Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Ibrahim Kadriu dhe zëri i vetmisë
E premte, 01.11.2024, 06:57 PM
IBRAHIM
KADRIU DHE ZËRI I VETMISË
(Një udhëtim shpirtëror i poetit)
Nga
Timo Mërkuri
Poezia
"Vetë i dyzeti" e Ibrahim Kadriut është një reflektim mbi përballjen
me vështirësitë e jetës dhe peshën e problemeve kolektive që ngarkojnë
individin. E krijuar mbi një shtrat tradicional, por me qasje ekzistencialiste,
ajo sjell në vëmendje të lexuesit kryesisht sfidat shpirtërore të njeriut si
vetminë dhe kërkimin e kuptimit të jetës. Poeti shfaq një udhëtim të brendshëm
e të jashtëm, ku përballet me pengesat e përditshme, njerëzit dhe emocionet e
tij. Vetmia dhe ndjenja e një kërkimi përshkojnë vargjet, duke theksuar
përpjekjen për të kuptuar jetën dhe për të gjetur qetësi shpirtërore.
Në
përpjekjen për kuptim të jetës, nëpërmjet vargjeve poeti shpreh ndjenjën e
zhgënjimit dhe pasigurisë. Ai kërkon vazhdimisht kuptimin e jetës, por çdo
përpjekje duket se rezulton në përplasje herë me paqartësinë dhe herë me
problemet e ekzistencës. Ky është elementi bazë që krijon cikël të vazhdueshëm
kërkimi dhe humbjeje dhe thellon ndjenjën e vetmisë. Përmes një strukture të
rregullt e përdorimi fin të figurave letrare, Kadriu përcjell ndjenjën e
ngarkesës së tij shpirtërore, por duke lënë gjithashtu hapësirë për një
rezistence pozitive që buron nga akti i krijimit poetik.
I-Duke
pasur parasysh që kuptimi i shprehjes "Vetë i dyzeti" është një
frazeologji popullore që përdoret rëndom nga një person i rënduar me derte,
brenga e halle të shumta, të cilat për t’i mbartur normalisht duhen dyzetë vetë
(apo dhe katërqint në disa variante), poezia e Ibrahim Kadriut më sjell ndër
mend një këngë popullore të viseve të mia që thotë: “Hallet e dertet e mia/Nuk
i di as Perëndia/Por i di zemër mavria (e zezë)” duke shfaqur kështu peshën e
rrëndë të jetës që i ka rënë mbi supe dhe brengat e shumta të shpirtit. Meqënë
se populli ynë brengat dhe hallët e tij
i shprehte në këngë, le ta dëgjojmë kur rrënkon-këndon: “O moj ti zemër
e shkretë/Hapu bënu fletë fletë/Që të dalin marrazet-ë”. Sigurisht këngëtari
popullor ka brenga shpirti për të cilat:”Tu drejtohem maleve/ Malet më
largohen”, sepse dhe ato (malet) nuk ishin në gjendje ta mbanin peshën e tyre.
Para se të flasim për peshën e halleve dhe derteve të Ibrahim Kadriut, unë dua
t’ju them se: shpalosja fletë fletë e zemrës së tij në vargje është një qasje
me artin oral, ku artisti popullor vetëm këngës i beson sa brengat dhe hallet
aq dhe të fshehtat e zemrës. Duke krijuar këtë poezi shumëvargëshe Kadriu s’bën
gjë tjetër veçse respekton traditën e artit shqiptar, me një ndryshim të vogël:
ai ja beson poezisë sekretet e tij të shpirtit. Mos u mërzitni ju këngëtarë,
melodiciteti dhe muzikaliteti që përmban poezia e çon lehtësisht atë drejt
këngës, ja sa të gjejmë një kompozitor, pastaj do ta këndojmë së bashku dhe do
harrojmë fare që është poezi e Ibrahim Kadriut. Sigurisht unë dhe disa shokë
nuk do ta harrojmë këtë fakt, por në dalldinë popullore të këngës askush nuk do
ketë nge të na dëgjojë.
II-Le
ti dëgjojmë poetikisht këto halle dhe derte të Kadriut e më pas të flasim për
ato:
Në
poezinë "Vetë i dyzeti," poeti Ibrahim Kadriu shpreh në mënyrë të
ndjeshme brengat dhe shqetësimet e tij personale, të cilat kapërcejnë barrierën
e përvojës individuale dhe ngrihen në dimension universal, në përjetimet e
njerëzimit. Problemet që poeti trajton janë si pasojë e rraskapitjes së
përditshme fizike në punë, vetminë, hipokrizinë, zhgënjimet dhe pyetjet
ekzistenciale, por pikërisht këto elemente i japin poezisë së Kadriut një
përmasë filozofike.
1.
Poeti shpreh rraskapitjen e tij në jetë, e cila buron nga veprimet e
përditëshme të lodhshme dhe përpjekjet për të përballuar jetën. Ai ndjen se
koha kalon dhe i shton në jetë vetëm barrë lodhjeje e stërmundimi, siç shprehet
në vargjet: “Koha vete në ikje në mua veç lodhje /Për çdo ditë raste me njerëz
përballë”, te strofa e dytë. Kjo rraskapitje është pasqyrim i vështirësive të
jetës, ku çdo përballje me të tjerët shton peshën e saj mbi barrën që mban
poeti, i cili përmes këtyre vargjeve, shfaq një ndjenjë njerëzore, ku koha dhe
përballja e përditshme me sfidat e jetës shpesh e rëndon individin me lodhje
fizike e shpirtërore.
2.
Një problem thelbësor që poeti paraqet është vetmia, e cila për atë nuk është
thjeshtë një gjendje e përkohshme, por një peshë e rëndë shpirtërore, që e lodh
sa shpirtërisht aq dhe fizikisht më tepër se ndonjë ngarkesë fizike. Kjo
shprehet bukur në vargjet: “Pesha dhembjes më ktheu nga vetja / Të shikoja nga
larg se si unë dukem / Kur jetoj në vetmi më rrëmben etja”. Vetmia nuk është
një gjendje fizike, por duke patur një dimension shpirtëror, ajo madje madje
është shndërruar në dhembje shpirtërore.
Ajo e largon poetin nga të tjerët, e
izolon atë, madje e shndërron në një njeri që mbetet vetëm në jetën tij. Ajo
është një përjetim i rëndë dhe universal, pse shpreh një ndjesi izolimi që e
përjetojnë shumë individë në shoqëritë moderne.
3.
Brengat e tij i ka shtuar dhe përballja me hipokrizinë e njerëzve përreth tij,
të cilët i afrohen miqësisht, ndërsa nuk ndjejnë dhe as afrojnë asgjë miqësore,
pse dashamirësia dhe miqësia që ofrojnë janë thjeshtë maska, ndërsa janë të
gatshëm për ligësi ndaj atij dhe të tjerëve. Në vargjet “Endem gjithandej mes
njerëzve të uritur / Për t’u shfaqur prore sikurse nuk janë,”, strofa e katërt,
poeti denoncon këtë hipokrizi pse ndjen se jeton në një botë ku maskat janë pjesë
e njeriut dhe e jetës së tij. Pikërisht kjo ndjenjë e fshehjes së identitetit
“me maska” me sjellje të rreme, është
reflektim i shqetësimit të shoqërisë, ku jeta pranë hipokri-zisë bëhet
një burim trishtimi dhe zhgënjimi për të gjithë.
4.
Një tjetër brengë që poeti përjeton është përballja me ironinë e botës dhe
kufizimet që i ofron koha.Vargjet “Kur durimi e humb toruan para ironisë / Që
sulet e ma plagos shpirtin pa mëshirë”, strofa e gjashtë, shfaqin dhimbjen e
shkaktuar nga ironia, sidomos në sfidat e përditshme. Ironia godet (plagos shpirtin) individët e ndjeshëm
dhe delikatë që përpiqen të mbijetojnë, dhe u shtuar peshën e vuajtjes, pasi
efekti i ironisë është nënvlerësimi i aftësive dhe mundësive të këtyre njerëzve
të ndjeshëm e të ndershëm. Duke gjykuar këto vargje duket se poeti është
përballur keqas me ironinë e cila i ka dalur përpara në rrugën e jetës, pse
është përballur me cinizmin dhe fyerjet e atyre që janë në pushtet apo në
pozita më të larta.
5.
Në vargjet “Nuk gjej përgjigje në pyetjen ç’është jeta / Që më shtynë andej e
këndej deri n’ varr,”, strofa e katërt poeti trajton brengën shpirtërore
ekzistenciale mbi kuptimin e jetës. Realisht ky shqetësim ka munduar njerëzimin
përgjatë shekujve dhe në poezinë e Kadriut merr format filozofik, gjë që tregon
rëndësinë e përgjegjes të tij. Pyetja “ç’është jeta” është shqetësim universal,
dhe kërkojnë përgjigje të gjithë ata që përballen me dilemën e ekzistencës dhe
përpjekjen për të kuptuar thelbin e saj. Kjo pyetje nuk ka një përgjigje,ndaj
dhe poetin përplasjet e përditshme e mbajnë të lidhur pas këtij kërkimi të
pafund. Në fakt mendohet se gjetja e përgjigjeve për jetën është problem I
filozofëve, por nqse I qasemi artit gojor të popullit, mund të dëgjojmë dhe
vargjet: “O moj jetë, jetë e rreme/që kur linda më gënjeve/ pleqërinë s’ma
rrëfeve”.
6.
Vargu “Në çdo hap më ndjek hija e fatit të keq,” përfaqëson fatalizmin që mbulon jetën e poetit. Ai e
ndjen veten të përndjekur nga tersi,
fati i keq, një pengesë a peshë që ai s’ka fuqi ta kapërcejë apo ta
mbajë. Ky fatalizëm shpreh brengën se përpjekjet e tij për të përmirësuar jetën
janë të kota, dhe ajo do vazhdojë me pengesa, që ai s’do t’i kapërcejë dot. Kjo
ndjenjë pesimizmi dhe fatalizmi është reflektim përjetimi për njerëzit
supersticiozë ose që ndihen të mbërthyer në rreth vicioz ku fati i përcakton të
gjitha gjërat.
7.
Brengë e madhe e poetit është dhimbja e
vetmisë, e cila në këtë poezi mund të shihet si metaforë dhe simbol dhe
përfaqëson gjendjen ekzistenciale të poetit, që është i përfshirë në një
udhëtim të pafund shpirtëror, duke kërkuar kuptimin e jetës, por pa gjetur
përgjigje. Kjo vetmi nuk është thjesht mungesa e pranisë fizike të të tjerëve,
por një vetmi shpirtërore dhe filozofike, një distancë nga shoqëria dhe kuptimi
i saj.
Në
poezi kjo dhimbje shndërrohet në një metaforë për rrugëtimin e tij të
brendshëm, një përballje me vetveten dhe me kohën, siç shihet në vargjet: “Isha
gjithnjë në rrugë të arrija prehje / Ecja n ‘largësi - që do të kishte fund /
Në luhatje n ‘vazhdim - kërkoja dehje / E kuptimin e jetës nuk e gjeja askund.”
ku vetmia është një udhëtim i pafund në kërkim të një qëllimi, por me një
ndjenjë të thellë boshllëku dhe mungese. Dhimbja e tij është simbol i
zhgënjimit nga vetë jeta dhe njerëzit, si dhe një pasqyrim i jetës njerëzore në
përgjithësi. Në aspektin ekzistencialist, kjo vetmi dhe dhimbje pasqyrojnë
ndjenjën e absurditetit dhe humbjes së orientimit, një temë qendrore në
ekzistencializëm.
Po
ashtu vargu "Pesha e dhembjes më ktheu nga vetja", strofa e tretë, na
sjell idenë se dhimbja, në vend që ta lehtësojë poetin, e shtyn atë të
përballet me ato plagë që kërkojnë dashuri për të shëruar. Kështu dhimbja,
bëhet formë kërkimi e dashurisë, një
përpjekje për t'u rikthyer te vetvetja dhe për të rikuperuar pjesët e humbura
të identitetit që dashuria mund të kompletojë. Këtu shfaqet aspekti
ekzistencial i dhimbjes, i cili lidhet
me mungesën e reciprocitetit në dashuri, mungesë që ndikon në ndjesinë e poetit
për jetën. Vargu "Duke më lenë kështu në rropatje vetë i dyzeti"
përfaqëson kërkimin e pafund në jetë, që
krijon boshllëk shpirtëror, ku
kërkimi për dashuri shndërrohet në përjetim të ankthit ekzistencial.
Nqse
ndalemi te personifikimi "Vetmia lëshon rrënjët" shohim se ai shton
dimensionin e dhimbjes, e cila ka kapluar jetën, jo vetëm të poetit. Në qoftë
se lexuesi do kthejë kokën pas në jetë, me siguri do sjellë shembullin e tij
për ilustrim. Në këtë aspekt mendoj se në kërkimin e dashurisë, poeti shfaq
edhe një përpjekje për t'u shkëputur nga vetvetja, për ta gjetur “ilaçin” diku
jashtë tij..
III-
Ndoshta duhet të flasim për zhgënjimet e Kadriut në këtë poezi, si ndjenjë e
përhershme dhe e ngulitur në vetëdijen e tij, të cilat shfaqen në vargjet ku
poeti përpiqet të përballojë realitetin dhe përmes figurave artistike, ai shfaq
vuajtjen e tij, duke ndërtuar kështu një univers poetik që reflekton vetminë e
individit. Kështu veç vargut "Pesha dhembjes më ktheu nga vetja", ku
metafora e "peshës" pasqyron barrën emocionale të poetit, në vargun
tjetër: "Koha vete në ikje në mua veç lodhje," zhgënjimi merr përmasa
të mëdha, ai shndërrohet vetë në një lodhje shpirtërore më shumë se fizike dhe ku personifikimi i "kohës" që
largohet pa lënë gjurmë pozitive, është një pasqyrë e qartë e zhgënjimit të tij
ekzistencial, që është gjithnjë në rritje. Një zhgënjim më vete na sjell edhe
imazhi:"I rraskapitur n' ofshamë - brez me brez" në strofën e tetë, i
cili tregon se këtu nuk bëhet fjalë për një zhgënjim individual (vetëm në
dashuri), por një trashëgimi dhimbjeje
që kalon nga një brez në tjetrin, duke e bërë zhgënjimin edhe më të thellë dhe
të rëndë. Zhgënjimi kulmon në vargun "Vetë i dyzeti në vrapin e pafund të
pritjes", në strofën e fundit, ku poeti shpreh ndjenjën e vetmisë, por
këtu shfaqen dy element që kanë nevojë të zbërthehen: I pari , poeti e përjeton
zhgënjimin si një barrë që e ndan “vetë i dyzeti”, gjë që
të le të kuptosh se nuk bëhet fjalë për zhgënjimin në dashuri. Së dyti fraza e
“vrapit të pafund” nënkupton një situatë ku poeti dhe ata që e ndajnë këtë
situatë vazhdojnë “pa fund” të kërkojnë një dalje prej saj, por pa ja arritur
qëllimit asnjëherë. Së treti, duhet të dimë se numri “dyzetë” në kulturën
shqiptare është simbol i plotësisë, gjë që do të thotë se ky zhgënjim është
shumëdimensional dhe sigurisht që kjo ndjenjë kolektive lidhet me vetë
realitetin shoqëror në Kosovë dhe nuk është thjeshtë një barrë e rrëndë, e
përballueshmë për dyzetë vetë, që i ka rënë shorti ta ngrejë vetëm Ibrahim
Kadriu, si ndonjë Atlas i ri.
IV-
Në poezinë e Ibrahim Kadriut "Vetë
i dyzeti", le të thellohemi në disa aspekte të poezisë që shprehin përmasa
më të gjera se ekzistencializmi, duke sjellë në pah elementet universale që i
japin kësaj poezie një përmasë më të gjerë njerëzore dhe kulturore. Në vend që
ta kufizojmë poezinë në ekzistencializmin si qasje filozofike, le ta shohim si
reflektim mbi natyrën e përbashkët të përjetimit njerëzor në kontekste të
ndryshme, përtej rrymave filozofike specifike.
1.
Nëse analizojmë vargjet "Një vend nuk e gjej për asnjë pushim / Det i
trazuar, as një valë për shërim," te strofa e tretë, mund të dalim përtej
ekzistencializmit dhe ta shohim këtë si një shprehje të përpjekjeve njerëzore
për të gjetur stabilitetin dhe qetësinë. Valët e trazura të detit nuk janë
vetëm simbol i luftës së brendshme individuale, por një metaforë universale që
pasqyron mënyrën se si jeta e njeriut, përmes brezave, është e ndikuar nga
forca të papritura dhe në këtë mënyrë ky pasqyrim i brengave njerëzore tejkalon kufijtë e ekzistencializmit, dhe
shndërrohet në simbol të përvojës së përhershme njerëzore për t’u përballur me
realitetin e paqëndrueshëm të jetës.
2.
Ka një dyvargësh të bukur (mes të tjerëve) Ibrahim Kadriu te kjo poezi,
dyvargëshin "As koha s’është më kohë që dikur më preu rrugën / tani vjen
si fshesë që m’i merr kujtimet," (te strofa e katërt) që të ngelet në
mendje, jo vetëm pse poeti shpreh ankthin ekzistencial mbi kohën, por pse ai
përçon një perceptim universal të kohës si forcë shkatërruese gjer në humbje të
gjurmëve të egzistencës. Ky koncept i kohës nuk është i kufizuar në filozofinë
moderne, por e përshkon të gjithë historinë e njerëzimit, duke u bërë një
element në mite, legjenda, përralla të ndryshme si greke, babilonase etj. Koha,
siç është në realitet, por edhe shfaqet në këtë poezi, është një fuqi që ndikon
mbi të gjithë qeniet njerëzore dhe që çon harresën e kujtimeve njerëzore.” Koha
fshin çdo gjë” thotë një fjalë e urtë e jona.
3.
Vargjet "Djegur nga dritat që s’janë asgjë veç hije / Vështroj si nata më
ngulfat me frikë" mund të interpretohen përtej zhgënjimit të
ekzistencializmit individual, pse kapin një ndjesi të thellë dëshpërimi, ku përpjekja për t'u
kapur pas "dritës" si shpresë, megjithëse e pranishme, nuk ofron
ngushëllim por vetëm hije. Kjo kontradiktë mes dritës dhe hijeve forcon
ndjenjën e vuajtjes së poetit, por ndërkohë hijet përfaqësojnë limitet e
përvojës njerëzore në përballjen me forca të mëdha, natyrore apo shpirtërore.
Kjo është një ide universale dhe prek
kulturat që kanë hulumtuar marrëdhënien mes njeriut dhe forcave të natyrës apo
të botës shpirtërore.
4.
Gjithashtu ajo që e thellon universalitetin e poezisë është përdorimi i
imazheve natyrore si "det i trazuar" e "valë." Deti dhe
vala janë simbole në letërsi e poezi dhe këtu, Kadriu i përdor këto elemente
për të shprehur shqetësimin mbi paqëndrueshmërinë dhe përpjekjet e njeriut për
të mbijetuar në një botë të tillë. Nga mitet e lashta greke deri te poezitë
bashkëkohore, deti ka qenë një metaforë për forcat e brendshme dhe të jashtme
që ndihmojnë formimin e fatit njerëzor. Pra, në këtë kontekst, poezia e Kadriut
nuk trajton thjesht problemet individuale të poetit, por përfaqëson një përvojë
universale për njeriun në rrapor me natyrën.
5.
I trishtë vargu"Në rrugët pa fund, njerëz shfaqen dhe ikin / Asnjë fytyrë
s’e njoh, vetëm në përplasje fikem", i trishtë gjer në dhimbje, pse vetmia
që përjeton poeti nuk është një reflektim i vetmisë ekzistencialiste, por është
përvojë që prek individin në çdo kohë dhe në çdo vend. Vetmia është përjetim i
përhershëm njerëzor, që jeton në të gjitha kulturat dhe epokat historike. Kjo
ndjesi e vetmisë, e ndarjes së njeriut
nga komuniteti është aspekt i përbashkët i njerëzimit dhe mund të kuptohet
vetëm në kontekstin filozofik ekzistencialist, por edhe si pjesë e një
përjetimi universal të të qenurit njeri.
V-Poezia
e Ibrahim Kadriut “Vetë i dyzeti” është një poezi moderne, por e ngritur mbi një shtrat tradicional, madje
mund të themi se është shembull i integrimit
të elementeve tradicionale që shërbejnë si bazë për thellimin e ndjenjave
ekzistencialiste të poetit. Qasja me këngë të ndryshme popullore të viseve
jugore, që përmendëm në fillim të shkrimit, është një dëshmi e
pakundërshtueshme. Në realitet kjo poezi e Ibrahim Kadriut përfaqëson një
ndërthurje harmonike mes elementeve tradicionale dhe ndërtimit modernist, ku tradita shërben si
bazë për krijimin e një poezie bashkëkohore dhe ekzistencialiste. Poezi tregon
se si Kadriu merr elementë të tradicionalitetit dhe i përpunon në një formë
moderne, ku ndjenjat dhe përvojat e individit marrin një kuptim më të gjerë,
duke prekur përjetimin e përgjithshëm njerëzor. Për të kuptuar ndërthurjen, le
të shqyrtojmë disa prej elementeve dhe mënyrën sesi ato funksionojnë si bazë
për poezinë moderniste.
Ndër
elementët tradicionalë që kanë shërbyer për krijimin e kësaj poezie moderniste
ne mund të përmendim:
1.
Figura e vetmisë, durimit dhe vuajtjes,
në poezinë tradicionale shqiptare janë motive të zakonshme që lidhen me
përballjen e individit me sfidat e jetës.”Morra udhën për Janinë/ Natën-o,
vetëm-o” dhe “Duro vashë të durojmë, siç duron mali dëborën” rrënkon-këndon
artisti popullor. Në të njëjtën linjë dhe Kadriu përdor këto motive për të
ndërtuar ndjenjën e përjetimit të vetmisë dhe vuajtjes, por ndryshe nga
tradita, ai u jep atyre një dimension më të gjerë, më kolektiv. Vargu
"Vetë i dyzeti në vrapin e pafund të pritjes" përfaqëson këtë
përjetim emocional, ku individi ndjen peshën e vuajtjeve të të gjithëve, jo vetëm
të vetes. Këtu shohim dhe ndjejmë se vetmia nuk është vetëm personale, por një
dukuri kolektive.
2.
Motivi i pritjes në traditën poetike shpesh është simbol për një shpresë, për
një ardhje që do të zgjidhë problemet dhe tu japë jetë shpresave. “Të prita
mike pse s’erdhe” thotë një këngë popullore. Si te kjo këngë popullore edhe në
poezinë e Kadriut, pritja është e pafund, pa shpresë, është një zhgënjim. Te
vargu "Një vend nuk e gjej për asnjë pushim/ det i trazuar as një valë për
shërim" pritja humbet kuptimin e
saj si shpresë, shndrrohet në një
përjetim të lodhjes dhe dëshpërimit.”Nga
muri do ngjitem, ta di se do vritem” klith poeti popullor në caste të tilla.
3.
Koha dhe kujtesa në poezinë tradicionale, shpesh shihet si forcë që shëron
plagët (koha I shërron plagët) ose i jep kuptim jetës në një të ardhme të
afërt. Por te Kadriu, koha merr një karakter të egër dhe të pamëshirshëm. Në
vargjet "As koha s'është më kohë që dikur më preu rrugën/ tani vjen si
fshesë për të marrë kujtimet," koha nuk sjell shërim, por përku-ndrazi ajo
fshin gjithçka, duke e lënë njeriun, pa një të kaluar, qoftë dhe ëndërr dhe pa
një pikë referimi. Kjo qasje ndaj kohës është një element modernist, që
pasqyron ndjenjën e humbjes së orientimit në botën bashkëkohore.
Sigurisht
që këtu mund të shtojmë dhe strukturën poetike, rimën dhe ritmin e poezisë si
dhe tonalitetin e ulët dhe të trishtë që ka qasje me tradicionalen, por kjo
është tepër e dukëshme për këdo, por për ne ka më shumë rëndësi të shohim
ndërtimin modernist të poezisë mbi bazën tradicionale.
1.
Le ta shohim këtë dukuri te fragmentarizimi i përvojës, pse ndryshe nga poezia tradicionale, që ka linjë
të qartë narrative ose përfundim moral, poezia e Kadriut është fragmentuar dhe përjetimet janë të copëzuara.
Psh, vargjet "Djegur nga drita që s'janë asgjë veç hije/ Vështroj si nata
më ngulfat me frikë" tregojnë sesi drita, që në traditën poetike
përfaqëson shpëtim dhe shpresë, këtu është e zbrazët, pa substancë, dhe e len
individin në errësirë dhe frikë. Ky fragmentarizim i përvojës është
karakteristikë e modernizmit, pse ai nuk kërkon një zgjidhje, por përjeton
momentin në të gjitha kontradiktat e tij.
2.Elementet
tradicionale në poezinë moderniste përdoren për të krijuar simbole e metafora
komplekse, të cilat i japin poezisë një dimension filozofik. Psh, simbolika e
fshesës që fshin kujtimet në vargun "tani vjen si fshesë për të marrë
kujtimet" përfaqëson jo vetëm harresën, por dhe zhdukjen e gjurmëve të
individit, duke theksuar kështu krizën
identitare në modernizëm. Pra, ndërsa në tradicionalitet kujtesa shërben
si arkivë për të ruajtur vlerat identike dhe momentale, në modernizëm zhduket,
duke lënë individin pa kujtesë, pa origjinë
në botën moderne.
3.
Në poezinë tradicionale, shpresat janë të pranishme në fundin e poezisë, dhe
ofrojnë një zgjidhje ose një rrugëdalje nga vuajtja. Në "Vetë i
dyzeti," nuk ka një përfundim të tillë, Kadriu e lë poezinë të hapur, me
ndjenjë pasigurie e ankthi, si te vargu "Vrapin e pafund të pritjes,"
ku pritja nuk sjell asgjë, dhe zhgënjimi është i përhershëm. Kjo mungesë e
zgjidhjes përfundimtare është karakteristikë thelbësore e poezisë moderniste.
Pra,
këtu shohim se poezia "Vetë i dyzeti" është poezi që ngre ura mes tradicionalitetit dhe
modernitetit, ku elementët tradicionale si vetmia, koha dhe pritja janë të
pranishëm në bazën e saj, por Kadriu i shndërron këto elemente në mjete për të
eksploruar një krizë ekzistenciale moderne. Duke i përdorur këto elemente si
bazë për ndërtimin e një poezie moderne, ai krijon një vepër që pasqyron ankthin
dhe pasigurinë e individit bashkëkohor, duke ruajtur lidhje me traditën, veprim
me të cilën shfaqet si një mjeshtër që ndërtton kryevepra me mjete rrethanore.
VI-
Mënyra se si i ka formuar Kadriu figurat artistike, që japin finesë estetike
poezisë dhe mbështesin ekzistencializmin tregon për një talent në rritje dhe
një përvojë të pasur krijimtarie. Kështu ndjejmë se poezia "Vetë i
dyzeti" shfaq estetikisht vargun poetik dhe shpreh thellësinë
ekzistencialiste të jetës njerëzore përmes një përdorimi të sofistikuar të
figurave artistike. Metaforat, simbolet, personifikimet dhe imazhet, përveçse
shërbejnë për të pasqyruar ndjenjat dhe emocionet, krijojnë gjithashtu një
kontekst të pasur për reflektimin mbi ekzistencën, dhimbjen dhe kërkimin për
kuptim.
Metaforat
në poezinë e Kadriut nuk janë thjeshtë “lule” në ballkonin poetik, por ato
ilustrojnë kompleksitetin e jetës dhe ndihmojnë në thellimin e mesazhit
ekzistencialist. Vargu "Pesha dhembjes më ktheu nga vetja" sugjeron
barrën emocionale që individi përballon, pse dhimbja shpirtërore e shkëput atë
nga identiteti i tij. Ky fragment thekson ndjenjën e vetmisë, duke reflektuar
krizën e identitetit që shpesh ndjek individin në jetë. Po kështu metafora,
"I tëri shndërrohem veç një rrëfim", e bën individin të ndihet si një
histori e humbur në rrjedhën e kohës, duke krijuar atmosferë ekzistencialiste
ku individi përballet me pyetje mbi ekzistencën e tij. Një varg tjetër,
"Koha vete në ikje në mua veç lodhje", personifikon kohën si një
forcë që ecën si njeriu, që kalon, duke përcjellurr ndjenjën e kalimit të
shpejtë të jetës dhe lodhjes që e shoqëron atë. Kjo metaforë tregon mënyrën se
si individi përjeton kalimin e kohës si një ngarkesë që përplaset me realitetin
e tij ekzistencial.
Simbolet
në poezi ofrojnë një dimension kuptimi. Psh, simboli "Njerëz të
uritur" sugjeron nevojën për mbijetesë në një botë të varfër, të ashpër,
duke e bërë individin të humbasë besimin në vlerat dhe aftësitë e tij. Vargu
"Vdekja që pret" simbolizon frikën, panikun për të humbur ose mos
realizuar diçka, thekson pasigurinë e
individit përballë ekzistencës. Simboli, "Flluskë sapuni", shpreh
brishtësinë e jetës dhe iluzionin e sigurisë,e bëjnë indivi-din të ndjehet në
ankth për të ardhmen. Kështu pra, këto simbole ndihmojnë ndriçimin e ndjenjave
dhe emocioneve që e përfshijnë individin në përballjen e tij me realitetin.
Personifikimet
u japin jetë ndjenjave dhe ideve, i bëjnë ato më të prekshme për lexuesin dhe
theksojnë ndikimin e tyre në jetën e individit. Vargu "Koha m’ shoqëron n’
tokë" e trajton kohën, një element abstrakt në një shok, person fizik,
madje duke theksuar ndjenjën e përgjegjësisë apo pasigurisë për të ardhmen. Po
ashtu, vargu "Etja m’ shtyn" e personifikon etjen si forcë reale
fizike që vepron mbi individin, ndërsa shpreh dëshirat apo nevojat e tijnë atë
moment. Një tjetër personifikim, "Vetmia lëshon rrënjët", tregon se
vetmia në identitetin e poetit, duke bërë që individi të përjetojë një lloj
vetmie, qëndrimi në një vend,
palëvizshëm. Këto figura kontribuojnë në reflektimin e thellë
ekzistencialist të individit, duke theksuar sfidat e tij emocionale.
Imazhet
i japin bukuri dhe finesë poezisë pse
ndihmojnë në krijimin e një atmosfere të të përshtatëshme dhe pasqyrojnë
ndjenjat njerëzore. Psh, imazhi "I rraskapitur n’ ofshamë - brez me
brez" krijon një pamje të lodhjes dhe vuajtjes që kalon nga një brez në
tjetrin, dhe thekson vazhdimësinë e dhimbjes. Vargu "Dhe bota e ethshme -
sillej vërdallë" sugjeron një botë kaotike, gjë që pasqyron tensionin dhe
pasigurinë e individit karshi sfidave. Imazhi "Dritëhija e kujtimeve"
sugjeron se kujtimet, edhe të trishtme, ndihmojnë në ndriçimin e rrugës së
individit, dhe e bën atë të reflektojë mbi kalimin e kohës. Realisht duhet të
theksojmë se edhe figurat artistike kanë një ngjyrë gri, që i qaset
shpirtërisht tekstit poetik, një vlerë e shtuar kjo në talentin e Kadriut.
VII.
Unë do t’i ftoja lexuesit që poezinë "Vetë i dyzeti" të Ibrahim
Kadriut, të shihnin përtejë vetmisë dhe dëshpërimit të shfaqur në vargje, pasi
ajo në vetvete është dhe një shembull se
si poezia vetë përbën forcën e poetit për të përballuar vështirësitë dhe
ruajtur besimin në të nesërmen. Në këtë kontekst, krijimi poetik nuk është
thjesht një akt estetik, por formë e fuqishme e rezistencës ndaj vetmisë,
dëshpërimit, vështirësive dhe përplasjeve shpirtërore të subjektit lirik. Ky
akt krijues është një formë kundërvënieje ndaj të gjitha problemeve
ekzistenciale, jo vetëm të poetit, duke shprehur qëndresën shpirtërore dhe një
besim, sado i mjegullt, në një të nesërme më të mirë. Në këtë poezi vetë akti i
të shkruarit shndërrohet në një mekanizëm mbijetese dhe rezistence. Vërtet që
poezia përshkohet nga tonalitet dëshpërimi e tensioni shpirtëror, por poeti
refuzon t'i dorëzohet pesimizmit. Vetë përpjekja për të artikuluar këto ndjenja
përmes poezisë, duke u dhënë atyre bukurinë e artit, bëhet një formë e luftës
kundër pesimizmit dhe harresës. Figura e Ibrahim Kadriut që shkruan, në këtë
rast, përfaqëson individin që kërkon të krijojë dhe të ruajë kontrollin mbi
jetën edhe kur duket sikur të gjitha gjasat janë kundër tij. Ndoshta edhe këtu
duhet parë ndikimi i fuqishëm I optimizmit të artit tradicional.
Sarandë, më tetor 2024
Ibrahim Kadriu
VETË
I DYZETI
Isha
gjithnjë në rrugë të arrija prehje
Ecja
n ‘largësi - që do të kishte fund
Në
luhatje n ‘vazhdim - kërkoja dehje
E
kuptimin e jetës nuk e gjeja askund
Koha
vete në ikje në mua veç lodhje
Për
çdo ditë raste me njerëz përballë
Bagazhin
plot me aq shumë ndodhje
Dhe
bota e ethshme - sillej vërdallë
Pesha
dhembjes më ktheu nga vetja
Të
shikoja nga larg se si unë dukem
Kur
jetoj në vetmi më rrëmben etja –
Diçka
m ‘shtyn si n ‘ëndërr t ‘zhdukem
Dhe
i tëri shndërrohem veç një rrëfim
Që
zgjatë aq – sa zgjatë një valë lumi
I
ngarkuar me gëzim dhe me hidhërim
Mbetur
n ’harresë – çdo gjë n ‘humbje
Endem
gjithandej mes njerëzve t ‘uritur
Për
t’u shfaqur prore sikurse nuk janë,
I
shoh në përpëlitje jete për t’u ngritur
M’i
lënë përshtypje të tjerëve si azgan
Në
vazhdim të jetës - fshehin qëllimin
Për
synim etjesh s’iu shkel këmba kurrë
Me
ngritje koke - e lëndojnë mendimin
Dhe
kapërcejnë jetën - pa nofkën burrë
Përpiqem
për t ‘marrë veten me të mirë
Kur
durimi e humb toruan para ironisë
Që
sulet e ma plagos shpirtin pa mëshirë
Kur
i përulem dhe i bëjë shërbim vetmisë
Nuk
gjej përgjigje në pyetjen ç ‘është jeta
Që
më shtynë andej e këndej deri n’ varr
Pa
kuptim të kërkuar në ndërkohë mbeta
I
përplasur gjithnjë - nuk dita çfarë t’ marr’
Nga
koha shterpë që m ’shoqëroi n’ tokë
I
rraskapitur n ‘ofshamë - brez me brez
Ileti
i urrejtjes - më zë pisk e më rrokë
Më
shtrëngon e më shtrydh sikur ushejz’
Jam
pajtuar gjithherë e mirë me durimin
Për
t’i ndihmuar shpirtit ia bëj krejt rrafsh
Në
kohë hamendjesh e thërras shpëtimin
T’më
mbaj n ‘këmbë, të më qafojë me afsh.
Ia
kam zënë pritën kohës - për biografinë
E
lus të më ndihmojë të ec tutje i zgjuar
Dhe
të shëtis gjithandej nga ndjesia prinë
Gjurmëve
të traditës esëll duke kërkuar
Dhe
ndeshem shpesh me hire që frenojnë
Qëllimi
është i qartë – për ndalje të hapit
Se
si vlon gjaku pastaj - e etjet urdhërojnë
Për
vazhdim më tutje me forcën e vrapit
Iu
qasem veprave - iu rri me vullnet gatitu
Prej
faqe në faqe i tëri n ‘ekstazë shtrihem,
Edhe
gjumin e lë anësh – eci e eci pa përtu’
Derisa
kënaqem - dhe sa i lumtur ndihem
I
strehuar në fjalët mbëltuar me emocione
Vazhdoj
rrugën andej drejt vdekjes që pret
I
mbetur shumë larg të afërmve të kësaj ane
Vetmia
lëshon rrënjët kur gjithçka afër vret
Iu
fala kohës me të gjitha telashet ç ‘kishte
E
ajo tutje në rrugëtim e sipër pa mua mbeti
E
tëra si flluskë sapuni në këtë rrugëtim ishte
Duke
më lënë kështu në rropatje vetë i dyzeti.