Kulturë
Adil Fetahu: Monografi komplete për jetën dhe veprën e Akademik Gazmend Zajmit
E shtune, 19.10.2024, 06:59 PM
MONOGRAFI KOMPLETE PËR JETËN DHE VEPRËN E AKADEMIK GAZMEND ZAJMIT
Nga
Adil FETAHU
Akademik Gazmend Zajmi (1936
– 1995), ishte më i shquari nga plejada e intelektualve shqiptarë, jo vetëm në
Dardani (Kosovë), por edhe më gjërë. Ai ishte jurist-konstitucionalist,
politolog, mësimdhënës-pedagog i veçantë; ka qenë profesor i rregullt dhe dekan
i Fakultetit Juridik; prorektor e rektor i Universitetit të Prishtinës; anëtar
dhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe
Arteve të Kosovës; kryetar i Bashkësisë së Universiteteve të Jugosllavisë;
anëtar i rregullt i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve me seli në
Salzburg (Austri); ideator e autor i ‘’Apelit 215’’, i Deklaratës Kushtetuese
të 2 Korrikut dhe i Kushtetutës së Kaçanikut (7 shtator 1990) dhe i shumë
nismave e aktiviteteve tjera për bërjen e shtetit të Kosovës. Shquhej për
kulturën e gjërë dhe mendimin e thellë shkencor-juridik e politik dhe me
angazhimin maksimal për çështjen kombëtare.
Unë e kam njohur përsëafërmi
Akademik Gazmend Zajmin, derisa kam punuar10 vjet në Fakultetin
Juridik-ekonomik dhe atë Ekonomik, por për figurën e tij kam mësuar akoma më
shumë nga Monografia e gazetari dhe publicistit të njohur Nuhi Bytyqi, i cili
me një angazhim dhe punë të gjatë hulumtuese,
ka vjelë, mbledhë të dhëna e
botuar monografinë voluminoze (503 faqe
tekst e fotografi), me titull: ‘’GAZMEND ZAJMI – Një jetë për Kosovën’’.
Materialet e radhitura në
mënyrë kronologjike, i ka shtjelluar në 23 kapituj, të cilave u paraprinë
Parathënia e autorit, shqip dhe anglisht (fq.13 – 19); Fjala e redaktorit,
Akademik Arsim Bajrami (fq.21 – 23); recensionet e Akademik Gjylijeta Mushkolaj
dhe prof.dr.Agim Zogaj (fq.25 – 28); dhe Vlerësimi i Akademik Felix Unger,
kryetar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve, me seli në Salzburg
(Austri) për akademikun Gazmend Zajmi, i cili ka qenë anëtar i parë dhe i rregullt i asaj Akademie nga
Kosova. Po e japim këtu të shkurtuar
vlerësimin e kryetarit të asaj Akademie, akademikut Unger:
‘’Nga kontaktet dhe
diskutimet që kishte në takimet e Senatit dhe të Asamblesë së Përgjithshme të
Akademisë, Zajmi shquhej me një oratori dhe elokuencë të lartë. Ishte një
njohës i shkëlqyeshëm i shkencave juridike dhe politike. Ai në tëgjitha
diskutimet e tij në Akademi potenconte diskriminimin kushtetues të shqiptarëve
të Kosovës dhe kërkonte nga akademikët tanë ta dënojnë dhunën sistematike të
Serbisë në Kosovë dhe të angazhohen për ndërhyrjen e shteteve evropiane në ndaljen
e këtij diskriminimi. Ai kishte polemika të shumta me akademikët serbë, duke
kërkuar që ata ta ngritin zërin e tyre intelektual kundër suprimimit të
autonomisë së Kosovës.
Figura e
Akademik Zajmit i ka bërë nderë jo vetëm shtetit të Kosovës, por edhe Akademisë
Evropiane dhe ne jemi të nderuar që e kishim një anëtar kaq të respektuar. Emri
dhe figura e Akademik Gazmend Zajmit do të kujtohen përherë nga Akademia
jonë’’, përfundon vlerësimin e tij kryetari i Akademisë Europiane të Shkencave
dhe Arteve, Felix Unger.
Në dy kapitujt e parë të
monografisë jepen shënime për biografinë personale dhe familjare të Akademik
Gazmend Zajmit; nga ajo epizodë vlen të veçohet koha kur Gazmend Zajmi ishte
student i dalluar në Universitetin e Beogradit, që pas kryerjes me sukses të
shkëlqyeshëm të Fakultetit Juridik, dy vjet punoi në detyrën e gjyqtarit dhe
kryetarit të Gjykatës së Rrethit të Prizrenit, që ishte gjykatësi dhe kryetari
më i ri i një gjykate në ish-Jugosllavi. Në vitin 1961 erdhi në detyrën e
asistentit për lëndën Sistemi politik dhe kushtetues, në Fakultetin Juridik, që
atëherë ishte në kuadër të Universitetit të Beogradit. Por, për shkak të
mungesës së kuadrove me përgatitje profesionale, një periudhë (1963-1967) kreu
detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës.
Gazmend Zajmi do të gjendet
kudo që e kërkonte nevoja për dijen profesionale e shkencore në avancimin e
pozitës politike dhe kushtetuese-juridike të Kosovës: në kohën e amendamenteve
(1968-1972) dhe në kohën e miratimit të Kushtetutës të vitit 1974. Ai me
argumente artikulonte kërkesat për republikën e Kosovës në Federatën
jugosllave. Ishte këmbëngulës në mbrojtjen e pozitës kushtetuese në periudhën
1988-89, dhe në argumentimin e të drejtës për vetëvendosje të popullit të
Kosovës në procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë (1990 – 1999). Me vizionet e
tij Akademik Gazmend Zajmi gjithnjë ishte një hap më përpara të tjerëve. Pa
dyshim, se Akademik Gazmend Zajmi, me Akademik Fehmi Aganin dhe me Ukshin
Hotin, ishin truri i mendimit politik të Kosovës.
Por, kontributin më të madh
Akademik Gazmend Zajmi e ka dhënë në procesin e themelimit, punës dhe
zhvillimit të Universitetit të Kosovës, prej vitit 1970 deri më 1981, periudhë kur ky Universitet e pati zhvillimin
më të hovshëm, rritën, afirmimin dhe bashkëpunimin e ngushtë me Universitetin e
Tiranës e me universitete tjera të Europës. Dy mandate ishte prorektor (1975 –
1979), ndërsa një mandat (1979 -1981) rektor i këtij Universiteti. Në atë
periudhë, ndërroi struktura nacionale e studentëve dhe e mësimdhënësve në
fakultetet e Universitetit, në favor të nacionalitetit shqiptar, në proporcion
me strukturën nacionale të popullsisë së Kosovës. U intensifikua bashkëpunimi
me Universitetin e Tiranës dhe furnizimi me tekste mësimore nga Tirana, me shkëmbimin
e kuadrove, harmonizimin e programeve mësimore, dërgimin e kuadrove mësimore
për arritje të përvojave dhe nivele akademike (magjistra e doktorë
shkencash). U hapen fakultete të reja dhe degë të reja në fakultetet
ekzistuese. Gazmend Zajmi, nga pozita e rektorit, nuk lejoi që Universitetit
t’i vehej emri ‘Josip Broz Tito’, siç kishte kërkuar Dushko Ristiqi nga pozita
e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Në periudhën kur Gazmend
Zajmi ishte prorektor dhe rektor, Universiteti i Kosovës kishte fituar aq
simpati në popull, sa e ilustron deklarata e një plaku që ia kishte thënë
rektorit Feriz Krasniqi: ‘’Tash kur po falemi në xhami, nuk po kthehemi më
kah kibla, por kah Universiteti’’!
Hovin e zhvillimit të
Universitetit, e ndërpreu politika
nacional-shoviniste e Beogradit, e ndihmuar edhe nga budallenjtë politik të
Kosovës, të cilët, duke bërë presion e detyruan
Gazmend Zajmin të jepte dorëheqje nga pozita e rektorit (9 qershor
1981)), madje edhe e mbyllën përkohësisht Universitetin, për shkak se rektori
jo që nuk i gjykonte protestat e studentëve, por i përkrahte kërkesat e tyre si
të drejta legjitime. Bashkë me rektorin, dha dorëheqje edhe prorektori Halil
Turku. Më vonë, në fushatën e diferencimeve ideopolitike (1984) Akademik
Gazmendin pasi e përjashtuan prej LKJ, e
larguan edhe nga procesi mësimor në Fakultetin Juridik, ku mbahet mend si
pedagogu më i mirë në gjithë kohën e këtij Fakulteti. Për ta mbajtur më afër
Fakultetit, dekani i atëhershëm (Habib Hashani) e caktoi Gazmend Zajmin
këshilltar shkencor në Institutin për Kërkime Juridike të Fakultetit, por pas
pushtimit të masave të dhunshme, dekani i dhunshëm (Mirko Perunoviq) e largoi
Zajmin edhe nga Instituti. Kështu,
Akademik Gazmend Zajmi u bë viktimë intelektuale e zhbërjes së Jugosllavisë dhe
e bërjes së Kosovës shtet.
Pas gjithë atyre presioneve
dhe ngjarjeve tronditëse, Akademik Gazmend Zajmit iu keqësua gjendja
shëndetësore dhe ndërroi jetë në një spital të Zagrebit, më 10 mars 1995, me
diagnozën ‘’Neuralgia trigeminale’’. U soll trupi i tij dhe u vorros me nderime
të mëdha, çfarë i meritoi.
Për personalitetin dhe
veprën e Akademik Gazmend Zajmit, autori i monografisë ka mbledhë të dhëna,
dokumente, deklarata e dëshmi të familjarëve, kolegëve, bashkëpunëtorëve, të studentëve e të qytetarëve të Kosovës dhe
jashtë saj, të cilat mund t’i lexoni në këtë monografi. Autori ka bërë edhe një
dokumentar për jetën dhe veprën e Akademk Gazmend Zajmit, dhe monografisë ia ka
bashkangjitur disketën, të cilën mund ta shikoni në kompjuterin tuaj.
Ato që thuhen në monografi
për figurën dhe veprën e Akademik Gazmend Zajmit, janë ilustruar me fotografi
të shumta individuale e grupore, me dokumente dhe faksimile të ndryshme. Në
monografi do gjeni emra të shumtë të atyre që dëshmojnë për jetën dhe veprën e
Akad.Gazmend Zajmit, dhe kjo ka bërë që në këtë monografi ka shumë përsëritje
të emrave dhe të deklaratave të personave të njëtë, që ia prishë shijen e
leximit, por ato janë në kontekste të ndryshme të jetës
dhe të veprimtarisë profesionale,
politike, shkencore, arsimore, kulturore, muzikore të Akademik Gazmend Zajmit.
Është një monografi më
komplete që është shkruar e botuar për një personalitet të shquar të Kosovës,
dhe do të shërbejë si një monument kulturor për ta ruajtur kujtimin e atyre që
e njohën Akademik Gazmend Zajmin, dhe
për ta njohur gjeneratat e reja.