk”, Stamboll,
2019
Kur
arritëm te kufiri, pamja na la pa fjalë. Një kolonë njerëzish rrinte në
heshtje, e gjatë e e pa lëvizur, secili në pritje për të kaluar në pjesën
jugore të Nikozisë. U bashkuam dhe ne në rendin e gjatë, me një ndjesi që herë
na drithëronte e herë na zhyste në mendime. Hapësira për kalimin, një rrugicë e
ngushtë, ishte larg imazhit të ndonjë kufiri të zakonshëm; aty, shtëpi të
vogla, të njëpasnjëshme, gërshetoheshin në një rrjetë të ngushtë, qëndronin si
rojtarë të heshtur të një ndarjeje që as dheu e as qielli nuk do të kishin
përfytyruar.
Rendi
lëvizte ngadalë, me hapa të vegjël dhe kohë që zgjatej, ndërsa ne afroheshim
gjithnjë e më shumë. Kur radha mbërriti tek ne, me nxitim nxora pasaportat dhe
ia zgjata doganierit që rrinte në një kioskë të vogël, ku vetëm duart mezi i
shquheshin. Na përshëndeti lehtë dhe, me një buzëqeshje të qetë, na pa
dokumentet. "Vazhdoni," na tha ai me mirësjellje. Me një hap të
shpejtë, kaluam për te dogana tjetër, e cila qëndronte përballë, sikur dy kulla
të vogla që shihnin njëra-tjetrën në heshtje të lodhur.
Dorëzuam
sërish dokumentet, sikur të kryenim një ritual të përgjumur në këtë prag të
ndarjes. Doganieri i ri i shfletoi me kujdes, me sytë që kërkonin përgjigje të
padukshme mes faqeve. Pas një hulumtimi të gjatë, ngriti sytë dhe na tha se nuk
mund të kalonim përtej, se këtu fillonte Qiproja greke dhe për të hyrë atje na
duhej një vizë. U ndjemë të shtangur, me një mosbesim që dukej se ai e kuptoi
mirë. “Si nuk mundemi të kalojmë?” e pyetëm, por ai, me një qetësi të
palëkundur, përsëriste të njëjtën përgjigje – një vizë ishte e nevojshme për të
hyrë në Qipro.
U
përpoqëm t'i shpjegonim se dëshironim të shihnim Nikozian, veç për një orë. Ai
na vështroi dhe pastaj u dorëzua, “Mund të shkoni vetëm deri te sheshi, është
shumë afër. Por, menjëherë duhet të ktheheni këtu.”
Na
ndali pasaportat dhe ne kaluam përtej, duke përthithur çdo cep të asaj pjese,
duke i parë kujtimet të shpaloseshin përpara syve, të shënuara nga një udhëtim
i ndaluar. Me çdo hap, grumbullonim fragmente të këtij qyteti të ndarë, si
kujtime që ngjiten pas nesh dhe s’e lënë kurrë shpirtin të harrojë.
Gjithë
kjo ndodhi për ne, shqiptarët nga Kosova, ishte si një rrëfim i parë e i
çuditshëm; një përjetim i ri për një kufi, që në një të kaluar jo të largët për
ne s’ishte veç një vijë e pakalueshme. Dikur, vetëm të afrohesh pranë kufirit
me Shqipërinë ishte mëkat i rëndë; as që mund të mendoje ta kaloje, pasi burgu
të priste me vite të tëra jete të humbura, vite të cilat nuk ktheheshin më.
Por
tani, aty ku hynim, dukeshin skena të zakonshme. Një grua me një tabaka të
madhe kishte përgatitur çaj të zi dhe po u shërbente dy kabinave të doganës.
Doganierët, të zhytur në biseda të qeta, qeshnin mes tyre. Atmosfera përreth
ishte e thjeshtë, e përbërë nga ca dyqane të vogla dhe lokale ku ofroheshin
ushqime të shpejta, çajra dhe kafe.
Qëndruam
ndoshta dhjetë minuta, por një ndjenjë sikleti e paqartë na ngucte. Një hije e
panjohur, një prani e heshtur që ndiqte pas hapat tanë, na kujtonte se
gjithmonë mbetej një mur mes qetësisë dhe dyshimit. Kështu që u kthyem, të
mbushur me kujtimin e atyre minutave, dhe duke ndjerë rëndesën e asaj ndarjeje
që s’e lejonte shpirtin të ndihej i lirë.
Me
të njëjtin ritual të lodhur u kthyem në doganë, morëm pasaportat dhe, me një çast
të shpejtë, kaluam kufirin, duke u gjetur në pjesën turke të Nikozisë. Ishim
tani në atë anë të qytetit, ku gjithçka kishte një dritë të ndryshme, por ende
përshkonte i njëjti diell, që rrihte nxehtë mbi kokat tona. Megjithatë, nuk e
ndaluam ecjen; shëtitëm ngadalë rrugëve, thithëm jetën dhe zërat e qytetit,
duke ndjerë pak nga fryma e tij e fshehtë.
Kur
u lodhëm, u ulëm në një restorant aty pranë, ku ndamë një drekë të thjeshtë.
Koha ecte përpara shpejt, sikur të na përzinte nga kjo botë ndarjesh dhe kalimesh
të pamundura. Dhe ashtu, kur minutat u bënë të rënda e kufizimi i kohës na
thirri përsëri, u kthyem në autobus. Shoferi, me një zë të qetë, na lajmëroi se
do të niseshim drejt Famagustës, duke i dhënë udhëtimit një kapitull të ri, për
të cilin zemrat tona ishin sërish të etura për të parë e përjetuar.
Teksa
rrugët tona përshkonin peizazhin e ishullit, shfaqeshin fshatra që ruanin
gjurmët e një kohe të kaluar, sikur aty koha të kishte fjetur për shekuj me
radhë. Ishin pamje që ngjanin si të dala nga një legjendë e harruar – me
shtëpitë e vjetra, restauruar me kujdes, të pajisura me veranda të hapura që
përqafonin pamjen e pemishteve përreth, duke pritur të qetë ardhjen e miqve.
Banorët,
me një mirëpritje të ngrohtë, u ofronin turistëve mundësinë të bëheshin pjesë e
jetës së tyre të përditshme: të ndihmonin në mbledhjen e frutave, të përzienin
lëngun e freskët të rrushit që do të kthehej në verë, duke ndjerë kështu ritmin
e ngadalshëm dhe të bukur të këtij vendi, ku e kaluara dhe e tashmja
bashkëjetojnë në harmoni të plotë.
Autobusi
gëlltitëte kilometrat e nga larg, Famagusta na fali një pamje madhështore –
qyteti i katërt i ishullit, madhështor e i begatë, shtrihej para nesh si një
oazë paqeje dhe bukurie, me plazhe të arta që përqafojnë bregdetin e kaltër,
dhe hotele luksoze që shkëlqejnë nën diellin mesdhetar.
Ndërtuar
mbi rrënojat e lashta të qytetit të vjetër të Salamisit, Famagusta është një
pasqyrim i bukurisë dhe historisë, ku ndërthuren kohët dhe legjendat. Të
famshmet mure, të ruajtura nga Kulla e Otellos, mbartin shenjat e një epoke të
kaluar, ndërsa Katedralja gotike e Shën Nikollës, një hijeshi e shekullit të
13-të, qëndron si dëshmi e historisë së gjatë të këtij vendi.
Rrugët
e ngushta me kalldrëm të çojnë në thellësi të qytetit, ku çdo hap të përball me
dyqane të vogla që shesin tekstile të butë, ar të ndritshëm, lëkurë të
përpunuar dhe qeramika të punuara me kujdesin e traditës. Buzë detit,
restorantet e vogla ofrojnë shije të kuzhinës greko-turke, ku aromat e pjatave
tradicionale përzihen me freskinë e ajrit të detit, duke krijuar një përvojë
magjike për çdo vizitor.
Diku
kisha lexuar se ndër plazhet më të mrekullueshme të ishullit gjenden pikërisht
në Famagusta, aty ku shtrihet Bafra dhe Parku Kombëtar i Karpazit. Plazhi i
Karpasias dhe Plazhi i Artë i Burhanit përhapin një ndjesi qetësie të pafund,
ku rëra e artë dhe deti i kthjellët shkrihen me horizontin, duke i dhuruar
vizitorëve një pamje që duket si përfytyrim i një parajse të heshtur dhe të
paprekur nga koha. Këtu, natyra rrëfen përralla të vjetra dhe e mbush shpirtin
me paqe të qetë, nën një qiell të hapur dhe valë që fërkojnë butësisht bregun.
Koha
kaloi shpejt, dhe ndërsa dita shkonte drejt fundit, shoferi na shëtiti rrugëve
të Famagustës pa ndalur askund. "Koha po përfundon," na tha ai, dhe
autobusi mori drejtimin për te hoteli Artemisa. Ditët e mbetura i kaluam aty,
duke zbuluar çdo cep të plazhit dhe rrethinës, çdo kënd të hotelit që na
mbronte në qetësinë e tij luksoze.
Dhe
si çdo udhëtim, edhe ky kishte një përfundim. Të pasuruar me një përvojë të
veçantë dhe kujtime të bukura, në një mëngjes të ngrohtë vere, një veturë e
hijshme na dërgoi në aeroportin Merxhan, ku zbuluam se vetëm aeroplanët nga
Turqia ateronin në këtë qoshe të ishullit.
Në
aeroport, sërish u bashkuam me gratë nga Kosova dhe të gjitha u zhytëm në
biseda plot gjallëri, duke ndarë përshtypjet për vendet e bukura që kishim
vizituar. Pas një pritjeje të gjatë në aeroportin Kemal Ataturk të Stambollit,
më në fund, aeroplani ynë preku tokën, dhe diku në mbrëmje, u kthyem në
Prishtinën tonë të dashur dhe të bukur, ku çdo gjë kishte një ngrohtësi të
njohur dhe të veçantë që na kishte munguar.