Speciale » Basha
Sabile Basha & Tefik Basha: Vatikani, shtëpia e Krishtërimit
E diele, 24.11.2024, 06:56 PM
BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH...
VATIKANI-
SHTËPIA E KRISHTËRIMIT (2015)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha &
Prof. Dr. Tefik Basha
Ne
ende ishim nën qiellin italian, por momentet po kalonin si një ditë që zbutet
ngadalë në horizontin e largët. Arta, e ndjeshme ndaj ndarjes që po afrohej si
një hije e gjatë, me gjithë dashurinë dhe kujdesin e saj, ndihmonte në
përgatitjen tonë për këtë pjesë të fundit të udhëtimit. Ndërsa ne mbyllnim
valixhet dhe kontrollonim detajet, syri i saj ndrinte nga ndjenja e shqetësimit
për rrugën, duke u angazhuar me gjithë përkushtimin në navigator, si për të
tërhequr një hartë të sigurt dhe të qetë nga labirinti i mundshëm i problemeve.
E shihja se brenda saj, shqetësimi ndriçonte si një ngjyrë e errët, por e
sigurt dhe e qetë, i thashë se do të vozisnim me kujdes dhe se çdo pengesë do
të kalonte pa lënë ndonjë shenjë të dukshme. Me ngadalësi, e pashë se e gjetëm
qetësinë, dhe premtova se për çdo ndryshim do ta lajmëroja me përpikëri dhe
saktësi.
Por,
më e vështira nga të gjitha ishte ndarja me fëmijët. Si të ndaheshim nga ata me
të cilët çdo ditë ndanim momente të lumtura? Çdo ditë në plazh, në lojëra
pafund, me zëra të gëzuar dhe përqafime të ngrohta, kishim nisur të ndjenim si
tonën atë lumturi fëmijërore. Thonë se me kë rri, ashtu bëhesh, dhe ne kishim filluar
të bëheshim si ata, plot hare dhe shpirt të lirë. Një buzëqeshje e heshtur
shoqëronte mendimin se edhe vese të vogla fëmijërore na kishin kapluar, por
ishte e pamundur t’i rezistonim asaj lumturie të pastër.
Arta,
me dashurinë e saj, na kishte rezervuar një hotel pranë Vatikanit, ashtu që të
mos sorollateshim në rrugët e ngatërruara të Romës. Por, rruga drejt Romës
ishte e gjatë, dhe e dinim që duhej të niseshim herët. Pas mëngjesit,
përshëndetjet ishin të ëmbla dhe të hidhura. Me Artën u përqafuam me mendjen se
do të shihemi sërish, por me fëmijët ishte më ndryshe. Ata, me shpirtin e tyre
të bardhë, nuk donin të ndaheshin nga ne. Dhe ne, me një trik të lehtë, i
bindëm se largimi nuk ishte aq i vështirë. Por zemrat tona mbetën me ta, si
hije që ndjekin çdo hap tonin në largësi.
Ne
nuk e donim ndarjen, ajo na lëndonte thellë, dhe çdo largim prej tyre e ndienim
si një dhimbje që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Gjatë gjithë udhëtimit,
bisedat tona ishin të mbushura me kujtime për ta, për shëtitjet e tyre në
qytet, për lojërat në shesh dhe për ato momente të çmuara në plazhe, kur çdo
valë deti dukej si një përqafim i tyre. Ata ishin eliksiri ynë, burimi i
gëzimit dhe shpresës. Të dashur, të urtë dhe plot hare, çdo mëngjes na zgjonin
me duart e tyre të buta, duke mbushur apartamentin me dashuri dhe jetë. Dhe
kështu, gjatë tërë rrugës, ndjenim mungesën e tyre si një zbrazëti që nuk
mbushej kurrë.
Pa
u ndier, kilometrat rrëshqisnin lehtë nën rrotat e veturës sonë, ndërsa sytë
tanë soditnin bukuritë italiane që na linin pa fjalë. Ishte fundi i korrikut,
dhe fushat e arta të grurit që po korrnin, bashkë me paketimin e kashtës në
balesh të rregullta, krijonin një pamje që tek ne nuk ishim mësuar ta shihnim.
Mrekullia e thjeshtësisë së tyre na mbushte me habi. Më pas, kaluam përmes
kodrave të mbuluara me vreshta, të cilat shtriheshin si një qilim i gjelbër në
horizont, dhe çdo kthesë e rrugës zbulonte një tjetër peizazh që na linte pa
fjalë.
Rrugët
tona përshkonin ura që dukeshin të pafundme, duke shkuar distancat me një
elegancë të rrallë. Ndërsa kalonin orët – pesë, gjashtë – para syve tanë nisi
të shfaqej Roma madhështore, si një pamje që zbulonte ngadalë të gjithë
bukurinë e saj. U rehatuam për një moment në veturë për të pushuar pas rrugës
së gjatë. Nxora kafen e ngrohtë nga termosi dhe, ndërsa e shijonim, ndiheshim
gati për të hyrë në të panjohurën që na priste përpara. Tefiku, që kishte
vizituar Romën edhe më parë, ishte i qetë, por për mua, kjo ishte hera e parë
dhe çdo gjë ishte një befasi e ëmbël.
Qyteti
gumëzhinte nga zhurmat e jetës dhe turistëve të shumtë. Navigatori na udhëhiqte
nëpër rrugët e ngatërruara të Romës, por herë pas here, fillova të dyshoja në
të. A do të na çonte në vendin e duhur? Por për çudi, pas një ore, ai na
drejtoi para një ndërtese dhe ngriti flamurin, duke treguar se kishim
mbërritur. Shikuam njëri-tjetrin me habi, dhe unë i thash Tefikut: "E
sheh, kemi mbërritur në hotel!" Ai më pa me mosbesim, sikur nuk e besonte
që vërtet ishim në destinacion.
Dolëm
nga vetura dhe aty përballë nesh ndodhej hoteli – një hotel i vogël, por i
ngrohtë, i pastër dhe plot qetësi. Ndjehej një mikpritje e veçantë, e cila na
bëri të ndiheshim menjëherë rehat. Dhe më vonë, kuptuam se ishim fare pranë
Vatikanit. Vendosëm gjërat shpejt në hotel, pa shumë procedura, dhe përqafuam
ndjenjën e kënaqësisë që na ofroi ai vend i thjeshtë, por i mbushur me
ngrohtësi dhe mikpritje të sinqertë.
Sabile
Keçmezi-Basha & Tefik Basha, Sheshi i Shën Pjetrit, Vatikan, 2015
Nxitonim
të largoheshim nga hoteli, të kapnim edhe diçka nga dita që po perëndonte. Me
rrobat e lehta të mbrëmjes, dolëm në rrugët e Romës, në kërkim të një vendi për
të ngrënë dhe për të vazhduar shëtitjet tona të gjata, të ngjashme me një
maratonë pa fund. Roma, ky qytet madhështor, ofronte pafundësi mundësish për të
eksploruar. Çdo kthesë, çdo rrugë e ngushtë, na dhuronte pamje të reja –
atraksione turistike që dukeshin si të pavdekshme, të ngrira në kohë, dhe
secila dukej se meritonte të fotografohej, të përjetësohej.
S’kishim
durim të prisnim më gjatë. Zemrat tona rrihnin nga dëshira për të parë
Vatikanin, atë qytet-shtet të shenjtë që shtrihej pikërisht në zemrën e Romës.
Ishim përgatitur mirë për këtë vizitë. Kisha shënuar me kujdes të gjitha vendet
që do të vizitonim në një bllok shënimesh. Tani, ndërsa i kalonim një e nga
një, i shlyeja me kënaqësi, si të ishin ëndrra që bëheshin realitet.
Kisha
lexuar për Vatikanin në Wikipedia dhe e dija mirë historinë e tij, por tani
isha gati ta përjetoja me sytë e mi. Vatikani, i njohur zyrtarisht si Shteti i
Qytetit të Vatikanit, kjo enklavë sovrane brenda veri-perëndimit të Romës, një
vend i vogël në dukje, por i madh në peshën e tij historike dhe shpirtërore.
Kjo tokë e veçantë fitoi pavarësinë nga Italia në vitin 1929, me Traktatin e
Lateranit, dhe tani mbante statusin e një entiteti sovran, një simbol i fuqisë
shpirtërore dhe diplomatike të Selisë së Shenjtë. Me një sipërfaqe prej vetëm
0,44 km² dhe një popullsi prej rreth 453 banorësh, ky vend mbante një rëndësi
të jashtëzakonshme.
Ndërsa
mendonim për gjithë këtë histori, Roma dhe Vatikani para nesh, ndjenim që çdo
hap që bënim, ishte një lidhje e ngushtë me shekuj të tërë historish dhe
përvojash që na thërrisnin të ndaleshim, të përjetonim, dhe të përfshihemi në
madhështinë e tyre.
Papa,
ai qëndron si prijësi i vetëm në këtë tokë të shenjtë, duke mbajtur të gjithë
pushtetet – legjislativin, ekzekutivin dhe gjyqësorin, në një simbiozë të
rrallë të autoritetit shpirtëror dhe tokësor. Në duart e tij janë përqendruar
funksionet e larta, ndërsa klerikët e devotshëm të Kishës Katolike, nga të
gjitha anët e botës, i japin jetë dhe vazhdimësi këtij shteti të përjetshëm. Që
pas periudhës së papatit të Avinjonit (1309–1377), Pallati Apostolik brenda
Vatikanit ka qenë shtëpia kryesore e papëve, një vend që përmbledh në vetvete
misterin e shekujve dhe fuqinë e besimit.
Por
s'ka qenë gjithmonë kështu, sepse ndonjëherë ata kanë qëndruar në Pallatin
Kuirinal të Romës ose kanë kërkuar strehë në vende të tjera. E megjithatë,
Vatikani është bërë një simbol, një metonim për vetë Selinë e Shenjtë, e cila
rrezaton ndikim përtej kufijve të tij të ngushtë. Në këtë qytet të vogël, që
mbart peshën e shekujve, gjenden thesare të pashembullta fetare dhe kulturore:
Bazilika e Shën Pjetrit, kishëza Sistine e Michelangelos dhe Muzeumet e
Vatikanit, ku ndodhen disa nga veprat më të njohura në botë – piktura e
skulptura që kanë shënjuar përjetësinë.
Si
çdo gjë tjetër në Vatikan, edhe ekonomia është unike. Mbështetet në donacionet
e besimtarëve, në shitjet e pullave postare e suvenireve, në tarifat e hyrjes
në muzetë e tij dhe shitjet e botimeve të shenjta. Në këtë tokë të bekuar,
taksat nuk ekzistojnë dhe artikujt janë të liruar nga dogana, si një përjetësim
i shenjtërisë dhe pavdekësisë së vendit.
Ne
ecnim me hapa të ngadaltë në rrugën që na shpinte drejt oborrit të madh të
Vatikanit, e ndërsa afroheshim, zhurma e turistëve e gjallonte atmosferën, duke
treguar se po i afrohemi destinacionit tonë. Më në fund, ja ku u gjendëm
përballë kësaj ndërtesë të shenjtë, dhe një ndjenjë respekti na përshkoi teksa
i përshëndetëm me zemër, të heshtur, muret e saj. Ecëm drejt hyrjes, por në
vete ndjenim një farë frike e droje, se mendonim që do të duhej të ndaleshim
diku, të tregoheshim apo të jepnim ndonjë dokument identifikimi. Por asgjë e
tillë nuk ndodhi. Turmat e turistëve hynin dhe dilnin lirshëm, si valët e një
deti të pafund, pa asnjë ndalim.
Dhe
ashtu, me një ndjenjë shkujdesjeje të çuditshme, u ndodhëm në mes të oborrit të
Vatikanit. Nata kishte rënë mbi qytet, dhe ne, të shlodhur e të qetë, u ulëm në
shkallët që rrethojnë këtë hapësirë të shenjtë. Përballë nesh qëndronte
madhështia e Vatikanit, e mbushur me një histori që përjetëson shpirtin e
njerëzimit, dhe ne ishim aty, dëshmitarë të përulësisë dhe madhështisë së saj.
Sabile
Keçmezi-Basha & Tefik Basha, Bazilika e Shën Pjetrit, Vatikan, 2015
Qëndruam
gjatë në oborrin e Vatikanit, duke soditur hijeshinë e tij të amshuar. Kudo
rreth nesh, bota rridhte e qetë, me turistë që mbushnin shkallët e rrethuara me
zhurmën e ujit të fontanës, duke biseduar pa u lodhur, të zhytur në përjetimet
e veta, sikur koha të mos kishte fare rëndësi. Vatikani kurrë s’mund të ishte i
vetëm, as ditën, as natën. Në çdo moment, frymonte nga njerëzit që, si ne,
kërkonin të preknin historinë dhe përjetësinë e tij.
Shëtitëm
rreth e qark, humbur në rrugët e ngushta përreth, derisa më në fund u ndodhëm
në hotel, të lodhur nga dita e gjatë dhe e mbushur me emocione. Por një natë
pushimi e plotë ishte ajo që na nevojitej për të rifituar energjinë. Dhe ashtu,
me një vendosmëri të re, të nesërmen vendosëm të eksploronim Romën, këtë qytet
të lashtë, por kësaj here me një lehtësi të re – autobusin Hop-On Hop-Off, që
na premtonte një aventurë të thjeshtë, me komentet e tij audio në tetë gjuhë
botërore.
Në
itenerarin tonë, atraksioni më i rëndësishëm dhe i cili ishte shkas që e kishim
vizitua Romën, ishte pikërisht Vatikani një ndër atraksionet më të rëndësishëm.
Vatikani – një vend aq i vogël në sipërfaqe, por i pamat në ndikimin e tij.
Qëllimi ynë në Romë ishte pikërisht ky: të shihnim Vatikanin, qytetin më të
vogël dhe më të pavarur në botë. Por ne nuk e dinim se vizita jonë do të
përkonte me ditën e fundit të korrikut, një e diel që bëri oborrin e Vatikanit
të vogël për të mbajtur turmat e pafundme. Oborri, shkallët dhe rrugët përreth
ishin mbushur përplot me njerëz të ardhur nga të gjitha anët e botës, dhe unë,
mes tyre, ndihesha e magjepsur nga ky spektakël njerëzor. Për herë të parë në
jetën time, pashë një numër aq të madh të pritur për të hyrë në brendësinë e
këtyre mureve të shenjta, duke vizituar Bazilikën e Shën Pjetrit, sheshin
madhështor të Shën Pjetrit, dhe duke qëndruar me padurim për të parë muzetë e
famshme të Vatikanit. Mes tyre, Kapela Sistinë dhe biblioteka e pasur me
thesare të pamatshme – ishin si margaritarë të historisë që prisnin të
ndriçonin shpirtin e çdo vizitori.
Vatikani
nuk është thjesht një vend, ai është zemra e Kishës Katolike, një qendër e
besimit dhe fuqisë, ku Papa, monarku i vetëm absolut në Evropë, ushtron pushtet
të plotë legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Nga kjo qendër e shenjtë
udhëhiqet një komunitet global, dhe rëndësia e tij shpirtërore mbërrin deri në
cepat më të largët të botës.
Bazilika
e Shën Pjetrit, epiqendra e kësaj fuqie shpirtërore, është jo vetëm një nga
vendet më të shenjta të krishterimit, por edhe një monument arkitekturor që
mahnit me përmasat e tij. Në sheshin që mban të njëjtin emër, kjo bazilikë e
ndërtuar me artin e Bramantes, Berninit dhe Michelangelos, mban brenda varrin e
Shën Pjetrit, një dëshmi e përjetësisë dhe besimit të thellë që e përshkon.
Muzetë
e Vatikanit janë një botë më vete. Me më shumë se 1400 dhoma, ata përbëjnë një
thesar të artit që i ka rezistuar shekujve. Aty ku secila vepër flet me gjuhën
e përjetësisë, me mbi 6 milionë vizitorë në vit, këto muze janë ndër më të
vizituarit në botë. Kompleksi përfshin Muzeun Egjiptian, Etrusk dhe Etnologjik,
si dhe xhevahirin e tij, Kapelën Sistine, ku qielli dhe toka duket se takohen
përmes dritës dhe ngjyrave të Michelangelos.
Para
Bazilikës madhështore të Shën Pjetrit, shtrihet sheshi i famshëm oval, Piazza
San Pietro, një hapësirë e gjerë dhe plot madhështi që mban vulën e Berninit,
arkitektit të lavdishëm që i dha formë kësaj mrekullie. Në zemër të këtij
sheshi ngrihet krenarisht një obelisk i lashtë nga Heliopolisi i Egjiptit, të
cilin Kaligula, perandori romak, e solli në Romë në vitin 37. Ky obelisk,
dëshmitar i shekujve të shkuar, qëndron aty nga shekulli i 16-të, i rrethuar
nga dy burime të kristalta që freskojnë sheshin. Kolonada madhështore me kolona
dorike rrethojn sheshin, mbi të cilat 140 statuja të shenjtorëve ruajnë me
qetësi këtë vend të shenjtë.
Në
Kapelën Sistine, afresket e Michelangelos rrëfejnë historitë e përjetshme të
krijimit dhe gjykimit. Kryeveprat e tij, "Krijimi i Adamit" dhe
"Gjykimi i Fundit", i japin jetë tavanit të kapelës që mbart emrin e
Papa Sixtus IV, i cili e rindërtoi këtë mrekulli të lashtë midis viteve
1477-1480. Tavani u transformua nga peneli i Michelangelos midis viteve 1508
dhe 1512, duke bërë që qielli dhe toka të takohen në këtë kryevepër të
papërsëritshme.
Mu
para Sheshit Shën Pjetri na priste autobusi e që ishte tepër i përshtatshëm si
për ne edhe për çdo turist, duke ofruar një udhëtim të qetë dhe informues nëpër
vendet më të njohura të Romës. Bileta, e arritshme për çdo xhep, ishte e
vlefshme për 24 ose 48 orë, dhe ne ishim të lirë të zbrisnim në çdo pikë që
tërhiqte vëmendjen tonë, për të eksploruar atë vend dhe pastaj të kapnim
autobusin e radhës, po ashtu Hop-On Hop-Off, kur të donim të vazhdonim
udhëtimin, pa pasur nevojë që të paguanim sërish.
Kështu,
pasi u rehatuam në sediljet tona, filloi udhëtimi ynë nëpër zemrën e Romës.
Përmes kufjeve që ndodheshin në autobus, dëgjuam një zë të butë që na
shpjegonte çdo vend që kalonim. Çdo rrugë kishte një histori, çdo ndërtesë një
rëndësi të veçantë, dhe ne, të zhytur në atë univers fjalësh dhe pamjesh,
mësuam për lashtësinë dhe madhështinë e këtij qyteti. Në çdo ndalesë, Roma na
fliste, dhe ne dëgjonim me gjithë shpirt.
Sabile
Keçmezi-Basha & Tefik Basha, Koloseumi, Romë, 2015
Autobusi
na priti përpara hotelit, gati për të na çuar drejt një prej monumenteve
më madhështore të Romës, Koloseumit.
Shpesh thonë me të drejtë, se nëse nuk e ke parë Koloseumin, nuk e ke parë Romën.
Dhe vërtet, nga larg ai dukej si një gjigant krenar, i palëkundur përballë
shekujve që kishin kaluar mbi të. Kur autobusi ndaloi, turma u ngrit në nxitim
për të blerë biletat, të etur për të hyrë brenda në atë monument të
përjetësisë. Koloseumi i priste vizitorët e tij nga çdo cep i botës, pa asnjë
ngurrim, duke hapur dyert e historisë për secilin.
Ky
amfiteatër legjendar, simbol i famës së Romës, tërhoqi më shumë se 4 milionë
turistë në vit, sipas një guide që lexuam. Emri i tij buron nga statuja kolosale
e perandorit Neron, që dikur qëndronte përpara tij. Një strukturë monumentale,
ai kishte kapacitetin për 50,000 njerëz të ulur dhe 10,000 të tjerë në këmbë.
Me formën e tij eliptike, që arrinte 189 metra në gjatësi dhe 156 metra në
gjerësi, ai mbulonte një sipërfaqe prej 24,000 metra katrorë, me një lartësi që
sfidonte qiellin, mbi 48 metra. Ndërtimi i tij kishte zgjatur pesë vite, nga 75
deri më 80 pas Krishtit, dhe që atëherë mbeti dëshmitar i betejave të lavdishme
të gladiatorëve dhe shfaqjeve mahnitëse që përfshinin edhe beteja detare të
improvizuara brenda arenës, të mbushura me ujë për anijet e vërteta.
Sabile
Keçmezi-Basha, Sheshi Shën Pjetri dhe Kolonadat, mbi të cilat qëndrojnë 140
statuja të shenjtorëve, Vatikan, 2015
Ndërsa
prisnim në radhën e gjatë për të blerë biletat, nën pjekjen e diellit, u
përballëm me turmën e ethshme, e cila shtyhej për të hyrë sa më parë dhe për të
vazhduar drejt vendeve të tjera turistike. Vapa ishte djegëse, por edhe ne, si
të gjithë të tjerët, ndjenim presionin për të shfrytëzuar çdo minutë, për të
parë sa më shumë nga mrekullitë e këtij qyteti që kurrë nuk resht së befasuari.
Koloseumi qëndronte aty, si një kujtesë e përjetshme e historisë, ndërsa ne, të
humbur në përjetimet e tij, ndiheshim pjesë e asaj epoke të lashtë që ende
ndihej në çdo gur të tij.
Legjenda
thotë se Koloseumi dikur ishte një tempull pagan, një vend ku djalli ishte
adhurimi i fshehtë i lashtësisë. Por perandorët romakë e shndërruan atë në një
arenë të madhështisë, ku përmes lojërave të përgjakshme dhe betejave të
pamëshirshme, ata promovuan politikën e tyre. Hyrja në këto spektakle madhore
ishte falas për të gjithë qytetarët romakë, si një dhuratë nga perandoria, për
të forcuar lidhjet e popullit me udhëheqësit e tyre.
Nga
përvoja ime, mund të them me bindje se Roma kërkon një organizim të kujdesshëm
për ta shijuar plotësisht. Një udhëzues që të të tregojë çdo kthesë dhe çdo gur
me rëndësi do të ishte aleati më i mirë në këtë qytet të lashtë. Një vizitë e
paorganizuar, veçanërisht në ditët e mbushura plot me turistë, si të dielën,
mund të të lërë të zhgënjyer nga numri i madh i njerëzve që i pushtojnë
monumentet. Për fat të keq, të gjithë shfrytëzojnë fundjavat, dhe ajo ndjenjë
intime e kontaktit me historinë humbet në zhurmë e ngarkesë.
Pas
vizitës së Koloseumit, nxituam të kapnim përsëri autobusin, që na shpinte drejt
Forumit Romak. Kjo hapësirë e shenjtë dhe madhështore ishte dikur qendra e
jetës politike, kulturore dhe fetare e Romës së lashtë. Në çdo gur e rrënojë
qëndronte një copëz nga fuqia e qytetërimit romak, e përjetësuar nëpër shekuj.
Edhe pse koha ka lënë gjurmë të thella, disa tempuj ende qëndrojnë krenarë për
të na kujtuar madhështinë e dikurshme. Po aty ndodhen dhe tri harqe triumfale
që kanë përjetësuar fitoret e perandorëve romakë – Augustus, Titus dhe
Septimius Severus – duke i mbajtur përjetësisht në kujtesën e historisë.
Rrënjat e Romës qëndrojnë të fuqishme dhe, mes gurëve të rrënuar, ndjen thellë
frymën e një perandorie që dikur sundoi botën.
Gjithkund
në botë Panteonët, qëndrojnë si monumente madhështore të njerëzimit, kryevepra
arkitekturore që përtej kohës sfidojnë fuqinë e natyrës dhe të njeriut. Dhe
Panteoni i Romës është ndër më të lartësuarit. E pabesueshme që, edhe pas 2000
vjetësh, mbetet i paprekur nga tërmetet, plaçkitjet dhe luftërat që kanë
rrethuar historinë e tij. Ndërtuar rreth vitit 125, gjatë mbretërimit të
Hadrianit, ky tempull madhështor i dymbëdhjetë perëndive romake qëndron në
vendin e një tempulli të mëparshëm nga viti 27 para Krishtit. Sot, megjithatë, ai
është shndërruar në një kishë të krishterë, duke ruajtur brenda vetes një
histori që bashkon botën e lashtë me atë të re.
Duke
u larguar nga Vatikani, dhe duke vizituar pa fund atraksione të rëndësishme
turistike, një tjetër mrekulli e Romës qëndron me krenari – Shatërvani i madh
Trevi. Ndërtuar në shekullin e 18-të, ky monument barok i projektuar nga
Niccolò Salvi është një skulpturë e madhe dhe e pasur, e mbushur me dekorime
mahnitëse. Me dimensione mbresëlënëse, 26 metra i lartë dhe 49 metra i gjerë, Trevi
përfaqëson fuqinë e Neptunit, zotin e detit, rrethuar nga tritonet që mbajnë
qetësinë e valëve. Ky shatërvan nuk është vetëm një vepër arti, por edhe një
vend i magjisë ku rreth 3000 euro hidhen çdo ditë nga turistët me dëshira për
kthim në Romë.
Sabile
Keçmezi-Basha & Tefik Basha, monument për Viktor Emanuelin e Savoit II,
Romë, 2015
Këto
monedha, të mbledhura nga zemrat që shpresojnë, përdoren për qëllime
humanitare, duke i dhënë këtij monumenti një tjetër dimension – jo vetëm një
vend i bukur, por edhe një burim shprese për ata që kanë nevojë.
Sabile
Keçmezi-Basha, Pamje në Sheshin e Shën Pjetrit dhe bazilikës Shën Pjetrit,
Vatikan, 2015
Ne
përpiqeshim të kapnim çdo fjalë të ciceronit që na e përcillte udhëtimin
përmes dëgjuesve në vesh, ndërsa syri
ynë endej nëpër këto mrekulli të gjalla. Autobusi përparonte ngadalë, dhe
përmes dritareve shihnim shkallët e shumta që përshkonin qytetin si një zbulues
poetik. Nëpërmjet fjalëve të ciceronit të padukshëm, mësuam se këto ishin
Shkallët Spanjolle, që lidhin Sheshin Spanjoll me Kishën Trinita dei Monti.
Eleganca e ndritshme dhe dizajni unik i këtyre shkallëve barok i kishin kthyer
ato në një vend të shenjtë për grumbullimin e njerëzve. Gjatë gjithë vitit,
Shkallët Spanjolle ishin të mbushura me vizitorë nga e gjithë bota, të cilët
vinin për të admiruar këtë strukturë të mrekullueshme.
Në
fund të këtyre shkallëve qëndronte një shatërvan barok i Berninit, një krijim i
mbushur me elegancë dhe histori, që kishte formën e një varke. Ky shatërvan
ishte frymëzuar nga legjenda e një varke peshkimi që ishte zhdukur në
përmbytjen e lumit Tiber në shekullin e 16-të. Në vitin 2014, këto shkallë
ishin shpallur si atraksioni më i fotografuar në Itali, dhe vetëm dy vjet më
vonë ishin restauruar me kujdes nga prodhuesi i bizhuterive luksoze
"Bulgari".
Sabile
Keçmezi-Basha & Tefik Basha, Monumenti i Viktor Emanuelit të Savojës II,
Romë 2015
Autobusi
lëvizte me ngadalësi, për të siguruar që asgjë të mos na shpëtonte nga vrojtimi
ynë i hollë. Kur autobusi ndaloi, dëgjuam nëpër dëgjues se ishim në Sheshin
Navona, një vend që na magjepsi me gjallërinë e tij dhe fluksin e turistëve që
gëzonin pamjet e artistëve dhe karikaturistëve që sillnin ngjyra në këtë shesh.
Kafe dhe bare të shumta, të mbushura me jetë, na ftonin për të ndaluar dhe për
të pirë një kafe, por vendet ishin të mbushura deri në karrikën e fundit.
Ky
shesh elegant dhe i zgjatur dominohej nga Shatërvani i Katër Lumenjve, i
ngritur në vitin 1651, dhe një krijim i skulptorit dhe arkitektit të famshëm
Bernini. Në qendër të shatërvanit qëndronte një obelisk i zbukuruar me stemën
papale dhe një pëllumb me një degë ulliri, ndërsa katër gjigantët që rrethonin
shatërvanin përfaqësonin lumenjtë Gange, Danub, Nil dhe Rio de la Plata.
Përballë këtij shatërvani, Kisha e Shën Agnesës së Agone, e realizuar sipas
projektit të Borrominit, ngrihej me një shkëlqim të veçantë.
Në
Sheshin Navona, dy shatërvanë të mëdhenj ngrihen si testamente të mjeshtërive
të lashta: në jug, Fontana del Moro, e ndërtuar në vitin 1575, dhe në veri, shatërvani
i Neptunit nga viti 1574. Ky shesh, njëherësh, është ndërtuar mbi stadiumin e
Domitianit nga viti 86, i cili ishte i pari sportiv në Romë dhe ndihmoi në
formimin e sheshit siç e njohim sot.
Për
më shumë, Sheshi i Luleve (Campo de' Fiori) është një vend me një histori të
veçantë dhe të ndërlikuar. Ky shesh, që dikur ishte një livadh i thjeshtë dhe
mori emrin e tij në mesjetë, ka filluar të zhvillohet në shekullin e 15-të. Në
një ndryshim të rëndësishëm, ky është një nga sheshet e pakta që nuk ka një
kishë përreth.
Ky
shesh, njëherë, shërbente si skenë për ekzekutime dhe fshikullime nga Kisha
Katolike. Një ngjarje tragjike kishte ndodhur më 17 shkurt 1600, kur filozofi
dhe astronomi Giordano Bruno u dogj i gjallë nga Inkuizicioni në këtë shesh.
Bruno kishte pranuar sistemin heliocentrik të Kopernikut dhe e kishte parë
universin si të pafund, një këndvështrim që kundërshtonte besimet e kohës. Që
nga viti 1888, një monument madhështor që nderon këtë shkencëtar të madh
dominon qendrën e sheshit, ku ai qëndron me dinjitet përballë drejtpeshimeve të
Vatikanit.
Autobusi
i lodhur, i mbushur me ngarkesën e eksplorimeve dhe ëndrrave, më në fund ndaloi
në Sheshin e Popullit (Piazza del Popolo), një hapësirë e madhe dhe madhështore
në Romë, që shërben si një nga kryeqendrat më të rëndësishme të qytetit. Ky
shesh, i cili ndodhet në rrugën e lashtë që lidh veriun me Romën (Via
Flaminia), është kyç për historinë e qytetit, duke u përdorur ndonjëherë për
ekzekutime publike, me të fundit që ndodhi në vitin 1826. Në periudhën nga 1811
deri në 1822, sheshi mori pamjen e tij neoklasike të jashtëzakonshme që sot
njohim.
Në
këtë shesh, tre kishat e bukura përbëjnë një rrethim të shenjtë. Bazilika e
Santa Maria del Popolo është ndërtuar mbi varrin e perandorit Neron, ndërsa në
dy anët tjera qëndrojnë kishat binjake, Santa Maria në Montesanto dhe Santa
Maria dei Miracoli, si dy roje të shenjtë që ruajnë atmosferën e sheshit.
Në
qendër të këtij sheshi, një obelisk egjiptian i sjellë nga Heliopolis, me faqet
e tij të gdhendura gjatë mbretërimeve të Seti I dhe Ramesses II, qëndron i
fiksuar. I sjellë në Romë në vitin 10 para Krishtit, ky obelisk u vendos në
vendin e tij aktual në shekullin e 16-të, duke i dhënë sheshit një ndjesi të
lashtë dhe të mistershme.
Një
ndër momentet më të bukura të kësaj shëtitjeje ishte vizita në kuvertën e
vëzhgimit Pini?o (Terazza del Pincio), që ofron një pamje magjepsëse të Romës.
Nga aty, qyteti u shfaq si një peizazh tërheqës, i mbushur me drita që
shkëlqenin në mbrëmje, duke krijuar një atmosferë që do të mbetet e gjallë në
kujtesën tonë për shumë kohë.
Të
nesërmen, kur dielli shpërtheu mbi horizont në mëngjes, ne mblodhëm sendet tona
dhe u nisëm për rrugën e gjatë që na priste, duke ndarë biseda dhe diskutime
mbi gjithçka që kishim parë dhe për atë që mund të kishim eksploruar më shumë.
Ne
ndjekim sërish atë rrugë, të cilën dy javë më parë e kishim kaluar së bashku me
Arten, Gertin dhe Darsin në një festë gëzimi. Tani, udhëtonim në heshtje,
vozitja jonë ishte një simfoni e kujtimeve dhe nostalgjisë. Herë pas here,
shpërthenim në biseda për ta, dhe çdo fjalë e thënë ishte një shprehje e thellë
e mungesës së tyre, një mall i fortë që na mbante të lidhur me ata që na ishin
aq të dashur.