E merkure, 11.12.2024, 10:38 AM (GMT)

Mendime

Llesh Ndoj: Unë jo! Ju a jeni krenar z. kryeministër?

E enjte, 24.10.2024, 05:57 PM


UNË JO! JU A JENI KRENAR, ZOTI KRYEMINISTËR?

- Letër e pa dërguar për zotin Rama -

Nga Llesh Ndoj*

Partia Socialiste e Shqipërisë, së afërmi, po e mbyll mandatin e saj të tretë në drejtimin e vendit dhe të gjitha parashikimet të orientojnë drejt konkluzionit se edhe mandati i ardhshëm do t’i përkas asaj, ndoshta me diferenca edhe më të thelluara se tri mandatet pararendëse. Këto mandate kanë në trupëzimin e tyre edhe votën e kontributin tim shumë modest dhe për këtë nuk jam aspak i penduar, por çeshtjen e shtroj pak më ndryshe: - A ndjehem unë krenar me gjendjen aktuale ku ndodhet Shqipëria, me punën e subjektit ku shumë kohë kam aderuar e gjithnjë kam kontribuar, në drejtimin e vendit nga klasa aktuale politike e përzgjedhur nga zoti Rama personalisht, në cilësinë e Kryetarit të PS-s dhe Kryeministrit më jetëgjatë në pluralizëm? Pak më tej se kaq: Po vetë Kryeministri Rama, a duhet të ndjehet krenarë, për sa më sipër? Natyrshëm që pyetja e dytë nuk mund të marr përgjigje prej Ramës, e as unë nuk mund t’i jap një përgjigje të saktë se si ai ndjehet, por si votues i tij mund të jap vetëm opinionin tim, se a duhet të ndjehet krenar ai. As përgjigja për veten time nuk do të kishte ndonjë vlerë në se ajo do të vinte “e thatë”, thjesht me një “po” ose një “jo”, prandaj do të më duhet të bëj pak analizë, sipas asaj që unë ndjej dhe mendoj, nisur nga pozita e të qeverisurit prej atyre, që me dëshirë ua kam dhënë votën e kontributin tim politik modest.

Në këto vite të drejtimit të shtetit prej Ramës e prej Rilindjes, vendi ka bërë hapa të rëndësishëm në procesin e shtetbërjes, e kjo natyrshëm që personalisht më bën krenar, por fatkeqësisht, shumica jonë jemi dëshmitarë të një shteti refraktar, krejt të pandjeshëm ndaj halleve reale të njerëzve, me një administratë të paaftë për t’u dalë zot situatave të krijuara, mendjemadhe e deri arrogante në të gjitha nivelet që unë njoh, ku kriteret profesionale, të integritetit moral e të ndershmërisë, të llogaridhënies e shërbimit ndaj votuesve, nuk hyjnë fare në listën e kritereve për rekrutimin e saj. Mua kjo më bën tepër pesimist. Nuk di a të bën krenar Ty zoti Kryeministër?

Nëse kriteret e njohura ligjërisht e të duhura moralisht, nuk janë zbatuar në ngritjen e funksionimin e kësaj administrate publike, të paktën kriteri politik a ka funksionuar siç duhet? Thënë më shkoqur, a ndjehem unë si votuesi juaj i përfaqësuar prej kësaj administrate publike në tërësinë e saj? Aspak! E them këtë, jo në kuadrin e xhelozisë së një ishi, pasi rreth një çerek shekulli larg saj më ka mësuar, se “të vdesësh” për të punuar në shtet sot, kur sektori privat të jep më shumë mundësi të administrosh aftësitë dhe të ardhurat tuaja, më së shumti do të ishte paaftësi e dështim, ose poshtërsi e mendësi pasurimi pa punë, por e them se kjo administratë nuk është në thelbin e saj, përfaqësuese e socialistëve, përfaqësuese e atyre që janë socialistë të

vërtetë nga shpirti, por përfaqësuese amalgamë e një shtrese njerëzish ku përzihen dukshëm paaftësia, vasaliteti, korrupsioni e shumë vese të tjera. Ndoshta, por kjo akoma nuk është konkluzioni im përfundimtar, kjo është klasa përfaqësuese tipike e asaj që quhet “Rilindje”, e unë akoma gabohem duke e kujtuar atë si socialiste.

Drejtësia e re është ajo që serviret si krenari, apo “qershia mbi tortë” e reformave të kësaj mazhorance. Nuk jam larg së qëni i ndërgjegjësuar se në këtë fushë po thyhen disa tabu e po ndodhin zhvillime të shumëpritura e të mirëpritura nga ne, që s’kemi pse të shohim aq lart. Por, drejtësi nuk është vetëm Struktura e Posaçme e Prokurorisë dhe Gjykatës. Strukturat e tjera, përfshirë organet qeverisëse të sistemit të drejtësisë dhe funksionaliteti i strukturave të drejtësisë së përgjithshme, janë shumë larg të të bërit të njerëzve krenar me to. Për fat nuk kam pas të bëj asnjëherë me to dhe shpresoj të mos kem edhe në të ardhmen, por njoh vetë e mësoj nga kolegë juristë, shokë e miq, plot raste kur prokurorë “minorë” e gjykatës pa integritet “të bëjnë gropën” me procedura, e të bëjnë të thuash: - Për kështu, kurrë mos ardhsh drejtësi! Natyrisht unë s’jam krenar me këtë gjendje dhe e di se po t’a pyesja Kryeministrin, në se është ai krenar apo jo, përgjigja standarte do të ishte: Drejtësia është pushtet më vete e qeveriset nga organet e saj, ndaj po kaloj në një tjetër aspekt, gjithnjë të lidhur me të! Pas hekurave kjo drejtësi ka dërguar disa eksponentë të kësaj mazhorance, ish - ministra, ish - deputetë, ka në kërkim një nga zëvendëskryeministrat e ministrat më afër Ramës, pa hyrë tek nivelet e drejtorëve të lartë, e administratorëve të mëdhenj e të vegjël bashkiakë etj. Akuza kryesore ndaj tyre është korrupsioni pasiv e shpërdorimi i detyrës, që do të thotë shpërdorim pushteti, apo popullorçe, shpërdorim besimi ndaj votuesve. Këta njerëz mua nuk më kanë bërë krenarë, kur i kam parë të ngjiten në “ashensorin” e Kryeministrit me shpejtësi rrufe, as nuk më bëjnë krenar sot që janë ose në burg, ose pranë tij, por do të doja t’a pyesja zotin Kryeministr, se si ndjehet ai sot me ta? A ndjehet ai krenarë? E di gjysmën e përgjigjes standarte për këtë rast: Qeverisja është përgjegjësi kolektive, përgjegjësia penale është individuale! Kush gabon, të vejë para drejtësisë! Shumë dakort edhe për këtë, por emërimi i tyre në ato poste të larta, jashtë kritereve të njohura politiko - profesionale, emërim që votuesit socialistë, përfshirë mua, nuk i bëri asnjë ditë krenarë, i bërë me përzgjedhjen tuaj personale, zoti Kryeministër, a ju ka bërë ndonjë ditë krenarë dhe a u bën sot të ndjeheni sadopak përgjegjës ndaj atyre njerëzve, që i keni bërë të ndjehen kokëulur për këtë përzgjedhje tuajën, të cilëve shpejt do t’u ridrejtohesh për t’ua marr prapë votën? Ne të kemi besuar, zoti Kryeministër, e kemi votuar listën që na keni servirur ju, ndonëse në shumë raste e kemi ditur hapur se ata nuk janë socialistë, por ndërsa ne nuk kishim si t’a dinim, ju a e dinit se shumë prej tyre ishin dhe janë kriminelë ordinerë e që dora juaj, e fuqizuar jo nga Zoti por nga vota jonë, u dha mundësinë atyre të bëheshin edhe kriminelë politikë? Në se nuk e dinit, shumë keq për ju, në se e dinit akoma më për dreq për ju e për ne… Sa shumë “çyrbe” e sa shumë ”çorbë” na ke ofruar e ne i votuam në besën tuaj, as Zoti vetë nuk e di, se ai s’merret me punë djajsh. A ju bën krenar kjo situatë Ju, zoti Kryeministër, se mua më bën të ndjehem i fyer e i poshtëruar, tashmë jo vetëm prej atyre, por edhe prej jush.

Unë nuk jam ndjerë aspak krenarë me “dashurinë” pa kushte ndaj Metës e familjes së tij politike në vitin 2013, pasi si socialist partiak që isha deri vonë, e kisha të qartë ç’përfaqësonte ai, por të “justifikova” për nevojën e marrjes së pushtetit, ndonëse s’kisha si të ndjehesha krenar as si të justifikoja ndërtimin e administratës pasuese të asaj fitoreje, ndarë në parcela tipike për pashallarë shqiptar, ku “pjesa e luanit” iu dha asaj force politike dhe ishte e papranueshme (si qeverisje!), as s’isha fare dakort, që për llogari meskine pushteti, Meta të bëhej president në vitin 2018, ashtu si nuk kënaqem që sot ai po shkon drejt burgut edhe me ndihmën tuaj, të cilën natyrisht që nuk e mendoj të drejtpërdrejtë përmes ndikimit të drejtësisë, por përmes “pompimit” që i bëre atij duke i dhuruar radhazi dy nga pushtetet më të larta në vend, atë të kryeparlamentarit dhe atë të presidentit. Madje s’isha krenar as kur u more vesh me Berishën në vitin 2008 për ndryshimet kushtetuese, as kur i dhe mbrojtje morale pas Gërdecit në vitin 2009, as në 2011-tën kur i le vetëm protestuesit përballë atij vrasësi, as për kaq shumë vite në pushtet pa e zbardhur atë ngjarje kriminale. Krenar do të isha kur do t’a qoje vendin pa hezituar në zgjedhje të reja disa herë, derisa “të merrje mandatin” për t’a zgjidhur me organet e drejtësisë çeshtjen e tyre. Nga një tufë lule në bulevard çdo përvjetor, nuk mjafton për t’a lehtësuar dhimbjen e familjarëve të atyre fatkeqëve.

Ekonomia ka rritje stabël në shumë sektorë të saj, kryesisht në turizëm. Kjo është natyrshëm gjë e mirë për ata që punojnë në këtë sektor, por edhe njëfarë krenarie, më shumë se ekonomi, edhe për ne të tjerët. Reforma, më saktë aksioni për stabilizimin e tregut të energjisë elektrike, po ashtu duhet përshëndetur, pasi ka stabilizuar furnizimin me energji edhe në kohë të vështira, por edhe na ka bërë të mos ndjeheshim “në turp” ne që paguanim përballë atyre që e vidhnin atë hapur. Por, zoti Kryeministër, nuk mendoj se kemi një zhvillim të qëndrueshëm, e që na bën të ndjehemi të qetë për të nesërmen, nuk jam i kënaqur pasi ka akoma shumë informalitet e cila bën që rritja të mos ndjehet për shtresat e gjëra, as me fenomenin e “marrjes nën sqetulla” nga politika të disa bizneseve ekonomike, nuk mund të jem i kënaqur, e për më tepër të ndjehem krenar. Përtej të gjithave, zoti Kryeministër, unë nuk mund t’a “ngre kryet” përballë shtresës së pensionistëve që marrin akoma 100 - 150 euro në muaj, përballë atyre që jetojnë me përkrahje sociale, apo atyre që punojnë e marrin rreth 40 mijë lek në muaj edhe ato jo rrallë në të zezë, paga që krahasohen vetëm me vendet e Afrikës së largët, ndërkohë që kostoja e jetesës është e vetmja që konkuron “krenare” me shumë vende të zhvilluara e evropiane.

Ju a jeni krenarë me këtë gjendje, zoti Kryeministër?!

- Unë jam i bindur se në këtë vend do të duhet kohë të rikthehet konkurenca e vërtetë politike e ne t’na jepet mundësia të zgjedhim “të mirën e dëshiruar”, jo të keqen më të vogël, si deri më sot, por kjo situatë nuk mendoj se është “medalje krenarie” për Ju! Ka disa herë që personalisht e thoni: Ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka! A duhet t’a kishit ndryshuar këtë gjendje tash 11 vite, zoti Kryeministër? E di, po të kisha përballë, do më thoje se ju nuk e keni në dorë të “prodhoni” opozitën, por nuk shtrohet çështja për këtë. Tjetër mendoj unë e shumë si unë, që në dorë kemi vetëm votën.

- A do të duhej kjo mazhorancë të respektonte pak më shumë disa nisma të opozitës, që rezultojnë të jenë jo larg vizionit e veprimeve tuaja të mëvonshme, duke “ndikuar” kështu që vetë ajo të vetëorientohej drejt veprimeve konstruktive, duke i parë ato si më frytdhënëse se “rruga e rrugës” që shpesh ka zgjedhur në këto vite të qeverisjes tuaj?

- A do të mund t’i kishit dëgjuar pak më shumë votuesit tuaj për hallet e problemet e tyre reale, në vend të monologjeve pafund, të përditshme e të kudondodhura?

- A do mund të kishit bërë që përfaqësuesit e zgjedhur dhe të emëruar nga ana juaj, të kishin një fytyrë pak më afër votuesve tuaj dhe a jeni i bindur se kjo do ta kishte ruajtur edhe fytyrën e qeverisjes më larg veseve të manifestuara, e disa qeli më shumë të lira nëpër burgje?

- A mund të bëhej Partia Socialiste e Shqipërisë (Rilindja) nismëtare e listave plotësisht të hapura e me një sistem ku çdo votë të ketë të njejtën peshë në prodhimin e pushtetit, duke bërë që në pozitë e opozitë, votuesi të zgjedhë të mirën maksimale në vend të së keqes më të vogël?

Ja, këtu qëndron pyetja ime për ju, nëse ndjeheni krenarë dhe nëse keni ndërmend t’a konsideroni ndonjëherë votuesin si “tullë” ndërtuese të pushtetit tuaj, jo si shkallë që të ngjit në maje e pastaj lehtësisht i jep të shtyrën, nga se nuk e mendon më zbritjen prej atje? Dihet kjo! Po nuk e ruajte “shkallën” që të ka ngjitur, do të duhet të hidhesh, e në mos kokën, këmbët do t’i thyesh… Pyetjet janë pafund, ashtu si edhe përgjigjet mund të jenë të tilla, por do t’a përmbyllë këtë persiatje pyetjesh gjysëmretorike me një “këshillë” popullore: Kurrë mos bëj atë punë që dyshon se nesër mund të vije turp prej vetes, apo thënë ndryshe, mprihe thikën në dy anët njëlloj, vëre në gjoksin tënd e të tjetrit, qoftë ky dashamirës apo kundërshtar, e mëshoi asaj sa të mundesh. Nëse nuk të dhemb ty, “hiç mos ki merak” as për tjetrin. Për ata që “nuk kanë dhjamë” kjo thikë shkon në kockë, për Ju, nuk e di! Është detyra jote t’a kontrollosh “trupin” e mekanizmit që udhëheq e atij që drejton, sa “dhimbja e thikës” është akoma e riparueshme, për sa kohë nuk ka gërrye palcën, zoti Kryeministër!

Kryeministri im i shumëpushtetshëm!

Unë e di se nuk ke kohë të lexosh këto “përrallat” e mija (po të ishe përballë, në se do më lejoje të flas, kështu do t’i quaje!), as kush nuk guxon të t’i serverë në ato përmbledhjet ditore, që të japin. Unë e di se nuk ke kohë të takosh njerëz si unë, as durim t’i dëgjosh hallet e njerëzve të thjeshtë, e di se “gjatësia” nuk të lejon t’i shohësh votuesit tuaj drejt në sy, e di, po ashtu, se kam vetëm një votë, për të cilën as më ke falenderuar që t’a kam dhënë, as s’të shqetëson fakti nëse nesër të mungon, e di se zëri im është i vogël për të përshkruar “hapësirën e shurdhët” që e ndanë qeverisjen nga votuesit e saj, e di se nuk ka ky zë as forcën dhe as mundësinë të konkuroje me thirrjet e duartrokitjet frenetike të servilëve ndaj pushtetit që të rrethojnë, por unë e kam si bindjen time e ju duhet t’a pranoni edhe pse vonë, se si unë, ndonëse të heshtur për një mijë e një arësye, janë shumë nga votuesit tuaj, e zëri i heshtjes së tyre uluritëse duhet dëgjuar.

Lezhë, më 23 tetor 2024

-------------------------

* intelektual e studjues



(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Idriz Zeqiraj: Arma e fundit e opozitës - bojkoti i koalicionit me LVV! Klajd Kapinova: Të jesh homoseksual në hierakinë e lartë të Selisë së Shenjtë në Vatikan është garanci suksesi! Albert Zholi: Referendumi historik për Kushtetutën e re demokratike në 21 tetor 1998 Kalosh Çeliku: Xhindet më gjetën edhe në Prishtinë Albert Vataj: Padrejtësia e drejtësisë për arrestimin e Ilir Metës Nue Oroshi: Lëvizja e Deçanit, historia e laramanizimit në Dardani dhe agresiviteti i neotomanëve Afrim Musliu: Shpresa e madhe serbe me akuza për “Kosovën primitive myslimane” dhe vaji i njohur për “Kosmetin” Ilir Meta: Ndihem krenar që jam rrëmbyer dhunshëm nga antishqiptarët Petrit Dibrani: Intelektualët “shkencëtar”, pa asnjë punim shkencor me doktrinë Islamiste! Florim Zeqa: Guximtarët e mbrojnë identitetin e tyre politik! Florim Zeqa: Të mbrohet dinjiteti i ushtarit! Florim Zeqa: Fushatë e hershme dhe e ashpër! Llesh Ndoj: Kujdes nga 'berishizmi' brenda vetes zoti kryeministër! Luan Asllan Dibrani: Mustafa Bajrami me qëndrime antishqiptare për identitetin tonë kombëtar! Albert Zholi: Vladimir Mici - Inflacioni është dhe mbetet vetëm problem i politikës monetare Florim Zeqa: Pse pacientët kosovar shkojnë për shërim në spitalet e Serbisë?! Luan Asllan Dibrani: Albin Kurti dhe Donika Gërvalla takime madhështore me Mërgatën Shqiptare në Gjermani Florim Zeqa: Rrëshqitja drastike e Albin Kurtit Kalosh Çeliku: Revista letrare Stili ‘97 Florim Zeqa: LVV mes vazhdimësisë dhe dështimit historik!

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora