Kulturë
Meti Rexhepi: Çështjet teorike si udhërrëfyese mbizotëruese e përkufizuese
E merkure, 09.10.2024, 06:52 PM
ÇËSHTJET TEORIKE SI UDHËRRËFYESE MBIZOTËRUESE E PËRKUFIZUESE
Arsim
Halili, RRËFIMI POETIK NË TRI ROMANE TË ANTON NIKË BERISHËS (Studim) Shtëpia
botuese Beqir Musliu, Gjilan 2024
Nga
Meti REXHEPI
Pas një përvoje
përfitimesh nga ligjëratat universitare dhe kërshëria e zgjuar për këtë fushë
studimesh, Arsim Halili i hyri studimit “Rrëfimi poetik në tri romane të Anton
Nikë Berishës”, ku vështron romanet “Bimorja”, “Gjin Bardhela i arbresh - Etja
e gurëzuar” dhe “Ferri i lodhur.”
Autori i kësaj
ndërmarrjeje studimore ç’prej nismës
ishte i vetëdijshëm për peshën e objektit që mori për ta trajtuar, prandaj
shfaq kujdes për hyrje në një fushë me shtigje jo fortë të rrahura nga kultura
jonë e studimeve teorike. Guximi i autorit nuk është i vogël, po është i denjë
për t’u çmuar. Që një pohim i këtillë duhej të zinte vend këtu, kam parasysh
shkrimtarin në cilësi të dyfishta, Anton Nikë Berishën, si romancier dhe si
personalitet me profil të përkushtuar të studiuesit e ligjëruesit, madje dhe të
një teoriku të letërsisë në kulturën tonë letrare.
Në hyrje të studimit
autori thekson sinqerisht vështirësinë për sprovimin e kompetencës së tij
argumentuese: “Tri romanet “Bimorja”, “Gjin Bardhela i arbresh - Etja e
gurëzuar” dhe “Ferri i lodhur” nuk janë të një linje, as narrative, as
tematike, as hapësinore e as kohore, prandaj do të duhet që në optikën e
trajtimit të tyre të mos rrëshqas në humbëtirë...”.
Reflektimi i këtillë
i ngjan një monologu që del tej vetvetes, ngase shpërfaq një përballje jo të
rëndomtë, që kërkon përmbajtje objektivash të qëndrueshëm, për të mos iu
shmangur dëshmive të rrafshit teorik dhe konstatimeve përkuese me tekstet
poetike të romaneve të marra për shqyrtim. Kuptohet objekt shqyrtimi është
gjithnjë rrëfimi poetik në tri romanet e lartpërmendur, analizat rrëfimit -
narrativës, kuptimet e imëta dhe të gjera në çështje të diskursit rrëfimtar,
pleksjet e botës së personazheve me një varg përbërësish të atillë që ngërthen
kategoria përshkuese e lëndës letrare-artistike. Pra, rrëfimi apo ana
rrëfimtare në prozën e gjatë është skeleti i të gjitha hallkave që
prodhojnë reflektime kuptimore e ndjeshmëri të gjendjeve e kontrasteve
shpirtërore në tekstin e një romani.
Studimin e tij për
tri romanet e Anton Nikë Berishës, Arsim Halili e strukturoi në tetë kapituj
përmes së cilëve iu mundësua qasja për t’i spikatur çështjet e përgjithshme dhe
veçantitë rrëfimtare në romanet e ngërthyer me dendësi pleksjesh narrative dhe
të përmasës poetike. Autori është i vetëdijshëm se për t’i veçuar ngërthesat
rrëfimtare të ndërfutura në stilin e në të shprehurit metaforik të një
shkrimtari me talent dhe përvojë tashmë të dëshmuar, studiuesit i duhej shtruar
metodologjia e depërtimit në botën artistike dhe kuptimore të përmasave të
ndryshme, me të cilat ndërthuret jo thjesht kategoria thelbësore e rrëfimit. I
ndodhur në një fushëveprim teorik, mbase për autorin ishte e pashmangshme
kërkim-ndihmesa e disa prej studiuesve
shqiptarë, që kishin dhënë prova në këtë fushë dhe, të cilët autori i citoi me
besnikëri si mendime të literaturës ndihmëse.
Përvojat nga
këndvështrimet e autorëve shqiptarë, që trajtuan diçka nga krijimtaria e pasur
e shkrimtarit dhe e kritikut letrar A. N. Berisha, autori nuk kishte si mos
t’ua tumirte pikëpamjet e pikë-puqjet e Adriatik Kallullit, Anton Çefës, Prend
Buzhalës, Albana Aliut, Isak Ahmetit, Sherafedin Kadriut, Timo Mërkurit, Mikel
Gojanit...
Jashtë sferës së
ngushtë të dijes sonë Arsim Halilit i shërbyen teorikët e letërsisë së huaj, që
përfaqësojnë qasjet, të themi shteruese, të dijes për artin e rrëfimit në
prozën e gjatë. Themeli i studimeve për artin letrar është te “Poetika” e
Arstotelit, duke vijuar përthellimet te teoricienë bashkëkohës si Linda Huteheon,
David Lodge, Mieke Bal, Gerard Genetie, Roland Barthes, Danko Gërliq e të
tjerë.
Lagjes së studiuesve
dhe mëtuesve shqiptarë për rrekje diskurseve teorike përkitazi me letërsinë
shqiptare, shqyrtimeve të dukurive poetike, letrare - estetike, koncepteve për
kapje analitike e sintetike në akëcilën vepër artistike, në këtë rrjedh për
prozën artistike të shkrimtarit A. N. Berisha, përkufizimet e dijes botërore
moderne, kësaj lagjeje ende do t’i mbetën busulla orientuese dhe konceptuale.
Një standard i tillë për zbërthimin e dukurive ose të fenomeneve të sferës
poetike pashmangshëm do t’i mundësojë edhe studiuesit Arsim Halili që ta gjejë
emëruesin e përbashkët, por tashmë nga të dhënat e prozës artistike shqiptare
për dukurinë e rrëfimit.
Duke pasur parasysh
rrafshin e lartë të ngjitjes teorike, Arsim Halili nuk mëtoi t’i hyjë i vetëm
aventurës dhe, gjithsesi, mbështetet në rezultatet e kërkimeve të studiuesve të
tjerë; prandaj udhëhiqet nga moria e citateve të gjata, të cilët i hasim në
tërësinë e studimit të tij prej njëqind faqesh “RRËFIMI POETIK NË TRI ROMANE TË
ANTON NIKË BERISHËS.”
Nga pikëpamja e
gjatësisë së citateve, që në një studim vetjak i mëtimeve shkencore kap vetëm
të faktuarën e nevojshme, përderisa këtu shohim një vartësi të gjerë që duhej
reduktuar. Sa për ilustrim: vetëm një citat i studiuesit arbëresh Françesk
Altimari zë hapësirën prej tri faqesh.
TETË
KAPITUJ TË ANALIZËS PËR RRËFIMIN
Në kapitullin e parë
të librit studimor për autorin e këtij libri janë me interes mendimet për
prozën e A. N. Berishës nga albanologu Françesk Altimari, pastaj të Domenico
Carradini H. Broussard, qasja e shkrimtarit italian Dante Maffia, si e shohim
në pohimin e tij të shkëputur “...por ajo që më intereson më tepër është vënia
në dukje të shtresëzimit poetik të krijesës së tij të lartë artistike e artit
të vetëdijshëm të vështrimit të argumenteve nëpërmjet sugjerimit poetik, por, në të njëjtën kohë,
pasional e analitik”.
Në kapitullin e dytë
autori, gjithnjë i prirë nga literatura e shqyrtimeve të teorisë trajton kodet
poetike në prozë, por duke mos iu shmangur teksteve të tri romaneve të A. N.
Berishës “Bimorja”, “Gjin Bardhela i arbresh-Etja e gurëzuar” dhe “Ferri i
lodhur.”
Kapitullin përkatës e
përshkojnë tërësisht vështrimet analitike që vënë në pah kode poetike, duke i
ilustruar me shembuj përkatës nga romane e përmendur, artikulimet e ligjërimit për ngërthesat e ndryshme të
tekstit, intertekstualitetin dhe llojet e palimpseseve apo palimpsesualitetit, që
teoricieni francez Zherar Zhenet kishte veçuar pesë tipa të tillë.
Në përkim me kërkimet
e kodeve të traditës në tekstin shkrimor të romanit “Gjin Bardhela i arbresh -
Etja e gurëzuar”, autori veçon metatekstin dhe lidhjet metatekstuale, mandej
përbërësin tjetër të tekstit rrëfimtar me anë të mbi-tekstit nga tragjedia
antike e tipologjisë së Eskilit, në vijimësinë e dramës bashkëkohore të teatrit
shqiptar.
Autori i trajtesës
për rrëfimin poetik në tri romanet e A. N. Berishës shpalos ndërliqësi
pleksjesh në paraqitjen rrëfimore, ku puqen një varg vërtetësish të realitetit
poetik: jeta reale me jetën fiktive, e ndodhur e të ngërthyer në kode poetike.
Pa dyshim vepra e
mirëfilltë artistike arrin t’i shkrijë brenda qenësisë së vet të ndodhurën
jetësore dhe fiksonin, pra, në shtrirje kohe, hapësirë dhe histori; përderisa
te romani “Gjin Bardhela i arbresh - Etja e gurëzuar,” tejkalohet kohezioni i
kronologjisë përmes paraqitjeve hipertekstuale të trazirave shpirtërore të
personazhit.
Në vijimësinë e
shqyrtimit të veçanësive të rrëfimit në kapitullin e tretë të librit studimor
të Arsim Halilit, gjithçka lidhet me përbërës të kategorisë rrëfim. Autori
përdor terminologjinë teorike që i ofrojnë të dhënat e teorikut Gerard Gennet,
si tipat e rrëfimtarit jashtë procesit të rrëfimit të ngjarjes të emërtuar
ekstradigjetik dhe, tipin e narratorit brenda ngjarjes që rrëfen ose
intradigjetik.
Këto përimtime
teorike e thellojnë studimin për rrëfimin, që përmban skeletin e secilës prozë
të gjatë artistike; një varg segmentesh tjera, që do t’i veçojë në kapitujt vijues
të librit.
Në qasjen e tij
shqyrtuese për rrëfimin në tekstin e prozës së shkrimtarit A. N. Berisha, Arsim
Halili do të hasë gërshetime epike-lirike, kapërcime kohore dhe hapësinore,
monologë dramatikë e ngushtica shpirtërore, idhujtari e mitologji, reflekse të
heshtjes së kallur, zjarrmi figurative deri te detajet e shortares... Të gjithë
këta përbërës jetësorë e figurativë, të gjitha tablotë përfytyruese të dhimbjes
dhe të mallit, të pengut shpirtëror mes engjëjve dhe djajve lidhen nëpërmjet
një skeleti që emërtohet thjesht rrëfim ose narrativë e romanit.
VEÇANTITË
E RRËFIMIT METAFORIK
Në këtë ndërliqësi
analitike e konstatuese përimtohen relievet e konflikteve rrëfimore dhe jo
rrëfimore, motivimet, llojet e motivimit duke i nënvizuar me shkëputje tekstesh
nga tri romanet të shkrimtarit. Rrëfimi brenda vetës ngërthen edhe retorikën e
përshkrimit dhe stilin e të shprehurit figurshëm; haset dendur në tekstet e
romaneve: “Bimorja”, “Gjin Bardhela i arbresh - Etja e gurëzuar” dhe te “Ferri
i lodhur.”
Te këto romane më e
theksuara paraqitet metafora. Roli i saj, i metonimisë dhe i krahasimit (ku e
ku krahasimi merr funksionin e metonimisë) janë caqe të trajtimit në kapitullin
e katërt të kësaj vepre studimore. Autori është i përkujdesur që ilustrimet e
nënvizuara të tekstit u ngjajnë shembujve shkollorë, për të lehtësuar njohuritë
themelore duke i veçuar elementet telegrafike nga ngjyrimet me ndjeshmëri
artistike e stilistike.
Me përmasën kohore të
kategorisë së rrëfimit merret kapitulli i pestë i studimit. Përmasa e kohës në
rrëfimin artistik është kategori komplekse dhe nuk mund të vështrohet vetëm nga
këndvështrimi i retrospektivës, qoftë si përmasë lineare, qoftë e copëzuar, e
nisur nga një pikë përkuese në histori dhe, me shtojca socio - filozofike dhe
artistike. Koha e rrëfimit artistik i shmanget diskurseve të dijes, që e
zbatojnë shkencat e natyrës, por duke e parë në këtë pikëpamje, më së miri e
pasqyrojnë trajtimin e faktorit kohë rrëfimi në tri romanet e Berishës.
Romancieri Berisha
nuk përfill saktësi të rrëfimit që lidhet me data të caktuara. Teksti,
reflektimet e nëntekstit, ngjarja, konfliktet e personazheve, fryma, niveli
kulturor përcaktojnë ngjarjen e caktuar.
ZËRI
RRËFIMOR
Meqenëse studimi i
natyrës së këtillë kërkon përmbushje të argumenteve në mënyrë përimtuese,
autori shtron konceptimin e kohës së rrëfimit, mandej rendin rrëfimor, teknikat
e rrëfimit e të kohëzgjatjes, më dendur përmes analepsës, si mundësi e
prapakthimit të rrëfimit dhe prolepsës, ecjes së rrëfimit përpara, që ka një
paraqitje më të rrallë si teknikë e rrëfimit. Rrëfimi si kategori themelore e
prozës artistike shfaqet përmes zërit rrëfimor. Zëri rrëfimor ka pamjen e
jashtme ose të shprehur me termin teorik fokalizatori dhe, me zërin e brendshëm
të subjektit rrëfimtar. Bashkimi apo bashkërenditja e këtyre zërave: autori,
rrëfimtari dhe personazhet përbëjnë polifoninë e romanit.
Më tej autori Arsim
Halili thekson që në romanet e A. N. Berishës zëri rrëfimor “del kryesisht në
vetën e parë dhe në vetën e tretë”.
Si përmbyllje e
konstatimeve të tilla fare të dukshme, A. Halili në romanet e A. N. Berishës
vëren përqendrimin rrëfimor kryesisht “si zëra tekstualë dhe intertekstualë e
që ky zë bartet përmes personazheve protagonistë dhe jo protagonistë”.
Në kapitullin e gjashtë
të studimit për rrëfimin poetik në prozat e gjata, gjithsesi zë vend hapësira
vepruese, përshkrimi apo përshkimi i hapësirës, pamjeve, veçimi i tundimeve
shpirtërore, tipizimi i mjediseve, i viseve, i eksteriorit të shtëpisë, dhomës,
të kishës, të qelisë së burgut, të shpellës... në romanin “Bimorja”
Format ligjëruese të
përshkrimit trajtohen në kapitullin e shtatë të librit.
Duke pasur
udhërrëfyes analizat dhe sintezat studimore të teorikut Gerard Genette, Arsim
Halili sheh të spikatura tri gjendje të diskursit të shqiptuar përmes
personazhit: ligjërimin, diskursin e “rrëfyezuar.” (Kjo fjalë nuk di a mund të
ishte shprehje për të saktësuar përtrollitje të kontekstit të diskursit?),
(Vërejtje ime); ligjërimin e zhvendosur në stil të zhdrejtë, formën mimetike.
Duke veçuar
funksionin e përemrit në rrëfim, studiuesi Halili në prozën e romaneve të A. N.
Berishës vëren dallime, kur për shkaqe të shmangies së përsëritjeve të emrave
të personazheve, emrat duhej zëvendësuar me përemra vetorë. Kështu autori vë në
pah një përdorim fare të vogël: “Në këtë rast shihet se kryesisht përdoret
përemri vetor në numrin njëjës, veta e parë, e dytë dhe tretë në rasën emërore
dhe veta e dytë në rasën kallëzore”.
Është me interes të
shihet gjuha e përdorimit të përemrave për vetat e personazheve në të tri vetat
e njëjësit dhe, të vetës së tretë në numrin shumës.
SIMBOLIKA
E VDEKJES
Kapitulli i tetë
trajton karakteristikat e personazheve. Në këtë kapitull (i fundit) analiza
paraqitet më e shtruar. Kundrimet shtrihen në pesëmbëdhjetë faqe tekst dhe
merren me filozofinë e ndërtimit të veçantive të personazheve. Personazhet dhe
aktantët, simbolika e vdekjes në romanin “Bimorja” e konkretizuar me fragmente
tekstesh, herë nga njëri, herë nga romani tjetër për përtrollitje të ideve të
mbarështruara.
Këtu kemi simbolikën
e vdekjes në romanin “Gjin Bardhela i arbresh - Etja e gurëzuar,” trajtimin e
mortjes sipas konceptit mitologjik; simbolika e vdekjeve në romanin “Ferri i
lodhur”, me trajtat dhe mënyrat e dhunës së shfrenuar si vrasjet e grave
shtatzëna, vrasje të fëmijëve, të pleqve, vrasje masive, dhunime të femrave e
të miturave...! Pra, rrëfimi në këtë roman shpërfaq realitetin e ndodhur në të
shkuarën, në të djeshmen, në të sotmen dhe, në një realitet të përsëritur...
Një realitet jetësor e poetik i absurdit gjithë - kohorë!
DISKURSI
PËRMBYLLËS
Si përmbyllje e
studimit të përmendur për tri romanet e A. N. Berishës “Bimorja”, “Gjin
Bardhela i arbresh - Etja e gurëzuar” dhe “Ferri i lodhur” Arsim Halili sjell
këtë përfundim: “Berisha krijon vepra të artit të fjalës ku mbizotëron të
shprehurit poetikisht të lartë racional. Krijohen kuptime herë-herë me
nënkuptime filozofike, ku nuk mëton t’i fragmentarizojë gjërat, apo t’i
shkëpusë nga qenësia e individit si subjekt, po u jep gjithë lirinë e
vlerësimit, para së gjithash të qenies si subjekt human”.
Ngjashëm me fillimin
e studimit për tri romane të A. N. Berishës edhe përfundimin, Arsim Halili e
përmbyll me një tjetër citim të zgjeruar të Domenico Corradini Bruossard për
romanet e shkrimtarit tonë, që ndonjëri nga ato romane iu përkthyen në
italisht.
Literatura teorike në
këtë studim na paraqitet udhërrëfyese mbizotëruese e përkufizuese... Shtrohet
dilema: sa mund ta bartte peshën e pavarësimit teorik autori ynë në këtë sferë
të dijeve për diskurset teorike-letrare?
Sidoqoftë në këtë
studim shohim një zell për përdorimin dhe sistematizimin e një literature
teorike komplekse.
Kjo nuk është pak për
autorin tonë.
Gjilan,
shtator 2024