Kulturë
Lekë Mrijaj: Kolë Gjergji - Kam etje
E marte, 22.10.2024, 06:54 PM
Struktura dhe përmbajtja e librit 'Kam etje' nga Mag. theol. Kolë Gjergji një përshkrim i jetës dhe veprës së Nënë Terezës
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Në librin monografik, teologjik dhe
shkencor me titull "Kam etje" të autorit Mag. theol. Kolë Gjergji, gjejmë
një përpjekje të hollësishme në përmbledhje të jetës dhe veprës se Nënë Terezës
në katër kapituj kryesorë dhe nënkapituj. Ky libër, përgatitur në mënyrë
profesionale edhe teknikisht nga autori, êshtë një libër qe përfshin
parathënien dhe fjalën hyrëse nga mons. dr. Leo M. Maasburg, një recension nga
don Marjan Marku, kanonik në Zvicër, si dhe një reflektim nga shkrimtari Ndue
T. Ukaj. Kapitujt në fjalë të artikuluara ofrojnë një përshkrim të detajuar të
jetës së Nënë Terezës, duke e udhëhequr lexuesin nga fillimet e saj deri te
shpallja si shenjtore.
Kapitulli I me titull "Shën
Nënë Tereza ikonë e dashurisë"
përmbledh jetën e hershme të Nënë Terezës, duke filluar nga lindja në Shkup,
fëmijëria dhe edukimi fetar që e çoi drejt thirrjes për të shërbyer. Këtu,
autori thekson vendlindjen, përvojat e fëmijërisë dhe themelimin e rregullit
"Misionaret e Bamirësisë". Themelimi i këtij rregulli është një pikë
kyçe në jetën e saj, pasi përkushtimi për të ndihmuar të varfrit u bë themel i
rrugëtimit të saj drejt shenjtërisë.
Kapitulli II me titull
"Përshpirtëria eukaristike e Shën Nënë Terezës" fokusohet në lidhjen shpirtërore të Nënë Terezës me
eukaristinë. Ky aspekt është thelbësor, pasi për Nënë Terezën, eukaristia
përfaqësonte zemrën e shërbesës ndaj të varfërve dhe të braktisurve. Autori
Gjergji detajon sesi euharistia nuk ishte vetëm një akt liturgjik për të, por
një burim frymëzimi dhe përkushtimi ndaj Zotit dhe njerëzimit.
Kapitulli III me titull "Jeta
është e bukur" trajton rëndësinë që Nënë Tereza i jepte çdo momenti të
jetës, veçanërisht duke u përqendruar në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor.
Gjergji ka përzgjedhur mbi 113 citate të Nënë Terezës, që pasqyrojnë bindjet e
saj të thella për jetën dhe dashurinë ndaj njerëzimit. Shprehja "Jeta
është e bukur" përmbledh filozofinë dhe përshpirtërinë e saj, duke
theksuar se çdo jetë ka vlerë të jashtëzakonshme dhe duhet respektuar e
mbrojtur.
Kapitulli IV me titull "Nënë
Tereza shpallet e lumtur dhe shenjtëreshë" përqendrohet në shpalljen zyrtare të Nënë Terezës si
shenjtore nga Vatikani. Kapitulli përfshin përshkrimin e procesit të lumturimit
dhe shenjtërimit, duke filluar me homilitë e Papa Gjon Palit II gjatë
ceremonisë së lumturimit dhe përfunduar me ceremoninë e shenjtërimit nga Papa
Françesku. Gjithashtu, autori ndan përjetimet e tij personale në këtë ngjarje
historike, duke përshkruar emocionet dhe ndikimin shpirtëror të këtij momenti.
Kapitulli përfshin edhe reflektimin mbi "Nënë Tereza dhe shqiptarët".
Vlen të theksohet rëndësia e këtij libri në ndihmën për të kuptuar më thellë
Nënë Terezën, jo vetëm në aspektin e saj humanitar, por edhe në përkushtimin
ndaj eukaristisë dhe besimit. Libri bazohet kryesisht në literaturë gjermane,
gjë që tregon një thellësi dhe saktësi hulumtuese të madhe.
Këto katër kapituj të librit
"Kam etje" përfaqësojnë një udhëtim gjithëpërfshirës në jetën dhe
veprën e Nënë Terezës, nga një fëmijë e përulur në Shkup deri tek një shenjtore
globale. Struktura e librit përshkruan jo vetëm momentet kyçe në jetën e saj,
por edhe thellësinë e përkushtimit shpirtëror, si dhe dashurinë për euharistinë
dhe vlerën e jetës njerëzore. Përgëzime dhe shumë urime për librin mr. sci.
theol. Kolë Gjergji. Suksese...