Speciale » Basha
Sabile Basha & Tefik Basha: Udhëtimi për studime në Beograd (1)
E premte, 03.01.2025, 07:00 PM
BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH...
UDHËTIMI
PËR STUDIME NË BEOGRAD
Pjesa
e Parë
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha &
Prof. Dr. Tefik Basha
Amaneti i babait
Pas
përfundimit të shkollës së mesme, një dëshirë e thellë më shtynte përpara – ajo
për të përmbushur amanetin e babait, një fjalë e thënë me dashuri dhe besim,
kur ende isha vetëm një nxënëse e shkollës fillore. “Vazhdo studimet,” më
thoshte ai me një zë të qetë, por të ngrohtë. “Ti duhet të jesh e mençur dhe e
ditur, jo vetëm për veten tënde, por edhe për kombin tënd. Sepse çdo njeri që
lind, e bën këtë me një mision të caktuar në këtë jetë.”
Këto
fjalë u ngulitën në shpirtin tim si një thirrje që nuk mund të anashkalohej.
Babai më shihte si një zë të ardhshëm të së vërtetës, si një laps që do të
shkruante jo vetëm historinë time, por historinë e një populli të tërë.
“Shkollimi është udha jote,” më thoshte ai. “Është obligimi yt të tregosh botës
kush jemi, të flasësh për padrejtësitë që na janë bërë dhe të ruash dinjitetin
e popullit tonë përmes fjalës dhe veprës.”
Kjo
thirrje nuk ishte vetëm një porosi prindërore, por një amanet i shenjtë. Ishte
një urdhër i qetë, por i madhërishëm, që më bënte të ndihesha se nuk mund të
dështoja. Jo për veten, jo për babanë, por për të gjithë ata që më kishin
paraprirë dhe për ata që do të vinin pas meje.
“Shkruaj,”
më thoshte ai, “dhe tregohu e patrembur. Kudo që shkon, kudo që ke mundësi, bëj
të dëgjohet zëri ynë, historia jonë, dhimbja jonë, por edhe forca dhe shpresa
jonë.” Dhe kështu, amaneti i tij u bë ylli im polar, një dritë që më udhëhoqi
përmes çdo pengese, duke më kujtuar se lapsi në duart e mia nuk ishte vetëm një
mjet – ishte një mision, një përmbushje e një thirrjeje që jehon ende në çdo
gjë që bëj.
I
tregoja me ndrojtje, me një zë të ulët që shpesh mbërthehej në kurthin e
dyshimit: “Nuk e njoh gjuhën e armikut. Si mund të vazhdoj studimet në atë
drejtim, aty ku ti dëshiron – në shkencat politike?” Ishte një thirrje që për
mua dukej e largët, pothuajse e paarritshme, një sfidë përtej mundësive të mia.
Por ai, me qetësinë dhe mençurinë që vetëm një prind mund ta ketë, më
vështronte sikur të shihte përtej frikave të mia, përtej kufijve të mendjes
sime të re.
“Kosova
nuk ka një fakultet të tillë,” më thoshte. “Nuk ka një zë që ta mbrojë drejtësinë,
që ta artikulojë të vërtetën tonë, që të flasë me guxim në skenën e madhe të
botës. Dhe ti, bija ime, je ajo që mund ta bëshë këtë.” Ishte një thirrje që
nuk kërkonte vetëm të më bindte; ajo ngjante me një urdhër të heshtur të
historisë, një ftesë për të hyrë në një betejë që nuk luftohej me armë, por me
dije dhe fjalë.
Ishte
e vërtetë që nuk njihja gjuhën e armikut, por a nuk ishin pikërisht këto sfida
që e ndërtonin forcën e një individi? Ai më shtynte të shoh përtej pengesave,
përtej frikës sime, dhe të kuptoja se gjuha e drejtësisë, gjuha e të vërtetës
dhe e dijes, ishte universale. Shkencat politike nuk ishin thjesht një degë
studimi; ato ishin një mjet për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë, për të
mbrojtur një popull që për shumë kohë kishte heshtur, por që nuk mund të
vazhdonte të heshtte më.
Dhe
kështu, fjalët e tij u bënë si një flakë që më ngrohte dhe më udhëzonte, një zë
që më përsëriste: “Mëso, studio, dhe bëhu ajo që i mungon Kosovës. Sepse nuk
është gjuha që e përcakton forcën e një njeriu, por vullneti dhe vizioni i tij
për të ndryshuar botën.” Dhe unë, ndonëse e pasigurt në fillim, fillova të
besoj se ai kishte të drejtë – se misioni im ishte më i madh se çdo frikë apo
pengesë.
“Armikun
duhet ta njohësh në thelb – gjuhën e tij, historinë, të kaluarën dhe të tashmen
e tij. Vetëm kur e ke kuptuar atë në tërësinë e tij, je në gjendje të qëndrosh
përballë tij me një forcë që buron nga njohuria dhe jo vetëm nga instinkti.
Është njohja që të jep pushtet, që të vendos në një pozicion të favorshëm, ku
mund të kuptosh lëvizjet e tij dhe të parashikosh hapat e ardhshëm” më thoshe
babai.
Për
të vazhduar me tej se “Gjuha e armikut, në duart e tua, nuk është më thjesht
një mjet komunikimi; ajo shndërrohet në një armë të fuqishme. Me të, mund të
deshifrosh planet, të analizosh qëllimet dhe të ndërtosh strategjitë e tua. Ajo
bëhet çelësi që hap dyert e të panjohurës, duke të pajisur me mprehtësinë e
nevojshme për të përballuar çdo sfidë”.
Më
fliste për ditë babai im i mirë se “Historia e tij, rrënjët dhe kontradiktat që
e kanë formuar, janë udhërrëfyesit që të ndihmojnë të kuptosh logjikën e
veprimeve të tij. Të dish nga vjen armiku është të kuptosh pse vepron siç
vepron, dhe kjo të jep avantazhin për ta sfiduar jo vetëm me forcë, por edhe me
mençuri”.
Një
ditë më thirri dhe më tha “ E sheh pra, njohuria nuk është thjesht një
avantazh; ajo është mbrojtja dhe sulmi yt më i fuqishëm. Në këtë luftë, të
kuptuarit e armikut tënd është gjysma e fitores. Sepse një njeri që zotëron
gjuhën dhe mendësinë e kundërshtarit të tij, nuk është më viktimë, por një
strateg i përgatitur, një forcë që nuk mund të mposhtet lehtë. Dhe kështu,
lufta bëhet një betejë jo vetëm e fuqisë, por e dijes dhe të vërtetës, ku
triumfi është i atyre që dinë.
“Andaj,
shko, bija ime, shko me kokën lart dhe zemrën plot dritë. Në ty kam vendosur jo
vetëm shpresën time, por besimin e një bote të tërë që pret zërin tënd, forcën
tënde, dhe mençurinë tënde për të ndriçuar të pathënat dhe për të sjellë
drejtësi. Shko, sepse në hapin tënd shoh të ardhmen, në fjalën tënde shoh zërin
që do të sfidojë padrejtësinë dhe në dijen tënde shoh armën më të fuqishme për
të ndërtuar ura ku më parë kishte vetëm mure. Unë besoj në ty, jo vetëm si në
një bijë, por si në një shpirt që ka në duar lapsin e së vërtetës dhe flamurin
e dinjitetit. Shko dhe mos ki frikë – bota pret, dhe ti je ajo që mund t’i
tregosh kush jemi, çfarë kemi kaluar, dhe çfarë ëndërrojmë për të ardhmen.
Shko, sepse në çdo hap tëndin, unë shoh një histori që sapo ka nisur të
shkruhet.
Dhe
unë e dëgjova, dhe shkova. Shkova me zemrën plot mall dhe me amanetin e babait
si yllin polar që më udhëhoqi në udhëtimin tim. Ai, që e desha aq shumë, kishte
mbjellë në shpirtin tim një farë të shenjtë – një thirrje për dijen, për
drejtësinë, për një qëllim që shkonte përtej vetes sime. Në atë kohë, ndoshta
nuk e kuptoja thellësinë e fjalëve të tij, por sot, nga kjo distancë kohore,
çdo fjalë e tij shkëlqen me një shpresë dhe realitet të pagabueshem.
Ai
kishte të drejtë në gjithçka që thoshte. Fjalët e tij, të thjeshta dhe të
qarta, ishin të mbushura me mençuri dhe parashikim. Ato ishin si rrënjë që më
mbanin të qëndrueshme dhe si krahë që më ngritnin lart. Çdo këshillë që më dha,
çdo nxitje që më bëri, ishte një copëz dashurie dhe besimi që më mbështolli në
çastet më të vështira.
Sot,
duke shikuar prapa, e kuptoj se ai nuk më kishte dhënë thjesht një amanet – më
kishte dhënë një qëllim, një mision që më përkiste jo vetëm mua, por edhe atyre
që vinin para dhe pas meje. Dhe kështu, unë shkova, jo vetëm për ta përmbushur
atë që ai dëshironte, por për të kuptuar se çdo hap i hedhur drejt dijes ishte
një hap drejt një bote më të mirë, një botë ku zëri im mund të bëhej një dritë
e vogël në errësirë.
Amaneti
i tij ishte shumë më tepër se një kërkesë – ishte një rrugëtim për të zbuluar
veten dhe për të dhënë atë që mundesha më të mirën për botën që ai besonte aq
fort se mund të ndryshonte. Dhe unë shkova, me dashurinë për të, me respektin
për fjalët e tij dhe me bindjen se, po, ai kishte pasur gjithmonë të drejtë.
Udhëtimi për Beograd
Ishte
viti 1972, një vit që ngjante me një prag të ri për mua dhe gjithë shokët e mi
të gjimnazit në Kamenicë. Atmosfera ishte e ngarkuar me ëndrra dhe plane të
ardhshme, sikur të gjithë ne të ishim mbledhur në një udhëkryq të jetës.
Diskutimet e gjata mes nesh shpesh mbusheshin me dilema për të ardhmen:
"Çfarë do të studiojmë? Ku do të shkojmë? Si do të formësojmë jetët
tona?" Në mes të gjithë atyre mendimeve dhe pyetjeve, unë kisha një vendim
të palëkundur: shkencat politike, dhe pikë. Ishte një vendim që zinte rrënjë
thellë në shpirtin tim, një dritë e pashuar që udhëhiqte zemrën time.
Por
në atë udhëkryq, jeta ime tashmë kishte marrë një kthesë të dhimbshme. Babai,
figura që kishte qenë burim frymëzimi dhe dashurie, ishte larguar nga kjo botë
në mënyrë tragjike, duke marrë me vete ëndrrën tonë të përbashkët për një jetë
të qetë dhe të lumtur. Ishte një humbje që përthau një pjesë të shpirtit tim
dhe më bëri të shoh botën përtej iluzioneve rinore.
Megjithatë,
mes dhimbjes dhe boshllëkut, qëndronte një zë i brendshëm që përsëriste me
forcë dëshirën e tij: të arrij diçka të madhe, diçka që ai do të ishte krenar
ta shihte. Babai im kishte mbjellë tek unë një dëshirë të zjarrtë për dije, për
të përparuar, për të ndërtuar një të ardhme që ai kurrë nuk pati rast ta
shijonte. Dhe unë, me gjithë dhimbjen time, isha e vendosur të mbaj premtimin
që i kisha bërë vetes dhe kujtimit të tij.
Në
ato momente, ndoshta për herë të parë, ndjeva se ëndrrat tona nuk ishin thjesht
tonat. Ato ishin ura që lidhën të kaluarën me të ardhmen, kujtimet me synimet.
Studiova shkencat politike jo thjesht për të ndjekur një pasion, por për të
jetësuar atë që ai kishte dashur për mua. Çdo hap që ndërmora ishte një hap
drejt mbushjes së zbrazëtisë që humbja e tij kishte lënë, një përpjekje për të
ndërtuar një jetë që do të kishte qenë krenaria e tij.
Viti
1972 mbetet një nyjë e pashlyeshme në kujtesën time, një përzierje ëndrrash të
thyera dhe qëllimesh të reja. Aty mësova se jeta ka mënyra të veçanta për të na
mësuar se dhimbja dhe vendosmëria mund të ndërthurën për të na dhënë një forcë
të re – një forcë për të ecur përpara, për të ndërtuar diçka të bukur mbi
rrënojat e shpresave të humbura.
Sabile Keçmezi &
Tefik Basha, Kalemegdan, Beograd 1972
E dija mirë se rruga që më priste përpara nuk ishte
një udhëtim i lehtë. Ishte një shteg i mbushur me gurë të ashpër, ku çdo hap
mund të shfaqte një pengesë të re, një kthesë të panjohur që fsheh misterin e
së ardhmes. Megjithatë, diçka e brendshme më ngrohte zemrën, një dritë e vogël
që nuk shuhej, një ndjenjë e pastër shprese që më mbante të gjallë.
Ai qytet, Beogradi, dukej njëherësh i bardhë dhe i
ftohtë, si një kështjellë e ngritur mbi kujtime dhe ndjenja të përziera. Ishte
një vend që dukej sikur sfidonte të huajt, por për mua, kishte diçka më shumë
sesa rrugët e tij, ndërtimet e tij të rënda, dhe ajrin e tij të ngrirë. Në të
gjithë atë bardhësi, kishte një dritë tjetër që ndriçonte udhëtimin tim, një
prani që më bënte të ndihem më pak vetëm përballë së panjohurës.
Ishte Tefiku, që mishëronte udhëheqjen, dashurin dhe
shoqërinë, që priste atje për të më udhëzuar. Jo vetëm shtigjet e jetës, por
edhe ato të dijes ishin më të qarta me të pranë meje. Në mes të ashpërsisë së
rrugës dhe kthesave të fshehta, ai ishte busulla ime, drita ime udhërrëfyese, që
e bënte edhe shtegun më të vështirë të ndjehej i mundshëm për t’u kaluar.
Udhëtimi
për Beograd, ishte një shteg që kërkonte guxim, forcë dhe një zemër të
palëkundur për të ecur përpara. Por ishte Tefiku, që në çdo moment dyshimi, në
çdo çast kur ndjeja barrën e rëndë të sfidave, dora e tij shtrihej drejt meje si
një dritë udhëzuese. Dhe nga ajo fytyrë e qartë, zëri i tij më përqafonte si
një melodi e ngrohtë, duke më përsëritur fjalë që ngjallnin forcë dhe shpresë.
Pastaj
mu kujtonte babi duke më thënë: “Mos u merakos, bija ime, se ti mundesh dhe do
ia dalësh. Kujtohu, askush nuk ka asgjë më shumë se ti. Ata kanë sy, dhe ti ke
sy. Ata kanë mendje, dhe ti ke mendje. Ata janë të shëndetshëm, dhe ti je po
ashtu. Çfarë të ndalon, bija ime? Çfarë mund ta ndalojë një zemër të fortë dhe
një shpirt të pastër si i yti?
Bota
vezullon me drita të kota, por ajo vezullim nuk ka vlerë të vërtetë. Mos u
mashtro nga shkëlqimi i përkohshëm i asaj që duket madhështore. E vërteta e
jetës qëndron tek ajo që krijon vetë – tek dituria, përkushtimi dhe durimi. Dhe
ti, bija ime, je e mençur. Ti ke një forcë të heshtur, një forcë që buron nga
brenda teje dhe që nuk ka kufi.
Ti
ke një milion arsye për të qenë e ditur, për të qenë një yll që nuk fiket
kurrë. Çdo pengesë që do të dalë përpara, është vetëm një gur prove për të
matur forcën tënde. Dhe unë e di – më shumë se çdokush tjetër – që ti do të
triumfosh. Sepse ti je bija ime, dhe unë besoj në ty.” Ky zë, këto fjalë, nuk
ishin thjesht një kujtim, por një prani e gjallë që më shoqëronte në çdo
hap. Ishte si një forcë e padukshme që më ngrinte mbi frikën dhe më shtynte
përpara, edhe kur ndjeja peshën e botës mbi supe. Ishte një dorë e butë që më
mbështeste kur këmba ime dridhej nga lodhja dhe një fanar që më ndriçonte
rrugën kur gjithçka tjetër dukej e errët.
Sabile Keçmezi,
studente, Petllovo Bërdo, Beograd , 1972
Fjalët
e tij ishin më shumë se fjalë. Ato ishin një testament i dashurisë dhe besimit
të tij tek unë, një urë që lidhte ëndrrat e tij me të ardhmen time. Dhe në atë
besim të patundur, unë gjeta një burim të pashtershëm force për të përballuar
gjithçka që më priste përpara. Dëshira për të plotësuar amanetin e babait tim
dhe dashurinë e madhe që ndjeja për të, më dha forcë për të marrë një vendim që
do të formësonte të ardhmen time. Me zemrën të mbushur me vendosmëri dhe
ëndrra, u nisa drejt Beogradit – një qytet i largët, i madh dhe i panjohur për
mua, por që tani duhej të bëhej vendi i shpresës sime.
Në
atë kohë, Prishtina nuk ofronte fakultetin që ëndërroja. Rrugët e arsimit më
çuan larg shtëpisë, drejt Beogradit, një qytet që më ngjante me një oqean ku
çdo rrugë, çdo ndërtesë, ishte një dallgë që duhej ta përballoja. Por nuk isha
vetëm. Në atë qytet të madh, të zhurmshëm dhe të ftohtë, kisha një spirancë –
xhaxhain tim. Ai, me përkujdesjen dhe mbështetjen e tij, më dha një ndjenjë
sigurie dhe ngrohtësie, një bazë mbi të cilën mund të ndërtoja ditët e mia të
reja.
Para Fakultetit të Shkencave
Politike, Vozhdovc, Beograd, 1974
Por
ajo që më ngrohte zemrën më shumë se çdo gjë tjetër ishte prania e Tefikut. Ai ishte aty, në atë qytet të madh që ndonjëherë
më dukej si një labirint. Të jesh pranë dikujt që të kupton, që ndan me ty
gëzimet dhe sfidat, ishte një dhuratë e paçmueshme. Prania e tij ishte si një
dritë e qetë që ndriçonte rrugën time, një forcë e heshtur që më bënte të
ndjeja se gjithçka do të ishte më e lehtë.
Beogradi
nuk ishte vetëm një qytet. Ai ishte një sfidë, një përvojë dhe një udhëtim
drejt vetes sime. Aty ku rrugët e panjohura më frikësonin, prania e njerëzve të
dashur më ngushëllonte. Çdo mëngjes, ndërsa zgjohesha dhe shihja fytyrat e
tyre, ndjeja se jeta, pavarësisht sfidave, kishte një lloj bukurie të fshehur
që vetëm guximi mund ta zbulonte. Dhe kështu, me mendimet e mia të ngulitura
thellë tek babai, me ëndrrat për të ndjekur dijen dhe me përkrahjen e atyre që
më donin, nisa kapitullin e ri të jetës sime. Çdo hap në Beograd ishte një hap
më afër ëndrrës sime, një hap më afër përmbushjes së premtimit që i kisha bërë
vetes dhe kujtimit të babait.
Regjistrimi
në fakultet ishte një hap madhor, një kapërcim nga e zakonshmja drejt një të
ardhmeje të pasigurt, por plot me premtime. Si nxënëse e shkëlqyer, nuk më
duhej të kaloja provime pranuese; një privilegj që mbante brenda tij frytin e
viteve të përkushtimit tim. Me kujdes i përgatita të gjitha dokumentet dhe i
dërgova xhaxhait me postë. Procesi ishte i thjeshtë, por kuptimi i tij ishte i
thellë: një hap drejt ëndrrës, drejt Beogradit, drejt një jete që ndoshta do të
tejkalonte çdo imagjinatë timen.
Një
shtatori e solli xhaxhain në fshatin tonë për pushime. Ai erdhi si një urë
lidhëse mes së kaluarës dhe së ardhmes. Pas përgatitjeve të thjeshta, me 29
shtator u nisëm. U ngjitëm në autobus, unë me një valixhe të vogël, por me një
barrë ëndrrash që nuk mund të matej. Udhëtimi zgjati shtatë a tetë orë, një
kohë që më dukej e gjatë dhe e mbushur me pritje, por çdo kilometër që kalonim
më sillte më afër destinacionit tim të ri.
Tefik Basha & Sabile
Keçmezi, student, Kalemegdan, Beograd, 1973
Dhe
pastaj, papritmas, ai u shfaq. Qyteti i bardhë- Beogradi. Nuk do ta harroj
kurrë atë çast kur, për herë të parë, sytë e mi u përballën me madhështinë e
tij. Ishte i pafund, i bardhë, i ftohtë dhe i përhumbur, një peizazh që më
ndali frymën. Aty, në atë moment, ndjeva sa e madhe ishte bota dhe sa e vogël
ndihesha unë përballë saj. Kurrë më parë nuk kisha parë diçka kaq të madhe, kaq
të gjerë dhe kaq mbresëlënëse.
Për
ne, fëmijët e një fshati të vogël, udhëtimet më të largëta ishin drejt Gjilanit
ose Bujanocit. Prishtina, me gjithë thjeshtësinë dhe energjinë e saj, ishte
kulmi i përvojave tona urbane, një dritare e vogël drejt një bote më të madhe.
Por Beogradi? Beogradi ishte diçka tjetër, një univers më vete. Ishte i bardhë
si bora që zbardh kodrat tona në dimër, por një bardhësi që shkëlqente me një
ftohtësi të huaj, të largët.
Ndërsa
shihja qytetin që zgjerohej para meje, ndjeva një përzierje emocionesh – një
ndjenjë mahnitjeje dhe frike, një dëshirë për të eksploruar dhe një mall për të
njohurën. Ishte fillimi i një kapitulli të ri, një udhëtim jo vetëm drejt
dijes, por edhe drejt një vetëdijeje më të thellë për veten dhe botën që më
rrethonte. Dhe aty, në hijen e atyre ndërtesave të bardha, filloi transformimi
im nga një vajzë me ëndrra në një njeri me vizione.
Xhaxhai,
me syrin e tij të stërvitur për të kuptuar ndjenjat e pashprehura, e vërejti
habinë time. Në atë heshtje të shkurtër mes nesh, ndoshta lexoi më shumë sesa
kisha guxuar të shprehja: një përzierje mahnitjeje dhe ndoshta një fije frike
që më kaploi përballë madhështisë dhe gjallërisë së këtij qyteti të panjohur.
Ai, si gjithmonë, me qetësinë e tij të butë dhe të matur, më foli me një ton
ngushëllues, si për të më siguruar që nuk isha vetëm në këtë udhëtim të ri.
Sabile Keçmezi &
Tefik Basha, duke pritur tramvajin nr. 9, Vozhdovc, Beograd, 1973
"Shiko,"
më tha, "për fillim do të shkojmë bashkë në fakultet, derisa të mësohesh
me rrugët, autobusët, tramvajet... Mos u shqetëso, gjithçka do të bëhet më e
lehtë me kohën."
Fjalët
e tij ishin të ngrohta, të mbushura me një dashuri të padukshme, por të
ndjeshme. Ishin si një mburojë që më mbështillte, duke më dhënë guxim për të
përballuar të panjohurën. Dhe ndonëse e dija se ai ishte aty për mua, brenda
vetes ndjeva një shpërthim krenarie dhe një dëshirë për të treguar forcën time.
Qesha
lehtë dhe me dashuri ia ktheva: "Jo... jo, nuk ka problem. Nuk është
frikë. Vetëm se u habita... Nuk e prisja kështu këtë qytet."
Në
atë moment, mes buzëqeshjes dhe shkëmbimit të fjalëve tona të thjeshta, ndjeva
se po filloja të kuptoja se çdo gjë e re është një hap drejt një bote të gjerë
që pret të zbulohet. Habia ime nuk ishte dobësi; ajo ishte dëshmi e një bote të
re që më ftonte të bëhesha pjesë e saj. Dhe ndërsa shihja xhaxhain tim, ndjeva
një falënderim të thellë për të – për praninë e tij, për mbështetjen e tij, për
qetësinë që përcillte.
Qyteti
që dikur më dukej si një mister i paarritshëm tani filloi të marrë trajta më
njerëzore. Ai nuk ishte më thjesht një grumbull rrugësh dhe ndërtesash; ishte
një sfidë, një ftesë për t'u njohur me të, për ta bërë timin. Dhe në atë çast,
me fjalët dhe ngrohtësinë e xhaxhait, ndjeva se e panjohura nuk ishte më një
pengesë, por një mundësi për të zbuluar anë të reja të vetes.
Takimi me Fakultetin e Shkencave Politike
Me
një tetor, koha e nisjes drejt një kapitulli të ri kishte ardhur. Fakulteti më
priste si një portë drejt ëndrrave të mia, por po atë natë, gjumi nuk më
vizitoi. Në errësirën e qetë, mendja ime u shndërrua në një fushë betejash, ku
miliona dilema ngriheshin si hije për të sfiduar vendosmërinë time. Ishte hera
e parë që isha larguar nga familja ime, nga fshati im, nga çdo gjë që kisha
njohur dhe dashur.
Qyteti,
me madhështinë e tij të ftohtë, më dukej si një botë tjetër – një vend i
panjohur dhe i pamëshirshëm, që më sfidonte ta bëja timin. Në zemrën time,
zërat e dyshimit rrotulloheshin pa pushim: Si do të
kaloj këtu? Si do të mësoj? A do të jetë vështirë të ndjek mësimet? A do të
arrij ta përfundoj fakultetin? Dhe më e rëndësishmja, si do të jetoj larg
fshatit tim, larg vendit që më kishte formuar dhe mbrojtur deri tani?
Në
atë natë të gjatë, çdo pyetje dukej si një mur që duhej të kapërceja, çdo
dyshim si një litar që më tërhiqte mbrapa drejt sigurisë së të njohurës. Por në
zemrën e asaj errësire, ndjeva se këto dilema ishin pjesë e një prove. Ato nuk
ishin aty për të më ndalur, por për të më mësuar guximin, për të më shtyrë
drejt vetëbesimit.
Për
herë të parë, kuptova thellësinë e asaj që do të thotë të shkëputesh nga
rrënjët për të gjetur flatrat. Ishte një proces që përfshinte frikë dhe
pasiguri, por gjithashtu një ndjenjë të heshtur entuziazmi për të parë çfarë
fshihej pas këtij kapitulli të ri. Qyteti, me gjithë madhështinë e tij
tmerruese, ishte një sfidë që duhej ta përqafoja.
Dhe
ndërsa mëngjesi afrohej, një dritë shprese filloi të zinte vend mes dyshimeve
të mia. Edhe pse frika dhe dilemat ishin ende aty, ndjeva një forcë të heshtur
që më shtynte të përballem me të panjohurën. Ishte një hap drejt një jete të
re, një hap që ndonëse i vështirë, mbante në vete premtimin e diçkaje të madhe
dhe të rëndësishme.
Beogradi
ishte një botë e madhe dhe e huaj, një peizazh i panjohur ku çdo gjë më dukej
si një sfidë. Përveç familjes së xhaxhait, nuk njihja askënd. Tefiku ishte aty,
por në atë kohë kishte udhtua për francë ngase kishte disa punë të rëndësishme.
Pa të ndihesha e vetmuar, e zhveshur nga siguria që më ofronte prania e tij.
Gjuhën serbishte nuk e zotëroja aspak; çdo tingull, çdo fjalë më ngjante si një
mur i pakalueshëm, një përkujtim se sa larg isha nga gjithçka që dija dhe
njihja.
Për
më tepër, çdo gjë në këtë qytet të madh ishte e shtrenjtë – jo vetëm në
kuptimin material, por edhe në peshën që mbartte mbi shpirtin tim. Xhaxhai, me
bujarinë e tij të heshtur, ishte një mbështetje e vyer, por ai mbante mbi supet
e tij një familje prej gjashtë anëtarësh, të cilët jetonin me një pagë të
thjeshtë punëtori. Më dhembte fakti që po shtoja një barrë tjetër mbi
shpatullat e tij, edhe pse ai kurrë nuk e tregonte si shqetësim.
Megjithatë,
kjo ndjesi faji dhe shqetësimi nuk më ndali. Në mendjen time, një dritë shprese
vazhdonte të ndizte shpirtin. Në Kamenicë më kishin premtuar një bursë për
studime, dhe ky premtim ishte si një premtim i brendshëm që më mbante në këmbë.
Besoja se, me kohën, do të mund ta kompensoja këtë mbështetje të paçmuar që
xhaxhai dhe familja e tij që po më ofronin.
E
gjithë kjo situatë më mësoi diçka të rëndësishme: ndihma dhe bujaria nuk maten
me vlerën e tyre materiale, por me zemrën që i shoqëron. Familja e xhaxhait më
dha jo vetëm strehë, por edhe një ndjenjë përkatësie në një botë ku ndihesha e
humbur. Dhe unë, në heshtjen e natës, betohesha se do t'ua shpërbleja – jo
vetëm me një bursë, por me suksesin tim, me përmbushjen e ëndrrave që ishin
bërë edhe të tyre.
Në
këtë qytet të madh dhe të ftohtë, mes sfidave dhe frikës, ndjeva se po mësoja
jo vetëm si të mbijetoja, por si të rritesha. Dhe kjo rritje, megjithëse e
vështirë, mbante në vete një premtim të heshtur: që çdo hap përpara, sado i
vogël, ishte një hap drejt përmbushjes së gjithçkaje që më kishte sjellë këtu.
Sabile Keçmezi &
Tefik Basha, para Fakultetit të Shkencave natyrore, studenjak, Beograd, 1973
Nata
ishte e qetë, por një ndjenjë e padukshme shqetësimi dukej se përshkonte ajrin.
Ndoshta jo vetëm unë, por edhe xhaxhai nuk kishte mbyllur sy atë natë. Ishte
një moment i rëndësishëm për të dy ne – për mua, fillimi i një kapitulli të ri
dhe, për të, një detyrë që e përmbushte me gjithë dashurinë dhe përkushtimin e
një njeriu që e ndiente barrën e kujdesit për mua.
Nga
puna, xhaxhai kishte marrë leje, një sakrificë që më bënte ta vlerësoja edhe më
shumë përkushtimin e tij. Fakulteti ku duhej të shkoja ndodhej në një pjesë të
qytetit të quajtur Vozhdovc, një emër që më tingëllonte i largët dhe i
panjohur. Me shpejtësi u përgatitëm dhe dolëm në rrugë, gati për të nisur këtë
udhëtim të parë drejt dijes.
Xhaxhai
jetonte në një lagje periferike të quajtur Petllovo Bërdo, një vend që më la
mbresa të veçanta. Lagjja ishte e qetë, e mbushur me shtëpi dy katëshe që
ngjanin si të rrëmbyera nga ndonjë kartolinë. Ajo çka më goditi më shumë,
megjithatë, ishin trëndafilat që zbukuronin çdo oborr, çdo cep të rrugës.
Ngjyrat e tyre të ndezura dhe aroma e tyre e ëmbël më sollën një ndjesi
ngushëlluese, si një përshëndetje e fshehtë nga fshati im.
Sabile Keçmezi &
Tefik Basha, student në rrugën Knjaz Mihajlovo, Beograd, 1974
I
doja shumë lulet, dhe këta trëndafila më kapluan me një mall të ëmbël për
fshatin tim, për aromën e luleve në kopshtin tonë, për ngrohtësinë e tokës që
kishte ushqyer ëndrrat e mia. Ishte sikur këto lule të më thoshin se bukuria
dhe dashuria janë të pranishme kudo, edhe në një qytet të huaj, mes rrugëve të
një realiteti të panjohur.
Ndërsa
ecja pranë xhaxhait, ndjeva një lloj qetësie të heshtur. Ishte një ndjenjë e
ngjashme me atë që ndjen kur shikon një lule të çelur mes gurëve – një kujtim i
fuqisë së jetës për të lulëzuar, edhe në mes të sfidave më të ashpra. Dhe
ashtu, me hapa të ngadaltë dhe një zemër plot ndjesi të përziera, nisa
rrugëtimin tim të parë drejt një bote të re, duke ruajtur në zemër imazhin e
atyre trëndafilave të bukur, si një kujtesë e fortë e rrënjëve të mia dhe e
ëndrrave që po ndiqja.
Lagjja ku banoja tashmë kishte filluar të më dukej si
e imja, një vend i huaj që ngadalë po merrte trajtat e një shtëpie të
përkohshme. Autobusët që përshkonin rrugët e saj, veçanërisht në mëngjeset e
zëna kur turma njerëzish dyndeshin drejt punës, ishin si arterie të një qyteti
të madh dhe të gjallë. Ishin të shpeshtë, por plot njerëz – fytyra të
përgjumura, të zëna me mendime, duke ndjekur ritmin e tyre të përditshëm.
Atë mëngjes hipëm në autobusin 524, një numër që më
ngjante si një kod për të hapur portën drejt qendrës së qytetit. U ulëm ose
qëndruam në këmbë, të përhumbur mes të panjohurve që mbushnin autobusin. Pas
disa ndalesave, autobusi na zbriti në Zeleni Venac, një pikë ndërlidhëse mes
realiteteve të ndryshme të Beogradit. Aty, rrugët ndiheshin më të gjalla, më të
larmishme, një përzierje zërash, aromash dhe pamjesh që më ngacmonin shqisat.
Nga Zeleni Venaci, udhëtimi ynë vazhdoi me tramvajin
nr. 9. E ndjeva këtë transport si një shteg më intim, më afër qytetit, ku çdo
ndalesë dukej si një tregim i shkurtër i jetëve që hynin e dilnin. Por
papritmas, në ndalesën e shtatë, tramvaji u ndal si për të më kujtuar se
udhëtimet, sado të planifikuara, mund të sjellin befasi.
Ajo ndalesë e papritur, mes rrugëve të ngushta dhe
shikimeve të njerëzve të përhumbur, më mësoi diçka të thjeshtë, por të
rëndësishme: çdo ndalesë në jetë, çdo pritje e papritur, është pjesë e një
udhëtimi më të madh. Dhe unë, mes zhurmës së rrotave të tramvajit dhe ritmit të
qytetit, fillova të ndjeja se, pavarësisht sfidave, po bëhesha pjesë e kësaj
bote të re – një hap më afër ëndrrës, një hap më afër fakultetit dhe një hap më
afër vetes sime.
Pas
një kthese të lehtë, xhaxhai më tregoi me një zë të qetë dhe plot krenari:
"Ajo ndërtesë që po sheh, është fakulteti yt." Sytë e mi u ngritën
dhe u përqendruan në atë që tani do të bëhej vendi i ëndrrave dhe përpjekjeve
të mia.
Ndërtesa
e fakultetit qëndronte krenare, e re, e ndritshme, si një simbol i shpresës dhe
dijes. Arkitektura e saj, moderne dhe e hijshme, ngjante sikur sfidonte kohën,
duke përzier elegancën me thjeshtësinë. Çdo linjë e saj dukej si një premtim,
çdo detaj një ftesë për të hyrë dhe për të mësuar.
Para
saj shtrihej një park i gjelbëruar, i madh dhe i hapur, një oazë qetësie mes
qytetit të gjallë. Pemët përkulnin degët e tyre si për të përshëndetur
kalimtarët, ndërsa bari i freskët dhe shtegu i gjerë dukeshin si të krijuar për
të mirëpritur ëndrrat e studentëve të rinj. Ishte një vend që ftonte jo vetëm
për të mësuar, por edhe për të reflektuar, për të gjetur frymëzim mes natyrës
dhe arkitekturës.
Në
atë moment, ndërsa qëndroja përballë këtij peizazhi të ri, ndjeva një ndjenjë
të thellë emocionimi. Ky nuk ishte vetëm një fakultet – ishte fillimi i një
kapitulli të ri, një vend ku ëndrrat e mia do të merrnin formë dhe jeta ime do
të ndryshonte përgjithmonë.
Me
hapa të pasigurt dhe zemrën që rrihte me një ritëm të shpejtë, u futëm brenda.
Ndihesha e vogël në madhështinë e asaj ndërtese, si një fije bari në një fushë
të pafundme. Xhaxhai, gjithnjë i qetë dhe i sigurt, bisedoi me rojën e
fakultetit, i cili i tregoi diçka me dorë. Gjithçka dukej si një botë e re që
po hapej për mua, një botë që ende nuk e kisha kuptuar plotësisht.
Ai
më shoqëroi drejt një vendi që më la pa fjalë – amfiteatri. Ishte një hapësirë
e madhe, e gjerë, e hijshme, që më ngjante me një sallë pritjeje për
delegacione shtetërore, një vend ku fjalët dhe idetë duhet të kishin peshë të
veçantë. Muret dukeshin të ngarkuara me një solemnitet që të ftonte të merrje
pjesë në atë botë dijeje.
Zura
një vend pranë katedrës, sa më afër që mundesha. Doja të dëgjoja çdo fjalë, të
shihja çdo lëvizje, të ndjeja çdo puls të asaj që ndodhte përreth. Ishte sikur
vetë ndërtesa më ftonte të bëhesha pjesë e saj, të gjeja vendin tim mes radhëve
të studentëve që, si unë, ëndërronin për diçka më të madhe.
Atë
çast, me sytë e ngulur drejt katedrës dhe zemrën plot emocion, kuptova se ky
nuk ishte thjesht një hapësirë fizike, por një tempull dijesh, një vend ku
mendimet dhe ëndrrat e mia do të fillonin të formësoheshin. Kisha hyrë në një
udhëtim të ri, dhe çdo gjë përreth më thoshte se kisha bërë hapin e duhur.
Xhaxhai,
me atë dashurinë e tij të heshtur por të thellë, më përshëndeti para se të
largohej. Zëri i tij ishte i butë, por i ngarkuar me kujdes: më porositi me
kujdes të ndiqja të njëjtën rrugë për t'u kthyer. "I njëjti tramvaj, i
njëjti autobus, të njëjtit numra" më tha, duke u siguruar që hapat e mi në
këtë qytet të madh të ishin të sigurt dhe të qëndrueshëm.
Si
për të mos lënë asgjë në harresë, nxori një letër të vogël dhe shkroi me dorë
numrat e transportit – një udhërrëfyes i thjeshtë, por plot kuptim për dikë si
unë, që ende po mësoja të deshifroja ritmin dhe rrugët e këtij qyteti të
panjohur. Ishte si të më linte në dorë një çelës për t'u kthyer në atë vend të
njohur, ku siguria dhe ngrohtësia më prisnin.
Sabile Keçmezi, rruga
Knajz Mihalova, Beograd, 1974
Pastaj,
pa shumë ceremoni, iku. Hapat e tij u zhdukën mes zhurmës së qytetit, duke më
lënë vetëm në atë hapësirë të re. Por ai nuk më kishte lënë krejtësisht vetëm.
Në atë letër të vogël, në ato pak fjalë dhe numra, ishte kujdesi i tij, një
përqafim i heshtur që më thoshte: "Ti
mundesh. Rruga është para teje, dhe unë të kam dhënë gjithçka që mundem për të
të ndihmuar të ecësh përpara."
Dhe
kështu, duke shtrënguar letrën në dorë si një thesar të çmuar, ndjeva se edhe
pse fizikisht ai ishte larguar, praninë e tij e kisha ende me vete – një dritë
që më udhëhiqte në këtë fillim të ri.
Pas
përfundimit të takimit me profesorët dhe dëgjimit të ligjëratave të para, dita
ime e parë në fakultet mori fund. Ishte një fillim që më mbushte me ndjenja të
përziera – një përzierje ngazëllimi dhe pasigurie. Duke mbledhur mendimet dhe
guximin tim, mora rrugën e kthimit që xhaxhai më kishte shënuar me aq kujdes.
Çdo hap ishte një përpjekje për t'u përqendruar, për të mos humbur
udhërrëfyesin që ai kishte lënë në duart e mia.
Për
çudi, nuk gabova askund. Tramvaji dhe autobusi më çuan drejt destinacionit tim
pa mëdyshje, dhe dera e shtëpisë më mirëpriti përpara se xhaxhai të kthehej nga
puna. Ishte një triumf i vogël, por për mua kishte peshën e një fitoreje të
madhe – një dëshmi se mund të gjeja rrugën time, edhe në këtë qytet të huaj.
Kur
xhaxhai u kthye në shtëpi, shikimi i tij kërkonte një konfirmim të heshtur, një
shenjë që gjithçka kishte shkuar mirë. Pyetja e tij e parë drejtuar të shoqes
ishte: "A është kthyer mbesa ime nga fakulteti?" Dhe kur mori
përgjigjen e pritur, pashë një lehtësim të madh në fytyrën e tij, një lehtësim
që sikur hoqi një barrë të padukshme nga supet e tij.
Më
përqafoi ngrohtësisht, duke më thënë me një zë të butë dhe plot krenari:
"Të kam thënë se asgjë nuk është e vështirë." Ato fjalë, ndonëse të
thjeshta, mbartnin një mençuri të thellë. Ishin një përkujtim se çdo pengesë,
sado e madhe të duket, mund të kapërcehet kur ke dikë që të udhëzon dhe një
vullnet të palëkundur për të provuar.
Në
atë çast, ndjeva jo vetëm dashurinë e tij, por edhe një lloj mirënjohjeje për
mundësinë që po më jepej – për sfidat që më bënin më të fortë dhe për
mbështetjen që kisha në këtë udhëtim të ri. Ishte fillimi i një rruge që
ndoshta do të ishte e gjatë dhe e vështirë, por tani, me këtë fitore të parë,
ndihesha më e sigurt se kurrë që mund ta përballoja.
Ditët
rrëshqisnin shpejt, dhe Tefiku që ishte në një udhëtim jashtë vendi erdhi në
fakultet. Gëzimi im nuk kishte fund. Ishte si një agim i ri, një dritë që
shpërndau hijet e brengave që më kishin rënduar zemrën. Ndjeva sikur një dorë e
padukshme i hoqi të gjitha shqetësimet që më kishin shoqëruar që nga ardhja ime
në këtë qytet të madh dhe të panjohur.
Tefiku,
me praninë e tij të qetë dhe të sigurt, ishte një spirancë që më ndihmoi të
ndjehesha më e fortë, më e sigurt në këtë udhëtim të ri. Ai ishte tashmë në
shkallën e tretë të studimeve në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, duke qenë
vetëm një hap larg përfundimit të magjistraturës. Kjo ishte një arritje që në
ato kohë mbartte një peshë të madhe, një dëshmi e përkushtimit dhe
këmbënguljes.
Tefiku, tashmë një banor i qytetit të bardhë dhe të
ftohtë, dukej sikur kishte gjetur harmoninë e tij mes rrugëve të ngushta dhe
hapësirave të mëdha të Beogradit. Një vit e më shumë ishte mjaftueshëm për të
bërë të huajin të ndihej si i shtëpisë, dhe ai, me qetësinë e tij të natyrshme,
kishte arritur të përqafojë ritmet e këtij qyteti që unë ende përpiqesha ta
deshifroja.
Takimi ynë, për mua, ishte më shumë sesa një moment.
Ishte një rilindje, një kthim te vetja, si të zgjoje shpirtin nga një gjumë i
thellë dhe i gjatë. Në sytë e tij, në fjalët e tij të ngrohta dhe në mënyrën si
më këshillonte, gjeta sigurinë që më mungonte dhe besimin se nuk isha vetëm në
këtë udhëtim të jetës. Çdo takim me të ishte si një fllad pranveror në mes të
dimrit, një kujtesë se jeta mund të jetë e bukur, edhe kur rrugët duken të
ashpra dhe të ftohta.
Gjatë viteve që pasuan, ai u bë jo vetëm shoku im, por
edhe mbështetja ime më e fortë. Në të gjitha sfidat dhe përpjekjet, ai më dha
më shumë sesa një dorë ndihme; më dha një dritë që ndriçonte përtej
vështirësive. Fjalët e tij, shpesh të thjeshta dhe të drejta, mbanin brenda një
fuqi transformuese. Ai nuk fliste vetëm për të tashmen; fjalët e tij më frymëzonin për të ardhmen.
Më dha shpresë – atë ndjenjë të pakapshme që të mban
gjallë, edhe kur gjithçka tjetër duket e paqartë. Çdo ditë pranë tij ishte një
dëshmi se e nesërmja mund të sjellë diçka më të mirë, një të ardhme që, me
durim dhe dashuri, mund të ndërtohet mbi themelet e besimit dhe përkrahjes. Dhe
ashtu, vitet kalonin, por prania e tij mbetej e njëjtë – një strehë, një
prehje, një frymëzim i vazhdueshëm.
Më vonë, Tefiku arriti një tjetër majë të dijes:
përfundimin e magjistraturës. Ishte një moment që e ndjeja si timin, një kulm i
përbashkët i përpjekjeve tona, sepse pas çdo faqeje të shkruar dhe çdo ore të
kaluar mbi libra, unë ndihesha pjesë e këtij udhëtimi. Kur më ftoi të merrja
pjesë në mbrojtjen e temës së tij, ndjeva një përzierje emocionesh – shqetësim,
krenari, dhe një gëzim që nuk mund ta përshkruaja lehtë.
Në këtë moment të rëndësishëm për Tefikun, një ngjarje
që rrezatonte krenari dhe gëzim, rrugët nga Kamenica sollën një fytyrë të
njohur, një figurë familjare të dashur – vëllain e tij, Faikun. Ai nuk ishte
vetëm; me vete kishte sjellë dhe një pjesë të së ardhmes, vajzën e tij të
vogël, Shpresën, si një fllad i freskët në këtë festë të madhe familjare.
Ky udhëtim nuk ishte i zakonshëm; ishte një udhëtim i
bërë me zemër, i ndërtuar mbi lidhjet e gjakut dhe dashurisë vëllazërore. Faiku
nuk kishte ardhur vetëm për të qenë spektator i suksesit të Tefikut, por për ta
ndarë këtë çast me të, për ta bërë të ndjehej se lumturia, kur ndahet me të
dashurit, shumëfishohet dhe merr përmasa të reja. Prania e tij dhe e Shpresës
sollën një ngrohtësi të veçantë në këtë event, si një rreze dielli që ndriçon
çdo cep të zemrës.
Shpresa, me sytë e saj të shkëlqyeshëm dhe pafajësinë
e fëmijërisë, dukej sikur personifikonte vetë emrin e saj. Në mënyrën e saj të
heshtur, ajo i dha ngjarjes një dimension tjetër – një ndjesi të vazhdimësisë,
të dashurisë që kalon nga brezi në brez. Ajo ishte atje, një dëshmitare e vogël
e një momenti të madh, duke sjellë me vete premtimin se kujtimet e kësaj dite
do të jetonin gjatë në kujtesën familjare.
Faiku, i qetë dhe krenar, ishte si një mal i fortë që
qëndron pranë, një simbol i mbështetjes së pakushtëzuar dhe dashurisë së
pashtershme për vëllain e tij. Ky ishte një akt i vogël, por me një domethënie
të madhe – një kujtesë e asaj që vërtet ka rëndësi në jetë: lidhjet e shpirtit,
gëzimet e ndara dhe dashuria që na bashkon pavarësisht distancave apo
pengesave. Në atë event, në mesin e zërave dhe buzëqeshjeve, ishte e qartë se
prania e tyre ishte dhurata më e çmuar që mund të sillnin.
Në botën shqiptare të asaj kohe, arritje të tilla
ishin ende të rralla, dhe fakti që ndodhesha aty për të dëshmuar këtë ngjarje
të veçantë më mbushte zemrën me një ndjenjë të thellë përkatësie dhe krenarie.
E dija se çdo fjalë që do të shqiptohej, çdo argument që do të paraqitej, ishte
fryt i një pune të jashtëzakonshme, të një përkushtimi që unë e kisha parë me
sytë e mi.
Dhe ashtu ndodhi. Tefiku u ngrit përpara profesorëve,
me një siguri dhe përgatitje që rrallë shihej. Fjala e tij ishte si një rrjedhë
lumi të pastër, çdo mendim i formuluar me kujdes, çdo koncept i shtjelluar me
elegancë. Profesorët, të cilët në fillim ndoshta prisnin një mbrojtje të
zakonshme, mbetën të mahnitur nga thellësia dhe saktësia e argumenteve të tij.
Ishte sikur përballë tyre të kishte një dijetar të pjekur, një zë që
përfaqësonte jo vetëm veten e tij, por edhe një brez të tërë që aspironte më
shumë.
Ndërsa e dëgjoja, zemra më dridhej nga emocionet. Më
dukej sikur çdo fjalë që ai shqiptonte ishte një dëshmi e mundësive që njeriu
mund të arrijë me përkushtim dhe dashuri për dijen. Kur gjithçka përfundoi dhe
profesorët, njëri pas tjetrit, e përgëzuan për punën e tij, ndjeva një krenari
të thellë që më bëri të harroj shqetësimet e mëparshme.
Ishte një ditë që nuk do ta harroj kurrë, një moment
që më tregoi se me përkushtim dhe pasion, pengesat e së tashmes mund të kthehen
në arritje të jashtëzakonshme. Dhe unë isha aty, pranë tij, duke ndarë jo vetëm
emocionet, por edhe besimin se së bashku mund të vazhdonim të ndërtonim një
rrugë të ndritur përpara.
Gëzimi im nuk kishte kufij. Ishte një ndjenjë që
përshkonte çdo qelizë të qenies sime, si një lumë që vërshon pa ndalur, duke
mbushur gjithçka me dritë. Teksa vëzhgoja suksesin e Tefikut, më dukej sikur po
shikoja një yll që ndriçonte rrugën për të gjithë ata që guxojnë të ëndërrojnë
dhe të ndjekin rrugëtimin e dijes. Në atë moment, një mendim më përqafoi
butësisht: "Po sikur edhe unë të vazhdoj këtë rrugë? Po sikur të ndjek
gjurmët e tij dhe të kërkoj maja të reja në udhëtimin tim?"
Kjo pyetje u bë një thirrje e brendshme, një dëshirë
që nisi të rritej në zemrën time si një pemë që kërkon dritën e diellit. Me
kalimin e kohës dhe me përkrahjen e tij të palodhur, kjo thirrje u kthye në
veprim. Nuk isha më një shikuese pasive e ëndrrave të të tjerëve; tani po
ndërtoja rrugën time, hap pas hapi, duke u përgatitur për sfidat që më prisnin
përpara.
Tefiku, gjithnjë pranë meje, ishte jo vetëm burimi im
i frymëzimit, por edhe shtylla ime mbështetëse. Ai nuk më dha vetëm këshilla;
më dha besimin që ndonjëherë më mungonte, forcën për të përballuar dyshimet dhe
të panjohurat. Fjalët e tij ishin si një melodi që më nxiste të vazhdoja, të
mos ndalesha kurrë, edhe kur rruga dukej e gjatë dhe e vështirë.
Brenda pak vitesh, gjeta veten në të njëjtat pozita si
ai, duke u përgatitur për magjistraturën dhe më vonë për doktoratën. Çdo hap
ishte një sfidë, por edhe një arritje që më mbushte me krenari dhe falënderim.
Tani, rruga nuk ishte vetëm një hapësirë për të ecur, por një arenë ku provohej
forca e karakterit dhe guximi për të ëndërruar më shumë.
Në ato momente reflektimi, kuptova se suksesi nuk
është vetëm një destinacion, por një udhëtim që e bën zemrën të rrahë më fort
dhe shpirtin të ndritët. Ishte një udhëtim ku unë dhe Tefiku ecëm së bashku,
duke ndarë jo vetëm sfidat, por edhe gëzimet dhe shpresat për një të ardhme të
ndritur. Kjo rrugë ishte më shumë se një përpjekje personale; ishte një
testament i fuqisë së përkrahjes, i dashurisë, dhe i besimit të ndërsjellë që
mund të çojnë drejt majave më të larta.
Shkollimi
atëherë ishte ndryshe – ndoshta më i ashpër, më i ngarkuar me sfida. Por brenda
asaj rëndese fshihej një vlerë e veçantë, një thellësi që dukej se e lartësonte
vetë studentin. Ishte një kohë kur çdo hap drejt dijes kërkonte përkushtim dhe
durim, kur çdo gradë akademike ishte si një trofe i fituar me punë të palodhur.
Prania
e Tefikut më dha jo vetëm mbështetje, por edhe një model frymëzimi. Ai ishte
dëshmia e gjallë se me përkushtim dhe durim, çdo sfidë mund të kapërcehet, çdo
ëndërr mund të arrihet. Me të pranë, ndjeva se rrugëtimi im në këtë qytet nuk
ishte më një betejë e vetmuar, por një rrugë e përbashkët drejt së ardhmes, një
rrugë që tashmë ndriçohej nga shpresa dhe dashuria.
Që
nga ajo ditë e më herët, rrugët tona u ndërthurën në mënyrë të pandashme. Pas
çdo përfundimi të ligjëratave, ditët tona morën trajtën e një eksplorimi të
përbashkët, një udhëtim që na çonte në zemrën e Beogradit. Vizituam vendet më
të rëndësishme të qytetit, duke zbuluar fytyrat e tij të shumta – nga
madhështia e monumenteve deri tek sheshet plot gjallëri. Çdo hap ishte një
përvojë e re, çdo peizazh një faqe e re në historinë tonë të përbashkët.
Megjithatë,
qendra e gravitetit tonë u bë biblioteka e qytetit, “Svetozar Markoviq”. Ishte
një tempull i heshtur i dijes, një hapësirë që dukej se grumbullonte gjithë
botën në rafte të pafund librash. Ajo bibliotekë, e vendosur në zemër të
qytetit, rrezatonte një atmosferë të veçantë – një përzierje solemne e qetësisë
dhe pasurisë intelektuale. Ishte një vend ku koha dukej se ndalej, një strehë
ku mund të humbje mes faqeve të librave dhe të gjeje përgjigje për pyetjet e
tua më të thella.
Në
atë hapësirë të veçantë kalonim pjesën më të madhe të kohës sonë. Ishte më shumë
sesa një vend për të studiuar; ishte një vend për t’u formuar, për të
reflektuar, për të ndarë mendime dhe ëndrra. Librat që na rrethonin nuk ishin
thjesht mjete për të kaluar provimet; ato ishin dritaret tona drejt botës, një
mjet për të kuptuar më mirë veten dhe vendin tonë në këtë qytet të madh.
Biblioteka
“Svetozar Markoviq” nuk ishte vetëm një ndërtesë; ishte një simbol i rrugëtimit
tonë të përbashkët, një vend ku ëndrrat tona morën krahë dhe mendjet tona u
pasuruan. Në atë hapësirë të heshtur, mes zërave të librave dhe përqendrimit të
përbashkët, unë e Tefiku gjetëm jo vetëm diturinë, por edhe forcën për të
përballuar sfidat e ardhshme. Dhe kështu, biblioteka u bë jo vetëm një qendër e
dijes, por edhe një strehë e shpirtit tonë të përbashkët.
Kur
filluan afatet e provimeve, një ritëm i ri përshkoi ditët tona. Biblioteka e
Serbisë, e vendosur afër fakultetit tim, u bë një tjetër strehë e dijes, një
hapësirë e qetë ku gjenim gjithnjë një vend për të studiuar. Aty, mes rafteve
të larta dhe atmosferës së përqendruar, kalonim orë të tëra me Tefikun duke u
zhytur në libra, duke bërë të paqarta kufijtë mes lodhjes dhe përkushtimit.
Vazhdon…