Kulturë
Blerim Rrecaj: Librat në shi
E shtune, 05.10.2024, 06:52 PM
Blerim Rrecaj:
DY
TREGIME ME ILUSTRIME
Librat në shi
Kishte
kohë që mendonte të shkruante diçka. Të merrej me diç. Të përsëriste frazën e
tij të zakonshme: "Thashë hajt sa rri!". Por nuk e dinte se çfarë. As
këtë herë si shumë herë. Plus e pos tjerash i dukej se i mungonte frymëzimi e
s'dukej kund në horizont. Ishte ditë e diel, e diel e fundme e këtij shtatori.
Vazhdonte të rrinte brenda mureve. E e shtuna e djeshme ishte si ditë vere, ku
qëndroi edhe pas shkurreve. Vërtiti pak mendjen rreth saj, të kaluar mes miqsh
e në mjedise kafeneshë, ulur jashtë, e aty ku binte dielli, hija e dritëhijet.
Dhe dita që shkoi në mendjen e tij iu shfaq si një shirit i dikurshëm filmi
fotografik, i ndarë copa-copa, i kaftë në të kuqrremtë.
"Të
rrijmë jashtë në natyrë, se na mbytën muret", tha dikush. E s'do të shkojë
shumë, e kur të dalim, kryesisht do rrijmë brenda mureve të kafeneve për shkak
të temperaturave të ulëta. Rrezet vjeshtake e kanë atë këndshmërinë e sharmin e
vet. Dhe kaloi edhe një ditë, si kaloi, vështirë e përcaktueshme me një fjalë,
a me një thes fjalësh, po të duash. Dhe e la ditën që shkoi nëpër rrugën e
kujtesë-harresës.
U
kthye ku ishte. Te e diela e sotme. Përgatiti një kafe. E pinte me nge. Në
ekran televizori shfaqej një emision dokumentar me titullin: "Historia e
papagajve". U çua nga fotelja ngjyrëhiri ku rrinte ulur. Doli në ballkon.
Derisa papagajt i la të endeshin ekranit, (në natyrë a kafazeve, ndërsa
sinkronizimi në gjuhë amtare ishte i bukur, mbresëlënës), një pëllumb dhe disa
dallëndyshe se s'di kah shkonin lakadredhoheshin prej ere, në këtë shi që sa
vinte e shtonte intensitetin. U kthye brenda. Hapi një dollap në dhomën e
fjetjes dhe mori tre libra. Një të vetin dhe dy të dy miqve të tij. Doli me ta
në ballkon. I vuri në parvazin e jashtëm të ballkonit xhamveshur dhe me telefon
bëri ca shkrepje mbi ta. E diela ishte e qetë, me vetura që lundronin andej
këndej, e me kalimtarë të rrallë, që ecnin me hapa "normalë", a
nxitonin. I shikoi edhe njëherë shkrepjet dhe nuk ia mbushën syrin. Shiu binte,
po tash më prajshëm. Vuri edhe njëherë librat në parvaz, që i rrëshqisnin, e u
hapte paksa fletët, që të rrinin drejt në këmbë, barazpeshueshëm.
Hapi
e mbylli njërin nga xhamat e palosshëm të pikluar me shi. Papritur, gjatë lojës
e provave njëri prej librave i ra poshtë duke ia hedhur nga dora çadrën
kalimtarit që kalonte pikërisht në këtë çast. Njeriu kalimtar u tremb. E u
trondit, jo pak. Kushedi se ç'objekt mendoi se ra mbi të. I lehtësuar se
s'ishte ndonjë objekt më i rëndë, a ndonjë vazo lulesh. Hodhi shikimin lart,
ndërsa libri dhe çadra rrinin në trotuar pranë njëri tjetrit dhe lageshin. Me
dorën në zemër, e kokën jashtë xhamit të hapur, nga pjesa tjetër e ballkonit të
mbyllur me vargun e xhamave tjerë, shprehu keqardhje e kërkoi falje, e ndjeu
veten në siklet, kur e pa në fytyrë personin që i ra libri. Se e lidhte një
historizë me të. Më parë përmes njërit prej
prej miqve ku qëndronte edhe libri i tij, kishte kërkuar t'i thonte
këtij personi të lexonte e nëse e shihte të arsyeshme të bënte një shkrim, një
recension, për librin derisa ishte në proces botimi. (Jetonin të dy në një
qytezë, nuk kishin komunikuar e ndejtë ndonjëherë sëbashku. Ky e njihte, edhe
si fytyrë, por edhe me anë shkrimesh që publikonte në gazeta, e internetit,
tash e sa kohë, e se a njihej nga ai, nuk e dinte). Për mungesë kohe të tij,
kishte kthyer përgjigje, se tash për tash e ka të pamundur të merrte pjesë në
këtë operacion e ndërrmarrje botimi.
U
përshëndetën, nga lart-poshtë, pasi i
tha se ky është libri im, e unë jam autor i tij, disi me mjaft mburrje e
rrahagjoksi, bashkëbiseduesi e ftoi për t'ia dhuruar librin me nënshkrim.
"Mirë, më prit, se tash po zbres, pasi e kuptova se s'bëhet fjalë për
ndonjë ndëshkim, ose lajmërim në polici, a marrëveshje për ta mbyllur këtë
incident", tha. Kumbuan të qeshura. Mori edhe dy librat e miqve për ta
befasuar edhe më e për ta ngarkuar mikun që priste, dhe një lapskimik për autografin
që do të vinte në librin e tij. Derisa pranuesi i dhuratës së papritur i mbante
çadrën, si të ishte farë zyrtari a së paku farë zëvendësministri, në një fletë
të bardhë libri vuri fjalët: "Filan Fistekut me respekt në një ditë me
shi, nga lartësia, me e pa dashje, me e pa paralajmërim. Sidoqoftë, mes nesh
hyri edhe shiu si kujtim".
Folën
pak, shpejt e shpejt, pak me nxitim e hutim, e lanë mundësinë për ndonjë takim,
pasi siç dukej koha dikë nuk e priste, e pastaj do ta lëçiste. U përshëndetën
dhe derisa ai tashmë barte librat me vete, me kokën nën çadër, e librat në
dorë, siç zakonisht i mbajnë ca shtatore
kryetarësh, udhëheqësish, tribunësh qofshin këta të vendit tonë, a të ndonjë
shteti tjetër, ky u kthye në strehën e vet. Endej nëpër dhomë, dhe iu kujtua
një fjalë e dikurshme e gjyshes: "Çka po rri kështu si me t'u pas mbytë
gjemitë në deti". Dikur u shkruajti shokëve në grupin
"viber"-or. Ua dërgoj dhe ca shkrepje, dhe përmendi ndodhinë. Folën e
qeshën. Kujtuan një rrugëtim të përbashkët që filloi si lojë, para ca vitesh që
kaq shpejt po shkojnë, duke kthyer kokat pas për të parë kohën që lanë pas
shpine. Kohën e gërshetuar prej të vërtetash përzier me një grimë imagjinatë,
sikurse këtë shkrim, që po thuret tashti.
Ra
mbrëmja e u bë natë. Doli të vëzhgonte nga ballkoni dhe dëgjonte vëzhgimat që
lënin veturat në lëvizje me stërkalat e ujit që tërhiqnin pas vetes. U kujtua
edhe njëherë për shiun e për librat, për shiun në libra, e për librat në shi,
për pikat e tij, si pikat mbi "i" që prekën çfarë mundën, dhe që që
s'u mbet merak që nuk mundën të depërtojnë gjithkund. Njëmend, tha, pse thonë edhe "dymendësh",
për atë që ka fat të mirë, të mbarë e të bardhë: "I ka ra shi në
kallamoq" por edhe: "I ka rënë misri në shi". Dhe ndjeu një turbullimë e lodhje jo vetëm
sysh. Bardhëllimshëm ca re endeshin qiellit të freskët. Dremitshëm pëshpëriti,
duke vënë dorën te goja që i hapej, se sot, shiu qau e qeshi me lot...
Rrëshqitje 7 sekondëshe
me sajë
Në
rrëzën e radhës, këtu ku tash mbërritën, ua mori sajën e plastiktë ngjyrë
kaltër si ujë i detit të pastër e bukurosh diku në Shqipëri dhe u lëshua me
vrull teposhtë. Si një lumë në det. Këtë
herë me sukses, pa u rrëzuar si vitin e kaluar, kur u rrotullua e ra nga saja
si nga shpina e kalit gjatë ndonjë kalërimi, dhe pastaj nja një javë të mirë iu
desht t'i duronte ca dhembje shpine që e therrnin e e ngacmonin, sikur bënin
shaka pa të keq me të. E la pas atë kujtimth dhe u çua nga saja. Ndjeu një
kënaqësi të shkurtë, aq sa zgjati ky udhëtim mbi tepihun e bardhë, në tempull
natyre, e më pas seç e pushtoi një melankoli. Para se të lëshohej nga shpati
për të mbërritur aty ku mbërriti në pjesën e rrafshët të fushës si tepsi, të
lyer me kos, a me sllag, seç e pati një ndjenjë se do të humbiste e do të
përhumbej nëpër botën fëmijërore, pa menduar për asgjë tjetër. Tash shihte
fëmijët nga këtu ku ishte që lëshoheshin e ngjiteshin për t'u lëshuar njëri-pas
tjetrit, edhe njëherë, edhe dy herë, edhe shumëherë. Shikonte në ekran
telefoni, videon që fëmijët ia kishin bërë, dhe në të përpos një ulërime
ngazëllimi, e me njërën dorë të ngritur, videoja kohëzgjaste shtatë sekonda e
shtatë të qindtat. U mor paksa me këtë numër, që i solli ndër mend edhe filmin
e njohur me detektivin në rolin kryesor. Rastësi e këndshme me a padashje,
ndonëse dukshëm më e gjatë. E la edhe këtë gjë pas, vuri duart mbrapa, e i
lidhi ato, si të ia kishte lidhur kush me litar, a me pranga, dhe ecte duke
hapëruar rëndë mbi borën e butë, si duke shkelur nëpër një udhë malore me
dushk, a edhe diku sërrnishtës duke lënë gjurmëzhurmërimën e ëmbël:
shkrrapa-shkrrup e shkrrupa-shkrrap. Ndërkohë filloi të fijaste borë. Seç iu
duk se iu kishte hipur skive, siç thuhet figurativisht, për dikë që ose s'di
kah të shkojë, ose është duke shkuar një një drejtim jo aq për lavd e lëvdatë e
të mjegulluar. Nuk donte më të lëshohej as me sajë, të paktën sot, asnjëherë të
vetme. Sa mirë me rrëshqit si fëmijë, ama jo figurativisht, mendoi. I dukej se
kështu siç ndihej tash, do të dukej edhe qesharak, e do të shpërndante fjolla mërzie
përreth, që mund të preknin ndokë e që mund të ndikonin për të trazuar
disponimin e mirë tek të tjerët. E ndjente se kjo gjendje e tij mund të kalonte
së shpejti dhe kjo sikur e lehtësoi dhe
e mbushi me një dozë qetësimi. Bora u ndal. Një diell kryshytej në re si në
farë deti akullnajor, në të cilin akulli tashmë shkrihej e shkrihej, duke u
ngjyer lëngshëm e ujëkrypshëm. Kryshytej, dilte e shkundte kokën sërish. Më pas
dielli i larë si ari në flakë ndriçoi retë, drunjtë, zogjtë, borën, njerëzit,
ambientin. Nga kjo tundje e shkundje koke e flokësh të tij, filloi të fijaste
shi. Po, po ,shi. Rrezet e këtij dielli e vënin në dukje se ky shi, nuk ishte
shiu i tejdukshëm, e ai i zakonshmi, por ishte një shi i bardhë e i ndritshëm
që binte mbi ne e mbi borë, që vërvishtej nga një erë e vakët, e që linte
gjurmët e veta të lëngshme të mënjëhershme sapo të prekte...