Kulturë
Ndue Dedaj: Poetika e andrrës si bisedë intime me veten
E marte, 15.10.2024, 06:44 PM
POETIKA E ANDRRËS SI BISEDË INTIME ME VETEN
-
Hekuran Koka, “Asgja përtej andrrës”, poezi, (“Emal”, 2024) -
NGA
NDUE DEDAJ
Andrrat
janë burime të përjetshme të poezisë dhe bash për këtë nuk është e lehtë ta
kalosh provën e poezisë së andrrës, por poeti i pabujshëm Hekuran Koka ia ka
dalë ngaqë në librin e tij të tretë poetik “Asgja përtej andrrës”, njëzet e dy
vite pas një libri poetik studentor, ka parë ëndrrën e tij dhe jo të tjerëve.
Ëndrra e tij poetike nuk është fjalëmadhe, por si një bisedë intime me
vetëveten, ku i rrëfehet andrrës dhe rrëfen për të si njeri, si prind, si mençar
që di të shqiptojë në poezi “gjuhën” e dokeve të maleve të veta, ashtu si
Martin Camaj, Agim Vinca, Agim Spahiu etj. poetë të trevave të Drinit.
Ky
poet ka ligjërimin e tij poetik meditativ, që kalon përmes lulesh e lulimash
simbolike: “Narciz”, “Orkide”, “Tulipan”, “Krizantem”, “Zambak”, “Jasemin”, që
janë dhe nëntitujt e librit, apo më saktë titujt e cikleve poetike, që
përmbyllen me “Poema ime”, një kurorëzim i lirikës së këtij autori, që nuk
ngutet për të dalë me libra e për të publikuar poezi, edhe pse ka botuar libër
poetik që gjimnazist e poezia e tij ka tërhequr vëmendjen për të veçantën që
mbart. Ky poet nuk thërret përmes vargjesh: ej, ja ku jam dhe unë, por
modestisht paraqet para lexuesit një tufë poezish, që e nderojnë autorin. Duke
i lënë mënjanë epitetet për Hekuranin si poet, ne preferuam ta lexonim me
vëmendje poezinë e tij, duke iu rikthyer disave prej tyre, që veç na shijuan më
shumë. Këtë do të dëshironim të bënit dhe ju, të përfshiheshit në bisedën
intime të tij me veten, pasi do të përftonit emocion.
Ndonëse
relativisht i ri në moshë, poeti deklaron që në krye të herës:
“Kam
nisë të plakem
Edhe
të flas me vete
E
me veten të mos di të merrem vesh…”
Pra,
një poet i pjekur, jo entuziast, që mediton për gjerat më të thjeshta, të
përditshme, njerëzore të kësaj bote, pa kurrëfarë poze e “filozofimi” ex
katedra, çka e bën poezinë e tij të besueshme dhe natyrisht, jo pak filozofike.
Poezia në vijim “I zënë peng”, si një muzikë e çlirët dhe njerëzore, do të
mjaftonte për t’iu tërhequr në thellësi të librit. Aq natyrshëm, si një andërr,
vjen dasma me “daullet që ushtojnë” e dhëndrrin që endet “odës me çorapet me
lule”...
Lajtmotivi
i andrrës, metafora e saj, te ky poet është organike, si një andërr e jetës që
ka pengjet e saj:
“Kam
rënë të fle një pasdite vere,
E
kam mbetë peng në një ëndërr”,
që
është një ëndërr e hershme fëmijërie e rinie e herot lirik, që është vetë
autori.
Ndër
poezitë më përfaqësuese të stilit të poetit janë: “Kam nisë të plakem”, “I zënë
peng”, “Ringjallje”, “Zheg”, “Mëngjes”, “Mos më lër të rritem”, “Histori
dashunie”, “Le ta ndërtojmë një shtëpi”, “Përtej kepit”, “Patriotizëm”, “Ujku
ndër dhen”, “Parajsa”, “Leqet”, “Copëza teatrale” dhe natyrisht “Poema ime”
etj.
Në
një mënyrë apo në një tjetër, shpesh kujtesa e autorit fluturon në vendlindje,
në malësi, në atë skaj verilindor të vendit, në bjeshkët e Lumës, duke e
përthekuar gjithnjë poezinë e tij me amën e gegnishtes së atyre anëve:
“Atje,
fisi im
Priti
që unë t’i tregoj ç’asht liria!
E
unë, lirinë atje kërkoja...”
Në
“Kangë vendlindje”, biri i pandërruar i maleve, ani se mund të jetojë në
bregdet (Lezhë), shkruan se atje në Grykën e Çajës fërshëllen era, e cila:
“me
këndue don!
Don
me vajtue!”
Siç
shihet nuk duhen shumë fjalë për të folur me dheun tënd. Motivi i vendlindjes
“andej kah dielli lind” është i dukshëm tek ky autor, atje ku “sa ndryshe janë
yjet e bjeshkës me yjet e knetës”, pasi “yjet e bjeshkës mbyten në Dri”.
Poezitë
e dashurisë janë ndër më të bukurat e librit, ku në poezinë “Përtej dashurisë”
lexojmë:
“Menduam
se mjaftonin unë e ti!
...
Por
zëri lozanjar i një fëmijë
Është
më shumë se unë e ti!”
E
ku mund të jetë më shprehës se tek dashuria lajtmotivi i ëndrrës, ku autori
shpërthen me një kumt kaq origjinal në poezinë “Ndjenjë”:
“Dhe
unë e dashur, nuk di ç’të them!
Çdo
natë me ty dua të vdes;
t’më
bëhesh ënderr, ti dita ime,
e
të dashurohem me ty në çdo mëngjes!”
Ëndrra
është aq më shumë tek malli njerëzor për njeriun e shtrenjtë, shpesh jo
konkret, por fluid, si në poezinë “Mall”:
“Kam
nevojë për dikë,
Me
pa andrrat në sytë e mi”. Pikërisht që të mos e mbysë malli njeriun, poeti
thërret nga thellësia e qenies së trazuar: “O natë, sosu!”
Nuk
kanë si të mungojnë në një libër andrrash poetike andrrimtarët, të cilëve
“andrrat ua përpushin gjakun / kur ngarendin”.
Merita
e librit është se andrrat në të nuk janë vetëm andërritje të bukura djaloshare,
por kur ato nuk përmbushën, kthehen në brenga, çka i jep një tjetër përmasë
kuptimit të ëndrrës si metaforikë.
Në
poezinë meditative me titull “Të kërkosh falje”, poeti befason me vargjet
thellësisht tragjike:
“Mbajmë
mbi shpinë gurët e varreve të atyne
që
s’patën varr asnjiherë...
Të
atyne që qenë ushtar të panjohun
të
luftnave pa kuptim…”,
e
cila përmbyllet në mënyrë sa sublime, aq dhe absurde, pasi e tillë ka qenë dhe
tragjikja e jetës:
“Asht
e randë me e shkulë nji gur varri prej shpirti
e
me e vu mbi shpinën e nji të vdekuni”.
Poeti
sheh në thelbin e kontradiktës së jetës, në kuvendimin e tij me njerëzit e
dashur, si në poezinë “Gjyshja ime”:
“Të
ngre në krahë e të puth në flokët e bardha.
E
ti qesh si fëmijë,
edhe
pse njerëzit janë mbledhë për mort”.
Kujtesa
e vdekjes është e pranishme në mjaft poezi, ku sërish shfaqet metafora e
ëndrrës:
“Mos
shkoni natën në varreza!
...
Atje,
të gjitha andrrat të përndjekin...”
Poetika
e Hekuran Kokës është e pllenuar ngado me ëndrrën: “e të merr lumnisht ndër
vise andrrash” (“Parajsa”), “harta vendesh prej ëndrrash” (“Vetëm yjet”), “të
mbarsun me andrra” (“Kishim ndodhë të vegjël, vlla”), “andrrat janë të idhta”
(“Andrrat”), “dhe i sheh ëndrrat, një e nga një / të shkërmoqën poshtë këmbëve”
(“Leqet”) etj.
Në
poezinë e këtij libri ndihet filozofia e odave malësore, që përcillet përmes
modernitetit poetik dhe do të ishte interesante nëse ndokush do ta kundronte
librin nga ky kënd, për të zbërthyer kode të fshehura të tipit: “Si mund të më
kërkohet të vras dashurinë / E të dashuroj përsëri?!”, “E shtëpia jonë / do ta
mundë kohën”, “E dhentë vajtuen ujkun që u vra”, “Rikthehesh të lexosh librin /
të cilit harrove t’iu vësh shenjë”, “në këtë botë ma të vogël se ne” etj.
Poezia
“Kam nisë të plakem”, sikur na thotë kam nisë të mos jem më ai poeti i ri
andrrimtar, pasi:
“dëshira
me ndryshu botën asht davaritë
si
mjegulla e Grykës së Çajës...”