Kulturë
Ibrahim Kadriu: Pse shkruaj
E enjte, 17.10.2024, 06:50 PM
PSE
SHKRUAJ
Nga
Ibrahim KADRIU
Pse
shkruaj? Titulli i kësaj qasjeje në formën e pyetjes, është interesant, sepse kërkohet përgjigja në vetën
e parë, një pyetje për zbërthim të dilemës rreth përkushtimit të shkrimit
letrar i cili tërheq pas vetes shumë pyetje të tjera, Pse shkruaj? Duke i dhënë
vetit detyrë të përgjigjem jam i vetëdijshëm se, kjo pyetje edhe pse në esencë
është e thjeshtë, synon për një përgjigje të ndërlikuar për të ardhur deri te
saktësia e saj reale. Kur para dëshirës
për kuptimin e një veprimi zë vend pse-ja, përgjigja mbështetet në momentin e
rrumbullakimit të një ideje që cilëson vlerë letrare e cila vjen si shprehje artistike, si formulim me nuanca
adekuate arti që dallojnë nga shprehjet e zakonshme në situata. Pse-hi , në
rastin konkret, tërheq arsyen e veprimit
jo të zakonshëm, të veprimit special në momente kur inspirimi e ka pushtetin e
vet. Vetëm atëherë, pra, përgjigja definon pyetjen.
Shkruaj
i nxitur nga shtytja e brendshme. Edhe përgjigjet për pyetjet tjera kanë
shtytjet. Për shembull: pse pi ujë, sepse nxit etja, pse eci, sepse dua të
arrijë në një pikë, pse pikëllohem, sepse i falem reaksionit të jashtëm që ma
pushton brendinë shpirtërore, et. etj. Për të gjitha pse-het ekzistojnë
motivet, nxitjet të cilave njeriu ka aftësi t’u përgjigjet me veprime adekuate,
ndërkaq pseja që i referohet shkrimtarit për shkrimet ngërthen shumë motive. Të
gjitha e kanë rolin e vet derisa kontributi letrar merr formën adekuate për
lexuesin e mundshëm. Në këtë drejtim, meqë mbështetem në përvojën time, unë
shkruaj për çlirim shpirtëror të vetes, sepse para çdo fillimi të ndonjë
shkrimi, kam shtrëngesë nga motivi në formë teme, e cila më shoqëron me ditë e
me net. Derisa t’i qasem asaj teme, mund të them se gjendem jashtë binarëve të
jetës normale; jam larg realitetit, sepse krejt më kthehet në imagjinatë nga e
cila duhet të lirohem, dhe lirohem vetëm atëherë kur e shoh produktin e mendjes
në formë shkrimi letrar, qoftë ai shkrim poetik apo prozë. Kjo kalon nëpër
procedurë kohore e cila ka gjatësi, të cilës i përkushtohem me tërë qenien.
Procesi i shkrimit i falet intuitës, që domethënë bën që të dominojë aftësia
(siç shpjegohet edhen fjalor) për ta kuptuar realitetin, në bazë të përvojës e
të dijeve të grumbulluara që më parë e cila orienton për të kapur e nuhatur atë
që, veprës letrare, do t’ia ofrojë dimensionin e duhur dhe, në rrethana
kyçe, pushton kohën e shkrimtarit duke
iu falur tërësisë së një vepre apo tjetër. Nga kjo del se vepra letrare është
produkt i inspirimit, por kjo nuk ndodh gjithherë. Dua të them se shkrimtari
nuk është përherë i gatshëm t’i qaset shkrimit të veprës letrare. Ndodh që me
ditë, javë, e besa edhe me muaj, asgjë nuk shkruaj letrare. Më kujtohet një
dëshmi e kolegut tim të letrare, Fatos Kongolit, i cili thoshte se, derisa merr
nismën e një vepre letrare, kalon një kohë e, pastaj, pas përfundimit të asaj
vepre, thotë ai: ”më duket vetja krejtësisht i zbrazur. Me muaj jam në atë
gjendje i frikësuar se kurrë më nuk do të mundem të shkruaj letërsi. Por pas
një kohe, më duket sikur mbushen bateritë e imagjinatës dhe, në moment të
caktuar, prapë pasurohem me ide për shkrim dhe me inspirim për të vazhduar
shkrimin e një vepre të re...”
Plotësisht pajtohem me këtë gjykim të Fatosit.
Pse
shkruaj? Sepse ngacmimet më vijnë nga jashtë, nga rrethanat të cilat më zënë në
pritë dhe më provokojnë. E ato janë
realitete shoqërore, historike e politike, që paraqesin konglomerat motivesh e më sulmojnë në brendi shpirtërore; m’i marrin ndjenjat e më bëjnë të flasë me
veten, kurse unë zgjidhi mënyrën të flasë me lexuesin të cilin e kam
bashkëjetues.
Shkruaj
sepse ndjejë kënaqësi kur investoj mund për formimin e galerisë të personazheve
që më rrinë gatitu dhe presin t’i sistemoj sipas karaktereve. Për ato karaktere
unë jam Zot, derisa i fus nëpër situata dhe operoj me ta siç dua vetë; i shtyjë
andej-këndej, i bëj trima, por edhe idiotë. Askujt nuk i jap përgjegjësi.
Veproj me ata siç dua vetë pa qenë i shtyrë nga ndonjë tutor. Ata, pra,
personazhet, më japin vullnet, por ndodh edhe të më shqetësojnë e, nganjëherë,
edhe më lëndojnë shpirtërisht, atëherë kur vjen në shprehje situata dramatike,
siç ka ndodh në realitet, kur e kam zbërthyer një fragment romani. Ishte rast i
vërtetë që bukur gjatë më preokuponte dhe më nxiste t’ia gjejë vendin në faqet
e ndonjë tregimi apo romani. Ajo ngjarje e cila kishte zënë vend në kujtesën
time, ia vlen të rrëfehet me këtë rast të kësaj paraqitje para opinionit:
...
Në një klasë të një shkolle të mesme në Prishtinë, banka e një nxënëseje, në
kohën e pushimit mes orëve të mësimit, ishte e mbuluar me të pështyrë e qyra...
Hyjnë të gjithë nxënësit në klasë dhe ulën në bankat e tyre, vetëm ajo vajzë, me bankën e përlyer,
rrinë në këmbë para bankës së vet duke ia fshirë sipërfaqen e ndyrë. Arrin
arsimtarja dhe e sheh nxënësen e cila vazhdon fshirjen e sipërfaqes së bankës.
Arsimtarja e pyet: “Kush ta ka bërë këtë?” Nxënësja i përgjigjet: “Baba im,
arsimtare!” (Një digresion: babai i saj ishte bashkëpunëtor i UDB-së) Në atë
moment ngritën të gjithë shokët dhe shoqet e saj në klasë, dhe afrohen e ia
fshijnë sipërfaqen e bankës... Kur isha duke e formësuar në faqe romani këtë
rast, mu mbushen sytë me lot. Kam shikuar kah dera. Më vinte keq të hynte
ndokush nga familjarët brenda dhe të më shihte duke qarë për atë moment të
ngritjes së vetëdijes të nxënëses e cila dinte arsyen pse shokët dhe shoqet e
saj ia kishin ndyrë bankën dhe nuk i gjykonte, por ishte madhështore reagimi
për pendesë i nxënësve të tjerë. ) Ai moment më ka bindë se gjeneratat e kanë
botën e tyre e cila duhet të respektohet, e jo të paragjykohet.
Pse
shkruaj? Sepse shkrimi më jep vullnet për jetë, pikërisht për shkak se duke
shkruar vepra letrare huazoj motive historike dhe bëhem pjesë e momenteve të
cilat me kohë i kam pasur të strehuar brenda vetes. Kur ato i kam zbërthyer në
formën letrare kam ndjerë kënaqësi, dhe kur ato krijime ietrare ia kanë
pushtuar kureshtjen e lexuesit, në vete kam ndjerë mburrje. Prandaj për
kërshërinë e lexuesve dhe për kënaqësinë time, shpesh të shfaqur në vete si
mburrje, shkruaj; shëtis nëpër periudha kohore të shkuara dhe të sotme. Kur
gjendem si vëzhgues i kohëve të shkuara më duket se jetoj në atë periudhë;
bashkëjetoj me personazhe të kohës, derisa ua mati pulsin dhe vuaj e mburrem
bashkë me ata. Duke i rrumbullakuar veprat, siç janë “Kalorësi i Karadakut”,
“Ethet e një dimri”, apo “Misioni rus”, “Varri i shitur në Damask” “Kapërcimi i
ujit të madh” më duket se tërë kohën kam jetuar me Idriz Seferin, se
bashkërisht e kam vuajtur atë dimër të ethshëm në Toplicë dhe kam vuajtur me të
ikurit nga trojet e tyre, se kam përjetuar aq shumë vrasje të ushtrisë serbe në
tokat shqiptare, se kam udhëtuar në gjitha ato vise turke e arabe bashkë me
njeriun nga Vrella e Istogut i cili as në varr nuk pati rehati, sepse ia kishin
shitur varrin për të siguruar bukë të gjallëve, se kam qenë me eshalonin e dytë
të rekrutëve shqiptarë në marsin e vitit 1945 të cilët, (Vetëm ai eshalon i kishte
2900 veta) një pjesë e madhe e tyre,
mbetën rrugëve deri në arritje në Tivar ku u vranë aq shumë të rinj shqiptarë,
e kështu me radhë i kam shoqëruar personazhet e romaneve deri në vdekjet apo në
shpëtim të tyre.
Pse
shkruaj? Shkruaj sepse përpiqem që, duke pasqyruar rrethana të ndryshme,
qofshin ato historike apo (edhe) aktuale, shfrej. E përmenda aktualitetin në të
cilin jetoj dhe ndeshem, si edhe çdokush tjetër, me reflekse nga më të
ndryshmet të ngritura nga snobizmi, idiotizmi, injoranca, servilizmi, nga
mendjemadhësia, nga mendje shkurtësia, e kështu me radhë, arrihet te pësimet në
aspektin shoqëror. Ndaj këtyre reflekseve shkrimtari nuk mundet (ose nuk duhet)
të jetë indiferent. Në shumë vepra jam marrë me aktualitetin real, por që
nganjëherë më është dashur të shënoj se çdo përngjasim është i rastit. Veprat e
tilla me nuanca të aktualitetit janë,
për shembull, “Kroi i ilaçit”, “Në Vajhall”, por edhe “Të vdekurit e gjallë”,
“Ata dy të burgjeve” etj. e sidomos “Vese në peshojë”, roman që sivjet e
botoi kompania e “Kohës”. Meqë e përmenda romanin “Kroi i ilaçit” e do
rasti të shpjegoj se, ngjarja e përfshire në të, ka të bëjë me portretin e një
pedagogu të një shkolle, e që ishte në cilësinë e drejtorit, i cili, në saje të
spiunimit dhe të ngarkimit të tij me nacionalizëm shqiptar, qe pushuar nga
detyra e drejtorit. Kjo ishte ngjarje e fillimit të viteve të gjashtëdhjetave,
të kohës së Rankoviqit, ndërkaq përpos të ngarkesave të ndryshme që shikoheshin
me konotacion negativ, ishte edhe akuza pse, në zyrën e tij, mbante portretin e
Skënderbeut... të cilin portret, në ditën e caktuar kur e përjashtuan,
shërbëtori i shkollës bën atë sjelljen idiotësie: e merr portretin e
Skënderbeut, i afrohet drejtorit që tani ishte i përjashtuar nga detyra, e lëshon
para këmbëve të tij dhe, mbi portret, vë thembrën e vet, duke e lëvizur këmbën,
gjegjësisht duke e shqyer portretin. Shumë gjatë më kishte preokupuar kjo
ngjarje derisa, kah fundi e të shtatëdhjetave e rrëfeva në formë romani e që e
dorëzova te botuesi i vetëm i atëhershëm, “Rilindja”. Romani mori “izën” e
botimit pikërisht në vitin 1981, ndërkaq, për shkak të situatës së ndërlikuar
me demonstrata studentësh, redaktori i botimit Nazmi Rrahmani më tha se, për
shkak të gjendjes aktuale, duhej të shtyhej botimi i cili, pastaj, ai botim
ndodhi më 1982. Rrumbullakimi i atij romani që, aso kohe, bëri jehonë,
shpirtërisht më ndihmoi ta ndjeja veten të ndjehesha mirë. Ja, pra, shkruaj
sepse pas shkrimit e ndjejë vetën mirë.
Me
mbështetje në aktualitet janë edhe shumë poezi, siç është, bie fjala, poema
“Teatri Kosovë” E kisha përshtypjen (por edhe tash e kam atë përshtypje”) se
Kosova është skenë e teatrit ku luhen drama, tragjedi, mbase edhe komedi, që të
gjitha para publikut që di vetëm të duartrokit dhe se, duke pasur parasysh këtë
ambient tonin si skenë teatri, edhe Eskili nga Antika ka vendosur të zbresë në
aeroportin e Prishtinës për të gjetur tema të nevojshme për tragjeditë e tij,
ose edhe Iago i Shekspirit, ai idiot i pa përmirësueshëm, e ka vendosur t’i drejtohet Gjyqit
Kushtetues, sepse në Kosovë ia kanë vjedh identitetin dhe ai ankohet që t’i
kthehet identiteti prej idiotit, e tj. Poezia, si formë e komunikimit, të
shprehem në mënyrë vulgare: më nxënë më shumë, mbase ka një ndikim të thellë në
shpirtin e njeriut ka një ndikim të veçantë në formimin e identitetit kulturor.
Ajo ka fuqi të ngjallë ndjenja të forta dhe në bazë të atyre ndjenjave pastaj
ngjallet frymëzimi dhe, duke i dhënë forcë frymëzimit, po për t’i dhënë forcë,
vjen në shprehje përdorimi i figurave letrare si elemente që i japin thellësi
kuptimeve ose fjalëve të përdorura në ritmin poetik. Unë shkruaj poezi, sepse e
konsideroj si mjet të fuqishëm të shprehjes. Meqë poezisë i jap rëndësi, sepse
bazohem në atë mendimin se poezia mund të trajtojë tema të ndryshme, nga
dashuria dhe humbja, deri te politika dhe natyra, duke u bërë pasqyrë e
shpirtit njerëzor, në aso pasqyre ku mund të shikojnë, ose ndiejnë, edhe të
tjerët të cilëve iu referohet poezia, domethënë lexuesve të sinqertë dhe të
vërtetë. Shkruaj poezi, sepse ajo është një lloj forme e protestës dhe kritikës
sociale. Thuhet “poezia është një art që tejkalon kufijtë e fjalëve”, e cila me
pak shprehje flet shumë dhe jep mundësinë e kënaqësisë. Shkruaj poezi, sepse
pushoj në botën e ndjenjave dhe të mendimeve, sepse ajo më jep mundësi për të
reflektuar mbi jetën. Shpesh flitet se funksioni i poezisë nuk del gjithherë
mbi sipërfaqe, sepse është shumë individuale në këtë botë kontradiktore, mirëpo
duhet shtuar se në një botëtë tillë të ngarkuar me informacion dhe shpejtësi në
përhapje të informacionit, poezia (bile mua) më ofron një mundësi për reflektim
dhe meditacion. Kjo e fundit, pra meditacioni, ma mbytë vetminë dhe kësaj i
thonë me plot kuptimin e fjalës – mrekulli. Unë shkruaj poezi, prandaj, që të
mrekullohem për ta shikuar dhe përjetuar jetën pa shtrëngesa psikike, gjithnjë
duke i dhënë krah invencionit dhe shprehjes poetike. Prandaj shkruaj dhe derisa
shkruaj e dua edhe jetën.
Pse
shkruaj, ishte pyetja e vetme për këtë qasje time, e cila më erdhi si porosi,
të them mendimin tim duke u mbështetur në përvojën që e kam, që është një
përvojë e madhe me kohëzgjatje prej më shumë se gjashtëdhjetë vjetësh
krijimtari dhe tetëdhjetë vjet jetë, me një bagazh me mbi njëqind vepra, prej
tyre mbi dyzet romane dhe mbi njëzet vepra të përkthyera në njëmbëdhjetë gjuhë.
Duke u mbështetur në këtë përvojë, u përpoqa të jap përgjigje në pyetjen: Pse
shkruaj.
Unë
shkruaj dhe do të vazhdoj të shkruaj, derisa të arrijë të më shoqërojë
skleroza, sepse thonë se harresa është tretja e inspirimit të shkrimtarit. Kjo
për arsye se duke u bërë viktimë e harresës nuk mundet t’i mbaj dizgjinët e
personazheve dhe do t’i ngatërroheshin karakteret e tyre. Ata dizgjinë ende,
edhe në këtë moshë, po i mbaj, ndonëse jam i vetëdijshëm se, sipas moshës, mund
ta përjetoj edhe harresën deri në atë shkallë kur nuk do të jam në gjendje të
di, kur ndodhem para shtëpisë sime dhe kujtohem: a duhet të vazhdoj të eci, apo
të hyjë brenda.
Më
duhet të them edhe diçka, në të vërtetë fjalën e kam për procesin e shkrimit,
kur përmbajtjen e një ideje romani e konkretizoj me shkrim. Ai tekst vetëm
njëherë shkruhet, por mund të përpunohet shumë herë, mirëpo – i njëjti tekst
nuk mund të shkruhet për së dyti. Nëse teksti i parë humbet, ai kurrë më nuk do
të jetë njësoj. E them këtë nga përvoja personale, nuk di si ndodh kjo te
shkrimtarët tjerë.
Shtator, 2024