Kulturë
Rudolf Marku: Antologjia e Poezive më të bukura të Botës
E premte, 18.10.2024, 06:06 PM
'ANTOLOGJIA E POEZIVE MË TË BUKURA TË BOTËS'
Nga
Rudolf Marku
Qëllimi
i kësaj përmbledhjeje është sjellja në një libër të vetëm i disa prej poezive
që më kanë pëlqyer më tepër, gjatë leximit të poezisë botërore, përgjatë shumë
viteve.
Struktura
e këtij libri nuk është as tematike, dhe as gjeografike. Është një përmbledhje
e poezive që i kanë shfaqur rezistencë dhe qëndrueshmëri kohës, falë kanoneve
të veta estetike.. Qëllimi im është t’iu ofroj lexuesve kënaqësinë e leximit
poetik, në kuptimin e thjeshtë, dhe, njëherësh kompleks, të konceptit kënaqësi
leximi.
Libri
është një katalog poetik që përfshin krijimet që nga fillimet e shkrimit,
Mesopotami dhe Rigvedat e Tibetit, deri në kohërat tona. Poezia e shekullit të
XX zë një vend të rëndësishëm në këtë vëllim.
Në
planin personal, ky libër është një ndalesë e imja gjatë udhëtimit tim gjysmë
shekullor në peizazhet e fushave, vargmaleve, honeve dhe greminave,
njëkohësisht të frikshme dhe joshëse, të Poezisë Botërore. Një peizash, pjesë
të rëndësishme të së cilit kam konsideruar dhe vazhdoj ta konsideroj edhe
poezinë e shkruar në gjuhën Shqipe.
Përmbledhja
përfshin tetëdhjtë e dy poetë, dhjetë prej tyre Nobelistë, dhe përmban njëqind
e dyzet e pesë poezi.
Kam
bindjen se ky libër përfaqëson disa nga arritjet më të mira të poezisë në botë,
poezi e cila nuk kërkon të vetëspjegohet para kritikëve skeptikë dhe para
lexuesve, përse është e tillë; një poezi që ka kurajon të vetëquhet poezi,
ngase kanonet estetike përputhen me gjithë krijimtarinë më të mirë poetike në
tërësi; por dhe duke qenë poezi që nderon përparësinë e komunikimit me lexuesin
- sa kohë që jemi krijesa të gjuhës - dhe që është pjesë e tërësishme e vlerave
të shpirtit Njerëzor!
Libri
është i treti me përkthime poetike që botoj këtë vit- 2024- krahas librave të
Safos dhe Katulit, botuar nga Shtëpia Botuese e respektuar ‘Dukagjini’, Kosovë.
Ndërsa
‘Antologjia’ e Poezive më të bukura të Botës është botuar nga Mediaprint, një
emër që shquhet për botimet me elegancë dhe sqimë profesionale, nën kujdesin e
redaktorve Katjusha Pogaçe dhe Silvana Farruku, dhe të Graphic Design të Elsi
Kondos.
Libri
mund të gjëndet në Librarinë Adrion dhe në shumë librari të tjera të
Kryeqytetit.