Kulturë
Eugjen Merlika: Një mbrëmje poezije Shqiptare në Milano
E diele, 29.09.2024, 06:53 PM
NJË MBRËMJE POEZIJE SHQIPTARE NË MILANO
Nga
Eugjen Merlika
Më
datën 19 shtator, në orën 18.00 në Shtëpinë Muze Tadini, në rrugën N. Jommelli
24, Milano, u zhvillua një mbrëmje kulturore, me rastin e promovimit të
vëllimit me poezi “Rrugë që rrjedhin nga duart e mija”. Autori i vëllimit është
poeti i mirënjohur Visar Zhiti, shkrimtari më përfaqësues i letërsisë shqiptare
sot në botë.
Vëllimi
“Rrugë që rrjedhin nga duart e mia”, “Strade che scorrono dalle mie mani”,
është përkthyer në italisht nga profesor Elio Miracco dhe i paraqitur në një
konkurs ndërkombëtar poezie që mbahet në Camaiore, një qytet i lashtë mesjetar
në breg të detit Ligur, një komunë prej 31776 banorësh , në provincën e Lukës
në Toskanë, e njohur për bregdetin e bukur të saj, për kishat e saj mesjetare,
muzeumet e traditën e qilimave. Në këtë konkurs vëllimi i Zhitit ka fituar
Çmimin e Parë ndërmjet dhjetra vëllimesh të tjerë. Madje njëra nga antaret e
Zhurisë së Konkursit, Cinzia Demi, kishte ardhur vetë për t’a paraqitur librin
në Milano. Mbiemri i saj më tërhoqi vërejtjen e madje në bisedë e sipër para se
të fillonte mbrëmja e pyeta nëse kishte ndonjë zanafillë shqiptare, sepse ishte
një mbiemër i tillë. Zonja, duke qeshur u përgjigj se nuk kishte dijeni, por
nuk e përjashtonte kategorikisht.
Në
drejtimin e promovimit t’asaj mbrëmjeje ajo shoqërohej nga e zonja e shtëpisë,
gazetarja arbëreshe Melina Scalisse, që fliste me vështirësi shqipen por ishte
krenare për origjinën e saj. Ajo kishte në kujdes, mbas vitesh pune në gazetën
“Il giorno” “Dita”, Shtëpinë Muze Hapësira Tadini, një personalitet i njohur i
kulturës së qytetit të Milanos, një poet e piktor modernist, që e kishte lënë
shtëpinë e tij si një muzeum për qytetin e tij. Ndërmjet të tjerëve kishte
njohur edhe piktorin shqiptar Ibrahim Kodra mbas luftës së Dytë botërore. Duke
shfletuar një album pikturash hasëm edhe në një të tillë të bashkatdhetarit
tonë të nderuar e Visari e pyeti drejtoreshën e Museut nëse e dinte se ajo pikturë
i përkiste një shqiptari. Gazetarja u përgjigj se do të interesohej për këtë
gjë.
Këto
biseda bëheshin pa filluar ende mbrëmja e promovimit, e cila në orën e caktuar
e gjeti sallën plot me të ftuar italianë, kryesisht, por edhe shqiptarë. Në
fillim shkrimtari Zhiti i u përgjigj disa pyetjeve të organizatorëve që
përbëheshin nga profesori Mauro Ferrari e gazetaret Melina Scalisshe, Cinzia
Demi e Cristina Daglio. Ai u përgjigj shkurt e me dhimbje, duke treguar disa
nga çastet më të vështira të jetës së tij, siç ishin ata të arrestimit, të
dënimit e të qëndrimit në kampet e punës së detyruar, që ishin dhe ata që
përcaktonin burimin e frymëzimit për një pjesë të mirë të poezive të vëllimit.
Një përimtim të thukët të përmbajtjes së vëllimit e bëri në mënyrë bindëse
profesor Ferrari, që dukej se ishte mjaft i prekur nga drama jetësore e poetit
shqiptar. Ai analizoi disa poezi, duke u ndalur më shumë, jo vetëm në
përmbajtjet, por edhe në disa terma të hasura më shpesh si atdheu, liria,
dashuria etj. Duke përmbyllur analizën e tij i u drejtua poetit: “Ndërmjet të
gjithë koncepteve të trajtuar në poezitë e juaja, cili do t’ishte ai më
domethënësi, më qëndrori, më përfaqësuesi i poezisë suaj? Poeti u përgjigj mbas
një çasti përsiatjeje: dashuria. Salla shpërtheu në një duartrokitje të gjatë e
të fuqishme. Mendoj se ishtebçasti kulmorn i mbrëmjes, thelbi dhe kuintesenca e
saj. Me atë pohim poeti shpalli vlerën universale të veprës së tij, që është e
barazvlerëshme me vetë jetëgjatësinë e mesazheve që i përcillen lexuesve
shqiptarë, italianë, evropianë e botërorë.
Duke
patur në dorë vëllimin lexohej në kapakun e parë kjo shprehje: “Visar Zhiti
është shkrimtari shqiptar, jeta e vepra e të cilit janë pasqyra më e mirë e
historisë së Vendit të tij.” Poshtë këtij vlerësimi ishte në kllapa:( Robert
Elsie, albanolog kanadezo-gjerman). Në tridhjetë vitet e fundit janë të shumtë
vlerësimet e poetit e shkrimtarit madhor shqiptar nga përfaqësues të ndryshëm
të kulturës e letërsisë shqiptare e të huaj të Vëndeve ku vepret janë përkthyer
e botuar, por mendoj se kjo shprehje e studjuesit kanadez është një nga pikat
kulmore ku Visar Zhiti njëjtësohet me atdheun, një koncept që gjindet shpesh në
vargjet e tij, në format e të shkruarit për të shkuarën, të sotmen e për të
ardhmen e tij. E shkuara në poezinë lirike të autorit është në ballë të
mesazhit të tij, edhe se fatkeqësisht përfaqëson një kohë të lidhur me kujtime
të hidhura, me një jetë që ndërpritet barbarisht nga sistemi politik në lulen e
moshës, i cili e trajtoi si armik të tijin, sepse kishte shkruajtur poezi që
quheshin “armiqësore”, që e bëri të vuajë, të ndjehet i huaj në vendin e tij.
Poeti ka shprtin e gjërë e, në bujarinë e tij karakteristike, edhe n’ata
kushte, nuk e njëjtëson regjimin me atdheun sepse simbioza e dy koncepteve
është e paqenë, sepse njëri është i përjetshëm e tjetri i përkohshëm, sepse
“Atdheu im me qiellin e qethur si një i burgosur” (“E shtuna e parë e
arrestit”).
Drama
vetiake, sado e rëndë dhe e dhimshme është një grimcë e dramës së
përgjithëshme, në të cilën asnjë nuk është i përjashtuar:
“Në
bankën e t’akuzuarve
S’u
ula vetëm unë, po edhe ti
Gjykatës
isha edhe unë
A
e di
Ne
njëri tjetrin dënuam
Shqipëri!”
(“Bashkë”)
Në
një çast të theksuar dhimbjeje e pezmatimi poeti shkruan një vjershë me pesë
vargje:
“Njihuni
me skeletin tim
Jam
unë – pa ëndërrat e mija
Pastaj
më jepni ç’të doni,
Përsëri
skelet do të mbetem” (“Skeleti”)
Por
ai “skelet” gjen forcën në vetvete të jetojë, të shkruajë poezi të cilat i
arkivon në kujtesën e tij jo të zakontë e të shokëve të vuajtjeve, sepse nuk
mund t’i hedhë në letra prej frikës së kontrolleve të policisë që mund t’i
shkaktojnë një ridënim, një masë e shpikur vetëm nga komunistët shqiptarë, e të
cilin e kanë provuar shumë njerëz të dënuar. Ai “skelet” përsiat në mëndjen e tij
e i kushton një poemë kompozitorit të madh gjerman Wagner, për të cilën
padrejtësia shqiptare do t’a padisë penalisht se “është i frymëzuar nga një
“kompozitor borgjez, individualist dhe pesimist”. Në poezitë e tij poeti
shpirtmadh nuk zë në gojë ata kolegë të tij që përgatisin akt – padinë e tij në
zyrat e Sigurimit të Shtetit, duke “ndërpretuar” vargjet e tij:
“Tani
qaj unë për ty Wagner!
Arti
qan” (“Mbi piano”)
Ai
skelet pa ëndërra arrin në sublimitet, në madhështi, në shkruarjen e një poezie
që titullohet “Perëndesha e mbrojtjes Copëra mermeri”, kushtuar njeriut më të
dashur që njeriu mund të ketë në jetën e tij, Nënës. Është një monument mermeri
i Karrarës, një përmendore e pavdekëshme letrare e njëkohësisht një simfoni
bethoveniane që ngjitet deri tek Krijuesi, një fletë antologjie që mund të
qëndrojë krahas firmave më të njohura të poezisë botërore. Tema e atdheut
përsëritet më shumë në poezitë, duke vërtetuar brumin e poetit të lidhur me
rrënjët e tij, aq sa të habisë profesorin italian që e gjen disi “të tepruar”,
jashtë kohës. Çështje mendësish e konceptesh....
Po
aq i fuqishëm si koncept mbetet edhe dashuria në poezitë e Visar Zhitit. Ajo
është dhurata e Krijuesit për njerëzit, që siguron vazhdimin e jetës nëpërmjet
riprodhimit, që shoqërohet me ndjenjat më të mrekullueshme, që fillojnë me
tërheqjen fizike dhë ëndërrat e rinisë e mbarojnë me kënaqësitë e rritjes së
bijve e nipave e mbesave, duke shënuar kështu vetë historinë e njerëzimit:
“Asnjë
grua nuk do të bëhej nënë
Po
të mos zhvishej së paku një herë lakuriq” (“Lakuriqësia”)
Në
zymtësinë e jetës në kampet e punës së detyruar një djalë i ri bashkëvuajtës i
tregon historinë e tij tragjike të arratisjes së një çifti të dashuruar, në të
cilën vajza vritet nga rojet e kufirit. Ishte një skenë rrënqethëse kur vajza e
plagosur për vdekje i thotë djalit me gjysmë zëri: “Ik, ik ti shpëto....të
pëshpëriti dashuria. “ Poeti i kushton asaj tragjedije të dashurisë një poezi
të titulluar “Arratisja”. Ai veprim që quhej nga Kodi penal i Shqipërisë
komuniste si “tradhëti ndaj atdheut”, gjen në pendën e autorit frymëzimin më
fisnik e mirëkuptimin më të plotë.
“Çdo
dru dëshironte inicialet
e
emrave tuaj t’i gdhendte
mbi
lëvozhgën e kujtesës”
Për
poetin ajo tragjedi e dashurisë meriton edhe pavdekësinë në kujtesën e vetë
natyrës, madje edhe në Parajsën e Krijuesit. Ai e mbyll poezinë me dy pyetje,
që gjejnë përgjigje në vargun e fundit:
“Ku,
ku dergjet dashuria e vdekur? Ku
As
qyqja s’e di?
Në
të gjithë tokën e atdheut dergjet” í”Arratisje”)
Por
dashuria mbetet gjithmonë oazi në të cilin prehet shpirti i tij i plagosur nga
privimi i lirisë. Në fantazinë e tij, një poezie me titullin “Dashuria” i jep
këtë përfundim:
“Vetë
po nisem nëpër natë dhe vetëm
Do
të kërkoj, do të kërkoj, do të kërkoj
si
dora që endet nëpër dhomë, në errësirë
për
të gjetur qiririn e shuar.”
Ndjeshmëria
e poetit trazohet nga një figurë vajze që kalon çdo ditë para telave me gjëmba
e shkon në punën e saj të përditëshme si mësuese, si infermiere, si prostitutë
apo si.... çdo tjetër hamëndje e djemve të burgosur, së cilës ikushton një
poezi të zjarrtë të titulluar “Mirënjohje”. Do të kisha dashur t’a sillnja në
këtë shkrim të gjithën, por po mjaftohem me pak vargje:
“Ç’je
ti, agullimë e bardhë,
apo
vetë ëndërra?
Mos
je fati që na mungon?
Të
shohim, të shohim, të shohim
Por
s’të ndjekim dot
veçse
me sy....
Kur
të kthehesh
nëse
s’do të kthehesh
në
gjumin e secilit do të hysh
Si
në një mullar bari të shkatërruar
nga
shtrëngatat.
Falma.....
të burgosur....
Prangat
rëndojnë më shumë se gurët e varreve.”
“Mirënjohje”
Treshja
zotëruese e motiveve kryesore të vëllimit të Visar Zhitit “Rrugë që rrjedhin
nga duart e mia”mund të përkufizohet me termat atdhe, dashuri e liri. Poeti ka
një gamë më të gjërë argumentash që trajton në veprën e tij, por un
shkurtimisht po merrem kryesisht me këtë treshe, duke respektuar edhe mendimin
e folësve mbi veprën e tij. Një poet që ka hyrë në burg sepse ka shkruar poezi,
pa tjetër që në qëndër të mendimeve e frymëzimeve të tij do të ketë lirinë.
Shkrimtari i madh italian Umberto Eco shkruan kështu për poetin shqiptar:
“Shihni.....
ndodhia e Visar Zhitit: i mjaftoi të shkruante poezi, të quajtura “të
trishtueshme dhe hermetike”, pra armiqësore për regjimin ..... dhe fitoi me të
drejtë dhjetë vite burg. Poezia i shtie frikë regjimeve autoritare e
diktatoriale, edhe se flet vetëm për trëndafila, si në rastin e Zhitit”
Shkrimtari
italian e rendit poetin shqiptar në rradhët e atyre njerëzve të nderuar që, në
botën jo demokratike, në sajë të dhuntive e vullnetit për t’i shërbyer vlerave
të vërteta të njerëzimit, janë të paracaktuar të luftojnë për idetë e tyre të
humanizmit e demokracisë e shpesh të flijojnë një pjesë të jetës ose vetë jetën
për triumfin e tyre. “Liri, gja aq e shtrenjtë sa e din vetëm ai qi për te s’i
dhimset jeta” shkruante para tetëqind vitesh poeti më i madh i Italisë, Dante
Aligieri.
“Liri,
të dua,
Ty
të besoj,
Nëse
ti je zëri,
Unë
jam gojë
Kur
ti bëhesh harku,
Unë
jam shigjeta
Të
ngulem dua
Tek
e vërteta.....
Mos
pastë arkivole
Për
këngën time.”
Kjo
është besojma e poetit shqiptar në poezinë “Kënga është e mundur”. Ai e shpall
atë hapur pa frikë, pa ndrojtje duke qënë gjithmonë koherent me vehten si
mësues, si i burgosur politik si deputet i republikës, si diplomat i saj, si
atdhetar, si luftëtar pende, si njeri. Në këtë kompleks nuk mund të mungonte
ideali kombëtar, të cilin ai e trajton në poezinë “Vajza me flaut” Kosovës, ku
nxjerr në pah një realitet të dhimshëm për popullin e tij:
“Ku
fillojnë kufijtë e Shqipërisë
Fillojnë
shqiptarët e sakrificave”
Është
një e vërtetë që frymëzon këta dy vargje monumentalë, një padi e tërthortë e
fatalitetit dramatik të historisë së shqiptarëve, një plagë e hapur prej më
shumë se një shekulli në kurmin e drobitur të Shqipërisë.
Kështu
poetit të burgosur një tufë delesh që kulloste jashtë kampit të dënimit i
kujton jetën normale që zhvillohet jashtë telave, duke i zgjuar zilinë, por
edhe një mendim të huajtur nga mitet e lashtësisë:
“Po
sikur të futeshim fshehurazi
poshtë
barkut tuaj,
të
kapeshim pas leshit tuaj të bardhë
si
pas mrekullisë
që
kur t’ju numëronte ciklopi
te
porta e hekurt
të
dilnim dhe ne, jashtë dhe larg, drejt lirisë?” “Një kope delesh”
Shumë
vite më vonë, nga një vizitë në kopshtin zoologjik, poeti në përsiatjen e tij
filozofike e mbyll poezinë e tij “S’më pëlqen kopshti zoologjik i Tiranës” me
këta dy vargje:
“Me
lirinë e gjallë të të gjithëve
Dhe
unë jam më i lirë.”
Ishin
këto disa nga përshtypjet e mija vetiake nga leximi i këtij libri poezish, i
dhënë tashti në gjuhën e tyre edhe lexuesve italianë. Për aq sa mund t’a
vlerësoj edhe përkthyesi Elio Miracco meriton një përgëzim të veçantë, sepse i
ka qëndruar shumë besnik mendimit të autorit. Sigurisht edhe vargjet e lira e
kanë lehtësuar përkthimin, por pa dyshim ky botim në Vendin e poetëve është jo
vetëm një sukses vetiak i poetit tonë por edhe i poezisë shqiptare të pas
komunizmit. Ai ndihmon në dhënien e përfytyresës së vërtetë të Shqipërisë
socialiste, i parë jo nga arkitektët e regjimit, por nga ana e atyre që e
pësuan atë në shfaqjet e tij më mizore, në dhunën e diktaturës, që nuk njohu
kufij e caqe poshtërsie njerëzore.
Por
po kthehem prap tek mbrëmja milaneze e promovimit t’atij vëllimi. Mbas
paraqitjes së profesor Ferrarit e mori fjalën gazetarja arbëreshe Melisa
Scalisse, e cila foli me mjaft kompetencë, duket se e kishte lexuar me mjaft
kujdes vëllimin duke shënuar ato që i kishin interesuar më shumë. Ajo foli me
simpati për poetin duke vënë theksin mbi stilin dhe idetë e poezive, duke u
ndalur në disa prej tyre. foli edhe për përvojën e hidhur të jetës së autorit.
I bëri jehonë kujtimeve të saj të rinisë në fshatrat e Kalabrisë kur atje
kishte shkuar për një sërë koncertesh e shfaqjesh Ansambli Shtetëror i këngëve
e valleve në vitet tetëdhjetë. Tregoi për ndrojtjen e frikën që kishin artistët
të bisedonin me vëndasit, sepse, simbas saj ata i quanin spiunë. N’atë rast
ndërhyri Visari i cili e siguroi zonjën se frika e tyre rridhte nga fakti se
ata i kishin spiunët me vete e jo nga mendimi se vëndasit ishin agjentë.
Problemi ishte për arttistët se për biseda të lira me italianët duhej të jepnin
llogari në policinë e fshehtë kur të ktheheshin në atdhe.
Pastaj
zonja Demi, që vëllimin e kishte brejtur për t’i dhënë vlerësimin e duhur u bë
nismëtare e leximit të nëntë poezive në shqip dhe në italisht. Në shqip ato
lexoheshin nga bashkëshortja fisnike e jetës së shkrimtarit, Eda, ndërsa në
italisht nga zonja Demi. Poezitë e lexuara në rradhë ishin këto: E shtuna e
parë e arrestit; Rrjeshti i këpucëve të burgosura; Rileximi i Don Kishotit;
Arratisje; Thesi i të burgosurit; Mirënjohje; Nesër; Shekulli i fëmijëve;
Shpirti i im; Mendim rinor.
Të
gjitha poezitë u shoqëruan me duartrokitje të vazhdueshme, shprehje e
vlerësimit dhe mirëkuptimit të mesazhit të tyre. Folën pastaj edhe katër a pesë
të pranishëm mjaft pozitivisht për poezitë dhe autorin, ndërmjet të tjerëve
italianë e shqiptarë edhe një shkrimtare bjelloruse që vuri në dukje me keqardhje
se në kushtet në të cilat ka qënë poeti shqiptar janë rreth 1500 të burgosur
politikë si pasojë e lulëzimit të diktaturës në vënd. Ajo kërkoi vëmëndje nga
qytetarët e botës së lirë edhe për viktimat e dhunës bjelloruse.
Ato
dy orë që vazhdoi mbrëmja e promovimit qenë një rast i bukur njohjesh, shkëmbim
mendimesh e miqësimi e të gjithë falënderuan poetin shqiptar që u kishte
krijuar atë rast me botimin e veprës së tij, por edhe organizatorë te këtij
aktiviteti kulturor të rëndësishëm.
Dielli