Speciale
Dorian Koçi: Udhëtimi drejt së panjohurës në mesin e shekullit të XIX
E merkure, 09.10.2024, 05:58 PM
Dorian Koçi:
Udhëtimi
drejt së panjohurës në mesin e shekullit të XIX në botën kulturore britanike u
kthye dalë nga dalë në një udhëtim për argëtim në një domosdoshmëri për të
mbledhur përvojë e fituar dije. Territori i së ashtëquajturës Turqi Evropiane
apo Lindje e Afërt vazhdoi për një kohë të gjatë të grishte kureshtje dhe
interesim.
Shpesh
herë këto territore u panë drejtë për së drejtë si një vazhdim i Orientit që
ndodhej shumë afër pothuajse tëk pragu i derës ku pas teksteve të hershme të
Bajronit , Leak e Ulhart nuk mungojnë të gjejnë pasqyrim dhe skicat dhe tablotë
e ndryshme. Mes piktorëve të tjerë që ilustruan veprat voluminoze të udhëtarëve
të mëparshëm britanikë që udhëtuan në Shqipëri ishte dhe Edward Lear
(1812-1888), peizazhist, piktor dhe poet i periudhës Viktoriane në Britani.
Përmes
portreteve të pikturuara prej tij në Shkodër arrijmë të gjurmojmë një seri
personazhesh kulturorë dhe historikë të kryeqendrës së veriut së Shqipërisë.
Edward
Lear në kulturën britanike është i përmendur më shumë sot për “vargjet e tij
origjinale e pa kuptim për fëmijët në letërsinë angleze”, por në fushën e
studimeve ballkanike përmendet për ditarin e vet “Journal of a Landscape
Painter in Albania” i botuar për herë parë më 1851.
Ditari
është pasqyrim i mbresave dhe shënimeve të udhëtimit që Lear-i ndërmori në
Shqipëri më 24 shtator –4 nëntor 1848. Janë të shumtë udhëtarët dhe piktorët të
nxitur dhe të joshur nga ekzotizmi i veprave të Byron dhe veprës së Hobhauzit
“A journey through Albania and other European provinces of Turkish Empire” që
vizituan dhe skicuan Epirin dhe Greqinë por asnjëri prej tyre nuk vizitoi
veriun e Shqipërisë dhe ish-kryeqendrën e rezistencës shqiptare në shekullin e
XV, Krujën.
E
veçanta e Lear-it krahasuar me udhëtarët e tjerë britanikë nuk është vetëm
fakti se ai hyri nga lindja e Ballkanit (porti i Selanikut) por se udhëtoi
gjatë e thellë në drejtimin jug-veri.Vetë Lear ndihet krenar për udhëtimin e
ndërmarrë pasi thekson në ditarin e vet se është i “vetmi anglez që jep të
dhëna për disa vende si pjesa e maleve Akrokerane, Kruja e rrethinat e Ohrit”.
Në
2 tetor të vitit 1848 ai arriti deri në Shkodër ku u prit nga zv.konsulli
britanik, Spiridon Bonnati. Edward Lear kishte letra rekomandimi për z Bonati
dhe ai e rregulloi të flinte në shtëpinë e një farmacisti venecian të quajtur
Marko.
Pasioni
i Lear-it ishte piktura dhe gravurat. Një nga karakteristikat e udhëtarit
britanik në gjysmën e shekullit të XIX ishte se ai zakonisht e zgjidhte kauzën
të cilën dëshironte të përkrahte përpara se të fillonte udhëtimin. Lear bënte
pjesë në këtë kategori udhëtarësh, pasi duke qenë para së gjithash një
peizazhist dhe ilustrues me një ambicie të madhe, ai vazhdimisht ishte në
kërkim të piktoreskes dhe sublimes të inspiruar nga panoramat e Mesdheut.
Për
këtë arsye pas vizitave të kortezisë te Pashai i Shkodrës dhe drekës së shtruar
për nder të tij, ai nxitoi që të nesërmen të pikturonte pejsazhet e
mrekullueshme të Shkodrës. Përveç pejsazheve Lear skicoi dhe portretet e të
njohurve të rrethit miqësor të Spiridon Bonattit që ai takoi në Shkodër.
Ditën
e katërt të qëndrimit në Shkodër Lear-i e kish planifikuar për të pikturuar për
miqtë. Që herët në datën 5 tetor 1848 shkoi në shtëpinë e Konsullit për të
vizatuar një kapedan gegë, Abdullah Beun, i veshur aq mrekullisht në ato
kostume në të kuq e me ar.
I
mrekulluar nga kostumet popullore shqiptare në ditë më vonë në 6 tetor , Lear
pikturoi Kaliopi Bonatin, vajzën e dytë të zv/konsullit britanik ne Shkodër, z
Spiridon Bonatti, të veshur me kostum tradicional shkodran.
Familja
Bonati kishte ardhur nga Korfuzi dhe ishte vendosur ne Shkodër. Disa të dhëna
interesante rreth familjes Bonati gjenden në një libër të botuar në Itali për
jetën e doktor Xhenaro [Gennaro] Simini [1812-1880], Giacinto Simini, “Një
atdhetar nga Leçe në Shqipërinë osmane” [Un Patriota Leccese Nell’Albania
Ottomana], nxjerrë nën kujdesin e Mirella Galletti, Parathënia e Franco
Cardini, Argo 2011.
Dr.Xhenaro
Semini që ka jetuar në Shkodër në shënimet e tij shkruan se origjina e Spiridon
Bonatti, përndryshe italian nga Venediku, “me prejardhje e ndjenja” [f. 17, 99]
ishte nga Venediku. Më parë Spiridon Bonati kish shërbyer në Prevezë si konsull
britanik. Ai shërbeu për një kohë të gjatë në Shkodër si zvkonsull i Britanisë
së Madhe.
Tetë
vjet më vonë më 1856 një nga vajzat e tij Elena Bonati u martua me Dr. Xhenaro
[Gennaro] Simini [1812-1880], që ishte vendosur në Shkodër pas vitit 1848. Ai
bënte pjesë në rrethin e emigrantëve politikë që për t’i shpëtuar reaksionit
burbon, … gjetën strehim të përkohshëm në trojet arbërore…përfshirë portet e
Tivarit, Durrësit, Prevezës, Vlorës, për t’u ngulur më tej në Gjirokastër,
Shkodër, Tiranë, etj. Shumica vijonin më tutje, në Ishujt Jonianë, Greqi,
Dalmaci e Stamboll.
Elena
Bonati lindi në Shkodër dhe ishte grua e nderuar dhe respektuar nga mbarë
populli. Ata lindën pesë fëmijë: Guljelmin, Angjolinën, Gjiacintin, Atilion dhe
Emilion. Vajza vdiq në moshë të re.
Nga
viti 1842-1847 pranë konsullatës britanike punoi edhe Pashko Vasa si sekretar i
kësaj nën konsullate. Gjatë punës së tij në këtë nënkonsullatë pati rast të
njihte atdhetarë italianë, të cilët Burbonët i kishin dëbuar nga Napoli.
Shumica e këtyre atdhetarëve italianë pajiseshin me dokumente identiteti të
lëshuara prej komisarit britanik të ishujve jonianë, ndaj si emigrantë politikë
gjenin si pikë kontakti nënkonsullatën britanike në Shkodër.
Këto
kontakte dhe shkëmbime idesh me këta revolucionarë të përndjekur krijuan
humusin ideor ku Pashko Vasa gjeti solidaritet kulturor dhe njohu idetë
politike që mbizotëronin në Evropë.
Është
e rëndësishme të bëjmë një vlerësim të disa zhvillimeve të përgjithshme, ku
përfshihet jo vetëm Ballkani, por edhe pjesa tjetër e Europës, të cilat do të
ushtronin një ndikim të rëndësishëm mbi aktivitetet revolucionare ku një vend
të rëndësishëm zë formulimi dhe pranimi në shkallë të gjerë të ideologjive
liberale dhe kombëtare. Pas kontakteve me këto ide, Pashko Vasa e braktisi
punën nën nënkonsullatën britanike për të vajtur në Itali që të merrte pjesë,
bashkë me internacionalistë të tjerë, në çlirimin e këtij vendi nga sundimet e
huaja, me qëllim që “të rrokë shpatën italiane dhe të ngadhënjejë ose të vdesë
me lavdi bashkë me italianët”.
Mesa
duket në këto vite ai është njohur me Katerina Bonatin (Ninën), motra e Elenës
me të cilën ai u martua më vonë më 23 maj të vitit 1861, në Stamboll. Katerina
Bonati ishte vejushë e një oficeri garabildian Xhovani Montezi i vrarë në
ekspeditën e Garibaldit në Itali më 1 tetor 1860.
Pashko
Vasa kishte qenë më parë i martuar që më 1855 me një grua shqiptare për të cilën
nuk ka të dhëna. Ata patën së bashku katër vajza dhe një djalë, ndër të cilët
tri vajza dhe djali vdiqën në moshë të njomë, ndërsa vajza e katërt Roza, vdiq
më vonë, por edhe ajo e re, në moshën 28–vjeçare.
Nga
martesa me Katerina Bonattin i lindi vajza Tereza Teodolina Paskalina më 1864.
Katerina Bonnati vdiq e sëmurë nga tuberkulozi, në vitin 1884 në Bejrut, ku
Pashko Vasa është i emëruar një vit më parë, më 8 maj 1883, si Konsull i
Përgjithshëm i Libanit.
Ndërkohë
motra e saj, Elena Bonati vdiq më 30 shtator 1873 . Sipas dorëshkrimit, humbja
e kësaj gruaje të virtytshme shkaktoi pikëllimin e Shkodrës mbarë. I shoqi i
saj Dr Semini vdiq 7 vjet më vonë në 9 prill 1880. Në funeralin e tij morën
pjesë autoritetet qeveritare, konsullore, kleri, qytetarë, malësorë, të
krishterë dhe myslimanë, kurse arkivoli shoqërohej nga një trupë ushtarakësh
otomanë të kryesuar nga kolonel Hodo Bej.
Ky
ishte një nga aktivistët më të rëndësishëm të Lidhjes së Prizrenit në Shkodër.
Ai ishte i biri i Mahmud beg Sokolit, në një familje me prejardhje nga viset e
Sumës të vendosur në lagjen Dërgut në kohën e Pashallëkut të Shkodrës. Më 1876
u gradua kolonel i xhandarmërisë së Shkodrës, atëherë me titullin kullukçibash.
Pas
ndodhive të Lidhjes së Prizrenit, kur skema e lëshimit të territoreve kaloi nga
Plava e Gucia në Hot, Grudë e Kelmend sipas linjës Korti, Hodo begu u zgjodh
kryetar i Komitetit të degës vendore të Lidhjes, me zëvendës Preng Bibë Dodën.
Komiteti nxorri kushtrimin dhe Hodo Begu u priu 8.000 burrave për në Tuz, ku
Hodo Begut i ishin bashkuar gati tërë oficerët e xhandarmërisë osmane.
Pas
veprimeve në mbrojtjen e bajrakëve të Malësisë së Madhe, Hodo Begu u gradua
pashë mirliva (gjeneral brigade) dhe nisi të punonte për mobilizim të
përgjithshëm në të gjitha viset shqiptare, për punën e tij për autonomi nuk
vonoi shumë dhe më 12 dhjetor 1880 Dervish Pasha i arrestoi dhe i nisi për në
Stamboll.
Pas
takimeve në Babu-serasqeri (Ministria e Luftës), burimet e kohës tregojnë se
Sulltani donte t’i internonte në Erzurum, por ndërhyrja e ambasadorëve të
shumtë bënë që mos të merrej ky vendim dhe të qëndronin në Stamboll. Hodo Pasha
refuzoi për arsye shëndetësore emërtimin mytesarif i Damaskut. Sipas Bushatit e
internuan në Erzinxhan, ku disa burime thonë se nga dëshpërimi u hodh nga
pallati apo kështjella, burime të tjera kumtojnë se ndërroi jetë nga kolera,
ose u ekzekutua më 1883.
Në
krye të kortezhit ishte banda muzikore e qytetit dhe arqipeshkvi
tetëdhjetëvjeçar. Kallja e trupit në dhé e Dr Seminit u shoqëria me breshëri të
shtënash. [ff. 105-106].
Afërsia
familjare e Dr Seminit me Pashko Vasën mund të ketë ndikuar në aktivizimin e
tij politik në çështjen shqiptare në vitet e Lidhjes së Prizrenit. Pashko Vasa
në shkurt 1878 u emërua si këshilltar i valiut të Kosovës, Qamil Pashës.
Pashko
Vasa arriti në Kosovë në pranverë 1878. Ai ishte një nga organizatorët e
Lidhjes së Prizrenit. Pandehet se është autor i memorandumeve të muajit mars të
këtij viti drejtuar A.H Layard, ambasador i Britanisë së Madhe, pranë Portës së
Lartë, dhe të memorandumit të datës 20 qershor, drejtuar përfaqësuesve të
Gjermanisë, Austro-Hungarisë dhe Francës në Kongresin e Berlinit për çështjen
shqiptare. Në memorandumin e fundit, midis nënshkrimeve të tjera, gjendet dhe
ai i Pashko Vasës.
Si
dihet Pashko Vasa është një nga formuluesit kryesorë të shqiptarizmit
ideologjisë nacionaliste që kërkonte në fushën politike, të çlironte atdheun
nga robëria e huaj shekullore dhe të formonte shtetin kombëtar shqiptar, të
shtrirë në mbarë trojet shqiptare; në fushën shoqërore, të çlironte vendin nga
marrëdhëniet e vjetëruara feudale dhe ta shkëpuste nga prapambetja politike,
ekonomike dhe shoqërore duke vendosur rendin demokratik përparimtar, nën
shembullin e vendeve të qytetëruara të kohës; në fushën kulturore, të çlironte
masat nga prapambetja mendore dhe të shpejtonte zhvillimin e tyre arsimor,
kulturor dhe shkencor me bazë gjuhën shqipe.
Si
e tillë ajo do ishte një lëvizje revolucionare kombëtare me karakter çlirimtar,
demokratik dhe iluminist. Idealet e vjetra revolucionare të Dr Seminit gjetën
një ambjent pjellor në përpjekjet e shqiptarëve për të afirmuar kombësinë e
tyre dhe betejave për të mbrojtur Plavën, Gucinë, Hotin dhe Grudën.
Dr.
Semini, sipas dorëshkrimit, u lidh aq shumë pas vendit që i shpëtoi jetën aq sa
e mbështeti “gjithmonë” pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Madje,
pas pavarësisë së Italisë Simini nuk pranoi ofertat për poste qeveritare –
sikurse përmendëm – ndërkohë që miku i tij, avokati Del Donno, u kthye në Itali
dhe madje u zgjodh edhe deputet.
Aq
shumë u njësua Simini me atdheun e ri sa u përfshi edhe në lëvizjen kombëtare
shqiptare pas Kongresit të Berlinit me 13 korrik 1878. Sipas dorëshkrimit,
“Gennaro Simini ishte një ndër krerët e lëvizjes së Lidhjes së Prizrenit dhe
punoi që Kongresi i Berlinit të njihte pavarësinë e Shqipërisë nga qeveria
turke” [f. 104].
Ky
pohim është paksa i egzagjeruar pasi në dokumentacionin e degës së Lidhjes së
Prizenit për Shkodrën nuk gjendet një e dhënë e tillë por ai duhet marrë në
formën e pohimeve romantike që karakterizojnë kujtimet dhe shënimet e shekullit
të XIX përsa i përket idealeve të lirisë kombëtare të popujve.
Shkodra
si një nga qendrat më të mëdha administrative të popullsisë shqiptare në
shekullin e XIX ishte kthyer dhe një qytet kozmopolit ku kishin gjetur strehë
pikëpamjet e nacionalizmit romantik, shteformimit, rilindjes italiane e
revolucionit të vitit 1848.
Skicimi
i galerisë së personazheve historikë shqiptarë që ndërvepruan me botën
evropiane është i vështirë pasi duhen gjurmuar tekste dhe autorë të shekullit
të XIX, ndonjëherë dhe në dorëshkrime.
Gjithësesi
tekste të tilla si të Lear apo Dr Seminit na lejojnë që të kemi mundësinë për
të hedhur dritë mbi disa nga këta personazhe të rëndësishëm që mbizotëruan në
jetën publike të Shkodrës si familja Bonati, Pashko Vasa, Dr Semini, Hodo
Sokoli.
Ndërveprimet
e tyre shoqërore shpesh herë ndikuan dhe në farkëtimin e identitetit shqiptar
që vinte si në të gjitha rastet në Evropën Lindore si një shumësi e
identiteteve të ndryshëm kulturorë.
Bibliografi:
1- Agron Alibali. NJË
INCIDENT DIPLOMATIK NË SHKODËR – MARS 1865. www.peizazhe.com. dt. 13 Korrik
2021
2- Andre Hammond, The
uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel Writing,
1850-1914, The Slavonic and East European Review, Vol.82,No.3 (Jul.,2004).
3- Afrim Q. Karagjozi,
Eduard Liri, Botimet Enciklopedike, Tiranë, 1997
4- Barbara Jelavich, The
British Traveller in the Balkans: the Abuses of Ottoman Administration in the
Slavonic Provinces, The Slavonic and East Review, Vol.33, No. 81 (June.,1955)
5- Kristo Frashëri,
Historia e Qytetërimit Shqiptar, Akademia e Shkencave: Tiranë, 2008.
6- Ymer Jaka.
Biibliografi. Pashko Vasa. Vepra I, Botimet Toena, Tiranë, 2009, fq 55-56.