E merkure, 30.04.2025, 11:09 AM (GMT+1)

Kulturë

Feti Tunuzliu: Kulla e plagosur

E diele, 20.10.2024, 06:08 PM


Feti Tunuzliu

KULLA E PLAGOSUR

(Me rastin e vizitës në Kompleksin Përkujtimor "Adem Jashari" në Prekaz – Skenderaj)

Në mugëtirën e galerive dhe odave ngjyrash t'mbyllta,

m'u përfytyruan sulmet e mallkuara ndaj mureve t'zymta

dhe mbrojtja e pragut t'kullës me breshëri t'plumbave

që po lahej me gjakun e flakërum të t'ngujuarëve.

Ndërsa sot, në Fushën e Pajtimit prehen martirët qetë,

pullazi i kalltër, muret e rrënuar, t'zgavruar e me blozë baruti mbetë -

këto skena rrëqethëse t'betejës së trishtë të kullës së bekuar,

nëpër damarë m'a sollën gjakun te thembrat shpejtuar.

Nga kjo kullë n'faqe bregu ku u këput kënga e marsit,

ndjej edhe sorollatjet e djallëzuara të hienave t'shpatit,

gjëmën e mortajave, minave, ... sikur buron prej natyre

dhe ulërimat e fëmijëve kokë e këmbë ngjit për nënat e tyre.

Këtu, çdo pore gurësh rrëfen legjendën e stuhive t'dhembjes

duke shpalos traditat liridashëse dhe nderin e familjes,

që mbrohej nga balli i burrave të dheut - luftëtarë beteje,

yshtur nga dufi i zemrave të ndryme të kësaj ndeshjeje.

Nën muret e kullës së cenuar – gurra e sythave trashëgues,

që sot flatërojnë si shqiponja me zemër përvëlues,

e ti - arenë beteje ku luftëtarët e tu u përtypën nga gjakpirës,

e madhërishme dhe heroike - monument i sakrificës.

Pas këtyre përjetimeve memece n'ambiente luftarake,

në mendje më bredh vërdallë Besarta miturake:

vallë, si i buzëqeshi i bardhi fat në këtë fatkeqësi,

duke shpëtuar virgjine nga plumbat për mrekulli !

Pra, s'isha në vegime trishtuese brenda lëvozhgës së lënduar,

kësaj vatre qëndrestarësh tri agime ngjim duke luftuar,

ku nuk ra gjallë në dorën e gjakatarit asnjë burrë, ...

gjakatarit përlyer duart me gjak - e me gjak s'u ngi kurrë !



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx