Kulturë
Jahja Drançolli: Në kërkim të mjekësisë tonë të moçme!
E marte, 22.10.2024, 06:55 PM
Në kërkim të mjekësisë tonë të moçme!
Nga
Jahja Drançolli
Mjekësia
praktike në Arbëri, sidomos në shek. XI-XV është zhvilluar paralelisht krahas
mjekësisë bizantine dhe të asaj perëndimore. Në esencë, mjekësia që zhvillohej
në Arbëri ishte ajo e Hipokratit, Galenit, etj. Mjekësia klinike e Hipokratit
ishte nën ndikimin e mjekësisë religjioze pa ndonjë zhvillim të anatomisë dhe
fiziologjisë. Parimi themelor terapeutik ishte contraria contrariis curantur,
duke menduar se sëmundja evitohet vetëm
me lëshimin e gjakut. Ndërhyrjet kirurgjike kufizoheshin vetëm në kirurgji të
thjeshtë, me trajtimin e lëndimeve, frakturave, me prerjen e abscesit,
herniotomi dhe ndonjëherë bëheshin dhe trepanacione.
Në
shek. XIV-XV të gjitha epidemitë e murtajës vinin në Europë nga Azia e Vogël
dhe kryesisht me det. Në Ballkan kjo epidemi me përmasa të mëdha u shfaq në
vitin 1347/8; sipas burimeve bëri kërdinë edhe në Arbëri: Durrës, Lezhë,
Novobërdë, Pejë, Prishtinë, Shkodër, Tivar, Trepçë, Ulqin, e ndonjë qytet
tjetër (1456, 1457 e 1466). Parambrojtja më efikase nga kjo sëmundje ishte vetëm
karantina. Veç murtajës, një sëmundje mjaftë e përhapur ishte gërbula (lepra,
leproso) e njohur nga fillimet e shek. XIII. Të sëmurët që lëngonin nga gërbula
përmendën në spitalin e Manastirit të
Deçanit; të sëmurit nga gërbula dëshmohën edhe në krisobulën e shenjëtorëve
Mëhill e Gabriel në Prizren (1348?). Kur është fjala për spitalet duhet
përmendur atë të Novobërdës i njohur ç’prej shek. XV në gjithë Europën
Juglindore.
Në
rrethanat e përgjithshme shëndetësore mesjetare rol me rëndësi kanë pasur kushtet
higjienike. Nga objektet e higjienës në qytetet e Kosovës mesjetare janë ruajtur cisterna në Prizren, Novobërdë,
Trepçë, etj. Cisterna e Prizrenit është ruajtur deri në ditët e sotme, shërben
si rezervuar për ujë dhe gjendet në kalanë e qytetit. Me ardhjen e osmanëve dhe
ngritjen e hamameve në shumë qendra kosovare u bë përparim i dukshëm në këtë
aspekt.
Në
spitalin e Manastirit të Deçanit, gjenin strehim edhe të sëmurët nga epilepsia,
tuberantët, reumatikët dhe leprotikët; në spitalin e Prizrenit te Manastiri i
shenjëtorëve Mëhill e Gabriel, përveç të sëmurëve nga gërbula, strehim gjenin
këtu dhe të sëmurët me sëmundje të tjera. Janë të njohura edhe spitalët pranë
kishave dhe kuvendeve katolike, si dhe në qytete, siç ishte i Novobërdës, etj.
Në shërbime mjekësore shquhenin sidomos
mjekët bizantinë, italianë e arbërorë. Vargu i mjekëve të njohur në Arbërinë
mesjetare ishte bukur i gjatë. Shquheshin sidomos pjesëtarë të familjës Spani,
Arbërori, Nikollë Leonik Tomeu e shumë të tjerë. Ndërsa, mjeku i parë nga
Kosova, i dëshmuar në burime historike, ishte
Milicius de Presarin, i njohur në fushën
e urologjisë. Përveç tij, në Prizren e
ndeshim edhe mjekun Abedin Zeneli i dëshmuar sipas një mbishkrimi në xhaminë e
Sinan Pashës ne Prizren (1608).
Dokumentet
e viteve 1339-1340 dëshmojnë për
zhvillimin e farmacisë në Prishtinë ku përmendet një farmacist i quajtur
Zanini; gjatë viteve 1836-1856, në Prizren janë shitur ilaçe farmaceutike nga
Haxhi Durmishi. Barnatoret e para profesionale në Kosovë janë të njohura në
Prishtinë e Prizren (1885)!
Burimi: Akademik Prof. dr. Musa
A. Haxhiu - Prof. dr. Jahja Drançolli, Prishtinë: Praxis Medica, 1997, 1998,
1999!
Ilustrimi: Prof. dr.
Jahja Drançolli (Padova, Palazzo del Bo, 1987)!