E merkure, 04.12.2024, 05:53 PM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Mjegull mes miqsh

E shtune, 26.10.2024, 05:42 PM


Blerim Rrecaj

MJEGULLA MES NESH

Mjegull mes miqsh

Miqtë më thonë:

Pse s'mëson ta ngasësh veturën

Pse s'mëson ndonjë gjuhë botërore

Pse s'gjen dhe s'mban një punë të mirë

Pse nuk hap diç personale a ndonjë biznes

Pse s'gjen dikë me ndikim e krahë të fortë

Pse s'provon edhe andej kah partitë

Pse s'provon të dalësh jashtë shtetit

Pse nuk ia mban dikah sa nuk është bërë vonë

Pse nuk kërcen siç bie tupani

Pasi që kështu te ne është kah shkon

E di që ma duan të mirën miqtë e mi të mirë

Si unë kaq rrëmujë më duket se i kanë punët

Vëtëm i dëgjoj dhe s'u jap asnjë këshillë

Pëllumbat e grindjes

Në një natë pa hënë

Kur po zbriste mjegull

Derisa një rrugë kalonim

Burrë e grua të tronditur të paqeshur

Njëri-tjetrin për diç e kundërshtonin

Papritur plumba qorr veshshpues

I rrokën e i plagosën

Pa ndjenja të dy ranë në tokë

Në shtretër spitali i sollën

Ç'u bë si ndodhi kush ne këtu na shtriu

Pyetën e pyetën e prisnin përgjigjje

Kur u zgjuam nga gjysmëvdekja

Që do të thotë nga gjumi

U thanë se hetimet vazhdojnë

Në drejtim të atij që shtiu

Dhe kjo copë historie e turbullt

E paqartë  e ngatërraçe

Kishte fund të lumtur

Plumbat u bënë pëllumba

E vazhdojnë jetën në paqe

Kur mjegulla gudulis

Të nis të them diçka

Po nuk di se nga të nis

Ja kjo mjegull që paska ra

Diç davarit e seç na gudulis

Me çantën mbushur libra e fletore

Për në shkollë nisemi këtë mëngjes

Unë me djalin dorëpërdore

Kalojmë një udhë një shteg një kthesë

Kaishat e çantës supet rëndojnë

Ata si çiftelinë i vë në dyzen dora

Të duket se je duke bartur

Një gjysëm thesi me molla

Si binarë këta rripa çante

Ku ecën treni me vagonë

Që e di se për ku po niset

Që e di mirë se ku po shkon

E pastaj këto molla

Do të shpërndahen në klasë

Rrugën e kthimit bashkë me djalin

Do ta bësh me çantën thatë

E kështu duke ecur

Seç na rrëmbeu valle ëndërrimi

Një shkop magjik në të cilin mbështetemi

Na mbush me ndjenja gëzimi

Rrugët mbushur me nxënësa

Ja ku takohen disa shokë

Gjallëri e tyre tund e shkul mjegullën

Vetmevete e bëjnë me folë

Tek mbërrijnë fare pranë shkollës

Një trëndafil kryepërpjetë

Petale veshur kuq e verdh

Është si një koktej me dredhëz e pjeshkë

Një trohë më tej kutullaq

Zgjohet një mace lara-lara

Siç u zgjuan gjithë këta çamarrokë

Aty e diku e përreth nja gjysmë ore më përpara

Bie zilja e shkollës

Sirena veturash nëpër rrugë

Shpërndahen njerëzit punëve të veta

Dikush me nge e dikush për ngut

Dielli mjegullës i thotë natën e mirë

Kur ende endet paraditja

Ngutuni zgjohuni o gjumashë

Se s'do t'u them më mirëmëngjesi po vetëm mirëdita



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora