Kulturë
Ndue Dedaj: Një e dielë me Homerin
E hene, 14.10.2024, 06:52 PM
NJË E DIELË ME HOMERIN
NGA
NDUE DEDAJ
Ku
nuk të kërkova, mor burrë, që të më gjeje Homerin, por, për fat e gjeta te
kioska e gazetave, - më foli buzagaz fillerojtësi i moshuar me kapë mbi ballë.
S’e kisha parë prej kohësh, që kur kishte dalë në pension nuk vinte më në
Postë, por merrej me kopshtin në fshat.
Sot
kishte zbritur në qytet për Homerin. Dhe e kishte gjetur te kioska e gazetave.
Po ç’kërkonte Homeri aty? Kishte shkuar të blinte ndonjë gazetë? Në kohën e tij
nuk kishte të tilla. Shkruhej në pllaka dheu. Dheu atëherë ishte industria e
kohës. Me të piqeshin tjegullat e tullat. Me dhé përgatiteshin dhe fletët e
librave. Vetëm heshtat nuk bëheshin prej dheu...
Fillerojtësi
hapi plastmasin që mbante në dorë, brenda tij ishte “Iliada” e Homerit. Tha se
e donte për nipin e tij, pasi e kishte në mësim dhe duhej të përgatitej për të
nesërmen. E ftova për kafe, por ai tha se nuk kishte kohë, se i nipi e donte
një minutë e më parë Homerin. Iku i gëzuar, por më i gëzuar mbeta unë këtë
mëngjes, aty në sheshin e qytetit. Një nip që kërkonte me lexue Homerin dhe një
gjysh që vraponte nga fshati në qytet për me ia gjet rapsodin e madh të botës
të nipit. Kjo do të thotë se Homeri është gjallë, nuk ka dhënë shpirt tash dy -
tri mijë vjet. Këtë e kuptova këtë të dielë. Vërtetë, a kishte kalendar
atëherë? A kishte të Dielë, si sot, në kohën kur rroi Homeri, apo asokohe
kishte një tjetër kohëmatje, të tjerë kohëtregues?...
Po
pse u dashka ta vras mendjen unë për këso gjërash? Ishte historia për këto. Ama
që Homeri nuk u gjet në shtëpinë e tij, por te “komshiu” (kioska e gazetave),
kjo nuk është diçka e denjë për kohën tonë, që ia ka hequr atij çatinë mbi
krye. Shqip, që nuk ka më librari! Gjyshi nuk mund të priste të hënën që të
hapej Biblioteka, ku Homeri rri në krye të vendit, se nuk e linte i nipi. Ku më
i gjetë nipa të tilla që të nxjerrin nga shtëpia që më natë, për me iu sjellë
në shtëpi Homerin, Danten, apo... Hang Kang, nobelisten e fundit.
Nipër
të tillë paçim! Se mbesat lexojnë dhe pa i uruar.