Speciale » Basha
Sabile Basha: Pse vonon Këshilli Europian për pranimin e Kosovës në gjirin e saj
E enjte, 02.01.2025, 07:00 PM
PSE VONON KËSHILLI EVROPIAN PËR PRANIMIN E KOSOVËS NË GJIRIN E SAJ
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha
Kohët
e fundit, në valën e pritjeve të gjata dhe ëndrrave të papërmbushura, dëgjojmë
se Kosova ende duhet të pres jashtë dyerve të Këshilli Evropian. Dhe shtrohet
pyetja: edhe sa do të zgjasë kjo pritje? Sa kohë duhet të qëndrojë Kosova në
këtë korridor të pafund, duke u shtrirë drejt një horizonti që herë-herë duket
më shumë mirazh sesa realitet?
E
kuptoj, natyrisht, se burokracia ka gjuhën e saj të ftohtë, se procedurat janë
një valle e gjatë dokumentesh që mbushin dosjet, se çdo hap kërkon plotësimin e
kushteve shtesë, të miratimeve, të negociatave. Por, përse kjo stërzgjatje që
ndjehet si një përbuzje? Përse ky përjashtim i zgjatur, që flet në heshtje më
shumë se çdo fjalë?
Kosova,
si një shpirt i palodhur, ka pritur gjatë dhe ka kaluar përmes udhëve të
dhimbjes dhe të sakrificës. Ajo e di mirë se si është të mbijetosh mes sfidave,
të rindërtosh nga rrënojat, të shpresosh edhe kur shpresa shfaqet si një fije e
hollë në horizontin gri. Por kjo pritje e pambaruar, ky refuzim që fsheh
paragjykime të heshtura, lëndon shpirtin e saj.
Përballë
kësaj padrejtësie të stërzgjatur, ngrihet një pyetje që nuk mund të shuhet: a
është kjo një provë e durimit apo një tregues i harresës? Sepse Kosova nuk
është një vend që duhet "të presë" pafundësisht; është një vend që
meriton të jetë pjesë e një familjeje që pretendon të jetë e bashkuar dhe e
drejtë.
Pra,
derisa ditët kalojnë dhe pritja shndërrohet në një melodi të gjatë durimi,
mbetet shpresa se një ditë Evropa do të shohë jo vetëm burokracinë e saj, por
edhe të vërtetën që pulson në zemrën e Kosovës. Dhe atëherë, ndoshta, pritja do
të marrë fund, dhe Kosova do të gjejë vendin që i takon në krahët e Evropës.
Ne,
si pjesë e kësaj toke të lashtë, kemi të drejtë të ndjejmë peshën dhe
dinjitetin e çdo të drejte që gëzojnë popujt e tjerë në Evropë. Është një e
drejtë që buron nga vetë qenësia jonë si popull, një thirrje e brendshme që
flet me zërin e historisë, i cili përçon dhembjet e të kaluarës dhe aspiratat e
një të ardhmeje më të drejtë.
A
nuk jemi edhe ne bij dhe bija të këtij kontinenti? A nuk i kemi mbajtur mbi
shpinë shekujt e sakrificave, duke dhënë gjak dhe djersë për t’i mbrojtur
vlerat që Evropa shpall si të shenjta? A nuk jemi edhe ne pjesë e mozaikut të
kulturave që përbëjnë këtë tokë të begatë? Ne kemi ndërtuar, na kanë
shkatërruar dhe jemi rindërtuar, kemi dashur, ëndërruar dhe vuajtur, njësoj si
popujt e tjerë që sot gëzojnë të drejtat e tyre pa kushte.
E
drejta jonë nuk është një privilegj; është një borxh që historia dhe drejtësia
ia kanë këtij populli. Një popull që ka qëndruar i fortë përballë stuhive të
padrejtësisë, që ka duruar harresën dhe ka ngjallur nga hiri i vet shpresën për
një jetë më të mirë. Nuk kërkojmë mëshirë, as lëmoshë. Kërkojmë vetëm atë që
është e drejtë, atë që na takon në bazë të parimeve që vetë Evropa i shpall si
universale: barazia, liria dhe dinjiteti.
Sepse
të drejtat nuk janë as dhuratë, as privilegj. Ato janë një themel mbi të cilin
qëndron njeriu, një frymë që na bën të ndihemi të plotë dhe të barabartë me të
tjerët. Dhe derisa vështrimi ynë mbetet i ngulur te ky ideal, ne vazhdojmë të
besojmë se drejtësia do të mbërrijë, njësoj si drita që shpërndan errësirën e
natës. Ne jemi këtu, duke pritur, duke punuar dhe duke ëndërruar për ditën kur
e drejta jonë do të respektohet plotësisht, si pjesë e pandarë e Evropës së
lirë dhe të bashkuar.
Pa
dëshirën tonë, pa zgjedhjen tonë, historia na vendosi aty ku kurrë nuk do të
kishim dashur të ishim. Si një fletë e brishtë në erën e furishme të
padrejtësive, ne u gjendëm të shtypur, të okupuar dhe të privuar nga të drejtat
më elementare, ato që çdo qenie njerëzore duhet t’i ketë si të lindura e të
pacenueshme.
Ishte
një robëri që nuk lidhej vetëm me trupin, por që përpiqej të nënshtrojë edhe
shpirtin tonë, të na heshtë zërin dhe të na shuajë ëndrrat. Ata që na mohuan
lirinë, nuk ndalën vetëm te kufizimi i hapësirës sonë; ata deshën të na grabitnin
identitetin, të na zhduknin kujtesën, të na bëjnë të harrojmë kush jemi dhe
çfarë na përket me të drejtë.
E
megjithatë, në atë terr të thellë, zemrat tona vijonin të rrihnin fort. Sepse,
ndonëse pa dëshirën tonë u ndodhëm aty ku u ndodhëm, ne kurrë nuk e humbëm
vullnetin për të ëndërruar përtej prangave. Ne kurrë nuk e humbëm dritën e
brendshme që na ndriçonte shtegun drejt lirisë. Në heshtjen që na u imponua,
zemrat tona këndonin këngët e rezistencës; në shtypjen që na u bë, ne e
ndërtuam qëndresën tonë.
Historia
na flakoi në një udhë të vështirë, por kurrë nuk arriti të na mposhtë
plotësisht. Dhe kjo është fuqia jonë – një popull që mund të jetë shtypur, por
që nuk u dorëzua kurrë. Një popull që, edhe kur i janë mohuar të drejtat më
bazike, ka mbajtur të gjallë zjarrin e shpresës, të dinjitetit dhe të ëndrrës
për një të ardhme më të mirë. Dhe ky zjarr do të vazhdojë të ndriçojë, derisa
liria të bëhet realitet i plotë, derisa zëri ynë të dëgjohet pa pengesa dhe të
drejtat tona të respektohen siç meritojmë.
Ne
ishim pjesë e Evropës shumë përpara se të formoheshin këshillat dhe
institucionet që sot e mbajnë atë si emblema të unitetit dhe qytetërimit. Ishim
Evropë në shpirt, në kulturë, në histori, dhe në trashëgiminë që na rrjedh në
gjak, edhe kur kufijtë dhe emrat e saj ishin ende të paqarta, një frymë që
pulsonte në çdo kodër, luginë e brigje të trojeve tona.
Kur
Evropa ishte ende duke formuar vetveten, ne ishim këtu, duke lëruar tokën, duke
ndërtuar qytetërime, duke krijuar gjuhë dhe art që i dhanë kuptim kohës. Ishim
pjesë e rrjedhave të saj, pjesë e luftërave të saj, dhe të fitoreve që u
shkruan në faqet e historisë. Kënga jonë, fjala jonë, rezistenca jonë, ishin të
ngulitura në themelet e asaj që sot quhet Evropë.
Edhe
kur Evropa i kishte harruar vlerat që sot shpall me krenari, ne i ruajtëm ato
brenda shpirtit tonë: mikpritjen, dinjitetin, dhe dashurinë për lirinë. Edhe
kur ishim të izoluar, të pushtuar apo të përjashtuar, ne nuk e humbëm lidhjen
tonë me këtë kontinent, sepse ajo nuk është vetëm një hapësirë gjeografike për
ne – është një pjesë e identitetit tonë të thellë.
Prandaj,
të thuhet se ne duhet të presim për t’u bërë pjesë e Evropës, është një
padrejtësi ndaj historisë sonë. Sepse ne ishim Evropë edhe kur ajo ishte ende
një ëndërr në formësim, edhe kur Këshilli Evropian nuk ekzistonte. Dhe tani, ne
kërkojmë vetëm që kjo të njihet – që të jemi aty ku gjithnjë kemi qenë, si
pjesë e pandarë e kësaj trashëgimie të madhe që quhet Evropë.
Ishte
një kohë kur ideja e një Evrope të bashkuar ishte thjesht një mendim i
guximshëm, një ëndërr që dukej e paarritshme mes rrënojave të luftërave dhe
ndasive të thella. Dhe pastaj, si një zë që vinte nga zemra e vetë kontinentit,
Robert Schuman artikuloi një vizion që shkonte përtej kohës së tij – një ide që
do të lidhte kombet e Evropës në një harmoni të re, duke kapërcyer konfliktet e
së kaluarës.
Vonë
në histori, por në momentin e duhur, kjo ide mori formë. Ishte një farë e
mbjellë në një tokë të plagosur, por me potencial të pafund. Propozimi i tij
për një Këshill Evropian ishte më shumë se një projekt politik; ishte një
thirrje për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët, për të gjetur një rrugë që
bashkon në vend që të ndajë. Ishte një akt guximi dhe shprese, që u ngrit mbi
themelet e bashkëpunimit dhe paqes.
Dhe
kështu, si çdo ide e madhe që kërkon përkushtim dhe vullnet të palëkundur, ky
vizion kaloi përmes labirintit të diskutimeve dhe kompromisit. Por falë
përkushtimit të shteteve evropiane, falë dëshirës së tyre për t’u ngritur mbi
kufijtë dhe ndasitë, ky vizion u bë realitet. Këshilli Evropian, nga një ide e
thjeshtë, u shndërrua në një institucion që mishëron frymën e bashkimit dhe të
solidaritetit.
Në
këtë mënyrë, ëndrra e Schuman-it nuk ishte vetëm një propozim i shkruar në
letër; ajo u bë një udhërrëfyes për një kontinent që kërkonte një fytyrë të re
dhe një shpirt të përbashkët. Dhe sot, kur shohim Evropën si një simbol të
bashkimit, duhet të kujtojmë se gjithçka filloi me një ide – një ide që gjeti
vendin e saj në historinë e njerëzimit falë përpjekjeve dhe vizionit të atyre
që besuan në të.
Në
ato kohëra të errëta, Kosova gjendej nën barrën e një okupimi që nuk linte vend
as për ëndrrat më të thjeshta, e lëre më për shpresën e të qenit pjesë e një
bote më të madhe, më të lirë. Ishte një realitet i ftohtë dhe i pamëshirshëm,
ku jo vetëm liria, por edhe vetë zëri i saj ishte i heshtur, i mbuluar nga
hijet e padrejtësisë.
Më
absurde se vetë robëria ishte heshtja që e rrethonte. Kosova nuk ishte vetëm e
okupuar; ajo ishte e zhdukur nga bisedat, nga planet, nga horizontet e atyre që
pretendonin të ndërtonin një Evropë të bashkuar dhe të drejtë. Si mund të
kërkohej të bëhej pjesë e diçkaje, kur as emri i saj nuk përmendej? Ishte sikur
Kosova të mos ekzistonte fare, një heshtje që lëndonte më shumë se çdo okupim
fizik.
Por,
në zemrat e atyre që e përjetuan atë padrejtësi, Kosova ishte gjithnjë e
gjallë. Ajo pulsonte në çdo zemër që nuk pranonte të nënshtrohej, në çdo shpirt
që ruante një grimë shprese për të ardhmen. Në atë terr, ajo mbeti një flakë e
vogël, e ndritshme, që refuzonte të shuhej.
Heshtja
për të ishte e rëndë, por jo përjetësisht e pandryshueshme. Sepse historia ka
një mënyrë të veçantë për të nxjerrë në pah të vërtetën, dhe Kosova, sado e
harruar, nuk mund të fshihej përjetësisht. Dhe ndonëse atëherë nuk kishte as
shansin më të vogël, në shpirtin e saj jetonte një bindje – se një ditë,
absurdi i heshtjes dhe padrejtësisë do të thyhej, dhe ajo do të ngrihej, jo
vetëm për të folur, por për të marrë vendin që i takon në botën e lirë.
Dhe
tani, në këtë udhëtim të gjatë drejt të drejtës dhe barazisë, shtrohet një
pyetje që nuk mund të injorohet: pse Kosova nuk mund të jetë pjesë e gjirit të
Evropës? Një pyetje që rëndon në shpirtin e atyre që kanë dhënë gjithçka për
lirinë, që kanë ndërtuar me mund dhe sakrificë një shtet të ri, të lirë, dhe të
pavarur.
Kosova
është një shtet që jeton me frymën e demokracisë, që qëndron mbi parimet e
barazisë dhe drejtësisë, dhe që dëshiron të ndriçojë në mozaikun e kombeve
evropiane. Është një komb që ka kaluar përmes plagëve të historisë, që është
ngritur mbi dhimbjet e së kaluarës dhe ka shikuar përpara me besimin në një të
ardhme më të ndritur. Liria dhe pavarësia e saj janë fituar jo me dhuratë, por
me gjak dhe me besim në idealet që Evropa shpall si të shenjta.
Prandaj,
pyetja mbetet pezull si një thirrje në heshtje: çfarë mungon? A mos vallë, në
këtë udhëtim drejt Evropës, janë ligjet dhe vlerat tona më pak të vlefshme? A
nuk janë përpjekjet tona për demokraci dhe drejtësi një dëshmi e dëshirës sonë
të palëkundur për të qenë pjesë e një bashkësie më të madhe?
Kosova,
me gjithë plagët e saj, është një shtet që pulson me jetë, me aspirata dhe me
një dëshirë të zjarrtë për të qenë e pranuar dhe e barabartë. Dhe derisa kjo
pyetje qëndron e hapur, ne presim një përgjigje që shpresojmë të jetë në
harmoni me vlerat që vetë Evropa promovon – sepse Kosova e lirë, e pavarur, dhe
demokratike meriton të jetë një ndër yjet që ndriçojnë flamurin e përbashkët të
Evropës.
A
duhet të matet Kosova me të njëjtin kandar si të tjerët që tashmë janë pjesë e
Këshillit të Evropës? A duhet të krahasohet nëse i përmbush apo jo kushtet? Po,
padyshim! Por krahasimi duhet të jetë i drejtë, i sinqertë dhe i ndershëm.
Duhet thënë me zë të lartë, pa drojë, se Kosova i përmbush këto kritere – dhe më
shumë se kaq.
Në
këtë vend të vogël, por të pasur me histori dhe shpirt, jetojnë mbi 1,602,515
banorë që ndajnë të njëjtën frymë të barazisë dhe respektit. Ky nuk është vetëm
një numër; është një dëshmi e gjallë e diversitetit që lulëzon pa konflikte. Në
Kosovë, njerëzit jetojnë krah për krah, pa dallim kombi, race apo feje. Ky
është një vend ku barazia nuk është vetëm një ideal, por një realitet i
prekshëm, një vlerë që mbrohet dhe manifestohet çdo ditë.
Në
Kosovë, tri konfesione të mëdha bashkëjetojnë në harmoni – një mozaik i
mrekullueshëm besimesh dhe traditash që qëndron si një shembull i rrallë për
botën. Në këtë tokë, nuk ndihet pesha e presionit fetar, as nuk shfaqet kurrë
përçarja që shpeshherë ndan të tjerët. Ky është një testament i tolerancës, një
dëshmi se njerëzit mund të bashkëjetojnë duke respektuar dallimet, duke
përqafuar atë që i bën të veçantë.
Prandaj,
pyetja nuk është nëse Kosova duhet të krahasohet – pyetja është pse duhet të
vazhdojë të presë, kur përmbush jo vetëm standardet, por edhe ofron një model
të rrallë të bashkëjetesës, të drejtësisë dhe të barazisë. Në zërin e Kosovës
tingëllon një kërkesë e thjeshtë dhe e drejtë: pranoje atë për atë që është –
një vend i lirë, i pavarur, demokratik, dhe një shembull i gjallë i vlerave që
Evropa pretendon të mbrojë.
Kosova
është një mozaik i gjallë i diversitetit, një vend ku ngjyrat e kulturave,
besimeve dhe traditave bashkohen për të krijuar një harmoni unike. Ky
diversitet nuk është thjesht një fakt i ekzistencës; është një pasuri që ushqen
shpirtin demokratik të këtij vendi, një burim force dhe stabiliteti që e bën
Kosovën të veçantë.
Në
këtë truall të lashtë, ku historia ka lënë gjurmë të thella, diversiteti nuk
është një pengesë, por një urë që lidh të kaluarën me të ardhmen, një dëshmi e
gjallë e bashkëjetesës dhe respektit. Është pikërisht kjo larushi njerëzish,
idesh dhe besimesh që mbron dhe forcon demokracinë në Kosovë, duke e bërë atë
më të qëndrueshme dhe më të drejtë.
Demokracia
lulëzon kur ushqehet nga pluralizmi, dhe Kosova është një shembull i kësaj të
vërtete. Në këtë vend, diversiteti nuk perceptohet si një sfidë për t'u
kapërcyer, por si një mundësi për të mësuar, për të ndarë dhe për të ndërtuar
së bashku. Në një botë që shpesh lufton me përçarjet dhe ndasitë, Kosova
qëndron si një dëshmi e asaj që mund të arrihet kur diversiteti shihet si një
forcë dhe jo si një dobësi.
Kjo
shumëllojshmëri është një shtyllë që mban gjallë demokracinë, një dëshmi se
liria dhe barazia janë të mundura vetëm kur të gjithë zërat dëgjohen dhe
respektohen. Kosova, me të gjitha ngjyrat e saj, është një shembull frymëzues i
një shoqërie që ndërton mbi themelet e diversitetit një të ardhme më të drejtë
dhe më të ndritur.
Kosova
është një vend që pulson me energjinë dhe gjallërinë e një popullate të re, një
gjenerate të edukuar dhe të arsimuar, që përfaqëson jo vetëm të ardhmen, por
edhe krenarinë tonë të sotme. Kjo rini është pasqyra e ëndrrave dhe aspiratave
tona, një dëshmi e përpjekjeve tona për të ndërtuar një shtet që ecën përpara,
duke e mbajtur kokën lart mes kombeve të tjera.
Ata
janë bij dhe bija të një toke që ka kaluar përmes vështirësive të pafundme, por
që kurrë nuk ka reshtur së shpresuari dhe punuari për një të ardhme më të
ndritur. Me arsimimin e tyre, me idetë dhe energjinë që sjellin, këta të rinj
janë ambasadorët tanë më të mirë – një dëshmi se Kosova është më shumë se një
vend i vogël; është një zemër e madhe që rreh me forcë dhe pasion.
Atëherë,
përse vonon pranimi i Kosovës në Bashkimin Evropian? Pse zgjat kjo pritje për
një vend që ka shumë për të dhënë dhe shumë për të ofruar? Pse duhet të
qëndrojë në prag, kur e ka dëshmuar se është e gatshme të jetë pjesë e një
familjeje më të madhe?
Kosova
nuk kërkon thjesht një vend në tryezë – ajo kërkon të njihet për atë që është:
një vend i lirë, demokratik, dhe me një popull që përfaqëson frymën më të mirë
të Evropës. Rinia e saj është dëshmia më e fuqishme e kësaj. Prandaj, vonesa
është jo vetëm e pakuptimtë, por edhe një padrejtësi që rëndon mbi një popull
që meriton të jetë aty ku i takon – në gjirin e një Evrope të bashkuar, të
drejtë dhe të barabartë.
Është
detyra jonë, një thirrje e brendshme dhe e pamohueshme, që të kërkojmë me ngulm
këtë të drejtë të natyrshme të Kosovës – të drejtën për të zënë vendin që na
takon në Evropë. Kjo nuk është një kërkesë e bazuar në privilegj apo mëshirë,
por në drejtësi, në merita dhe në vlerat që vetë Evropa i shpall si themelore.
Kosova
nuk ka njollë në ndërgjegjen e saj, nuk ka bërë gjenocid ndaj asnjë populli,
nuk ka lënë pas plagë të tilla që shkatërrojnë shpirtin e një kombi. Ne kemi
mbijetuar, kemi qëndruar të fortë dhe kemi luftuar për lirinë tonë, pa cenuar
lirinë e të tjerëve. E vërteta jonë është e pastër, një dëshmi e qëndresës dhe
dinjitetit që e karakterizon këtë popull.
Por,
kur shikojmë nga Serbia, historia nuk mund të heshtë. Krimet që janë kryer nga
ajo, genocidi dhe shkatërrimet, janë të gdhendura thellë në kujtesën e
njerëzimit. Askush nuk mund t’i mohojë ato; janë dëshmi të dhimbshme të një
kohe kur padrejtësia mbizotëroi mbi të drejtën dhe kur vuajtjet e pafajshme u
shkaktuan nga duart e një regjimi të pamëshirshëm.
Prandaj,
të kërkojmë vendin tonë në Evropë nuk është vetëm një çështje e aspiratave
tona, por një thirrje për të vendosur drejtësi në një botë që shpeshherë e ka
lënë Kosovën në periferi. Kosova meriton të jetë pjesë e këtij unioni, jo vetëm
për atë që është sot, por edhe për atë që ka kaluar dhe për atë që përfaqëson –
një simbol i lirisë, i barazisë dhe i një populli që kurrë nuk e ka harruar
dinjitetin e tij. Evropë, na dëgjo! E drejta është me ne.
Asnjëherë
nuk është e tepërt, as e mjaftueshme, të flasim për të vërtetat e hidhura dhe
për masakrat që kanë rënduar mbi shpinën e popullit shqiptar. Historia jonë
është e gdhendur me dhembje dhe sakrificë, dhe çdo fjalë që i kushtohet kësaj
së kaluare është një akt kujtese, një sfidë ndaj harresës dhe një dëshmi e
fuqisë së të vërtetës.
Dhembjet
e popullit tonë nuk janë thjesht statistika apo rrëfime të largëta – ato janë
plagë të gjalla në trupin e historisë sonë. Janë rrëfime për njerëz që u flijuan,
për shpirtra të pafajshëm që u shuan padrejtësisht, për një tokë që u njollos
nga barbaria, por që kurrë nuk u dorëzua. Çdo kujtim është një përpjekje për të
mos lejuar që e kaluara të mbulohet nga pluhuri i harresës.
Të
flasësh për këto të vërteta nuk është vetëm një detyrë ndaj atyre që nuk janë
më; është një thirrje për drejtësi, një kërkesë që të mos lejohet kurrë më
përsëritja e një tragjedie të tillë. Sepse kur historia hesht, krimi fiton. Dhe
ne, si popull, nuk mund ta lejojmë një heshtje të tillë.
A
thua vallë është pikërisht kjo e vërtetë që i frikëson disa? Një e vërtetë që
nuk mund të mbulohet me heshtje, një zë që nuk mund të shuhet pavarësisht
përpjekjeve për ta varrosur në harresë. Kosova nuk mund dhe nuk do të heshtë
për krimet që janë kryer ndaj saj. Ajo ka kaluar nëpër flakën e padrejtësisë
dhe dhimbjes, por nga ajo flakë ka dalë më e fortë, më e vendosur për të thënë
të vërtetën, për ta mbrojtur atë.
E
vërteta nuk është një armë për të goditur, por një dritë që shpërndan
errësirën, që i rikthen dinjitetin atyre që kanë vuajtur dhe që kërkon drejtësi
për ata që nuk janë më. Në emër të jetëve të humbura dhe plagëve që ende
dhembin, e vërteta duhet të zbardhet. Nuk është një kërkesë për hakmarrje, por
për drejtësi – një drejtësi që është gur themeli i paqes së vërtetë.
Ata
që janë përgjegjës për këto krime nuk mund të fshihen pas harresës apo
heshtjes. Fajtorët duhet të përballen me pasqyrën e veprimeve të tyre dhe të
marrin dënimin e merituar. Vetëm atëherë plagët mund të fillojnë të shërohen,
dhe shpirti i një kombi të gjallë mund të marrë frymë lirshëm, duke mos mbajtur
më mbi supe peshën e padrejtësisë.
Kosova,
me gjithë dhembjen e saj, është një shembull i qëndresës dhe i forcës së
shpirtit njerëzor. Dhe në këtë udhëtim drejt së vërtetës dhe drejtësisë, ajo
nuk është vetëm – e drejta dhe dinjiteti janë aleatët e saj më të fuqishëm.
Sepse e vërteta nuk mund të mposhtet, dhe drejtësia, sado të vonohet, gjithmonë
do të gjejë rrugën për të triumfuar.
Të
kujtosh masakrat që ka përjetuar populli shqiptar është një akt nderimi, një
dëshmi e forcës sonë për të qëndruar të gjallë dhe për të kërkuar një të ardhme
ku e drejta dhe paqja mbizotërojnë mbi padrejtësinë dhe dhunën. Dhe kështu, çdo
tregim bëhet një urë mes të kaluarës dhe të ardhmes – një urë që na kujton se e
vërteta, sado e dhimbshme, është e vetmja rrugë për të ndërtuar një botë më të
drejtë dhe më humane.
Pse
duhet të vonohet pranimi i Kosovës në Këshillin Evropian, kur kjo është një e
drejtë që buron natyrshëm nga vetë qenësia e saj? Kosova, si një shtet i lirë,
demokratik dhe i pavarur, nuk kërkon diçka që i përket dikujt tjetër – ajo
kërkon vetëm atë që me të drejtë i takon: vendin e saj në gjirin e familjes
evropiane.
Kosova
nuk është një kandidate e rastësishme për këtë bashkësi; ajo është pjesë e
Evropës në zemër, shpirt dhe histori. Këtu, mes maleve, luginave dhe fushave të
saj, rrahin zemrat e një populli që ka mbrojtur vlerat evropiane edhe në kohët
më të errëta. Vendi ynë nuk ka nevojë të përshtatet me Evropën – ai ka qenë gjithmonë
pjesë e saj, edhe kur Evropa e harroi apo e injoroi.
Vonimi
i pranimit të Kosovës nuk është thjesht një çështje burokracie; është një
padrejtësi që rëndon mbi një popull që ka dëshmuar përkushtimin e tij ndaj
lirisë, barazisë dhe drejtësisë. Është një pengesë për një të drejtë që është e
lindur, një e drejtë që nuk kërkon argumente të pafundme, por vetëm një njohje
të sinqertë të realitetit.
Kosova
e ka vendin e saj në Evropë, jo si një privilegj, por si një pjesë e natyrshme
e saj. Çdo ditë vonese nuk është vetëm një pengesë për ne, por një dështim për
të gjitha ato vlera që Këshilli Evropian pretendon të mbrojë. Prandaj, është
koha që kjo pritje e gjatë të marrë fund dhe Kosova të njihet për atë që është:
një shtet evropian, i denjë dhe i gatshëm për të ndarë të ardhmen e përbashkët
me popujt e tjerë të kontinentit.
Pse
Këshilli Evropian vazhdon të luajë të njëjtën lojë që dikur e luajti me
liberalizimin e vizave? A thua historia nuk ka mësuar ende se padrejtësitë ndaj
një populli të vogël, por të fortë si Kosova, nuk mund të justifikohen me asnjë
pretekst burokratik? Dikur, ky popull mbahej në një izolim të padrejtë, të
heshtur nga bota, ndërsa të tjerët lëviznin lirshëm dhe gëzonin të drejta që
për Kosovën mbeteshin ëndrra të largëta.
Ai
izolim ishte më shumë se një pengesë fizike; ishte një plagë morale, një ndjesi
se Kosova po dënohej për fajet e të tjerëve, ndërsa vetë kishte luftuar për
liri dhe drejtësi. Ishte një padrejtësi që peshonte rëndë mbi krahët e një
populli të etur për frymën e lirisë dhe për të qenë pjesë e një bote që
pretendon barazi dhe drejtësi.
Tani,
duket sikur e njëjta lojë vazhdon, por me një tjetër emër – një vonesë e
panevojshme dhe e pajustifikuar për të dhënë atë që është e drejtë dhe e
natyrshme: vendin e Kosovës në Evropë. Ky popull, që ka përballuar izolimin me
dinjitet dhe qëndresë, meriton më shumë se sa të jetë subjekt i një loje që
vonon të drejtën e tij për të qenë i barabartë.
Evropa
duhet të shohë përtej kalkulimeve të ftohta politike dhe të dëgjojë zërin e
Kosovës, një zë që kërkon vetëm atë që i takon me të drejtë. Është koha që loja
e padrejtësisë të marrë fund, dhe që Kosova të mos mbahet më në pritje të
pafundme, por të mirëpritet si një anëtare e denjë e familjes evropiane. Sepse
çdo vonesë e mëtejshme nuk është thjesht një lojë, por një plagë që vazhdon të
hapet në shpirtin e një populli që kërkon drejtësi.
Liberalizimi
ndodhi – një hap i gjatëpritur, i vonuar padrejtësisht, por që më në fund u
realizua. Dhe çfarë ndodhi? Asnjë fatkeqësi nuk e goditi Evropën, asnjë stuhi
nuk trazoi stabilitetin e saj. Përkundrazi, ajo zbuloi diçka të çmuar: një
popull të urtë, fisnik dhe bujar, që sjell me vete vlera të rralla dhe një
energji të jashtëzakonshme.
Populli
shqiptar është një pasqyrë e asaj që njerëzimi ka: një racë e përkushtuar, me
zemër të madhe dhe shpirt të thellë. Besnikëria dhe punëtoria e tij janë gurë
themeli që e bëjnë çdo shoqëri më të fortë. Ky popull, i forcuar nga historia
dhe i ndritur nga shpresa, nuk kërkon asgjë tjetër veçse të jetë i barabartë
dhe të kontribuojë me dinjitet në familjen evropiane.
Pranimi
i Kosovës në gjirin e Evropës nuk është thjesht një akt drejtësie, por një
mundësi për Evropën që të përfitojë nga vitaliteti dhe forca e këtij populli.
Kosova është një thesar kulturor, një shtet që mishëron vlerat e lirisë dhe
demokracisë, dhe një partner i besueshëm për të ndarë përgjegjësitë dhe sfidat
e një bote gjithnjë e më të ndërlikuar.
Evropa
ka shumë për të fituar nga përqafimi i plotë i Kosovës: një aleat të vendosur,
një popull të përkushtuar dhe një shembull të guximit dhe rezistencës. Prandaj,
vonesat nuk janë vetëm të pajustifikueshme, por edhe të dëmshme për të gjithë.
Është koha që Evropa të shohë përtej paragjykimeve dhe të mirëpresë Kosovën,
duke përfituar nga ajo që ky popull i jashtëzakonshëm ka për të ofruar.
Është
një thirrje që nuk mund të injorohet: vendimet e duhura duhet të merren në
kohën e duhur. Sepse vonesat nuk janë thjesht pengesa; ato janë padrejtësi që
rëndojnë mbi ata që kanë të drejtën të jenë aty ku u takon. Për Kosovën, vendi
është vetëm një – në gjirin e Evropës, në mozaikun e saj të popujve dhe
kulturave, aty ku ka qenë gjithmonë pjesë e natyrshme.
Kosova
nuk është një vend që kërkon të gjejë një vend në Evropë – ajo ka qenë aty,
pjesë e historisë, pjesë e shpirtit të këtij kontinenti, shumë më përpara se
disa të tjerë të zbrisnin nga malet e Karpateve. Ky truall i lashtë, ku kanë
lindur dhe lulëzuar qytetërime, dëshmon se ne nuk jemi të huaj në këtë tokë të
përbashkët; ne jemi themeli, rrënja, fryma që ka ndihmuar në formësimin e
Evropës.
Prandaj,
vonesat dhe justifikimet burokratike janë një shkelje e asaj që është e drejtë.
Të pranosh Kosovën në vendin që i takon nuk është vetëm një akt drejtësie për
një popull që ka kaluar përmes sfidave të pafundme, por edhe një detyrim moral
ndaj historisë dhe të ardhmes. Sepse të mos pranosh Kosovën është të injorosh
një pjesë të rëndësishme të vetë Evropës.
Koha
është tani, momenti është i sotmi. Kosova duhet të jetë aty ku e ka vendin – në
zemër të Evropës, jo si një mysafir, por si një anëtare e barabartë dhe e
denjë. Sepse ne kemi qenë Evropë, edhe kur historia ishte ende duke u shkruar
në faqet e lashtësisë, dhe sepse e ardhmja jonë është e pandashme nga kjo
familje e madhe. Evropë, na prano për atë që jemi: një pjesë e pandarë e
vetvetes tënde.
1 janar 2025
Prishtinë