Kulturë
Kadri Tarelli: 'Dashuria bekohet në Elbasan'
E diele, 27.10.2024, 05:57 PM
E bukura në art qëndron më lart se e bukura në natyrë, ngaqë përveç imitimit, shpreh edhe botën e ndjenjave të artistit. - Aristoteli
“DASHURIA BEKOHET NË ELBASAN”
Përurim libri nga Fatmi Terziu
Nga Kadri Tarelli
Muaji
i letërsisë, kam përshtypjen se i ka vënë në lëvizje shkrimtarët, poetët,
krijuesit, për të organizuar takime apo kuvende libri, me kolegë në krijimtari
e shkrimtari, me pedagogë, mësues, nxënës e studentë, etj, etj.
Kështu
na ndodhi këto dit, më: 24, të vjeshtës së dytë, 2024, që të marrim udhën për
në Elbasan, ku na priste i “zoti i dasmës”, Dr. Fatmir Terziu, ardhur kastile
nga Londra, ku banon prej kohësh, për të përuruar në qytetin e tij të lindjes,
librin “Dashuria Bekohet në Elbasan”, vol. II-të.
E
gjithë veprimtaria u zhvillua në Bibliotekën
Publike, “Qemal Baholli”, që feston së shpejti 90-vjetorin. Nuk them
gjë të re, po Biblioteka, është më shumë se një vend ku dashuria për librin
është e pranishme në çdo cep të saj.
Takimi,
përurim libri, ishte menduar jo në formën klasike, pra me një protokoll e regji
drejtimi, ku do të flisnin persona të caktuar, natyrisht me tema të zgjedhura
vetë ata, më pas diskutime dhe vlerësime nga të pranishmit. Jo nuk ndodhi
kështu: kuvendarët e morën fjalën sipas dëshirës, tamam si një kuvend në odë
burrash, pas fjalës së vetë Autorit të librit, Dr. Fatmir Terziu.
Ai
në fjalën e tij u përqendrua te dashuria, jo thjesht dashuri klasike, djalë dhe
vajzë, siç mund të mendojë secili nga ne, i nisur nga titulli i librit, por te
dashuria që rrezaton dhe shpërndan i gjithë qyteti i Elbasanit, dashuri me të
gjitha përmasat njerëzore, familjare, shoqërore, qytetare, si të thuash me të
gjitha odat, shtëpitë, lagjet, çezmat dhe rrugicat me kalldrëm, duke nuhatur
aromën e luleve, trëndafilave, drurëve, limonave, portokalleve, pse jo edhe
tymin e oxhaqeve, këngën e lumit Shkumbin dhe erën e Krastës.
E
gjitha e përmbledhur me pak fjalë: - Dashuri e një mërgimtari, e shprehur në
vargje poezie, kushtuar qytetit ku ka lindur, rritur e burrëruar, duke sjellë
në kujtesë të gjitha vendet dhe toponimet të vjetra e të reja qofshin. Ai në
një farë mënyre është në një mendje me fjalën e urtë Amerikane: “Dashuria e madhe për Atdheun, lind nga
dashuritë e vogla për vendlindjen”
Nuk
është rast i rrallë në shkrimtari, por jo edhe shumë i shpeshtë, që shkrimtari
apo poeti ia kushton frymëzimin dhe ndjesitë më të holla qytetit, ku ka kaluar
një pjesë të madhe të jetës. Gjithsesi ky libër që përcjell çaste të qëmtuara
dashurie, mbetet si një ditar i kohëve të shkuara, të sjella artistikisht nëpër
vargje të frymëzuara në kohë dhe vende të ndryshme të qytetit, ku ka bërë hapat
e para në rrugicat me kalldrëm, ku ka lozur e mësuar të flasë e të këndojë
shqip. Jam i bindur se çdo lexues do ta gjejë veten pjesë të këtij libri, jo
vetëm elbasanlliu autokton, apo i ardhur dhe i pranuar dashurisht në Elbasan.
I
pranojmë heshtur apo pa zë fjalët e të diturit Faik Konica, i cili ka thënë
dikur: “Duhet të jetosh, qoftë edhe për pak kohë larg, që ta ndjesh dashurinë
për mëmëdheun”.
Më
pas e mori fjalën znj. Manjola Hatellari, drejtore e Bibliotekës Publike të
qytetit, e cila vuri në dukje vlerat e
takimeve të tilla letrare. Të gjitha si pjesë e traditës dhe kulturës së vetë
qytetit me emër të madh e të ndritur në letërsi, poezi, muzikë, pa harruar
arsimin tonë kombëtar, duke pasur “Normalen e Elbasanit”, shkollë ku u
përgatitën mësuesit nga të gjitha trevat tona Arbnore, veçanërisht nga Dardania.
Në
këtë udhë mendimi e vlerësimi, vazhdoi edhe znj. Merita Kuçi-Thartori, poete
dhe drejtuese shkolle në Durrës, duke i bërë një analizë të hollë, librit me
titull të thuktë poetik: “Dashuria Bekohet edhe në Elbasan”. Poeti për poetin e
ndjen më mirë ku dhe si rreh zemra, mendja dhe pulsi, ndaj Merita shprehet: “Një refleksion i ndjerë, për mallin dhe
bekimet e një autori, drejtuar qytetit të bekuar. Ndërtimi strukturor i këtij
vëllimi poetik, e rendit autorin ndër diamantet e Elbasanit. Nuk është e lehtë
t‘i ndërtosh, t‘i puthitësh ato si një e tërë, indet, brinjët, gjymtyrët,
mendjen dhe zemrën e një qyteti. Këtë bën më së miri ‘‘Dashuria Bekohet në
Elbasan”, duke synuar në rrëfime jete, që përmbushin poezinë e mendimit, brenda
një oazi tè pasur figurativ, plot përjetime të gjalla, brenda një memorie të
pjekur”.
Më
pas e morën fjalën, poete Greta Kadare-Teta, Hiqmet Zane, koleg i vjetër
gazetar, Hektor Çiftja pedagog, Lulzim Alla, etj, etj.
Një
e papritur e këndshme, për të gjithë ne të vendosur rreth tavolinës në atë
sallë të bukur, kur hyri Fitim Haxhiraj ardhur kastile nga Vlora, për të sjellë
libra dhe një letër përshëndetje nga shkrimtarja e njohur Vlonjate, znj.
Vilhelme Vrana-Haxhiraj, me rreth 60 libra të botuar, me shumë çmime dhe
dekorime, këtu dhe nëpër botë, anëtare e Akademisë Shqiptaro-Amerikane, me
qendër në New Jork. Letra e u lexua bukur, me ndjesi dhe nerv poetik nga
Aleksandra, nxënëse gjimnazi, e pranishme në sallë bashkë me shumë shoqe të
dashuruara me letërsinë e bukur. Më pas vetë Fitimi si artist i lindur, recitoi
vargje për nënën, të ngulura në kujtesë që në fëmijëri të tij të hershme.
Në
fund po rendis edhe unë ato pak fjalë nderimi dhe vlerësimi për autorin Dr.
Fatmir Terziu, tashmë të shumë njohur, si pak kush, në botën letrare e mediatike,
si gazetar, publicist, poet, prozator,
skenarist, editor dhe regjisor filmi, i cili banon dhe punon prej vitesh
në Londër, në Mbretërinë e Bashkuar.
Si
fillim mendoj, se libri me emër të lakmuar: “Dashuria Bekohet në Elbasan”, që i
ngjan më shumë kryedashurisë, e cila bekon
e rrezaton të gjitha dashuritë e një qyteti, aq sa vetë autori është shndërruar
vetë në një qiri që digjet dhe shkrihet për të përhapur, ndriçuar e bekuar
dashuri, njerëzore, qytetare dhe më së shumti dashuri atdhetarie.
Unë,
duke qenë prej kohësh i pranishëm, me publikimin e të gjitha shkrimeve të mia në
portalin “Fjala e lire”, shpesh edhe në revistën “Albania Post”, që drejtohet
nga z. Fatmir dhe shpërndahet në të gjithë botën, mendoj, madje jam i bindur se
ky personalitet i letrave shqipe, është shndërruar në nj institucion që
përfaqëson një copë Shqipërie dhe shqiptarie në atë vend të madh. Nuk është e
lehtë që një mërgimtar si Fatmir Treziu, si çdo mërgimtar tjetër, në fillim të
derdhë djersë për të mbijetuar, e më pas të fitojë gradën shkencore Dr. Në
letërsi e filozofi. Më mbetën në kujtesë dhe i përsëris shpesh këto pak fjalë
të rrëfyera aq çiltërsisht prej tij: “U ndodha përballë komisionit të
vlerësimit prej 27 personaliteteve akademike, që nuk i kisha parë dhe as njohur
më parë. Ata, titullin nuk ta japin për hatër. Bota vlerëson mendjen dhe dijet”.
Tema e doktoraturës është përfshirë në një libër për studentët e Universiteteve
Britanike dhe më gjerë.
Gjykoni
vetëm këto pak vargje, për të ndjerë bukurinë e shpirtit të poetit:
Rrjedhat
bashkohen në Shkumbin
Dhe
erërat takohen në Krastë.
Karakaftet
në ullishte sa mbijnë,
Me
lulet e tjera bëhen bashkë......
.......
Eh,
kjo nuk është thjesht dashuri,
Kur
dashuria bekohet në Elbasan. Poezia “Dahuria bekohet në Elbasan”. F.11.
Mirënjohje
i nderuar Dr. Fatmir, për këto kuvend poezie mbajtur sot në Elbasanin tuaj.
Urime
dhe suksese në veprimtarinë letrare dhe atdhetare.
Miqësisht!
Kadri
Tarelli
Vjeshta e dytë, 2024.