Speciale » Basha
Sabile Basha: Masakra e Gjilanit
E hene, 13.01.2025, 07:00 PM
MASAKRA E GJILANIT: NJË ANALIZË E SYNIMEVE TË POLITIKËS SERBO-JUGOSLLAVE
Kumtesë
e lexuar në tryezën shkencore “80- vjetori i Masakrës së Gjilanit” në
manifestimin kulturor “Flaka e Janarit”, 2025
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Sot,
kur po shenjëm 80 vjetorin e njërës prej tragjedive më të errëta të historisë
sonë, Masakrën e Gjilanit, kujtesa jonë kolektive na fton të ndalemi e të
reflektojmë mbi një nga aktet më apokaliptike që ka ndodhur në këto troje. Ky
përvjetor nuk është vetëm një moment përkujtimi, por edhe një thirrje e zëshme
për të mos lejuar që pluhuri i harresës të mbulojë gjurmët e dhimbjes dhe të
flijimit.
Në
dimrin e largët, të vitit 1944-1945, mbi këto anë u ushtrua një dhunë që sfidon
çdo kufi të imagjinatës njerëzore. Historianët dëshmojnë se në ato ditë të
errëta u shua jeta e 7 deri në 8 mijë shqiptarëve të pafajshëm. Në këtë luginë
të lotëve, pushkatimet, masakrimet dhe flijimet u shndërruan në një dhimbje të
llahtarshme, ku jeta dhe vdekja përballeshin nën ritmin e egërsisë njerëzore.
Kjo
Masakër, e cila ndodhi në fund të nëntorit 1944, e që zgjati deri në fillim të
shkurtit 1945, është njëra nga ngjarjet më tragjike në historinë e Kosovës
gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo masakër u krye nga forcat partizane
jugosllave dhe bashkëpunëtorët e tyre kundër popullsisë shqiptare të Gjilanit
dhe rrethinës.
Ngjarja,
edhe sot është ende një plagë e hapur në historinë dhe kujtesën kolektive të
shqiptarëve të Kosovës. Numri i të vrarëve në Masakrën e Gjilanit, ndryshon
sipas burimeve historike dhe studimeve, për shkak të mungesës së
dokumentacionit të plotë dhe censurës që ka ekzistuar në periudhën pas masakrës
nga regjimi jugosllav.
Kjo
masakër nuk ishte rastësi, ajo ishte pjesë e një fushate më të gjerë të pastrimit
etnik dhe represionit kundër shqiptarëve në Kosovë nga forcat jugosllave, që
synonin të konsolidonin pushtetin dhe të zhduknin elementin që perceptohej si
kërcënim për regjimin komunist të sapoformuar.
Në
disa dokumente të kohës, veçanërisht ato që ruhen në arkivat shqiptare dhe të
Kosovës, përmenden arrestime masive dhe një numër shumë i madh ekzekutimesh të
menjëhershme, por shpesh këto shifra janë të pasakta ose të minimizuara në
dokumentet zyrtare jugosllave.
Burimet
jugosllave shpesh kanë minimizuar masakrën ose e kanë justifikuar si një veprim
kundër "elementëve reaksionarë" dhe "bashkëpunëtorëve të
okupatorëve", duke mos ofruar shifra të sakta. Por vlerësimi më i përafërt
mendoi se është ai të cilin e jep Tahir Zajmi në librin e tij “Lidhja e dytë e
Prizrenit” që e ka botuar më 1964, në Bruksel, ku ai llogarit se në Gjilan janë
vrarë 7.854 veta.
Megjithate,
numri i të vrarëve në Masakrën e Gjilanit është ende një temë që kërkon më
shumë hulumtim, qasje në arkiva dhe konfirmim nga studime të mëtejshme. Por,
dëshmitë historike dhe kujtimet e të mbijetuarve e konfirmojnë këtë ngjarje si
një nga tragjeditë më të mëdha në historinë e shqiptarëve të Kosovës.
Se,
kjo dhunë nuk ishte spontane apo e rastësishme; se ajo ishte e planifikuar dhe
e institucionalizuar më së miri dëshmojnë programet serbe, për një politikë të
qëllimshme dhe sistematike kundër shqiptarëve, të cilat përbëjnë një korpus
prej 32 dokumentesh të ruajtura në arkivat e ish-Jugosllavisë dhe Serbisë. Këto
dokumente, të hartuara nga figura të shquara të politikës dhe kulturës serbe,
shërbejnë si dëshmi e ideologjive dhe strategjive që synonin ndryshimin e
strukturës demografike dhe politike të Kosovës në favor të Serbisë.
Në
këto programe shfaqet një narrativë që shkon përtej ambicieve territoriale;
është një ideologji që synon të fshijë identitetin dhe trashëgiminë e një
populli. Çdo akt dhune, çdo masakër dhe çdo dëbim shoqërohej me justifikime të
shkruara, që kërkonin të përforconin supremacinë serbe dhe të zhduknin çdo
gjurmë shqiptare nga tokat tona.
Përmes
analizës së këtyre dokumenteve dhe politikave, vije në pah se shqiptarët u
përballën me një trysni të vazhdueshme dhe të shumëfishtë, e cila kërkonte jo
vetëm tkurrjen e tokave të tyre, por edhe fshirjen e gjurmëve të identitetit të
tyre kombëtar. Megjithatë, rezistenca shqiptare dhe mbijetesa e tyre e
vazhdueshme mbeten dëshmi e fuqisë dhe qëndrueshmërisë së këtij populli
përballë përpjekjeve të pandalshme për asimilim dhe zhdukje.
Edhe
pse shumë programe dhe elaborate serbe kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë u
hartuan në periudha të hershme historike, zbatimi i tyre arriti përmasa të reja
gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Pas
përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, aneksimi i Kosovës nga Serbia shënoi
një fazë të re në implementimin e programeve antishqiptare. Historia e këtyre
programeve është një dëshmi e fortë e mënyrës se si ideologjitë dhe strategjitë
e shkruara mund të kthehen në mjete të dhunës së institucionalizuar, duke
thelluar padrejtësitë historike ndaj një populli.
Më
poshtë do të përmendi vetëm disa prej këtyre dokumenteve si: 1.
"Naçertanija" e Ilia Garashaninit (1844); 2. Programi "Për një
Serbi të Madhe Homogjene" i Stefan Moljeviqit (1887-1967); 3. Elaborati i
Ivan Vukotiqit (1939); 4. Elaborati i Ivo Andriqit (1939); Programi “Për
shpërnguljen e shqiptarëve”, i hartuar në vitin 1937 nga Vasa Çubriloviqi, i
cili përfaqëson një nga shembujt më të spikatur të ideologjisë së
"Spastrimit Etnik" që karakterizoi politikën antishqiptare të Serbisë
në periudha të ndryshme historike. Ky dokument përmbante strategji të detajuara
për dëbimin e popullsisë shqiptare nga trojet e tyre, duke e vendosur dhunën,
presionin dhe shpronësimin si mekanizma qendrorë për realizimin e këtij qëllimi
e shumë dokumente të tjera që do i përmendi në ndonjë rast tjetër.
Sipas
dëshmitarëve të kohës, brutaliteti që përfshiu shqiptarët gjatë periudhës
tragjike të vitit 1944/45 tejkalon çdo përfytyrim njerëzor. Jo vetëm që pushka
dhe thika ishin mjete të zakonshme të vrasjes, por egërsia arriti deri në
përdorimin e metodave më çnjerëzore. Shqiptarët priteshin me sharrë,
përvëloheshin me ujë të nxehtë, vriteshin me gur në kokë, dhe goditeshin me
kazma, bajoneta, hekur të skuqur, e deri te prerja e gjymtyrëve.
Duhet
përmendur patjetër partizanen Melihate Deda, një dëshmitare e kësaj mizorie, në
dhjetor të vitit 1944, kur i kishte shkruar një letër Komitetit Krahinor, duke
nxjerrë në dritë një realitet të hidhur. Ajo dëshmonte se komandantët e njësive
të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë (UNÇJ), që operonin në Kosovë,
shpallnin publikisht se kishin marrë urdhër të shfarosnin së paku 50 për qind
të popullsisë shqiptare. Ky urdhër, i bërë publik me një pafytyrësi të ftohtë,
zbulonte një qëllim të qartë për të gjunjëzuar dhe dëbuar një popull të tërë
nga trojet e veta.
Në
mesin e këtyre njësive, veçohej Brigada XVII maqedonase, e cila operoi në
rajonin e Karadakut gjatë muajve nëntor dhe dhjetor 1944. Kjo brigadë u shqua
për mizoritë e saja, duke lënë pas një trashëgimi dhimbjeje dhe terrori që ende
rëndon mbi kujtesën historike të kësaj ane të Kosovës.
Masakra
kishte ndodhur në një periudhë kur Jugosllavia e dominuar nga Serbia,
Shqiptarët, të cilët përbënin një popullsi shumicë në Kosovë, shiheshin si një
kërcënim i përhershëm për vizionin e Serbisë për një shtet të centralizuar dhe
etnikisht homogjen.
Në
këtë kontekst, masakra nuk mund të shihet thjesht si një akt kriminal, por si
pjesë e një politike më të gjerë të spastrimit etnik dhe zhdukjes së
identitetit kombëtar shqiptar. Synimet kryesore të politikës serbo-jugosllave
përmes akteve të tilla përfshinin:
Frikësimin
dhe Nënshtrimin: Duke përdorur dhunën masive dhe të paepur, Serbia e
Jugosllavia, synonin të përhapnin frikë midis shqiptarëve, duke i detyruar ata
të heqin dorë nga kërkesat e tyre për të drejta kombëtare dhe politike.
2.
Zhbërjen e Strukturave Shqiptare: Masakrat dhe represioni kishin për qëllim të
shkatërronin rezistencën luftarake, politike dhe kulturore të shqiptarëve, duke
i bërë ata të paaftë për të rezistuar ndaj politikave të asimilimit.
3.
Riorganizimi Demografik: Shpopullimi i rajoneve shqiptare përmes masakrave dhe
deportimeve ishte një tjetër element kyç i strategjisë për ndryshimin e
balancës etnike në favor të serbëve.
Dhe
krejt në fund, Masakra e Gjilanit ishte më shumë se një akt dhune; ishte një
përpjekje sistematike për të shuar frymën shqiptare dhe për të uzurpuar tokat
që ishin trashëgimi shekullore e këtij populli. Në këtë tragjedi,
serbo-jugosllavët synonin të spastronin jo vetëm territorin e Gjilanit dhe
rrethinës, por edhe të Kosovës mbarë, duke zhdukur shqiptarët si në praninë
fizike ashtu edhe atë shpirtërore. Ishte një orvatje e ftohtë për të shndërruar
tokat tona në pronësi të huaj, duke i zhveshur nga identiteti që i kishin me
shekuj.
Masakra
nuk ishte një shpërthim i rastësishëm i urrejtjes, por një mision i mirëmenduar,
një pjesë e planit të madh për krijimin e një "Serbie të Madhe" në
trojet shqiptare. Për këtë qëllim, Serbia dhe Jugosllavia nuk zgjodhën mjetet,
duke përdorur dhunën më çnjerëzore dhe taktikat më perfide për të realizuar
ambiciet e tyre territoriale. Nuk ishte vetëm toka ajo që kërkonin; ishte
fshirja e një kombi, zhdukja e shpirtit të tij dhe zëvendësimi me një realitet
të sajuar.
Masakra
e Gjilanit mbetet një dëshmi e dhimbshme e një kohe kur urrejtja dhe lakmia për
tokat e huaja tentuan të shkatërrojnë një popull të tërë. Por gjithashtu, ajo
është edhe një thirrje për kujtesë, për drejtësi dhe për të ruajtur të gjallë
historinë tonë. Sepse toka shqiptare nuk është vetëm truall; është trashëgimia
e një populli që ka mbijetuar përmes dhimbjes dhe sakrificës, duke dëshmuar se
asnjë forcë nuk mund të shuajë frymën e saj.