Speciale » Basha
Sabile Basha & Tefik Basha: Brukseli - Selia e Komisionit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian
E merkure, 06.11.2024, 09:09 PM
BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR,
KAH...
BRUKSELI-
SELIA E KOMISIONIT EVROPIAN DHE KËSHILLIT TË BASHKIMIT EVROPIAN
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha &
Prof. Dr. Tefik Basha
Pasi
menduam se kishim shkelur çdo cep të Parisit dhe kishim ndier gjithë bukurinë e
tij, befas një mendim i ri na goditi, si një fllad i freskët pas një dite të
gjatë. Agoni, me një shkëlqim në sy, tha: "Babë, a shkojmë në Belgjikë? Të
vizitojmë Brukselin!" Një ide e papritur, por e mrekullueshme, që
menjëherë ndezi një shkëndijë entuziazmi tek ne të gjithë. Tefiku, me
buzëqeshjen e tij të ngrohtë, e miratoi me gëzim propozimin dhe pa u menduar
gjatë, vendosëm të udhëtonim drejt një tjetër aventure. Fillimisht menduam të
marrim trenin nga Parisi, me çantat tona të vogla në krah, u nisëm drejt
stacionit. Posa arritëm aty, shpejt u përballëm me një surprizë të hidhur –
treni për Bruksel sapo ishte nisur. "Kur është treni tjetër?" pyetëm
me shpresë. "Pas dy orësh," na tha një vajzë me një buzëqeshje të lehtë.
Dhe në atë moment, ndjeva se dita e planifikuar për Brukselin po shkonte dëm.
Tefiku,
i zhgënjyer, po pyeste veten: "Çfarë të bëjmë tani?" Por Agoni, me
intuitën dhe shpirtin e tij aventurier, e gjeti zgjidhjen për ne: "Pse nuk
marrim një makinë me qira? Besoj se do të arrijmë atje më shpejt se treni që
sapo u nis." Një ide e shkëlqyer, dhe e pranuam menjëherë. Fati ishte me
ne, pasi pranë stacionit ndodhej një agjenci për makina me pagesë. Pa humbur
kohë, morëm një makinë dhe u nisëm drejt Brukselit.
Vetura
ishte pajisur me një navigator, duke na bërë udhëtimin shumë më të lehtë. Sfida
e vetme ishte të dilnim nga labirinti i rrugëve të Parisit, por me shkathtësinë
e Agonit pas timonit, arritëm të kalojmë pa probleme jashtë qytetit, dhe më
pas, rruga drejt Brukselit u shndërrua në një udhëtim të qetë dhe të këndshëm.
Sabile
Keçmezi-Basha& Tefik Basha, para përmendores së Rober Shumanit, Bruksel,
2014
Teksa
udhëtonim drejt Brukselit, një qytet që për ne kishte një domethënie të
veçantë, nuk mund të mos ndienim një lloj emocioni të veçantë. Ky qytet ishte
për ne një simbol, një vend ku vendimet më të rëndësishme për Kosovën tonë
ishin marrë aty. Dhe tani, ndërsa i afroheshim atij, ndienim një përzierje
emocionesh, mes respektit dhe kuriozitetit, për ta parë me sytë tanë këtë vend
që e kishim njohur vetëm përmes ekranit të televizorit.
Agoni
voziste me mjeshtëri nëpër rrugët e rrafshuara dhe të qeta të Perëndimit, duke
ecur me një shpejtësi të qetë, të denjë për një udhëtim të gjatë. Vetura ishte
komode, e ruajtur mirë, si të na kishte përgatitur një shtrat udhëtimi. Ndërsa
largoheshim nga zhurma e Parisit, bëmë një ndalesë në periferi për të marrë
gjërat më të domosdoshme për rrugë: ujë të freskët, kafe të ngrohtë dhe një
sërë pemësh të lëngshme. Nuk munguan as sandviçët e përgatitur me përshutë
lope, të cilët më vonë u treguan si shpëtimtarë të urisë sonë në rrugë.
Ishte
një ditë pushimi, dhe si për mrekulli, rrugët dhe parkimet ishin të lira nga
çdo pagesë. Ishte sikur Brukseli na
kishte hapur dyert e tij pa kërkuar asgjë në këmbim. Parkimi i veturave ishte
një barrë që nuk e ndjemë atë ditë, dhe kjo ishte ndër bekimet e vogla që e
bënin udhëtimin tonë edhe më të ëmbël.
Sabile Keçmezi-Basha& Tefik Basha, Ndërtesa e Komisionit Evropian, Bruksel, 2014
Kur
iu afruam Brukselit, prisja një qytet të madh e të ndërlikuar, por ndodhi e
kundërta. Çdo gjë që kishim dëshiruar të vizitonim, ishte aty, përpara syve tanë,
në shuplakë të dorës. Sa herë që lëviznim, dukej sikur qyteti na tregonte një
tjetër sekret të bukur. E parkuam veturën në një vend strategjik, që të mos e
humbnim nga sytë. Agoni, gjithmonë i kujdesshëm, fotografoi vendin ku e lamë
makinën, dhe pastaj, aventura jonë filloi.
Pa
e kuptuar mirë, kishim zbritur pranë sheshit kryesor të Brukselit, një hapësirë
e gjerë me kalldrëm, e mbushur me turistë nga çdo cep i botës, që sikur ne,
nxitonin të përjetonin qytetin sa më shpejt e sa më shumë. Autobusët turistë
qëndronin aty, duke bartur vizitorët nga një cep në tjetrin, ndërsa ne, të
magjepsur nga turma dhe zhurma e gjallë, u bashkuam me ta në këtë lumë
njerëzish. Rrugët e ngushta të qytetit ishin të mbushura me dyqane që hapnin
dyert e tyre ngadalë për hir të fundjavës. Edhe pse ishte e diel, jeta në
Bruksel zhvillohej me një ritëm të qetë, por të pandalshëm. Restorantet e
ngrohta kishin hapur dyert për turistët dhe vendasit, duke i mirëpritur me
buzëqeshje dhe me kafe aromatike, të shoqëruar me kifle të freskëta. Ishte
mëngjesi i një dite të zakonshme në këtë qytet, por për ne, çdo gjë kishte një
magji të veçantë.
Edhe
ne nuk mundëm t’i shpëtonim tundimit të aromës së kafes. Ulëm në një lokal të
vogël dhe, me kënaqësi, shijuam kafet tona të nxehta. Për mua, ajo kafe kishte
një shije që nuk e kisha ndier prej kohësh, si të kishte mbledhur brenda saj
gjithë shijen e udhëtimit, të aventurës, dhe të kësaj dite të mrekullueshme që
sapo kishte nisur.
Ndërsa
shijonim kafetë dhe bisedonim për shpejtësinë me të cilën arritëm në këtë
qytet, befas na kujtua që askush nuk na ndali në ndonjë kufi. Nuk kishte asnjë
kufi ndërmjet Francës dhe Belgjikës. Ndoshta kjo ishte arsyeja pse rruga na
dukej aq e shpejtë dhe e lehtë. Dhe vërtet, çfarë vlere kanë kufijtë që ndajnë
tokat dhe njerëzit? Pse bijat dhe bijtë e Adamit të mos jetojnë të lirë, pa
pengesa, të bashkuar në paqe dhe harmoni?
Një
mendim më i thellë na ktheu pas në kohë, te kujtimi i atyre mbi 45 viteve kur
ne, një popull me të njëjtin gjak, të njëjtën gjuhë dhe të njëjtin komb,
qëndruam të ndarë mes veti, pa guximin as të ëndërronim kalimin e kufirit mes
shqiptarëve. A mos vallë kjo ndarje na shoi dashurinë për nënën Shqipëri? A mos
ndali ëndrrën e shqiptarëve se një ditë, do të jenë bashkë, të lirë, një komb?
Jo, asnjëherë. Përkundrazi, sa më shumë që na ndalonin, aq më fort rritej
dashuria, aq më shumë madhëronim Shqipërinë në mendjet dhe zemrat tona.
Armiku
mbeti armik, dhe për gjithë ato vite, kurrë nuk arriti të na bindë se njerka
mund të jetë më e dashur se nëna. Falja i qoftë njerkës dhe të gjitha njerkave
të mira që ishin si nëna për fëmijët jetimë. Por për ne, asgjë nuk mundi ta
zbehte ndjenjën për atdheun. Shqiptarët nuk qëndruan duarkryq. Ata u
organizuan, luftuan në çdo mënyrë, për të sjellë ditën kur do të ishin të lirë
e të barabartë me kombet e tjera. Koha na dha të drejtë: kufiri u thye, Kosova u bë shtet falë dashurisë sonë
për tokën nënë dhe përpjekjeve tona të drejta.
Sabile
Keçmezi-Basha & Tefik Basha& Agon Basha, Sheshi i madh i Brukselit, 2014
Bisedonim
e debatonim për padrejtësitë historike, ndërkohë që përreth formoheshin radhë
për ushqim. Radhë... gjithkund radhë... edhe këtu, si në Paris. Pa e vënë re,
ishim ulur në një nga rrugët më të frekuentuara të Brukselit, ku gjëmonin
turistët dhe restorantet ishin të mbushura plot. Ora kishte kaluar dhjetën prej
kohësh, dhe ndoshta ishte koha për një mëngjes të shpejtë. Shihnim të tjerët
që, për shkak të mungesës së kohës, merrnin mëngjesin me vete dhe ecnin, duke e
konsumuar rrugës.
Vendosëm
të bëjmë të njëjtën gjë. Gati në çdo restorant, ushqimi i shpejtë ishte i
njëjtë: patate të skuqura. Duhej të prisnim në radhë për to, dhe radhët ishin
të gjata. Nuk e dinim kur do të vinim në radhë, po të mos kishte qenë një
student i Tefikut që takuam aty. E çuditshme si shqiptarët, kudo që ndodhemi në
botë, e gjejmë njëri-tjetrin dhe menjëherë krijojmë një ndjenjë mbrojtjeje e
solidariteti ndaj kombasit tonë.
Pa
pritur, studenti i Tefikut e përqafoi profesorin e tij me dashuri të madhe, dhe
ne mbetëm të habitur nga ajo skenë. Ishte një çast çmalljeje e ngrohtë, një
takim që na mbushi zemrat me emocion. Ai na tregoi me krenari se punonte
pikërisht në atë restorant dhe nuk mundi ta përmbante mallin kur e pa
profesorin e tij duke pritur në rend. Me një bujari të heshtur, na shërbeu pa u
vërejtur nga të tjerët dhe na ftoi në shtëpinë e tij. Koha nuk na premtonte për
vizita, por bisedat e tij, plot me humor e shaka, na bënë të ndiheshim sikur
koha ndaloi. Qeshnim pa ndalur, dhe bashkë me të, shumë bashkëkombës tanë u mblodhën
rreth nesh.
Kur
më në fund u përshëndetëm, ai na ftoi për drekë, por koha ishte e pamëshirshme
dhe nuk mundëm të premtonim asgjë, sepse orët që na mbetën duheshin shfrytëzuar
deri në maksimum.
Ndërsa
dita ecte, qyteti Bruksel mbushej gjithnjë e më shumë me njerëz, dhe ne
ndiheshim të detyruar ta vizitonim tërësisht. Makina na ndihmoi të arrinim në
çdo cep të tij, ndërkohë që Tefiku, si një udhërrëfyes i palodhur, kishte
lexuar dhe shënuar të gjitha vendet që duheshin parë. Falë tij, plani i vizitave
ishte i qartë dhe navigatori na drejtonte drejt caqeve tona gjithandej qytetit.
Gjatë
rrugës, ai na tregoi disa fakte interesante që kishte lexuar në internet për
Belgjikën. E njohur zyrtarisht si Mbretëria e Belgjikës, ky vend i Evropës
Perëndimore kufizohej me Holandën, Gjermaninë, Luksemburgun dhe Francën. Me një
sipërfaqe prej 30,689 kilometrash katrorë dhe më shumë se 11.5 milion banorë,
Brukseli ishte jo vetëm kryeqyteti, por edhe qyteti më i madh i saj.
Ai
përmendi me pasion përzierjen kulturore dhe gjuhësore të Belgjikës, ku
flamandishtja flitej në veri dhe frëngjishtja në jug, ndërsa Brukseli ishte një
oazë dygjuhësie. Gjermanishtja, ndonëse e folur nga një pakicë e vogël, kishte
po ashtu vendin e saj në këtë mozaik gjuhësor. Në jetën e përditshme dhe në
politikën e vendit, këto dallime gjuhësore reflektoheshin në çdo hap.
Pastaj,
duke shtuar ngjyrat e këtij përshkrimi, Tefiku na foli për klimën e butë detare
të Belgjikës, ku reshjet ishin të pranishme gjatë gjithë vitit, dhe për
peizazhin që kalonte nga relievi i rrafshët bregdetar deri te malet e larta të
Signal de Botrange, pika më e lartë e vendit.
Në
atë çast, duket sikur Brukseli, me gjithë ngarkesën e tij historike dhe
bukurinë e tij të shumëfishtë, na përqafonte ashtu si studenti kishte përqafuar
profesorin e tij më parë – me ngrohtësi dhe përmallim.
Brukseli,
zemra e Mbretërisë së Belgjikës dhe kryeqyteti i padukshëm i Bashkimit
Evropian, qëndron si një qendër e rëndësishme politike dhe kulturore. Në këtë
qytet të madh takohen historitë e së kaluarës dhe të ardhmes, teksa selitë e
Komisionit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian e bëjnë atë nyje të
rëndësishme ndërkombëtare. Ndërsa NATO gjen po aty shtëpinë e saj politike,
Brukseli mbetet gjithashtu një magjepsje për turistët, që e vlerësojnë jo vetëm
për rëndësinë e tij diplomatike, por edhe për bukuritë e tij të pafundme.
Ashtu
si qyteti i mrekullueshëm i Bruges, Brukseli është një perlë e gjallë, një
metropol e stërmadh që përbëhet nga 19 komuna të lidhura si në një mozaik të
bukura urbane. Në qendër të këtij mozaiku qëndron komuna e qytetit të
Brukselit, me rreth 145,000 banorë, por zona metropolitane e zgjeruar përfshin
më shumë se një milion shpirtra, të përhapur në një sipërfaqe prej 32
kilometrash katrorë.
Brukseli
është një qytet që mirëpret çdo stinë, me klimën e tij të lagësht dhe të butë,
të ndikuar nga afërsia me Oqeanin Atlantik. Megjithatë, periudha më e pëlqyer
për vizitorët mbetet koha nga maji deri në shtator, kur moti është më i ngrohtë
dhe më i këndshëm. Në qershor, korrik dhe gusht, qyteti gumëzhin nga jeta,
ndërsa temperaturat mesatare ngjiten deri në 17 gradë, duke ofruar një klimë
ideale për eksplorim. Dhe në dimrin e ftohtë, kur qielli mbulohet me re dhe
Brukseli përjeton freskinë e dhjetorit deri në shkurt, qyteti mbetet po aq
magjepsës, duke ofruar një qetësi të ftohtë dhe bukuri dimërore.
Brukseli,
me gjithë madhështinë dhe historinë e tij, mbetet një vend ku koha ndalet për
t’u shijuar dhe përjetuar thellë, qoftë në pranverën e freskët apo në dimrin e
heshtur.
Në
rrjedhën e kohës, aty ku lumi Zena rrjedh qetë, u ngrit vendbanimi i parë rreth
vitit 580, kur mbi adën e tij të ndrojtur u ndërtua një kishëz e thjeshtë. Por
historia e madhe do të shënojë vitin 979 si themelimin e vërtetë, kur
fortifikimet e para të përhershme u ngritën si mbrojtës të kësaj toke që shpejt
do të bëhej legjendë. Emri i Brukselit, i përthyer nga holandishtja e vjetër
"Bruocsella", flet për fillimet e tij modeste: një "shtëpi në
moçal", ku natyra dhe njeriu do të thurnin historinë.
Gjatë
mesjetës, qyteti nisi të lulëzonte si një qendër tregtare e rëndësishme, falë
pozitës së tij gjeografike strategjike, një urë mes botëve dhe tregtive të
mëdha të kohës. Në shekullin e 15-të, Brukseli u ngrit si kryeqyteti i Holandës
Bungur, duke u bërë zemra e një mbretërie që do të ndikonte për shekuj me
radhë. Historia e qytetit mbart mbi supe ndikimet e fuqive të mëdha: Holanda,
Spanja, Austria, dhe Franca, të gjitha lanë gjurmët e tyre në këtë tokë të
ndërlikuar dhe të larmishme.
Por
plagët më të thella Brukseli i mbarti gjatë dy luftërave botërore, kur
shkatërrimet dhe betejat e rëndësishme e kthyen qytetin në gërmadha.
Megjithatë, si një feniks që ngrihet nga hiri i tij, ai u rindërtua me
shpejtësi, dhe vitet gjashtëdhjetë të shekullit të 20-të shënuan rilindjen e
tij. Në 1967, Brukseli u bë selia e Komunitetit Ekonomik Evropian, dhe po atë
vit, shtëpia e Paktit të NATO-s, duke e vendosur qytetin në qendër të
diplomacisë botërore.
Sot,
Brukseli është një qytet që gumëzhin nga jeta diplomatike, duke u radhitur si
vendi me numrin më të madh të diplomatëve pas Nju Jorkut. Në secilën rrugë, çdo
ndërtesë mban mbi vete peshën e historisë, një përzierje e mrekullueshme e së
kaluarës dhe të ardhmes që ndriçon përmes diplomacisë dhe përparimit.
Sabile
Keçmezi-Basha, Manneken Pis, Bruksel, 2014
Aeroporti
shtrihet vetëm 11 kilometra larg zemrës së Brukselit, dhe ky qytet kompakt e i
ngrohtë të fton të endesh lehtë nëpër të. Cilindo hotel të zgjedhësh, ke në
duar çelësin e të gjitha pamjeve magjepse që ky qytet ofron. Në zemër të tij,
qëndron krenar Grand Markt, një nga sheshet më të ruajtura dhe më të bukura të
Evropës, që lartësohet në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Aty,
shtëpitë e esnafit të shekullit të 17-të shpalosin stilin e barokut, ndërsa
arkitektura e periudhës gotike dhe shkëlqimi i stilit francez të Louis XIV i
japin sheshit një ndjesi të përjetshme madhështie.
Sabile
Keçmezi-Basha, Bruksel, 2014
Në
anën jugore, Bashkia, ndërtuar në vitin 1402, ngrihet si një monument i
lashtësisë dhe hijeshisë. Brenda saj,
çdo kënd flet me bukurinë e pikturave të tavanit dhe muraleve që sjellin
gjallëri historisë së qytetit të Brukselit. Përballë saj qëndron Shtëpia
Mbretërore, dikur një furrë buke e thjeshtë e njohur si Shtëpia e Bukëpjekësit,
ku aroma e historisë dhe bukës gërshetohen me shekujt.
E
gjithë kjo skenë, çdo dy vjet në gusht, mbulohet me një tapet lulesh që
shpërthen në ngjyra dhe gjallëri, duke krijuar një atraksion të magjishëm që
mbledh shikime nga mbarë bota.
Nëpër
rrugët e qytetit, ndodhet një simbol që i përket Brukselit në një formë të
veçantë: Manneken Pis. Një djalë i vogël prej bronzi që urinon, i krijuar në
vitin 1619, por me rrënjë që shtrihen deri në vitin 1388. Kjo statujë, edhe pse
e thjeshtë, mbart një legjendë fisnike – se një djalosh shpëtoi qytetin nga
shkatërrimi duke urinuar mbi fitilin e një bombe, dhe kështu, në nder të tij, u
ngrit ky monument. Ai ka edhe një gardërobë të pasur për çdo rast: që nga
kostumi i Baba dimrit deri tek kostumet popullore nga vende të ndryshme të
botës.
Dhe
në një qoshe tjetër të qytetit, një tjetër statujë – Jeanneke Pis – qëndron në
heshtje, e krijuar në vitin 1950, por më pak e njohur se vëllai i saj i
famshëm.
Më
në veri, Pallati i Drejtësisë ngrihet madhështor, si një simbol i Brukselit dhe
Belgjikës. Ndërtesa gjigante e gjykatës, e ndërtuar në shekullin e 19-të,
mbulon 26,000 metra katrorë. Kupola e saj e artë lartësohet në qiell, duke
arritur 104 metra, ndërsa që nga maja e saj, syri mund të përqafojë një pamje
të gjerë e mahnitëse të Brukselit, një qytet që përherë ndriçon mes së kaluarës
dhe së ardhmes.
Katedralja
e Shën Michael e ngritur mbi themelin e shekujve, kjo katedralë gotike e Shën
Michael qëndron si një roje e Brukselit, kushtuar shenjtorit mbrojtës të tij.
Ndërtimi nisi në shekullin e 13-të dhe, si një poemë guri që zgjatet në kohë, u
përfundua në shekullin e 15-të. Fasada e saj me dy kulla që arrijnë lartësinë e
69 metrave i fton vizitorët të ndalen për një çast, për të admiruar madhështinë
e brendshme, ku çdo mur flet për historinë e shenjtëruar të qytetit.
Në
vitin 1958, për Ekspozitën Botërore, një strukturë unike ngrihej në qiellin e
Brukselit—Atomium, një molekulë hekuri, e zmadhuar 165 milionë herë, për të
shndërruar çelikun dhe aluminin në art të përjetshëm. Brendësia e saj i hap
dyert vizitorëve, duke i çuar me ashensor në topin më të lartë, ku një
restorant ndan qiellin me tokën dhe ofron një pamje mahnitëse të qytetit. Ky
monument, një gjigant modern, mbetet ndër atraksionet më të dashura të
Brukselit.
Park
Mini-Evropa, një udhëtim nëpër kontinent përmes një parku miniaturë, ku
përmasat e larta të historisë zvogëlohen me kujdes në 25 herë më të vogla. Mini
Parku i Evropës ofron një vështrim në më shumë se 350 monumente të famshme
evropiane, ndër to Kulla Eiffel, Kulla e Anuar dhe vullkani Vezuv, që edhe në
përmasa të reduktuara, frymojnë madhështinë e tyre. Disa prej tyre, në të
vërtetë, janë të lëvizshme, duke sjellë gjallëri në këtë udhëtim miniaturë
nëpër Evropë.
Agon
Basha& Sabile Keçmezi-Basha & Tefik Basha, Atomium, Bruksel 2014
Brukseli
është një thesar me mbi 90 muze që ftojnë shpirtin në një eksplorim të pafund.
Muzeu i Kakaos dhe Çokollatës shpalos ëmbëlsinë e artit të shkrirë, ndërsa
Muzeu i Arteve të Bukura i jep jetë pikturës
dhe skulpturës. Muzeu i Komikeve fton me ngjyrat e fantazisë, ndërsa
Muzeu i Arkitekturës Moderne përjetëson linjat e larta të mendjes njerëzore.
Muzeu i Shkencave të Natyrës dhe Muzeu i Instrumenteve Muzikore flasin për
natyrën dhe tingujt e saj, duke sjellë botën e njohurive dhe zërave të harruar
në dritën e sotme.
Dhe
përtej muzeve, në Bruksel gjenden kështjella që fshehin misteret e shekujve dhe
parqe që mbulojnë qytetin me gjelbërim e freski. Largohu nga realiteti dhe futu
në një ëndërr të gjelbëruar, ku hijet e kështjellave dhe bukuria e natyrës
flasin në heshtje.
Kalaja
dhe Parku Annevoie, janë projektuar nga dora e Charles Alexis de Montpellier,
Kalaja dhe Parku Annevoie janë një simfoni arti të gjallë, ku muret e lashta
përqafojnë gjelbërimin dhe bukurinë natyrore. Kështjella ngrihet si një kujtim
i së kaluarës, ndërsa kopshtet përreth saj shpërthejnë në ngjyrat e jetës. Një
kënd lojërash fton të qeshurat e fëmijëve, ndërsa në hije të drerëve,
pallonjve, gomarëve, deleve dhe ponive, vizitorët humbasin në një parajsë rurale.
Portokalltë ndriçojnë kopshtin me aromën e tyre të ëmbël, duke e bërë këtë vend
të përkryer për ata që kërkojnë një ndalesë nga përditshmëria dhe një udhëtim
në botën e natyrës dhe artit.
Reu
Neuve, nëse shpirtin e qytetit e kërkoni në arteriet e tij tregtare, Reu Neuve
është zemra që pulson me dyqane të markave botërore dhe stilistëve vendas.
Këtu, City2, qendra tregtare e madhe me mbi njëqind butikë, ofron gjithçka që
zemra mund të dëshirojë. Rruga është një ndalesë e domosdoshme për ata që
kërkojnë luks dhe stil, në prag të Sheshit Kryesor, ku shëtitësit ndeshin
ritmin e qytetit të vjetër.
Nëse
luksin e ëndërroni, atëherë Lewis Avenue është vendi ku mund të gjendet
gjithçka e duhur. Prada, Hermès, Gucci dhe shumë marka të tjera të njohura
ndërkombëtare i bëjnë homazh modës së përjetshme. Një pasarelë e luksit, ku
stilistët belgë, si Oliver Sterley, konkurrojnë me gjigantët globalë të modës,
me krijime që mbajnë vulën e artit vendas. Andaj, dyqani Inno, është një dyqan
ku mund të gjeni gjithçka që dëshironi, është një mikpritës për ata që kërkojnë
shumë më shumë se veshje.
Kur
suveniret bëhen kujtime, Grote Markt është vendi ku historia dhe arti i vogël
bashkohen. Rreth Sheshit të Qytetit, suvenire të papërshkrueshme, si magnetët e
vegjël me imazhin e Manneken Pis, dantella tradicionale belge dhe biletat me
temën e birrës, sjellin me vete frymën e Brukselit në çdo cep të botës.
Place
du Grand Sablon është një perandori çokollate e cila ngrihet në Place du Grand
Sablon, një vend i dashurisë për ata që i adhurojnë ëmbëlsirat. Godiva dhe
Neuhaus, mjeshtrit belgë të çokollatës, shfaqin artin e ëmbëlsirave në forma
dhe shije që të shkrijnë zemrën. Outletet e tyre janë thesare të fshehura, ku
ëmbëlsia shitet me çmime të ulëta, por me një shije që mbetet e pakrahasueshme.
Brukseli nuk është vetëm qytet kulturor, por edhe një oazë për adhuruesit e
qendrave tregtare. Westland dhe Ikea përbëjnë dy prej qendrave më të mëdha që
përqafojnë qytetin nga jashtë, duke ofruar gjithçka që dikush mund të kërkojë
në një shëtitje tregtare.
Kuzhina
e Brukselit është një simfoni shijesh e ndikuar nga shumë kultura—Franca,
Holanda, Gjermania—dhe ngjall një ndjesi harmonike në pjatat e saj. Ushqimi në
Bruksel kombinon sasinë gjermane me cilësinë franceze, duke krijuar një përvojë
të paharrueshme ku më shumë rëndësi i kushtohet shijes sesa pamjes. Waffles të
artë, patate të skuqura të shpikura nga belgët dhe çokollata që prek shpirtin
janë disa nga thesaret gastronomike që Brukseli ofron. Birra belge, një histori
më vete, është një nga pasuritë e qytetit, duke e bërë Brukselin një
destinacion ku çdo shije është një histori që pret të tregohet.
Tefik
Basha & Sabile Keçmezi- Basha, Sheshi i Madh i Brukselit, 2014
Pasi
kishim shëtitur çdo cep të tokës së premtuar, duke parë çdo vend që zemrat tona
kishin ëndërruar, u rikthyem sërish në atë shesh të njohur, nga ku nisi
udhëtimi ynë. Tani, me hapa më të lehtë, gjetëm një qoshe ku trupi të pushonte
dhe shpirti të shijonte darkën. A mos ishim shumë të uritur, apo ndoshta
vërtet, ajo tryezë ofronte një simfoni shijesh të përsosura? Çdo kafshatë dukej
si një këngë e padëgjuar më parë, e cila këndonte veç për ne.
Natën,
sheshi filloi të gjallërohej, duke u mbushur me njerëz, zërat e të cilëve
përziheshin me tingujt e muzikës së lartë që buronte nga restorantet përreth.
Ishte një përzierje aq e njohur dhe e dashur, që për një moment, u ndjemë sikur
ishim ulur në kafet e vogla të Prishtinës, ku zemra e qytetit rreh me të
njëjtën ritëm të gëzimit dhe jetës.
Ora
11 e natës na gjeti duke u kthyer sërish në Paris, duke mbajtur në zemër një
premtim të heshtur, se një ditë, me padurim do të rikthehemi, për të parë më
gjatë atë vend të largët e magjepsës, Norvegjinë e heshtur nën yjet e saj.