Speciale » Basha
Sabile Basha & Tefik Basha: Amerika – Ku fryma e letrave jeton - Key West i Hemingway-t
E shtune, 07.12.2024, 06:59 PM
BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH...
AMERIKA:
KU FRYMA E LETRAVE JETON – KEY WEST I HEMINGWAY-T
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha &
Prof. Dr. Tefik Basha
Jeta
në Boston rridhte me ritmin e saj të vrullshëm, si një simfoni e qytetit që nuk
ndalej kurrë. Ditët ngjanin me dallgët e detit aty pranë, të pafundme në
energjinë e tyre dhe plot gjallëri që mbushte çdo cep të kësaj metropole.
Planet tona, si zogj të lirë, fluturonin nga një ide në tjetrën, dhe në atë
natë pritjesh e bisedash, vendosëm që të nesërmen ta kalonim thjesht duke
shëtitur buzë detit, në atë kornizë magjike ku qyteti takon oqeanin.
Deti
na thërriste me melankolinë e tij të përjetshme, ndërsa rrugët përreth
gumëzhinin nga zërat e të rinjve që bënin muzikë, duke e kthyer çdo cep në një
skenë të hapur arti. Aty, pranë brigjeve, shfaqjet publike zbukuronin
atmosferën, një dhuratë e lirë për të gjithë ata që ndaleshin për të parë dhe
dëgjuar. Nuk kishte nevojë për bileta apo pagesa – vetëm zemra e hapur dhe
dëshira për të qenë pjesë e gjallërisë së botës.
Isha
e mahnitur nga ajo atmosferë, nga energjia që ngrihej si një valë e padukshme,
që përhapej në çdo fytyrë dhe çdo buzëqeshje. Dukej sikur gjithë bota kishte
vendosur të takoheshin në Boston atë fundjavë, të ndanin momente gëzimi dhe
çlodhjeje në këtë qytet të vendosur në buzë të detit. Ishte një ritëm që
mbushte shpirtin me dritë, një vallëzim i heshtur mes njerëzve dhe natyrës, ku
çdo frymëmarrje dukej si një ftesë për të jetuar me gjithë fuqinë e jetës.
Një pasdite të së
premtes, mes zhurmës së bisedave të ngrohta dhe avullit të kafesë që mbushte
dhomën, ishim ulur të gjithë, të kapluar nga ritmi i jetës së përditshme.
Fëmijët kërkonin ndihmë për detyrat e tyre, dhe zërat tanë, herë duke qeshur e
herë duke shpjeguar, plotësonin atmosferën. Ishte një çast i thjeshtë, por i
ngrohtë, ku harmonia e familjes ndihej në çdo qoshe.
Papritur, një zile
theu ritmin e qetë. U ndalëm të gjithë, duke u parë mes vete me një ndjesi
kureshtjeje të përzier me habi. Nuk prisnim askënd atë ditë. Kush mund të ishte
në derë?
Tefik Basha, Arta Basha-Jakupi, Sabile
Keçmezi-Basha, Agon Basha dhe nipërit tanë, Majami, 2018
Arta, me hapin e
saj të shpejtë dhe kureshtjen që e përshkruan gjithmonë, shkoi për të parë. Dhe
pastaj, si një dritë që shpërthen papritmas, erdhi thirrja e saj e gëzimit, një
tingull që mbushi shtëpinë me jetë.
Ne të gjithë, pa
vonesë, u ngritëm për të parë se çfarë kishte ndodhur. Çfarë befasie po na
priste? Dhe ja, në derë, si një dhuratë e papritur nga vetë fati, ishte Agoni.
Ai, që nuk e prisnim, kishte mbërritur, dhe fytyrat tona u mbushën me dritën e
një gëzimi që nuk mund të përshkruhet me fjalë.
Përqafimet, lotët
e lumturisë dhe qeshjet që shpërthyen atë çast ishin si një simfoni dashurie. E
gjithë ajo pritje e pavetëdijshme, gjithë ajo mungesë e paditur, u zhbë brenda
një çasti, ndërsa ne përqafonim Agonin sikur të ishte vetë mirësia që na kishte
ardhur në prag. Dhe kështu, një pasdite e zakonshme u kthye në një kujtim të
artë, një copëz lumturie që do të mbetej përherë e gdhendur në zemrat tona.
Është një magji e
veçantë, ajo që fëmijët tanë sjellin në jetën tonë, një art i fshehtë i
befasive që shpërthen si dritë në çastet më të zakonshme. Agoni, me një
buzëqeshje të fshehtë dhe sytë që ndriçonin, u bë vetë lajmëtar i një surprize
që as e kishim menduar. Pasi u rehatuam dhe zemrat tona u qetësuan nga malli që
kishte mbledhur netët e largësisë, ai na tregoi planin e tij të fshehtë:
biletat ishin prerë, hoteli buzë detit ishte rezervuar dhe, pa shumë mendime,
duhej të niseshim nesër për në Majami.
Habia jonë u
përzien me një lumturi fëmijërore, ndërsa ideja e një udhëtimi të papritur na
mbushi me gëzim. Ishte një ëndërr që po realizohej, një ftesë për të lënë pas
përditshmërinë dhe për t’u zhytur në ngjyrat dhe dritën e një peizazhi
tropikal.
Rruga ishte e
gjatë, por si me magji, fluturimi kaloi pa asnjë pengesë. Qielli, me ngjyrat e
tij të pafundme, u bë ura që na çoi nga rutina në një botë të re. Për tri orë,
prej krahëve të aeroplanit, arritëm në pragun e një parajse, një hotel që
përqafohej nga zhurma e valëve dhe aroma e kripur e ajrit të detit.
Agon Basha, Arta Basha-Jakupi, Tefik
Basha, Sabile Keçmezi- Basha, nipat (Darsi e Gerti), Plazhi i Majamit, 2018
Plazhi i Majamit,
i ndriçuar nga dielli që dukej sikur përshëndeste ardhjen tonë, u shfaq para nesh si një premtim i një kohe të
paharrueshme. Dhe ne, të mbushur me falënderim për këtë dhuratë të papritur,
ndjemë se çdo moment i kësaj aventure do të bëhej një perlë në vargun e
kujtimeve tona. Fëmijët e mi, gjithmonë një burim surprizash, na dhanë edhe një
herë arsye për të besuar se momentet më të bukura në jetë janë ato që nuk i
pret, por i mirëpret me zemër të hapur.
Kujtesë: Një ditë e nxehtë vere, e
vitit 1989, kur dielli përvëlonte dritaret dhe bënte ajrin të dridhej, unë,
Arta dhe Agoni, u zhytëm në botën e një filmi që na çoi drejt kujtimeve të
përjetësuara të Ernest Heminguejit. Ishte një udhëtim mes fjalëve të tij,
historive që ai kishte thurur dhe jetës së tij, që dukej si një roman më vete.
Ekrani na tregoi shtëpinë e tij në Key West, një strehë e heshtur mes palmave,
ku ai jetonte i rrethuar nga macet që i donte aq shumë.
Kur filmi përfundoi, biseda jonë nisi të
valëvitej si një det i qetë. Flisnim për veprat e tij, për shpirtin e lirë të
një njeriu që kishte gjetur frymëzim në çdo cep të botës, dhe për dashurinë e
tij për krijesat e vogla, që i mbushnin ditët me ngrohtësi.
Agoni, me entuziazmin e pafajshëm të
fëmijërisë dhe sytë që i shkëlqenin nga ideja e aventurës, më pyeti me zërin e
tij të ëmbël: “A do të dëshiroje ta vizitoje ndonjëherë shtëpinë e tij?” Pyetja
e tij, e thjeshtë, por plot ndjenja, më bëri të buzëqesh. Ai nuk e kuptonte
largësinë e atij vendi, që dukej si një ëndërr e vendosur në horizontin e
largët.
Gjyshi Tefik Basha me Darsin e Gertin, në South Beach, Majami, 2018
Por shpresa e tij, një shpresë që vetëm
një zemër e re mund ta mbajë, ishte e pafundme. Me një siguri që të dridhte
zemrën, më premtoi: “Kur të rritem, do të shkojmë bashkë.” Ishte një premtim që
nuk kishte nevojë për kohë apo për vend; ishte një premtim i lidhur me
shpirtin, një dëshirë për të ndarë me mua një aventurë që do të ngjante me një
faqe nga vetë librat e Heminguejit. Në atë moment, e ndjeva se, më shumë se
largësia, ishte dashuria dhe ëndrrat e tij që do të na çonin një ditë drejt
asaj shtëpie, ku kujtimet e një shkrimtari ende jetonin mes flladit të Key
West-it.
Vitet rrjedhën si ujëvarë që nuk ndalet
kurrë, duke ndryshuar peizazhin e botës sonë dhe duke na çuar drejt horizonteve
të reja. Kosova, toka jonë e dashur, u çlirua nga hijet e së kaluarës dhe, si
një feniks që ngrihet nga hiri, shpalli pavarësinë e saj. Ndërsa unë, duke lënë
pas vitet e angazhimeve të mia, hyra në fazën e qetësisë, në pensionin që
shpesh e quajnë stina e reflektimit dhe përkujtimeve.
Ndërkohë, Arta, me ëndrrat e saj që
fluturonin përtej kufijve, fitoi një bursë të lakmueshme në SHBA, duke nisur
një kapitull të ri të jetës së saj. Agoni, tani një burrë e arkitekt i formuar
dhe i suksesshëm, u përqendrua në punën dhe projektet e tij, duke ndërtuar me
durim të ardhmen e tij. Jeta e secilit prej nesh dukej si një rrjedhë e
natyrshme, por gjithnjë me lidhje të forta që nuk i ndan as koha, as hapësira.
Pastaj erdhi ajo ditë e veçantë në majin e
vitit 2018. Pas një konference shkencore që më organizuan në Institutin e
historisë, si një njohje për punën dhe dedikimin tim, Arta bëri një propozim që
ndryshoi ritmin e përditshmërisë sonë: ajo na ftoi të kalonim një muaj në SHBA,
duke na ofruar një shans për të përjetuar nga afër botën ku ajo tashmë jetonte
dhe ëndërronte.
Ftesa e saj ishte si një portë që hapej
drejt aventurës. Pa u menduar dy herë, e pranuam me gëzim dhe filluam
përgatitjet për një udhëtim që do të na sillte më pranë fëmijëve tanë dhe një
bote të re. Ajo pranverë u bë fillimi i një rrëfimi të ri, një kapitull i jetës
sonë që do të mbushej me kujtime, me zbulime dhe me dashuri që lidhte brezat
dhe ëndrrat. Të nisur drejt Amerikës, ndjemë se jeta, me të gjitha kthesat e
saj, ishte ende një aventurë e hapur që duhej përqafuar me gjithë zemër.
Në një pasdite të qetë, mes paqes së
pushimeve që rridhnin si melodi e lehtë, zilja e derës shpërtheu papritmas,
duke thyer ritmin e qetësisë sonë. Një befasi na priste përtej saj, një dhuratë
nga vetë dashuria e familjes. Agoni, djali ynë i befasisë, që kishte ardhur nga
Kosova pa një fjalë lajmërimi, qëndronte para nesh, i mbushur me dritën e
gëzimit.
Shikimi i tij, plot energji dhe shkëlqim,
tregonte se ai nuk kishte ardhur duarbosh. Me një zë të butë, por plot
entuziazëm, na njoftoi për surprizën e tij të menduar me aq kujdes: një udhëtim
drejt brigjeve të Majamit, ku dielli përqafohet me detin, dhe më tej, drejt Key
West-it, vendit që ruan kujtimet e Ernest Heminguejit”.
Por magjia nuk
ndalej këtu. Agoni kishte menduar për çdo detaj, kishte rezervuar hotele,
kishte ndarë kohën dhe kishte organizuar një vizitë në shtëpinë e shkrimtarit
të madh, atë strehë të thjeshtë ku macet endeshin lirshëm dhe frymëzimi thurte
histori.
E befasuar dhe e
prekur, ndjeva zemrën time të mbushej me një ndjesi mirënjohjeje që fjalët nuk
mund ta shprehnin. Ishte një moment që lidhte të shkuarën me të tashmen,
ëndrrat e një fëmije me realitetin e një burri që dinte si të bënte lumturi.
Dhe kështu, ajo pasdite u shndërrua në fillimin e një udhëtimi jo vetëm në
hapësirë, por edhe në thellësinë e lidhjeve tona familjare dhe kujtimeve që do
të krijonim së bashku.
Majami, një perlë
tropikale e bregut jugor, është më shumë se një destinacion – është një përvojë
që zgjon çdo shqisë. I njohur për plazhet e tij të pafundme me rërë të artë dhe
ujëra të kristalta, ky qytet është një përzierje e jetës së gjallë dhe
gjallërisë pa fund. Nata e Majamit, një simfoni dritash dhe ritmesh, të fton të
bëhesh pjesë e energjisë së tij të papërmbajtshme, ndërsa ditët të ofrojnë
kënaqësinë e pazarit në rrugët e mbushura me dyqane e tregje shumëngjyrëshe.
Sabile Keçmezi-Basha, Tefik Basha, Gerti,
Darsi, kafiteria “Dollari”, Key West, 2018
Por Majami nuk
ndalet vetëm këtu. Zemra e tij pulson mes artit dhe kulturës, në muze që ruajnë
thesare historike, galeri që shfaqin krijime nga artistë vendas dhe
ndërkombëtarë, dhe parqe që ofrojnë oaze qetësie mes një qyteti të gjallë. Për
çdo shpirt kurioz, ky qytet është një udhëtim që të fton të eksplorosh
pafundësinë e tij.
Për artdashësit,
Majami është një goblen i gjallë, ku ngjyrat e krijimeve bashkohen me
atmosferën tropikale për të krijuar një përvojë që frymëzon dhe magjeps. Qyteti
është një ftesë e hapur për këdo që kërkon bukuri, diversitet dhe pasion – një
përzierje e përsosur mes natyrës, kulturës dhe artit, që të bën të ndihesh si
pjesë e një bote magjike.
Rruga drejt Key
West-it ishte si një poezi që shpaloset ngadalë, çdo varg një pamje e mrekullueshme.
Kalonim mbi ura që lidhin detin me qiellin, me valët që shkëlqenin si argjend
nën dritën e diellit. Kjo udhë e gjatë, që na çonte drejt pikës më jugore të
Amerikës, dukej sikur na ftonte në një botë ku ëndrrat dhe realiteti shkrihen
së bashku.
Key West, një
perlë tropikale e ngulur mes ujërave të ngushticës së Floridës, është një
ishull që mbart magjinë e bregut jugor të Shteteve të Bashkuara. Ky
destinacion, si një ëndërr që noton mes qiellit dhe detit, formon një qytet të
unifikuar bashkë me ishujt fqinj si Dredgers Key, Fleming Key, Sunset Key dhe
pjesën veriore të Stock Island. Një mozaik i vogël ishujsh, secili me bukurinë
dhe historinë e tij, bashkohen për të krijuar peizazhin unik të Key West-it.
Ky ishull i vogël,
vetëm 4 milje (6 kilometra) i gjatë dhe 1 milje (2 kilometra) i gjerë, përfshin
një sipërfaqe prej 4.2 miljesh katrorë (11 kilometra katrorë). Por brenda
këtyre përmasave të vogla, ndodhet një botë e pasur me histori, kulturë dhe
natyrë të paprekur. I ndodhur 130 milje (210 kilometra) në jugperëndim të
Miamit, rruga drejt tij është një udhëtim që të fton të kalosh mbi urat e gjata
që ndajnë detin në dysh, një përvojë që e bën çdo milje të vlejë.
Key West është
gjithashtu porti më i afërt i SHBA-së me Kubën, vetëm 95 milje (153 kilometra)
larg në pikat e tyre më të afërta, dhe 106 milje (171 kilometra) në
veri-verilindje të Havanës. Afërsia e tij me Kubën ndjen në aromën, ngjyrat dhe
shpirtin që rrjedh nga ky vend – një përzierje e kulturave që e bën këtë ishull
të ndjehet si pjesë e dy botëve, të bashkuara nga valët.
Në Key West, çdo
rrugicë, çdo copëz tokë, tregon histori – të peshkatarëve, artistëve dhe
ëndërrimtarëve që kanë kaluar aty. Një oazë qetësie dhe bukurie, ai është më
shumë se një ishull; është një vend që mbledh frymëzimin nga era dhe dielli,
duke të ftuar të ndjesh thellësinë e thjeshtësisë dhe madhështinë e tij.
Kur mbërritëm,
atmosfera tropikale na përqafoi me erën e luleve dhe freskinë e detit. Agoni,
me një energji që vetëm ai mund ta kishte, nxitonte nëpër rrugët e ngushta,
dukej sikur kërkonte diçka të fshehur, një sekret që e mbante vetëm për vete.
Shikimi i tij kishte atë shkëlqimin e fëmijërisë, atë përzierje të misterit dhe
entuziazmit.
Pastaj, ai ndaloi
para një muri të thjeshtë, modest, që nuk fliste me madhështi, por me histori.
"Lexo," më tha, me një buzëqeshje që dukej sikur e dinte se çfarë po
vinte. Unë u afrova dhe lexova. Fjalët m'u dukën si të dilnin nga një ëndërr e
hershme: shtëpia e Hemingvejit.
Zemra
më rrahu fort, dhe sytë m’u mbushën me lot gëzimi. Ishte e pabesueshme, një
prekje e drejtpërdrejtë me historinë. Hyra brenda, ku secila dhomë rrëfente
heshturazi histori të gjata netësh krijimi. Me dorë preka makinën e shkrimit,
atë instrument të magjishëm ku fjalët e Hemingvejit kishin lindur. Fletët e
para të krijimeve të tij ishin aty, dëshmi e një gjenialiteti të përjetshëm.
Dhe jashtë, varrezat e maceve, me emrat e tyre unikë, më bënë të buzëqesh në
mes të këtij udhëtimi emocional.
Kush ishte Ernest Hemingway (1899–1961)
(Ernest Heminway ishte një nga shkrimtarët më të njohur amerikanë, i njohur
për stilin e tij të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë, si dhe për temat e fuqishme
që trajtonin luftën, dashurinë, humbjen dhe qëndrueshmërinë njerëzore. Lindi më
21 korrik 1899 në Oak Park, Illinois. Ai u rrit në një mjedis familjar të
dashur për natyrën dhe letërsinë. Gjatë Luftës së Parë Botërore, shërbeu si
drejtues ambulance për Kryqin e Kuq italian. U plagos rëndë, dhe kjo përvojë u
bë frymëzim për romanin e tij A
Farewell to Arms (Lamtumirë Armëve).
Në vitet 1920, jetoi në Paris, ku ishte pjesë e "Brezit të Humbur,"
një grup artistësh dhe shkrimtarësh që përfshinte edhe F. Scott Fitzgerald dhe
Gertrude Stein. Punoi si gazetar dhe shkrimtar, duke fituar famë me veprat e
tij si The Sun Also Rises (Dhe Dielli Lind Përsëri) dhe For Whom the Bell Tolls (Për kë Bien Kambanat). Fitues i
çmimit Pulitzer për The Old Man and
the Sea (Plaku dhe Deti)
më 1953 dhe çmimit Nobel për Letërsinë më 1954. Jeta e tij personale ishte e
trazuar; kishte katër martesa dhe përjetoi periudha depresioni të rëndë.
Ndërroi jetë më 2 korrik 1961 në Ketchum, Idaho, duke kryer vetëvrasje, pas një
periudhe të gjatë sëmundjesh dhe vështirësish mendore. Ernest Hemingway mbetet
një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë botërore. Stili i tij
minimalist, i njohur si "Teoria e Ajsbergut," dhe përqendrimi në
temat universale e bëjnë veprën e tij të pavdekshme).
Ishte
një moment që sfidonte logjikën, si një ëndërr fëmijërie që më në fund u bë
realitet. Ajo shtëpi nuk ishte thjesht një ndërtesë, por një portë drejt
shpirtit të një shkrimtari që më kishte frymëzuar gjithnjë. Dhe unë, në atë
çast, ndjeva se jeta shpesh i dhuron momentet më të bukura kur më së paku i
pret.
Fotografitë e asaj
dite i hap shpesh, si të ishin dritare drejt një kohe që jeton përgjithmonë
brenda meje. Çdo herë që sytë më ndalen mbi to, më përfshin ndjesia e atij
momenti magjik, kur u bëra pjesë e një historie të rrallë, të thurur me
premtimin e një fëmije dhe dashurinë që vetëm një zemër e pastër mund të dhurojë.
Në ato imazhe,
shoh jo vetëm fytyrat tona, por edhe frymën e lidhjes sonë, atë ndjenjë të
papërshkrueshme që përshkonte çdo çast të asaj dite. Ishte një histori që
filloi si një ëndërr dhe përfundoi si një realitet i paharrueshëm – një dëshmi
e fuqisë së një premtimi të mbajtur me zemër.
Djali im, me atë
dashuri të pakushtëzuar që e kishte mbushur jetën time me kuptim, më dha më
shumë se sa një udhëtim, më dha kujtimin e një çasti që do të mbetet gjithmonë
i gdhendur në shpirtin tim. Dhe çdo herë që i shoh ato fotografi, ndjej se koha
mund të kalojë, por momentet e tilla janë përjetësi e pastër.
Sipas legjendës që
endet mes rrugëve të Key West-it, Ernest Hemingway, mjeshtri i fjalës dhe
shpirtit rebel, krijoi disa prej vargjeve të pavdekshme të romanit të tij "A Farewell to Arms"
ndërsa qëndronte në një dhomë të thjeshtë, mbi sallën e ekspozitës së një
përfaqësie Ford, në 314 Simonton Street. Ishte viti 1928, dhe ndërsa ditët
kalonin, ai priste me durim ardhjen e një roadsteri Ford Model A, një dhuratë nga
xhaxhai i gruas së tij Pauline.
Sabile Keçmezi-Basha dhe Tefik Basha,
makina e shkrimit e Hemingvejit, Key West-2018
Imagjinojeni atë,
të ulur në një tryezë të vogël, ku pena takonte letrën dhe tingujt e botës
përjashta ndërthureshin me mendimet e tij. Në atë hapësirë të ngushtë,
Hemingway thurte një tregim që do të kapërcente kohën, duke mbledhur në vargjet
e tij peshën e luftës dhe dashurisë. Dhe ndërsa pritja për roadsterin
vazhdonte, zemra e tij nxirrte nga brendësia copëza arti, të lindura nga malli
dhe përjetimet e tij.
Automjeti mund të
ketë qenë një simbol i lirisë për të, një premtim i rrugëve të reja që e
prisnin. Por ishte dhoma e tij mbi atë sallë modeste që u bë porta ku fantazia
dhe realiteti u ndërthurën, duke i dhënë jetë një prej kryeveprave të
letërsisë. Dhe kështu, legjenda e Hemingway-it vazhdon të jetojë, jo vetëm në
faqet e librave të tij, por edhe në muret e heshtura të Key West-it, që ende
mbajnë gjurmët e një shkrimtari që i dha frymë një epoke.
Në brigjet e Key
West-it, mes dallgëve që flisnin një gjuhë të lashtë dhe erës së detit që
mbushte ajrin, Ernest Hemingway gjeti jo vetëm një strehë, por edhe miq që i
dhanë jetë aventurave të tij. Charles Thompson, pronari i një dyqani të vogël
pajisjesh, e prezantoi me magjinë e peshkimit në det të thellë. Mes grupit të
peshkatarëve ishte edhe Joe Russell, i njohur ndryshe si Sloppy Joe, figura e
gjallë që, sipas disa studiuesve, frymëzoi Freddy-n në romanin e tij "To Have and Have Not."
Në ato ditë të mbushura me diell dhe aventura, Hemingway fitoi pseudonimin që
do ta ndiqte përjetësisht: "Papa."
Sabile Keçmezi-Basha dhe Arta Basha, dhoma
e ditës e Hemingvejit, Key West, 2018
Në vitin 1931, një
tjetër dhuratë erdhi në jetën e tij, këtë herë nga xhaxhai i pasur i gruas së
tij, Pauline. Gus Pfeiffer bleu për ta një shtëpi të bukur në 907 Whitehead
Street, një strehë që do të bëhej epiqendra e historive dhe kujtimeve të tij.
Ky vend u transformua në një parajsë personale, kur Hemingways ndërtuan një
pishinë të madhe në vitet 1937–38, një luks i rrallë për atë kohë, që kushtoi
20,000 dollarë – një shifër marramendëse, e barasvlershme me rreth 339,639
dollarë sot.
Pishina, si simbol
i ambicies dhe dëshirës për të jetuar madhështinë, solli edhe një moment të
paharrueshëm. Kostoja e lartë e saj e bëri Hemingway-in të përjetonte një çast
humori të hidhur. Duke futur një qindarkë në çimenton e lagur pranë pishinës,
ai tha me një buzëqeshje sfiduese: "Ja,
merre qindarkën e fundit që kam!" Dhe ajo qindarkë, e thjeshtë dhe
e përulur, mbetet ende sot në skajin verior të pishinës, si një kujtim i një
shkrimtari që dinte të jetonte, të sfidonte dhe të qeshte me jetën.
Kjo shtëpi, kjo
pishinë dhe këto kujtime janë më shumë se monumente të së kaluarës; ato janë
histori të gjalla, që frymojnë ende në erën tropikale të Key West-it, duke
rrëfyer për një njeri që jetoi me një pasion që e kalon çdo kufi.
Në hijen e palmave
dhe nën rrahjet e erës tropikale, Ernest Hemingway kaloi vitet e tij krijuese
në Key West, duke i dhënë jetë disa prej veprave më të njohura të letërsisë
botërore. Aty, mes qetësisë dhe zhurmës së oqeanit, u formësuan faqet e
pavdekshme të "Vdekja në
pasdite," "Për kë bien këmbanat," "Borët e
Kilimanxharos," dhe "Jeta
e shkurtër e lumtur e Francis Macomber." Ishte Key West-i i epokës
së depresionit që i dha frymë "To
Have and Have Not," romani i tij i vetëm me skena të
vendosura në Shtetet e Bashkuara, ku drita dhe hijet e kohës shpalosen nëpër
faqet e tij.
Sabile Keçmezi- Basha, në bibliotekën e
Hemingevjit, Key West, 2018
Por magjia e kësaj
toke nuk ndalet vetëm te tregimet. Në hapësirat e shtëpisë së Hemingway-it,
ende jetojnë macet e veçanta polidaktile, trashëgimi e "Snowball,"
maces origjinale të tij, me gjashtë ose shtatë gishta në secilën putër. Këto
krijesa të çuditshme dhe të dashura, një lidhje e gjallë me të shkuarën,
vazhdojnë të bredhin lirshëm në tokën ku shkrimtari dikur krijonte. Ato janë
mbrojtëset e heshtura të shtëpisë, duke e ruajtur me hijeshi shpirtin e
Hemingway-it, pavarësisht debateve dhe ankesave nga Departamenti i Bujqësisë i
SHBA-së, që kërkonte t’i mbante të izoluara.
Në një akt të
veçantë dashurie dhe përkushtimi ndaj trashëgimisë, Komisioni i qytetit Key
West mori një vendim që rezonon me kujdesin për historinë: shtëpia e
Hemingway-it u përjashtua nga kufizimet mbi numrin e kafshëve shtëpiake. Ky
gjest lejoi që macet e rralla polidaktile, të lidhura me historinë e
shkrimtarit të madh, të mbeten pjesë e gjallë e këtij vendi të shenjtë letrar,
duke ruajtur frymën e tij në çdo cep të kësaj toke.
Gjatë vizitës sonë
në këtë shtëpi të mrekullueshme, kishim privilegjin të zbulojmë një pjesë
tjetër të botës intime të Hemingway-it. Në kopshtin e tij të qetë, ku hijet e
palmave krijonin një oazë reflektimi, qëndronin varrezat e maceve – një
përkujtim prekës dhe unik për këto krijesa që e shoqëronin në momentet e tij të
qeta. Secila prej tyre kishte një emër të veçantë, një homazh për ikonat e
artit dhe të bukurisë – Marilyn Monroe, Sophia Loren, Brigitte Bardot, dhe të
tjera.
Ishte si të shihje
një faqe të pazbuluar të një historie, ku dashuria e tij për kafshët dhe
shpirtrat krijues të kohës ndërthurej. Në ato momente, ndjeva se këto mace
ishin më shumë se kafshë shtëpiake; ato ishin dëshmitare të heshtura të një
epoke, pjesë e një trashëgimie që kapërcen kohën, duke e bërë shtëpinë e
Hemingway-it një monument të gjallë, ku jeta, arti dhe kujtimet jetojnë në
harmoni të përjetshme.
Kështu, shtëpia e
Hemingway-it mbetet një oazë e gjallë, ku historia dhe natyra bashkëjetojnë,
duke rrëfyer për një shkrimtar që e përqafoi jetën dhe kafshët me të njëjtin
pasion si fjalët që i vendosi në letër. Në çdo hap të kësaj toke, ndjehet ende
prania e tij – një kujtesë e përjetshme për shpirtin që krijoi në mes të
thjeshtësisë tropikale.
Në vitin 1939,
rrugët e Pauline dhe Ernest Hemingway-it, dikur të ndërthurura me pasion dhe
ëndrra, u ndanë përfundimisht. Një dashuri që dikur flakëronte, tashmë kishte
humbur nën peshën e kohës dhe ndryshimeve. Pauline qëndroi në Key West, ndërsa
Hemingway vazhdoi udhëtimin e tij nëpër botë, duke u zhytur në jetën dhe
shkrimin që shpesh pasqyronin shqetësimet e shpirtit të tij.
Nga Havanë, ku
gjeti një strehë të re për zemrën dhe frymëzimin e tij, ai vizitonte Key
West-in vetëm herë pas here. Ato kthime të rralla ishin si hije të një kohe të
kaluar, një përpjekje për të ruajtur lidhjen me një vend që i kishte dhënë kaq
shumë – kujtime, frymëzim dhe një pjesë të vetes.
Por edhe këto
vizita, si gjurmë në rërë që zbehen nga valët, u ndalën me kohën. Në vitin
1961, Hemingway mbylli kapitullin e jetës së tij me një akt tragjik, duke lënë
pas jo vetëm veprat e tij të pavdekshme, por edhe vendet që e kishin formësuar.
Key West mbeti si një kujtesë e heshtur e ditëve të tij më të qeta, një dëshmi
e shpirtit të një njeriu që luftoi me madhështinë dhe dhimbjen brenda vetes.
Përtej shtëpisë së
Heminguejit, që mbante ende aromën e kohës dhe historisë, aventurat tona në Key
West na çuan në vende që pasqyronin bukurinë dhe karakterin e veçantë të
ishullit. Në çdo hap, kjo oazë tropikale na ofronte peizazhe që magjepsnin shpirtin
dhe na ftonin të zbulojmë thesaret e tij.
Një nga ndalesat
më të njohura ishte një pikë ikonike, një monument modest por me një simbolikë
të fuqishme. Në cepin e rrugëve Jugore dhe Whitehead, një vozë betoni e madhe,
qëndron krenare, duke pretenduar të jetë pika më jugore e Shteteve të Bashkuara
kontinentale. Ajo shënon një vend ku toka mbaron dhe fillon pafundësia e detit
– një pikë që të fton të ndalesh dhe të reflektosh mbi udhëtimin dhe qëllimin.
Fillimisht, ky
vend i veçantë ishte shënuar me një shenjë të thjeshtë, por në vitin 1983,
qyteti i Key West ngriti monumentin aktual, duke e bërë atë një simbol të
përhershëm të lidhjes mes tokës dhe oqeanit. Monumenti, me ngjyrat dhe
karakterin e tij unik, u dëmtua nga fuqia e egër e Uraganit Irma në vitin 2017,
por si vetë shpirti i ishullit, ai u rikthye në jetë, i rilyer dhe i rilindur,
për të vazhduar të mirëpresë vizitorë nga e gjithë bota.
Sot, ky monument i
thjeshtë është një nga vendet më të fotografuara në Florida Keys – një dëshmi e
përhershme e fuqisë së kujtimeve që njerëzit ndajnë me këtë ishull magjepsës, ku kufijtë fizikë shndërrohen në ura
shpirtërore që lidhin zemrat me horizontet e largëta.
Agon Basha, Tefik
Basha, Sabile Keçmezi- Basha, Darsi e Gerti, Monumenti "90 milje deri në
Kubë” Key West, Florida, 2018
Më pas, hapat tanë
na çuan drejt monumentit që shënon "Pikën më jugore kontinentale të
SHBA," një vend që flet për kufijtë fizikë dhe simbolikë të Key West-it.
Monumenti, i thjeshtë në dukje por i rëndë me kuptim, qëndron krenar në prag të
oqeanit, një strehë për kujtimet dhe ëndrrat e atyre që e vizitojnë.
Megjithatë, vetë
natyra e këtij simboli përfshin një ironi të heshtur. Pika reale më jugore e
Key West-it është Whitehead Spit, një copëz toke e fshehur në pronën e Aneksit
Truman, ku turistët civilë nuk mund të shkelin, pasi toka i përket Marinës
Amerikane. Kjo zonë, e mbuluar nga hijet e rregullave dhe kufizimeve, qëndron e
paprekur, duke ruajtur sekretin e saj nga sytë e shumicës.
Më tej, drejt
lindjes, prona private dhe plazhet e Shtojcës Truman, si dhe Parku Historik
Shtetëror i Fort Zachary Taylor, zgjaten më në jug se monumenti, por mbeten të
ndara nga bota përreth. Në perëndim dhe jug të Key West-it, Ballast Key, një
ishull në pronësi private, shënon pikën më jugore të vërtetë të SHBA-së, si një
horizont që fshihet përtej arritjes së shumicës.
Por për publikun,
vendi më jugor që mund të përqafojë me shikim dhe prekje është plazhi i Fort
Zachary Taylor, një hapësirë ku toka dhe deti bashkohen në një simfoni
natyrore. Kjo hapësirë fton vizitorët të ndalojnë për një çast, të ndjejnë
rërën nën këmbë dhe të shohin horizontin ku qielli përqafon oqeanin, duke
kuptuar se ndonjëherë, vetë udhëtimi dhe peizazhet e tij janë destinacioni i
vërtetë.
Më në fund një drekë e merituar në Gjirin
e Meksikës,(Arta, Sabilja, Tefiku, Darsi e Agoni), Key West, Florida, 2018
Monumenti, një
simbol i thjeshtë por i fuqishëm që qëndron në Key West, shpall me krenari: "90
milje deri në Kubë." Një shifër që mbart më shumë sesa një matje
fizike; ajo është një urë imagjinare që lidh dy bregdete dhe dy botë të
ndryshme. Por në të vërtetë, distanca ndërmjet Key West-it dhe Kubës është disi
më e gjatë – rreth 95 milje statutore (153 kilometra; 83 milje detare) në pikat
e tyre më të afërta.
Megjithatë, vetë
ideja e 90 miljeve flet më shumë sesa saktësia gjeografike. Ajo përfaqëson
afërsinë shpirtërore dhe ndërlidhjen e dy brigjeve që shihen nga larg, por
ndjehen kaq pranë. Distanca nga monumenti në Havana është, në fakt, më afër
asaj që shënon shifra – rreth 90 milje detare (104 milje statutore; 167
kilometra) – një përkujtim i valëve që lidhin dhe ndajnë.
Ky monument, më
shumë sesa një tregues gjeografik, është një poezi e skalitur në beton, një
ftesë për të reflektuar mbi detin që përshkohet nga historia, kultura dhe
ëndrrat e atyre që kanë parë horizontin nga të dyja anët. Ai na kujton se
distancat fizike ndonjëherë janë më të vogla sesa largësitë që imagjinata mund
të kalojë me vetëm një mendim.
Brenda një dite,
këmbët tona na çuan drejt vendeve më tërheqëse të ishullit, ku çdo hap dukej si
një zbuluese e re. Por vetë udha që na shoqëroi drejt Key West-it dhe më pas
kthimi në Majami ishin një magji më vete, një simfoni mes njeriut dhe natyrës.
Kalonim mbi urën madhështore që shtrihej mbi detin pa fund, një kryevepër e
ndërtuar nga dora e njeriut, që dukej sikur sfidonte horizontin dhe
përshëndeste valët.
Rruga ishte një
poezi që fliste për bukurinë e thjeshtësisë dhe fuqinë e krijimit njerëzor.
Kilometra të pafundme mbi ujërat e kaltër, ku deti dhe qielli bashkoheshin në
një vallëzim pa kufij, ishin një përvojë që preku shpirtin. Kalimi mbi atë urë,
duke parë dritën që thyhej në valë, ishte si të ecje në një ëndërr tropikale.
Koha fluturoi me
shpejtësi, duke lënë pas vetëm kujtime të ndritshme. Befasia që Agoni kishte
përgatitur me aq kujdes u realizua përtej çdo pritshmërie, më shumë se qind për
qind sukses. Në zemrën time, kjo mbetet surpriza më e madhe dhe më e bukur që
kam përjetuar ndonjëherë. Ishte një dhuratë jo vetëm e planifikuar, por e mbushur
me dashuri dhe përkushtim, që e bëri këtë udhëtim të shndërrohet në një perlë
të pavdekshme në kujtesën time.
Tani, kur flas me
Agonin, e mendoj dy herë çdo fjalë dhe çdo dëshirë që shpreh. Ai ka një aftësi
të rrallë për të kapur ëndrrat dhe për t’i kthyer ato në realitet. Dhe kjo më
mbush me një ndjenjë mirënjohjeje të thellë për një bir që, më shumë se sa
dëgjon, kupton zemrën time dhe dëshirat që shprehen mes rreshtave të heshtjes.
Pas një jave të
mbushur me dritën dhe magjinë e Majamit, ku çdo ditë dukej si një kapitull i ri
i një libri të jetuar me të dashurit e mi – Tefikun, Arten, Agonin, Gertin dhe
Darsin – fluturuam përsëri drejt qytetit tonë. Zemrat tona, të mbushura me
kujtime të ngrohta dhe përvoja të paçmueshme, rrihnin me një ritëm të qetë lumturie.
Ishte një udhëtim
që e kalonte çdo pritshmëri, një dhuratë nga ato që vetëm jeta mund të dhurojë,
ku realiteti tejkalon edhe ëndrrat më të guximshme. As në dëshirat më të
çmendura nuk mund ta kisha menduar një përvojë kaq të bukur dhe, mbi të gjitha,
të realizueshme. Ishte si një përrallë që zgjati një javë, por që do të jetojë
përjetësisht në kujtimet tona.
Me zemrën plot
mirënjohje, e ndjej se çdo moment i atyre ditëve kishte vlejtur, çdo hap në atë
udhëtim ishte një bekim. Fluturimi ynë për kthim nuk ishte thjesht një rrugë
mbrapa; ishte një rikthim me një shpirt të pasuruar, një ndjesi që vërtet jeta,
me të gjitha të papriturat e saj, është një mrekulli që duhet përqafuar.
Pas një dite të
kthimit në përditshmëri, ritmi i jetës ndryshoi sërish. Agoni, i thirrur nga
detyrimet e tij dhe nga dashuria për Albinën dhe Benin e vogël, u nis për në
Minesota, ku e prisnin punë të rëndësishme dhe kontrata për të nënshkruar.
Ndërkohë, Albina, si përfaqësuese e përkushtuar e AUK-ut, kishte udhëtuar për të
marrë pjesë në një tubim të rëndësishëm në Mançester. Secili prej tyre ndiqte
udhën e vet, të ngarkuar me përgjegjësi dhe aspirata.