E marte, 10.12.2024, 11:48 PM (GMT)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Arma e fundit e opozitës - bojkoti i koalicionit me LVV!

E merkure, 23.10.2024, 05:56 PM


ARMA E FUNDIT E OPOZITËS - BOJKOTI I KOALICIONIT ME LVV!

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Parti, partiza dhe grupime minore, kanë bërë koalicione parazgjedhore, nga frika e mos arritjes të përqindjes së nevojshme të pragut zgjedhor. Ndoca parti të tjera janë koalicionuar, për të arritur kuotën e vendit të parë, respektivisht, të dytë. Opozita aktuale ka zgjedhur sulmin frontal, madje, skajshëm, të sforcuar kundër pozitës, sondazhet e së cilës janë shqetësuese, deri në tmerrim. Andaj, qysh tani, opozita, ndoshta edhe pozita, kanë filluar të bëjnë llogaritë për koalicionet pas zgjedhore.

Është hedhur ideja e bojkotimit të koalicionit me LVV-në, ngjajshëm siç veproi opozita gjermane, e kryesuar nga CDU, duke e amortizuar fitoren e Kancelarit Richard Schröder të SPD, me dyshimin që hodhi Amerika, karshi tij për flirtimet me Rusinë, dy dekada më parë. Ngjajshëm ndodhi, më vonë, edhe me partinë e ekstremit të djathë austriake, me afri programi me partinë naziste të Hitlerit, të kryesuar nga Jorg Hajder, e cila nuk u pranua nga SHBA, duke imponuar atë t`ia lëshoi vendin partisë së dytë fituese, për të krijuar qeverinë.

Realisht, opozita destruktive aktuale e Kosovës, e kryesuar nga PDK, me zvarranikët e saj në PAN, rrëshqiti në faj, deri në krim, duke u bërë aleate besnike e Serbisë, në akuzat e rënda ndaj Kurtit. PAN-i u vu në rolin e spiunimit tek Qendrat e Vendosjes, në përpjekjen e ethshme të shpalljes - non grata - të Kryeministrit të Kosovës. Për rrjedhojë, realizoi - sanksionet - e padrejta, deri në absurditet të Kosovës; mos pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës; vënien në dyshim të ndihmave dhe favoreve tjera nga BE-ja; e mbi të gjitha, bartjen e fajësisë nga Serbia dhe mveshja e së keqës Kosovës. Për këtë u angazhua edhe pjesa me e madhe e mediave, e kulmuar me "analistët" banalistë, argatë të PAN-it kriminal. Tashmë, e gjithë kjo gamë poshtërsish është vërtetuar katërcipërisht!

Parafushata e jashtëligjshme e "analistëve" gërditës të PAN-it, rrast e sforcuar!

Gërdia për shumësinë e "analistëve", ka kulmuar në opinion, në atë përmasë, sa i fusin të gjithë në emërtesën pezhorative -banalistë-. Ata duke qenë në shërbim të padronëve të tyre, respektivisht të PAN-it, kanë humbur sensin e masës, duke glacuar marrëzishëm, madje pa u skuqur fare.

Lukunia e "analistëve" kolektiv dhe unik, në shërbim të PAN-it, në raste të pakta, njëri nga paneli shprehë opinion të kundërt, sa për ta "nxehur" debatin! Citojmë vetëm njërin syrësh, Visar Ymerin, i cili, në njërin nga debatët e fundit, tha: "Kështu duhet të jetë përbërja e qeverisë së ardhshme", duke përcaktuar se "e duhur për Kosovën do të ishte formimi i një qeverie prej partive opozitare!" Me arsyetimin se, gjoja, "Kosovës i duhet stabilitet, bashkëpunim e zhvillim!"

Thënë troç, Visari lobon për PAN-in, "i donë "komandantët", sërishmi, në pushtet", madje, hiç më pak se "dy mandate!" Analisti elitë i përnatshëm, Visar Ymeri, amniston, madje në grup, PAN-in, i cili për dy dekada qeverisjeje kriminale, të shoqëruar me krime vrastare politike; hajni zyrtare industriale; shkatërrim të institucioneve, deri në rrezikim të zhbërjes të shtetit. Ai është i vetëdijshëm se ish-bashkëpartiakun e tij, Albin Kurtin, tashmë, "fenomeni Kurti", "komandantët" rrast të inkriminuar nuk mund ta mundin. Andaj, bashkimi i opozitës, përfshi edhe LDK-në, "e ka shansin e artë", siç shprehet ai, për ta hequr qafe Kurtin me Vetëvendosjen e tij.

Vërtet, dihet botërisht, LDK-ja nuk ka pasur as struktura të krimit vrastar dhe as hajnor të organizuar, siç e ka, realisht, PAN-i. Por, bartë fajësinë e mbajtjes në pushtet të partive-banda, të koalicionuara në PAN. Edhe pse këtë e bëri një klan, rreth vicioz, brenda LDK-së, i katapultuar me shantazh e terror, në kupolën partiake, megjithatë heshtja nuk justifikohet.

Akuza e opozitës se "Kurti mashtroi shqiptarët e Kosovës, me slloganin e Bashkimit Kombëtar", është lajthitje e qëllimshme e saj, për të mos e përmendur premtimin e madh dhe të shumëpritur nga shqiptarët e përbotshëm: "Kriminelët dhe hajnat në burg". Parulla e "bashkimit kombëtar", në atë kohë të pakohë, ishte fajësi e Kurtit me shokë. Sepse ishte dhe është sikur t`i thuash Serbisë dhe ndërkombëtarëve: "Ejani ta ndajmë Kosovën", siç loboi Hashimi me PAN-in e tij, dje dhe sot, duke paguar edhe agjenësi lobuese, që nga New York-u e deri në Paris, tashmë, të konfirmuara dhe me dokumente pagese, fakte që bartin elementin e krimit, deri në tradhti kombëtare.

Përgjegjësi historike i një populli, kthimi në pushtet i PAN-it të kriminalizuar!

Përkundër sugjerimit, më saktë, kërkesës që bënë analisti Visar Ymeri me kolegët debatues, pothuajse, në të gjitha mediat, por edhe opozita PAN-iste e çoroditur dhe, skajshëm, destruktive, e cila, tashmë, llogaritet palë me Serbinë, përsa i përket - dialogut - dhe të veprimeve sovraniste që ka ndërmarrë dhe vazhdon të ushtrojë qeveria aktuale e Lëvizjes Vetëvendosje, në koalicion me Listën  Guxo dhe Alternativa si dhe me përfaqësuesit e partive minoritare, personalisht, mendoj krejt ndryshe.

Përsa u përket subjekteve politike, PDK-AAK-NISMA, të dala nga "Lëvizja Popullore e Kosovës", (LPK), ish të koalicionuara në PAN, krerët e tyre, së bashku me disa "komandantë", të kamufluar me uniformën e shenjtë të -UÇK-së-, përgjatë luftës dhe pas luftës të Kosovës, të instruktuar nga Sigurimsat e Enver Hoxhës, u zhytën në krime vrastare të kundërshtarëve politikë shqiptarë. Qysh para luftës, ata sabotuan Fondet financiare, të hapura për mbijetesën e popullit të Kosovës, duke përçarë emigracionin ekonomik dhe poplitik të Shqiptarëve, madje kudo që jetonin dhe punonin në botë. Me fillimin e luftës, sabotuan unifikimin e faktorit ushtarak, duke dështuar mbledhjen në Osllo të Norvegjisë dhe duke kulmuar me ekzekutimin zyrtar të Ministrit të Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqit.

Në ekzekutimin e kreut të luftës, Krasniqi, ishin koordinuar krerët e LPK-së, me SHP të UÇK-së të saj dhe krerët socialistë të Tiranës zyrtare. Edhe pse e kishin proklamuar themelimin e UÇK-së së tyre, atë kurrë nuk e futën në Luftën e Kosovës. Dhe, janë themeluesit e kësaj UÇK-je, ata që akuzojnë SHTAB-in e Rogner-it, për sabotim të luftës, madje duke i denoncuar eksponentët me emra dhe mbiemra, sipas pozitës politike dhe ushtarake që mbanin në atë kohë. Dhe, e gjithë kjo është një e vërtetë publike, e thënë dhe e shkruar në forume dhe mediat gjithëshqiptare, madje edhe të huaja.

Qeveria e Përkohshme e Kosovës, e kompozuar nga Tirana zyrtare social-komuniste, e barti në Kosovë praktikën fashizoide të Enver Hoxhës, me byroistët e tij kriminelë, të cilët, për afro gjysmë-shekulli, ushtroi dhunë, terror, gjenocid, karshi popullit shqiptar të Shqipërisë. Në mes shumë mijëra të deklasuarëve politikë, me vrasje, burgje dhe internime, ekzekutoi edhe 6.000 intelektualë, duke i lënë edhe pa varr! Kështu filloi sundimin kriminal edhe Qeveria e Përkohshme e Kosovës, e cila po përballet me dosjet faktike të shumë qindra krimeve, të bëra ndaj ushtarakëve luftë-bërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës; kuadrove dhe veprimtarëve të LDK-së; gazetarëve-korrespondentë të luftës; si dhe kuadrove të hershëm të LPK-së.

Rrjedhimisht, partitë-banda të PAN-it, me krimet serike të krerëve të tyre partiakë dhe të shumë kuadrove të tyre, të bëra përgjatë dhe pas luftës, siç janë vrasjet e kundërshtarëve politikë dhe korrupsioni masiv, përkatësisht, hajnia zyrtare dhe shkatërrimi i ekonomisë, i institucioneve, në veçanti të Sistemit të Drejtësisë, Arsimit, me blerjen e diplomave nga "komandantët", sot me doktorata shkencore, "profesorë" në Universitetet e Kosovës, duke sjellur vendin në stadin më të ulët shtetëror, që kulmon me pazarët e pista e tradhtare me Serbinë, për ndarjen e Kosovës!

Pra, qytetari i Kosovës, është para një sprove historike, me përgjegjësi të lartë kombëtare, në zgjedhjet e shkurtit 2025, PAN-in duhet ta lënë ta vazhdojë opozitarizmin e merituar, të paktën, për një 10-vjeçar. Partitë e PAN-it, respektivisht, PDK-AAK-NISMA, për veprimtarinë e tyre kriminale, në një shtet normal, duhej të shpalleshin - të jashtëligjshme -. Por, për hirë të anëtarësisë, të mashtruar me propagandën lehaqene, tipike enveriste, këto parti duhet jo të

re-formohen -, por të - ri-formohen -, duke i spastruar radhët e tyre nga elementët e inkriminuar dhe të korruptuar, të cilët, mjerisht, janë të bollshëm, numerikë. Madje, me rastin e -riformimit-, për t`u distancuar nga e kaluara kriminale e ish-partiakëve, duhet të emërtohen ndryshe, pra, me emra të rinj dhe përcaktime, djathtas apo majtas, sipas bindjeve përkatëse individuale. Pra, të shpëtohet atë çka mund të shpëtohet. Dhe, kjo do të ishte e shëndetshme për partitë e reja dhe Kosovën tonë. Partitë e sotme të PAN-it, nuk kanë asgjë nga djathtizmi klasik. Përkundrazi, janë tërësisht të majta, madje, tipike enveriste-staliniste.

Koalicionet e partive të mëdha, në botën demokratike, për interesa shtetërore, nuk i pengojnë qenia e majtë apo e djathtë normale. Ndërkohë, ekstremet janë alergjike, pavarësisht të cilit krah janë. Përcaktimi LDK-së është i njohur dhe i pranueshëm, pothuaj se, nga të gjitha palët, subjektet. Për LVV majtizmi i saj është ekzagjeruar, është bërë "gogol" për opinionin! Realisht, VV është heterogjene, siç shkruante shkrimtari ynë, Azem Shkreli, në hyrje të romanit "Karvani i Bardhë": "Ndër këto troje është përzier gjithfarë ujemi!" Sigurisht, fjalën e kishte për multietnicitetin, më saktë, kolonët e sjellur qëllimshëm, për ta ndryshuar strukturën e popullatës në Kosovë.

LDK dhe LVV nuk kanë pasur dhe as nuk kanë struktura të krimit dhe as hajni të organizuar. Rrjedhimisht, e kaluara e këtyre dy subjekteve është pa mëkate, që mund t`i hamendësojnë qytetarët e Kosovës, për ta besuar votën e tyre, pa frikë të abuzimit me pasuritë e brezave të sotëm dhe të ardhshëm shqiptarë. Koalicioni i parë LDK-LVV ka qenë krejt i natyrshëm dhe hiç aksidental. Dilema e zgjedhjes për koalicion në Kosovë, është e madhe sa bjeshka. Sepse Kosova është përgjakur jo vetëm nga Serbia, por edhe nga shqipfolësit, hafije të Serbisë dhe të Shqipërisë. Kjo përgjakje ka qenë e ngeshme, skajshëm cinike, ka qenë SHTAB-iste, me hartimin e listave vdektare emërore. Dhe, kjo ka ndodhur vetëm përgjatë LDB në Shqipëri dhe e vazhduar në monizmin e saj fashist. Mjerisht e besnikërisht është bartuar në Luftën e Kosovës gjysmë-shekulli më parë, duke e përgjakur, andepërtej, Kosovën tonë!

E përsërisim, koalicioni LDK-LVV, ka qenë normal, ndërsa prishja e koalicionit ka qenë aksidentale. Ndërhyrja kriminale e Vuçiqit, Hashimit, Grenellit,  Ramës ..., realizoi prishjen e koalicionit, i vetmi i pranueshëm nga pjesa më e madhe, madje absolute të shqiptarëve botërorë. Ishte një prishje e ngutshme e koalicionit, me afat një javor, që kreu LDK-së të atëhershme, i shantazhuar nga SHIK-u vrastar, e miratoi. Për LDK-në, respektivisht, udhëheqjen aktuale të saj, e cila, të paktën, i ka filluar reformat në parti, me premtimin dhe shpresën e vazhdimit të tyre, anëtarësia, në veçanti, dhe Shqiptaria, në përgjithësi, shtron pyetjen logjike: "A është më e pranueshme të bësh koalicion me LVV, apo me PAN-in, i cili ka përgjakur LDK-në dhe Kosovën dhe kurrë nuk ka kërkuar as falje dhe as pajtim?!!!"

Një njeri, një parti, një popull që nuk ka parime, vlerat e tij shumëzohen me zëro. Ka ardhur koha që shqiptarët, më në fund, të vetëdijësohen. Padrejtësia që i bëhet një individi, gjëma që i shkaktohet një njeriut, një familje, një lagje, një fshati, duhet të përjetohet kolektivisht dhe angazhimi duhet të jetë maksimal, për ta lehtësuar gjëmën e tyre, duke bërë drejtësinë, në raport dhe përmasën e krimit.

Poeti shquar çek, Julius Fuçik, para skuadrës pushkatore, bënte thirrjen proverbiale: "Njerëz, ju kam dashur. Jini vigjilentë!"



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Klajd Kapinova: Të jesh homoseksual në hierakinë e lartë të Selisë së Shenjtë në Vatikan është garanci suksesi! Albert Zholi: Referendumi historik për Kushtetutën e re demokratike në 21 tetor 1998 Kalosh Çeliku: Xhindet më gjetën edhe në Prishtinë Albert Vataj: Padrejtësia e drejtësisë për arrestimin e Ilir Metës Nue Oroshi: Lëvizja e Deçanit, historia e laramanizimit në Dardani dhe agresiviteti i neotomanëve Afrim Musliu: Shpresa e madhe serbe me akuza për “Kosovën primitive myslimane” dhe vaji i njohur për “Kosmetin” Ilir Meta: Ndihem krenar që jam rrëmbyer dhunshëm nga antishqiptarët Petrit Dibrani: Intelektualët “shkencëtar”, pa asnjë punim shkencor me doktrinë Islamiste! Florim Zeqa: Guximtarët e mbrojnë identitetin e tyre politik! Florim Zeqa: Të mbrohet dinjiteti i ushtarit! Florim Zeqa: Fushatë e hershme dhe e ashpër! Llesh Ndoj: Kujdes nga 'berishizmi' brenda vetes zoti kryeministër! Luan Asllan Dibrani: Mustafa Bajrami me qëndrime antishqiptare për identitetin tonë kombëtar! Albert Zholi: Vladimir Mici - Inflacioni është dhe mbetet vetëm problem i politikës monetare Florim Zeqa: Pse pacientët kosovar shkojnë për shërim në spitalet e Serbisë?! Luan Asllan Dibrani: Albin Kurti dhe Donika Gërvalla takime madhështore me Mërgatën Shqiptare në Gjermani Florim Zeqa: Rrëshqitja drastike e Albin Kurtit Kalosh Çeliku: Revista letrare Stili ‘97 Florim Zeqa: LVV mes vazhdimësisë dhe dështimit historik! Basri Beka: Fyerje ndaj Kombit Shqiptar - Kryemyftiu Turk Glorifikon Pushtuesit Osmanë

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora