Kulturë
Blerim Rrecaj: Pëshpërimë pas perdeve
E diele, 13.10.2024, 06:52 PM
Pëshpërimë
pas perdeve
Nga
Blerim Rrecaj
Drejtoi
hapat kah kafeneja që ndodhej përballë, mbuluar me një xhungël gjelbërimi, dhe
ishte hera e parë që po shkelte në të. U ul në një qosh, pasi shkeli si në
shkallë në këmbën e karrigeje paksa të lartë, në këtë ndajshtesë kafeneje,
rrethuar me xhama, por çati gjysmëzbuluar për shkak të kohës së mirë. Kësaj
pasditeje vazhdonte t'i rrinte dielli mbi kokë, e lëbyrte lehtas. Ca lule të
mëdha fletëgjelbërta, ca në formë shqiponje, palme e ca me fletë si të misrave
në ara, e bënin këtë mjedis mjaft të këndshëm, ndërsa përreth kamarierët u
përgjigjeshin klientëve që zinin vend, edhe atyre që lëshonin vend, duke paguar
para se të dilnin. Të tjerët që ishin rehatuar, bisedonin, qeshnin, shijonin
rrezet e ndritshme që pasi ishin përplasur me xhamat e tejdukshëm, shtonin
ngrohtësinë përbrenda. Mbi kokë të tij vareshin dy perde anësore ngjyrëhirta,
që përdoreshin si dekorim. Porositi ekspreson shtatëdhjetëshe si zakonisht, ky
i dukej njëfarë mesi i artë mes të shkurtës dhe të gjatës. Iu kujtua pyetja e
mëhershme, në një ndejë tjetër diku, e dikujt që s'pinte fare kafetë, se çfarë
kuptimi ka numri që përdoret si mbiemër për emrin e ekspresos. Filxhan i
mbushur me shtatëdhjetë milimetra kafe, ndonëse nuk barte me vete ndonjë vizore
për ta matur, e t'u ngjante ca meraklive të mëhershëm që kujdeseshin për veten
duke bartur me vete krehërë e pasqyra.
Ndërkohë
tymi i duhanit shkonte përpjetë dilte jashtë,
por edhe vërtitej rrotull duke zënë vend sa andej e sa këndej e edhe
rrobave të trupit. E la tymin të shkonte kah të donte, dhe një nga debatet që
s'përfundojnë e s'mbarojnë për (mos)pirjen e duhanit nëpër ambiente të
mbyllura. E kujtoi një pamje të pak ditëve më parë, kur në një kafe-restaurant
që pos emrit e mbante dhe mbiemrin "Bio", mbrenda tij dy vetë që
rrinin e bisedonin, pos tjerash edhe tymosnin pareshtur pranë shenjës për
ndalimin e pirjes së cigares, me numrin telefonik për të lajmëruar për
problemin, aty ku e kur nuk respektoheshin rregullat e shkilej e thyhej ligji.
Pastaj, kjo ishte punë e inspektorëve. Bile, të paktën të mos miratoheshin
ligje që shkileshin me këmbë e duar.
Iu
kujtua dhe një dromcë humoristike, kur burri e pyeti gruan se a i dëmton duhani
perdet, kur mori përgjigjen se shumë, me shpresë se burri do ta linte, ose
sëpaku s'do të tymoste brenda në dhomë, mori urdhërin t'i hiqte perdet!
Qeshi,
i shikoi edhe një herë perdet zbukuruese mbi kokën e tij. Iu dukën edhe perde
dhome të shtëpisë, e edhe perde teatri, kur hapet skena për të parë shfaqjen e
aktorët. Pas tyre që kishte mbi kokë,
dukej një pamje e gjelbër e bimësisë së gjallë. Një skenografi mbresëlënëse. E
pastaj pas këtyre perdeve fillonte trotuari, rruga e dukeshin varg e vijë
veturat, kalimtarët, shtyllat e telat përçues, gropat e hapura për mbjellje
panjash, shumëkatëshet. Zgjati kryet si knus, a si gjirafë dhe në njërën prej
dhomave pa që ishte e mbuluar me në çarçaf të bardhë me ca njolla të kaltra.
Kushedi, mbase dhomë qiraxhinjsh, dhomë
e dikujt që sa është zhvendosur nga ndonjë vendbanim tjetër, dhomë që bëhet
gati për gëlqerosje, dhomë e cila pret perdet e veta. Sidoqoftë, u hodh në ca
valë filozofike, po, pra për perdet. U përhumb. Meditoi. Çka fshihet pas
perdeve, i erdh pyetja, si të zbriste nga qielli. Pastaj e përziu e bëri lëmsh,
punën e tyre, e dërgoi mendjen në një dyqan të tyre, që sapo po furnizohej me
to, e ato i bartnin punëtorët nga kamionët, i fusnin brenda, për t'i
përzgjedhur e për t'i vënë në vitrinë,
për të tërhequr vëmendjen e kalimtarëve. Kushedi, do të mund të ndaheshin në
perde familjare, në perde institucionale, në perde të mjeteve të udhëtimit në
perde personale, perde partiake, perde
të (pa)varura prej garnishës etj, etj. Dhe derisa këto që vërtiste nëpër mend,
iu dukën pak me lidhje e shumë palidhje, si diçka sa për të thënë diç, ose e
thënë bukur pa thënë asgjë, dikush si sufler ia nisi një bisede rreth një
përgjimi telefonik me karakter politik a ekonomik a katastrofik, që nisi të
qarkullonte. Hë, ja pra, sa na doli tash
edhe shprehja, pas perdeve të përgjimit, pëshpëriti.
Ndërkohë
iu kujtua një poezi e parë diku në një faqe gazete, të cilën e kishte
përshkruar në fletore. Aty bëhej fjalë për rolin e parë të dikujt, i cili nuk e
luante ashtu siç ia kërkonin, dhe qante me ngashërim pas perdeve.
Piu
kafenë. Hodhi sytë lart. Pjesa e çatisë që rrinte e hapur ishte mbuluar me një
rrjetë telhollë e të shpeshtë, ku zor se mund të kalojë ndonjë insekt, se për
miza as që mund të bëhet fjalë. Pra, një rrjetë mizore. Në këtë rrjetë
"peshkuese", mes perdeve e ndërtrsave kishin ngelur gjethe, e trosha
gjethesh, krahë insektesh, këmbë merimangash, në mesin e tyre dhe një lodër
fëmijësh, një gjuajtëse plastike, pra një prraçkë paksa më moderne se ato
klasiket, që kishte rënë nga ndonjëri prej kateve. Dukej sikur këto grimca
udhëtonin në një lumë të pastër qiellor. Nga aty ku ishte kësaj pamjeje ia bëri
një shkrepje. U çua. Kishte lënë pas perdet që nuk e lënin të shihte rrugën...