Kulturë
Anton Nikë Berisha: Gjithëpushtetshmëria dhe vleshmëria e rrëfimit poetik
E hene, 30.09.2024, 06:58 PM
Me rastin e 80 – vjetorit të lindjes së Nasi Lerës dhe të 60 vjetorit të krijimtarisë së tij letrare
Nasi
Lera lindi në Korçë më 29 shtstor
1944. Është njëri nga prozatorët tanë bashkëkohorë më të shquar. Me një varg
përmbledhjesh me tregime, novela dhe romane të botuar, e lartësoi dhe e pasuroi
prozën tonë nga rrafshe dhe aspekte të ndryshme. Ai është ndër shkrimtarët
tanë të rrallë që di pse shkruan dhe di çka shkruan. Vepra e tij është e lidhur
me botën tonë; e shpreh poetikisht këtë botë dhe i
kthehet po kësaj bote nëpërmjet artit dhe komunikimit që nxit teksti.
Edhe
punimi për romanin “Të gjithë premtojnë Parisin” dëshmon për artin e madh të
përftuar nga Nasi Lera. Me art të lartësuar cilësohen edhe romanet e tjerë të
tij “Nata e premierës”, “Ana Zh”, “Të gjallë e të vdekur”, “Kishim një ëndërr”
etj.
GJITHËPUSHTETSHMËRIA
DHE VLEFSHMËRIA E RRËFIMIT POETIK
Rreth romanit “Të gjithë premtojnë
Parisin”
Romani
është zhanër që përherë e gjurmon dhe e studion veten dhe i rishqyrton të
gjitha trajtat e veta formale.
M. Bahtin
Nga Anton Nikë Berisha
Romani
e ndryshon vijimisht formën e vet
Kur e mbaron së lexuari romanin e Nasi Lerës “Të gjithë premtojnë Parisin”
dhe synon t’i qasesh e ta interpretosh, atëherë doemos të shkon mendja te
natyra e romanit si lloj letrar, te rrjedha e ndryshimit të tij, veçmas te
romanit modern.
Është e njohur e dhëna se brenda krijimtarisë letrare në
përgjithësi dhe të prozës në veçanti, romani si lloj është ndër më të
ndërliqshmit, qoftë për shkak të shumësisë dhe gjerësisë së dukurive që e
trajton, qoftë për mënyrat e ndryshme të të shprehurit poetik, të llojshmërisë
së stilit, të marrëdhënieve kushtëzuese dhe ndërvarëse të shtresave rrëfimore e
të përbërësve të tjerë që bëjnë veprën si tërësinë poetike kuptimore.
Nga aspekti i konceptimit dhe i shtjellimit të tekstit, i
krijesës si tërësi shprehëse komunikuese, në rrjedhë të kohëve romani përherë i
gjurmoi dhe i pasuroi përbërësit e vet.
Për këtë dukuri dëshmon më së miri romani modern, sidomos gjuha poetike
që ai përdor[1].
Ndërlikueshmëria e romanit si lloj letrar dëshmohet nga
se ai është kosmopolit për prirjen e tij (Vigari)
dhe cilësohet me të shprehurit total letrar,
pra është njëri ndër llojet më të hapur dhe më të pakufishëm. Së këndejmi, nëse
dëshirojmë ta rimarrim mendimin e Shkllovskit se – atë që e quajnë zhanër,
përnjëmend është njësi konfliktesh – atëherë romani është ndër më tipikët.
Romani mund të jetë pasqyrë e realitetit, e botës dhe e përvojës së krijuesit,
të ketë një objekt të caktuar poetik, të jetë me shumë objekte poetike ose, siç
ndodh te romani modern, pa objekt në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Me
këtë përligjet mendimi se romani synon të jetë shumësi dukurirish nga jeta, nga
bota shpirtërore ose matanë jetës, përfytyruese ose mitike.
Si përligjet kjo te “Të gjithë premtojnë
Parisin”?
Romanin “Të gjithë premtojnë Parisin” duhet parë dhe
interpretuar në dritën e asaj që u tha më lart, në veçanti me natyrën e romanit
modern, gjë që mund të lidhet dhe me mendimin e Floberit, ku theksohet rëndësia
e fuqisë së brendshme dhe e stilit të një vepre letrare poetike: “Ajo që më
duket e mrekullueshme, që dua të shkruaj, është një farë libri që nuk flet për
asgjë, libër që nuk ka asnjë lidhje me realitetin e jashtëm, libër që do të
qëndronte vetëm me fuqinë e brendshme të stilit, sikur toka që qëndron pezull
dhe nuk e mban asgjë”.
Diçka te romani “Të gjithë premtojnë Parisin” ndoshta duhet parë në dritën e ndjenjës së
Sanço Panços, shërbëtorit i cili jeton pas zotërisë së tij, Don Kishotit, që i
afrohet dukurisë (lexo: rrezikut) që e kishte çuar zotërinë e tij drejt
shkatërrimit të pashmangshëm: në procesin e mësimit e të shkrimit të romaneve,
Sanço vëren se bota nuk mund të ndërrohet nga jashtë, po nga brenda. Ai jeton
si krijues i romaneve për arsye se veprimtarinë e përqendron në premtim. Ai sikur thotë: diçka e
ngjashme sikur jeta e menduar nuk ekziston, e as që ka qenë ndonjëherë, por
nëse e pranoni fiksionin tim, keni pranuar edhe mundësinë që diçka e tillë një
herë, në të ardhmen, mund të ndodhë me të vërtetë[2]. Ky qëndrim (përcaktim) të kujton mendimin e Aristotelit për të vërtetën
historike dhe të vërtetën e mundshme (poetike)[3].
Kështu, në romanet e mëdha të shekullit njëzet rrëfimi bëhet e vërtetë, sikur që e vërteta bëhet rrëfim. Me një anë rrëfimi bëhet forcë absolute, të cilës askush
nuk mund t’i bëjë ballë, ndërsa po kjo forcë e të folurit s’ka asgjë të
përbashkët me realitetin (natyror), që mund të përfshihet në rrëfim[4].
Ndodh kështu nga se
romani e ndërton dhe e shpreh realitetin përmes strukturës gjuhësore. Pra, ky
realitet ekziston dhe funksionon vetëm brenda shenjave, fjalëve dhe mendimeve
që ngërthen teksti. Mirëpo, mënyra se si përftohet dhe
shprehet realiteti (sidomos te romani modern) e krijon edhe iluzionin ose
bindjen te marrësi se gjithë ajo është e vërtetë.
Në romanin “Të gjithë premtojnë Parisin” thy-hen rregullat e romanit
tradicional dhe qasja dhe inter-pretimi i tij si vepër e tillë të shpien në
rrugë të gabuar dhe, çka do që të thuash, mbetesh jashtë qenësisë së kësaj
krijese poetike. Në të futet natyrshëm diçka nga “tablotë” e
jetës së përditshme, nga “modelet” prej të cilave e përditshmja mund të
ndërtohet, që në qëllimin e vet të “përfshijë” edhe diçka nga jo e përditshmja,
nga përfytyrimi, imagjinata.
Fytyra e kohës – realitet i përmbysur
Nisur nga fakti se “Të
gjithë premtojnë Parisin” është roman modern, atëherë del e paarsyeshme të
kërkosh në të përcaktimin e mirëfilltë të objektit poetik, të një ideje ose
dukurie kryesore nga se ato në të janë të shumta e të ndryshme dhe nuk i
nënshtrohen hierarkisë as rrafshit të vlerës e të peshës së tyre. Secila është
e rëndësishme dhe të gjitha së bashku bëjnë atë që te romani tradicional mund
të bëjë ideja kryesore ose personazhi kryesor. Tërë ajo që rrëfehet në këtë
roman ka si qëllim që ta shprehë e ta përligjë fytyrën e kohës, domethënë
kohën, rrethanat dhe gjendjen (botën) shpirtërore të njerëzve. Është e vërtetë
se, fjala vjen, personazhet e Evës F. dhe të Simonit janë mjaft të pranishëm në
roman, po edhe personazhet e tjerë, Vesa Destani, Eni D. ose kamerieri, Ardi,
ose dhe vetë deti (shiu po se po, për këtë do të behet fjalë veçmas) janë po aq
të rëndësishëm, jo për praninë dhe hapësirën që zënë dhe kanë në roman, po për
kuptimësitë që ngërthejnë dhe për funksionin që kanë në vepër. Kështu, fjala
vjen, “historia” e Ardit dhe akuza e pabazë dhe dënimi i tij, nuk zë shumë vend
në roman, po është po aq e rëndësishme sa vetë “historia” e dashurisë së
Simonit me Evën F. Njëjtë ndodh dhe me dukuritë e “vogla” si, fjala vjen, me
ankandin publik të qenve, me paraqitjen e librit në Sheraton dhe me praninë aty
të udhëheqjes së shtetit etj.
Çështja kryesore për
autorin, Nasi Lerën, është të shqiptojë një varg dukurish të ndryshme që e
shprehin në mënyrë të thellë e të shumanshme fytyrën e kohës, përbërësit që e
dallojnë atë dhe lexuesi mund e duhet të vihet në komunikim me të dhe ta njohë
atë sa më mirëfilli: ta përfillë, ta prapësojë ose t’i përjetojë njësoj të
dyja.
Duhet thënë se fytyra e kohës në romanin “Të gjithë
premtojnë Parisin” nuk shqiptohet si dukuri e thjeshtë, njëpërmasore, një
rrafshore dhe njëdrejtimore, po është e ndërliqshme, shumëkuptimore dhe
shumëkahore. Ky degëzim është i qëllimtë dhe shprehet përmes një teksti poetik
të lartësuar, shprehet përmes artit, siç mund të përligjet nga fjalët e
Simonin, ku vajza, Eva, është vetë fytyra e kohës po dhe kundërvënie e saj:
“[...] zhdukja e fytyrës së asaj
vajze ishte për mua zhdukja e vetë fytyrës së kohës. Asnjëherë nuk e kisha
kërkuar, si po e kërkoja atë mëngjes, fytyrën e kohës sime [...] Ajo hyri në lokalin ku pinim çdo mëngjes kafe, sepse iu tremb shiut, sikur
ai do t’i zbulonte fytyrën e vërtetë. Po ajo ishte një fytyrë e bukur dhe në
ndryshim nga koha, që nuk e fsheh fytyrën e bukur, donte që ne të mos e
shihnim”.
Eva F. mundëson njohjen e
vetëm një pjese, një këndvështrimi të fytyrës së kohës: “Befas ajo vajzë nuk
ishte gjë tjetër veçse koha që përpiqej të fshihte fytyrën e saj. Dhe koha
kullonte nga flokët e saj shiun e fundit të vjeshtës dhe shiun e parë të
dimrit. Edhe koha është përpjekur gjithmonë të fshehë fytyrën e saj. Kur e
zbulon sheh se nuk ka fytyrë më të frikshme, më tragjike, më cinike, më
hipokrite, më mediokre se fytyra e kohës me të cilën ke jetuar si mes një makthi.
Ishte hera e parë që po më buisnin mendime të tilla, që i zhvlerësuan në çast
të gjitha tregimet dhe novelat që kisha shkruar deri atëherë”.
Nuk janë vetëm
personazhet dhe rrethanat shoqërore, veprimet e ndryshme konkrete që shprehin
kohën që shqiptohet në vepër. Janë edhe dukuritë natyrore. Pra, format e
përligjjes së fytyrës së kohës shprehen edhe përmes shiut: “[...] aty ishin të
gjithë si brenda një strehimi, ku ishin strukur për t’i shpëtuar jo shiut, por
kërcënimit të kohës, që kishte formën e shiut”[5]. Këtë e shpreh dhe rënkimi i detit që,
simbolikisht, bëhet pjesë e fytyrës së kohës: “Atë natë nuk kishte njeri në
hotel. Ishte kulmi i dimrit. Rënkimi vinte nga Perëndimi. U çova nga shtrati
dhe shkova dhe hapa dritaren. Në trup m’u përplas nata me të ftohtit e saj të
hidhur e tërë lagështi. Qielli ishte gjithë yje. Më në fund e kuptova se
rënkimin e lëshonte deti. Më erdhi keq për detin. Rënkimi që përhapte nëpër
natë ishte vetë ulërima dhe rënkimi i vetmisë sime” ose “[...]
dhe ajo kishte një fytyrë të bukur që fshihte një dhimbje të thellë”.
Pikërisht fytyra e kohës konkrete, gjithë ajo që zien
brenda saj dhe pasojat që shprehen në marrëdhëniet shoqërore dhe në shpirtin e
njerëzve, kushtëzojnë që Simoni të mos ia dalë ta shkruajë romanin e tij.
Shiu – simbol i shqetësimit dhe i pësimit
Brenda veçantive të
tekstit poetik e të figurshmërisë së pasur që e cilëson romanin “Të gjithë
premtojnë Parisin” simbolika e shiut shtrihet në gjerësi dhe në thellësi. Të
thuash s’ka ndonjë veprim të rëndësishëm të personazheve dhe të pësimit të tyre
ose përsiatje të autorit që nuk lidhet ose nuk përshkohet nga rënia e shiut dhe
simbolika e tij.
Fjalia e parë e këtij
romani fillon me shi: “Ajo nuk priste të na shihte në lokalin e vogël, ku
mblidheshim çdo mëngjes për të pirë kafe, prandaj kur ia ngulëm sytë, u hutua
aq shumë, sa u kthye përsëri nga dera dhe sikur shiu të mos ishte bërë
papritmas i rrëmbyeshëm, do të ishte larguar menjëherë [...] ajo iu tremb shiut
më shumë se pranisë sonë”. Në faqen e parë të romanit shiu është jo vetëm i
pranishëm, po përligj pjesërisht edhe rëndësinë e simbolikës që ka në gjithë
veprën: “Brenda atij poçi të djegur përpëlitej jo vetëm shkretia që kishte
mbuluar plazhin, por edhe fundi i vjeshtës. Edhe shiu, që përplasej pas qelqeve
të lokalit, nuk ishte aspak si shirat që kishin rënë deri atëherë, që
shfaqeshin zakonisht në perëndim, derdheshin në det dhe pjesën e mbetur retë e
shkarkonin mbi bregun e shkretë [...] shiu i sotëm nuk dihej sa do të
vazhdonte, sepse kishte ardhur nga veriu dhe ishte i ftohtë”.
Një çast shumëfish i
rëndësishëm për nismën dhe rrjedhën e romanit “Të gjithë premtojnë Parisin”
lidhet, po ashtu, me shiun, kur Eva F. hyn një kafene: “U bëra gati ta fajësoj
edhe shiun për dështimin tim, kur thashë me vete, se po të mos binte shiu, ajo
nuk do të hynte në lokalin tonë, ku pinim zakonisht kafen e mëngjesit”.
Edhe në fjalinë e parë të
romanit, që shkrimtari, Simoni, mendon ta shkruajë, është i pranishëm shiu: “Ajo hyri në lokalin
tonë dhe nuk e dinte se shiu që pikoi nga flokët e saj ishte shiu i fundit i
vjeshtës dhe shiu i parë i dimrit...”
Simbolika e shiut
degëzohet dhe përligjet në mënyra, në forma dhe në rrjedha të ndryshme të
tekstit; është ose paralajmërim i ndonjë drame që do të ndodhë ose shënon
dramën që ndodh, qoftë kur bëhet fjalë për dukuri të caktuara, qoftë për atë që
përjetojnë dhe pësojnë personazhet në jetë dhe në botën ebrendshme. Kështu, që
në fillim të romanit, shqiptohet simbolika dhe metaforike e njësimit të fatit
të njerëzve me shiun, që secili e ka brenda tij dhe që, në vend që të dalë
jashtë, derdhet brenda qenies: “[...] na kishte shqetësuar (vajza që hyn në
lokal – v. ime), duke u frikësuar nga gjëmimi shurdhues dhe atë çast pashë se
pikoi nga maja e flokëve të saj dhe pika e fundit e shiut. Ne u përpoqëm t’i
buzëqeshim, ndërkohë që ajo pikë shiu futi në lokal një shi tjetër, që filloi
të bjerë pa zhurmë në kujtesën tonë, sepse isha i sigurt që secili prej nesh e
kishte në jetën e tij një shi të largët që pikonte nga flokët edhe më të largët”.
Simbolika e shiut
përdoret edhe kur shqiptohet ndërrimi i stinëve: “Vjeshta nuk kishte më forcë
të shfaqej dhe ishte tërhequr e drobitur, për t’ua lëshuar vendin shirave të
ftohtë të dimrit. Mbi breg ranë hijet e rënda të muzgjeve dimërore, ndërsa
thellë, atje ku ndodhej vija e horizontit, u shfaq dhe u shua në një të qindtën
e sekondës, shkreptima e parë dhe mbi sipërfaqen e detit, era që frynte nga
veriu, formoi mornicat e para”.
Shiu bëhet shenjëzim dhe
i bukurisë dhe i prehjes së personazheve, siç ngjet me Simonin dhe Vesa
Destanin: “Të dy ishin të çliruar dhe nata ishte e bukur dhe shiu ishte i bukur
dhe deti që nuk shihej duhej të ishte i bukur dhe avulli që mbështillte trupin
e Eni D. ishte i bukur dhe flokët e Vesa Destanit ishin të bukur dhe gjithçka
kishte ndodhur ishte e bukur, përveç asaj që i kishte ndodhur Eni D. Sepse asaj
i kishte ndodhur diçka tronditëse”.
Autori e shfrytëzon shiun
edhe për të shprehur bukurinë e femrës, Evës, siç ndodh kur ajo hyn në
pijetore: “Ajo hyri në lokal dhe ishte aq e bukur sa e bëri të tillë edhe shiun
e ftohtë dhe të mërzitshëm që binte jashtë”.
Shiu simbolizon edhe
njësimin me kënaqësinë shpirtërore të personazhit: “Dola nga dhoma (Eni D. v.
ime) dhe u lehtësova kur shiu më rrahu fytyrën. Kisha nevojë për atë shi”.
Mirëpo, shiu nënkupton,
po ashtu, frikën dhe pësimin: “Vajza nuk dinte ç’të bënte. Po të largohej nën
shi, tërë faji është i yti, qortova veten. Ajo të ka parë të dehur dhe është
trembur. Vajza qëndronte midis frikës nga një i dehur, që isha unë, dhe frikës
së shiut, që ishte vetë shiu” ose “Asnjëri nuk guxonte të pyeste se kur filloi shiu.
Rrinin zgjuar dhe mbanin vesh si ai binte shtruar. Simoni ishte i sigurt se
shiu nuk kishte rënë gjithmonë ashtu, shtruar, si po e dëgjonte tani. Atij i
kujtohej se shiu kishte ardhur nga deti tërë zhurma ere dhe degët e pishave të
buta kishin ulëritur si të jetonin natën e tyre të fundit”.
Në kreun e fundit të
romanit (kreu 41) shiu zëvendësohet me dëborën (borën), e cila bëhet pjesë e
veprimit dhe e frymëmarrjes: “Dëbora kërciste nën hapat e tyre dhe dielli, që kishte shpërndarë retë, të
verbonte duke u përshëkënditur në miliarda kristale të kaltra, si të ishin
situr tërë diamantet e qiellit. Çatitë heshtnin nën shtresën e trashë të
dëborës dhe shtëpitë, shumica të mbyllura, të fusnin në mendime ndjenjën e
vetmisë dhe të shuanin çdo dëshirë për të folur”.
Dëbora shpreh edhe pësimin dhe tragjiken që ndodhin për shkak të
saj: “[...] dhe gjithçka ndodhi për faj të dëborës”.
Qenësia
e dashurisë: Nisja drejt vetvetes
Brenda fytyrës së kohës, siç thuhet në romanin “Të gjithë premtojnë Parisin” ose brenda kohës që Kishte koha ethe, kishte koka frymë, siç do të thoshte shkrimtari, Azem Shkreli, ose kohë e
vrarë në sy, siç thotë shkrimtari, Visar Zhiti, vetë njerëzit dhe
dukuritë mbajnë ngjyrimin dhe frymën e saj. Tek e fundit, kohën e bëjnë
njerëzit, rrethanat, kushtet që i krijojnë ata. Koha në vetvete dhe për
vetveten s’ka rëndësi.
Fytyrën e kohës që shqiptohet në roman Nasi Lera synon ta
shprehë edhe përmes dashurisë. Fytyrës së kohës së tillë, përkatësisht
kërcënimit të saj ia kundërvë dashurinë dhe artin, si dy forma të rëndësishme,
po të mundshme për përballim dhe ngadhënjim mbi të.
Vepron kështu për arsye se përmes dashurisë koha
shpaloset mirëfilli, shprehen përbërësit e saj më thelbësorë e më të ndieshëm.
Kështu, në projektin reality show “Kështjellari” dashuria i
përligj rrethanat dhe frymëmarrjen e mirëfilltë të gjallimit, gjendjen
shpirtërore të njerëzve. Dashuria midis Evës dhe Simonit dëshmon të kundërtën.
Në thellësinë e saj ajo i kundërvihet realitetit të
tillë që është zhveshur nga virtytet, nga dinjiteti dhe mirësia. Mirëpo, autori
Lera këtë nuk e thotë, nuk e pohin, po gjithë kjo del nga thellësia e rrëfimit
poetik për dashurinë e tyre. Eva F. është edhe fytyra e kohës, po në një çast
ajo vetëdijesohet dhe bëhet fytyra e vetvetes. Ajo niset drejt Simonit, po në
të vërtetë niset drejt vetvetes, siç ndodh dhe me të dashuruarit e Këngës së këngëve[6] të Biblës së Vjetër. Në këtë krijesë
poetike të dashuruarit ballafaqohen me
veten e me tjetrin, siç thekson dhe Christos Yannaras: “Tjetri bëhet
‘kuptimësia’, përgjigja e ndjeshme e dëshirës më të thellë e jetike të natyrës
sonë. Ndoshta nuk jemi dashuruar në personin e Tjetrit, po në etjen tonë të
mishëruar në personin e tij[7]”. Së këndejmi, dashuria barazohet me vetë jetën: “Tjetri përbën mundësinë
e vetme për arsye se marrëdhënia jonë me botën është e ndërsjellë. Tjetri është
fytyra e botës, logosi i secilës qenësi objektive. Logosi që më drejtohet mua
dhe më fton në universalen e bashkë-ekzistimit[8]”.
Në Këngën e këngëve
e dashura jeton brenda të dashurit, siç i dashuri jeton brenda saj. Shprehja
hebraike “L?ki lak” shpreh pikërisht
“Nisjen drejt vetvetes” (Shih dhe Zan 12, 1). Qëllimi i të dashurit nuk është
ta bëjë atë (të dashurën) të veten, po ta lirojë, t’i ofrojë gjithë zjarrin e
dashurisë absolute[9]. Edhe kur ata nuk janë afër njëri – tjetrit, ajo është krejtësisht e tij
dhe anasjelltas:
I
dashuri im është i imi e unë jam e tij
ai
kullot midis zambakëve. (2, 16)
Dashuria e Evës me Simonin synon të jetë e pakushtëzuar, po rrethanat dhe kushtet e
jetës konkrete bëhen pengesë, ia zënë frymën dhe në fund ajo (dashuria), bashkë
me ta, shkatërrohen nga të tjerët, që janë fytyra e njëmendtë e kohës për të
cilën rrëfehet në roman.
Romani
– dëshmi e artit të madh
Ajo që e bën romanin “Të gjithë premtojnë Parisin” të rëndësishëm, për shumëçka të
papërsëritshëm brenda prozës sonë, është mënyra e ndërtimit të tekstit poetik,
është rrëfimi poetik i lartësuar nga fillimi në fund. Pra, të shprehurit
poetik, përkatësisht përmasa artistike që e cilëson tekstin e këtij romani,
paraqet vlerën kryesore të tij. Gjithçka tjetër është e dorës së dytë:
shqiptimi i realitetit të përmbysur e të dhunshëm, paradokset shoqërore,
vetëdija e fjetur, bota e brendshme e personazheve, pësimet dhe fatkeqësitë.
Nasi Lera nuk pohon, nuk e përdor të shprehurit retorik,
nuk klith, nuk akuzon pandërmjetësisht, nuk shpreh as pezëm e as urrejtje, as
ndaj personazheve dhe veprimeve që dëshmojnë zhvlerësimin shpirtëror, që janë
të ligj. Ai gjithçka e shpreh përmes një gjuhe poetike sa të veçantë aq dhe të
pasur; i vë përballë faktet e të dhënat, karakteret, rrjedhat dhe veprimet e
ndryshme të personazheve dhe gjithçka ia lë lexuesit; atij i mbetet të
vlerësojë vetë, të përcaktojë se çka është e mirë ose e keqe, ose as e mirë e
as e keqe; çka duhet të vihet në peshojën e dyshimit e të ndërgjegjes ose pse
duhet ta pranojë ose t’i kundërvihet.
Rrëfimi i Nasi Lerës në këtë roman, siç ndodh dhe në
romanet e tjerë të tij, nuk është i shpifur, po i lirë dhe i çliruar; autori
është i sigurt në atë që e rrëfen; nuk i fsheh gjërat as nuk e i zbukuron ato;
asgjë nuk paragjykohet e as nuk të detyron.
Brenda këtij koncepti,
gjërat dhe dukuritë nuk shqiptohen sipas hierarkisë ose rëndësisë së tyre. Ato
kanë vlerë të barabartë. Kështu, burgosja e Ardit, vendosja e Evës F. në vilen e një bosi dhe “shndërrimi” i saj
pronë e tij (edhe në telefon duhet t’i përgjigjet bosit pa u vonuar), prania në
Sheraton e njerëzve më të lartë të pushtetit, shikimi me përbuzje i Evës nga të
tjerët, pastaj, në fund, dhuna dhe pësimi i Simonit dhe i Evës dhe ndërprerja e
dashurisë së tyre, kanë të njëjtin status dhe vlerë dhe nuk synojnë ngritjen
mbi tjetrën. Secila nga dukuritë e përmendura i ka veçantitë dhe dramën e vet.
Për dikë njëra dramë heq më shumë peshë, për një tjetër, tjetra.
As rëndësia dhe vlera e
dukurive dhe e përbërësve të botës së brendshme (të personazheve) nuk përligjet
nga prania e gjatë ose e shkurtër në tekstin e romanit ose nga rastësia, po nga
shtresimi dhe mbishtresimi kuptimor që kanë dhe marrin brenda strukturës
gjuhësore shprehëse dhe barten te secili lexues, sipas natyrës që ka, njohjes
së artit të fjalës dhe shpirtit të tij.
Teksti i romanit “Të gjithë premtojnë Parisin” dëshmon
për shtjellim e për të shprehurit modern dhe për artin e madh që e cilëson. Në
tekst zbatohet një sistem sa i veçantë aq dhe i pasur, sidomos i të shprehurit metaforik.
Nga llojshmëria e shqiptimit të tillë bindesh se qëllimi
i autorit ishte arti, hartimi i një krijese letrare sa më të lartësuar poetikisht.
Pra, në tekstin e romanit mbisundon rrëfimi poetik i
menduar dhe i përftuar me përkushtim e dije, ku përligjet mirëfilli
gjithëpushtetshmëria dhe vlefshmëria e tij.
Brenda kësaj duhet përmendur mënyrat e shumta e të
ndryshme të përftimit të pamjeve poetikisht të rralla, që shkrihen natyrshëm në
kuptimësitë që dalin nga teksti; shmangien e përsëritjeve e të modeleve të
caktuara, ku krijohet sistemi i mozaikëve poetikë të pasur që nuk i gjen tek
prozatorët tanë të sotëm.
Nasi Lera dëshmohet mjeshtër i kapjes dhe i shqiptimit të
çasteve të veçanta, nga të cilët dalin e degëzohen kuptimësi të shumta; imtësi
që nxitin përsiatje dhe meditime të thuash të pafund, pra te lexuesi
shndërrohen në “dukuri” të mëdha e të rëndësishme. Veti e shkrimtarëve të mëdhenj.
Fjalia e tij është e menduar dhe kuptimisht shumësore; e
cilëson drejtpeshimi; metaforat, krahasimet dhe figurat e tjera në këtë roman
janë të rrafshit të lartë dhe me shumicë. Këtë rrafsh dhe harmoni ndonjëherë e
lëkundin rastet kur fjalia fillon me sepse,
me por dhe me prandaj, ose ndonjë përsëritje e fjalës brenda një fraze.
Të sjellësh vetëm një pjesë që dëshmojnë veçantitë dhe
pasurinë e tekstit poetik të këtij romani do të duhej shumë vend. Po sjell disa
që mjaftojnë për të fituar idenë e artit të madh dhe mundësinë e ndikimit
estetik që teksti mund të bëjë në marrësin.
²
Ishte hera e dytë që ajo
largohej si një ëndërr e shqetësuar, duke lënë pas një hije të mjegullt
trishtimi.
²
Edhe vetë qenia e saj nuk ishte gjë tjetër veçse një shkrirje e dhimbshme
e fundit të vjeshtës dhe e fillimit të dimrit.
²
Nata
kishte filluar brenda saj.
²
Plazhi ishte i shkretë, kurse deti ishte i thinjur. Asnjë siluetë njerëzore
nuk dukej sa të hanin sytë. Shiu binte i heshtur si të sitej në dritën e mugët.
Heshtja që shtrihej e lodhur pas gjëmimeve dhe rrebeshit, të fuste në mendime
trishtimin e stinës që po fillonte. Ishte një trishtim që të ngjitej dhe nuk të
shqitej si një mjegull e ftohtë
²
Ai zë kishte për mua butësinë e reve puplore pas
shiut.
²
Unë iu trembesha syve të saj. Ata vlonin nga një vullkan i brendshëm
për të sunduar mbi çdo gjë.
²
Kishim kaluar një mbrëmje shumë të bukur dhe duke thithur erën dehëse
të flokëve të Vesa Destanit, thitha dhe gjithë aromat e asaj nate. Ne ishim
pjesë e saj, pjesë e shiut që filloi të trokasë mbi dritare dhe kur e largova
pak nga vetja, që ta shihja në sy, ajo nuk kishte asnjë lloj frike. Një
shkreptimë e fuqishme, e pasuar nga një gjëmim edhe më i fuqishëm, drodhi
qelqet. Nata kishte shkrepur blicin e saj për ta përjetësuar në kujtesën e
vet...
²
[...] Valixhja me rrota kaloi para meje, se pse m’u duk sikur po
tërhiqte një arkivol. U trondita, sepse vegimi i arkivolit nuk m’u shqit edhe
kur nisi të binte shi. Brenda valixhes dergjeshin ditët e fundit me diell të
vjeshtës.
²
Sa këmbë të bukura që paske. Vithet e kërcyera, si dy maja kodrash
dhe shpatullat e gjera mbi të cilat prehej perëndimi i përflakur i reve të
floknajës së saj, më turbulluan më shumë se fërneti që kisha pirë. Ajo
qëndronte si një statujë e nxjerrë nga viset ku nuk binte shi.
²
Ajo shkoi drejt çelësit, e hapi dhe kur u ndezën të gjitha dritat u
kthye nga unë, e bukur [...] Ashtu si derdhen në vjeshtë të gjitha ngjyrat e
pyjeve të përzierë, ashtu derdheshin prej saj hiret e moshës.
²
Gjoksi, si të mos duronte dot prangat e një trikoje të hollë, të
hapur para, u tund kur më kaloi para si një ninullë e vjetër.
²
Qielli ishte i kaltër, kurse deti kishte dallgë të vogla. Ato vinin
njëra pas tjetrës si një buzëqeshje tërë dritë. Më pushtoi dëshira të dilja dhe
të futesha mes tyre. Gëzimi i tyre do të më përfshinte edhe mua. E doja detin,
megjithëse ai sa nuk më mashtroi atë muzg...
²
Në flokë më kishin mbetur disa fije bari. I hoqa [...] edhe pse doja
t’i merrja me vete, si të ishin reliktet e një muzgu të vdekur.
²
Ngjyra e artë që merrte mbarë horizonti, mbasi perëndonte dielli,
sikur ma afronte edhe më shumë detin dhe, megjithëse nuk ia dëgjoja zhaurimën
që përhapnin gurët e vegjël dhe të bardhë në breg, kur uji tërhiqej, ndjehesha
e spërkatur nga stërkalat, si të ishin grimcat e yllit të fundit që ishte shuar
miliona vite më parë.
²
Dora e saj u lëkund para syve të tij si një degë e njomë, ku gota u
duk si një fole e zhveshur, e braktisur, si të ishte fole zogjsh shtegtarësh,
kur bien gjethet në vjeshtë dhe degët heshtin në pritje të dimrit.
²
Dhe të dy u stepën. Gjaku sikur ua preu këmbët. Si të ishin zgjuar
papritur edhe avujt e harruar të Martinit të bardhë. Evës iu mjegullua shikimi.
Asnjëherë nuk e kishte ndjerë aq tronditëse praninë e një burri. Aq më shumë që
ishte dhe hera e parë që ndodhej vetëm për vetëm me një burrë në një dhomë
hoteli. Edhe kraharori sikur po i zhurmonte, si të përplaseshin aty dallgët e
një deti të panjohur. Ajo ishte e sigurt se kishte ndryshuar edhe në fytyrë.
Veçse nuk po e kuptonte se ç’ishte ajo mrekulli që rridhte nga heshtja. Dhe
priti. Ajo ishte e gjitha një pritje. Ajo që po ndodhte brenda saj ishte e
ngjashme me pjalmimin.
²
Hija e vilës ishte ende në fytyrën e saj, si të ishte mbërthyer pas
poreve të lëkurës me rrënjët e padukshme të netëve, të frikës dhe të vetmisë.
Edhe ajo e kuptoi se nuk po ecnin në rrugën nga kishin ardhur, por nuk pyeti ku
po shkonin. Eva donte vetëm të udhëtonte [...] Për të udhëtimi ishte i
barabartë me harrimin dhe me fillimin e një diçkaje që nuk mund të ishte kurrë
më e keqe se ajo që po linte pas, megjithëse ende nuk e kuptonte plotësisht
ç’kishte lënë pas.
²
Simoni po e shihte si të ishte një krijesë e tejdukshme, dalë nga
shkrirja e rrezeve të hënës me bardhësinë e kreshtave të valëve.
²
Dhe ndërsa dielli po zhytej në det, mbi njollën e madhe të reve
ngjyrë portokalli, u krijua një lumë i ngushtë, i verdhë drite, që dukej sikur
kishte ngrirë gjithë limfën e ajrit. Pastaj deri në horizontin e largët, ndërsa
shuhej drita e asaj dite, kishte nisur përpëlitja e heshtjes së mbrëmjes. Ajo
do të endej e pakapshme mbi det dhe do të hidhte menjëherë rrjetën e yjeve mbi
plazhin e shkretë.
²
Drita e filtruar nga qelqi akull, ia kishte thithur gjithë kohën,
duke e kthyer në një pakohësi, ku ajo ndjehej sa e dehur aq edhe e lumtur [...]
Dhe Simoni nuk po e kuptonte ku po humbiste ashtu, në ç’limbe, në ç’ujëra, në
ç’pyje të përzierë, që jetonin, vetëm se katër stinët ishin të përziera në të
njëjtin çast. Ai flaku tej mbulesat dhe trupat e tyre u shkrinë me natën,
ndërsa indet e trupit thërrmoheshin mes një kënaqësie [...] si të ishte zjarri
i brendshëm i një planeti në krijim e sipër [...] Ulërima e ndrydhur shpërtheu
si një burim uji që ka çarë mes errësirës së rrënjëve të gurit.
²
Sa mbetën vetëm, Eva u zgjat mbi tryezë dhe puthi Simonin. Ajo u
harrua në buzët e tij, si të mos ndodhej në restorantin e hotelit të vogël, por
mes një dëbore të çuditshme, që mund të shihej vetëm me sytë mbyllur [...] Mes
tyre ishte një qiell tërë re të zbardhuara, që derdhnin dëborën e parë të atij
viti.
²
Ajo (dëbora) kishte thithur erën e flokëve të Evës dhe ai u deh. Ai e
tërhoqi pas vetes dhe e puthi marramendës. Dëbora që kishte mbuluar një anë të
fytyrës së tyre u shkri dhe puthja kishte një shije krejt të re, të panjohur, sikur
brenda saj të ishin shkrirë bashkë qielli, retë, toka, dielli dhe ajri i asaj
dite dimri.
²
Në
mbyllje them se romani “Të gjithë premtojnë Parisin” i Nasi Lerës dëshmon mirëfilli për rrafshin e lartë
poetik që ka mbërritur proza jonë e gjatë.
Prishtinë, fillim shtatori
2024
[1]
Shih rreth natyrës së romanit si lloj letrar dhe veçantive të tij dy punimet e
mi Romani – zhanër pa kanone, f. 139
- 142 dhe Romani tradicional dhe romani
modern, f. 143 – 155. Në veprën time “Çështje teorike të letërsisë”. Faik Konica, Prishtinë 2005.
[2] Shih punimin tim Romani
tradicional dhe romani modern. Në veprën time “Çështje teorike të letërsisë”. Faik Konica, Prishtinë 2005, f. 146 –
147.
[3] Shih më gjerësisht në
studimin tim Vëzhgime
mbi “Poetikën” e Aristotelit.. Faik Konica, Prishtinë 2018 dhe Aristoteli, Qasje artit poetik. Përkthimin, studimin
hyrës dhe shënimet Anton Nikë Berisha. Argeta LMG, Tiranë 2020.
[4] Shih punimin tim të
përmendur Romani tradicional dhe romani
modern, f. 149.
[5] Kjo të kujton mbylljen në
shpellë të personazheve të romanit “Karvani i bardhë” të Azem Shkrelit. Shih më
gjerësisht studimin tim Poetika e fjalëve të gurta.
Qasje veprës letrare të Azem Shkrelit. “Argeta – LMG”, Tiranë 2011.
[6] Shih për Këngën e këngëve studimin tim Kënga
e këngëve – kryevepër poetike e dashurisë dhe e jetës.
Me përkthim të ri të tekstit. “Faik Konica”, Prishtinë 2015.
[7] Christos Yannaras, Variazioni sul Cantico dei Cantici.
Edizione Qiqajon. Comunità di Bose. Magnano (BI) 2012, f. 8.
[8] Christos Yannaras, Po aty,
f. 9.
[9] Po aty, f. 119.